Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Qershor 2018:

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË KULTURËS DHE REVOKIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË BASHKISË TIRANË, PËR SIPËRFAQEN PREJ 235 M2 , TË PASURISË ME NUMËR 1/256, ME SIPËRFAQE TOTALE 1644 M2, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8150

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 12, 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe shkronjës “a”, të nenit 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës dhe ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës dhe revokimin e së drejtës së pronësisë Bashkisë Tiranë, për sipërfaqen prej 235 m2 të pasurisë me numër 1/256, me sipërfaqe totale 1644 m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 8150, me qëllim zhvillimin e projektit “Rehabilitimi i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, sipas hartave treguese që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.760, datë 20.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të disa pronave me vendndodhje në zonat kadastrale 8250, 8240, 8190, 8150”, sipërfaqja e pasurisë përmendur, në pikën 1 të këtij vendimi, bëhet 1409 m2.

3. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN ME KONCESION TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT LIGJOR TË INSTRUMENTEVE MATËSE, NËPËRMJET VERIFIKIMIT TË INSTRUMENTEVE SHPËRNDARËSE TË KARBURANTIT DHE GAZIT TË LËNGSHËM, DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat, miratuar me vendimin nr.575, datë 10.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien me koncesion/PPP të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues.

2. Miratimin e bonusit prej 10 (dhjetë) për qind të pikëve për rezultatin tekniko-financiar në procedurën konkurruese, e cila i jepet shoqërisë “Noa Control”, sh.p.k.

3. Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 20 vjet, nga data e nënshkrimit të kontratës së koncesionit/PPP.
4. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT, PËR PROJEKTIN E RRUGËS “PORTI I JAHTEVE – BAY-PASS ORIKUM – DUKAT (URA E SHËN ELIZËS)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.214, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, e të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e bonusit prej 6% (gjashtë për qind) të pikëve, që i jepet shoqërisë “Gjikuria”, sh.p.k. për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pa kërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për projektin e rrugës “Porti i jahteve – bay-pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË SPANJËS, PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMUNITETIT EVROPIAN, PËR RIPRANIMIN E PERSONAVE ME QËNDRIM TË PAAUTORIZUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI NË ZONËN URBANE PRANË QENDRËS SË QYTETIT VLORË”, “HARTIMI I PROJEKTIT URBAN, RESTAURIMI I MONUMENTEVE TË KULTURËS NË KËTË ZONË DHE RIKONSTRUKSIONI I OBJEKTEVE TË TJERA, VLORË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi në zonën urbane pranë qendrës së qytetit Vlorë”, “Hartimi i projektit urban, restaurimi i monumenteve të kulturës në këtë zonë dhe rikonstruksioni i objekteve të tjera, Vlorë””.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelat 1 e 2, bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme 152 930 608 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e gjashtëqind e tetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, prej 152 930 608 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e gjashtëqind e tetë) lekësh, të përballohet në masën 50% nga Bashkia Vlorë dhe 50% nga llogaria e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë)lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi “Fletoren zyrtare”.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas listave në tabelat 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për vërtetimin e pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

10. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT TË PËRHERSHËM TË KALIMIT, PËR INTERES PUBLIK, MBI DISA PASURI TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I LINJËS SË TENSIONIT DHE FACILITETEVE TË TJERA, PJESË E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK PIPELINE (PROJEKTI TAP) AG”, NË ZONAT FIER, KORÇË, DEVOLL, BERAT DHE SKRAPAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të dytë, të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline AG (projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit të përhershëm të kalimit, për interes publik, mbi disa pasuri të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i linjës së tensionit dhe faciliteteve të tjera, pjesë e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (projekti TAP) AG”, në zonat Fier, Korçë, Devoll, Berat dhe Skrapar.

2. Shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri do të bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, të paraqitur në tabelat A, B dhe C, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 26 769 500.64 (njëzet e gjashtë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind pikë gjashtëdhjetë e katër) lekësh, për sipërfaqet, si më poshtë vijon:

– 2 505 (dy mijë e pesëqind e pesë) m², që shpronësohet;
– 39 446 (tridhjetë e nëntë mijë e katërqind e dyzet e gjashtë) m², që merret në përdorim të përkohshëm;
– 35 232 (tridhjetë e pesë mijë e dyqind e tridhjetë e dy) m², mbi të cilën vendoset servituti.

4. Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë me afat 1 (një) vit, për zonat e nevojshme për realizimin e punimeve, për të shtirë linjën e tensionit, sipas tabelave A dhe B, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

5. Vlera e përgjithshme prej 26 769 500.64 (njëzet e gjashtë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind pikë gjashtëdhjetë e katër) lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale të përballohen nga shoqëria “TAP AG”, si subjekt kërkues.

6. Për likuidimin për efekt të shpronësimit, të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe të vendosjes së servitutit mbi pasuritë e pronarëve, të përcaktuara në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, do të procedohet, si më poshtë vijon:

a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët do të likuidohen, pas dorëzimit në zyrat e shoqërisë “TAP AG” të dokumentacionit të pronësisë, të lëshuar nga ZVRPP-të përkatëse, të kërkesës, kopjes së kartës së identitetit, si dhe të vërtetimit për numrin e llogarisë së lëshuar nga banka përkatëse / IBAN-in;

b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse nuk është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët do të likuidohen, pas konfirmimit të plotë të lëshuar nga ZVRPP-të dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, në zyrat e shoqërisë TAP AG.

7. Përdoruesit e tokës, të cilët kompensohen për kulturat “bujqësore” dhe “drufrutorë”, referuar shumave përkatëse të pasqyruara në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, duhet të paraqesin, për likuidim, kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, vërtetimin për numrin e llogarisë së lëshuar nga banka përkatëse/IBAN-in, si dhe certifikatën familjare, në zyrat e shoqërisë TAP AG.

