Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Janar 2022:

 

 

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Gentian Deva, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Ismail Shehu emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROGRAMIT TË BASHKËPUNIMIT ARSIMOR, SHKENCOR, KULTUROR DHE RINOR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, PËR VITET 2022-2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të programit të bashkëpunimit arsimor, shkencor, kulturor dhe rinor, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë të shtetit të Izraelit, për vitet 2022-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROJEKTIN “EU4CULTURE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për projektin “EU4Culture”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 11/1, të vendimit nr.554, datë 31.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, mënyrën e organizimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Elira Demiraj lirohet nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

2. Z. Klevis Hysa emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË SHËRBIMIT TË PROVËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.78/2020, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Ervin Hoxha emërohet drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Jug, Berat, Tiranë Veri, Kamzë-Vorë, Elbasan, Tiranë Rurale 1, Vlorë, Durrës, Zonat e Stimuluara, Gjirokastër, Kavajë, Kukës, Lezhë dhe Fier.

2. Masa e kompensimit është 69 958,01 (gjashtëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë presje zero një) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 700 556 318,95 (shtatëqind milionë e pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e tetëmbëdhjetë presje nëntëdhjetë e pesë) lekë, sipas shtojcës nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës 14, të shtojcës nr.1, përkatësisht, nr.1, nr.2, nr.3, nr.6, nr.13, nr.35, nr.42, nr.56, nr.57, nr.68, nr.69, nr.71, nr.72, nr.73, nr.75, nr.85, nr.86, nr.87, nr.88, nr.94, nr.96, nr.100, nr.101, nr.118, nr.136, nr.137, nr.138, nr.155, nr.157, nr.199, nr.200, nr.202, nr.215, nr.216, nr.224, nr.227, nr.243, nr.244, nr.247, nr.250, nr.253, nr.255, nr.256, nr.257, nr.259, nr.263, nr.264 dhe nr.266, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Jug, Berat, Tiranë Veri, Kamzë-Vorë, Elbasan, Tiranë Rurale 1, Vlorë, Durrës, Zonat e Stimuluara, Gjirokastër, Kavajë, Kukës, Lezhë dhe Fier, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E NDËRTIMIT TË RRUGËS TIRANË-ELBASAN-QUKËS-QAFA E PLLOÇËS, “HUA SHTESË”

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “hua shtesë”, me një hua në shumën 183 750 000 (njëqind e tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) rial saudit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E MASAVE TË SIGURISË, PËRGJEGJËSIVE DHE MËNYRAVE TË RUAJTJES SË SIGURISË NË VEPRIMTARITË SPORTIVE DHE NDESHJET E FUTBOLLIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 51, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit e të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky vendim përcakton masat e sigurisë, përgjegjësitë dhe mënyrat e ruajtjes së sigurisë në veprimtaritë sportive dhe ndeshjet e futbollit, me qëllim sigurimin e një mjedisi të qetë, të sigurt e mirëpritës gjatë organizimit dhe zhvillimit të tyre.

Neni 2
Përkufizime

Për qëllimet e këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Dhoma e kontrollit”, dhoma e rezervuar për stafin e zyrtarët me përgjegjësi për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, që lidhen me veprimtaritë sportive, përkatësisht punonjësi i Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, oficeri i sigurisë i organizatës sportive, organizatore e veprimtarisë sportive, oficeri i sigurisë së mjedisit sportiv dhe stafi i tyre;
b) “Masat e sigurisë”, masat e synuara a të zbatuara me qëllim kryesor parandalimin, uljen e rrezikut dhe reagimin ndaj çdo forme dhune ose aktiviteti tjetër kriminal apo prishjeje të rendit e të sigurisë publike të kryer në lidhje me një veprimtari sportive, brenda ose jashtë një mjedisi sportiv;
c) “Mjedis sportiv”, një hapësirë e mbuluar ose jo, e rrethuar ose jo, e destinuar për organizimin e veprimtarive sportive, si lojëra sportive, gara sportive, palestra sportive ose fitness-i apo e përdorur përkohësisht për organizimin e veprimtarive sportive promocionale, lojërave zbavitëse dhe veprimtarive sportive rekreative;
ç) “Oficeri ndërlidhës për tifozët”, personi që vepron si pika kryesore e kontaktit për tifozët e një organizate sportive;
d) “Organizatori i veprimtarisë sportive”, një ose disa organizata sportive ose entitete të tjera, përgjegjëse për organizimin e një veprimtarie sportive;
dh) “Personeli i sigurisë”, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Policisë Bashkiake dhe të sigurisë private, të angazhuar me ruajtjen e rendit e të sigurisë publike në një veprimtari sportive;
e) “Punonjës sigurie”, një individ i trajnuar, i cili ushtron funksionet e përcaktuara të mbrojtjes e të sigurisë në mjedisin sportiv dhe përreth tij;
ë) “Qasje e integruar”, qasja, që, pavarësisht nga qëllimi i tyre kryesor, masat e rendit, sigurisë dhe shërbimit në veprimtaritë sportive janë të ndërlidhura, në kuptimin e ndikimit, dhe të balancuara e nuk mund të projektohen dhe të zbatohen të izoluara;
f) “Sistemi i adresimit të publikut”, një sistem elektronik i altoparlantëve, i aftë për të komunikuar në çast mesazhe të qarta për të gjithë tifozët e pjesëmarrësit;
g) “Sistemi i kamerave me qark të mbyllur”, sistemi me kamera fikse me lëvizje horizontale dhe vertikale për monitorimin e tifozëve, të rrugëve, të hyrjeve dhe të zonave të shikimit brenda mjedisit sportiv.

KREU II
PËRGJEGJËSITË PËR RUAJTJEN E SIGURISË NË VEPRIMTARITË SPORTIVE

Neni 3
Detyrat e federatave shqiptare sportive

1. Federata shqiptare e një sporti të caktuar, për organizimin e veprimtarive zyrtare me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë, merr masa për parandalimin e dhunës, si dhe promovon fair-play-n e tolerancën.

2. Federata shqiptare e një sporti të caktuar harton rregulloren me masat e sigurisë, përgjegjësitë dhe mënyrat e ruajtjes së sigurisë në veprimtaritë sportive zyrtare, kombëtare dhe ndërkombëtare, që zhvillohen prej saj apo prej organizatave sportive, anëtare të saj, në përputhje me kategorinë e veprimtarisë sportive.

3. Rregullorja, sipas pikës 2, të këtij neni, miratohet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe është e detyrueshme për zbatim nga organizatat sportive, anëtare të federatës.

4. Federata shqiptare e një sporti të caktuar duhet të njoftojë ministrinë përgjegjëse për sportin, Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga miratimi i rregullores, sipas përcaktimeve të këtij neni.

