Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 qershor 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.2 TË MARRËVESHJES SË NDIHMËS PËR OBJEKTIVA ZHVILLIMI, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, “PËR FORCIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS DHE QEVERISJEN E MIRË DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR NJË RRITJE EKONOMIKE ME BAZË TË GJERË DHE TË QËNDRUESHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.2 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË PROCEDURAVE TË SHITJES SË TROJEVE NË PËRDORIM, SIPËRFAQE TË DOMOSDOSHME, DHE TROJEVE SHTESË FUNKSIONALE TË NDËRMARRJEVE SHOQËRIVE TREGTARE, TË OBJEKTEVE SHTETËRORE TË VEÇUARA, TË PRIVATIZUARA, TË OBJEKTEVE APO NDËRTESAVE TË SHITURA TË ISH-KOOPERATIVAVE BUJQËSORE, SI DHE TË NDËRTESAVE TË NDËRTUARA NË BAZË TË LEJEVE TË NDËRTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, të ligjit nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, si dhe të neneve 3 e 4, të ligjit nr.7980, datë 27.9.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PROCEDURAT E SHITJES SË TRUALLIT NË PËRDORIM, SIPËRFAQE TË DOMOSDOSHME, TË NDËRMARRJEVE DHE OBJEKTEVE SHTETËRORE, TË VEÇUARA, TË PRIVATIZUARA, TË OBJEKTEVE APO NDËRTESAVE TË SHITURA TË ISH-KOOPERATIVAVE BUJQËSORE, SI DHE TË NDËRTESAVE TË NDËRTUARA NË BAZË TË LEJEVE TË NDËRTIMIT
1. Me “truall, sipërfaqe e domosdoshme” nënkuptohen sipërfaqet e truallit të përcaktuara në genplanin dhe dokumentacionin në momentin e privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve, ku përfshihet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale, nëse ka, si dhe sipërfaqet e truallit sipas genplanit dhe dokumentacionit të dhënies së lejes së ndërtimit, në të cilat janë përcaktuar sipërfaqja e objektit apo e sheshit të ndërtimit.
2. Shitja e truallit të pashitur, sipërfaqe e domosdoshme të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, me degët e saj në rrethe, të bëhet, në përputhje me këtë vendim, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, sipas genplanit dhe dokumentacionit në momentin e privatizimit të tyre. Kjo drejtori, kryen edhe shitjen e trojeve të ndërmarrjeve e objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive, si dhe të truallit të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas genplaneve dhe dokumentacionit në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, në të cilin janë përcaktuar objekti apo sheshi i ndërtimit, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave të shitura, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore.
3. Personi fizik apo juridik privat, i cili do të blejë truallin e ndërmarrjes ose të objekteve që janë privatizuar më parë apo ndërtuar sipas lejeve të ndërtimit si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi, duhet të paraqesë në dy kopje, në Ministrinë e Financave, për Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën, me shkrim, për blerje të truallit;
b) Vërtetimin hipotekor apo kartelën e pasurisë, për objektin apo objektet që ka në pronësi, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, së bashku me hartën treguese të pasurive të paluajtshme, të përditësuar, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës;
c) Kopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo të ndërmarrjes, lëshuar nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore dhe nga ndërmarrjet përkatëse, përpara krijimit të agjencive, si dhe fotokopjen e noterizuar të genplanit ose të planimetrisë së objektit apo të ndërmarrjes (në çastin e privatizimit);
ç) Kopjen e noterizuar të lejes së ndërtimit, genplanin e miratuar sipas lejes së ndërtimit, për rastet e objekteve të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim;
d) Kopjen e noterizuar të kontratës së blerjes, bashkë me genplanin përkatës për objektet apo ndërtesat, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore;
dh) Deklaratën noteriale në 2 (dy) kopje origjinale, që vërteton se nuk ka konflikt me të tretët;
e) Vërtetim nga organet e pushtetit vendor për pagesën e qirasë së truallit në përdorim nga data e lidhjes së kontratës së shitjes apo dhënies së lejes së ndërtimit deri më datën 7.6.2010;
ë) Vërtetim nga zyrat rajonale tatimore për pagesën e taksës së përdorimit të truallit nga data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit.
4. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kërkon pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmim për statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes, të përcaktuar në hartën e vlerës, dhe hartën treguese, me të dhënat e nevojshme gjeografike për zonën përkatëse, brenda afateve të mëposhtme:
a) brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt, si dhe nëse dokumentacioni i dorëzuar nga ana e kërkuesit është në përputhje me pikën 3, të kreut I, të këtij vendimi.
b) brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e mbërritjes, përkatësisht, të dokumentacionit të privatizimit, nga drejtoritë rajonale të Bujqësisë, për privatizimet e kryera nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, të dokumentacionit të dhënies së lejes së ndërtimit nga organet e pushtetit vendor dhe të dokumentacionit të objekteve apo ndërtesave të ish-kooperativave bujqësore.
5. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i kthen përgjigje Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Ndërsa, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie hartën treguese përkatëse, me të dhënat e nevojshme gjeografike dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet.
6. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kryen shitjen e truallit dhe lidhjen e kontratës vetëm në rastet kur trualli ka pronar shtetin, pavarësisht nëse për truallin në fjalë ka vendim për njohje nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve apo Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
7. Organet e qeverisjes vendore apo çdo organ tjetër shtetëror në territorin e të cilit ndodhet objekti, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie, përkatësisht, vërtetimin që subjekti kërkues ka paguar qiranë e truallit nga data e lidhjes së kontratës së shitjes së objektit deri në datën 7.6.2010, si dhe koeficientin e bashkëpronësisë për objektet me dy a më shumë kate. Drejtoritë rajonale tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, duhet të konfirmojnë pagesën për taksën e përdorimit të truallit nga data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit.
8. Vlera e qirasë së tokës, e arkëtuar pranë organeve të qeverisjes vendore apo organeve të tjera shtetërore me të cilat subjektet kanë lidhur kontratë qiraje, ndahet, si më poshtë vijon:
– 70%, për buxhetin e shtetit;
– 30%, për organin e qeverisjes vendore apo organin shtetëror përkatës.
9. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, pas marrjes së dokumentacionit të nevojshëm nga organet e qeverisjes vendore, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, drejtoritë rajonale të bujqësisë dhe arkivat shtetërore vendore, njofton kërkuesin për t’u paraqitur pranë këtij institucioni, ku do të marrë informacion për vlerën e truallit që ai kërkon të privatizojë, si dhe për marrjen e autorizimit për pagesën e vlerës së truallit. Pagesa kryhet vetëm me lekë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit.
Të ardhurat e mbledhura nga procesi i privatizimit apo i shitjes së truallit shtetëror kalojnë 75 për qind në buxhetin e shtetit dhe 25 për qind në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore.
10. Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit të bëhet në bashkëpronësi, sipas pjesëve takuese.
11. Në rastet kur në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, mungon dosja e privatizimit të objektit, genplani, akti i dorëzimit apo dokumente të tjera të momentit të privatizimit, për arsye objektive, kopja e dosjes së vlerësimit e konfirmuar (privatizimit apo dokumentacionit që i mungon dosjes) të objektit ose ndërmarrjes do të kërkohet në degët e shoqërive publike, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në juridiksionin e të cilave ndodhet objekti, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ose Arkivin Shtetëror Vendor, arkivat noterialë, apo çdo institucion tjetër ku janë të depozituara dokumentacionet përkatëse për këto objekte. Po kështu, do të veprohet edhe për dokumentacionin e dhënies së lejes së ndërtimit, genplanit të miratuar sipas lejes së ndërtimit, për rastet e ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, si dhe të objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore.
