Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Janar 2017
V E N D IM
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQES NË EKONOMINË PYJORE “KRASTË –  KRUJË”, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “ANTEA CEMENT”, SH.A.,  PËR AKTIVITET MINERAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të ligjit nr.9813, datë 1.10.2007, “Për miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Antea Cement”, sh.a.”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 23,4 (njëzet e tre presje katër) ha në ngastrat 1b, 2a dhe 2b të ekonomisë pyjore “Krastë-Krujë”, që do të përdoret nga shoqëria “Antea Cement”, sh.a., për shfrytëzimin e mineralit gëlqeror, hiqet nga Fondi Pyjor dhe Kullosor dhe çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipërfaqja sipas ngastrave pyjore dhe kullosore jepet në tabelën nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Heqja nga Fondi Pyjor Kullosor për shfrytëzimin e mineralit gëlqeror nga shoqëria “Antea Cement”, sh.a., bëhet me pjesë bazuar në grafikun e parashikuar të punimeve sipas lejes mjedisore dhe, mbi këtë bazë, shoqëria “Antea Cement”, sh.a., realizon rehabilitimin mjedisor të territorit pyjor.
3. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore dhe produkteve të tjera pyjore, sipërfaqet dhe investimet e kryera në vite në Fondin Pyjor dhe Kullosor, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria “Antea Cement”, sh.a., në bazë të lidhjes 4, bashkëlidhur vendimit nr.1064, datë 22.12.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave””.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Antea Cement”, sh.a., brenda 3 (tri) viteve, të pyllëzojë me fondet e veta 23,4 (njëzet e tre presje katër) ha sipërfaqe me drurë pyjorë, në ngastrat pyjore të përcaktuara në marrëveshjen e lidhur ndërmjet shoqërisë “Antea Cement”, sh.a., dhe Ministrisë së Mjedisit.
5. Sipërfaqja pyjore sipas pikës 1, të këtij vendimi, mbetet pronë publike e shtetit, regjistrohet në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në funksion të lidhjes së marrëveshjes me shoqërinë “Antea Cement”, sh.a.
6. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, bëhen ndryshimet përkatëse në regjistrin e Kadastrës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave dhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme publike.
7. Ministria e Mjedisit dhe shoqëria “Antea Cement”, sh.a., nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët për hapat, afatet dhe procedurat për hartimin e projekteve teknike të heqjes së materialit drusor dhe pyllëzimin e sipërfaqeve pyjore sipas pikës 4, të këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE PËR NDËRTIMIN E LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kushteve dhe të procedurave për ndërtimin e linjave direkte, sipas teksit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E KONTRATËS SHTESË TË KONCESIONIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË KONTRATËN E KONCESIONIT TË FORMËS “BOT” (NDËRTIM-OPERIM-TRANSFERIM), PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALEVE  “GOJAN”, “GJEGJAN”, “PESHQESH”, “URA E FANIT”, “FANGU””, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.365, DATË 4.5.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 50, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës shtesë të koncesionit “Për disa ndryshime dhe shtesa në kontratën e koncesionit (nr.5446, Rep.nr.1944 Kol., datë 2.5.2011) të formës “BOT” (ndërtim-operim-transferim), për ndërtimin e hidrocentraleve  “Gojan”, “Gjegjan, “Peshqesh”, “Ura e Fanit”, “Fangu””, miratuar me vendimin nr.365, datë 4.5.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT”, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe bashkimit të shoqërive “Ayen Enerji A.S.” dhe “A.S. energy”, sh.p.k., për ndërtimin e hidrocentraleve “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “Ura e Fanit” dhe “Fangu””, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL PËR NDËRTIM, PËR SIPËRFAQET QË PRITEN TË NDIKOHEN NGA NDËRTIMI I SEKSIONIT TOKËSOR TË GAZSJELLËSIT TAP – SEKTORËT 5B DHE 5C (STACIONET E VALVULAVE TË SIGURISË/BLLOKIMIT), TË CILAT DO TË VIHEN NË DISPOZICION TË SHOQËRISË TRANS ADRIATIK PIPELINE AG (TAP AG) PËR PËRDORIM TË PËRHERSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin për ndryshimin e përhershëm të statusit të tokës bujqësore dhe kalimin në tokë truall për parcelat me sipërfaqe 3 299.25 (tre mijë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë njëzet e pesë) m2, të cilat ndikohen nga ndërtimi, prej shoqërisë TAP-AG, të tre stacioneve të valvulave të sigurisë/bllokimit të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP) – sektorët 5B dhe 5C të projektit, përkatësisht:
a) në sektorin 5B, për dy stacione në qarkun e Beratit:
i. Stacioni i Valvulave të Sigurisë/Bllokimit SVS/B 29 në Vodicë, me sipërfaqe të tokës prej 1 099.75 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë e pesë) m2;
ii. Stacioni i Valvulave të Sigurisë/Bllokimit SVS/B 28 në Therepel, me sipërfaqe të tokës 1 099.75 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë e pesë) m2.
b) në sektorin 5C, për një stacion në qarkun e Beratit:
i. Stacioni i Valvulave të Sigurisë/Bllokimit SVS/B 27 në Qafë, me sipërfaqe të tokës prej 1 099.75 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë e pesë) m2.
2. Sipërfaqet e tokës që do të ndikohen nga ndërtimi i stacioneve të valvulave bllokuese të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), do të vihen në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatik Pipeline AG (TAP AG) për përdorim të përhershëm.
