Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Korrik 2019:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2018 PËR PROJEKTIN “FONDI PËR STUDIME DHE EKSPERTË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2018 për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E TAVANEVE PËRFUNDIMTARE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2020 – 2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2020-2022, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM I BLLOKUT TË BANIMIT NË LAGJEN “XHEVDET NEPRAVISHTA”, KUFIZUAR ME RRUGËN “AHMET ZOGU”, RRUGËN “MISTO MAME” DHE SHËTITOREN “KONGRESI”, LUSHNJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim i bllokut të banimit në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, kufizuar me rrugën “Ahmet Zogu”, rrugën “Misto Mame” dhe shëtitoren “Kongresi”, Lushnjë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të shtetit, përfaqësuar nga Bashkia Lushnjë.

3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 2 754 738 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në masën 2 754 738 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e tetë) lekë, të përballohet nga fondet e Bashkisë Lushnjë.
5. Shpenzimet procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronari, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Lushnjë.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK, QË DO TË ZBATOHEN NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E GAZIT NATYROR, TË CILËT USHTROJNË AKTIVITETIN E TRANSMETIMIT, TË SHPËRNDARJES DHE FURNIZIMIT ME GAZ NATYROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 89, pika 2, e 92, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Qëllimi

1.1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kushtet dhe procedurat për vendosjen nga ERE të detyrimit të shërbimit publik, që zbatohet për të licencuarit në sektorin e gazit natyror, të cilët ushtrojnë aktivitetin e transmetimit, të shpërndarjes dhe furnizimit me gaz natyror të klientëve të vegjël, përfshirë klientët familjarë.

1.2. Ky vendim është hartuar në përputhje me ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, duke garantuar që shoqëritë e gazit natyror të veprojnë në përputhje me parimet e këtij ligji, me qëllim arritjen e një tregu konkurrues, të sigurt e të qëndrueshëm të gazit natyror nga pikëpamja mjedisore, pa qenë të diskriminuar në të drejtat dhe detyrimet e tyre.

2. Objekti

2.1. Detyrimi i shërbimit publik ndaj të licencuarve në sektorin e gazit natyror vendoset duke marrë në konsideratë interesin publik në ushtrimin e këtij aktiviteti, për kushtet që lidhen me:
a) mbrojtjen e shëndetit, të jetës dhe pronës së njerëzve;
b) sigurinë e furnizimit;
c) cilësinë e shërbimit;
ç) tarifat për kryerjen e një detyrimi të shërbimit publik;
d) mbrojtjen e mjedisit;
dh) mbrojtjen e konkurrencës;
e) burimet e rinovueshme të energjisë;
ë) efiçencën e energjisë;
f) çdo rrethanë tjetër që ndikon në interesin publik;
g) ndryshimet klimaterike;
gj) përdorimin e burimeve vendase të gazit natyror.

2.2. Detyrimet specifike të shërbimit publik të një të licencuari në kryerjen e ndonjë prej aktiviteteve të gazit natyror, të përmendura në nënpikën 1.1, të pikës 1, të këtij vendimi, vendosen nga ERE.

2.3. Çdo detyrim i shërbimit publik, i vendosur nga ERE, do të përfshihet brenda 1 (një) muaji në termat dhe kushtet e licencës të të licencuarit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në rregulloren përkatëse të kushteve të licencimit, të miratuar nga ERE.

2.4. Të licencuarit, licencat e të cilëve përfshijnë detyrimet e shërbimit publik, duhet të marrin të gjitha masat, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e shërbimit publik në përputhje me këtë vendim dhe vendimin përkatës të ERE-s.

3. Përkufizimet

3.1. Çdo term i përdorur në këtë vendim ka të njëjtin kuptim me përkufizimet e termave të dhënë në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.

3.2. Në këtë vendim, fjalët “I licencuari përkatës” nënkuptojnë një të licencuar që kryen aktivitetet e transmetimit, të shpërndarjes ose furnizimit të gazit natyror.

4. Kushtet për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik

4.1. Detyrimi i shërbimit publik ndaj një të licencuari vendoset nga ERE, në përputhje me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente, jodiskriminuese dhe lehtësisht të verifikueshme, duke garantuar barazinë e aksesit për shoqëritë e gazit natyror të vendeve anëtare të BE-së ose palë kontraktuese të Komunitetit të Energjisë për klientët vendas dhe duke mos penguar hapjen e tregut të gazit natyror dhe të drejtën e furnizuesve të tjerë të gazit natyror për të furnizuar klientët në Republikën e Shqipërisë.

4.2. ERE duhet të argumentojë që vendosja e detyrimit publik është e domosdoshme, jokufizuese dhe proporcionale.

4.3. Detyrimi i shërbimit publik për të licencuarin vendoset duke vlerësuar kapacitetin teknik, financiar dhe organizativ të tij dhe duhet të marrë në konsideratë nëse i njëjti i licencuar po ofron shërbimin publik në të njëjtën zonë ose për një kategori konsumatorësh në momentin e vendosjes së këtij detyrimi.

4.4. Vendimi për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik duhet:

a) të përcaktojë qartë detyrimet që ka i licencuari;
b) të përcaktojë qartë të licencuarit e gazit natyror, të cilëve u është vendosur detyrimi i shërbimit publik, kur ky detyrim vendoset mbi një ose më shumë subjekte të licencuara, që ushtrojnë aktivitet në sektorin e gazit natyror;
c) të specifikojë natyrën e të drejtave ekskluzive ose të veçanta të caktuara për të licencuarin, duke arsyetuar se pse ato janë të nevojshme;
ç) të përcaktojë kategorinë e klientëve, territorin dhe periudhën për të cilët është vendosur detyrimi i shërbimit publik;
d) të shoqërohet me një efekt vlerësimi në lidhje me tregun, cilësinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë;
dh) të identifikojë kostot e të licencuarit, ndaj të cilit do të vendoset detyrimi i shërbimit publik;
e) të përcaktojë një mekanizëm transparent dhe jodiskriminues për mënyrën se si do të mbulohen kostot, nëse kostot nuk mbulohen nga tarifa përkatëse;
ë) të bëjë të qartë financimin dhe kriteret për llogaritjen e mbulimit financiar që do të përfitojnë të licencuarit, subjekte të këtij shërbimi publik.

4.5. Në rast vendosjeje të detyrimit të shërbimit publik ndaj një të licencuari, të cilit i shkaktohen kosto shtesë, që nuk janë përfshirë në tarifën e përcaktuar nga ERE, i licencuari do të kompensohet financiarisht apo në forma të tjera të rimbursimit dhe të të drejtave ekskluzive në përputhje me përcaktimet e pikave 9 e 10, të nenit 89, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
Shpërndarja e kostove shtesë të detyrimeve të shërbimit publik, të shkaktuara ndaj një të licencuari, të vëna në bazë të këtij neni, do të vendoset nga ERE për klientët fundorë, në një mënyrë jodiskriminuese dhe transparente.
Çdo kompensim për të licencuarin për përmbushjen e detyrimit të ofrimit të shërbimit publik duhet të njoftohet dhe të marrë miratimin paraprak nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore.

4.6. Shpërndarja e këtyre kostove dhe procesi për trajtimin, ndarjen, mbulimin dhe pagesat e tarifave të kërkuara do të përcaktohet sipas rregullave dhe procedurave të ERE-s.

4.7. I licencuari ka detyrimin e shërbimit publik për sigurimin e shpërndarjes/furnizimit të gazit natyror në një zonë kur kërkohet nga rregulloret e miratuara nga ERE, sipas ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, si dhe duke iu referuar zonave, të cilat janë pjesë e planit rregullues, të miratuar sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

II. DISPOZITA TË VEÇANTA PËR DETYRIMIN E SHËRBIMIT PUBLIK

5. Detyrimi i shërbimit publik të furnizimit

5.1. Shërbimi publik i furnizimit siguron të drejtën e furnizimit me gaz natyror për një kategori të caktuar të klientëve, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë proporcionale, qartësisht të krahasueshme, transparente dhe me çmime jodiskriminuese.

5.2. Rregullat operacionale për furnizuesit që kryejnë furnizimin e gazit natyror si një detyrim të shërbimit publik përcaktohen dhe miratohen nga ERE.

5.3. Klientët familjarë dhe klientët e vegjël jofamiljarë kanë të drejtë të furnizohen me gaz natyror nga furnizuesi që është ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik.

5.4. Detyrimi i shërbimit publik të furnizimit vendoset në mënyrë që klientët të furnizohen me gaz natyror nga furnizuesi i shërbimit publik, me çmime të rregulluara, që miratohen nga ERE.

6. Çmimi i rregulluar për furnizimin e klientëve fundorë nga furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik të furnizimit

6.1. Furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik të furnizimit është i detyruar të furnizojë klientët e gazit natyror sipas përcaktimeve të pikës 5, të këtij vendimi, me çmime të rregulluara, në të gjithë territorin e Shqipërisë, në përputhje me këtë vendim.

6.2. Çmimet e rregulluara për shërbimin publik të furnizimit, sipas nënpikës 6.1, të kësaj pike, që miratohen nga ERE në përputhje me nenin 92, të ligjit nr.102/2015, duhet të pasqyrojnë kostot e arsyeshme të shërbimit.

6.3. Tarifa e furnizimit, sipas kësaj pike, duhet të mbulojë kostot reale të furnizimit me gaz natyror, duke përfshirë investimet e nevojshme kapitale dhe kostot e importeve të gazit, kostot e shërbimeve të transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit, përfshirë një normë të caktuar të borxheve të këqija.

7. Klientët në nevojë

7.1. Klientët familjarë, që kanë fituar statusin e klientëve në nevojë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 97, të ligjit nr.102/2015, kanë të drejtën e përfitimit të shërbimit publik të furnizimit sipas kushteve të veçanta të furnizimit, të cilat miratohen nga ERE.

7.2. Të gjitha shpenzimet e bëra nga furnizuesi në lidhje me kushtet e veçanta të furnizimit për këtë kategori klientësh, gjatë një viti, të përcaktuar në nënpikën 7.1, të kësaj pike, mbulohen nga tarifat e atij viti. Në vitin pasardhës mund të bëhet rregullimi i të ardhurave në varësi të performancës së vitit të mëparshëm.

8. Detyrimi për lidhjen në rrjet

8.1. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është i detyruar të përmirësojë dhe të zgjerojë sistemin e shpërndarjes, me qëllim sigurimin e lidhjes së çdo klienti fundor, i cili nuk është i lidhur në sistemin e shpërndarjes, nën termat, kushtet dhe tarifat e vendosura nga ERE.

8.2. Pavarësisht nga detyrimi i përcaktuar në nënpikën 8.1, të kësaj pike, Operatori/ët i Sistemit të Shpërndarjes nuk do të ketë detyrimin për të ndërtuar apo zgjeruar sistemin e shpërndarjes në një zonë, në të cilën nuk ka ekzistuar rrjet para vendosjes së këtij detyrimi të shërbimit publik, përveç kur kërkohet nga rregulloret e miratuara nga ERE, sipas ligjit nr.102/2015, si dhe për zonat, të cilat janë pjesë e një plani territorial, kombëtar ose lokal, të miratuar në përputhje me parashikimet e legjislacionit specifik për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

9. Cilësia e shërbimit

9.1. Standardet e cilësisë së furnizimit, duke përfshirë kërkesat e nevojshme të vazhdimësisë së furnizimit në një nivel të qëndrueshëm të presionit, që duhet të plotësohen nga të licencuarit, të cilët kryejnë aktivitetet e transmetimit, të shpërndarjes dhe furnizimit, duke përfshirë ofruesin e shërbimit publik, të përfshira në rregulloret dhe kodet ekzistuese, do të konsiderohen detyrime të shërbimit publik, të vendosura sipas këtij vendimi.

