Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Qershor 2020

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË STUDENTËVE, TË CILËT STUDIOJNË JASHTË VENDIT, DHE SHTETASVE TË HUAJ ME ORIGJINË SHQIPTARE, TË CILËT PËRFITOJNË BURSA NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë.

2. Baza e të dhënave shtetërore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përmban të dhëna personale për:

a) shtetasit shqiptarë, të cilët kryejnë studimet e arsimit të lartë jashtë vendit;
b) shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, të cilët janë përfitues të programeve të financuara nga Republika e Shqipërisë;
c) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë përfituar bursat e studimit të cilat i ofrohen Shqipërisë nga shtete, organizata ndërkombëtare dhe jofitimprurëse në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara apo dokumente të tjera ku Republika e Shqipërisë është palë.

3. Të dhënat që përmban baza e të dhënave shtetërore e studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë, ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhëna parësore konsiderohen ato të dhëna, të cilat grumbullohen nga ky regjistër dhe përfshijnë:

i. periudhën e studimeve;
ii. shtetin pritës;
iii. institucionin e arsimit të lartë pranë të cilit studion;
iv. fushën e studimeve;
v. burimin e financimit të bursës;
vi. adresën e postës elektronike (e-mail);
vii. të dhënat e shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të këtij vendimi:

– Emri;
– Mbiemri;
– Atësia;
– Adresa;
– Gjinia;
– Vendlindja;
– Datëlindja.

b) Të dhënat dytësore, që shkëmbehen me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (DPGjC), janë, si më poshtë vijon:

i. NID-i i shtetasit;
ii. Emri;
iii. Mbiemri;
iv. Atësia;
v. Adresa;
vi. Gjinia;
vii. Vendlindja;
viii. Datëlindja.

4. Baza e të dhënave shtetërore e studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë, ka si institucion administrues Agjencinë Kombëtare të Diasporës.

5. Baza e të dhënave shtetërore e studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë, ndërvepron me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (DPGjC) dhe database-t e tjera shtetërore, të cilat, në aktin e krijimit të tyre, parashikojnë ndërveprimin me bazën e të dhënave shtetërore të studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë.

6. Dhënës të informacionit për bazën e të dhënave shtetërore të studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë, janë ministria përgjegjëse për arsimin dhe ministria përgjegjëse për punët e jashtme.

7. Vlerësimi i rezultateve të studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë, realizohet nga një komision i veçantë me 9 (nëntë) anëtarë, nga institucionet përgjegjëse, i cili ngrihet me urdhër të Kryeministrit. Ai drejtohet nga ministri përgjegjës për diasporën. Komisioni realizon një raport vjetor për Komitetin Shtetëror të Diasporës dhe Nënkomisionin për Diasporën dhe Migracionin në Kuvendin e Shqipërisë. Dhënia e bursave shtetasve të huaj me origjinë shqiptare bëhet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe rregullohet me akte të tjera.

8. Baza e të dhënave shtetërore aksesohet nga të gjitha institucionet e interesuara nëpërmjet kërkesës drejtuar Agjencisë Kombëtare të Diasporës, në përputhje merregulloren  për  organizimin  dhe  funksionimin  e  brendshëm  të  bazës  së  të  dhënave shtetërore të përcaktuar nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.

9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

10. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE “REGJISTRI ELEKTRONIK I EKSPERTËVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të neneve 224/a, paragrafi i dytë, e 224/d, pika 1, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i ekspertëve” (këtu e në vijim “REE”).

2. REE-ja ka si qëllim ruajtjen, administrimin dhe përpunimin e të dhënave në formë elektronike për ekspertët që përmbushin kushtet për t’u regjistruar në REE, sipas përcaktimit të nenit 224/d, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, duke i grupuar sipas fushës së tyre të ekspertizës dhe vendit ku punojnë.

3. Në REE regjistrohen ekspertët, për të cilët ligjet e posaçme, që rregullojnë organizimin dhe funksionin e profesionit ose të një fushe të caktuar, parashikojnë licencimin e tyre.