8. Shoqëria TAP AG të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të pikave 6 e 7, të këtij vendimi.

9. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga TAP AG, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave që i bashkëlidhen këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, do të merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat do të vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, Korçë, Devoll, Berat, Skrapar e Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I BLLOKUT TË PALLATEVE NË XHABIJE”, BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i bllokut të pallateve në Xhabije”, Bashkia Shkodër.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall”, me sipërfaqe 906.35 (nëntëqind e gjashtë pikë tridhjetë e pesë) m2, dhe “ndërtesë”, me sipërfaqe 354.05 (treqind e pesëdhjetë e katër pikë zero pesë) m2, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 25 706 471.8 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e një pikë tetë) lekësh.

4. Pronarët e përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Shkodër.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 25 706 471.8 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e një pikë tetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Shkodër, planifikuar në buxhetin e saj.

6. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Shkodër.

7. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Shkodër të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale të

11. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.616, DATË 11.6.2009; NR.1039, DATË 14.10.2009; NR.901, DATË 12.12.2012; NR.449, DATË 27.5.2015; NR.801, DATË 30.9.2015; NR.563, DATË 29.7.2016; NR.849, DATË 7.12.2016; NR.230, DATË 21.3.2017; NR.367, DATË 26.4.2017, PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit së Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.616, datë 11.6.2009; nr.1039, datë 14.10.2009; nr.901, datë 12.12.2012; nr.449, datë 27.5.2015; nr.801, datë 30.9.2015; nr.563, datë 29.7.2016; nr.849, datë 7.12.2016; nr.230, datë 21.3.2017; nr.367, datë 26.4.2017, për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhen ndryshimet nga lidhja A deri në lidhjen I dhe pronat nga 1 deri në 16 (kolona 6), si më poshtë vijon:

1. Lidhja A, vendimi nr.616, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.1, zona kadastrale 8340, pasuria nr.1/437, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
b) Prona nr.2, zona kadastrale 8340, pasuria nr.1/439, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.

2. Lidhja B, vendimi nr.1039, datë 14.10.2009, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.3, zona kadastrale 8170, pasuria nr.3/334 (sot, nr.3/802), zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
b) Prona nr.4, zona kadastrale 8330, pasuria nr.1/317, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
c) Prona nr.5, zona kadastrale 8330, pasuria nr.1/326, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
ç) Prona nr.6, zona kadastrale 8330, pasuria nr.1/362, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
d) Prona nr.7, zona kadastrale 8330, pasuria nr.1/372, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
dh) Prona nr.8, zona kadastrale 8523, pasuria nr.23/71, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit;
e) Prona nr.9, zona kadastrale 8523, pasuria nr.28/41, ndryshon lista emërore e bashkëpronarëve.

3. Lidhja C, vendimi nr.901, datë 12.12.2012, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.10, zona kadastrale 2679, pasuria nr.440/136, ndryshon lista emërore e bashkëpronarëve.

4. Lidhja D, vendimi nr.449, datë 27.05.2015, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.11, zona kadastrale 8527, pasuria nr.133/1, ndryshon lista emërore e bashkëpronarëve.

5. Lidhja E, vendimi nr.801, datë 30.9.2015, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.12, zona kadastrale 8527, pasuria nr.175/2 (sot, nr.175/7), ndryshon lista emërore e bashkëpronarëve.

6. Lidhja F, vendimi nr.563, datë 29.7.2016, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.13, zona kadastrale 1649, pasuria nr.69/2/5, zmadhohet sipërfaqja e kompensimit;
b) Prona nr.14, zona kadastrale 1649, pasuria nr.69/19, anulohet kompensimi.

7. Lidhja G, vendimi nr.849, datë 07.12.2016, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.15, zona kadastrale 8190, pasuria nr.15/387, ndryshon lista emërore e bashkëpronarëve.

8. Lidhja H, vendimi nr.230, datë 21.3.2017, i Këshillit të Ministrave:

a) Pasuria nr.16, zona kadastrale 8518, pasuria nr.59/146, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.

9. Lidhja I, vendimi nr.367, datë 26.4.2017, i Këshillit të Ministrave:

a) Prona nr.17, zona kadastrale 8518, pasuria nr.29/135 ndahet në dy pasuri.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1481, DATË 12.11.2008; NR.1657, DATË 24.12.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.167, DATË 19.2.2009; NR.286, DATË 18.3.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.359, DATË 4.5.2011; NR.822, DATË 23.11.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.472, DATË 30.5.2013; NR.686, DATË 16.8.2013; NR.823, DATË 7.10.2015; NR.446, DATË 15.6.2016, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1481, datë 12.11.2008; nr.1657, datë 24.12.2008; nr.100, datë 27.1.2009; nr.167, datë 19.2.2009; nr.286, datë 18.3.2009; nr.450, datë 6.5.2009; nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.6.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1134, datë 18.11.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.247, datë 13.4.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.359, datë 4.5.2011; nr.822, datë 23.11.2011; nr.513, datë 1.8.2012; nr.472, datë 30.5.2013; nr.686, datë 16.8.2013; nr.823, datë 7.10.2015 dhe nr.446, datë 15.6.2016, të ndryshuara, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në vendimin nr.1481, datë 12.11.2008, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve për një parcelë ndërtimore, me nr.158/287 pasurie, dhe ndryshon konfigurimi për dy parcela ndërtimore, me nr. pasurie 14/176 dhe nr.14/48, sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Në vendimin nr.1657, datë 24.12.2008, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve për parcelën ndërtimore me nr.10/21 pasurie dhe ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.157/314 pasurie, sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Në vendimin nr.100, datë 27.1.2009, ndryshon konfigurimi për katër parcela ndërtimore, me nr. pasurie 3/74, 8/205, 4/600 dhe 3/189, sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Në vendimin nr.167, datë 19.2.2009, ndryshohen gjenealitetet për një parcelë ndërtimore, me nr.15/191 pasurie, sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