9.2. Kushtet e cilësisë së furnizimit, të parashikuara në nënpikën 9.1, të kësaj pike, në lidhje me secilin prej të licencuarve, do të miratohen nga ERE, në përputhje me standardet evropiane të shërbimit të furnizimit, duke pasur në konsideratë, por pa u kufizuar në, kërkesat për:

a) sigurimin e shërbimit cilësor të transmetimit të gazit natyror, që lidhet me vazhdimësinë e livrimit dhe cilësinë e gazit natyror që hyn në sistemin e transmetimit dhe ruajtjen e cilësisë së tij deri në daljen nga sistemi;
b) hartimin e një metodologjie për standardet dhe monitorimin e cilësisë së gazit natyror në pikat e hyrjes dhe të daljes të sistemit të transmetimit, si pjesë e Kodit të Rrjetit të Transmetimit, të miratuar nga ERE;
c) monitorimin në vijimësi të cilësisë së gazit të transmetuar dhe dorëzimin pranë ERE-s të raporteve periodike, në përputhje me metodologjinë e aprovuar;
ç) përcaktimin e vendndodhjeve të kontrollit të cilësisë së gazit;
d) marrjen e të gjitha masave për sigurinë e jetës së njeriut dhe parandalimin e aksidenteve të ndryshme, që mund të ndodhin gjatë transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror.

10. Siguria e furnizimit

10.1. Çdo detyrim i vendosur ndaj një të licencuari që kryen aktivitetin e transmetimit, të shpërndarjes ose furnizimit të gazit natyror në përputhje me rregullat operacionale për furnizuesit që kryejnë furnizimin e gazit natyror si një detyrim të shërbimit publik të përcaktuara dhe të miratuara nga ERE, do të konsiderohet detyrim i shërbimit publik dhe do të trajtohet sipas dispozitave të këtij vendimi.

10.2. Çdo investim i bërë nga shoqëria e transmetimit ose shpërndarjes, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti, për kapacitetet e reja të transmetimit ose shpërndarjes, në funksion të plotësimit të kërkesës së klientëve që përfitojnë nga shërbimi publik i furnizimit, do të trajtohet si një detyrim i shërbimit publik në lidhje me sigurinë e furnizimit. Kostot përkatëse mbulohen nëpërmjet tarifave të miratuara nga ERE, në bazë të një metodologjie që miraton ERE lidhur me përcaktimin dhe llogaritjen e tarifave të përdorimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, duke pasur në konsideratë, por pa u kufizuar në, kriteret që kanë të bëjnë me:

a) aplikimin e metodës RoR (Rate of Return), që i lejon operatorit të rrjetit të mbulojë kostot e justifikuara;
b) vlerësimin e përcaktimit të kostove të rrjetit, që do të jenë ato aktuale, të amortizimit, të kthimit mbi kapitalin dhe të të ardhurave të zbritshme nga ato të lejuara sipas përcaktimeve përkatëse, që do të bëhen;
c) marrjen në konsideratë nga operatori i rrjetit vetëm të atyre kostove apo komponentëve të tyre që kanë të bëjnë me marrjen nga të tretët të shërbimeve të nevojshme për kryerjen e aktivitetit, njësoj sikur t’i kryente vetë ato, si dhe paraqitjen nga operatori i rrjetit të dokumenteve dhe provave për secilën nga këto kosto;
ç) raportimin pa vonesë te rregullatori nëse ndodhin shpenzime apo të ardhura të jashtëzakonshme.

11. Rregullat për masat parandaluese dhe të ndërhyrjes në rast aksidenti në transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror

Me qëllim përcaktimin e masave parandaluese dhe të ndërhyrjes në rast aksidenti që mund të ndodhë gjatë transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, ministria përgjegjëse për energjinë miraton një rregullore, në përgatitjen e së cilës merret në konsideratë edhe paketa e rregullave teknike për sektorin e gazit natyror, të cilat janë miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

III. DISPOZITA TË TJERA DHE TË FUNDIT

12. Monitorimi dhe raportimi

12.1. ERE monitoron zbatimin e detyrimeve të shërbimit publik nga ana e të licencuarve përkatës, sipas këtij vendimi, subjekte të detyrimeve të shërbimit publik, si dhe të termave e kushteve të licencave përkatëse.

12.2. Jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, ERE miraton raportin vjetor, të hartuar nga furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, për veprimtarinë e furnizimit të realizuar si detyrim i shërbimit publik për vitin paraardhës. Ky raport vihet në dispozicion të Këshillit të Ministrave dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

12.3. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ERE informojnë Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për të gjitha masat e vendosura për përmbushjen e detyrimeve të shërbimit publik, sipas këtij vendimi, ndikimin e tyre të mundshëm në hapjen e tregut të gazit natyror dhe nëse këto masa janë në përputhje me direktivën 2009/73/EC.

12.4. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ERE njoftojnë Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë periodikisht, të paktën çdo dy vjet, për çdo ndryshim të kushteve për vendosjen e detyrimeve të shërbimit publik të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

13. Organi përgjegjës për zbatimin e vendimit

Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “STUDIM-PROJEKTIM, MASA INXHINIERIKE BUZUQ – ÇOROVODË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Studim-projektim, masa inxhinierike Buzuq – Çorovodë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “mur rrethues” dhe “kultura bujqësore”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 422 145.31 (një milion e katërqind e njëzet e dy mijë e njëqind e dyzet e pesë pikë tridhjetë e një) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 422 145.31 (një milion e katërqind e njëzet e dy mijë e njëqind e dyzet e pesë pikë tridhjetë e një) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2019 për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pas heqjes së masës së sekuestros konservative dhe pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga ARRSH-ja.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, Autoritetit Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, Autoritetit Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË LABORATORËVE TË DIAGNOSTIKIMIT TË PARAZITËVE TË DEPARTAMENTIT TË MBROJTJES SË BIMËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 30, të ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin, nga varësia e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (Universiteti Bujqësor, Tiranë) ta Ministria Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të laboratorëve të diagnostikimit të parazitëve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, të tokës bujqësore, trojeve, godinave dhe objekteve të tjera të ndërtuara mbi to, si dhe kalimin kapital të pasurisë tjetër shtetërore të luajtshme.

2. Kalimet të bëhen duke iu referuar vlerave në bilancin kontabël në datën e dorëzimit dhe marrjes në dorëzim. Dorëzimi dhe marrja në dorëzim bëhen nga një komision i përbashkët, i ngritur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (Universiteti Bujqësor, Tiranë,) dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

3. Me të njëjtën procedurë, sipas pikës 2, të dorëzohen edhe arkivat shkencorë, financiarë si dhe çdo dokumentacion tjetër arkivor.
4. Laboratorët e diagnostikimit të parazitëve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve organizohen në Sektorin e Shëndetit të Bimëve, në Departamentin e Mbrojtjes së Bimëve (DMB) pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), Tiranë, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si qendër reference kombëtare për problemet që lidhen me mbrojtjen e bimëve.

5. Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve pranë ISUV-it ka për detyrë:

a) të monitorojë parazitët karantinorë, të përcaktojë statusin e tyre, metodat e kontrollit karantinor dhe të njoftojë ministrinë;
b) të bëjë diagnostikimin dhe prognozë-sinjalizimin e parazitëve, duke përcaktuar edhe masat e kontrollit të tyre;
c) të bëjë provat biologjike-agronomike të PMB-ve gjatë procedurës për regjistrimin e tyre, kur kërkohet një gjë e tillë;
ç) të hartojë praktikat e mira të mbrojtjes së bimëve dhe kriteret e mbrojtjes së integruar;
d) të hartojë kriteret e përgjithshme dhe procedurat për miratimin e laboratorëve të kontrollit të mbrojtjes së bimëve;
dh) të bëjë vlerësimin e laboratorëve të kontrollit, me qëllim miratimin e tyre si laboratorë të miratuar për kryerjen e analizave të kontrolleve zyrtare;
e) të bashkërendojë punën dhe të japë mbështetjen, përfshirë trajnimet dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe mënyrat e analizave që ato kryejnë;
ë) të organizojë teste paralele të mostrave të standardizuara dhe marrjen pjesë në to, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të miratuar të kontrollit;
f) të garantojë përdorimin e një sistemi të brendshëm, në përputhje me standardet e kërkuara nga laboratorët e miratuar të kontrollit.

6. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës për zhvillimin e praktikave mësimore nga ana e studentëve të tij në mënyrë të përhershme pranë këtyre laboratorëve.

7. Zbatimi i pikave 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2019.

8. Zbatimi i pikës 4, të këtij vendimi, fillon nga data 1 janar 2020.

9. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FEDERATËS SË SHËN KRISTOFERIT (ST. KITTS) DHE NEVISIT, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, ZYRTARE DHE TË ZAKONSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Federatës së Shën Kristoferit (St. Kitts) dhe Nevisit, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe të zakonshme, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NUMËR 190, ZONA KADASTRALE 1565, BASHKIA TEPELENË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 190, zona kadastrale 1565, Bashkia Tepelenë, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 190, zona kadastrale 1565, Bashkia Tepelenë.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Gjirokastër dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

METODIKËN E LLOGARITJES SË MASËS SË QIRASË PËR BANESAT SOCIALE ME QIRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 30, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ky vendim përcakton mënyrën e llogaritjes së qirasë së banesave sociale, që financohen nga buxheti i shtetit dhe/ose i njësive të vetëqeverisjes vendore.

2. Masa e qirasë për banesat sociale, që sigurohen me financime të sektorit privat, përcaktohet nga subjektet që e kanë financuar, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, dhe nuk është subjekt i këtij vendimi.

3. Mënyra e llogaritjes së masës së qirasë për banesat sociale, e përcaktuar me këtë vendim, u referohet:

a) banesave sociale me qira, që sigurohen nëpërmjet ndërtimit të banesave të reja;
b) banesave sociale që blihen në treg;
c) objekteve të dala jashtë funksionit, të transformuara në banesa sociale.

4. Masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2, llogaritet në varësi të kostos së ndërtimit ose të vlerës së blerjes së banesës në treg. Masa vjetore e qirasë nuk mund të jetë më e madhe se 3% e kostos së ndërtimit ose e vlerës së banesës së blerë në treg.

5. Për llogaritjen e masës së qirasë për banesat sociale që sigurohen nëpërmjet ndërtimeve të reja, në koston e ndërtimit (K) përfshihen të gjitha shpenzimet e kryera për ndërtimin e objektit të banimit, të tilla si:

a) vlera e investimit për ndërtimin e ndërtesës;
b) vlera e plotë e projektit teknik;
c) kostoja e blerjes së tokës, kur ajo nuk është pronë e njësisë së vetëqeverisjes vendore;
ç) vlera e investimit për lirimin e sheshit të ndërtimit;
d) vlera e mbikëqyrjes së punimeve;
dh) taksat, tatimet dhe tarifat e aplikueshme gjatë ndërtimit të objektit;
e) kostot e menaxhimit të zbatimit të projektit;
ë) kostot për kolaudimin dhe ato për tarifën e regjistrimit të pronës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

6. Në koston e ndërtimit, sipas pikës 5, nuk përfshihen:

a) vlera e truallit, kur investimi është bërë në truall, pronë e njësisë së vetëqeverisjes vendore;
b) investimet për lidhjen me rrjetin kryesor të infrastrukturës, si ujësjellës, kanalizime, telefoni, energji elektrike;
c) vlera e investimit për katet e para, kur këto nuk janë të parashikuara për banesa sociale;
ç) taksat, tatimet dhe tarifat vendore, të cilat, për projektin në fjalë mund të jenë konsideruar si kontribut i njësisë së vetëqeverisjes vendore.