4. REE-ja, si bazë e të dhënave shtetërore, bëhet në formatin “web-based” dhe hostohet në datacenterin qeveritar që ndodhet në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

5. Të dhënat, që përmban REE-ja, ndahen në të dhëna parësore e dytësore.

6. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e mëposhtme:

a) Numri rendor;
b) Numri i protokollit dhe data e regjistrimit;
c) Fusha e ekspertizës;
ç) Numri i licencës;
d) Data e lëshimit të licencës;
dh) Data e përfundimit të vlefshmërisë së licencës, në rast se është e zbatueshme;
e) Autoriteti lëshues i licencës;
ë) Vitet e përvojës profesionale;
f) Vitet e përvojës si ekspert në gjykatë;
g) Gjykatat, për të cilat eksperti është i disponueshëm;
gj) Data e regjistrimit fillestar në regjistër;
h) Data e rishikimit të ardhshëm;
i) Statusi i regjistrimit, duke përfshirë të dhëna mbi fazën e shqyrtimit të aplikimit ose të ushtrimit të ekspertizës;
j) Sistemi i pikëzimit për vlerësimin e ekspertit nga palët.

7. Të dhëna referenciale të marra nga deklarimi i subjektit konsiderohen adresa e email-it si dhe numrat e kontaktit, numri i telefonit kryesor dhe dytësor.

8. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore, dhe kanë të bëjnë me:

a) të dhëna nga regjistri i gjendjes civile, si numri personal, emri, mbiemri, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia/njësia administrative dhe adresa;
b) të dhëna nga regjistri i QKB-së, si emri i subjektit, numri unik i identifikimit të subjektit (NUIS), bashkia/njësia administrative, si dhe adresa ku ushtron aktivitetin profesional: numri, rruga, qyteti;
c) të dhëna nga regjistri i tatimeve, për subjektet e regjistruara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve;
ç) të dhëna nga regjistri i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për marrjen e të dhënave mbi kontributet shoqërore;
d) çdo bazë tjetër të dhënash, që mund të ndërveprojë me REE-në.

9. Institucioni administrues i REE-së është Ministria e Drejtësisë, sipas parashikimit të nenit 224/d, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Dhënës të informacionit për REE-në janë kërkuesit dhe çdo palë tjetër e interesuar, sipas përcaktimit të këtij vendimi.
10. Niveli i aksesit në bazën e të dhënave të REE-së është, si më poshtë vijon:

a) Ministria e Drejtësisë ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave, në rolet:

i. administrator;
ii. editues;
iii. lexues.

b) Gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore, të juridiksionit të përgjithshëm ose administrativ, në rolin e lexuesit, për të përzgjedhur dhe vlerësuar ekspertin;
c) Gjyqtarët e gjykatave të apelit, për aq sa shqyrtojnë çështje si gjykatë në shkallë të parë, në rolin e lexuesit, për të përzgjedhur dhe vlerësuar ekspertin;
ç) Ekspertët/kërkuesit, në rolin e lexuesit;
d) Palët e interesuara, në rolin e lexuesit mbi veprimtarinë që kryejnë për vlerësimin e ekspertit.

11. Ministria e Drejtësisë kujdeset që:

a) të mundësohet grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave;
b) të hostohet regjistri në bashkëpunim dhe bashkërendim të punës me AKSHI-n;
c) të mbikëqyrë dhe të ofrojë asistencë teknike për përdorimin e regjistrit;
ç) të ofrojë mundësinë e gjenerimit automatik të statistikave dhe të raporteve nga regjistri, për të dhënat e hedhura;
d) të trajnojë përdoruesit e regjistrit lidhur me raportimin, hedhjen e të dhënave dhe përditësimin e tyre, si dhe për administrimin e përshtatshëm të regjistrit;
dh) të propozojë masa për rritjen e efikasitetit të regjistrit dhe përmirësimin e tij në të ardhmen.

12. Përdoruesit e përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 10, të këtij vendimi, janë përgjegjës për saktësinë dhe përditësimin e të dhënave të hedhura nëpërmjet llogarisë së tyre në REE.

13. Përdoruesit e përcaktuar në shkronjat “ç” dhe “d”, të pikës 10, të këtij vendimi, plotësojnë rubrikat dhe të dhënat e tyre nëpërmjet llogarive të tyre personale në portalin qeveritar e-Albania.

14. AKSHI, si autoriteti rregullator koordinues i bazave të të dhënave shtetërore, regjistron, auditon dhe koordinon ndërveprimin me bazat e të dhënave shtetërore.