12. Për rastet kur mungon vetëm genplani për objektet, sipas përcaktimit në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, atëherë, mbi bazën e dosjes së privatizimit apo të lejes së ndërtimit, subjektit që ka në pronësi objektin i kërkohet plotësimi me genplan, të hartuar nga një ekspert i licencuar, i sipërfaqes së truallit sipas dosjes përkatëse të privatizimit apo ndërtimit.
13. Ky vendim nuk zbatohet për procedurat e vlerësimit të truallit të objekteve apo ndërmarrjeve dokumentacioni i të cilave ndodhet në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave.
II. PROCEDURAT PËR SHITJEN E TROJEVE SHTESË FUNKSIONALE, TË NDËRMARRJEVE, SHOQËRIVE APO TË OBJEKTEVE TË VEÇUARA SHTETËRORE, TË PRIVATIZUARA, DHE TË NDËRTESAVE TË NDËRTUARA MBI BAZËN E LEJEVE TË NDËRTIMIT, TË LËSHUARA NGA ORGANET E QEVERISJES VENDORE PAS DATËS 10.8.1991 E NË VAZHDIM
1. Me “truall shtesë funksional” për ndërmarrjet, objektet e veçuara të privatizuara dhe ndërtesat e ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas këtij vendimi, nënkuptohet trualli që kërkohet nga pronarët e ndërmarrjeve, të objekteve të privatizuara prej tyre dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, për zgjerim, shërbime apo ristrukturim të veprimtarisë dhe që, në bazë të rregullave urbanistike, janë të konfirmuara nga zyrat e urbanistikës në prefekturën e qarkut përkatës.
2. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kryen procedurën e shitjes së trojeve shtesë funksionale të ndërmarrjeve shtetërore, të objekteve të veçuara të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, ish-Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, si dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, të cilat kanë në pronësi sipërfaqen e truallit, sipërfaqe e domosdoshme.
3. Kërkesa për kryerjen e procedurave të shitjes së trojeve shtesë funksionale në favor të subjekteve që kanë privatizuar ndërmarrje, objekte të veçuara apo ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, të përcaktuar në këtë vendim, paraqitet nga kërkuesit pranë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, sipas përcaktimit në pikën 3, të kreut I, të këtij vendimi, së bashku me kopjen e noterizuar të kontratës së blerjes së truallit sipërfaqe e domosdoshme dhe genplanin e sipërfaqes së kërkuar për t’u blerë, të përgatitur nga ekspertë të licencuar.
4. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, nëse konstaton se dokumentacioni i depozituar është në përputhje me pikën 3, të kreut II, të këtij vendimi, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e mbërritjes së kërkesës, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmim për çmimin përkatës të shitjes, të përcaktuar në hartën e vlerës, dhe statusin e truallit në zonën përkatëse.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kryejnë verifikimin e hollësishëm të këtij dokumentacioni, për të vërtetuar se trualli që kërkohet të shitet nuk është i kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe është në pronësi të shtetit, si dhe konfirmon çmimin e përllogaritur të sipërfaqes së truallit që do të shitet, sipas hartës së vlerës. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmon statusin juridik të truallit dhe hartën treguese me të dhënat e nevojshme gjeografike.
5. Dokumentacioni dhe sipërfaqet e truallit shtesë funksional për ndërmarrjet, objektet e veçuara shtetërore të privatizuara dhe ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, verifikohen dhe konfirmohen nga një komision, i cili ka në përbërje përfaqësues nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, nga prefektura e qarkut përkatës (punonjësi i zyrës së urbanistikës) dhe nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipërfaqja e truallit shtesë që përfitohet nga subjektet kërkuese duhet të jetë në përputhje me masën e përcaktuar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi. Në këtë komision, nga ana e përfaqësuesve të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe përfaqësuesit të prefektit të qarkut duhet të konfirmohet dhe të garantohet se trualli shtesë funksional që kërkohet të privatizohet është pasuri shtetërore dhe i patransferuar në inventarin e njësive të qeverisjes vendore, në bazë të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.
6. Komisioni i ngritur sipas pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, pas verifikimit të dokumentacionit dhe të sipërfaqes së truallit shtesë funksional, të kërkuar, mban procesverbal për çdo rast dhe nënshkruan genplanin që i përket sipërfaqes së truallit shtesë.
7. Shitja e truallit shtesë funksional kryhet vetëm me lekë dhe të ardhurat e realizuara nga kjo shitje kalojnë 100 % në buxhetin e shtetit.
8. Kalimi i pronësisë së sipërfaqes së truallit shtesë funksional bëhet nëpërmjet kontratës së shitjes, e cila nënshkruhet nga drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe blerësi, pas kryerjes së pagesës së plotë të vlerës së truallit, të përcaktuar në autorizimin për kalimin e pronësisë.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Vendimi nr.738, datë 8.9.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shitjes së trojeve në përdorim, sipërfaqe të domosdoshme dhe shtesë funksionale të ndërmarrjeve shoqërive apo të objekteve shtetërore, të veçuara të privatizuara, dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, datë 28.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”, në zërin “Shpenzime kapitale”, t’i shtohet fondi 198 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.35, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2014 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014 në njësitë e qeverisjes qendrore është 865 veta, sipas lidhjeve nr.1, nr.2, nr.3, nr.4 dhe nr.5, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
b) Pas lidhjes nr.4 shtohet lidhja nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi, e cila detajon ndarjen e shtesës prej 100 (njëqind) punonjësish, të miratuar me këtë vendim.
2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga fondet buxhetore dhe nga të ardhurat e siguruara nga ALUIZNI, për vitin 2014.
3. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të depozitojë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve, me emërtesën “specialist” dhe “teknik i specialiteteve të ndryshme”, brenda numrit të përcaktuar për çdo drejtori të ALUIZNI-t dhe brenda kritereve të përcaktuara në vendimin nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT NDËRKOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN E AGRIKULTURËS, PËR PROGRAMIN “MALET DREJT TREGUT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës, për programin “Malet drejt tregut”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KATARIT, NË LIDHJE ME RREGULLOREN E PUNËSIMIT TË QYTETARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTETIN E KATARIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Katarit, në lidhje me rregulloren e punësimit të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Katarit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E SHËNDETËSISË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KATARIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Katarit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE TË LEJEVE TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e vlerave përkatëse të tarifave për:
a) kërkesën për leje mjedisi të tipave A, B ose C;
b) kërkesën për një ndryshim të kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipit A ose të tipit B;
c) tarifën vjetore për instalimet e tipave A, B dhe C.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me atë që u jepet përkatësisht në:
a) ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
b) ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar;
c) ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
3. Tarifa përkatëse e shërbimit për shqyrtimin e kërkesës është, si më poshtë vijon:
a) Për leje mjedisi të tipit A, 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
b) Për leje mjedisi të tipit B, 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
c) Për leje mjedisi të tipit C, 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
ç) Për ndryshim të kushteve të lejes së mjedisit të tipit A, 20 000 (njëzet mijë) lekë;
d) Për ndryshim të kushteve të lejes së mjedisit të tipit B, 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
4. Operatorët paguajnë në llogari të ministrisë tarifën vjetore për:
a) instalimet e tipit A, në shumën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh;
b) instalimet e tipit B, në shumën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.
5. Operatorët e instalimeve të tipit C paguajnë një tarifë vjetore prej 2 000 (dy mijë) lekësh në llogarinë bankare të ARM-së së qarkut përkatës.