7. Për objekte të dala jashtë funksionit, të përshtatura në banesa sociale, masa e qirasë llogaritet mbi vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre. Në këtë vlerë përfshihen:

a) vlera kapitale e transferuar e objektit (siç pasqyrohet në regjistrin e kontabilitetit), duke llogaritur edhe shkallën e amortizimit për shkak të përdorimit normal dhe të zakonshëm të tij;
b) kostoja e ndërhyrjes/investimit për përshtatjen e tyre në banesë sociale;
c) tarifa për regjistrimin e pasurisë;
ç) çdo shpenzim tjetër, i kryer me financime të buxhetit të shtetit ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

8. Për llogaritjen e masës së qirasë mujore për çdo apartament veprohet, si më poshtë vijon:

a) Fillimisht llogaritet qiraja e përgjithshme vjetore për të gjithë objektin (Qvtotal), duke shumëzuar me 3% koston totale që ka dalë nga llogaritjet sipas pikave 5, 6 ose 7;
b) Llogaritet përqindja (P) që zë sipërfaqja e çdo apartamenti ndaj sipërfaqes totale të ndërtimit;
c) Përqindja, që rezulton nga ky veprim, shumëzohet me vlerën e përgjithshme vjetore të qirasë, llogaritur sipas shkronjës “a”;
ç) Vlera, që rezulton nga veprimi sipas shkronjës “c”, pjesëtohet me numrin 12.

Shtojca “A”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, paraqet një shembull për llogaritjen e qirasë mujore të një apartamenti në një godinë të re banimi social.

9. Për banesat sociale që blihen në treg, masa e qirasë llogaritet në bazë të vlerës së blerjes së banesës në treg. Në këtë vlerë përfshihen:

a) vlera e investimit për blerjen e banesës;
b) shpenzimet për riparime;
c) kostoja për regjistrimin e pronës;
ç) taksat dhe tarifat e aplikueshme;
d) çdo shpenzim tjetër i paparashikuar.

10. Në rastin kur në katet e para të objektit të ndërtuar janë parashikuar mjedise shërbimi, qiraja e tyre, në varësi të destinacionit, mund të përcaktohet sipas nivelit të qirave të objekteve të ngjashme në treg.

11. Për çdo objekt të ri që ndërtohet, adaptohet ose blihet në treg, masa e qirasë llogaritet vetëm një herë dhe miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ky nivel qiraje përdoret deri në fund të muajit janar të vitit pasardhës. Çdo vit, niveli i qirasë së miratuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore shumëzohet me indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit dhe miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.

12. Për çdo njësi banimi, zyrat përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore mbajnë evidenca të plota, sipas formularit tip, me shpjegimet përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi në shtojcën “B”.

13. Të ardhurat, që mblidhen nga qiratë, derdhen në një llogari të veçantë, të çelur me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore në një bankë të nivelit të dytë ose në degën e thesarit, duke përcaktuar, për çdo rast, përgjegjësitë e entit menaxhues dhe të strukturave përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore për mënyrën e përdorimit, të raportimit e të kontrollit të përdorimit të këtyre të ardhurave.

14. Vendimi nr.260, datë 24.2.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për metodikën e llogaritjes së masës së qirasë, kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i bashkive apo nga kombinimi i të dyjave”, shfuqizohet.

15. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S TR I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR MASAT SHOQËRUESE NË KUADËR TË PROGRAMIT TË FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KFW), për masat shoqëruese në kuadër të programit të furnizimit me ujë të zonave rurale IV, me një grant në shumën 2 000 000 (dy milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR GRANTIN WBIF, PËR PROGRAMIN E FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për grantin WBIF, për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV, me një grant në shumën 1 800 000 (një milion e tetëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PRONËN NR.338, ME EMËRTIM “ISH-REPARTI USHTARAK NR.5012/20”, ME VENDNDODHJE NË ÇEKREZ, GRAMSH, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, për pronën nr.338, me emërtim “Ish-Reparti Ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 4 185.48 m2 dhe sipërfaqe funksionale 24 774.52 m2, me nr. pasurie 257/1, zk 2167, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, për një periudhë 20 vjet, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK TE MENAXHIMIT FINANCIAR 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të sistemit informatik të menaxhimit financiar (SIMF).

2. SIMF-i përbëhet nga modulet, si më poshtë vijon:

2.1. Moduli i përgatitjes dhe monitorimit të programit buxhetor afatmesëm;
2.2. Moduli i menaxhimit të investimeve publike;
2.3. Moduli i monitorimit të portofolit të projekteve;
2.4. Arkivi elektronik për arkivimin e dokumentacionit mbështetës të transaksioneve buxhetore.

3. SIMF-i ndërvepron me:

3.1. Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ), në administrim të ministrisë përgjegjëse për financat;
3.2. Sistemin Informatik të Planifikimit të Integruar (SIPI), në administrim funksional të njësisë përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes në Kryeministri;
3.3. Sistemin Informatik të Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (SIMNH), në administrim të ministrisë përgjegjëse për financat.

4. SIMF-i përmban të dhëna që ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

4.1. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat që gjenerohen në SIMF për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit të njësive të qeverisjes qendrore, specifikisht, si më poshtë:

4.1.1. Të dhëna për tavanet buxhetore në nivel njësie të qeverisjes qendrore dhe programi buxhetor;
4.1.2. Emërtimet dhe kodet e programeve buxhetore;
4.1.3. Të dhënat për projektet e investimeve publike;
4.1.4. Të dhënat për produktet, sasitë dhe kostot përkatëse;
4.1.5. Të dhënat për treguesit e performancës në nivel qëllimi dhe objektivi;
4.1.6. Emërtimi dhe kodet e produkteve e të projekteve të investimeve publike;
4.1.7. Të dhëna për raporte financiare menaxheriale, monitoruese dhe statistikore.

4.2. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që kanë referencë dhe merren nga:

4.2.1. SIFQ:

a) Emërtimi dhe kodet e njësive të qeverisjes së përgjithshme sipas SIFQ-it;
b) Klasifikimi buxhetor, në përputhje me ligjin organik të buxhetit, nr.9936/2008, të ndryshuar, dhe të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij;
c) Të dhëna për buxhetin faktik të njësive të qeverisjes së përgjithshme në nivel projekti, produkti, angazhimeve buxhetore dhe artikulli ekonomik.

4.2.2. SIPI/IPSIS:

a) Versioni i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
b) Të dhëna lidhur me qëllimin e politikave të programeve buxhetore;
c) Të dhëna lidhur me objektivat specifikë të programeve buxhetore;
ç) Masat prioritare lidhur me programet zhvillimore dhe projektet kombëtare strategjike;
d) Të dhëna për treguesit e performancës në nivel qëllimi;
dh) Të dhëna për treguesit e performancës në nivel objektivi specifik.

4.2.3. EAMIS:

a) Të dhëna për disbursimet e kryera nga donatorët për projektet e investimeve publike me financim të huaj.

5. Përbërësit e arkitekturës software dhe hardware të sistemit miratohen nga Autoriteti Rregullator Koordinues.

6. Subjektet përgjegjëse të SIMF-it janë, si më poshtë vijon:

a) Institucioni administrues i SIMF-it është ministria përgjegjëse për financat;
b) Institucionet, palë të interesuara, janë: ministria përgjegjëse për financat, ministritë e linjës dhe institucionet buxhetore qendrore.

7. Dhënës të informacionit janë njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që operojnë me akses të drejtpërdrejtë në SIMF.

8. Niveli i aksesit në sistemin dhe në bazën e të dhënave të SIMF-it është, si më poshtë vijon:

a) Administratorët e SIMF-it kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave në SIMF në lidhje me menaxhimin e përdoruesve, klasifikimin buxhetor e kontabël dhe të subjekteve të regjistruara;
b) Ministritë e linjës kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për transaksionet që regjistrojnë në SIMF;
c) Ministria përgjegjëse për financat ka të drejta administrative mbi SIMF-in në këto role:

i. Administrator;
ii. Raportues;
iii. Auditues;
iv. Zhvillues.

9. Për një periudhë tranzitore prej jo më shumë se një vit kalendarik, që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, lejohet regjistrimi manual në SIMF i të dhënave lidhur me politikat dhe objektivat specifikë të programeve buxhetore deri në sinkronizimin e plotë automatik të të dhënave ndërmjet SIPI-t dhe SIMF-it.

10. Vendimi nr.82, datë 3.2.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të Sistemit të Programit Buxhetor Afatmesëm”, shfuqizohet. Të dhënat e SPBA-së transferohen te SIMF-i brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

11. Ngarkohet ministria përgjegjës për financat dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.42, DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E DHËNIES SË LICENCAVE PROFESIONALE TË ZBATIMIT, KLASIFIKIMIT DHE DISIPLINIMIT TË SUBJEKTEVE JURIDIKE, QË USHTROJNË VEPRIMTARI NDËRTIMI”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Paragrafi i fundit, i shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut III, “Kategorizimi dhe klasifikimi i licencës, elementet e saj, kushtet, kriteret dhe kufizimet”, të rregullores që i bashkëlidhet vendimit nr.42, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR INSPEKTORIN E LARTË TË DREJTËSISË PËR VERIFIKIMIN E PLOTËSIMIT TË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE LIGJORE, VERIFIKIMIN E FIGURËS E TË PASURISË SË KANDIDATËVE JOMAGJISTRATË PËR POZICIONIN E INSPEKTORIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 289, pikat 3 e 4 , 283, pikat 3 e 4, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton rregulla më të hollësishme lidhur me procedurat që Inspektori i Lartë i Drejtësisë (Inspektori) zhvillon për verifikimin e figurës e të pasurisë, si edhe të kushteve e të kritereve të tjera ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët jomagjistratë për t’u zgjedhur në pozicionet vakante për inspektorë.

2. Këto rregulla kanë për qëllim realizimin e kësaj procedure duke u bazuar në meritat e kandidatëve jomagjistratë dhe duke respektuar parimet e përgjithshme të procedurës administrative, veçanërisht ato të ligjshmërisë, të transparencës, të informimit, të drejtësisë, të paanësisë, të proporcionalitetit, të mbrojtjes të të dhënave, konfidencialitetit e të sekretit shtetëror dhe të parimeve të tjera që garantojnë të drejtën për një proces të rregullt ligjor të kandidatëve jomagjistratë për pozicionin e Inspektorit gjatë procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve e të kritereve ligjore si dhe verifikimin e figurës e të pasurisë.

II. RREGULLA TË PËRGJITHSHME TË PROCEDURËS SË VERIFIKIMIT

A. Fillimi i procedurës së verifikimit

3. Procedura administrative e verifikimit të pasurisë të kandidatëve jomagjistratë kryhet nga Inspektori dhe fillon brenda 10 (dhjetë) ditëve nga publikimi i listës së kandidatëve jomagjistratë.

4. Inspektori verifikon përmbushjen e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve jomagjistratë. Inspektori, pasi përjashton nga konkurrimi kandidatët që nuk plotësojnë kushtet ligjore, rendit kandidatët e tjerë, sipas meritës, duke zbatuar, për aq sa është e mundur dhe me ndryshimet e nevojshme, kërkesat e nenit 240, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

B. Të drejtat e kandidatit jomagjistrat

5. Kandidati jomagjistrat ka të drejtë që, në çdo fazë të procedurës së verifikimit, me kërkesën e tij, të njihet me dokumentet e dosjes së kandidimit dhe aktet procedurale të kryera nga Inspektori për verifikimin e plotësimit të kushteve e të kritereve ligjore si dhe të verifikimit të figurës e të pasurisë së kandidaturës, si edhe të marrë kopje të tyre, sipas rregullave të Kodit të Procedurave Administrative, si dhe duke respektuar kërkesat e legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar dhe atyre të përcaktuara në këtë vendim.

6. Kryesisht apo mbi kërkesën e Inspektorit, kandidati jomagjistrat ka të drejtë të paraqesë shpjegime me shkrim për faktet, rrethanat apo çështjet ligjore të lidhura me kandidimin e tij/saj, si dhe të depozitojë dokumente shkresore shtesë, në mbështetje të këtyre shpjegimeve.

