Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Prill 2018:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.177, DATË 6.3.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR AMBALAZHET DHE MBETJET E TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.177, datë 6.3.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I, pika 1 ndryshon, si më poshtë vijon:
“1. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe shëndetit publik përmes:
a) parandalimit të ndikimit negativ nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre;
b) parandalimit të prodhimit të mbetjeve nga ambalazhet, nëpërmjet rritjes se ripërdorimit të tyre, riciklimit dhe formave të tjera të rikuperimit të mbetjeve nga ambalazhet;
c) reduktimit të sasive të këtyre mbetjeve që asgjësohen përfundimisht.
Vendimi përcakton rregulla për prodhimin dhe importimin e të gjitha llojeve të ambalazheve dhe menaxhimin e mbetjeve të tyre në të gjitha fazat, si dhe përcakton subjektet përgjegjëse për menaxhimin e tyre.”.
2. Kreu II ndryshon, si më poshtë vijon:
“II FUSHA E ZBATIMIT
1. Ky vendim zbatohet për të gjitha llojet e ambalazheve dhe mbetjet e tyre, të hedhura në treg në territorin e Rrepublikës së Shqipërisë, nëse janë të përdorura apo të vendosura në qarkullim në industri, tregti, institucione shtetërore, zyra, dyqane, shërbime, për përdorim familjar apo çdo fushë tjetër të veprimtarisë njerëzore, pavarësisht nga materiali i përdorur.
2. Ky vendim zbatohet pa rënë ndesh me kërkesat e legjislacionit në fuqi mbi cilësinë për ambalazhe të tilla, si ato të përdorura për të garantuar sigurinë, mbrojtjen e shëndetit publik dhe të higjienës së produktit të paketuar apo të kërkesave ligjore mbi transportin e mbetjeve të rrezikshme.”.
3. Në kreun III bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas pikës 25 shtohet pika 25/a, me këtë përmbajtje:
“25/a. “Plastikë”, është një polimer të cilit mund t’i jenë shtuar aditivë apo substanca nga lëndë të tjera, si dhe është i aftë të kryejë funksionin kryesor, lidhës të komponentit strukturor të një qeseje mbajtëse.”.
b) Pika 29 ndryshon, si më poshtë vijon:
“29. “Qese plastike mbajtëse”, është qesja mbajtëse transportuese, me ose pa dorezë, prodhuar nga plastika dhe lëndë të tjera të lidhura me të, të cilat jepen në pikat e tregtimit apo të shpërndarjes së mallrave ose produkteve.”.
c) Pas pikës 29 shtohen pikat 29/a dhe 29/b, me këtë përmbajtje:
“29/a. “Qese e lehtë plastike mbajtëse”, është qesja plastike me trashësi për çdo anë më të vogël se 35 mikron, me përjashtim të qeses së përdorur vetëm për qëllime higjieno-sanitare.
29/b. “Qese plastike mbajtëse oxo-degradueshme”, është qesja plastike mbajtëse e prodhuar nga materiale që përfshijnë aditivë të cilët katalizojnë copëzimin e materialit plastik në mikrofragmente.”.
4. Në kreun IV, paragrafi ekzistues numërtohet 1 dhe pas tij shtohen pikat 2, 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
“2. Pa rënë ndesh me kërkesat e tjera të posaçme të këtij vendimi, prodhimi i qeseve plastike mbajtëse, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, bëhet duke përdorur aditivë biodegradues me një cikël veprimi jo më pak se 36 muaj, i cili mundëson realizimin e ciklit të plotë të përdorimit nga prodhimi, magazinimi, tregtimi, përdorimi dhe kthimi për riciklim përpara se ky produkt të ketë humbur vlerat për riciklim. Qeset plastike mbajtëse të oxo-degradueshme nuk konsiderohen si të biodegradueshme sipas përcaktimit të këtij vendimi.
3. Pa rënë ndesh me kërkesat e tjera të posaçme të këtij vendimi, prodhimi i qeseve plastike mbajtëse, me trashësinë e mureve me të madhe se 35 mikron, bëhet duke përdorur jo më pak se 55% lëndë të parë të përftuar nga riciklimi, ose lëndë të parë ndihmëse alternative joplastike.