6. Tarifa vjetore paguhet brenda 3-mujorit të parë të vitit dhe një kopje e mandatpagesës dorëzohet pranë ARM-së së qarkut ku ndodhet instalimi.
7. Tarifa derdhet nga kërkuesi në llogarinë bankare të Ministrisë së Mjedisit dhe është e pakthyeshme. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat e përcaktuara në këtë vendim derdhen në buxhetin e shtetit.
8. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, udhëzimi nr.5, datë 28.12.2007, i ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Për tarifat e shërbimit për leje mjedisore”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, agjencitë rajonale të mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe Qendra Kombëtare e Licencimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
GRUMBULLIMIN E DIFERENCUAR TË MBETJEVE NË BURIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i afateve dhe masave për grumbullimin e diferencuar të rrymave të mbetjeve për të reduktuar sasinë e mbetjeve që do të depozitohen përmes:
a) optimizimit të grumbullimit të mbetjeve;
b) sigurimit të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve në burim;
c) promovimit të ripërdorimit të produkteve;
ç) përgatitjes së veprimtarive të ripërdorimit;
d) përmirësimit të cilësisë së riciklimit të mbetjeve.
_________
Ky vendim transpozon kërkesat e nenit 11 të direktivës kuadër të mbetjeve 2008/98/EC “Mbi mbetjet”.
Numri CELEX 32008L0098, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr.312, datë 22.11.2008, faqe 3-30.
II. OBJEKTI
Objekt i këtij vendimi është realizimi i grumbullimit të diferencuar për këto rryma mbetjesh:
a) Letër/karton;
b) Metal;
c) Plastikë;
ç) Qelq.
III. PËRKUFIZIME
Termat e përkufizuar në nenin 3, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Mbetje të riciklueshme të thata”, një grup mbetjesh ku përfshihen rrymat e mbetjeve: letër/karton, metal, plastikë, qelq, materialet e të cilave, nëpërmjet çdo operacioni rikuperimi, ripërpunohen për t’u shndërruar në produkte, materiale apo substanca për t’u përdorur si për qëllimin fillestar, ashtu edhe për qëllime të tjera.
b) “Mbetje të pariciklueshme”, një grup mbetjesh të parrezikshme të cilat nuk mund të rikuperohen, të ripërdoren dhe të ripërpunohen për t’u shndërruar në produkte, materiale apo substanca për t’u përdorur si për qëllimin fillestar, ashtu edhe për qëllime të tjera.
c) “Mbetje të riciklueshme të njoma”, një grup mbetjesh ku përfshihen rrymat e mbetjeve të frutave dhe perimeve të pagatuara, mbetjet e biodegradueshme të gjeneruara nga kopshtet, si bar ose kërcej lulesh, bimë dhe degë pemësh, mbetjet nga krasitjet etj.
ç) “Njësi e qeverisjes vendore” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.
d) “Optimizim”, gjetja e alternativave me koston më efektive dhe performancën më të lartë në grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.
IV. AFATET DHE MASAT E PËRGJITHSHME PËR GRUMBULLIMIN E DIFERENCUAR TË RRYMAVE TË MBETJEVE
1. Bashkitë e kategorisë së parë, në përputhje me përcaktimin e nenit 3, të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, përcaktojnë, brenda datës 31 dhjetor 2016, masat e përshtatshme për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve të paktën për rrymat e mbetjeve të mëposhtme:
a) Letër/karton;
b) Metal;
c) Plastikë;
ç) Qelq.
2. Njësitë e qeverisjes vendore, të tjera nga ato të përcaktuara në pikën 1, të kësaj ndarjeje, marrin, brenda 31 dhjetorit 2018, masat e përshtatshme për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, të paktën për rrymat e mbetjeve të përcaktuara në pikën 1, të kësaj ndarjeje.
3. Masat e referuara në pikat 1 dhe 2 duhet të merren në përmbushje të kërkesave minimale të përcaktuara në aneksin I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 31 dhjetor 2020, duhet që, për përgatitjen, ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve të ngurta, ku përfshihen letra, metali, plastika dhe qelqi, të arrijnë objektivin, minimumi në 50% të peshës së përgjithshme të mbetjeve të gjeneruara në vitin 2014.
5. Njësitë e qeverisjes vendore marrin masat për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim duke u siguruar qytetarëve minimalisht një sistem grumbullimi mbetjesh prej tri grupesh për:
a) mbetje të riciklueshme të thata;
b) mbetje të riciklueshme të njoma;
c) mbetje të pariciklueshme.
V. OBJEKTIVAT PËR RIPËRDORIMIN DHE RICIKLIMIN E RRYMAVE TË MBETJEVE
1. Objektivat specifikë, që duhet të arrihen nga njësitë e qeverisjes vendore për ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve sipas peshës, duhet të jenë, si më poshtë vijon:
a) Letër/karton (60%);
b) Metal (50%);
c) Plastikë (22.5%);
ç) Qelq (60%).
2. Objektivat e ndërmjetëm duhet të parashikohen nga njësitë e qeverisjes vendore në planet e tyre të menaxhimit në përputhje me nevojat lokale dhe mundësitë aktuale. Objektivat e përcaktuar në pikën 1 janë të detyrueshëm për t’u arritur nga njësitë e qeverisjes vendore të çdo niveli.
3. Në planet vendore të menaxhimit të mbetjeve, të cilat duhet të hartohen në përputhje me planin kombëtar dhe planin rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhet të parashikohen masa e metoda për arritjen e objektivave brenda afateve të vendosura.
VI. BASHKËPUNIMI NDËRMJET AUTORITETEVE
Me qëllim arritjen e objektivave të parashikuar në pikën 1, të ndarjes V, njësitë e qeverisjes vendore bashkëpunojnë në kuadër të rrjetit të integruar të instalimeve, në përputhje me nenin 22, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, për të bërë të mundur grumbullimin maksimal të diferencuar të mbetjeve, ripërdorimin dhe riciklimin ose depozitimin në një prej instalimeve më të afërta, të përshtatshme me metodat dhe teknologjitë e nevojshme, me qëllim sigurimin e një niveli të lartë mjedisor dhe të mbrojtjes së shëndetit publik.
VII. TARIFA E MBETJEVE
Tarifat, që duhen paguar nga prodhuesit e mbetjeve, përcaktohen nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me pikën 3, të nenit 16, të ligjit nr.8652/2000, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”. Tarifa duhet të mbulojë kostot e menaxhimit të mbetjeve nga grumbullimi deri në pikën e fundit të depozitimit.
VIII. RAPORTIMI PËR ZBATIMIN E KËTIJ VENDIMI
1. Çdo njësi e qeverisjes vendore i raporton në mënyrë periodike, brenda datës 31 janar të çdo viti, të dhënat për grumbullimin e rrymave të mbetjeve dhe objektivat në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i përpunon të dhënat në nivel kombëtar për sasinë totale të mbetjeve të grumbulluara në mënyrë të diferencuar dhe objektivat e arritur, i regjistron ato në regjistrin e krijuar për këtë qëllim, i pasqyron në raportin e gjendjes së mjedisit dhe ia raporton ministrisë brenda datës 28 shkurt të çdo viti.
3. Ministria, mbështetur në të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, harton raportin për zbatimin e këtij vendimi, si pjesë integrale të raportit për zbatimin e ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të parashikuar në pikën 1, të nenit 66, brenda 30 tetorit 2017, dhe më pas çdo tre vjet.