5. Në vendimin nr.286, datë 18.3.2009, ndryshohen gjenealitetet për dy parcela ndërtimore, me nr.pasurie 154/276 dhe 19/108, sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

6. Në vendimin nr.450, datë 6.5.2009, ndryshohen gjenealitetet për dy parcela ndërtimore, me nr.pasurie 30/19 e 9/22, dhe ndryshon konfigurimi për dy parcela, me nr. pasurie 8/24 e 1/462, sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

7. Në vendimin nr.611, datë 11.6.2009, ndryshohen gjenealitetet për tre parcela ndërtimore, me nr. pasurie 119/80, 11/508 e 11/303, dhe ndryshon sipërfaqja për shtatë parcela, me nr.pasurie 18/39, 18/38, 13/40, 18/93, 5/585, 7/329 e 7/324, sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

8. Në vendimin nr.677, datë 18.6.2009, ndryshohen gjenealitetet për katër parcela ndërtimore, me nr. pasurie 14/186, 2/280, 2/281 e 1/552, dhe ndryshon konfigurimi për katër parcela, me nr. pasurie 6/235, 8/613, 8/1126 e 8/1127, sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

9. Në vendimin nr.706, datë 23.6.2009, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqet për tetë parcela ndërtimore, me nr. pasurie 8/342, 2/416, 10/419, 2/433, 9/259, 2/543, 10/476 e 10/481, sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

10. Në vendimin nr.805, datë 22.7.2009, ndryshohen gjenealitetet për katër parcela ndërtimore, me nr. pasurie 12/100, 12/174, 88/67 e 88/66, ndryshon zona kadastrale për parcelën me nr.90/39 pasurie dhe ndryshon konfigurimi për parcelën me nr.6/329 pasurie, sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

11. Në vendimin nr.1038, datë 14.10.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit dhe sipërfaqet për tetë parcela ndërtimore, me nr.pasurie 59/139, 7/121, 1/256, 1/991, 3/633, 5/575, 11/262 e 1/896, sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

12. Në vendimin nr.1134, datë 18.11.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit dhe konfigurimi për shtatë parcela ndërtimore, me nr.pasurie 16/568, 40/200, 3/196, 2/149, 2/115, 129/407 e 65/127, sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

13. Në vendimin nr.1283, datë 23.12.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit për dy parcela ndërtimore, me nr.pasurie 9/41 dhe 5/305/1, sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

14. Në vendimin nr.125, datë 17.2.2010, ndryshohen gjenealitetet për tre parcela ndërtimore, me nr.pasurie 1/506, 9/363 dhe 4/321, sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

15. Në vendimin nr.247, datë 13.4.2010, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për një parcelë ndërtimore, me nr.1/854 pasurie, sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

16. Në vendimin nr.404, datë 26.5.2010, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit për dy parcela ndërtimore, me nr. pasurie 37/49 e 8/1373, dhe sipërfaqet për dy parcela ndërtimore, me nr.pasurie 12/556 e 2/635, sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

17. Në vendimin nr.549, datë 7.7.2010, ndryshon sipërfaqja për një parcelë ndërtimore, me nr.pasurie 3/412, sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

18. Në vendimin nr.646, datë 28.7.2010, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqet për shtatë parcela ndërtimore, me nr.pasurie 48/4, 7/600, 3/602, 9/253, 7/339, 4/462 e 2/800, sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

19. Në vendimin nr.118, datë 17.2.2011, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.1/1110 pasurie, sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

20. Në vendimin nr.359, datë 4.5.2011, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqet për pesë parcela ndërtimore, me nr.pasurie 12/134, 7/170, 9/217, 5/676 e 4/582, sipas lidhjes T, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

21. Në vendimin nr.822, datë 23.11.2011, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqet për katër parcela ndërtimore, me nr.pasurie 1/195, 34/44, 3/165 e 3/171, sipas lidhjes U, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

22. Në vendimin nr.513, datë 1.8.2012, ndryshohen gjenealitetet për një parcelë ndërtimore, me nr.5/117 pasurie, sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

23. Në vendimin nr.472, datë 30.5.2013, ndryshon konfigurimi për një parcelë ndërtimore, me nr.2/57 pasurie, sipas lidhjes AB, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

24. Në vendimin nr.686, datë 16.8.2013, ndryshon konfigurimi për dy parcela ndërtimore, me nr.pasurie 7/1137 dhe 59/30, sipas lidhjes AE, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

25. Në vendimin nr.823, datë 7.10.2015, ndryshon konfigurimi për parcelën ndërtimore me nr.15/135 pasurie, sipas lidhjes AM që i bashkëlidhet këtij vendimi.

26. Në vendimin nr.446, datë 15.6.2016, ndryshohen gjenealitetet për parcelën ndërtimore me nr.9/467 pasurie, sipas lidhjes AP, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË RREGULLAVE, PROCEDURAVE DHE KONTRATËS TIP PËR DHËNIEN ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, 10 e 15, të ligjit nr.8318, datë 1.4.1998, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. PËRKUFIZIME