4. Prodhuesi i qeseve plastike mbajtëse, sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 3, të këtij kreu, ruan, administron dhe jep informacionin që vërteton respektimin e përcaktimeve të këtij kreu, sipas kërkesave të përcaktuara në këtë vendim.”.
5. Kreu VIII ndryshon, si më poshtë vijon:
“VIII. SISTEMI I SHENJIMIT DHE IDENTIFIKIMIT TË AMBALAZHEVE
1. Prodhuesi ose importuesi lejohet të hedhë në treg apo të vendosë në qarkullim qese plastike mbajtëse, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, vetëm pasi sigurohet që në të janë të dukshme:
a) inicialet identifikuese të prodhuesit;
b) shenjat treguese që përcaktojnë llojin e plastikës që është përdorur për prodhimin e qeses apo ambalazhit;
c) shenjën e aditivit vetëshkatërrues të përdorur;
ç) datën, muajin dhe vitin e prodhimit;
d) shenjën identifikuese që tregon se qesja është e riciklueshme dhe duhet depozituar dhe mbledhur e ndarë nga mbetjet organike;
dh) shenjën për përdorim në kontakt drejtpërdrejt me produktin ushqimor, nëse është prodhuar për atë qëllim.
2. Prodhuesi, importuesi, tregtuesi apo çdo subjekt tjetër ekonomik, privat apo publik, mban dhe ruan informacion mbi hallkën e mëparshme apo pasuese të qeseve plastike mbajtëse, për një periudhë jo më të vogël se 36 muaj, me qëllim identifikimin dhe gjurmimin e procesit të daljes në qarkullim të këtyre qeseve.
3. Informacioni i përmendur në pikën 1, të këtij kreu, i jepet inspektorit të mjedisit apo nëpunësit të agjencisë së mjedist, sipas kërkesës së tij me shkrim.
4. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit, organet doganore e tatimore dhe Inspektoratin Qendor Teknik, mbledh dhe administron në mënyrë periodike vjetore informacionin e dërguar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore mbi sasinë e qeseve plastike mbajtëse, të kategorizuara sipas përcaktimeve të kreut XII, të këtij vendimi, në qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe sasinë e tyre të përdorur në industrinë ricikluese.”.
6. Në kreun XII, pika 4 ndryshon, si më poshtë vijon:
“4. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton, brenda datës 28 shkurt të çdo viti, në agjenci, për:
a) importet dhe eksportet e mallrave ambalazh dhe të mallrave të ambalazhuara për vitin paraardhës, në bazë të peshës së tyre;
b) sasitë e ambalazheve të prodhuara dhe të hedhura në treg, për vitin paraardhës, në bazë të faturave tatimore përkatëse.”.
7. Në kreun XIV shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Qeset plastike mbajtëse, të lejuara për t’u hedhur në treg sipas përcaktimeve të këtij vendimi, mund të ofrohen në pikat e shitjes së mallrave apo produkteve, vetëm kundrejt një pagese të posaçme të identifikuar në faturën apo kuponin tatimor.”.
8. Në kreun XV bëhen këto ndryshime:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshojnë, si më poshtë vijon:
“2. Pas 2 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndalohet hedhja në treg apo përdorimi në çdo rast i qeseve të lehta plastike mbajtëse.
3. Pas 2 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndalohet hedhja në treg apo përdorimi në çdo rast i qeseve plastike mbajtëse të pabiodegradueshme.”.
b) Pikat 4 dhe 5 shfuqizohen.
9. Kreu XVI ndryshon, si më poshtë vijon:
“XVI. ORGANET PËRGJEGJËSE DHE AKTE TË MINISTRIT PËRGJEGJËS PËR MJEDISIN
Ngarkohen Ministria, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Qendror Teknik, Inspektorati Kombëtar i Mjedisit, autoritetet doganore dhe ato tatimore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me detyrimet ligjore që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e veprimtarisë së tyre për zbatimin e këtij vendimi.”.