4. Formati, që do të përdoret për përcaktimin e kërkesave për llogaritjen e objektivave dhe hartimin e raportit, të parashikuar në pikën 3, së bashku me informacionin që duhet përfshirë në të, përcaktohen me urdhër të ministrit. Raporti referuar pikës 3 duhet të plotësojë kërkesat minimale të përcaktuara në aneksin II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera përkatëse duhet t’i sigurojnë ministrisë çdo informacion tjetër për përgatitjen e raportit të parashikuar në pikën 3.
6. Raporti referuar në pikën 3 publikohet në faqen elektronike zyrtare të ministrisë dhe bëhet i disponueshëm për publikun.
IX. AUTORITETET KOMPETENTE PËR ZBATIMIN E KËTIJ VENDIMI
1. Njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për marrjen e masave për arritjen e objektivave sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit është përgjegjëse për grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave të parashikuara në këtë vendim.
3. Ministria është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
X. SANKSIONET
Shkeljet e dispozitave të këtij vendimi, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen sipas nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KËRKESAVE TË POSAÇME PËR SHQYRTIMIN E KËRKESAVE PËR LEJE MJEDISI TË TIPAVE A, B DHE C, PËR TRANSFERIMIN E LEJEVE NGA NJË SUBJEKT TE TJETRI, TË KUSHTEVE PËR LEJET RESPEKTIVE TË MJEDISIT, SI DHE RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR SHQYRTIMIN E TYRE NGA AUTORITETET KOMPETENTE DERI NË LËSHIMIN E KËTYRE LEJEVE NGA QKL-JA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
TË PËRGJITHSHME
1. Miratimin e formularit informues për lejet e tipit A, B dhe C, si dhe të formatit standard të aktit të miratimit/refuzimit për këto leje, sipas shtojcave bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim që u jepet, përkatësisht, në:
d) ligjin nr.10448, datë 14. 7. 2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
e) ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar;
f) ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”;
ç) ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”;
g) ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”;
dh) ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
KREU II
PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E KËRKESAVE DHE PËRCAKTIMI I KUSHTEVE PËR LEJE MJEDISI TË TIPIT A
1. Kërkuesi që aplikon pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) për pajisjen me leje mjedisi të tipit A, duhet të dorëzojë këto dokumente:
a) Formularin informues për pajisje me leje mjedisi të tipit A, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Mandatpagesën për tarifën përkatëse për lejen e mjedisit të tipit A, sipas nenit 25, të ligjit nr.10448, datë 14. 7. 2011, “Për lejet e mjedisit”;
c) Çdo informacion tjetër që kërkuesi i lejes kërkon të merret parasysh gjatë shqyrtimit të aplikimit;
ç) Kopjen e vendimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM) paraprak ose kopje të deklaratës së ministrit për VNM-në e thelluar, të shoqëruar me raportin paraprak ose të thelluar të VNM-së, në rastet kur për instalimin është kryer procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas përcaktimit në ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikmit në mjedis”;
d) Raportin mbi sigurinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e rreziqeve nga aksidentet madhore, kur kërkohet;
dh) Relacion rreth dëgjesës me publikun, sipas përcaktimit në pikën 13, të kreut V, të këtij vendimi.
2. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit për leje mjedisi të tipit A nga QKL-ja, dërgon një kopje të aplikimit në institucionet e mëposhtme, të cilat japin mendimin e tyre, me shkrim dhe në formë elektronike, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune:
a) Drejtoritë teknike në Ministrinë e Mjedisit, sipas specifikave të instalimit;
b) Inspektoratin Shtetëror te Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (IShMPU);
c) Agjencinë Rajonale të Mjedisit (ARM).
3. Nëse institucionet e përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, nuk shprehen brenda afatit, AKM-ja vijon me procedurën.
4. AKM-ja, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, pas verifikimit për saktësinë e dokumentacionit të aplikimit për lejen e mjedisit të tipit A dhe mbledhjes së mendimeve nga publiku e institucionet e përmendura në pikën 2, të këtij kreu, harton aktin e miratimit/refuzimit për dhënien ose jo të lejes së mjedisit të tipit A, të shoqëruar me argumentet përkatëse, dhe e dërgon tek ministri.
5. Ministri, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes, firmos aktin e miratimit/refuzimit të lejes së mjedisit të tipit A ose ia kthen praktikën AKM-së për shtesa apo ndryshime të këtij akti të shoqëruar me argumentet përkatëse.
6. AKM-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, publikon vendimin e miratimit ose refuzimit për leje mjedisi të tipit A në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve.
7. Formati standard i aktit të miratimit dhe aktit të refuzimit, për lejet e mjedisit të tipit A, është sipas shtojcës 4, bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Akti i miratimit për lejen e mjedisit të tipit A, për çdo instalim, përveç kushteve të përcaktuara në formatin standard të aktit të miratimit, përfshin edhe kushtet e mëposhtme:
a) Vlerat kufi të shkarkimit për ndotësit, në mënyrë të veçantë të atyre referuar në shtojcën 2, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, që parashikohen të shkarkohen në sasi të konsiderueshme nga instalimi në fjalë. Vlerat kufi të shkarkimeve përcaktohen duke u mbështetur në natyrën e ndotësve dhe potencialin e tyre për t’u transferuar nga një përbërës i mjedisit në një tjetër;
b) Vlerat kufi të shkarkimeve sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu, që zbatohen për grupet e ndotësve dhe jo për ndotës të veçantë, kur kjo është e mundur;
c) Vlerat kufi të shkarkimeve, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu, zbatohen në pikën ku shkarkimet dalin nga instalimi, pavarësisht hollimit që mund t’u ndodhë atyre në distancë nga kjo pikë. Në rastin e shkarkimeve jo të drejtpërdrejta në ujë, gjatë llogaritjes së vlerave kufi të shkarkimeve të instalimit në fjalë, merret në konsideratë edhe përdorimi i një instalimi për trajtimin e ujit, me kusht që të garantohet një nivel i njëjtë i mbrojtjes së mjedisit në tërësi dhe që një gjë e tillë të mos shkaktojë nivele më të larta ndotjeje në mjedis;
ç) Standardet teknike për funksionimin e një instalimi, të vendosura në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e ajrit, mbrojtjen e ujit, menaxhimin e mbetjeve ose të zhurmave apo akte të tjera në fuqi që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, të cilat vlerësohen si vlerat kufi maksimale të shkarkimeve, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu;
d) Vlerat kufi të shkarkimeve, referuar shkronjës “a”, të kësaj pike, në përputhje me shkronjën “e”, të saj, të mbështetura në TMD-në për llojin e instalimit në fjalë, por jo në ndonjë teknikë ose teknologji të veçantë, që, në çdo rast, merr parasysh karakteristikat teknike të instalimit, vendndodhjen e tij gjeografike dhe kushtet e mjedisit në atë zonë;
dh) Vlerat kufi të shkarkimeve, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu, për instalimet e referuara në pikat A.7.7 (b) dhe 7.8 të shtojcës 1, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, të mbështetura në vlerësime praktike të përshtatshme për këto kategori instalimesh;
e) Vlerat kufi të shkarkimeve të përcaktuara nga standardi i cilësisë së mjedisit, kur janë më të ulëta se ato referuar në shkronjën “d”, të pikës 8, të këtij neni.
ë) Sipas rastit, vlerat kufi të shkarkimeve sipas përcaktimit të shkronjës “a”, pikës 8, të këtij kreu, mund të plotësohen ose zëvendësohen nga parametra të njëjtë ose masa teknike.
Lendfilli që mbulohet nga pjesa 5.2 (a) e shtojcës 1, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, konsiderohet se plotëson kërkesat teknike të këtij ligji në qoftë se ai plotëson kërkesat teknike për lendfille të tilla, siç përcaktohet edhe në legjislacion përkatës për lendfillet.