15. Subjekti përgjegjës për administrimin e regjistrit, në cilësinë e “kontrolluesit”, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, dokumenton masat tekniko-organizative të përshtatura e të zbatuara për garantimin e mbrojtjes të të dhënave personale.

16. Ministri i Drejtësisë miraton rregulloren për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës të të dhënave të REE-së, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

17. Përdorimi i REE-së fillon nga data e vënies në funksionim të tij.

18. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Aspasjana Kongo emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE TË LARGIMIT E TË PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit e të përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Emërimin e z. Ndriçim Shani në detyrën e kryetarit të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e të Përpunimit të Ujërave të Ndotura.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MËNYRËN E ADMINISTRIMIT TË INFORMACIONIT ELEKTRONIK SHËNDETËSOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 30, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë mënyrën e administrimit të informacionit elektronik shëndetësor.

2. Informacioni elektronik shëndetësor përbëhet nga dokumentet elektronike shëndetësore, që krijohen nga institucionet ofruese të kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, të vlefshme sipas legjislacionit në fuqi.

3. Dokumentet elektronike shëndetësore, pjesë të sistemit elektronik të integruar të informacionit shëndetësor, janë, si më poshtë vijon:

a) Historiku i gjendjes shëndetësore të pacientit;
b) Receta elektronike/përshkrimi dhe dispecimi në farmaci;
c) Rezultatet e ekzaminimeve laboratorike;
ç) Rezultatet e ekzaminimeve imazherike;
d) Fletëdalja e pacientit nga institucione të kujdesit shëndetësor me shtretër.

4. Dokumentet e përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, aksesohen, si më poshtë vijon:

a) Nga qytetarët nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania;
b) Nga profesionistët e shëndetësisë për shqyrtimin e gjendjes shëndetësore të qytetarëve, nëpërmjet sistemit përkatës elektronik, në mënyrë të sigurt sipas legjislacionit në fuqi.

5. Aksesi i dokumenteve elektronike shëndetësore nga mjeku bëhet vetëm me miratimin e pacientit. Formati i miratimit të pacientit, që miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, arkivohet pranë mjekut që ofron shërbimin shëndetësor dhe përfshihet në kartelën e pacientit.

6. Shkëmbimi i dokumenteve elektronike shëndetësore do të bëhet nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit nga profesionistët e shëndetit në institucionet ofruese të kujdesit shëndetësor, të cilët regjistrojnë të dhënat shëndetësore të pacientëve.

7. Formati dhe përmbajtja e dokumenteve elektronike shëndetësore përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

8. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe të gjitha institucionet e ofrimit të kujdesit shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TЁ LETËRMARRЁVESHJES, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË SIGURUARA NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO) TË QEVERISË ZVICERANE, NËN FONDIN E BESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FUQIZIMIN E KONTABILITETIT DHE TË MJEDISIT TË MIRËBESIMIT NË EVROPËN JUGORE DHE AZINË QENDRORE, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË KONTABILITETIT NË SEKTORIN PUBLIK, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.251, DATË 9.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash tё letërmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të siguruara nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) të qeverisë zvicerane, nën Fondin e Besimit me Shumë Donatorë, për fuqizimin e kontabilitetit dhe mjedisit të mirëbesimit në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, për projektin e zhvillimit të kontabilitetit në sektorin publik, miratuar me vendimin nr.251, datë 9.5.2018, të Këshllit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88, datë 18.12.2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Masa e financimit, prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2020, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 824 000 (tridhjetë e një milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekë, të ndarë në:

i. 11 544 000 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 74 (shtatëdhjetë e katër) punonjës të administratës;
ii. 20 280 000 (njëzet milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 130 (njëqind e tridhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 740 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 20 592 000 (njëzet milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 132 (njëqind e tridhjetë e dy) punonjës të administratës;
ii. 5 148 000 (pesë milionë e njëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 33 (tridhjetë e tre) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 740 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 240 000 (gjashtë milionë e dyqind e dyzet mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;
ii. 19 500 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 125 (njëqind e njëzet e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 696 000 (njëzet e pesë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 4 056 000 (katër milionë e pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26 (njëzet e gjashtë) punonjës të administratës;
ii. 14 640 000 ( katërmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e dyzet mijë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit. Shuma do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2020, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet njëherësh, brenda muajit qershor të vitit 2020.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË STREHIMIT, SI DHE MARRËDHËNIET ME INSTITUCIONET E TJERA SHTETËRORE QË VEPROJNË NË KËTË FUSHË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 71, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. QËLLIMI

1. Qëllimi i këtij vendimi është miratimi i rregullave të hollësishme në lidhje me:

a) kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Strehimit, në vijim KKS;
b) organizimin dhe funksionimin e KKS-së;
c) marrëdhëniet e KKS-së me institucionet e tjera shtetërore, që veprojnë në fushën e strehimit social.

II. KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE TË KKS-SË

2. KKS-ja kryesohet nga ministri përgjegjës për strehimin dhe ka në përbërje të tij anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e strehimit është zëvendësministri që mbulon çështjet e strehimit;
b) Përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat dhe buxhetin është zëvendësministri që mbulon çështjet buxhetore;
c) Përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale është zëvendësministri që mbulon çështjet sociale;
ç) Përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet vendore është zëvendësministri që mbulon çështjet vendore;
d) Përfaqësues nga grupet e interesit dhe shoqëria civile përzgjidhet drejtuesi i një organizate jofitimprurëse që përfaqëson disa organizata në mbrojtje të interesave të grupeve prioritare që trajton ligji “Për strehimin social”. Në mungesë të një organizate përfaqësuese, përzgjedhja bëhet nga çdo organizatë jofitimprurëse që përfaqëson interesat e grupeve prioritare sipas parashikimeve të ligjit “Për strehimin social”;
dh) Përfaqësues nga shoqata përfaqësuese të vetëqeverisjes vendore përzgjidhet drejtuesi i kësaj shoqate. Në rastet kur ka më shumë se një shoqatë të tillë, përzgjedhja bëhet me rotacion.

3. Ministri përgjegjës për strehimin, jo më vonë se 1 (një) muaj para mbarimit të mandatit, apo menjëherë sapo krijohet një vend i lirë në anëtarësinë e KKS-së, në rastet e përfundimit të mandatit para kohe, për shkak të mosplotësimit të kërkesave të pikës 2, të këtij vendimi, njofton strukturat përkatëse për caktimin e anëtarit përfaqësues.

4. Njoftimi për paraqitjen e kandidaturave nga shoqatat përfaqësuese të njësive të vetëqeverisjes vendore, grupet e interesit dhe shoqëria civile shpallet në faqen zyrtare të internetit të ministrisë përgjegjëse për strehimin, të Kryeministrisë si dhe të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, dhe përmban afatin për paraqitjen e kandidaturave si dhe kriteret e përcaktuara sipas pikës 2, të këtij vendimi.

5. Me rastin e konstituimit për herë të parë të KKS-së, njoftimi bëhet për të gjitha shoqatat përfaqësuese të vetëqeverisjes vendore pa kufizim, ndërsa njoftimet e radhës përfshijnë edhe njoftimin për përfaqësimin e tyre me rotacion, sipas pikës 2, të këtij vendimi.

6. Ministri përgjegjës për strehimin, kur kandidaturat nga grupet e interesit dhe shoqëria civile janë më shumë se një, ia paraqet Kryeministrit për emërim, pas vlerësimit bazuar në eksperiencën në fushën e strehimit dhe politika sociale, përvojën në projekte, studime, botime dhe veprimtari sociale në fushën e mbështetjes së grupeve të ndryshme sociale.
7. Me rastin e konstituimit për herë të parë të KKS-së, ministri përgjegjës për strehimin i paraqet Kryeministrit të gjitha kandidaturat nga shoqatat përfaqësuese të vetëqeverisjes vendore, i cili cakton anëtarin përfaqësues. Përfaqësuesi nga shoqatat përfaqësuese të vetëqeverisjes vendore në mandatet pasardhëse të KKS-së përzgjidhet me rotacion nga një shoqatë tjetër përfaqësuese e vetëqeverisjes vendore që nuk ka qenë e përfaqësuar në KKS. Përfaqësimi me rotacion në KKS ndiqet në vijimësi për përfaqësuesit nga shoqatat përfaqësuese të vetëqeverisjes vendore.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KKS-SË

8. KKS-ja kryesohet nga kryetari dhe në mungesë të tij nga zëvendëskryetari i KKS-së, i zgjedhur nga KKS-ja. Kryetari thërret mbledhjet e KKS-së, miraton rendin e ditës dhe drejton mbledhjet e KKS-së.