10. Kreu XVII ndryshon, si më poshtë vijon:
“XVII. SANKSIONET
Shkelja e parashikimit të: pikës 2, të kreut IV; të pikave 1, 2 e 3, të kreut V; të pikës 1, të kreut VI; të pikës 1, të kreut VII; kreut VIII; të pikave 1 e 2, të kreut IX; të pikës 1, të kreut X; të kreut XI; të pikës 1, të kreut XII; dhe të kreut XV, të këtij vendimi, dënohet sipas përcaktimit të pikës 25, të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.453, DATË 23.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PAJISJEVE, QË PËRDORIN LËNDË OZONHOLLUESE, TË CILAT NDALOHEN TË PRODHOHEN E TË IMPORTOHEN, SI DHE RREGULLAT E PROCEDURAT E ZËVENDËSIMIT TË LËNDËVE OZONHOLLUESE NË PAJISJET EKZISTUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 35, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.453, datë 23.6.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Mjedisit” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, dhe emërtimi “Ministri i Mjedisit” zëvendësohet me “Ministri i Turizmit dhe Mjedisit”.
2. Në pikën 2, të shtojcës “Formulari i kërkesës për pajisje me licencë të importimit të lëndëve ozonholluese”, bashkëlidhur vendimit, hiqet fjala“NIPT”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË DREJTËSISË TË NJË PJESE TË GODINËS, AKTUALISHT NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR RIKONSTRUKSIONIN E HYRJES KRYESORE PËR KOLEGJIN E POSAÇËM TË APELIMIT DHE KOMISIONERËVE PUBLIKË, INSTITUCIONE TË RIVLERËSIMIT TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 13, 14 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Drejtësisë të një pjese të godinës, aktualisht në përgjegjësi administrimi të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për rikonstruksionin e hyrjes kryesore për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerëve Publikë, institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, sipas të dhënave të pasurisë dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ministria e Drejtësisë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.332, DATË 17. 3.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FORMËS, ELEMENTEVE PËRBËRËSE, MËNYRËS SË MBAJTJES E AFATIT TË PËRDORIMIT TË DOKUMENTEVE BAZË, QË MBAHEN DHE LËSHOHEN NGA SHËRBIMI I GJENDJES CIVILE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 25, pika 4, e 61, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në lidhjen nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.332, datë 17.3.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen kodet për zyrat në misionet diplomatike dhe postet konsullore, si më poshtë vijon:
– Kodi 504, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi;
– Kodi 505, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Ankara;
– Kodi 506, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë;
– Kodi 507, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd;
– Kodi 508, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Berlin;
– Kodi 509, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë;
– Kodi 510, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bratislavë;
– Kodi 511, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Brazilia;
– Kodi 512, për Zyrën Konsullore në Misionin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel;
– Kodi 513, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Budapest;
– Kodi 514, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bukuresht;
– Kodi 515, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Doha;
– Kodi 516, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Hagë;
– Kodi 517, për Konsullatën e Përgjithshme në Janinë;
– Kodi 518, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kajro;
– Kodi 519, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kopenhagën;
– Kodi 520, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kuvajt Siti;
– Kodi 521, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër;
– Kodi 522, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lubjanë;
– Kodi 523, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid;
– Kodi 524, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë;
– Kodi 525, për Konsullatën e Përgjithshme në Mynih;
– Kodi 526, për Zyrën Konsullore në Misionin e Republikës së Shqipërisë në Nju Jork;
– Kodi 527, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Otava;
– Kodi 528, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Paris;
– Kodi 529, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Pekin;
– Kodi 530, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë;
– Kodi 531, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Pragë;
– Kodi 532, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë;,
– Kodi 533, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Riad;
– Kodi 534, për Konsullatën e Përgjithshme në Selanik;
– Kodi 535, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Shkup;
– Kodi 536, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Sofje;
– Kodi 537, për Konsullatën e Përgjithshme në Stamboll;
– Kodi 538, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Stokholm;
– Kodi 539, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Tel Aviv;
– Kodi 540, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Tokio;
– Kodi 541, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Uashington;
– Kodi 542, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Varshavë;
– Kodi 543, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vjenë;
– Kodi 544, për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zagreb.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “CONCORD INVESTMENT”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “PJESË TË AMBIENTEVE TË PORTIT TË LIMJONIT”, SARANDË, ME NR.PASURIE 5/232, ZONA KADASTRALE 8641, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 5 370 M2, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË PORTIT DETAR, SH.A., SARANDË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Concord Investment”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Pjesë të ambienteve të Portit të Limjonit”, Sarandë, me nr.pasurie 5/232, zona kadastrale 8641, me sipërfaqe të përgjithshme prej 5 370 (pesë mijë e treqind e shtatëdhjetë) m2, nga të cilat 90 (nëntëdhjetë) m2 janë sipërfaqe objekt dhe 5 280 (pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë) m2 janë sipërfaqe funksionale, në përgjegjësi administrimi të Portit Detar, sh.a., Sarandë, për një periudhë 20 (njëzet) vjeçare, sipas genplanit dhe tekstit të kontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Porti Detar, sh.a., Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në vijim Agjencia, është person juridik publik, që financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër i ligjshëm, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.