Neni 4
Kategorizimi i veprimtarive sportive

Referuar rëndësisë dhe nivelit të vështirësisë në organizimin dhe në administrimin e tyre, veprimtaritë sportive kategorizohen, si më poshtë vijon:

a) Kategoria 1, veprimtaria sportive ndërkombëtare, ku parashikohet pjesëmarrje masive e tifozëve dhe e pjesëmarrësve e me ndikim të madh, si dhe çdo veprimtari tjetër sportive, që klasifikohet nga organizatorët, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, si veprimtari me risk të lartë;
b) Kategoria 2, veprimtaria sportive ndërkombëtare, ku parashikohet pjesëmarrje masive e tifozëve dhe e pjesëmarrësve e me ndikim rajonal apo më gjerë, apo veprimtari sportive kombëtare, ku parashikohet pjesëmarrje masive e tifozëve, e cila, nga organizatorët, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, klasifikohet si veprimtari me risk të mesëm;
c) Kategoria 3, veprimtaria sportive kombëtare me pjesëmarrje të vogël tifozësh, e cila, nga organizatorët, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, klasifikohet si veprimtari me risk të ulët;
ç) Kategoria 4, veprimtaria sportive lokale me pjesëmarrje të sportistëve të moshave të vogla, e cila, nga organizatorët, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, klasifikohet si veprimtari me risk të ulët.

Neni 5
Oficeri i sigurisë

Për veprimtaritë sportive të kategorive 1 dhe 2 merren masat e mëposhtme për ruajtjen e sigurisë:

a) Organizatori i veprimtarisë sportive cakton oficerin e sigurisë, sipas kritereve të përcaktuara në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, i cili është:

i. oficeri i sigurisë i organizatës sportive, organizatore e veprimtarisë sportive;
ii. oficeri i sigurisë i mjedisit sportiv.

b) Oficeri i sigurisë:

i. mban kontakte me autoritetet e Policisë së Shtetit, shërbimet mjekësore dhe oficerin ndërlidhës për tifozët;
ii. përgjigjet për vlerësimin dhe raportimin tek organizatori i veprimtarisë sportive, duke marrë masa që ata të mos ndikojnë në sigurinë e veprimtarisë;
iii. përgjigjet për vlerësimin dhe adresimin e rreziqeve, si dhe për marrjen e masave në koordinim me Policinë e Shtetit, shërbimet e emergjencës, autoritetet publike dhe çdo subjekt tjetër të përfshirë në menaxhimin e ngjarjes;
iv. zhvillon, zbaton e rishikon politikat dhe procedurat e mbrojtjes e të sigurisë, duke përfshirë menaxhimin dhe planifikimin e rreziqeve;
v. menaxhon operacionet e mbrojtjes e të sigurisë në veprimtarinë sportive;
vi. në bashkëpunim me organizatorin e veprimtarisë sportive, siguron që infrastruktura, sistemet dhe pajisjet e mjedisit sportiv të jenë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë sportive.

Neni 6
Bashkëpunimi me autoritetet publike

1. Organizatori i veprimtarisë sportive është përgjegjës për ndërlidhjen me autoritetet publike në territorin, ku organizohet veprimtaria sportive, për të siguruar bashkëpunimin e koordinimin me to në zbatimin e masave.

2. Në bashkëpunim me autoritetet publike, organizatori i veprimtarisë sportive përfshin procedura të qarta për çështje, që ndikojnë në menaxhimin e turmës dhe rreziqet e mbrojtjes e të sigurisë, në veçanti, të përdorimit të lëndëve piroteknike, të sjelljeve të dhunshme, raciste ose diskriminuese, në përputhje me legjislacionin.

3. Administratorët e mjediseve sportive marrin masa për caktimin e një ambienti të përshtatshëm për drejtuesit e njësisë policore për monitorimin e situatës së rendit e të sigurisë në mjedisin sportiv.

Neni 7
Detyrimi për informim

1. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1, 2 dhe 3 njofton zyrtarisht Policinë e Shtetit për kalendarin e veprimtarive sportive para nisjes së sezonit sportiv, si dhe për çdo ndryshim të bërë gjatë sezonit.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1, 2 dhe 3 është i detyruar të njoftojë me shkrim Policinë e Shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore, të paktën 7 (shtatë) ditë kalendarike përpara zhvillimit të saj, me qëllim planifikimin e të gjitha masave të nevojshme të sigurisë për mbarëvajtjen e saj për:

a) vendin, datën dhe orën e organizimit të veprimtarisë;
b) numrin e tifozëve, që priten të marrin pjesë;
c) kontaktet e nevojshme të zyrtarëve të veprimtarisë, të oficerit të sigurisë apo informacione të tjera të dobishme;
ç) shërbimin privat të sigurisë fizike (SHPSF), policinë bashkiake apo shoqatën e vullnetarëve, agjenci të specializuara të shërbimit të kontraktuara për marrjen e masave të sigurisë dhe të shërbimit në mjediset sportive, si dhe numrin e punonjësve të saj, që do aktivizohen në rolin e personelit të sigurisë, përpara, gjatë dhe pas veprimtarisë sportive;
d) vendimet e marra nga komisionet përkatëse të federatës, nëse ka të tilla, për shkeljet e konstatuara lidhur me veprimtarinë sportive.

3. Organizatori i veprimtarisë sportive njofton e merr masa për pjesëmarrjen në veprimtari të subjekteve të tjera, si:

a) shërbimi i ndihmës së parë, urgjenca mjekësore dhe Kryqi i Kuq;
b) SHPSF-ja, kontraktuar për mbulimin e shërbimit të sigurisë, apo policia bashkiake;
c) struktura e operatorit publik të energjisë elektrike për masat në sigurimin e rrymës elektrike në mjedisin sportiv.

4. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1 dhe 2, përveç subjekteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, njofton për pjesëmarrjen në veprimtari edhe Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

5. Policia bashkiake apo SHPSF-ja, e kontraktuar nga organizatori i veprimtarisë sportive për mbulimin e shërbimit të sigurisë, njofton zyrtarisht Policinë e Shtetit:

a) 5 (pesë) ditë para organizimit të veprimtarisë sportive për:

i. marrjen përsipër të ofrimit të shërbimeve të sigurisë përpara, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes;
ii. kontratën e nënshkruar me organizatorin e veprimtarisë, si dhe numrin e punonjësve, që do të angazhohen me shërbim;
iii. planin e dislokimit të punonjësve të sigurisë, brenda dhe jashtë mjedisit sportiv.

b) për incidentet e ndodhura gjatë kryerjes së shërbimit.

6. Policia e Shtetit informon zyrtarisht organizatorin e veprimtarisë sportive për:

a) masat e marra për garantimin e sigurisë së veprimtarisë;
b) personat e kontaktit në strukturat qendrore apo vendore të Policisë së Shtetit:
c) problemet e mangësitë e konstatuara;
ç) masat administrative të marra ndaj tifozëve apo gruptifozëve për shkeljet e ndryshme të konstatuara.

7. Policia e Shtetit mund të informojë organizatorin e veprimtarisë sportive të një sporti të caktuar mbi bazën e kërkesës me shkrim, për procedimet penale ndaj personave që janë në proces hetimi ose gjykimi apo që janë dënuar për veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal lidhur me veprimtaritë sportive të atij sporti.

Neni 8
Identifikimi i personave përgjegjës dhe inspektimi i mjedisit sportiv

Organizatori i veprimtarisë sportive:

a) identifikon punonjësin e Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, dhe zyrtarin e mbrojtjes e të sigurisë;
b) identifikon të gjithë individët e tjerë përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë, shërbimet mjekësore dhe zjarrfikëset;
c) siguron që mjedisi sportiv i veprimtarisë të inspektohet imtësisht dhe të jetë lëshuar një certifikatë sigurie nga autoriteti përgjegjës. Certifikata e sigurisë të jetë e vlefshme para datës së veprimtarisë sportive dhe vendoset në dispozicion të federatës kombëtare ose ndërkombëtare, sipas kërkesës dhe kategorisë së veprimtarisë sportive.