9. Mbledhjet e KKS-së, si rregull, mbahen 1 (një) herë në 3 (tre) muaj dhe jo më pak se 2 (dy) herë në vit. Me kërkesë të kryetarit ose një prej anëtarëve, KKS-ja mund të mblidhet edhe jashtë radhe.

10. Në mbledhjet e KKS-së ftohen të marrin pjesë, pa të drejtë vote, edhe prefektët e qarqeve, përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore, të sektorit privat, të organizatave jofitimprurëse, të institucioneve financiare dhe përfaqësues të komuniteteve të interesuara, sipas kërkesës së kryetarit apo çdo anëtari të KKS-së.

11. KKS-ja i zhvillon mbledhjet kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të saj.

12. KKS-ja miraton, me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës të anëtarëve, rekomandime, të cilat zbardhen si të tilla dhe nënshkruhen nga kryetari. Anëtarët e KKS-së nuk gëzojnë të drejtën e abstenimit në votime, në asnjë rast.

13. Anëtarët e KKS-së kanë për detyrë të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet që zhvillon KKS-ja. Anëtarët e KKS-së nuk mund të përfaqësohen me delegim apo të zëvendësohen në mbledhjet e KKS-së. Çdo anëtar mban komunikimin me sekretariatin teknik të KKS-së për sigurimin e informacioneve të nevojshme për mbledhjet dhe veprimtarinë e KKS-së, si dhe siguron nga institucioni apo subjekti që përfaqëson çdo informacion të nevojshëm mbi çështjet që kërkohen nga KKS-ja.

14. Anëtarët me të drejtë vote të KKS-së shpërblehen për çdo pjesëmarrje në mbledhje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

15. Në ndihmë të KKS-së krijohet sekretariati teknik i përbërë nga një specialist, pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin, i cili luan rolin e sekretarit të KKS-së dhe ka për detyrë:

a) të njoftojë anëtarët për datën, vendin dhe orën e caktuar të mbledhjes së radhës së KKS-së;
b) të përgatisë materialet e mbledhjes dhe, pas miratimit nga kryetari i KKS-së, t’ua shpërndajë anëtarëve, të paktën 5 (pesë) ditë përpara datës së caktuar të mbledhjes;
c) të mbajë procesverbalin e mbledhjes dhe të sigurojë firmosjen e tij nga çdo anëtar dhe nga vetë sekretari;
ç) të përgatisë raportin e mbledhjes dhe t’ia paraqesë atë për miratim kryetarit të KKS-së;
d) të zbardhë rekomandimet e miratuara në mbledhjet e KKS-së;
dh) të paraqesë pranë kryetarit çështje të ngritura nga struktura përgjegjëse për hartimin e politikave të strehimit në ministrinë përgjegjëse për strehimin, si edhe ato të adresuara kësaj strukture nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat kanë nevojë për t’u adresuar nga KKS-ja.

IV. MARRËDHËNIET E KKS-SË ME INSTITUCIONET E TJERA

16. Kryetari i KKS-së dhe, në pamundësi të tij, zëvendëskryetari, është përfaqësuesi i KKS-së në marrëdhënie me institucionet e tjera shtetërore apo subjekte të tjera që veprojnë në fushën e strehimit.

17. Kryetari i raporton çdo vit dhe sa herë kërkohet Kryeministrit për veprimtarinë e KKS-së.

18. Kryetari informon me shkrim institucionet e tjera publike që veprojnë në fushën e strehimit apo fusha të ndërlidhura me strehimin, prefektët dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe çdo subjekt tjetër publik që ushtron veprimtari në fushën e strehimit për rekomandimet e miratuara nga KKS-ja.

19. KKS-ja bashkëpunon me organet e tjera të administratës shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura dhe partnerë të tjerë për procesin e këshillimit të linjave kryesore në sektorin e strehimit, sipas ligjit “Për strehimin social”.

20. KKS-ja, në ushtrim të kompetencave të saj, ka të drejtë të kërkojë informacione nga ministritë, institucionet qendrore të administratës shtetërore, institucionet e pavarura, prefektët, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e tjera publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
21. Me kërkesë të KKS-së, institucionet publike që ushtrojnë kompetenca në fushën e strehimit social apo të lidhura me të, marrin pjesë në grupe pune teknike për çështje që kërkojnë trajtim teknik ose për kryerjen e studimeve që kërkohen nga KKS-ja. Grupet e punës raportojnë për realizimin e detyrave pranë kryetarit të KKS-së dhe drejtuesit të institucioneve të tyre.