2. Misioni i Agjencisë është mirëqeverisja e burimeve ujore me qëllim përmbushjen e të gjitha nevojave jetësore, duke mbajtur në vëmendje qëndrueshmërinë e ekosistemeve, duke nxitur konkurrueshmërinë e përdorimeve dhe prioritizimin drejt përfitueshmërisë ekonomike.
3. Agjencia organizohet dhe funksionon në përputhje me këtë vendim dhe në zbatim të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË DHE ZYRAVE TË ADMINISTRIMIT TË BASENEVE UJORE
1. Agjencia organizohet në nivel qendror dhe në nivel baseni ujor nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve ujore, degë të saj, në përputhje me basenet ujore të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para Kryeministrit. Ai përfaqëson Agjencinë në marrëdhëniet me të tretët.
3. Zyra e Administrimit të Basenit Ujor drejtohet nga përgjegjësi i saj.
4. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, nëpunësve të Agjencisë dhe të zyrave të administrimit të baseneve ujore rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, ndërsa për punonjësit administrativë sipas dispozitave të Kodit të Punës.
5. Struktura dhe organika e Agjencisë dhe zyrave të administrimit të baseneve ujore miratohen me urdhër të Kryeministrit sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
6. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Agjencisë dhe zyrave të administrimit të baseneve ujore miratohet nga Kryeministri, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm.
7. Veprimtaria e Agjencisë mbikëqyret nga Zëvendëskryeministri, i cili e përfaqëson Agjencinë në marrëdhëniet me jashtë të nivelit të lartë dhe kur gjykohet e nevojshme.
8. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
9. Zyrat e administrimit të baseneve ujore kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e zyrave përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Zyra e Administrimit të Basenit Ujor”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
10. Vula e Agjencisë dhe vulat e secilës zyrë të administrimit të baseneve ujore kanë formën dhe elementet sipas përcaktimit të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AGJENCISË DHE ZYRËS SË ADMINISTRIMIT TË BASENIT UJOR
1. Agjencia, referuar zhvillimit, rregullimit dhe financimit të sektorit të ujit, ka këto përgjegjësi dhe detyra:
a) Në lidhje me politikat, strategjitë, planet, programet dhe projektet për zhvillimin e sektorit:
i. përcakton vizonin drejt të cilit duhet të orientohet qeverisja e integruar e burimeve ujore;
ii. analizon situatën e burimeve ujore, identifikon nevojat me qëllim përcaktimin e prioriteteve, vlerëson propozimet dhe kryen fizibilitetin e tyre;
iii. harton, zbaton dhe monitoron dokumentin e politikave të sektorit, Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore, Programin Kombëtar Sektorial, si dhe plane, programe e projekte që synojnë menaxhimin e integruar të burimeve ujore, ruajtjen sasiore dhe cilësore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet, entet, institucionet e specializuara në fushën e ujërave, në nivel qendror e vendor.
b) Në lidhje me rregullimin e sektorit të ujit:
i. identifikon dhe vlerëson nevojën për hartimin e legjislacionit në lidhje me menaxhimin e burimeve ujore;
ii. harton dhe propozon aktet që rregullojnë marrëdhëniet juridike në fushën e menaxhimit të burimeve ujore dhe ndjek miratimin e tyre;
iii. bashkëpunon me ministritë përgjegjëse në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore kur përmbajta e tyre ndikon në menaxhimin e burimeve ujore;
iv. monitoron zbatimin dhe ndikimin e kuadrit ligjor si dhe sugjeron përmirësime sipas nevojës;
v. bashkërendon punën për harmonizimin e kuadrit ligjor të sektorit me acquis të BE-së;
vi. mbështet hartimin e kuadrit rregullator për administrimin dhe mbrojtjen e ujërave ndërkufitare dhe ndjek zbatimin e tyre, duke përfshirë marrëveshjet e konventat ndërkombëtare;
vii. i propozon Këshillit Kombëtar të Ujit (KKU) miratimin e akteve rregullatore për menaxhimin e burimeve ujore në kompetencë të KKU-së sipas ligjit dhe kur është e nevojshme propozon shfuqizimin apo anulimin e akteve;
viii. përfaqëson Këshillin Kombëtar të Ujit në procese gjyqësore dhe monitoron çështjet gjyqësore në nivel të basenit ujor.