Neni 9
Koordinimi i personelit të sigurisë

1. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1 dhe 2 dhe punonjësi i Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, bien dakord për strukturën e komandës e të kontrollit për veprimtarinë sportive dhe sigurojnë që ajo të jetë e dokumentuar, duke përshkruar rrethanat, kur kontrolli i mjedisit sportiv transferohet nga organizatori i veprimtarisë sportive te Policia e Shtetit.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive siguron që të ketë punonjës sigurie dhe/ose vullnetarë, për të garantuar sigurinë e tifozëve dhe të pjesëmarrësve në veprimtarinë sportive brenda mjedisit sportiv dhe të publikut në ambientet rrethuese në afërsi.

3. Policia e Shtetit është në dispozicion për të mbështetur punonjësit e sigurisë dhe SHPSF-në, për të përballuar shpërthimin e dhunës ose prishjen e rendit.

Neni 10
Grupi i menaxhimit të sigurisë së veprimtarisë sportive (GMSVS)

1. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1 dhe 2 krijon GMSVS-në, që përfshin:

a) një zyrtar të lartë, i cili vepron në emër të organizatorit të veprimtarisë sportive;
b) një përfaqësues të lartë nga:

i. çdo autoritet publik apo përfaqësues të agjencive, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin;
ii. punonjës të sigurisë (SHPSF, polici bashkiake apo vullnetarë);
iii. pronari apo administratori i mjedisit sportiv;
iv. ekipet pjesëmarrëse në veprimtari.

c) oficerin e sigurisë së organizatorit të veprimtarisë sportive apo të mjedisit sportiv;
ç) delegatin e organizatës sportive ndërkombëtare të sportit përkatës, nëse ka;
d) oficerin e sigurisë së organizatës sportive ndërkombëtare të sportit përkatës, nëse ka.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive identifikon një vend të përshtatshëm takimi brenda mjedisit sportiv, ku grupi takohet në rast të një incidenti të rëndë apo emergjence.

3. Anëtarët e GMSVS-së thirren për takim, nëpërmjet një shenje apo thirrjeje të shkurtër, të koduar, e cila transmetohet nëpërmjet sistemit të adresimit të publikut.

4. Organizatori i veprimtarisë sportive siguron që anëtarët e GMSVS-së të jenë në gjendje të komunikojnë lirisht me telefon ose radio me dhomën e kontrollit të mjedisit sportiv apo me një vend tjetër, ku zhvillohet takimi i GMSVS-së.

KREU III
MËNYRAT DHE MASAT PËR RUAJTJEN E SIGURISË NË VEPRIMTARITË SPORTIVE

Neni 11
Strategjia dhe planifikimi i ndarjes së tifozëve dhe e shpërndarjes së turmave

1. Në një veprimtari sportive, ku tifozët janë të veçuar, nga organizatori i veprimtarisë sportive, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe/ose oficerin e sigurisë, hartohet një strategji e ndarjes. Nëse është e nevojshme, kjo strategji përfshin, gjithashtu, një strategji parkimi për grupe të ndryshme tifozësh.

2. Strategjia e shpërndarjes së turmës në fund të veprimtarisë diskutohet në takimin organizativ mëngjesin para veprimtarisë.

3. Numri dhe kualifikimet e ofruesve të ndihmës të parë, të caktuar për të ofruar trajtim të ndihmës së parë për tifozët, miratohet nga autoritetet publike përkatëse, të cilat përcaktojnë gjithashtu numrin e ambulancave, që do të jenë në vend gjatë veprimtarisë sportive.

4. Ofruesit e ndihmës së parë duhet të dallohen lehtësisht.

5. Për Policinë e Shtetit, shërbimin mjekësor dhe zjarrfikëset, në përputhje me kërkesat e autoriteteve publike, duhet të ofrohen dhoma dhe ambiente të përshtatshme brenda e përreth mjedisit sportiv.

Neni 12
Informacionet për të gjithë tifozët

Organizatori i veprimtarisë sportive ofron informacionin e mëposhtëm për të gjithë tifozët:

a) orën e hapjes së mjedisit sportiv, ku zhvillohet veprimtaria;
b) hartën e mjedisit sportiv, brenda dhe përreth tij, duke përfshirë rrugët e hyrjes, vendparkimet, ndalesat e transportit publik dhe vendndodhjen e sektorëve të shikimit;
c) rregulloret bazë të mjedisit sportiv, duke përfshirë ndalimin e:

i. hyrjes në to nën efektin e alkoolit;
ii. zotërimit e të përdorimit të lëndëve piroteknike dhe të mjeteve ofenduese;
iii. sendeve dhe të lëndëve të ndaluara brenda mjedisit sportiv;
iv. hedhjes së ndonjë sendi;
v. hyrjes së paautorizuar në zonën e lojës;
vi. përdorimit të gjuhës raciste, homofobike, fyese dhe abuzive;
vii. qëndrimit në këmbë në një zonë me ulëse.

Neni 13
Informacionet për tifozët miq për veprimtaritë sportive ndërkombëtare

Për veprimtaritë zyrtare sportive ndërkombëtare në Shqipëri, organizatori i veprimtarisë i ofron, nëpërmjet faqes së tij në internet, klubit mik sa më shumë informacion që është e mundur, për t’ua shpërndarë tifozëve miq, duke përfshirë:

a) kërkesat për vizë, nëse ka;
b) kufizimet e importit doganor;
c) njësitë valutore dhe vlerat ekuivalente në monedhën vendase;
ç) distancat nga pikat e ndryshme të mbërritjes (aeroporti, stacioni, porti) deri në qendër të qytetit dhe deri te mjedisi sportiv, ku zhvillohet veprimtaria sportive;
d) adresën e pikës së kontaktit, në raste emergjence, dhe emrin e kontaktit të organizatorit të veprimtarisë sportive jashtë vendit;
dh) adresën dhe numrin e telefonit të ambasadës ose të konsullatës lokale;
e) hartën e mjedisit sportiv, brenda dhe rreth tij, që tregon sektorët e ndryshëm, rrugët e hyrjes nga qyteti dhe vendndodhjen e zonave të caktuara të parkimit;
ë) hollësitë e shërbimeve të transportit publik nga qendra e qytetit deri te mjedisi sportiv;
f) dispozitat specifike ligjore lidhur me sjelljen e gabuar në veprimtaritë sportive në shtetin pritës;
g) sendet e ndaluara brenda mjedisit sportiv;
gj) treguesit e çmimeve mesatare për ushqimin, tarifat e taksive dhe të transportit publik;
h) paralajmërimet e autoriteteve lokale për shëndetin, nëse ka.

Neni 14
Ekipi mik dhe tifozët, siguria e ekipit mik

1. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1 dhe 2 bën një vlerësim të rrezikut, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe, sa herë që nuk ofrohet shoqërimi nga Policia e Shtetit për lëvizjen e ekipeve dhe të zyrtarëve, arsyet duhet të regjistrohen në këtë vlerësim të rrezikut.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive kërkon bashkëpunimin e Policisë së Shtetit për të garantuar sigurinë e ekipit mik e të zyrtarëve të tij në hotelin e tyre dhe kur udhëtojnë për në vendin e trajnimit e të ndeshjes.