Formati standard i aktit të miratimit për lejen e mjedisit të tipit A mund të përmbajë edhe kushte të tjera, siç kërkohet nga akte ligjore/nënligjore në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
9. Kushtet që vendosen në aktin e miratimit të lejes së mjedisit të tipit A synojnë:
a) të minimizojnë ndotjen në distancë të largët ose ndotjen ndërkufitare;
b) të sigurojnë efektin akumulativ nga instalime ndotëse ekzistuese të tjera;
c) të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit;
ç) të sigurojnë mbrojtjen e tokës;
d) të sigurojnë mbrojtjen e ujërave nëntokësore;
dh) të sigurojnë kushte të përshtatshme për reduktimin e ndotjes nga zhurma dhe drita;
e) të sigurojnë menaxhimin e duhur të mbetjeve të gjeneruara nga instalimi;
ë) të përcaktojnë kërkesa të përshtatshme për monitorimin e shkarkimeve që specifikojnë metodologjinë dhe frekuencën e matjeve e procedurën e shqyrtimit dhe që sigurojnë se zotëruesi i lejes i jep AKM-së dhe Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin (IShMPU) të dhënat e kërkuara për të kontrolluar përmbushjen e kushteve të lejes së mjedisit të tipit A. Gjithsesi, për instalimet e referuara në pjesën A 7.8. (a, b dhe c), të shtojcës 1, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, në kërkesat e kësaj pike merren parasysh edhe kostot dhe përfitimet;
f) të jenë të përshtatshme për periudhat kur instalimi nuk funksionon normalisht dhe ekziston rreziku i një ndikimi në mjedis. Këto kërkesa kanë të bëjnë me fillimin e operacioneve, rrjedhjet, keqfunksionimet, ndalesat e përkohshme dhe ndalimin përfundimtar të operacioneve;
g) të përcaktojnë hapat që duhen ndërmarrë përpara vënies në punë të instalimit, për të shmangur çdo rrezik nga ndotja, dhe të kthejnë vendndodhjen e instalimit në gjendje të kënaqshme;
gj) të përcaktojnë hapat që duhen ndërmarrë pas mbylljes së instalimit;
h) të kërkojnë që operatori t’i sigurojë rregullisht AKM-së dhe IShMPU-së rezultatet e vetëmonitorimit të shkarkimeve;
i) të kërkojnë që operatori të informojë pa vonesë AKM-në dhe IShMPU-në për çdo aksident, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për parandalimin e rreziqeve nga aksidentet madhore.
10. Formati standard i aktit të miratimit për lejen e mjedisit të tipit A nuk e përfshin vlerën kufi për shkarkimet e drejtpërdrejta të gazrave serrë në qoftë se këto shkarkime nga një instalim specifikohen në ndonjë akt tjetër për skemat e tregtimit për shkarkimet e gazrave serrë, për çdo veprimtari që kryhet në atë instalim, dhe në qoftë se nuk është e nevojshme të sigurohet që nuk do të shkaktohet ndotje e konsiderueshme e mjedisit.
11. Përcaktimet e pikës 9, të këtij kreu, nuk zbatohen për instalimet që përjashtohen përkohësisht nga kjo skemë.
12. Afati total për publikimin e vendimit të miratimit ose refuzimit të aplikimit për leje mjedisi të tipit A në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, nga data e marrjes së aplikimit nga Qendra Kombëtare e Licencimit, është 60 (gjashtëdhjetë) ditë pune.
KREU III
PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E KËRKESAVE DHE PËRCAKTIMI I KUSHTEVE PËR LEJE MJEDISI TË TIPIT B
1. Kërkuesi që aplikon pranë QKL-së për pajisjen me leje mjedisi të tipit B duhet të dorëzojë këto dokumente:
a) Formularin informues për pajisje me leje mjedisi të tipit B, sipas shtojcës 2, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Mandatpagesën për tarifën përkatëse për lejen e mjedisit të tipit B, sipas nenit 25, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”;
c) Çdo informacion tjetër që kërkuesi i lejes kërkon të merret parasysh gjatë shqyrtimit të aplikimit;
ç) Kopjen e vendimit të AKM-së për VNM-në paraprake ose kopje të deklaratës së ministrit për VNM-në e thelluar, të shoqëruar me raportin paraprak ose të thelluar të VNM-së, në rastet kur për instalimin është kryer procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas përcaktimit në ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
d) Raportin mbi sigurinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e rreziqeve nga aksidentet madhore, kur kërkohet.
dh) Relacionin rreth dëgjesës me publikun, sipas përcaktimit në pikën 13, të kreut V, të këtij vendimi.
2. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit për leje mjedisi të tipit B nga QKL-ja, dërgon një kopje të aplikimit në institucionet e mëposhtme, të cilët japin mendimin e tyre, me shkrim dhe në formë elektronike, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune:
a) Drejtoritë teknike në Ministrinë e Mjedisit, sipas specifikave të instalimit;
b) Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (IShMPU);
c) Agjencinë Rajonale të Mjedisit (ARM).
3. Nëse institucionet e përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, nuk shprehen brenda afatit, AKM-ja vijon me procedurën.
4. AKM-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, pas verifikimit për saktësinë e dokumentacionit të aplikimit për lejen e mjedisit të tipit B dhe mbledhjes së mendimeve nga publiku e institucionet e përmendura në pikën 2, të këtij kreu, harton aktin e miratimit/refuzimit për dhënien ose jo të lejes së mjedisit të tipit B, të shoqëruar me argumentet përkatëse, dhe e dërgon tek ministri.
5. Ministri, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes, firmos aktin e miratimit/refuzimit të lejes së mjedisit të tipit B ose ia kthen praktikën AKM-së për shtesa apo ndryshime të këtij akti, të shoqëruar me argumentet përkatëse.
6. AKM-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, publikon vendimin e miratimit ose të refuzimit në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve për leje mjedisi të tipit A.
7. Formati standard i aktit të miratimit dhe i aktit të refuzimit për lejet e mjedisit të tipit B është sipas shtojcës 5, bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Akti i miratimit të lejes së mjedisit e tipit B, për çdo instalim, përveç kushteve të përcaktuara në formatin standard të aktit të miratimit, përfshin edhe kushtet e mëposhtme:
a) Vlerat kufi të shkarkimit të ndotësve, në mënyrë të veçantë të atyre të listuar në shtojcën 2, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, që parashikohen të shkarkohen në sasi të konsiderueshme nga instalimi, të cilat përcaktohen duke pasur parasysh natyrën dhe potencialin e tyre për të transferuar ndotjen nga një përbërës i mjedisit në një tjetër;
b) Vlerat kufi të shkarkimeve që kërkohen në shkronjën “a”, të pikës 8, të këtij kreu, të cilat mund të zbatohen për grupet e ndotësve dhe jo për ndotës të veçantë, kur kjo është e mundur;
c) Kur një standard i cilësisë së mjedisit kërkon që vlerat kufi të shkarkimeve të një instalimi të jenë më të ulta se ato që janë vendosur sipas përcaktimit të shkronjës “ç”, pikës 8, të këtij kreu, atëherë vlerat kufi të shkarkimeve të përcaktuara sipas shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu, kërkojnë vlerat kufi më të ulta të shkarkimeve;
ç) Kur është e përshtatshme, vlerat kufi të shkarkimeve sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu, mund të shtohen ose zëvendësohen nga parametra të njëjtë ose masat teknike.
d) Vlerat kufi të shkarkimeve që përcaktohen në përputhje me shkronjën “a”, të pikës 8, të këtij kreu, zbatohen në pikën ku shkarkimet dalin nga instalimi, dhe nuk marrin parasysh ndonjë hollim që mund t’u bëhet atyre. Gjatë përcaktimit të vlerave kufi të shkarkimeve në ujë të atij instalimi merret parasysh efekti që mund të ketë një impiant për trajtimin e ujit, me kusht që të garantohet i njëjti nivel mbrojtjeje për mjedisin në tërësi dhe me kusht që një gjë e tillë të mos çojë në nivele më të larta të ndotjes së mjedisit.
dh) Standardet teknike të shkarkimeve të një instalimi, të caktuara në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e ajrit, mbrojtjen e ujit, menaxhimin e mbetjeve apo të zhurmave ose akte të tjera në fuqi që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, për qëllime të shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij kreu, konsiderohen si vlera maksimale kufi të shkarkimeve.