c) Në lidhje me aspektin ekonomiko-financiar të sektorit:
i. drejton procesin për optimizimin e shfrytëzimit të burimeve ujore drejt përfitueshmërisë ekonomike, në përputhje me parimet, prioritetet në përdorim dhe nevojat e vendit, si dhe me kriteret për ruajtjen dhe mbrojtjen sasiore e cilësore të burimeve ujore;
ii. vlerëson kosto–përfitimet ekonomike të përdorimeve të burimeve ujore, bazuar në parashikimin afatgjatë të ofertë-kërkesës për ujë për nevoja të ndryshme, si dhe propozon tarifat për përdorimet e ndryshme të ujit dhe për shpenzimet administrative;
iii. vlerëson nevojën për financim të sektorit, identifikon burimet e financimit dhe bashkëpunon me aktorë vendas ose të huaj për sigurimin e financimeve për veprimtarinë ekonomike të burimeve ujore si dhe menaxhon programet e asistencës financiare për to;
iv. ndjek procesin e menaxhimit të integruar të burimeve financiare dhe monitoron përdorimin e fondeve përkundrejt planifikimit, në përputhje me parimin e efiçencës, transparencës dhe shpërndarjes së drejtë të burimeve, si dhe ngritjes e mirëmbajtjes së inventarit të përditësuar të të gjitha programeve të asistencës financiare e të projekteve.
2. Agjencia ka këto përgjegjësi dhe detyra mbi drejtimin e sektorit të ujit:
a) Projekton sistemin e miradministrimit të burimeve ujore (aktivitetin, organizimin, ndërveprimin me institucionet e aktorët) dhe garanton funksionalitetin, performancën dhe efiçencën e tij.
b) Organizon strukturën e sistemit në përputhje me fushën e përgjegjësisë dhe aktivitetin, kuadrin strategjik dhe politikat e qeverisë, informacionin dhe njohuritë mbi sektorin, standardet që duhet të arrihen për aktivitetin dhe operimin e sistemit, sfidat dhe problematikat ekzistuese që paraqet sektori i ujit në Shqipëri.
c) Përcakton objektivat për sektorin dhe identifikon treguesit për vlerësimin e arritjes së tyre, vlerëson performancën e përdorimit të burimeve ujore përkundrejt objektivave dhe nivelit të përmbushjes së treguesve, si dhe ndërmerr nisma për përmirësimin e performancës.
ç) Projekton, ndërton, mirëmban dhe përditëson sistemin e integruar të informacionit në sektorin e ujin (me elemente thelbësore: Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore, Inventari Kombëtar i Burimeve Ujore/ Zonave të Mbrojtura Ujore, Regjistri Kombëtar i Lejeve, Autorizimeve e Koncesioneve të lëshuara nga organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore), duke garantuar aksesin dhe shkëmbimin e të dhënave sipas ligjit.
d) Drejton dhe bashkërendon punën për gjenerimin, grumbullimin dhe përditësimin e të dhënave cilësore dhe sasiore të burimeve ujore, informacionit për Kadastrën Kombëtare të Ujit nga institucionet përgjegjëse (duke kërkuar prej tyre të dhëna teknike, informacion, analiza apo mbështetje tekniko-konsultative), si dhe për pasqyrimin në Gjeoportalin Kombëtar.
dh) Përcakton normativa, standarde, kërkesa, kritere dhe praktika të unifikuara për ruajtjen, përdorimin, rehabilitimin dhe përmirësimin e burimeve ujore, duke bashkëpunuar sipas ligjit me çdo ministri apo institucion përgjegjës.
e) Mban të dhënat/databaza-t tematike të sektorit dhe orienton e mbështet kërkimet, studimet, publikimet me karakter shkencor e teknik sipas ligjit.