Neni 15
Udhëtimi i tifozëve miq

1. Organizatori i veprimtarisë sportive të kategorive 1 dhe 2 dhe federatat ose klubet e ekipeve pjesëmarrëse, pas vlerësimit të rrezikut dhe nëse këshillohet, marrin masa për të mos lejuar udhëtimin e tifozëve për ndjekjen e veprimtarisë sportive.

2. Për veprimtaritë sportive të kategorive 1 dhe 2, ku do të marrin pjesë tifozët e një klubi mik, ofrohen punonjës të sigurisë dhe oficerë ndërlidhës për tifozët nga klubi mik, për të shoqëruar e ndihmuar tifozët që udhëtojnë. Oficerët ndërlidhës për tifozët mundësojnë komunikimin për organizatorët e ndeshjes, autoritetet publike dhe tifozët. Punonjësit e sigurisë ndihmojnë tifozët gjatë udhëtimit të tyre nga vendi i nisjes drejt vendit ku do të organizohet veprimtaria sportive dhe anasjelltas. Numri i punonjësve të sigurisë të federatës ose të klubit pritës nuk duhet të ulet për shkak të pranisë së punonjësve të sigurisë të federatës ose klubit mik.

3. Numri i punonjësve të sigurisë që udhëtojnë duhet të jetë proporcional me numrin e tifozëve që udhëtojnë. Për çdo 500 (pesëqind) deri në 1 000 (një mijë) tifozë ofrohen 2 (dy) punonjës të sigurisë që udhëtojnë. Katër punonjës të tjerë të sigurisë që udhëtojnë ofrohen për çdo 1 000 (një mijë) tifozë shtesë ose më pak që do të udhëtojnë. Oficerët ndërlidhës për tifozët mund të përfshihen në numrin e përgjithshëm të punonjësve të sigurisë që udhëtojnë.

4. Kur federata ose klubi mik nuk i plotëson kërkesat e mësipërme për të ofruar punonjës të sigurisë që udhëtojnë, mund të vendoset si masë disiplinore një ulje e pjesshme, prej 5 (pesë) %, ose totale e numrit të biletave për ndeshjet e ardhshme, që përfshijnë federatën a klubin përkatës.

Neni 16
Bileta dhe të dhënat e mbajtësit të saj

1. Organizatori i veprimtarisë sportive mban të dhëna personale të personave, të cilëve u shiten ose u jepen biletat, ku përfshihen emri, data e lindjes dhe adresa.

2. Të dhënat personale, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, për veprimtaritë e kategorive 1 dhe 2, vihen në dispozicion, sipas kërkesës të Policisë së Shtetit, në vendin ku zhvillohet veprimtaria, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Kur biletat u ndahen palëve të treta për shpërndarje, duke përfshirë klubet e tifozëve, organizatori i ndeshjes, federata ose klubi përkatës sigurohen që këto palë të treta të mos u japin bileta marrësve, të cilët nuk kanë paraqitur dokumente identifikimi.

4. Kur pala, sipas përcaktimit të pikës 3, të këtij neni, nuk i plotëson kërkesat në lidhje me regjistrimin e të dhënave të mbajtësit dhe vënien në dispozicion të këtyre të dhënave, mund të vendoset si masë disiplinore një ulje e pjesshme, prej 5 (pesë) %, ose totale e numrit të biletave për ndeshjet e ardhshme që përfshijnë këtë palë.

5. Pala, sipas përcaktimit të pikës 3, të këtij neni, ofron të gjitha informacionet e mundshme për numrin e personave që besohet se po udhëtojnë për të ndjekur një ndeshje në vendin pritës, pa bileta. Informacioni ofrohet gjithashtu për kërkesën e mundshme për bileta nga tifozët e ekipit mik, që jetojnë në vendin pritës.

Neni 17
Hapja e portave të mjedisit sportiv për tifozët

Organizatori i veprimtarisë sportive, së bashku me punonjësin e Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, dhe oficerin e sigurisë vendosin orën kur hapen dyert e mjedisit sportiv për tifozët, duke marrë parasysh kriteret e mëposhtme:

a) Kapacitetin e hyrjes, i cili përcaktohet nga numri maksimal i tifozëve, që mund të hyjnë në mënyrë të sigurt në mjedisin sportiv në një periudhë njëorëshe, në bazë të normës së hyrjes ose të rrjedhës së kalimit në pajisjen rrotulluese, për mjedisin sportiv në tërësi dhe për secilin sektor të mjedisit sportiv në veçanti;
b) Numrin e parashikuar të tifozëve dhe kapacitetin e përgjithshëm maksimal të sigurt të mjedisit sportiv;
c) Strategjinë e ndarjes jashtë mjedisit sportiv.

Neni 18
Kontrolli i mjedisit sportiv dhe ndalimi i hyrjes në të

1. Organizatori i veprimtarisë sportive sigurohet që:

a) mjedisi sportiv të ruhet nga ndërhyrja e paautorizuar për një periudhë të përshtatshme para ditës së veprimtarisë sportive. Kjo periudhë përcaktohet në përputhje me vlerësimin e përgjithshëm të rrezikut të ndërmarrë për veprimtarinë nga organizatori i saj dhe autoritetet publike;
b) të kryhet një kontroll i hollësishëm i sigurisë në mjedisin sportiv për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të pranohen tifozët.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive bashkëpunon me njësinë e Policisë së Shtetit për t’u siguruar që çdo personi që i ndalohet hyrja në mjedisin sportiv për ndonjë nga arsyet e parashikuara nga ligji, sipas vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë komisariatit të Policisë së Shtetit, nën juridiksionin e të cilit zhvillohet veprimtaria sportive, ku është konstatuar kundërvajtja, ose që është dëbuar nga mjedisi sportiv, të mos pranohet ose ripranohet, dhe që personi të mbahet larg nga mjedisi sportiv gjatë zhvillimit të veprimtarisë sportive.

Neni 19
Tabelat treguese

Kur sistemi i biletave është i koduar me ngjyra, që përputhet me paraqitjen e sektorit, ngjyrat e duhura duhet të shfaqen në të gjitha tabelat treguese që drejtojnë tifozët në sektorë të ndryshëm të mjedisit sportiv.

Neni 20
Ndarja e tifozëve

1. Nëse kërkohet nga rrethanat, ndarja e grupeve të ndryshme të tifozëve fillon sa më larg që të jetë e mundur nga mjedisi sportiv, për t’u mbrojtur nga përzierja e padëshirueshme e tyre në hyrjet e mjedisit sportiv ose në zonat e pajisjeve rrotulluese, për kalimin e vetëm një personi.

2. Për grupet e ndryshme të tifozëve sigurohen vendparkime të ndara për makinat dhe autobusët, mundësisht në anë të ndryshme të mjedisit sportiv dhe sa më afër sektorëve të tyre përkatës të shikimit.

Neni 21
Rrugët e kalimit dhe kufizimi i lëvizjes së tifozëve

1. Organizatori i veprimtarisë sportive merr masa për të siguruar që të gjitha rrugët e kalimit të tifozëve, korridoret, shkallët, dyert, portat dhe rrugët e daljes në raste emergjente të jenë të lira nga çdo pengesë, e cila mund të pengojë kalimin e lirë të tyre.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive merr masa për t’u siguruar që tifozët të mos lëvizin nga njëri sektor në tjetrin.