1. Në zbatim të këtij vendimi, termat kanë këto kuptime:

a) “Tokë bujqësore në pronësi të shtetit”, sipërfaqet, që në dokumentacionin kadastral figurojnë në kategorinë e resursit “tokë bujqësore”, të cilat, me vendime të Këshillit të Ministrave i janë dhënë në përgjegjësi administrimi ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, dhe tokat bujqësore shtetërore, të cilat janë dhënë me qira nga ish-drejtoritë e bujqësisë, në zbatim të ligjit nr.8318, datë 1.4.1998, e akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) “Bordi i qiradhënies së tokave bujqësore në pronësi të shtetit” (Bordi), një komision “ad hoc”, që ngrihet pranë qiradhënësit;
c) “Qiradhënës”, shteti, i përfaqësuar nga ministria ose/dhe institucionet në varësi të saj, të cilat kanë të drejtë të lidhin kontratë qiraje për tokën bujqësore në pronësi të shtetit, me miratimin e ministrit;
ç) “Ministria”, ministria pëgjegjëse për bujqësinë;
d) “Ministri”, ministri përgjegjës për bujqësinë;
dh) “Struktura përgjegjëse e qiradhënësit”, sektori përgjegjës në ministri, i cili në përshkrimin e punës ka të përcaktuar dhënien me qira të tokave bujqësore shtetërore ose njësia përgjegjëse për dhënien e tokave bujqësore shtetërore me qira në institucionet e varësisë.

2. Shkurtimet në emërtimet e disa institucioneve janë, si më poshtë vijon:

– “DAMT”, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut;
– “ZVRPP”, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

II. OBJEKTI I QIRADHËNIES

Objekt i qiradhënies, sipas këtij vendimi, janë të gjitha sipërfaqet e lira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, të cilat, me vendime të Këshillit të Ministrave i janë dhënë në përgjegjësi administrimi ministrisë, dhe tokat bujqësore shtetërore, që janë dhënë me qira nga ish-drejtoritë e bujqësisë, afati i kontratave të qiradhënies të të cilave ka përfunduar ose përfundon pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

III. SUBJEKTET NË PROCESIN E QIRADHËNIES SË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

1. Qiradhënësi, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për administrimin e tokave bujqësore, bën shpalljen publike dhe përditësimin e listës së ngastrave ose grup-ngastrave që do të jepen me qira në faqen e tij të internetit. Çdo palë e interesuar, që ka pretendime pronësie apo është palë në një proces gjyqësor me objekt ngastrat e tokës bujqësore në pronësi të shtetit të shpallura për qiradhënie, ka të drejtë t’i paraqesë ankesat përkatëse pranë qiradhënësit, sipas dokumentacionit të paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronës apo në gjykatë.

2. Qiradhënësi ka për detyrë:

a) përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për realizimin e procedurës së konkurrimit dhe të mënyrës së paraqitjes së tij;
b) regjistrimin, në regjistrin e kërkesave të subjekteve për dhënien me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit;
c) organizimin e procedurës konkurruese të ofertave;
ç) shpalljen dhe njoftimin e vendimit të Bordit, të miratuar nga ministri;
d) monitorimin e kontratave për marrjen me qira të tokave bujqësore.

3. Ngritja e Bordit për vlerësimin e ofertave për marrje me qira të tokave bujqësore shtetërore pranë qiradhënësit miratohet nga ministri. Bordi përbëhet nga jo më pak se 5 (pesë) me, të paktën,:

– një përfaqësues i strukturës përgjegjëse për administrimin e tokave në ministri;
– një specialist agronom ose të blegtorisë, sipas rastit, nga ministria/institucionet e varësisë;
– një specialist ekonomist ose specialist urbanist, sipas rastit, nga qiradhënësi dhe/ose institucionet e tjera shtetërore;
– një jurist nga ministria/institucionet e varësisë;
– një përfaqësues nga agjencia rajonale e ekstensionit, në qarkun ku ndodhet toka bujqësore, objektqiradhënieje.

4. Bordi ka për detyrë shqyrtimin e ofertave të paraqitura nga subjektet për marrjen me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, garantimin e barazisë ndërmjet subjekteve kur, për të njëjtën sipërfaqe toke bujqësore është paraqitur më shumë se një kërkesë për qiramarrje, si dhe marrjen e vendimeve brenda afateve që përcaktohen në këtë vendim.

5. Kërkesa për marrjen me qira të tokës bujqësore, objekt i këtij vendimi, mund të bëhet nga çdo person, fizik ose juridik, vendas apo i huaj si dhe pa shtetësi, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

IV. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

1. Dhënia me qira e tokave bujqësore në pronësi të shtetit realizohet nëpërmjet procedurës së ankandit.

2. Subjektet e përcaktuara në pikën 5, të kreut III, të këtij vendimi, të cilat kërkojnë për të marrë me qira tokë bujqësore shtetërore, paraqesin kërkesën pranë strukturës përgjegjëse të qiradhënësit.

3. Kërkesa paraqitet me shkrim dhe përmban:

a) identitetin e kërkuesit dhe dokumentin e regjistrimit si subjekt tregtar;
b) fragmentin e hartës kadastrale të ngastrave që kërkohen për qiramarrje, në shkallën 1:2500, sipas sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, apo 1:5000, sipas hartës kadastrale të DAMT-it, në rastet kur zona kadastrale ku ndodhet toka bujqësore nuk është në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
c) pasqyrën kadastrale të ngastrave, me madhësinë e sipërfaqes për secilën prej tyre;
ç) një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese, për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit, të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve;
Dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim;
d) planin e biznesit për aktivitetin që do të ushtrohet;
dh) raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të përgatitur nga specialistë mjedisi të licencuar;
e) projektin e investimeve, të përgatitur nga specialistë të licencuar;
ë) afati i përdorimit të tokës për qiramarrje, në varësi edhe të kulturave bujqësore ose specieve të bimëve që do të mbillen;
f) vërtetime të lëshuara nga institucionet kompetente, që konfirmojnë se nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore dhe vendore, nuk është në ndjekje penale si dhe nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit;
g) vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që përcakton gjendjen aktuale të pronësisë për sipërfaqen e tokës bujqësore, objekt kërkese, ose vërtetimin nga DAMT-i, pranë këshillit të qarkut, në rastin kur këto sipërfaqe përfshihen në zona kadastrale ku nuk është kryer regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme.