ë) Është përgjegjës për marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe garanton angazhimin e aktorëve duke ngritur sistemin e ndërveprimit (mban databaza, dokumente, manualë, plane, teknika, raporte mbi komunikim-ndërveprimin e aktorëve, ndjek ngritjen e komisioneve, komiteteve apo grupeve të punës për çështje që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore), në mënyrë të integruar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
f) Drejton dhe bashkërendon punën me ministritë e linjës për të gjitha proceset integruese në Bashkimin Evropian, për sa i përket sektorit të ujit.
3. Agjencia ka këto përgjegjësi dhe detyra mbi menaxhimin e sektorit të ujit:
a) Planifikon, ekzekuton, kontrollon punën dhe garanton që produktet apo shërbimet janë të duhurat, në kohë, brenda buxhetit, në sasinë dhe cilësinë e kërkuar:
i. Integron kërkesat për realizimin e një produkti optimal, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, të qëndrueshëm dhe të sigurt.
ii. Analizon progresin, vlerëson devijimet në raport me objektivat, standardet dhe planin e menaxhimit, si dhe menaxhon ndryshimet e nevojshme në program e në burime;
b) Harton dhe ndjek zbatimin e të gjitha planeve të menaxhimit të kërkuara nga ligji, nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve ujore, në bashkëpunim me strukturat shtetërore përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi, si dhe aktorët e tjerë.
c) Menaxhon dhe koordinon procesin e programimit, zbatimit dhe monitorimit të nismave/projekteve/programeve të administrimit të burimeve ujore në bashkëpunim me ministritë e linjës, institucionet qendrore e vendore, donatorë dhe partnerë të tjerë zhvillimorë.
ç) Kryen menaxhimin e përgjithshëm sipas ligjit të organeve të administrimit të burimeve ujore, njësive të qeverisjes vendore, organeve dhe strukturave përgjegjëse të ministrive, institucioneve shtetërore e aktorëve përkatës për marrjen e masave dhe zbatimin e legjislacionit në sektorin e ujit.
4. Agjencia ka këto përgjegjësi dhe detyra mbi operimin e sektorit të ujit:
a) Planifikon, zbaton, ndjek, garanton optimizimin e përdorimit të burimeve njerëzore, materiale, aseteve të nevojshme për kryerjen e proceseve të punës për menaxhimin e burimeve ujore.
b) Realizon të gjitha proceset e punës, pjesë e ciklit të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, si dhe bashkërendon e kontrollon punën e zyrave të administrimit të baseneve ujore.
c) Realizon projektimin, ekzekutimin, vënien në punë dhe shfrytëzimin e produkteve të kërkuara, si dhe garanton cilësinë, certifikon, lëvron dhe akumulon përfitimet e produktit të realizuar.
ç) Ndjek zbatimin e proceseve të punës për burimet ujore nga ministritë përkatëse dhe bashkëpunon me to, sipas detyrimeve e kërkesave specifike të kuadrit ligjor.
d) Ushtron funksionet e sekretarisë teknike të KKU-së, organizon mbledhjet, përgatit materialet dhe formalizon vendimmarrjen e KKU-së. I propozon KKU-së dhënien me koncesion të burimeve ujore. Mbledh dhe administron informacionin e dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me leje/autorizim për përdorimin e ujit, pranon dhe shqyrton aplikimet e paraqitura nga subjektet fizike e juridike si dhe bën propozimet përkatëse pranë KKU-së.
dh) Ndjek dhe monitoron zbatimin e kushteve e të kritereve të përcaktuara në lejet/autorizimet e dhëna për përdorimin e ujit, si dhe ndërmerr masat ndaj subjekteve që gjenden në shkelje.
e) Siguron mbledhjen e të ardhurave nga tarifat e përdorimit të ujit dhe pagesat për shpenzimet administrative, nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve ujore apo marrëveshje me të tretë dhe i derdh në buxhetin e shtetit.
ë) Mbledh, strukturon, përpunon, akseson dhe administron të dhëna sasiore e cilësore mbi burimet ujore dhe i vë ato në dispozicion të institucioneve në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.
f) Promovon dhe sensibilizon mbi rëndësinë e burimeve ujore, nxit pjesëmarrjen e përdoruesve të ujit dhe komunitetit në përdorimin e ekonomizuar të ujit, përmes fushatave ndërgjegjësuese, botimeve, publikimeve, konferencave, seminareve, forumeve apo konsultimeve.