3. Nëse është e nevojshme prania e më shumë se një grupi tifozësh në një sektor të veçantë, vendoset një ndarje ndërmjet tyre me anë të një barriere të kontrolluar nga personeli i sigurisë ose duke krijuar një “zonë të ndaluar”, pa tifozë, ku qëndron vetëm personeli i sigurisë.

Neni 22
Dyert dhe portat e mjediseve sportive të mbyllura

Organizatori i veprimtarisë sportive merr masa për të siguruar që:

a) dyert dhe portat e daljes së mjediseve sportive të mbyllura, si dhe portat që lidhin zonat e tifozëve me zonën e zhvillimit të veprimtarisë sportive të jenë të shkyçura ndërkohë që ata janë në mjedis sportiv;
b) në secilën prej dyerve a portave qëndron në çdo moment një punonjës i sigurisë i caktuar posaçërisht për të siguruar rrugë të menjëhershme evakuimi në raste emergjente;
c) në rastin e dyerve të daljes dhe të portave rrethuese, që kontrollohen e hapen nga distanca me mjete elektronike ose magnetike, kontrolli i funksionimit të këtij mekanizmi duhet të vendoset në dhomën e kontrollit. Sistemi i hapjes në distancë testohet para çdo veprimtarie sportive.

Neni 23
Prania e personelit të sigurisë

1. Personeli i sigurisë, ofruesit e ndihmës së parë, personeli i shërbimit mjekësor dhe personeli i zjarrfikësve, si dhe njoftuesit e adresimeve për publikun janë në pozicionet e tyre të caktuara brenda dhe rreth mjedisit sportiv, përpara se mjedisi sportiv të hapet për tifozët, dhe qëndrojnë në këto pozicione gjatë gjithë kohës që tifozët janë në stadium e derisa turma të jetë shpërndarë, në përputhje me udhëzimet e punonjësit të Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, ose të oficerit të sigurisë.

2. Pajisjet rrotulluese, dyert dhe portat e hyrje-daljes janë operacionale dhe monitorohen nga personeli i sigurisë.

3. Personeli i sigurisë është i disponueshëm në hyrjet e mjedisit sportiv, te pajisjet rrotulluese dhe në brendësinë e mjedisit sportiv, sipas vlerësimit të oficerit të sigurisë.

4. Personeli i sigurisë është në detyrë brenda mjedisit sportiv për t’u siguruar që tifozët të drejtohen në vendet e tyre pa vonesa dhe konfuzion.

5. Personeli i sigurisë njeh planimetrinë e mjedisit sportiv dhe procedurat e sigurisë, të emergjencës e të evakuimit.

Neni 24
Kontrolli i tifozëve

1. Tifozët kontrollohen fillimisht nga personeli i sigurisë në gardhin e perimetrit të jashtëm, nëse ka një të tillë, ose në kordonin e jashtëm të krijuar nga personeli i sigurisë në rastin e mjediseve, që nuk kanë një gardh të jashtëm rrethues, për t’u siguruar që vetëm mbajtësit e biletave të afrohen te pajisjet rrotulluese dhe për të bërë kontrollet e para për të parandaluar futjen e objekteve apo të lëndëve të ndaluara në mjedisin sportiv.

2. Kontrollet dhe kërkimet përfundimtare kryhen nga personeli i sigurisë jashtë pajisjeve rrotulluese për t’u siguruar që:

a) tifozët të hyjnë në pjesën e duhur të mjedisit sportiv;
b) tifozët të mos sjellin në mjedisin sportiv pije alkoolike, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike dhe sende të tjera të forta, të rrezikshme për jetën e shëndetin e pjesëmarrësve, që ka të ngjarë të përdoren në akte dhune;
c) hyrja është e ndaluar për personat e njohur a të mundshëm që cenojnë rendin e sigurinë ose personat që janë nën ndikimin e alkoolit apo të lëndëve narkotike.

3. Çdo tifoz kontrollohet nga një anëtar i personelit të sigurisë i së njëjtës gjini.

Neni 25
Mbrojtja e zonës së zhvillimit të veprimtarisë sportive

1. Organizatori i veprimtarisë sportive siguron që sportistët e zyrtarët e veprimtarisë sportive të mbrohen nga ndërhyrja e tifozëve në zonën e zhvillimit të veprimtarisë sportive.

2. Organizatori i veprimtarisë sportive siguron që zona e zhvillimit të veprimtarisë sportive të mbrohet nga ndërhyrja e tifozëve në të.

Neni 26
Dhoma e kontrollit të mjedisit sportiv

1. Organizatori i veprimtarisë sportive, në përputhje me standardet e përcaktuara në rregulloren e federatës ndërkombëtare të sportit përkatës, siguron një qasje të integruar për mbrojtjen, sigurinë dhe shërbimet me anë të dhomës së kontrollit të mjedisit sportiv, sistemit të kamerave me qark të mbyllur dhe sistemeve të monitorimit e të komunikimit.

2. Oficeri i mbrojtjes dhe i sigurisë, punonjësi i Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, dhe përfaqësuesit e shërbimeve të tjera mjekësore vendosen në dhomën e kontrollit për të reaguar ndaj incidenteve në mjedisin sportiv dhe rreth tij.

3. Sistemi i kamerave me qark të mbyllur i mjedisit sportiv përdoret nga punonjësi i Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, dhe oficeri i mbrojtjes dhe sigurisë, për të monitoruar tifozët, rrugët e hyrjet në mjedis sportiv, si dhe zonat e shikimit brenda tyre.

4. Në rastin e mjediseve sportive të kategorive 1 dhe 2, ku nuk ka dhomë kontrolli, planet duhet të jenë në dispozicion në një vend të paracaktuar brenda mjedisit sportiv.

Neni 27
Përsëritjet në ekranet gjigante

Organizatori i veprimtarisë sportive siguron që imazhet, të cilat shfaqen gjatë veprimtarisë në ekranin gjigant të mjedisit sportiv, nuk nxisin ndonjë formë të prishjes së rendit dhe të sigurisë. Imazhet e shfaqura duhet të respektojnë parimet e fair-play-t dhe nuk duhet të jenë me zë.

Neni 28
Sistemi i adresimit të publikut

1. Sistemi i adresimit të publikut të mjedisit sportiv duhet të dëgjohet qartë, brenda dhe jashtë mjedisit sportiv, në të gjitha rrethanat, duke marrë parasysh veçanërisht zhurmën e tepërt të turmës.

2. Folësit e trajnuar për të përkthyer në gjuhë të huaj, për tifozët miq të huaj, duhet të jenë të disponueshëm kur kërkohet. Nëse është e mundur, flet një spiker, zëri i të cilit është i njohur për tifozët, që vizitojnë mjedisin sportiv në vendin e tyre.

3. Njoftimet që jepen nëpërmjet sistemit të adresimit të publikut kanë karakter neutral dhe nuk përdoren për:

a) përhapjen e mesazheve politike;
b) mbështetjen e ekipit vendas;
c) diskriminimin ndaj ekipit mik.