Parcelat që ndryshojnë statusin nga tokë bujqësore në tokë truall, për tre stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit, jepen në lidhjen l, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Berat të pasqyrojnë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga tokë bujqësore në tokë urbane (truall), respektivisht për secilën parcelë, për të tre stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit të projektit TAP, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi.
4. Procedurat për zgjidhjen e marrëdhënieve të pronësisë, ndërmjet kompanisë TAP AG dhe pronarëve aktualë të këtyre parcelave, me qëllim marrjen e lejeve të nevojshme për të ndërtuar seksionin tokësor të gazsjellësit TAP – sektorët 5B dhe 5C (stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit), do të bëhen në zbatim të dispozitave të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar  nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit  Trans Adriatik (Projekti TAP)”, si dhe gjithë legjislacionit tjetër në fuqi.
5. Shoqëria TAP AG dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në zbatim të kërkesave të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, si dhe të vendimit nr.245, datë 30.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të procedurave për përmirësimin e përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme”, të bëjnë ndryshimet në regjistrat dhe kartelat e pasurisë/pasurive përkatëse, përsa i përket marrëdhënieve të pronësisë për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi i seksionit tokësor të Gazsjellësit TAP – sektorët 5B dhe 5C, për tre stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit, të cilave do t’u ndryshohet statusi nga tokë bujqësore në tokë truall.
6. Shoqëria TAP AG, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e stacioneve të valvulave të sigurisë/bllokimit SVS/B 29 në Vodicë, SVS/B 28 në Therepel dhe SVS/B 27 në Qafë (qarkun e Beratit), është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të territorit në ato pjesë të parcelave që janë ndikuar nga ndërtimi i këtyre stacioneve, por që nuk do të përfshihen si pjesë e tyre.
7. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Qarkut Berat, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si dhe drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në Qarkun Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2017-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2017-2020 (PKIE 2017-2020), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE 2017-2020 nëpërmjet grupeve ndërinstitucionale të punës (GNP) për çdo kapitull, të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.
3. Ministria e Integrimit Evropian raporton çdo tre muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE 2017-2020.
4. Ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të grupeve ndërinstitucionale të punës (GNP) raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit Europian çdo tre muaj (java e tretë e muajit të fundit) për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga PKIE 2017-2020.
5. Ngarkohet Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, të monitorojë përfshirjen në programin buxhetor afatmesëm, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, të nevojave  financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE 2017-2020.
6. Varianti i përkthyer në gjuhën angleze i PKIE 2017-2020 i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Vendimi nr.74, datë 27.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2016-2020”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, në varësi të Këshillit të Ministrave, për të cilat në PKIE 2017-2020 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2017-2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2017-2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË FSHATIT REHOVË, ERSEKË, DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Rehovë, Ersekë, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Rehovë, Ersekë, e të zonës së mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË PUNËVE  TË BRENDSHME, PËR DREJTORINË VENDORE  TË POLICISË VLORË, TË PRONËS ME VENDNDODHJE NË FSHATIN SHKALLË, KONISPOL, ME NUMËR PASURIE 264,DHE ZONË KADASTRALE 3382, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, të pronës me vendndodhje në fshatin Shkallë, Konispol, me numër pasurie 264, dhe zonë kadastrale 3382, me sipërfaqe trualli 2 312 (dy mijë e treqind e dymbëdhjetë) m² dhe sipërfaqe ndërtimore 534 (pesëqind e tridhjetë e katër) m², sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim sistemimin e efektivave të Stacionit të Policisë Konispol.
2. Ministrisë së Punëve të Brendshme i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhen vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, shtohet prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Shtetit, Ministria e Arsimit dhe Sportit si dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, përmasat e pronës me emërtimin “Garda e Republikës, Njësia Speciale, Pallati i Brigadave” zëvendësohen me përmasat e pronës me numër rendor 6 (gjashtë), sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore hiqet prona me emërtimin “Garda e Republikës, DRPLSH, Ish-Komanda”, me numër rendor 12 (dymbëdhjetë), sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi.
Lista përbëhet, gjithsej, nga 2 (dy) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Garda e Republikës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, SI MARRËS, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT NDAJ MARRËSIT NË KUADËR TË NJË STUDIMI PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE TË NGURTA NË SHQIPËRI, FINANCUAR NGA NJË FOND I VEÇANTË (NR.11469), DHËNË NGA QEVERIA GJERMANE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, si marrës, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e shërbimeve të ekspertit ndaj marrësit në kuadër të një studimi për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta në Shqipëri, financuar nga një fond i veçantë (nr.11469), dhënë nga qeveria gjermane, me një grant në shumën 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit  në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë, për vitin 2017, shtohet me 20 veta, për Shërbimin Kombëtar të Urgjencës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 3 500.
2. Numri i punonjësve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për vitin 2017, reduktohet me 10 veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 3 032.
3. Numri i punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për vitin 2017, reduktohet me 10 veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm punonjësve të këtij institucioni në 31 037.
4. Ngarkohen institucionet e përmendura më sipër dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2018-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2018-2020, si dhe lidhjet nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.456, DATË 22.6.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS CAKRAN, TË QARKUT TË FIERIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Në vendimin nr.456, datë 22.6.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a)    Në titullin dhe në përmbajtjen e vendimit, fjalët “…të komunës Cakran…” zëvendësohen me “…në njësinë administrative Cakran, Bashkia Fier…”.

b)    Në listën e inventarit, pronës me numër rendor 28, t`i ndryshojë emërtimi dhe sipërfaqja e truallit, sipas formularit bashkëlidhur, gjithsej 1 (një) fletë.

2.    Prona me nr.28, transferohet në pronësi të Bashkisë Fier, në njësinë administrative Cakran, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3.    Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.