V. DISPOZITË E FUNDIT

22. Ngarkohet ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për çështjet sociale dhe ministria përgjegjëse për çështjet vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË SHOQËRISË UJËSJELLËS-KANALIZIME TIRANË, SH.A., TË PASURIVE ME NR.59/1, 59/3, 59/4, 59/5, 59/8, 59/9, 60/6, 701/17, ZONA KADASTRALE 1066, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., të pasurive me nr.59/1, 59/3, 59/4, 59/5, 59/8, 59/9, 60/6, 701/17, zona kadastrale 1066, me sipërfaqe totale 48207 m2, Tiranë, sipas planit të rilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, do të përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a.

3. Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., i ndalohet t’i tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE PRIORITARE PËR PROKURORIN E PËRGJITHSHËM, NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 103, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 32, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm, në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’i përcjellë menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet prioritare, si dhe t’ua bëjë ato të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve, në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se një muaj nga data e miratimit të këtij vendimi.

3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të ndjekë, në vazhdimësi, mënyrën e zbatimit të këtyre rekomandimeve, sipas legjislacionit në fuqi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I OBJEKTIT “SISTEMIM ASFALTIM RRUGA HYRËSE BERAT” (SHTESAT)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i objektit “Sistemim asfaltim rruga hyrëse Berat” (shtesat).

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, prone private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me vlerë të përgjithshme prej 2 493 068 (dy milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tre mijë e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 493 068 (dy milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tre mijë e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga fondet buxhetore të miratuara në zërin “Shpronësime” për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”, për vitin 2020.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shpenzimi në vlerën 329 000 (treqind e njëzet e nëntë mijë) lekë, për botimin në gazetë, të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në projekt.

8. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RRJETI SHPËRNDARËS 20 KV NGA NËNSTACIONI 110/20 KV FIER I RI FIDERAT 10 DERI 12 DHE NËNSTACIONI 110/20 KV FIDERI 2 FIDERAT M1 DERI M10”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rrjeti shpërndarës 20 kV nga nënstacioni 110/20 kV Fier i Ri fiderat 10 deri 12 dhe nënstacioni 110/20 kV fideri 2 fiderat M1 deri M10”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “Arë” dhe “Truall”, me vlerë  1 382 390.31 (një milion e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e treqind e nëntëdhjetë pikë tridhjetë e një) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 382 390.31 (një milion e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e treqind e nëntëdhjetë pikë tridhjetë e një) lekësh, të përballohet nga fondet e buxhetit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2020, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

8. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratën e lidhur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., me sipërmarrësin e punimeve.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit (OSHEE).

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, si dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.359, DATË 4.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE LAÇ, BASHKIA KURBIN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, si dhe të vendimit nr.46, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësinë administrative Laç, Bashkia Kurbin, dhe caktimin e Entit Kombëtar të Banesave si njësi zbatuese”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.359, datë 4.5.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohen numrat rendorë 29, 30, 31, 32, 33, 34, 35 dhe te pasuritë pronë shtet hiqen pasuritë me numrat rendorë 10, 25, 33, 37, përkatësisht, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, “kultura bujqësore”, si dhe për pasuritë e llojit tokë “truall”, referuar shënimit në tabelë, me vlerë 44 889 589 (dyzet e katër milionë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 44 889 589 (dyzet e katër milionë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga zëri “Fondi për rindëritimin”, i miratuar për vitin 2020.”.

3. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“14. Shpenzimet procedurale, në vlerën 140 000 (njëqind e dyzet mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

4. Pas pikës 15 shtohet pika 15/1, me këtë përmbajtje:

“15/1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të kryejë kalimin në pronësi të Entit Kombëtar të Banesave të të gjitha pronave shtet të listuara në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.”.

5. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“16. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Enti Kombëtar i Banesave për zbatimin e këtij vendimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet prona nr.1434, me emërtim “Vendprehje të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940–1941”, me vendndodhje në Këlcyrë, sipas formularit standard të inventarizimit dhe planrilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për ta përdorur për zbatimin e projektit “Për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940–1941”.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.