Neni 29
Sendet e palejuara në mjediset sportive

1. Ndalohen mbajtja dhe përdorimi në objektet e mjediset sportive dhe gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive i fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera, të rrezikshme për jetën e shëndetin e pjesëmarrësve, i armëve të të gjitha llojeve, si edhe përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike.

2. Pijet joalkoolike, të cilat shiten apo shpërndahen, të shërbehen në enë letre ose plastike të hapura, që nuk mund të përdoren në mënyrë të rrezikshme.

Neni 30
Veprimet politike

Promovimi a njoftimi, me çdo lloj mjeti, i mesazheve politike ose i ndonjë veprimi tjetër politik, brenda dhe në afërsi të mjedisit sportiv, është i ndaluar para, gjatë dhe pas veprimtarisë sportive.

Neni 31
Veprimet provokuese dhe racizmi

1. Organizatori i veprimtarisë sportive, së bashku me punonjësin e Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, dhe oficerin e mbrojtjes e të sigurisë, parandalon çdo veprim provokues, që ndërmerret nga tifozët brenda ose në afërsi të mjedisit sportiv, sa i përket provokimit verbal nga tifozët ndaj lojtarëve a tifozëve kundërshtarë, në nivele të papranueshme, sjellje raciste dhe përdorimit të mjeteve ofendues

2. Organizatori i veprimtarisë sportive, punonjësi i Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, dhe oficeri i mbrojtjes e sigurisë ndërhyjnë nëpërmjet sistemit të adresimit të publikut ose drejtpërdrejt, në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni.

Neni 32
Mbajtja e tifozëve në stadium

Punonjësi i Policisë së Shtetit, përgjegjës për veprimtarinë sportive, ose oficeri i mbrojtjes e sigurisë vendos që, për arsye sigurie, një grup tifozësh duhet të mbahet brenda mjedisit sportiv, ndërsa tifozët e tjerë të shpërndahen. Sa herë që është e mundur, ky vendim i komunikohet federatës ose klubit mik paraprakisht, në mënyrë që informacioni të mund të përcillet te tifozët e tyre. Në çdo rast:

a) vendimi për të mbajtur një grup tifozësh duhet të shpallet nëpërmjet sistemit të adresimit të publikut në gjuhën e grupit të tifozëve, të cilit i drejtohet;
b) njoftimi duhet të përsëritet pak para përfundimit të ndeshjes;
c) ata duhet të informohen rregullisht për kohën që mund t’u duhet të presin para se të lejohen të largohen nga mjedisi sportiv.

KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 33
Monitorimi i masave

Ministria përgjegjëse për sportin monitoron realizimin e masave për parandalimin e dhunës në veprimtaritë sportive nga organizatat sportive, sipas përcaktimeve në këtë vendim.

Neni 34
Organet zbatuese

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat sportive shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.

Neni 35
Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. FUAT VJERDHA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Fuat Vjerdha, në masën 3 000 000 (tre milionë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.737, DATË 17.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ADMINISTRIMIN E FONDIT KOMBËTAR TË KUJDESIT TË TRASHËGIMISË KULTURORE MATERIALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.737, datë 17.9.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Struktura kryen këto funksione:

a) Harton dhe propozon drejtimet kryesore, në përputhje me pikën 3, të këtij vendimi;
b) Propozon shpalljen publike të thirrjes, duke përcaktuar procedurat e aplikimit si dhe kriteret e vlerësimit për administrimin e Fondit në bazë të programit e të llojit të financimit;
c) Ndjek dhe zbaton procedurat e administrimit të thirrjes për aplikime;
ç) Harton dokumentacionin e nevojshëm dhe kontratën e lidhur me përfituesin e projektit;
d) Harton raportet financiare dhe administron programin financiar të Fondit, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm;
dh) Harton raportin vjetor për përdorimin e Fondit, në bashkëpunim me drejtorinë përgjegjëse për buxhetin, pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
e) Monitoron zbatimin e projekteve të financuara nga Fondi;
ë) Mbledh të dhëna, harton statistika dhe informacione lidhur me përdorimin e Fondit;
f) Kryen dhe detyra të tjera të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, sipas shkronjës “d”, të nenit 264, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.”.

b) Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:

“7/1. Deri në miratimin e strukturës përgjegjëse për administrimin e të ardhurave të Fondit, krijohet një strukturë ad hoc për administrimin e Fondit, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.”.

2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT NGA AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KREDIVE TEK AUTORITETI I MBIKËQYRJES FINANCIARE, TË PASURISË NR.7/115, ZONA KADASTRALE 8270, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.20, DATË 19.1.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin e përgjegjësisë së administrimit nga Agjencia e Trajtimit të Kredive tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të pasurisë nr.7/115, zona kadastrale 8270, me sipërfaqe truall 824 (tetëqind e njëzet e katër) m2, me sipërfaqe të katit përdhes 314,4 (treqind e katërmbëdhjetë presje katër) m2 dhe me sipërfaqe bodrumi 72,3 (shtatëdhjetë e dy presje tre) m2, sipas formularit, planrilevimit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për ushtrimin e funksioneve administrative.

2. Agjencia e Trajtimit të Kredive ruan të drejtën e përdorimit të pasurisë, sipas pikës 1, të këtij vendimi, për një periudhë jo më shumë se 3 (tre) muaj, deri në sistemimin e saj në një ambient tjetër të përshtatshëm për ushtrimin e veprimtarisë shtetërore, me kushtin që të mos e ndryshojë destinacionin dhe të mos rëndojë pronën me barrë.

3. Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pas marrjes në dorëzim të pronës, i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Pika 1, e vendimit nr.20, datë 19.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve në ndërtesën e Degës së Tatimeve, Tiranë, nga kjo degë tek Agjencia e Trajtimit të Kredive dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dhe për një ndryshim në vendimin nr.818, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve””, shfuqizohet.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Trajtimit të Kredive, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2022-2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2022-2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR FUNKSIONIMIN E PËRBASHKËT TË SPITALIT RAJONAL “MEMORIAL” NË FIER, GJATË FAZËS KALIMTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkët të spitalit rajonal “Memorial” në Fier, gjatë fazës kalimtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE TË KANDIDATURAVE PËR KRYETAR DHE ANËTARË TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 25, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave të detajuara për procedurën përzgjedhëse të kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik për garantimin e profesionalizmit e të transparencës gjatë përzgjedhjes, mbështetur në kritere profesionale, për të përmbushur detyrat e përcaktuara në ligjin për prokurimin publik.

2. Përzgjedhja e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik kryhet nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura të konkurrimit, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.

3. Procedura përzgjedhëse për kandidaturat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik zhvillohet nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe në përputhje me pikën 3, të nenit 25, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”.

4. Me marrjen e njoftimit nga Kuvendi për krijimin e vendeve vakante, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre një komision ad hoc, të përbërë nga 3 (tre) anëtarë, nga të cilët një përfaqësues i Kryeministrisë, një përfaqësues i Departamentit të Administratës Publike dhe një përfaqësues i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

5. Anëtari i komisionit ad hoc zgjidhet midis personave, që plotësojnë këto kritere:

a) Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave” ose të barasvlefshme me të;
b) Për anëtarin përfaqësues të Kryeministrisë dhe të Departamentit të Administratës Publike, të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në nivel jo më të ulët se niveli i mesëm drejtues dhe/ose të ketë njohuri në fushën e prokurimeve;
c) Për anëtarin përfaqësues të Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune;
ç) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
d) Të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tri) vitet pararendëse nga data e emërimit;
dh) Të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) Të mos ketë masë disiplinore të largimit nga puna që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi.