4. Qiradhënësi, nëpërmjet strukturës përgjegjëse, verifikon brenda 5 (pesë) ditëve pune nëse kërkesa e paraqitur është në përputhje me përcaktimet e pikës 3, të këtij kreu. Nëse kërkesa nuk është në përputhje me pikën 3, atëherë qiradhënësi njofton ofertuesin për plotësimin e mangësive të kërkesës, duke i lënë 5 (pesë) ditë afat. Nëse kërkesa është në përputhje me përcaktimet e pikës 3, qiradhënësi ngarkon me urdhër strukturën përgjegjëse, të cilës i bashkohen edhe specialistë të tjerë të fushës, për përgatitjen e procedurës konkurruese dhe për llogaritjen e çmimit vjetor fillestar të qiradhënies. Kjo strukturë kryen këto detyra:

4.1 Shpall menjëherë, publikisht, njoftimin për fillimin e procesit të qiradhënies për sipërfaqen konkrete të tokës bujqësore, objekt qiradhënieje, me qëllim që palët e interesuara, që kanë pretendime pronësie për këtë sipërfaqe, sipas dokumentacionit të paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronës apo në gjykatë, të paraqesin ankesat përkatëse pranë qiradhënësit, brenda 20 ditëve kalendarike nga publikimi. Shpallja e njoftimit bëhet në faqen zyrtare të internetit të qiradhënësit, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare si dhe në një gazetë kombëtare me tirazh të madh;
4.2. Kryen, paralelisht, verifikime, brenda 20 ditëve kalendarike nga shpallja e njoftimit, sipas pikës 4.1, në:

a) zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për gjendjen aktuale të pronësisë për të gjitha ngastrat e përfshira në sipërfaqen e tokës bujqësore të paraqitura në materialin hartografik të publikuar;
b) DAMT, pranë këshillit të qarkut, për kategorinë e resursit dhe bonitetin, për të gjitha ngastrat e përfshira në sipërfaqen e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik të publikuar;
c) ministrinë përgjegjëse për ekonominë dhe financat, ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën dhe në bashkinë, në territorin e së cilës gjendet sipërfaqja e tokës bujqësore, për përcaktimin nëse kjo sipërfaqe do të jetë objekt investimesh publike apo strategjike në një afat kohor prej 10 vjetësh;
ç) ministrinë përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin, për të përcaktuar nëse sipërfaqja e tokës bujqësore shtrihet në zonë turistike, park kombëtar dhe zonë rreptësisht të mbrojtur;
d) Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, për verifikimin e përcaktimeve të detyrueshme për zbatim, që rrjedhin nga dokumentet kombëtare e vendore të planifikimit për sipërfaqen e tokës bujqësore të propozuar për dhënie me qira;
dh) terren, nëpërmjet një grupi pune, për gjendjen faktike të sipërfaqes së tokës bujqësore, objekt qiradhënieje, dhe dokumenton këtë verifikim në një raport teknik.

4.3. Organizon dhe ndërmerr masat e nevojshme për zhvillimin e procedurës së konkurrimit për dhënien me qira të tokës bujqësore, objekt i kërkesës së regjistruar. Për këtë qëllim, harton dokumentet e procedurës konkurruese si dhe realizon njoftimin publik për organizimin e saj dhe paraqitjen e ofertave për sipërfaqen e tokës që vihet në dispozicion për qiradhënie, objekt i kërkesës së parë, të dërguar pranë qiradhënësit.

5. Njoftimi publik për procedurën konkurruese bëhet në dy gazeta kombëtare, për dy ditë radhazi, në faqen zyrtare të internetit të qiradhënësit, pranë bashkisë dhe njësisë administrative ku ndodhet sipërfaqja e kërkuar, si dhe në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

6. Njoftimi për zhvillimin e procedurës së konkurrimit për dhënien e tokës bujqësore në pronësi të shtetit me qira përmban qëllimin e dhënies me qira të tokës, sipërfaqen, objekt qiradhënieje, vendndodhjen e saj, vlerën më të ulët (minimale) të qiradhënies, sipas pikave 1 deri në 4, të kreut V, me të cilën fillon procedura e konkurrimit, si dhe vendin, datën dhe orën e zhvillimit të kësaj procedure.

7. Afati i paraqitjes së ofertave zgjat 45 (dyzet e pesë) ditë kalendarike, nga data e publikimit të njoftimit për procedurën konkurruese. Në rast se paraqiten ankesa lidhur me dokumentacionin që duhet të paraqesë qiramarrësi, afati i paraqitjes së ofertave shtyhet 5 (pesë) ditë kalendarike. Paraqitja e ankesave duhet të bëhet jo më vonë se 5 (pesë) ditë përpara afatit të paraqitjes së ofertave. Njoftimi për shtyrjen e këtij afati publikohet në faqen zyrtare të internetit të Qiradhënësit.

8. Subjektet e interesuara për marrjen me qira të tokës bujqësore, objekt i procedurës së shpallur, përfshirë edhe subjektin, i cili ka paraqitur kërkesën e parë, i paraqesin ofertat për qiramarrje pranë Qiradhënësit brenda afateve të përcaktuara në njoftimin për zhvillimin e procedurës së konkurrimit.