7. Kandidati jomagjistrat ka të drejtë të tërhiqet në çdo kohë nga kandidimi, duke e njoftuar me shkrim Inspektorin. Pas këtij njoftimi, Inspektori vendos menjëherë përfundimin e procedurës së verifikimit të kandidatit jomagjistrat. Akti i Inspektorit për konstatimin e tërheqjes nga kandidimi i njoftohet menjëherë kandidatit jomagjistrat dhe bëhet publik në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

C. Njoftimet

8. Njoftimet e Inspektorit drejtuar kandidatit jomagjistrat gjatë procedurës së verifikimit bëhen me shkresë, në adresën postare ose në adresën elektronike të deklaruar për këtë qëllim nga kandidati, pranë Inspektorit.

9. Njoftimet dhe kërkesat e kandidatit jomagjistrat drejtuar Inspektorit bëhen me shkrim, duke i depozituar drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose në adresën elektronike të tij, e cila i është bërë e njohur për këtë qëllim secilit kandidat, me fillimin e procedurave të verifikimit të kandidaturave.

10. Kandidati jomagjistrat, në ditën e thirrjes nga Inspektori për t’u pajisur me formularët e deklarimit dhe të autorizimeve, sipas ligjit dhe këtij vendimi, deklaron me shkrim adresën postare dhe adresën elektronike për efekt të komunikimit dhe njoftimeve me Inspektorin. Njëkohësisht, për efekt të pranimit të njoftimeve që dërgon, kandidati jomagjistrat njihet me adresat zyrtare elektronike të Inspektorit.

11. Kandidati jomagjistrat ka detyrimin të njoftojë menjëherë me shkrim Inspektorin për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës postare dhe elektronike të deklaruar.

III. PROCEDURA ADMINISTRATIVE E VERIFIKIMIT TË KANDIDATËVE JOMAGJISTRATË

A. Veprimet procedurale dhe verifikuese të Inspektorit

12. Procedura administrative e verifikimit të kandidatëve jomagjistratë fillon dhe zhvillohet njëkohësisht për të gjitha kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

13. Inspektori ndjek dhe kryen të gjitha veprimet procedurale e verifikuese të lidhura me proceset e ndryshme të verifikimit të përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore nga secili kandidat jomagjistrat.

14. Krahas veprimeve procedurale dhe verifikuese të tjera që i vlerëson të nevojshme rast pas rasti, për secilin kandidat jomagjistrat, Inspektori realizon procedurat standarde, si më poshtë vijon:

a) Pajisjen e kandidatit jomagjistrat me formularin “Deklaratë e pasurisë dhe interesave privatë e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”;
b) Pajisjen e kandidatit jomagjistrat me formularin për vetëdeklarim sipas kërkesave të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
c) Pajisjen e kandidatit jomagjistrat me formularin e aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
ç) Pajisjen dhe marrjen në dorëzim të nënshkruar të formularëve për dhënien e miratimit për përpunimin e të dhënave personale;
d) Pajisjen dhe marrjen në dorëzim të nënshkruar të formularëve autorizues për verifikimin, në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, të të dhënave që lidhen me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit;
dh) Pajisjen dhe marrjen në dorëzim të nënshkruar nga kandidati të formularit deklarues për adresën postare, adresën elektronike dhe kontaktin telefonik, për qëllimet e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturës;
e) Dërgimin e shkresave standarde për kërkimin e informacionit dhe të shpjegimeve përkatëse nga kandidati, institucionet publike dhe subjektet private, në lidhje me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

15. Inspektori njofton, menjëherë, zyrtarisht kandidatin jomagjistrat për fillimin e procedurave të verifikimit të kandidaturës dhe për detyrimin për t’u paraqitur, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për t’u pajisur me formularët e deklarimeve dhe të autorizimeve të përcaktuara në pikën 14, të këtij vendimi. Në pamundësi objektive për t’u paraqitur brenda afatit dhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin duke i parashtruar edhe motivet përkatëse. Inspektori, kur motivet janë të justifikuara, i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për t’u paraqitur pranë zyrës së Inspektorit.

16. Nëse nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga secili kandidat jomagjistrat, Inspektori konstaton dhe vlerëson se është i paplotë, njofton menjëherë kandidatin për të përmbushur detyrimin e plotësimit të tij sipas ligjit, duke i caktuar një afat jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë për dorëzimin e tij pranë zyrës së Inspektorit. Kur i vlerëson të justifikuara motivet e paraqitura nga kandidati jomagjistrat për mospërmbushjen e detyrimit për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar brenda afatit pesëmbëdhjetëditor, Inspektori i cakton një afat të ri të arsyeshëm.

17. Pas realizimit të procedurave të parashikuara në pikat 15 e 16, të këtij vendimi, Inspektori procedon me dërgimin e shkresave standarde për kërkimin e informacionit dhe të shpjegimeve përkatëse nga kandidati jomagjistrat, institucionet publike dhe subjektet private në lidhje me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

18. Në procedurën e verifikimit, Inspektori shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga secili kandidat jomagjistrat, formularët e deklarimeve të plotësuara, aktet e dërguara nga organet e ngarkuara me ligj për kontrollin dhe verifikimin e deklarimeve të kandidatëve jomagjistratë, si edhe çdo akt, informacion dhe të dhënë tjetër të dërguar nga subjektet publike dhe private, me nismën e tyre ose mbi kërkesën e Inspektorit që vlerëson se ka lidhje me gjykimin mbi plotësimin ose jo të kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore për kandidim.

19. Bazuar në gjetjet e procedurës së verifikimit, nëse vlerëson paraprakisht që mund të procedohet me vendimin e lejimit ose të ndalimit të kandidimit, Inspektori njofton kandidatin jomagjistrat të verifikuar lidhur me gjetjet paraprake, si edhe për të drejtën që:

a) brenda një afati pesëmbëdhjetëditor nga dita e njoftimit, të paraqesë me shkrim, drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit ose në rrugë elektronike, qëndrimin dhe shpjegimet përkatëse lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit, si edhe të dokumentacionit mbështetës të nevojshëm, sipas vlerësimit të kandidatit jomagjistrat;
b) të tërheqë, sipas rastit, kopje të dokumentacionit dhe të akteve të këtij procedimi administrativ ose të asaj pjese të tyre që lidhet me verifikimin e kushteve dhe të kritereve përkatëse ligjore, për të cilat Inspektori ka vlerësuar paraprakisht se mund të sjellin ndalimin e kandidimit. Në rast se informacioni është i klasifikuar “sekret shtetëror” të zbatohen kërkesat e legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.

20. Në pamundësi objektive ose për motive të tjera të justifikuara për të paraqitur qëndrimin dhe shpjegimet brenda afatit pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin, duke i parashtruar edhe motivet përkatëse. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur qëndrimet dhe shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

21. Në rastin kur, në përfundim të afatit të njoftimeve sipas pikave 15 deri 20 të këtij vendimi, kandidati jomagjistrat nuk paraqitet, nuk i përgjigjet njoftimeve të Inspektorit, nuk paraqet dokumentacionin e kërkuar ose nuk parashtron shpjegime me shkrim për gjetjet e procedurës së verifikimit, Inspektori procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe problemet ligjore të konstatuara.

22. Nëse në përfundim të këtyre procedurave administrative për verifikimin e kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me shqyrtimin e çështjes.

23. Nëse vlerëson që kandidati jomagjistrat nuk përmbush ndonjërin prej kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit, Inspektori procedon me përgatitjen e relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm, pa qenë e nevojshme kryerja e procedurës së verifikimit për të gjitha kushtet dhe kriteret e tjera ligjore.

24. Kur kandidati jomagjistrat njofton tërheqjen nga kandidimi, Inspektori përgatit relacionin që përshkruan procedurën e zhvilluar dhe projektaktin mbi përfundimin e procedurës administrative të verifikimit të kandidatit jomagjistrat të tërhequr.

25. Inspektori vendos për të gjitha çështjet që parashtrohen në relacion me vendim të arsyetuar.

26. Në rastin kur pas shqyrtimit të akteve që përmban dosja e kandidatit jomagjistrat të verifikuar, Inspektori vjen në përfundimin që ka vend për të vlerësuar edhe mundësinë e ndalimit të kandidimit, por në atë çështje nuk janë ndjekur procedurat e përcaktuara në pikat 15 deri në 20 të këtij vendimi, kandidatit të verifikuar i njoftohet materiali me gjetjet dhe motivet të cilat mund të sjellin ndalimin e kandidimit. Kandidati ka të drejtën e parashtrimit me shkrim të shpjegimeve të tij dhe dokumenteve mbështetëse, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e marrjes në dijeni të materialit të dërguar nga Inspektori.

27. Pas shqyrtimit të akteve, Inspektori vendos:

a) lejimin e kandidimit;
b) ndalimin e kandidimit;
c) vijimin e procedurës së verifikimit për kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

28. Inspektori vendos ndalimin e kandidimit nëse kandidati jomagjistrat nuk përmbush qoftë edhe njërin nga kushtet ose kriteret e tjera ligjore të kandidimit, duke u bazuar në të dhënat që përmbajnë:

a) deklarimet dhe dokumentacionin e paraqitur nga vetë kandidati jomagjistrat;
b) gjetjet dhe përfundimet e organeve kompetente të kontrollit të pasurisë dhe të integritetit të kandidatit, si dhe informacionet e subjekteve të tjera publike dhe private dërguar në përgjigje të kërkesave për informacion të Inspektorit.

29. Inspektori vendos ndalimin e kandidimit edhe në rastet kur, pas njoftimeve të tij gjatë procedurës së verifikimit, kandidati jomagjistrat përsëri nuk i përmbush detyrimet për paraqitjen ose plotësimin e deklaratave, të autorizimeve dhe të dokumentacionit lidhur me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit, të parashikuara nga ligji.
B. Akti i verifikimit. E drejta e ankimit

30. Vendimi për procedurën e verifikimit të kandidatit jomagjistrat është i arsyetuar dhe hartohet sipas kërkesave të nenit 99, të Kodit të Procedurave Administrative, lidhur me formën dhe përmbajtjen e aktit administrativ.

31. Vendimi i arsyetuar i njoftohet kandidatit jomagjistrat, i cili ka të drejtën e ankimit sipas legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

C. Publikimi i akteve të procedurës së verifikimit

32. Vendimet e Inspektorit për verifikimin e kandidaturave bëhen publike në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

33. Në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë publikohen edhe:

a) lista e kandidatëve jomagjistratë për të cilët është vendosur ndalimi i kandidimit;
b) lista e kandidatëve jomagjistratë për të cilët është vendosur lejimi i kandidimit.

IV. PROCEDURA TË VEÇANTA PËR VERIFIKIMIN E KANDIDATËVE JOMAGJISTRATË

34. Përveç kur parashikohet ndryshe në seksionet A, B dhe C të kësaj ndarjeje, për zhvillimin e procedurës së verifikimit të pasurisë, të figurës dhe të kushteve të tjera ligjore të kandidatit jomagjistrat, zbatohen rregullat e përgjithshme të parashikuara në krerët II dhe III, të këtij vendimi.

A. Verifikimi i pasurisë së kandidatit jomagjistrat

35. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit zyrtar për fillimin e procedurës së verifikimit, kandidati jomagjistrat paraqitet në zyrën e Inspektorit për të tërhequr, kundrejt nënshkrimit, kopjen fizike të formularit “Deklaratë e pasurisë dhe e interesave privatë e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”, të hartuar nga ILDKPKI-ja, në zbatim të nenit 3/1, të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si edhe informacionin mbi lidhjen elektronike zyrtare të ILDKPKI-së në të cilën kandidati jomagjistrat mund të marrë dhe të plotësojë në rrugë elektronike këtë deklaratë, përfshirë udhëzimin përkatës për mënyrën e plotësimit të saj.