Formati standard i aktit të miratimit për lejen e mjedisit të tipit B mund të përmbajë edhe kushte të tjera, siç kërkohet nga akte ligjore/nënligjore në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
9. Kushtet që vendosen në aktin e miratimit të lejes së mjedisit të tipit B synojnë:
a) të sigurojnë se nuk shkaktohet asnjë ndotje e konsiderueshme, në veçanti me anë të zbatimit të praktikave më të mira;
b) të sigurojnë mbrojtjen e tokës;
c) të sigurojnë mbrojtjen e ujërave nëntokësore;
ç) të sigurojnë menaxhimin e përshtatshëm të mbetjeve të gjeneruara nga instalimi;
d) të përcaktojnë masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e aksidenteve dhe minimizimin e pasojave të tyre;
dh) të përcaktojnë kërkesa të përshtatshme për monitorimin e shkarkimeve, duke përcaktuar metodologjinë dhe frekuencën e matjeve, procedurën e vlerësimit, si dhe të sigurojnë se zotëruesi i lejes i jep AKM-së dhe IShMPU-së të dhënat e kërkuara për të kontrolluar përmbushjen e kushteve të lejes së mjedisit të tipit B;
e) të përcaktojnë periudhat kur instalimi nuk funksionon normalisht dhe ka një rrezik real që mjedisi të ndikohet gjatë kësaj periudhe. Në mënyrë të veçantë, përfshihen kushte që kanë të bëjnë me fillimin e funksionimit, rrjedhjet e pakontrolluara, keqfunksionimet, pezullimet e përkohshme dhe mbylljen përfundimtare të veprimtarisë;
ë) të përcaktojnë hapat që duhen marrë përpara vënies në punë të instalimit;
f) të përcaktojnë hapat që duhen ndërmarrë përpara vënies në punë të instalimit, për të shmangur çdo rrezik nga ndotja, dhe të kthejnë vendndodhjen e instalimit në gjendje të kënaqshme;
g) të përcaktojnë hapat që duhen ndërmarrë pas mbylljes së instalimit;
gj) të kërkojnë që operatori t’i sigurojë rregullisht AKM-së dhe IShMPU-së rezultatet e vetëmonitorimit të shkarkimeve;
h) të kërkojnë që operatori të informojë pa vonesë AKM-në dhe IShMPU-në për çdo aksident, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për parandalimin e rreziqeve nga aksidentet madhore.
10. Afati total për publikimi e vendimit të miratimit ose refuzimit të aplikimit për pajisjen me leje mjedisi të tipi B në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, nga data e marrjes së aplikimit nga Qendra Kombëtare e Licencimit, është 40 (dyzet) ditë pune.
KREU IV
PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E KËRKESAVE DHE PËRCAKTIMI I KUSHTEVE PËR LEJE MJEDISI TË TIPIT C
1. Kërkuesi që aplikon pranë QKL-së për pajisjen me leje mjedisi të tipit C duhet të dorëzojë këto dokumente:
a) Formularin informues për pajisje me leje mjedisi të tipit C, sipas shtojcës 3, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Çdo informacion tjetër që kërkuesi i lejes kërkon të merret parasysh gjatë shqyrtimit të aplikimit;
c) Mandatpagesën për tarifën përkatëse për lejen e mjedisit të tipit C, sipas nenit 25, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”.
2. AKM-ja, brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit për leje mjedisi të tipit C nga QKL-ja, dërgon një kopje të aplikimit pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit (ARM) të qarkut ku do të jetë vendndodhja e instalimit.
3. ARM-ja, brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit nga AKM-ja, dërgon një kopje të aplikimit në njësinë e qeverisjes vendore (NJQV) përkatëse, e cila jep mendimin e saj me shkrim brenda 3 (tri) ditëve pune.
4. Nëse NJQV-ja përkatëse nuk shprehet brenda afatit, ARM-ja vijon me procedurën.
5. ARM-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve pune, pas verifikimit për saktësinë e dokumentacionit të aplikimit për lejen e mjedisit të tipit C dhe mbledhjes së mendimeve të NJQV-së, harton aktin e miratimit/refuzimit për dhënien ose jo të lejes së mjedisit të tipit C, të shoqëruar me argumentet përkatëse.
6. Titullari i ARM-së së qarkut përkatës firmos aktin e miratimit/refuzimit të lejes së mjedisit të tipit C brenda 2 (dy) ditëve pune.
7. Akti i miratimit/refuzimit të lejes së mjedisit të tipit C i dërgohet AKM-së.
8. AKM-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, publikon vendimin e miratimit ose refuzimit në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve për leje mjedisi të tipit C.
9. Formati standard i aktit të miratimit dhe aktit të refuzimit të aplikimit për lejet e mjedisit të tipit C është sipas shtojcës 6, bashkëlidhur këtij vendimi.
10. Akti i miratimit për lejen e mjedisit të tipit C, për çdo instalim, përmban, sipas rastit:
a) Vlerat kufi të shkarkimit të ndotësve, në mënyrë të veçantë ato të listuara në shtojcën 2, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, që parashikohen të shkarkohen në sasi të konsiderueshme nga instalimi. Vlerat kufi të shkarkimeve, sipas rastit, mund të zbatohen për grupe ndotësish dhe jo për ndotës të veçantë;
b) Kushtet që sigurojnë mbrojtjen e tokës;
c) Kushtet që sigurojnë mbrojtjen e ujërave nëntokësore;
ç) Kushtet që sigurojnë menaxhimin e përshtatshëm të mbetjeve të gjeneruara nga instalimi;
d) Kushtet që sigurojnë mbrojtjen e ajrit dhe mbrojtjen nga ndotja akustike;
dh) Kërkesën që operatori të informojë rregullisht njësinë përkatëse të qeverisjes vendore, ARM-në përkatëse dhe njësinë e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin të qarkut mbi të dhënat e vetëmonitorimit të shkarkimeve nga ai instalim;
e) Kërkesën që operatori të informojë pa vonesë ARM-në përkatëse dhe njësinë e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin të qarkut për çdo incident ose aksident që ndikon apo mund të ndikojë ndjeshëm mjedisin;
ë) kushte të tjera të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
11. Afati total për publikimin, në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, të vendimit të miratimit ose refuzimit të aplikimit për lejen e tipi C, nga data e marrjes së aplikimit nga QKL-ja është 25 (njëzet e pesë) ditë pune.