9. Ofertat për t’u kualifikuar për vlerësim duhet të përmbajnë dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Vetëdeklarimin për ekstraktin e regjistrit tregtar të personit fizik apo juridik, që ka paraqitur ofertën;
b) Një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë, që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve. Dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim;
c) Planin e biznesit të aktivitetit që do të ushtrohet, sipas modelit të miratuar me udhëzim të ministrit;
ç) Raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të hartuar nga specialistë mjedisi të licencuar;
d) Projektin e investimeve, të hartuar nga një specialist arkitekt i licencuar;
dh) Afatin e përdorimit të tokës për qiramarrje, në varësi edhe të kulturave bujqësore ose specieve të bimëve që do të mbillen;
e) Vetëdeklarimin që nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore e vendore, nuk është në ndjekje penale dhe nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit;
ë) Kohën e fillimit e të mbarimit të mbjelljes së tokës me kultura bujqësore, në rastin e qiramarrjes së saj për pemëtore, vreshta dhe ullishte;
f) Nivelin e çmimit (lekë/ha në vit) që ofron për marrjen me qira të tokës bujqësore;
g) Sigurimin e ofertës në vlerën e qirasë së një muaji, duke e llogaritur me vlerën e shpallur në njoftimin për konkurrim.

Dokumentacioni i përcaktuar në shkronjat “a” dhe “e”, të pikës 9, do të gjenerohet nga strukturat përgjegjëse nga portali unik qeveritar e-albania apo regjistrat zyrtarë. Në rastin kur dokumenti nuk arrihet të gjenerohet, si më sipër, struktura përgjegjëse njofton personin e interesuar për plotësimin dhe dorëzimin e këtij dokumentacioni brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nga data e njoftimit.

10. Ofertat paraqiten në një zarf të mbyllur, i cili duhet të përmbajë një kopje origjinale ose të noterizuar të dokumentacionit të ofertës dhe ku të përcaktohen qartë identiteti dhe adresa e personit, fizik apo juridik të interesuar.

11. Në procesin e hapjes së ofertave duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të bordit dhe subjektet e interesuara për qiramarrje ose përfaqësuesit e tyre, të pajisur me prokurë dhe dokument identifikimi.

12. Kur ofertat nuk plotësojnë kushtet për kualifikim, atëherë ato skualifikohen nga konkurrimi. Ofertat e kualifikuara si të rregullta nga përmbajtja e dokumentacionit të paraqitur vlerësohen në vijim, pa praninë e pjesëmarrësve, sipas kritereve të vlerësimit.

13. Bordi harton procesverbalin e zhvillimit të procedurës konkurruese, ku përshkruan ofertuesit, dokumentacionin e paraqitur prej tyre si dhe ofertuesit e kualifikuar e ata të skualifikuar.

14. Bordi, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, nga data e hapjes së procedurës konkurruese, shqyrton ofertat e kualifikuara si të rregullta, vlerëson me pikë ofertën, sipas kritereve të vlerësimit, dhe harton vendimin për renditjen e ofertueseve. Gjatë periudhës së vlerësimit, Bordi ka të drejtë të kryejë verifikime lidhur me të dhënat e paraqituara në ofertë si dhe të kërkojë sqarime për ofertën e paraqitur nga subjektet ofertuese. Në rastin kur Bordi vlerëson se duhet të kryejë verifikime të detajuara, afati i shqyrtimit të ofertave realizohet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike, nga data e hapjes së procedurës konkurruese.

15. Subjekti me më shumë pikë të grumbulluara shpallet me vendim të Bordit fitues i procedurës konkurruese.

16. Organizimi dhe funksionimi i Bordit, i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave si dhe kriteret e vlerësimit të ofertave dhe mënyra e përllogaritjes së tyre përcaktohen me udhëzim të Ministrit.

17. Subjektet pjesëmarrëse në konkurrim kanë të drejtë të ankohen, me shkrim, pranë Ministrit, kundër vendimit të Bordit, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit të vendimit. Shqyrtimi i ankimit bëhet brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, i ngritur nga Ministri, i përbërë nga 3 (tre) anëtarë, të ndryshëm nga anëtarët e bordit.
Kur komisioni vlerëson se në procedurën konkurruese janë shkelur kriteret procedurale apo ka pasur parregullsi në kryerjen e vlerësimit të ofertave, atëherë ai i propozon Ministrit anulimin e procedurës së zhvilluar ose rivlerësimin nga Bordi të ofertave të paraqitura për marrjen me qira të tokës bujqësore.
Kur komisioni vlerëson se në procedurën konkurruese nuk janë shkelur kriteret procedurale apo nuk ka pasur parregullsi në kryerjen e vlerësimit të ofertave, atëherë ai i propozon Ministrit vazhdimin e mëtejshëm të procedurës dhe njoftimin e palës ankimuese.

18. Në përfundim të afateve të ushtrimit të së drejtës së ankimimit, të përcaktuar në pikën 17, të këtij kreu, në rast se nuk ka asnjë ankim të depozituar, kryetari i Bordit i paraqet Ministrit, brenda afatit të përcaktuar në pikën 14, një raport përmbledhës dhe i propozon miratimin e fituesit të procedurës konkurruese për dhënien me qira të tokës bujqësore.

19. Ministri, në rastin e parashikuar në pikën 18, të këtij kreu, e shqyrton propozimin e Bordit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga marrja e raportit.

20. Në rastin e miratimit të propozimit të Bordit, Ministri urdhëron lidhjen e kontratës së qirasë me subjektin fitues dhe nënshkruan kontratën përkatëse. Ministri mund t’ia delegojë nënshkrimin e kontratës titullarit të një strukture të brendshme të ministrisë ose institucionit në varësi të tij. Modeli i përmbajtjes së kontratës është sipas shtojcës A, të këtij vendimi. Kontrata mund të përmbajë edhe kushte të tjera specifike, në varësi të projektit që realizohet, për aq sa ato nuk bien ndesh me dispozitat e përcaktuara në modelin e shtojcës A.