36. Njëkohësisht, kandidati jomagjistrat pajiset me formularët e autorizimeve për Inspektorin që të kryejë verifikimin në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, të të dhënave mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare që ekzistojnë në emër dhe për llogari të kandidatit dhe personave të lidhur. Autorizimet, të nënshkruara rregullisht nga kandidati jomagjistrat dhe personat e lidhur, depozitohen pranë zyrës së Inspektorit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e marrjes në dorëzim.

37. Jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e nënshkrimit dhe e dorëzimit nga kandidatët jomagjistratë dhe personat e lidhur të autorizimeve, sipas pikës 36, të këtij vendimi:

a) Inspektori i dërgon ILDKPKI-së listën e kandidatëve jomagjistratë që i nënshtrohen procedurës së verifikimit të kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit sipas ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
b) Inspektori fillon procedurat për kryerjen e veprimeve të kërkimit nga subjekte publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të të dhënave mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare që ekzistojnë në emër dhe për llogari të kandidatit jomagjistrat dhe të personave të lidhur.

38. Jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga marrja në dorëzim e formularit të deklarimit të pasurisë, kandidati jomagjistrat e dorëzon atë të plotësuar pranë ILDKPKI-së, së bashku me dokumentacionin justifikues/shoqërues. Deklarimi bëhet sipas përcaktimeve të neneve 3/1, 4, pika 2 e vijues të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.

39. ILDKPKI-ja njofton menjëherë Inspektorin në rastin kur kandidati jomagjistrat nuk e dorëzon të plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë.

40. ILDKPKI-ja kryen kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë të të dhënave që përmbahen në deklaratën e pasurisë dhe të interesave private, brenda 2 (dy) muajve nga paraqitja e kësaj deklarate pranë ILDKPKI-së.

41. Nëse gjatë 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve para asaj të paraqitjes së deklaratës, kandidati jomagjistrat i është nënshtruar kontrollit të plotë nga ILDKPKI-ja dhe kontrolli nuk ka rezultuar në disfavor të tij, si edhe në rastin kur ILDKPKI-ja vlerëson se nuk është vendi për rikontroll të plotë sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 25/1, të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer. ILDKPKI-ja i dërgon menjëherë Inspektorit kopjen e deklarimit të bërë nga kandidati jomagjistrat, si edhe gjetjet dhe përfundimet e këtij institucioni nga procedura e mëparshme e kontrollit të plotë të deklarimit. Në çdo rast, Inspektori kryen veprimet e parashikuara nga shkronja “b”, e pikës 37, të këtij vendimi.

42. Pavarësisht parashikimit të pikës 41, të këtij vendimi, nëse pas fillimit të procedurës së verifikimit të kandidatit jomagjistrat, Inspektori vihet në dijeni, nga burime të ligjshme, për rrethana që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që përmbahen në deklarimin e pasurisë së kandidatit jomagjistrat, njofton menjëherë ILDKPKI-në për të ushtruar kompetencën e rikontrollit të plotë të deklarimit të kandidatit, sipas parashikimeve të neneve 3/1 dhe 25/1, pika 4, të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.

43. Në përfundim të verifikimit të kryer sipas ligjit, ILDKPKI-ja i dërgon menjëherë Inspektorit raportin e kontrollit të plotë për pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare të kandidatit dhe të personave të lidhur.

44. Inspektori shqyrton rezultatet e kontrollit, gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, si edhe të dhënat mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare të kandidatit jomagjistrat dhe të personave të lidhur, të dërguara nga subjektet publike dhe private, sipas kërkesës të tij.

45. Në varësi të rezultateve të kontrollit dhe të nevojave të verifikimit të mëtejshëm të pasurisë, Inspektori mund të kërkojë:

a) informacione shtesë nga subjektet publike dhe private;
b) shpjegime me shkrim nga kandidati jomagjistrat, i cili, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë këto shpjegime dhe dokumente mbështetëse drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit. Nëse për motive të justifikuara nuk mund të respektojë afatin pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

46. Në rastin kur në procedurën e verifikimit të pasurisë lind nevoja për njohuri të posaçme lidhur me konstatimin dhe sqarimin e të dhënave që rezultojnë nga deklarimet e kandidatit jomagjistrat, gjetjet dhe përfundimet e ILDKPKI-së dhe atyre të sjella nga subjektet publike e private, Inspektori ka të drejtën të thërrasë ekspertë të fushës përkatëse.

47. Ekspertët e fushës përkatëse të institucioneve shtetërore thirren nga Inspektori sipas fushës së njohurive. Në rastet kur ekspertiza nuk mbulohet nga institucionet shtetërore, ekspertët përzgjidhen nga listat e përditësuara të subjekteve të licencuara për fushën përkatëse, në përputhje me rregullat e prokurimit publik.

48. Ekspertët caktohen nga Inspektori. Shpenzimet për pagesën e ekspertëve mbulohen nga buxheti i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

49. Kandidati jomagjistrat që verifikohet, njoftohet menjëherë për ekspertin e caktuar nga Inspektori. Jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga marrja dijeni, kandidati jomagjistrat ka të drejtë të paraqesë me shkrim kërkesën e motivuar pranë Inspektorit, duke treguar shkaqet për gjendjen e papajtueshmërisë apo të konfliktit të interesit me ekspertin. Në çdo rast, Inspektori vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës, sipas legjislacionit në fuqi.

50. Përpara fillimit të detyrës, eksperti nënshkruan formulën e betimit. Pas veprimit të betimit, sipas udhëzimeve të Inspektorit, eksperti ka detyrimin të shqyrtojë aktet, të përgatisë, sipas rastit, raport financiar apo mendimin e tij me shkrim, si edhe të ruajë konfidencialitetin e të dhënave që siguron gjatë kryerjes së ekspertimit.

51. Kur e vlerëson, Inspektori mund të thërrasë ekspertin për të dhënë shpjegime. Në vendimin e arsyetuar të Inspektorit për lejimin ose ndalimin e kandidimit trajtohet edhe nevoja për ekspertim dhe mendimi i dhënë nga eksperti.

52. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, atyre të nxjerra nga të dhënat që rezultojnë nga shkresat e dërguara nga subjektet publike dhe private, si edhe nga shpjegimet me shkrim të dhëna nga kandidati jomagjistrat, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm, për sa i përket verifikimit të pasurisë.

53. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, atyre të nxjerra nga të dhënat që rezultojnë nga shkresat e dërguara nga subjektet publike dhe private, si edhe nga shpjegimet me shkrim të dhëna nga kandidati jomagjistrat, Inspektori vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të pasurisë.

54. Ndalimi i kandidimit vendoset nga Inspektori, në rastet kur ka të dhëna nga burime të ligjshme se kandidati jomagjistrat:

a) ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;
b) ka fshehur pasurinë dhe të dhënat mbi interesat private, që janë të detyrueshme të deklarohen;
c) ka kryer deklarim të rremë;
ç) gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

55. Ndalimi i kandidimit vendoset edhe në rastet kur kandidati jomagjistrat:

a) ka refuzuar të përmbushë detyrimin për t’u pajisur me formularin e deklaratës së pasurisë ose nuk e ka plotësuar dhe depozituar atë pranë ILDKPKI-së, sipas ligjit;
b) ka refuzuar nënshkrimin e autorizimeve të kërkuara nga Inspektori për verifikimin e pasurisë.

B. Verifikimi i integritetit të kandidatit jomagjistrat

56. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit zyrtar për fillimin e procedurës së verifikimit, kandidati paraqitet në zyrën e Inspektorit për të tërhequr, kundrejt nënshkrimit:

a) kopjen fizike të formularit për vetëdeklarim, sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”,
b) kopjen fizike të formularit të aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, sipas ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
c) informacionin mbi lidhjen elektronike në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në të cilën kandidati jomagjistrat mund të marrë dhe të plotësojë sipas ligjit, në rrugë elektronike, këta formularë deklarimi;
ç) formularin e autorizimit për Inspektorin që, në zbatim të pikës 4, të nenit 283, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të kryejë verifikimin pranë organeve kompetente sipas ligjit, të të dhënave mbi figurën e kandidatit jomagjistrat.

57. Jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë)) ditë nga marrja e formularëve të parashikuar në pikën 56, të këtij vendimi, kandidati jomagjistrat i dorëzon ato të plotësuara në zyrën e Inspektorit.

58. Vetëdeklarimi i kandidatit jomagjistrat, sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, bëhet publik në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

59. Inspektori e përcjell menjëherë formularin e vetëdeklarimit, sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të plotësuar nga kandidati jomagjistrat, në Prokurorinë e Përgjithshme.

60. Prokuroria e Përgjithshme kryen verifikimet sipas ligjit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga paraqitja e vetëdeklarimit pranë atij institucioni.

61. Gjithashtu, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dorëzimi i vetëdeklarimit të kandidatit jomagjistrat, të plotësuar sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Inspektori kryen edhe veprimet për kërkimin e informacionit mbi pengesat ligjore sipas shkronjave “a” dhe “c”, të pikës 66, të këtij vendimi, nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

62. Formulari i aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, sipas nenit 29, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i plotësuar nga kandidati jomagjistrat, i dërgohet menjëherë për kompetencë dhe shqyrtim Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

63. Në varësi të rezultateve të kontrollit dhe të nevojave të verifikimit të mëtejshëm të integritetit të kandidatit, Inspektori mund të kërkojë:

a) informacione shtesë nga institucionet e përmendura në këtë seksion;
b) shpjegime me shkrim nga kandidati jomagjistrat, i cili, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit, shpjegimet e tij dhe dokumentet mbështetëse. Nëse për motive të justifikuara nuk mund të respektojë afatin pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

64. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe gjetjet e përfundimet e nxjerra nga të dhënat e dërguara nga institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të integritetit të kandidatit jomagjistrat.

65. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe të atyre të dërguara nga institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion, Inspektori vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të integritetit.

66. Ndalimi i kandidimit vendoset në rastet kur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion konfirmohet se kandidati jomagjistrat:

a) ka lidhje ose kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar;
b) ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
c) është bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës.

67. Ndalimi i kandidimit vendoset edhe kur:

a) kandidati jomagjistrat ka refuzuar të përmbushë detyrimin për t’u pajisur me formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose me formularin e aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, sipas ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo nuk i ka plotësuar dhe depozituar ato;
b) kandidati jomagjistrat ka refuzuar nënshkrimin e autorizimit për Inspektorin që të kryejë verifikimin në organet kompetente, sipas ligjit, lidhur me të dhënat që lidhen integritetin e kandidatit.

C. Verifikimi i kushteve të tjera ligjore të kandidimit

68. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit zyrtar për fillimin e procedurës së verifikimit, kandidati jomagjistrat pajiset me formularin e autorizimit për Inspektorin që të kryejë verifikimin në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, lidhur me të dhënat që lidhen me plotësimin e kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit, të përcaktuara në pikën 6, të nenit 209, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Autorizimi i nënshkruar rregullisht nga kandidati jomagjistrat depozitohet pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga ajo e marrjes në dorëzim.

69. Inspektori shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga kandidati jomagjistrat për të vlerësuar nëse, për efekt të verifikimit të kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit, të dhënat e deklaruara janë të plota, kanë përmbajtje të saktë dhe nuk gjenden elemente që sjellin dyshime për vërtetësinë e dokumentit apo të përmbajtjes së tij.

70. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit vlerëson se të dhënat e deklaruara nuk janë të plota, përmbajnë pasaktësi ose edhe elemente që sjellin dyshime për vërtetësinë e dokumentit apo të përmbajtjes së tij, Inspektori mund të kërkojë:

a) informacione nga subjektet publike dhe private;
b) shpjegime me shkrim nga kandidati jomagjistrat, i cili, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit shpjegimet e tij dhe dokumentet mbështetëse. Nëse për motive të justifikuara nuk mund të respektojë afatin pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

71. Nëse nga gjetjet e procesit të verifikimit Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit.

72. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e nxjerra nga dokumentacioni i paraqitur nga kandidati jomagjistrat, si edhe nga gjetjet e përfundimet e nxjerra nga shqyrtimi i shkresave të dërguara nga subjektet publike dhe private, Inspektori vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të kushteve e kritereve të tjera ligjore.