KREU V
NDRYSHIME NË FUNKSIONIMIN E INSTALIMEVE TË TIPIT A DHE TË TIPIT B DHE RISHIKIMI I KUSHTEVE TË LEJEVE EKZISTUESE
Seksioni 1
Ndryshimi i propozuar në funksionimin e një instalimi të tipit A
dhe të tipit B
1. Kur operatori i një instalimi të tipit A dhe të tipit B propozon të kryejë një ndryshim në funksionimin e këtij instalimi, ai njofton AKM-në, të paktën, një muaj përpara kryerjes së këtij ndryshimi.
2. Njoftimi i parashikuar në pikën 1, të këtij kreu, bëhet me shkrim dhe përmban një përshkrim të hollësishëm të ndryshimit të propozuar në funksionimin e instalimit.
3. AKM-ja, brenda një muaji nga data e marrjes së njoftimit vendos:
a) Të njoftojë operatorin, kur nuk e sheh të nevojshëm përditësimin e kushteve të aktit të miratimit të lejes mjedisore;
b) Të njoftojë operatorin se duhet të aplikojë, pranë QKL-së, për ndryshim në kushtet e lejes, kur vlerëson se ndryshimi i propozuar në funksionimin e një instalimi të tipit A dhe/ose të tipit B, sipas njoftimit të bërë nga operatori, mund të shkaktojë ndryshim të funksionimit të instalimit.
4. Procedurat dhe afatet për ndryshim thelbësor të kushteve të aktit të miratimit për lejet e mjedisit të tipit A dhe të tipit B, janë të njëjta me kërkesat e kreut II, të këtij vendimi për leje mjedisi të tipit A, dhe të kreut III, të tij, për leje mjedisi të tipit B. Në aplikimin pranë QKL-së, fjalët “Aplikim për leje mjedisi të tipit A ose të tipit B” lexohen “Aplikim për ndryshim thelbësor në kushtet e lejes së mjedisit të tipit A ose të tipit B”.
Seksioni 2
Rishikimi i kushteve të një lejeje ekzistuese të tipit A, B dhe C
1. Operatori i një instalimi ekzistues, sipas përcaktimeve të neneve 30 dhe 31, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, e shoqëron kërkesën për rishikimin e kushteve të lejes ekzistuese të mjedisit të tipit A, B dhe C me planin e përputhshmërisë dhe formularin e kërkesës për leje mjedisi të tipit A, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Rishikimi i kushteve të lejeve ekzistuese bëhet brenda aftit ligjor të përcaktuar në nenet 30 dhe 31, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar.
2. Shqyrtimi kërkesës dhe dokumentacionit përkatës për rishikimin e kushteve të lejes ekzistuese të tipit A, B dhe C nga marrja e aplikimit nga QKL-ja deri në publikimin, në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, të vendimit të miratimit ose të refuzimit kryhet brenda:
a) 35 (tridhjetë e pesë) ditëve pune, për leje të tipit A;
b) 25 (njëzet e pesë) ditëve pune, për leje të tipit B;
c) 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, për leje të tipit C.
KREU VI
INFORMIMI DHE PJESËMARRJA E PUBLIKUT PËR APLIKIMIN PËR LEJE MJEDISI TË TIPIT A DHE B
1. Kërkuesi, përpara aplikimit në QKL, dërgon në AKM, në njësinë e qeverisjes vendore (NJQV) dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit (ARM) ku do të ketë vendndodhjen instalimi një njoftim, me shkrim dhe në formë elektronike (CD, DVD), për aplikimin që do të kryejë për t’u pajisur me leje mjedisore të tipit A ose B, në të paktën 20 kopje elektronike për secilin institucion.
2. Njoftimi duhet të përmbajë këto të dhëna:
a) Informacion nëse kërkesa do të jetë për “Aplikim për leje mjedisi të tipit A ose të tipit B” apo “Aplikim për ndryshim thelbësor në kushtet e lejes së mjedisit të tipit A ose të tipit B”.
b) Të dhënat e ekstraktit të QKR-së;
c) Adresën e vendndodhjes së instalimit;
ç) Përshkrimin e veprimtarisë që parashikohet të zhvillohet në instalim;
d) Një përshkrim të elementeve të listuara në formularin informues;
dh) Përmbledhjen joteknike të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis në nivel kombëtar ose ndërkufitar, kur kërkohet procedura e VNM-së;
e) Konsultimet ndërkufitare, kur kërkohet sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Autoritetin vendimmarrës për dhënien e aktit të miratimit të lejes së mjedisit, procedurat dhe afatet që do të ndiqen;
f) Adresën e AKM-së, ku publiku mund të dërgojë komentet dhe sugjerimet e tij, me shkrim apo në formë elektronike, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e njoftimit.
3. AKM-ja publikon, në faqen e saj të internetit, njoftimin sipas pikës 2, të këtij kreu, për të paktën 20 (njëzet) ditë kalendarike, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
4. Pas publikimit të njoftimit në faqen e internetit të AKM-së, kërkuesi publikon në, të paktën, një gazetë të zonës ku do të ushtrohet veprimtaria dhe në një gazetë kombëtare njoftimin për aplikimin, duke iu referuar për informacion më të hollësishëm faqes së internetit të AKM-së. Njoftimi publikohet në, të paktën, dy numra të njëpasnjëshëm të secilës gazetë.
5. Njoftimi në gazetë duhet të përmbajë, të paktën:
a) llojin e instalimit/veprimtarisë;
b) emrin e personit fizik/juridik;
c) adresën e vendndodhjes së instalimit;
ç) adresën e internetit ku është publikuar njoftimi dhe adresën e AKM-së, ku publiku mund të dërgojë komentet dhe sugjerimet e tij, me shkrim apo në formë elektronike, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e njoftimit.
6. NJQV-ja (bashkia apo komuna) në territorin e së cilës do të jetë vendndodhja e instalimit, pasi merr njoftimin sipas pikës 2, të këtij kreu, e publikon në një vend të dukshëm në mjediset e saj për të paktën 20 (njëzet) ditë.
7. Publiku ka të drejtë të konsultojë në mjediset e NJQV/AKM/ARM dhe të kërkojë një kopje të njoftimit, sipas pikës 2, të këtij kreu, nga NJQV/AKM/ARM, pa pagesë.
8. Publiku mund të bëjë komente, me shkrim ose në mënyrë elektronike, mbi njoftimin për leje mjedisi të tipit A në adresën e AKM-së brenda afatit 20-ditor të publikimit.
9. Në përfundim të afatit 20-ditor, kërkuesi, në bashkëpunim me AKM-në dhe NJQV-në, brenda 25 (njëzet e pesë) ditëve organizon një dëgjesë me publikun dhe palët e interesuara, përfshirë OJF-të.
10. Njoftimi për dëgjesën me publikun shpallet gjatë 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve:
a) në radio ose TV dhe gazetën vendore;
b) në faqen e internetit të AKM-së dhe NJQV-së;
c) në tabelën e njoftimeve, në një vend të dukshëm në mjediset e NJQV-së dhe ARM-së së qarkut përkatës.
11. Njoftimi duhet të shoqërohet me:
a) llojin e instalimit/veprimtarisë;
b) emrin e personit fizik/juridik;
c) adresën e vendndodhjes së instalimit;
ç) vendin ku gjendet kopja e njoftimit në NJQV-në dhe adresën elektronike të AKM-së ku është publikuar njoftimi.
d) përcaktimin e vendit, të datës dhe orës së organizimit të dëgjesës me publikun.
12. Procesverbali i dëgjesës mbahet nga kërkuesi dhe nënshkruhet nga pjesëmarrësit në dëgjesë. Kopje të procesverbalit u vihen në dispozicion publikut, palëve pjesëmarrësë në dëgjesë, NJQV-së dhe AKM-së.