6. Thirrja për aplikim publikohet në faqen e internetit të Kryeministrisë dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike për të paktën 2 (dy) javë. Njoftimi përmban:

a) kriteret e përgjithshme, që duhet të përmbushin kandidaturat, sipas parashikimeve të nenit 26, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”;
b) listën e dokumenteve që duhen paraqitur;
c) afatin e fundit dhe adresën, ku duhet të paraqiten aplikimet;
ç) mënyrën e njoftimit/komunikimit me aplikantët.

7. Komisioni ad hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bazuar në jetëshkrimin e kandidatëve dhe në intervistën e tyre me gojë. Nëse numri i kandidaturave të paraqitura është i lartë, atëherë vlerësimi i tyre nga komisioni mund të zgjatet, por jo më shumë se 20 (njëzet) ditë kalendarike.

8. Fillimisht, komisioni ad hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e dokumenteve të paraqitura nga aplikantët, për të parë nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 26, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”. Në përfundim të procesit të vlerësimit, komisioni ad hoc përgatit listën me emrat e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar dhe ia përcjell zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për t’i njoftuar ata brenda 2 (dy) ditëve.

9. Komisioni ad hoc i përzgjedhjes vazhdon me vlerësimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 26, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”. Vlerësimi maksimal është 100 pikë. Vlerësimi i kandidatëve bëhet sipas një procedure që përfshin pikët maksimale për secilën nga fazat e mëposhtme:

a) Vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, të përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, deri në 70 pikë, sipas pikës 11, të këtij vendimi;
b) Intervistën e strukturuar me gojë, deri në 30 pikë.

10. Çdo anëtar i komisionit ad hoc të përzgjedhjes jep vlerësimin e tij individual për secilin kandidat. Vlerësimi përfundimtar për kandidatin llogaritet si mesatare e pikëve të vendosura nga secili prej anëtarëve.

11. Metoda e vlerësimit të jetëshkrimit të kandidatëve të jetë, si më poshtë vijon:

11.1. Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili do të kryhet në bazë të:

a) diplomës së ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave” ose të barasvlefshme me të në:

i. drejtësi: 10 pikë;
ii. inxhinieri, ekonomik: 8 pikë;
iii. gradë shkencore, titull akademik: nga 2 deri në 5 pikë shtesë;
iv. certifikata apo kualifikime të tjera: 3 deri në 10 pikë.

b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:

i. përvojës mbi 8 (tetë) vjet: nga 2-5 pikë shtesë;
ii. përvojës në pozicione drejtuese: nga 2-5 pikë shtesë;
iii. përvojës si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.

c) Përvojës në prokurime, që duhet të jetë 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:

i. mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;
ii. 5-10 vjet: 5 pikë shtesë;
iii. mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.

11.2. Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, që do të kryhet në bazë të:

a) diplomës së ciklit të dytë të studime “Master i shkencave” ose të barasvlefshme me të, në drejtësi: 10 pikë, si dhe:

i. gradë shkencore, titull akademik: deri në 3 pikë shtesë;
ii. për certifikatën apo kualifikimet e tjera: deri në 3 pikë shtesë.

b) Përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:

i. mbi 8 (tetë) vjet përvojë pune: 2 pikë shtesë;
ii. përvojës si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.

c) Përvojës në pozicione drejtuese, 2 (dy) vjet: 10 pikë, si dhe:

i. përvojës në nivelin e lartë drejtues (TND): 2 pikë shtesë;
ii. përvojës mbi 2 vjet: nga 2 deri në 5 pikë shtesë.

ç) Përvojës në prokurime, 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:

i. mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;
ii. 5-10 vjet: 5 pikë shtesë;
iii. mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.

12. Në përfundim të vlerësimit, komisioni ad hoc i përzgjedhjes rendit kandidatët në bazë të pikëve të marra dhe ia dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave. Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar.

13. Vendimi nr.521, datë 20.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik”, të ndryshuar, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E EKOSISTEMEVE NATYRORE REZERVAT NATYROR I MENAXHUAR/PARK NATYROR (KATEGORIA IV), SI DHE MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT E TË SIPËRFAQEVE EKZISTUESE TË ZONAVE TË MBROJTURA MJEDISORE, QË I PËRKASIN KËSAJ KATEGORIE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 35 e 36, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Bredhi i Sotirës”, nga “monument natyror” (kategoria III e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 1 740 (një mijë e shtatëqind e dyzet) ha në 4 927.67 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë pikë gjashtëdhjetë e shtatë) ha, sipas aneksit nr.1, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e ndryshimit në sipërfaqe të ekosistemit natyror “Korab – Koritnik”, shpallur me status “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 55 550.2 (pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë pikë dy) ha në 53 850.00 (pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë) ha, sipas aneksit nr.2, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Liqeni i Ulzës”, nga “park natyror bashkiak” (kategoria IV/1) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 4 206 (katër mijë e dyqind e gjashtë) ha në 4 205.15 (katër mijë e dyqind e pesë pikë pesëmbëdhjetë) ha, sipas aneksit nr.3, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh” nga “peizazh i mbrojtur” (kategoria V e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 25 266.4 (njëzet e pesë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë katër) ha në 26 043.34 (njëzet e gjashtë mijë e dyzet e tre pikë tridhjetë e katër) ha, sipas aneksit nr.4, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

5. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Qafështamë” nga “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 2 000 (dy mijë) ha në 6 864.36 (gjashtë mjë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër pikë tridhjetë e gjashtë) ha, sipas aneksit nr.5, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

6. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Syri i Kaltër” nga “monument natyror” (kategoria III e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 180 (njëqind e tetëdhjetë) ha në 293.30 (dyqind e nëntëdhjetë e tre pikë tridhjetë) ha, sipas aneksit nr.6, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

7. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Zagori”, shpallur “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 24 590 (njëzet e katër mijë e pesëqind e nëntëdhjetë) ha në 24 607.63 (njëzet e katër mijë e gjashtëqind e shtatë pikë gjashtëdhjetë e tre) ha, sipas aneksit nr.7, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

8. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Balloll”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 330 (treqind e tridhjetë) ha në 323.3 (treqind e njëzet e tre pikë tre) ha, sipas aneksit nr.8, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

9. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Bogovë”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 330 (treqind e tridhjetë) ha në 342.1 (treqind e dyzet e dy pikë një) ha, sipas aneksit nr.9, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

10. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Bredhi i Kardhiqit” nga “rezervë strikte natyrore” (kategoria I e zonave të mbrojtura) në “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe 1 800 (një mijë e tetëqind) ha në 4 303.6 (katër mijë e treqind e tre pikë gjashtë) ha, sipas aneksit nr.10, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

11. Miratimin e ndryshimit të statusit të ekosistemit natyror “Bredhi i Zhulatit” nga “monument natyre” (kategoria III e zonave të mbrojtura) në “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe 936.2 (nëntëqind e tridhjetë e gjashtë pikë dy) ha, sipas aneksit nr.11, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

12. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Cangonj”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 250 (dyqind e pesëdhjetë) ha në 250.3 (dyqind e pesëdhjetë pikë tre) ha, sipas aneksit nr.12, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

13. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Dardhë – Xhyrë”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 400 (katërqind) ha në 400.3 (katërqind pikë tre) ha, sipas aneksit nr.13, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

14. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Gërmenj”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 430 (katërqind e tridhjetë) ha në 1 410 (një mijë e katërqind e dhjetë) ha, sipas aneksit nr.14, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

15. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Karaburun”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 2 000 (dy mijë) ha në 17 490.7 (shtatëmbëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë pikë shtatë) ha, sipas aneksit nr.15, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

16. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemeve natyrore “Kune – Vain – Tale dhe Patok – Fushëkuqe – Ishëm”, shpallur “rezevat natyror të menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 93 693.9 (nëntëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre pikë nëntë) ha në 8 092.3 (tetë mijë e nëntëdhjetë e dy pikë tre) ha, sipas aneksit nr.16, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

17. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror/ligatinor “Liqeni i Shkodrës”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 26 535 (njëzet e gjashtë mijë e pesëqind e tridhjetë e pesë) ha në 24 049.75 (njëzet e katër mijë e dyzet e nëntë pikë shtatëdhjetë e pesë) ha, sipas aneksit nr.17, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

18. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Polis”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 45 (dyzet e pesë) ha në 45.1 (dyzet e pesë pikë një) ha, sipas aneksit nr.18, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

19. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemeve natyrore “Stravaj dhe Sopot”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 700 (shtatëqind) ha në 1 548.9 (një mijë e pesëqind e dyzet e tetë pikë nëntë) ha, sipas aneksit nr.19, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

20. Shpalljen “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Lugina e Shalës”, me sipërfaqe 10 619.35 (dhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë pikë tridhjetë e pesë) ha, sipas aneksit nr.20, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

21. Shpalljen “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Lugina e lumit Vjosë”, me sipërfaqe 7 989.5 (shtatë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e nëntë pikë pesë) ha, sipas aneksit nr.21, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

22. Shpalljen “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Munellë”, me sipërfaqe 20 760.05 (njëzet mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë pikë zero pesë) ha, sipas aneksit nr.22, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

23. Shpalljen “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Lugina e Gjergjovicës”, me sipërfaqe 2 966.3 (dy mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë tre) ha, sipas aneksit nr.23, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

24. Pasuritë kulturore, qendra historike, ansamble historike, zona dhe parqe arkeologjike, monumente të kulturës dhe zonat e mbrojtura të tyre (që nuk janë pjesë e listës së miratuar të monumenteve të natyrës), të deklaruara si të tilla, që ndodhen brenda zonave të mbrojtura mjedisore, janë objekt i legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe administrimi i tyre bëhet nga institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

25. Parashikimet e akteve nënligjore të mëparshme, me të cilat janë shpallur zonat e mbrojtura të përcaktuara në dispozitat e këtij vendimi, zbatohen për aq sa nuk bien ndesh me këtë vendim.

26. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organet përkatëse të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT DHE TË SIPËRFAQES SË EKOSISTEMEVE NATYRORE PARK KOMBËTAR (KATEGORIA II) TË ZONAVE TË MBROJTURA MJEDISORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 35 e 36, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemeve natyrore “Lugina e Valbonës” dhe “Theth”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura) dhe “Lumi i Gashit”, shpallur “rezervë strikte natyrore” (kategoria I e zonave të mbrojtura), në park kombëtar “Alpet e Shqipërisë” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 2 630.0 (dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë pikë zero) ha, 8 000.0 (tetë mijë pikë zero) ha dhe 3 000.0 (tre mijë pikë zero) ha, në total 82 844.65 (tetëdhjetë e dy mijë e tetëqind e dyzet e katër pikë gjashtëdhjetë e pesë) ha, sipas aneksit nr.1, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Bredhi i Hotovës – Dangëlli”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 34 361.1 (tridhjetë e katër mijë e treqind e gjashtëdhjetë e një pikë një) ha në 36 003.76 (tridhjetë e gjashtë mijë e tre pikë shtatëdhjetë e gjashtë) ha, sipas aneksit nr.2, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror/ligatinor “Butrint”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 9 424.4 (nëntë mijë e katërqind e njëzet e katër pikë katër) ha në 8 622.2 (tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy pikë dy) ha, sipas aneksit nr.3, i cili përmban hartën në shtojcën 1, tabelën e koordinatave në shtojcën 2 dhe koordinatat e nënzonës së trashëgimisë e peizazhit kulturor në shtojcën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror/ligatinor “Divjakë-Karavasta”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 22 230.2 (njëzet e dy mijë e dyqind e tridhjetë pikë dy) ha në 22 389.08 (njëzet e dy mijë e treqind e tetëdhjetë e nëntë pikë zero tetë) ha, sipas aneksit nr.4, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

5. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Malit i Dajtit”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 29 384.18 (njëzet e nëntë mijë e treqind e tetëdhjetë e katër pikë tetëmbëdhjetë) ha në 28 561.85 (njëzet e tetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një pikë tetëdhjetë e pesë) ha, sipas aneksit nr.5, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

6. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Lurë – Mali i Dejës”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 20 242.78 (njëzet mijë e dyqind e dyzet e dy pikë shtatëdhjetë e tetë) ha në 19 288.88 (nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tetë pikë tetëdhjetë e tetë) ha, sipas aneksit nr. 6, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

7. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Llogora”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 1 010 (një mijë e dhjetë) ha në 1 769.2 (një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë dy) ha, sipas aneksit nr.7, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

8. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Mali i Tomorit”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 26 106.176 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë pikë njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) ha në 27 158.5 (njëzet e shtatë mijë e njëqind e pesëdhjetë e tetë pikë pesë) ha, sipas aneksit nr.8, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

9. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit ujor/detar “Karaburun – Sazan”, shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 12 428 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e njëzet e tetë) ha në 12 437.7 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e shtatë pikë shtatë) ha, sipas aneksit nr.9, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

10. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Shebenik”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 33 894.25 (tridhjetë e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e katër pikë njëzet e pesë) ha në 34 507.9 (tridhjetë e katër mijë e pesëqind e shtatë pikë nëntë) ha, sipas aneksit nr.10, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

11. Miratimin e ndryshimit të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Prespa”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura), nga 27 750 (njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) ha në 27 613.05 (njëzet e shtatë mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë pikë zero pesë) ha, sipas aneksit nr.11, i cili përmban hartën në shtojcën 1 dhe tabelën e koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

12. Parashikimet e akteve nënligjore të mëparshme, me të cilat janë shpallur zonat e mbrojtura të përcaktuara në dispozitat e këtij vendimi, zbatohen për aq sa nuk bien ndesh me këtë vendim.

13. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organet përkatëse të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË PUSTEC, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE PUSTEC, TË DISA PASURIVE ME VENDNDODHJE NË ZONAT KADASTRALE 2462 DHE 1797

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Pustec, për njësinë administrative Pustec, të disa pasurive me vendndodhje në zonat kadastrale 2462 dhe 1797, me nr.6-8, sipas lidhjes 1, formularëve dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe administratës.

2. Ngarkohen Bashkia Pustec dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.