73. Ndalimi i kandidimit vendoset në rastet kur nga dokumentacioni i paraqitur nga kandidati jomagjistrat, si edhe nga shkresat e dërguara nga subjektet publike dhe private, rezulton se kandidati jomagjistrat nuk plotëson ndonjërin prej kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të parashikuara nga pika 6, e nenit 209, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

74. Ndalimi i kandidimit vendoset edhe kur kandidati jomagjistrat ka refuzuar nënshkrimin e autorizimit për Inspektorin që të kryejë verifikimin në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, lidhur me të dhënat që lidhen me plotësimin e kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

A. Fillimi dhe procedura e verifikimit dhe e përzgjedhjes së kandidatëve jomagjistratë, pas krijimit të zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

75. Çdo jurist i interesuar për pozicionin e inspektorit në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, brenda 1 (një) muaji nga krijimi i zyrës së Inspektorit të Lartë, dorëzon aplikimin pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

76. Inspektori verifikon plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore, sipas parashikimeve të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe bën verifikimin e figurës dhe të pasurisë së kandidatëve jomagjistratë.

77. Njoftimi zyrtar i Inspektorit për fillimin e procedurave ligjore të verifikimit të kandidaturave, sipas ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpallet menjëherë në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

78. Gjithashtu, ky njoftim zyrtar i dërgohet individualisht secilit kandidat jomagjistrat në adresën elektronike të deklaruar prej tij në dokumentacionin e kandidimit të depozituar pranë Inspektorit.

79. Inspektori paraqet kërkesë për informacion për verifikimin e figurës, sipas përcaktimeve të nenit 38, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe të çdo shkaku tjetër përjashtues, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokurorisë, organeve publike financiare, Byrosë Kombëtare të Hetimit, shërbimeve shtetërore informative, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, si dhe çdo organi disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e mëparshme të punës të kandidatit.
Nëse vlerësohet e nevojshme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kërkojë informacione shtesë nga institucione të tjera.

80. Inspektori, për kandidatin jomagjistrat bën vlerësimin e aftësive profesionale dhe morale, sipas kritereve të parashikuara për pozicionin e inspektorit.

81. Inspektori miraton një raport të arsyetuar me shkrim, bazuar në rezultatet e deklaratave të pasurisë, të vlerësimit të figurës, si dhe në përmbushjen e kushteve e të kritereve ligjore, të parashikuara ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, për kandidatin jomagjistrat.

B. Rregulla kalimtare për përmbylljen e procedurave të verifikimit

82. Procedurat e vlerësimit dhe të renditjes së kandidaturave fillojnë pasi Inspektori të ketë përfunduar procedurat e verifikimit dhe të ketë vendosur për lejimin ose ndalimin e kandidimit të të gjithë kandidatëve jomagjistratë.

83. Ngarkohen Inspektori i Lartë i Drejtësisë si dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE TË VEPRAVE NDIHMËSE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE TOPOJË, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “MAX ENERGY”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe të veprave ndihmëse në Njësinë Administrative Topojë, Qarku Fier, nga shoqëria “Max Energy”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: “Max Energy”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS i aplikuesit: L77003205H;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Numri i njësive gjeneruese të burimit gjenerues të energjisë dhe kapaciteti i tyre në MW: 1 (një) turbinë me kapacitet 3 MW;
dh) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 24 muajve, nga marrja e lejes së ndërtimit;
e) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Njësia Administrative Topojë, Qarku Fier;
ë) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
f) Koordinatat e tokës: sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
g) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synimin që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionit të projektit;
gj) Shoqëria “Max Energy”, sh.p.k. ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “Max Energy”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sasinë e energjisë elektrike (por jo më të vogël se 2% të sasisë vjetore të prodhimit ose konvertimin e saj në vlerë). Në rast konvertimi në vlerë monetare, këto të ardhura derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.460, DATË 3.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, AGJENCINË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT DHE MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.460, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjën “b”, të pikës 2, shifra 199 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë) lekë bëhet 238 800 000 (dyqind e tridhjetë e tetë milionë e tetëqind mijë) lekë.

b) Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Me fondet e vëna në dispozicion, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të zhvillojnë procedurat e prokurimit dhe të lidhin kontratat përkatëse për realizimin e projekteve të përmendura në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI NGA NDËRMARRJA INDUSTRIALE NR.1, TIRANË, TE MINISTRIA E BRENDSHME, TË PASURIVE NR.3/771, 3/772, 3/773, 3/774, ZONA KADASTRALE 8240, ME SIPËRFAQE TOTALE 4122.56 M2, RRUGA “HAMDI PEPA”, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave,

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi nga Ndërmarrja Industriale nr.1, Tiranë, te Ministria e Brendshme, të pasurive nr.3/771, 3/772, 3/773, 3/774, zona kadastrale 8240, me sipërfaqe totale 4122.56 m2, rruga “Hamdi Pepa”, sipas dokumentacionit hipotekor bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Ndërmarrja Industriale nr.1, Tiranë, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË TË PRONËS ME EMËRTIMIN “QENDRA E SHËRBIMIT DHE ADMINISTRIMIT TË MJETEVE TË TRANSPORTIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

3. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të pronës me emërtimin “Qendra e shërbimit dhe administrimit të mjeteve të transportit”, sipas formularit bashkëlidhur vendimit nr.79, datë 3.2.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për një shtesë në vendimin nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, të ndryshuar”.

4. Vendimi nr.79, datë 3.2.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për një shtesë në vendimin nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, të ndryshuar”, shfuqizohet.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.137, DATË 28.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN E TASK-FORCËS PËR EVIDENTIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE GJATË BREGDETIT SHQIPTAR, ME QËLLIM INVESTIMIN NË TURIZMIN BREGDETAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.137, datë 28.2.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 11 shtohen pikat 11.1 dhe 11.2, si më poshtë vijon:

“11.1 Task-Forca monitoron, mbikëqyr dhe ndjek në kohë reale të gjitha ndryshimet, përditësimet, regjistrimet si dhe çdo veprim tjetër të kryer nga organet shtetërore në lidhje më pasuritë e paluajtshme shtetërore, të cilat ndodhen brenda fashës 1.5 km nga vija bregdetare.

11.2 Institucionet dhe organet e përmendura në pikën 11, të këtij vendimi, vënë në dijeni Task-Forcën në lidhje me të gjitha zhvillimet dhe ndryshimet që do të ndodhin në statusin juridik të pasurive të paluajtshme shtetërore përgjatë vijës bregdetare, sipas pikës 11.1 të këtij vendimi.”.

2. Në pikën 12, fjalët “… deri në datën 31 korrik 2019.” ndryshohen në “… deri në datën 31 dhjetor 2019.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E UDHËRRËFYESIT PËR POLITIKËN QEVERISËSE DREJT NJË MJEDISI MUNDËSUES PËR ZHVILLIMIN E SHOQËRISË CIVILE 2019-2023, I RISHIKUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e udhërrëfyesit për politikën qeverisëse drejt një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile 2019-2023, i rishikuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Kryeministria është përgjegjëse për bashkëveprimin dhe monitorimin për zbatimin e udhërrëfyesit.

3. Vendimi nr.459, datë 27.5.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e udhërrëfyesit për hartimin e politikës dhe masave për një mjedis mundësues për shoqërinë civile”, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si edhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në shtojcën “Plani i veprimit”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MASAVE TË NEVOJSHME PËR MBAJTJEN E PËRGJEGJËSIVE TË ZGJERUARA TË PRODHUESIT NGA ÇDO PERSON FIZIK A JURIDIK, QË PRODHON, PËRPUNON, TRAJTON DHE SHET LËKURË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 16, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Qëllimi i këtij vendimi është miratimi i masave të nevojshme, që çdo person fizik/juridik, i cili prodhon, përpunon, trajton lëkurën dhe e shet (prodhuesi), mbi baza profesionale, të mbajë përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e njeriut dhe në përputhje me parimin “ndotësi paguan”, të përcaktuar në ligjin nr.10431/2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.

2. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i masave që duhet të respektojnë operatorët e instalimeve për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurës, konkretisht për:

a) parandalimin e mbetjeve të gjeneruara nga instalimet e prodhimit, trajtimit dhe përpunimit të lëkurës;
b) procedurat, teknikat dhe standardet për menaxhimin e mbetjeve nga instalimet e prodhimit, trajtimit dhe përpunimit të lëkurës;
c) trajtimin e ujërave të ndotura industriale përpara shkarkimeve të tyre në gropa septike dhe trupat e tjerë ujorë pritës;
ç) trajtimin e diferencuar të kimikateve të rrezikshme dhe shmangien e shkarkimit të tyre në mjedis;
d) aplikimin e teknologjive më të mira në dispozicion (TMD), që bëjnë të mundur ripërdorimin e ujërave të ndotura industriale, me qëllim pakësimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura në mjedis;
dh) sigurimin e kushteve dhe pajisjeve për të mbrojtur mjedisin, shëndetin e punonjësve dhe të njerëzve, që bien në kontakt me mbetjet e gjeneruara nga këto instalime;
e) përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit për minimizimin e mbetjeve që gjenerohen nga instalimet e prodhimit, trajtimit dhe përpunimit të lëkurës, ripërdorimin, rikuperimin, riciklimin dhe trajtimin specifik të diferencuar të mbetjeve organike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mbi baza profesionale;
ë) përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit për menaxhimin e mbetjeve të lëkurës, që teprojnë pas trajtimit dhe përpunimit teknologjik të tyre, mbi baza profesionale.

3. Ky vendim zbatohet nga çdo prodhues/operator, i cili është përgjegjës për një instalim për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurës, i cili përfshihet në veprimtaritë “instalimet për trajtimet me regjie dhe prodhimin e lëkurës”, referuar përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për lejet e mjedisit. Ky vendim nuk zbatohet për operatorët e instalimeve, të cilët përdorin lëkurën si lëndë të parë për prodhimin e këpucëve, çantave dhe veshje apo aksesorëve të tjerë prej lëkure.

4. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr.10431/2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10463/2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, ndërsa termat e mëposhtëm kanë kuptimin dhe përshkruajnë proceset, si më poshtë vijon:

a) “çgëlqerizimi”, procesi që konsiston në uljen e pH alkalin dhe neutralizimin e tij, me qëllim rigjallërimin e lekurës;
b) “Depilimi”, procesi i kombinuar i shpërbërjes së qimeve dhe hidrolizës alkaline;
c) “Gëlqerosja”, procesi teknologjik i gëlqerosjes, që konsiston në trajtimin e lekurës me tretësirë të ngopur të kalciumit (Ca) nga 5 -15%, që kryhet pas procesit të heqjes së qimeve;
ç) “Ngjyrimi”, procesi i ngjyrosjes të lëkurës me ngjyra, të cilat i jepen lëkurës sipas shijeve dhe kërkesave të tregut;
d) “Pasregjia”, procesi i trajtimit të lëkurës, pas procesit të regjies, i cili synon të përmirësojë vlerat e lëkurës;
dh) “Piklimi”, procesi që synon uljen e pH, nëpërmjet shtimit të acideve;
e) “Prodhues”, personi juridik a fizik, i cili zhvillon, prodhon, përpunon, trajton dhe shet produkte të lëkurës si lëndë e parë;
ë) “Regjia bimore”, procesi i trajtimit të lëkurës me esenca bimore, për të siguruar te lëkura qëndrueshmëri dhe rezistencë ndaj kalbjes;
f) “Regjia kromike”, procesi që nënkupton trajtimin për regjie të lëkurës, duke përdorur kripëra të kromit (Cr);
g) “Regjia”, procesi i trajtimit që synon trasformimin e lëkurës pas çgëlqerosjes dhe trajtimit të saj me acid për të pasur një produkt të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj lagështisë dhe kalbies nga agjentët mikrobikë;
gj) “Skarifikimi”, procesi i heqjes së mishrave nga ana e brendshme e lëkurës;
h) “Tharja”, një proces i largimit të lagështisë së tepërt të lëkurës;
i) “Zbutja”, procesi për t’i dhënë lëkurës një lagështi dhe elasticitet të nevojshëm dhe të manovrueshëm.