13. Kërkuesi, kur aplikon për leje mjedisi të tipi A dhe të tipit B, harton një relacion rreth dëgjesës me publikun dhe palët e interesuara dhe e dorëzon në QKL.
14. Shpenzimet e organizimit të dëgjesës mbulohen nga kërkuesi.
15. AKM-ja, gjatë hartimit të aktit të miratimit të lejes së mjedist të tipit A dhe B, merr parasysh çdo koment, informacion, analizë apo mendim të paraqitur nga publiku që vlerësohet i vlefshëm dhe argumenton arsyet kur ato nuk janë marrë parasysh.
16. AKM-ja, kur e gjykon të arsyeshme, delegon ARM-në e qarkut përkatës për të marrë pjesë në dëgjesën me publikun.
KREU VII
TRANSFERIMI I LEJEVE TË MJEDISIT
TË TIPIT A, B DHE C
1. Për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit për një instalim të tipit A ose B personi fizik apo juridik i cili kërkon t’i transferohet leja, bën kërkesë në AKM për transferimin.
2. Kërkesa referuar në pikën 1, të këtij kreu, shoqërohet nga:
a) Kopje të lejes ekzistuese të mjedisit të tipit A ose B;
b) Ekstraktin e QKR-së së operatorit ekzistues;
c) Ekstraktin e QKR-së së personit fizik apo juridik të cilit do t’i transferohet leja;
ç) Dokumentin ligjor që provon kalimin e instalimit nga operatori ekziktues tek personi fizik apo juridik të cilit do t’i transferohet leja.
3. AKM-ja shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, sipas pikës 2, të këtij kreu, brenda një muaji nga data e marrjes së kërkesës dhe harton urdhrin e ministrit për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A ose B.
4. AKM-ja përcjell në Ministrinë e Mjedisit urdhrin e ministrit për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A ose B, shoqëruar me argumentet për transferimin dhe kopje të dokumentacionit të përmendur në pikën 2, të këtij kreu.
5. Ministri, brenda një jave, firmos urdhrin e transferimit të aktit të miratimit për lejen e mjedisit të tipit A ose B.
6. AKM-ja mund të kërkojë informacion shtesë rreth dokumentacionit ligjor që provon kalimin e instalimit nga operatori ekziktues tek personi fizik apo juridik, të cilit do t’i transferohet leja, duke përcaktuar një afat 1-mujor për kthimin e përgjigjes.
7. Afati i përmendur në pikën 6, të këtij kreu, nuk përllogaritet në afatin 1-mujor për shqyrtimin e transferimit të lejes.
8. Në rast se kërkuesi nuk përgjigjet brenda afatit prej një muaji, siç përcaktohet në pikën 5, të këtij kreu, konsiderohet se kërkuesi ka hequr dorë nga transferimi i lejes së mjedisit.
9. Ministri ia përcjell AKM-së urdhrin për transferimin e aktit të miratimit për lejet e mjedisit të tipit A ose B.
10. Personi fizik ose juridik aplikon pranë QKL-së për transferimin e lejes së mjedisit të tipit A dhe B duke dorëzuar urdhrin e ministrit dhe kopje të lejes ekzistuese.
11. AKM-ja, brenda 8 (tetë) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit nga QKL-ja, harton aktmiratimin për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A ose B dhe e dërgon te ministri.
12. Ministri firmos aktmiratimin për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A ose B dhe ia dërgon AKM-së.
13. AKM-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, publikon, në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, aktmiratimin për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A ose B.
14. Për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit për një instalim të tipit C, personi fizik apo juridik i cili kërkon t’i transferohet leja bën kërkesë në ARM për transferimin, të cilën e shoqëron me dokumentacionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu.
15. ARM-ja shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues brenda një muaji nga data e marrjes së kërkesës dhe firmos dokumentin e tranferimit të aktit të miratimit për leje mjedisi të tipit C.
16. ARM-ja mund të kërkojë informacion shtesë rreth dokumentacionit ligjor që provon kalimin e instalimit nga operatori ekziktues tek personi fizik apo juridik të cilit do t’i transferohet leja, duke përcaktuar një afat njëmujor për kthimin e përgjigjes.
17. Afati i përmendur në pikën 15, të këtij kreu, nuk përllogaritet në afatin njëmujor për shqyrtimin e transferimit të lejes.
18. Në rast se kërkuesi nuk përgjigjet brenda afatit prej 1 muaji, siç përcaktohet në pikën 16, të këtij kreu, konsiderohet se kërkuesi ka hequr dorë nga transferimi i lejes së mjedisit.
19. Personi fizik ose juridik që aplikon pranë QKL-së për transferimin e lejes së mjedisit të tipit C, dorëzon dokumentin e transferimit, të lëshuar nga ARM-ja, dhe kopje të lejes ekzistuese.
20. AKM-ja, brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit nga QKL-ja, e dërgon atë pranë ARM-së të qarkut përkatës.
21. ARM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve pune, harton aktmiratimin për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit C, i cili firmoset nga titullari i ARM-së së qarkut përkatës dhe e dërgon tek AKM-ja.
22. AKM-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, publikon, në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, aktmiratimin për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit C.
23. Afati total për publikimin, në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, të vendimit të miratimit të aplikimit për transferimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A, B ose C, është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e marrjes së aplikimit nga QKL-ja.
KREU VIII
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mban, administron dhe përditëson regjistrin e lejeve të mjedisit të tipit A dhe B.
2. ARM-ja mban, administron dhe përditëson regjistrin e lejeve të mjedisit të tipit C, për instalimet që operojnë në qarkun për të cilin është përgjegjëse.
3. Mënyra e administrimit dhe formati i regjistrit miratohen me urdhër të ministrit.
4. AKM-ja publikon, në faqen e saj të internetit, listën e akteve të miratimit për leje mjedisi të tipit A dhe B, e cila përmban:
a) Emrin e subjektit dhe të administratorit;
b) Llojin e instalimit;
c) Vendndodhjen e instalimit;
ç) Datën e miratimit të aktit.
5. ARM-ja publikon në faqen e saj të internetit listën e akteve të miratimit për leje mjedisi të tipit C, për instalimet që operojnë në qarkun për të cilin është përgjegjëse, e cila përmban:
a) Emrin e subjektit dhe të administratorit;
b) Llojin e instalimit;
c) Vendndodhjen e instalimit;
ç) Datën e miratimit të aktit.
6. AKM-ja dërgon, pranë ISHMPU-së dhe Ministrisë së Mjedisit, kopje të aktit të miratimit të lejeve të mjedisit të tipit A dhe B.
7. ARM-ja dërgon, pranë njësisë së ISHMPU-së të qarkut përkatës, kopje të aktit të miratimit të lejeve të mjedisit të tipit C.
8. Ngarkohet ministri të nxjerrë urdhrin, në zbatim të pikës 3, të kreut VIII, të këtij vendimi.
9. Udhëzimi nr.3, datë 2.12.2013, i ministrit të Mjedisit, “Për dokumentacionin e domosdoshëm për të kërkuar leje mjedisore të tipit A, B dhe C për aktivitete të reja dhe ekzistuese”, shfuqizohet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
10. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, agjencitë rajonale të mjedisit, njësitë e qeverisjes vendore dhe Qendra Kombëtare e Licencimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.308, DATË 5.5.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS PARALELE TIRANË – VORË, KRAHU I MAJTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.308, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në listën bashkëlidhur vendimit hiqen pasuritë sipas lidhjes 1 dhe shtohen pasuritë sipas lidhjes 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 32 436 137 (tridhjetë e dy milionë e katërqind e tridhjetë e gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.