21. Në rastin kur pas shpalljes së njoftimit për procedurë konkurruese për qiradhënie dhe mbarimit të afatit të përcaktuar në njoftim është paraqitur vetëm një ofertë, Bordi e shqyrton ofertën e paraqitur në datën e njoftuar, e vlerëson atë me kriteret e përcaktuara për qiradhënie dhe merr vendimin përkatës, i cili i paraqitet për miratim Ministrit.

22. Nëse pas lidhjes së kontratës konstatohen raste të pamundësisë objektive të qiradhënies për një pjesë të sipërfaqes së kontraktuar (kur provohet se një palë e tretë disponon një titull pronësie për një pjesë të sipërfaqes së ngastrës, objekt qiradhënie, ose në rast se sipërfaqja e tokës është destinuar për investime publike), me pëlqimin e palëve kjo sipërfaqe mund të zbritet nga sipërfaqja e parashikuar në kontratën bazë dhe. për këtë. palët duhet të nënshkruajnë një amendament të kontratës bazë. Në rast se palët nuk bien dakord, secila prej tyre ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e qirasë. Të gjitha pretendimet e mundshme, në rast të prishjes së njëanshme të kontratës, rregullohen sipas dispozitave të Kodit Civil.

23. Qiradhënësi është përgjegjës për realizimin e procesit të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit, të monitorimit dhe zbatimit të kushteve të kontratave të qirasë nga qiramarrësit.

24. Qiradhënësi, së bashku me përfaqësuesit e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë këshillit të qarkut, realizojnë procesin e dorëzimit të tokës qiramarrësit. Dorëzimi i tokës bëhet në bazë të një inventari dorëzimi, të nënshkruar nga përfaqësuesit e palëve.

25. Qiradhënësi ka të drejtë të anulojë procedurën konkurruese të qiradhënies në çdo fazë procedurale, në rast se vihet në dijeni të ekzistencës së pretendimeve të caktuara të pronësisë nga ana e palëve të treta.

26. Qiradhënësi nuk mban asnjë përgjegjësi në raport me ofertuesit në procedurën konkurruese ose palën qiramarrëse apo palët e treta në rast se, respektivisht, anulon procedurën konkurruese për shkak të paraqitjes së një pretendimi pronësie nga një palë e tretë, zgjidh pjesërisht apo plotësisht kontratën e qirasë me qiramarrësin, për shkak se vihet në dijeni për një palë të tretë që disponon një titull pronësie për të gjithë apo një pjesë të sipërfaqes së tokës, objekt qiradhënieje.

V. PËRCAKTIMI I VLERËS VJETORE TË QIRADHËNIES SË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT
1. Vlera vjetore e dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, si në rastet kur për të njëjtën sipërfaqe paraqitet më shumë se një ofertë, ashtu edhe në rastet kur rezulton një ofertë e vetme, përcaktohet në bazë të kategorisë së bonitetit, brenda niveleve, si më poshtë vijon:

Kategoria e
tokës sipas
bonitetit I II III IV V VI VII VIII-X
Vlera minimale lekë/ha në vit 17000 -27000 15000-22000 12000-20000 10000-15000 7000-12000 5000-10000 5000-10000 6000

2. Përcaktimi i vlerës së qirasë për çdo tokë bujqësore shtetërore, objekt i kërkesës për qiramarrje, për të cilën do të shpallet procedura konkurruese, përcaktohet nga struktura përgjegjëse.

3. Struktura përgjegjëse, në përcaktimin e vlerës fillestare të qirasë për hapjen e procedurës konkurruese, merr parasysh karakteristikat në lidhje me bonitetin e tokës, gjendjen e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese të saj, distancën nga tregjet, nivelin e industrisë agro – përpunuese si dhe shkallën e zhvillimit të infrastrukturës rrugore të zones. Kriteret dhe mënyra e llogaritjes së vlerës fillestare të qirasë përcaktohen me udhëzim të Ministrit.

4. Në tokat bujqësore në pronësi të shtetit, kur sipërfaqet e tokës që jepen me qira nuk kanë të dhëna në librin e bonitetit për kategorinë e tokës, QTTB-ja, me kërkesën e qiradhënësit, brenda një periudhe 20-ditore, bën analizat dhe përcakton bonitetin e tokës përpara shpalljes së procedurës konkurruese.

5. Kur objekt i qiradhënies janë sipërfaqe toke bujqësore, në të cilat përfshihen më shumë se një parcelë me kategori të ndryshme të tokës, sipas bonitetit, përllogaritja e vlerës bëhet e veçantë për secilën parcelë dhe shuma e tyre përbën vlerën e përgjithshme të sipërfaqes së dhënë me qira.

6. Të ardhurat financiare, që sigurohen nga dhënia me qira e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, arkëtohen për llogari të buxhetit të shtetit. Qiramarrësi e kryen paraprakisht pagesën e vlerës vjetore të qirasë, brenda tremujorit të parë të vitit përkatës, për të cilin paguhet qiraja.

VI. AFATET E DHËNIES ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

1. Tokat bujqësore në pronësi të shtetit jepen me qira për afate kohore, si më poshtë vijon:

a) Deri në 10 vjet, kur destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative;
b) Deri në 30 vjet, kur destinohen për:
i. krijimin dhe kultivimin e vreshtave;
ii. krijim pemëtoresh me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik;
iii. ndërtim serrash e kultivim të bimëve në to;
iv. fidanishte.

c) Deri në 99 vjet, kur:
i. destinohen për krijim ullishtash;
ii. destinohen për krijim pemëtoresh me drufrutorë si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje;
iii. veprimtaria sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, shoqërohet me investime për përpunimin e prodhimeve të mara nga toka e dhënë me qira.

2. Në çdo rast, madhësia e sipërfaqes së tokës bujqësore që jepet me qira nuk mund të jetë më e vogël se madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo rezulton e regjistruar në dokumentacionin kadastral të DAMT-it ose sa madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo reflektohet në hartën treguese të tokës “HTR”, pranë ZVRPP-së.