5. Proceset teknolologjike të parashikuara sipas përkufizimeve të pikës 4, të këtij kreu, janë procese, të cilat prodhuesi duhet t’i përshkruajë në aplikimin për procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe aplikimit për t’u pajisur me lejen përkatëse të mjedisit, si dhe të deklarojë shkarkimet e mundshme në ajër, ujë, tokë dhe sasinë e mbetjeve, që do të gjenerohen për secilin proces, si dhe masat që do të merren specifikisht për shkarkimet e ndryshme gjatë proceseve të ndryshme.

II. KRITERET E VENDNDODHJES SË INSTALIMEVE

1. Instalimet për grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurës duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme për vendndodhjen e tyre:

a) Të jenë brenda zonave industriale të përcaktuara në planet e përgjithshme vendore;
b) Kur nuk ka zona të miratuara për zhvillimin e aktiviteteve industriale, instalimet:

i. të pozicionohen jo më pak se 2 000 m larg nga të gjitha kategoritë e zonave të mbrojtura dhe zonat e rekreacionit;
ii. të pozicionohen jo më pak se 2 000 m larg nga zonat me rëndësi për biodiversitetin, të miratuara nga autoritetet përkatëse;
iii. të pozicionohen jo më pak se 2 000 m larg nga zonat urbane;
iv. të jenë të zhvendosura rreth 1 000 m larg shtretërve të lumenjve.

III. MBETJET QË GJENEROHEN NGA INSTALIMET E PËRPUNIMIT DHE TRAJTIMIT TË LËKURËS

1. Mbetjet që gjenerohen gjatë procesit teknologjik të trajtimit të lëkurës janë, si më poshtë vijon:

a) Mbetje të qimeve ose leshit, të gjeneruara gjatë proceseve të pastrimit të lëkurës, para trajtimit të tyre;
b) Mbetje nga pjesët e trupit të kafshëve, si thundrat, brirët, pjesë nga qafa, koka, bishti etj;
c) Mbetje nga pastrimi dhe heqja e dhjamrave të lëkurës;
ç) Mbetje të kripërave të kalciumit (NaCl), që dalin gjatë trajtimit dhe regjies së lëkurës;
d) Mbetje nga përbërës të taninës, të cilat janë rezultat i trajtimit me këto kimikate për të rritur fortësinë dhe rezistencën e lëkurës;
dh) Mbetje nga kripërat e kromit, që përdoren në trajtimet kimike të lëkurës, që kanë për qëllim mbrojtjen e produkteve të lëkurës nga dëmtuesit dhe brejtësit;
e) Mbetje nga kripërat e fosfateve.

IV. MASAT E NEVOJSHME PËR INSTALIMET E GRUMBULLIMIT, PËRPUNIMIT DHE TRAJTIMIT TË LËKURËS

1. Prodhuesi që operon në instalimet e grumbullimit, të përpunimit, të trajtimit dhe të prodhimit të lëkurës duhet të zhvillojë aktivitetin e tij vetëm pasi të jetë pajisur me lejen përkatëse të mjedisit, për çdo instalim.

2. Prodhuesi që operon në instalimet e grumbullimit, të përpunimit, të trajtimit dhe të prodhimit të lëkurës duhet të operojë në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e kimikateve të rrezikshme, për menaxhimin e ujërave të ndotura industriale, për menaxhimin e shkarkimeve në ajër, për menaxhimin e mbetjeve organike dhe të ngurta dhe për menaxhimin e zhurmës në mjedis.

3. Këto instalime, përveç kërkesave të përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, duhet të marrin masa edhe për zbatimin e kërkesave që rrjedhin nga konventa mbi tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër (CITES). Produktet e lëkurës ose gëzofët nga speciet e listuara në anekset e kësaj konvente janë subjekt i kufizimeve apo i detyrimit për marrjen e lejeve/certifikatave për eksportin/importin/rieksportin e tyre në vendet që janë palë të konventës CITES.

V. MASAT E NEVOJSHME PËR PARANDALIMIN E RREZIQEVE

1. Rreziqet potenciale gjatë procesit teknologjik vijnë nga:

a) kimikatet e përdorura në procesin e regjies, të cilat mund të kenë veti të rrezikshme, të tilla si: ndezshmëri, toksicitet, potencial korroziv dhe potencial oksidimi;
b) agjentët biologjikë, që mund të vijnë nga bakteret, kërpudhat, merimangat dhe parazitët, që mund të jenë të pranishëm në lëkurë ose mund të formohen gjatë procesit të përpunimit dhe të trajtimit të lëkurës;
c) ndotja e ujërave dhe tokës nga kloridet, taninet, kromi, sulfatet dhe sulfatet trivalent, si dhe kimikatet e tjera organike;
ç) zjarret ose shpërthimet në instalimet e grumbullimit, të përpunimit, të trajtimit apo të tharjes, të cilët mund të përdorin një sërë materialesh të ndezshme. Shpërthimet ose zjarret mund të shkaktojnë dëme jo vetëm në instalime por edhe në mjediset përreth, si dhe në kontaminimin e ujërave, tokës dhe ajrit;
d) ndotja e ajrit dhe çlirimi i substancave të rrezikshme, si VOCs/ tretës organikë dhe sulfur hidrogjeni në ajër, të cilët rrezikojnë mjedisin.

2. Masat që duhet të merren për të shmangur dhe parandaluar rreziqet e sipërpërmendura janë, si më poshtë vijon:

a) Masa për menaxhimin e kimikateve të rrezikshme, referuar ligjit për menaxhimin e kimikateve dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) Masa për menaxhimin e ujërave të ndotura industriale, referuar ligjit nr.9115, datë 24.7.2003, “Për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotur”, të ndryshuar, dhe vendimit nr.177, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”;
c) Masa për menaxhimin e shkarkimeve në ajër, referuar vendimit nr.908, datë 21.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masave për kufizimin e shkarkimit të përbërësve organikë të avullueshëm nga përdorimi i tretësve organikë në disa veprimtari dhe instalime”;
ç) Masa për menaxhimin e mbetjeve organike, sipas përcaktimeve të vendimit nr.608, datë 17.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për masat e nevojshme për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve bio si dhe kriteret dhe afatet për pakësimin e tyre” dhe legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve.

VI. MASAT E NEVOJSHME PËR MENAXHIMIN E KIMIKATEVE TË RREZIKSHME

1. Për të shmangur ndotjen e mjedisit dhe rrezikimin e shëndetit të njeriut, kimikatet, të cilat përdoren gjatë procesit teknologjik të prodhimit, trajtimit, regjies dhe përpunimit të lëkurës dhe që janë të kategorizuara si të rrezikshme, sipas vendimit nr.489, datë 29.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC) e të kritereve për përfshirjen e substancave në listën SVHC dhe lëshimin e një autorizimi të kushtëzuar me qëllim vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve”, duhet që:

a) të jenë të etiketuara me simbole të përcaktuara, sipas kërkesave të vendimit nr.488, datë 29.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin, etiketimin dhe ambalazhimin e kimikateve”;
b) kimikatet që shkaktojnë reaksione në prani të kimikateve të tjera të mos ruhen në të njëjtin vend. Udhëzimet për pajtueshmërinë e kimikateve të ndryshme mund të merren nga të dhënat në etiketat dhe certifikatat e këtyre produkteve;
c) të magazinohen në ambiente të siguruara, të mbyllura, të mbuluara dhe të shtruara me beton, për të shmangur depërtimin e ujërave të shirave në vendet e ruajtjes së tyre apo ndotjen e tokës dhe ujërave sipërfaqësore në rast aksidentesh. Instalimet duhet të kenë sisteme kullimi që të mundësojnë shkarkimet direkt në një sistem kanalizimesh sanitare për asgjësimin e ujërave të ndotura, në përputhje me ligjin nr.9115, datë 24.7.2003, “Për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura”, ose në një impiant grumbullimi, që parandalon derdhjen e lëngjeve dhe rënien në kontakt me mjedisin.
ç) të instalohen pajisje për dhënie alarmi, në rastet e shkarkimeve të depozitave nga tejmbushja apo të prezencës së gazeve toksike në ambientet e instalimeve.

2. Prodhuesi që operon në instalimet për grumbullimin, përpunimin, trajtimin dhe prodhimin e lëkurës të mbajë një regjistër për sasinë e kimikateve të përdorura gjatë proceseve teknologjike në instalim.

VII. MASAT E NEVOJSHME PËR TRAJTIMIN MJEDISOR TË UJËRAVE TË NDOTURA 

1. Instalimet e përpunimit dhe të trajtimit të lëkurës, që shkarkojnë ujëra të ndotura me përmbajtje të kimikateve dhe baktereve, që vijnë si rezultat i përdorimit të solucioneve të ndryshme gjatë procesit teknologjik, duhet të kenë:

a) sisteme të trajtimit të ujërave të ndotura industriale, si pjesë e proceseve teknologjike të prodhimit, të përpunimit dhe të trajtimit të lëkurës, para shkarkimeve në gropat septike apo vende të tjera të lejuara;
b) kontratë me instalime të pajisura me lejen e mjedisit përkatëse për shkarkimin, grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane për proceset teknologjike që nuk përdorin kimikate apo që nuk gjenerojnë ujëra të ndotura industriale;
c) sisteme për trajtimin e ujërave të ndotura industriale që përmbushin kërkesat dhe standardet e përcaktuara në ligjin përkatës për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura, si dhe në vendimin nr.177, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”.

2. Ujërat e ndotura industriale, pasi trajtohen dhe neutralizohen, mund të shkarkohen në gropa septike apo në trupat ujorë pritës, nëse i përmbushin normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta, sipas vendimit nr.177, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”.

3. Shkarkimet e ujërave të ndotura industriale, që janë pjesë e proceseve teknologjike të trajtimit me kimikate dhe me përmbajtje mbi normat kufi të përcaktuara për kromin, fosfatet dhe nitratet, sipas normave të lejuara të shkarkimeve të lëngëta, duhet të grumbullohen dhe të trajtohen në vaskat dekantuese përpara shkarkimit të tyre.

4. Ujërat e ndotura industriale, pas trajtimit mjedisor në impiante të posaçme trajtimi të licencuara dhe të pajisura me lejen përkatëse mjedisore, shkarkohen në gropa septike.

5. Prodhuesi që operon në instalimet për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurës duhet të mbajë një regjistër, të shoqëruar me evidencat përkatëse, për sasinë e ujërave të ndotura që janë grumbullur, trajtuar dhe shkarkuar nga instalimi.

VIII. MASAT E NEVOJSHME PËR MENAXHIMIN  E SHKARKIMEVE NË AJËR DHE ZHURMAVE

1. Gazet që shkarkohen në atmosferë gjatë procesit të prodhimit, të trajtimit dhe të përpunimit të lëkurës janë, si më poshtë vijon:

a) Sulfidi i hidrogjenit, i cili çlirohet gjatë procesit të depilimit dhe është shumë toksik dhe i ndezshëm;
b) Komponimet organike të paqëndrueshme (VOCs) mund të çlirohen nga të gjitha proceset që përdorin tretës organikë;
c) Pluhuri dhe aromat, të cilat janë shqetësuese për zonat përreth instalimit.

2. Për të shmangur ndotjen e ajrit, shkarkimet e gazeve në ajër nga instalimet duhet të jenë brenda vlerave kufi, të përcaktuara në vendimin nr.435, datë 12.9.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e normave të shkarkimeve në ajër”, si dhe pikat e shkarkimit të gazeve duhet të pajisen me sisteme ventilimi dhe trajtimi të shkarkimeve të gazeve.