VII. MONITORIMI I KONTRATAVE

1. Qiradhënësi është përgjegjës për ndjekjen e përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura në përputhje me këtë vendim si dhe kontratat në proces, të lidhura sipas vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, të ndryshuar.

2. Monitorimi i zbatimit të detyrimeve të kontratave të qirasë realizohet nga struktura përgjegjëse, e cila bashkëpunon me strukturat e tjera teknike pranë qiradhënësit.

3. Struktura përgjegjëse ndjek në vijueshmëri respektimin e kushteve të kontratave të qirasë.

4. Për këtë qëllim, ajo mban regjistrin e kontratave të qirasë, forma dhe përmbajtja e të cilit miratohen me udhëzimin e ministrit.

5. Për çdo kontratë të lidhur, në fund të vitit struktura përgjegjëse harton raport të hollësishëm për respektimin e kushteve të secilës kontratë dhe ia paraqet Ministrit brenda datës 20 janar.

6. Për përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura nga ish-drejtoritë e bujqësisë ngarkohen agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor, në juridiksionin të së cilave gjendet toka bujqësore, objekt i këtyre kontratave.

VIII. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Rivlerësimi i vlerës së qirasë do të bëhet çdo 5 vjet, bazuar në normën mesatare të inflacionit në 5 vitet e fundit, sipas Bankës së Shqipërisë. Ky rregull zbatohet edhe për kontratat e lidhura në zbatim të vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, të ndryshuar, si dhe ato të lidhura nga ish-drejtoritë e bujqësisë. Për qëllim të rivlerësimit, për kontratat ekzistuese afati 5-vjeçar do të fillojë të përllogaritet nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Vendimi nr.460, datë 22.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.29, DATË 20.1.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KOMISIONIT QENDROR TË PËRHERSHËM, PËR KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PËRSONALITETEVE TË SHQUARA SHQIPTARE”

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave,

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.29, datë 21.1.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Komisioni të kryesohet nga ministri i Kulturës dhe të ketë në përbërje këta anëtarë:

– Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– Këshilltarin e Kryeministrit;
– Drejtorin e Protokollit të Shtetit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje;

“2.1. Në mbledhjet e komisionit, për çdo rast të marrë në shqyrtim, ftohen të marrin pjesë:

– Kryetari i bashkisë së territorit ku do të prehen eshtrat e personalitetit;
– Përfaqësuesi i subjektit publik/organizatës shoqërore që ka iniciuar kërkesën e kthimit në atdhe të eshtrave të personalitetit;
– Përfaqësuesi i familjes së personalitetit;
– Përfaqësues nga Akademia e Shkencave, historian ose personalitet tjetër, njohës i veprimtarisë së personalitetit.”.

3. Në pikat 3 dhe 5, emërtimet “Ministrit të Brendshëm” dhe “Ministria e Brendshme” zëvendësohen përkatësisht me “Ministrit të Kulturës” dhe “Ministria e Kulturës”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale, në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Kamzë Vorë, Elbasan, Durrës, Fshatra Turistikë dhe Shkodër.

2. Masa e kompensimit është 43 965,31 (dyzet e tre mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë presje tridhjetë e një) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 731 847 186,22 (shtatëqind e tridhjetë e një milionë e tetëqind e dyzet e shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë presje njëzet e dy) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:
a) Për numrat rendorë 2, 21, 38, 65, 71 dhe 98 të pronave (kolona 13), sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
b) Për numrat rendorë 1, 3, 6, 8, 27, 28, 30, 33, 34, 36, 37, 40, 51, 64, 74, 78, 79, 91, 124, 125, 135, 139, 140 dhe 160 të pronave (kolona 13), sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave.

4. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT PËR STUDIME FIZIBILITETI, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT NDAJ MARRËSIT, NË KUADËR TË PROGRAMIT TË FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV, QË FINANCOHEN NGA NJË FOND I VEÇANTË NR.13056, I SIGURUAR NGA QEVERIA FEDERALE GJERMANE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit për studime fizibiliteti, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve të ekspertit ndaj marrësit, në kuadër të programit të furnizimit me ujë të zonave rurale IV, që financohen nga një fond i veçantë nr.13056, i siguruar nga Qeveria Federale Gjermane, me një grant në shumën prej 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH, QË PËRDITËSON MARRËVESHJEN NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË POLICISË EVROPIANE (EUROPOL), PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK DHE OPERACIONAL, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.28/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash, që përditëson marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (Europol), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

SIGURIMIN E JETËS SË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË DËRGOHEN NË MISIONE USHTARAKE DHE STËRVITJE JASHTË VENDIT, PËR VITIN 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me bashkimin e operatorëve ekonomikë “SIGAL LIFE UNIQA GROUP AUSTRIA”, sh.a., “SICRED”, sh.a., dhe “INSIG JETË”, sh.a., të bëjë sigurimin e jetës së ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohen në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitin 2018.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2018.

3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M 

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.72, DATË 7.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2018”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109, datë 30.11.2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.72, datë 7.2.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në shkronjën “a”, të nënpikës 2.7, fjalët “… nga 6 deri në 10 dhoma …” zëvendësohen me “… nga 4 deri në 10 dhoma …”.

2. Në shkronjën “b”, të nënpikës 2.7, fjalët “… 20 000 000 (njëzet milionë) lekë …” zëvendësohen me “… 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë …”.

3. Paragrafi i dytë pas shkronjës “dh”, të nënpikës 2.7, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“Për masat e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj nënpike, investimet do të konsiderohen edhe jashtë 100 fshatrave të përcaktuar sipas Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural (Programi i 100 fshatrave).”.

4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.