3. Sistemet e ventilimit dhe të filtrave për kapjen e gazeve duhet të përmbushin kërkesat dhe standardet e përcaktuara në legjislacion në fuqi për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.

4. Shkarkimet e pluhurave dhe aromave në ajër nga instalimet duhet të jenë brenda vlerave kufi, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për cilësinë e ajrit.

5. Transportimi, lëvizjet brenda instalimit, si dhe përpunimi e trajtimi i lëkurës nëpërmjet proceseve teknologjike në këto instalime, duhet të bëhen në mënyrë të kontrolluar dhe profesionale, duke minimizuar kështu zhurmat dhe dridhjet.

6. Makineritë dhe pajisjet e përdorura në instalim duhet të jenë të pajisura me dokumentacionin shoqërues që tregon të dhënat për fuqinë e zhurmës që lëshon. Këto manikeri dhe pajisje duhet të mirëmbahen dhe të shfrytëzohen gjatë procesit të punës në kushte të përshtatshme dhe efiçente për të mos kaluar indikatorët e përcaktuar të zhurmës, me qëllim minimizimin e zhurmave.

7. Për instalimet e prodhimit, të grumbullimit, të përpunimit dhe të trajtimit të lëkurës duhet të ketë një procedurë të dokumentuar, ku të përshkruhet si shmangen ose minimizohen zhurmat dhe vibrimet, të cilat duhet të jenë brenda indikatorëve të përcaktuar në ligjin nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

8. Prodhuesi duhet të marrë masa që instalimi për grumbullimin, përpunimin, trajtimin dhe prodhimin e lëkurëve të jetë i rrethuar nga një brez i gjelbër, me lartësi minimumi 2 (dy) metra, me qëllim reduktimin e aromave të pakëndshme dhe uljen e nivelit të zhurmave, si dhe me një distancë të mjaftueshme nga objekti për të shmangur rrezikun e zjarrit.

9. Prodhuesi, që operon në instalimet për grumbullimin, përpunimin, trajtimin dhe prodhimin e lëkurës, duhet të mbajë një regjistër për sasinë e gazeve, pluhurave të shkarkuara dhe nivelin e zhurmave të lëshuara nga instalimi, si dhe çdo ndërhyrje apo mirëmbajtje në sistemet e ventilimit dhe të ndërrimit të filtrave.

IX. MASAT E NEVOJSHME PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE ORGANIKE DHE TË NGURTA

1. Mbetjet e krijuara nga procesi teknologjik si: mbetje të lëkurës, dhjamra, qime, mbetje të tjera shtazore, të cilësuara si mbetje organike dhe komponimet e kromit dhe të sulfurit, të cilësuara si të ngurta, trajtohen të diferencuara në instalime për trajtimin e këtyre mbetjeve, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

2. Instalimet duhet të pajisen me lejen përkatëse mjedisore për trajtimin e mbetjeve të ngurta, sipas specifikës së tyre, deri në fazën e tyre përfundimtare që pushojnë së qeni mbetje.

3. Prodhuesi, që operon në instalimet për grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurës, mban një regjistër për sasinë e mbetjeve të gjeneruara dhe duhet të ketë një plan për mënyrën e trajtimit të tyre, sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve.

X. PËRGJEGJËSIA FINANCIARE E PRODHUESIT

1. Çdo person fizik/juridik, i cili prodhon, përpunon, trajton lëkurën dhe e shet, (prodhuesi), mbi baza profesionale, mban përgjegjësi financiare për përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në këtë vendim.

2. Operatorët, që e përdorin lëkurën si lëndë të parë për prodhimin e këpucëve, çantave, veshjeve dhe/apo aksesorëve të tjerë prej lëkure, kanë përgjegjësi të lidhin marrëveshje/kontratë për trajtimin e mbetjeve, që krijohen nga procesi me prodhuesin ose me një operator tjetër të licencuar, që kryen operacione trajtimi të mbetjeve të lëkurës, sipas legjislacionit në fuqi për mbetjet.

3. Në rastin kur kontrata/marrëveshja e parashikuar në pikën 2, të këtij kreu, lidhet me një operator tjetër të licencuar, që kryen operacione trajtimi të mbetjeve të lëkurës, kjo kontratë i vihet në dispozicion prodhuesit dhe përbën kusht për marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet prodhuesit dhe operatorit që përdor lëkurën si lëndë të parë.

XI. NDALIME

1. Në zbatim të këtij vendimi ndalohet:

a) përzierja e ujërave larëse me ujërat e ndotura industriale, veçanërisht e atyre me përmbajtje substancash të rrezikshme;
b) shkarkimi i ujërave të ndotura në gropa septike, pa iu nënshtruar trajtimit paraprak të tyre, brenda normave të lejuara të shkarkimeve të lëngëta, sipas vendimit nr.177, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”;
c) depozitimi i mbetjeve organike në landfillet e mbetjeve urbane;
ç) përdorimi i kimikateve të paregjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjit për menaxhimin e kimikateve;
d) instalimi dhe vënia në punë e veprimtarive, makinerive dhe impianteve të prodhimit të lëkurës, në mjedise të brendshme dhe të jashtme, pa zbatuar masa parandaluese e mbrojtëse, zhurma e të cilave kapërcen nivelet kufi.

2. Në rast se konstatohet kryerja e aktiviteteve të ndaluara, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, ndërmerren masat ligjore dhe administrative për ndërprerjen, pezullimin, mbylljen apo sekuestrimin e instalimit, sipas shkallës së shkeljes, referuar dispozitave ligjore, përkatësisht: nenit 69, të ligjit nr.10431/2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar; nenit 29, të ligjit nr.10448/2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar; nenit 23, të ligjit nr.9115, datë 24.7.2003, “Për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura”, të ndryshuar; nenit 62, të ligjit nr.10463/2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar; nenit 40, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”; nenit 32, të ligjit nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”.

XII. MONITORIMI, RAPORTIMI DHE INSPEKTIMI

1. Prodhuesi, që operon në instalimet për grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurës, duhet të ketë sistem të miratuar për monitorimin dhe raportimin e rezultateve në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, sipas kërkesave të përcaktuara në lejen e mjedisit.

2. Sistemi i monitorimit përfshin, të paktën, si më poshtë vijon:

a) Kimikatet e përdorura;
b) Monitorimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura;
c) Monitorimin e shkarkimeve në ajër;
ç) Monitorimin e mbetjeve organike dhe të ngurta që krijohen dhe mënyra e menaxhimit të tyre;
d) Monitorimin e zhurmave të shkaktuara nga instalimi;
dh) Sasitë e lëkurës të grumbulluara, të përpunuara, të trajtuara, të prodhuara e të shitura, si dhe llojet e tyre.

3. Inspektorati shtetëror përgjegjës për mjedisin inspekton të gjithë operatorët ekonomikë të instalimeve të grumbullimit, të përpunimit, të trajtimit dhe të prodhimit të lëkurës, (prodhuesit) që veprimtaria e tyre është në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e integruar të mbetjeve, lejet e mjedisit dhe për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

4. Prodhuesit, të cilët janë subjekt i këtij vendimi, i vënë në dispozicion inspektoratit shtetëror përgjegjës për mjedisin të gjithë dokumentacionin dhe të dhënat e nevojshme për kryerjen e inspektimeve në instalim.

XIII. DISPOZITA KALIMTARE

1. Të gjithë operatorët ekonomikë e një instalimi ekzistues për grumbullimin, përpunimin, trajtimin dhe prodhimin e lëkurës, brenda 9 (nëntë) muajve nga hyrja në fuqi të këtij vendimi, të fillojnë të marrin të gjitha masat teknike, ligjore, rregullatore, që instalimi të jetë në përputhje me kërkesat e këtij vendimi.

2. Të gjithë operatorët ekonomikë të një instalimi ekzistues për grumbullimin, përpunimin, trajtimin dhe prodhimin e lëkurës, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi të këtij vendimi, të aplikojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për rishikimin e kushteve të lejes ekzistuese të mjedisit, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për lejet e mjedisit.

3. Pas kalimit të afatit të përcaktuar në pikat 1 dhe 2, të këtij kreu, dhe në çdo rast, kur nga strukturat e kontrollit, të monitorimit dhe të inspektimit konstatohet mospërmbushja e kërkesave të këtij vendimi, ndërmerren masat ligjore dhe administrative për ndërprerjen, pezullimin, mbylljen apo sekuestrimin e instalimit, sipas shkallës së shkeljes.

4. Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcakton kushtet e lejes së mjedisit për instalimet e reja të grumbullimit, të përpunimit, të trajtimit dhe të prodhimit të lëkurës si dhe rishikon kushtet e lejeve ekzistuese të mjedisit për instalimet ekzistuese, mbështetur në kërkesat e përcaktuara në këtë vendim.

5. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe inspektorati shtetëror përgjegjës për mjedisin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

VE N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.246, DATË 24.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2019”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.246, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Në shkronjën “a”, të pikës 2, shifra “… 13 …” bëhet “… 15 …”.

2. Në pikën 3, fjalët “ … gjithsej 13, …” zëvëndësohen me “ … gjithsej 15, …”.

3. Në ndarjen I, “Niveli i mesëm drejtues dhe të barasvlershëm”, të lidhjes nr.1, që përmendet në pikën 3, bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:

“14. Drejtor i Huamarrjes, në Drejtorinë e Përgjithshme të Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë – kategoria II-b;

15. Drejtor i Drejtorisë së Sistemeve Informatike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile- kategoria II-b.”.

4. Në ndarjen II, “Niveli i ulët drejtues dhe të barasvlershëm”, të lidhjes nr.1 që përmendet në pikën 3, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Emërtesat e përmendura në pikat 27 deri në 31, zëvëndësohen, si më poshtë vijon:

“27. Kryetar, Dega Doganore Kakavijë, kategoria III-a;
28. Kryetar, Dega Doganore Rinas, kategoria III-a;
29. Kryetar, Dega Doganore Shkodër, kategoria III-a;
30. Kryetar, Dega Doganore Kukës Morinë, kategoria III-a;
31. Drejtor, Drejtoria e Antikorrupsionit dhe Standardeve Profesionale, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, kategoria III-a;”.

b) Pas pikës 35 shtohen pikat 36 dhe 37, me këtë përmbajtje:

“36. Përgjegjës i sektorit të lajmeve ekonomike dhe politike, në Drejtorinë e Lajmeve dhe Multimedias, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – kategoria: III-a/1;”.

“37. Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – kategoria: III-a.”.

­­­­­­ Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR SIGURIMIN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR QË TRAJTOHET NË SISTEMET E KOMUNIKIMIT DHE TË INFORMACIONIT (SKI)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 31, të ligjit nr.8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar që trajtohet në sistemet e komunikimit dhe të informacionit (SKI)”.

2. Ngarkohen Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Drejtoria e Shifrës për ngritjen e autoriteteve përkatëse brenda vitit 2020.

3. Institucionet shtetërore, të cilat nuk përmbushin standardet e sigurisë për ngritjen e strukturave të parashikuara në këtë vendim, të marrin masat për arritjen e standardeve brenda vitit 2021.

4. Ministritë, institucionet shtetërore dhe operatorët ekonomikë duhet që, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të nxjerrin udhëzimet përkatëse për zbatimin e tij.

5. Vendimi nr.922, datë 19.12.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” që prodhohet, ruhet, përpunohet apo transmetohet në sistemet e komunikimit (INFOSEC)”, shfuqizohet.

6. Ngarkohen ministritë, institucionet shtetërore dhe operatorët ekonomikë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR PROJEKTIN “OFRIMI I SHËRBIMEVE ME NË QENDËR QYTETARIN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për projektin “Ofrimi i shërbimeve me në qendër qytetarin”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SHËRBIMIN E MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 54, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.