5. Mbështetur në detyrat e përcaktuara në ligj, Zyra e Administrimit të Baseneve Ujore (ZABU) ka këto detyra administrative dhe kompetenca territoriale:
a) Në lidhje me Këshillin e Basenit Ujor (KBU):
i. ushtron funksionet e sekretariatit teknik dhe organizon mbledhjen e KBU-së;
ii. pranon dhe shqyrton dokumentacionin tekniko-ligjor të paraqitur nga subjektet fizike e juridike që kërkojnë vendimmarrje nga KBU-ja;
iii. propozon në KBU shfuqizimin ose anulimin e lejeve, autorizimeve, vendimeve sipas kuadrit ligjor;
iv. përfaqëson Këshillin e Basenit Ujor në çështjet gjyqësore.
b) Ndjek zbatimin e vendimeve të KKU-së dhe KBU-së, si dhe përmbushjen e detyrimeve financiare të përdoruesve të burimeve ujore brenda basenit përkatës pavarësisht nga organi që ka miratuar veprimtarinë.
c) Zbaton të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të përcaktuara për ZABU-në si dhe nxit e sensibilizon pjesëmarrjen e përdoruesve të ujit.
ç) Në nivel baseni dhe sipas ligjit, harton dhe përditëson planet e menaxhimit, inventarët e burimeve ujore, përgatit raporte apo opinione, bën vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor në statusin e ujërave, analizën ekonomike të përdorimit, analiza pas monitorimeve të kryera nga subjektet e kontraktuara, harton programin e masave, plotëson regjistrin kombëtar me licencat/ autorizimet/lejet/koncesionet e lëshuara.
d) Gjeneron dhe monitoron të dhëna sasiore e cilësore mbi burimet ujore nëpërmjet ngritjes, administrimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit të stacioneve të monitorimit.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në momentin e funksionimit të plotë të Agjencisë sipas përcaktimeve të këtij vendimi, Agjencia mbikëqyr funksionet dhe strukturat ekzistuese të agjencive të baseneve ujore, kalimin pranë tyre të funksionit kontrollues të zbatimit të lejeve në nivel baseni dhe transferimin e nëpunësve të ish-Inspektoratit Shtetëror të Ujërave (sipas pikës 4 të vendimit nr.659, datë 10.11.2017, të Këshillit të Ministrave), si dhe funksionin e strukturës politikëbërëse mbi burimet ujore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
2. Për nëpunësit civilë aktualë të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, agjencive të baseneve ujore dhe strukturës politikëbërëse mbi burimet ujore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
3. Numri i punonjësve dhe fondet buxhetore të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, agjencive të baseneve ujore dhe strukturës politikëbërëse mbi burimet ujore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i kalojnë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe zyrave të administrimit të baseneve ujore.
4. Deri në momentin e fillimit të funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
5. Vendimi nr.524, datë 20.7.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit”, shfuqizohet.
6. Në vendimin nr.342, datë 4.5.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufijve territorialë e hidrografikë të baseneve ujore në Republikën e Shqipërisë dhe qendrën e përbërjen e këshillit të secilit prej tyre”, në pikat 5 e 10, referimi tek “Agjencia e Basenit Ujor” zëvendësohet me emërtimin “Zyra e Administrimit të Basenit Ujor”, ndërsa në pikën 10 shfuqizohen edhe fjalët “, … i emëruar nga ministri përgjegjës për menaxhimin e burimeve ujore”.
7. Kudo në aktet e tjera nënligjore, referimi tek “Agjencia e Basenit Ujor” zëvendësohet me emërtimin “Zyra e Administrimit të Basenit Ujor”.
8. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, zyrat e administrimit të baseneve ujore dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
RIORGANIZIMIN E SHKOLLËS SË LARTË JOPUBLIKE “MARUBI” NË AKADEMI TË FILMIT DHE MULTIMEDIAS “MARUBI” DHE DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË KËTIJ INSTITUCIONI TË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Riorganizimin e shkollës së lartë jopublike “Marubi” në Akademi të Filmit dhe Multimedias “Marubi” dhe dhënien e statusit të veçantë këtij institucioni të arsimit të lartë.
2. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” është institucion jopublik i arsimit të lartë, i profilizuar, me veprimtari akademike specifike, që lidhet ngushtë me organizimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, krijues e artistik e që shoqërohet me produktin artistik në fushën e kinematografisë dhe multimedias.
3. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” ushtron aktivitetin në adresën: rruga “Aleksandër Moisiu”, nr.78, Kinostudio, Tiranë.
4. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si institucion i arsimit të lartë, që zhvillon veprimtari akademike, krijuese dhe profesionale në fushën e filmit dhe të multimedias, gëzon status të veçantë, duke mos iu nënshtruar kritereve të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, lidhur me:
a) strukturën institucionale të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, e cila organizohet në Fakultetin e Filmit dhe Medias, të përbërë, si më poshtë:
i. Departamenti i Regjisë dhe Skenarit;
ii. Departamenti i Kameras dhe Montazhit;
iii. Njësia e produksioneve.
Hapja e departamenteve të tjera specifike dhe periodike kryhet në bazë të nevojave të kësaj akademie, me miratim të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
b) organizimin akademik dhe administrativ të institucionit të arsimit të lartë. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” administrohet nga shtëpia kinematografike “Orafilm”. Organet dhe autoritetet drejtuese akademike dhe administrative të Akademisë janë:
i. Këshilli akademik;
ii. Drejtori i AFMM-së;
iii. Drejtori i produksioneve;
iv. Drejtori administrativ;
v. Këshilli studentor.
c) kategoritë dhe titujt akademikë të personelit akademik. Personeli akademik i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” përbëhet nga specialistë të fushës audiovizuale, si më poshtë vijon:
i. Specialistë në fushën e kinematografisë dhe medias së shkruar dhe televizive;
ii. Specialistë të arteve figurative;
iii. Specialistë dhe historianë të artit dhe kulturës;
iv. Specialistë të huaj të shkollave homologe ose individë të huaj të fushës së artit dhe kinematografisë.
ç) diplomat dhe emërtimin e tyre. Diplomat që lëshon Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” nënshkruhen nga drejtori i AFMM-së dhe përgjegjësi i departamentit. Në përfundim të studimeve, sipas fushës së arsimimit të kryer, lëshohen diplomat e mëposhtme:
i. “Bachelor” në film dhe media, profili “Regjisurë”;
ii. “Bachelor” në film dhe media, profili “Kamera”;
iii. “Bachelor” në film dhe media, profili “Skenar”;
iv. “Bachelor” në film dhe media, profili “Montazh”.
5. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” ofron programe studimi të ciklit të parë, të cilat synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike, sipas drejtimeve: regji, montazh, skenar e kamera. Programet e studimeve realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 (tri) vite akademike. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” u ofron studentëve mundësinë e studimeve kualifikuese “Master” në institucione homologe me të cilat Akademia ka lidhur marrëveshje.
6. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” duhet t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit dhe akreditimit institucional të programeve të studimit, si dhe të zbatimit të ligjshmërisë, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për realizimin e veprimtarisë së saj, bashkëpunon me institucionet e arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit, organizmat ndërkombëtarë dhe institucionet homologe të huaja, si dhe organizatat e tjera në fushën e filmit dhe multimedias.
8. Statuti i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin mbi bazën e statusit të veçantë të dhënë me këtë vendim dhe sipas marrëveshjes së lidhur me ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për personelin akademik me kohë të plotë, në njësitë bazë.
9. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” arkivon pasurinë e krijuar si produkt artistik pranë Arkivit Shtetëror të Filmit, ndërsa dokumentacionin ligjor, në Arkivin e Shtetit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për kinematografinë dhe arkivat.
10. Vendimi nr.652, datë 30.9.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e lejes për hapjen e shkollës së lartë jopublike “Marubi””, shfuqizohet.
11. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” për ndjekjen, realizimin dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT PËR STUDIME FIZIBILITETI, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR SHËRBIMET E EKSPERTIT NDAJ MARRËSIT, NË KUADËR TË PROGRAMITTË FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV, QË FINANCOHEN NGA NJË FOND I VEÇANTË ME NR.13056, I SIGURUAR NGA QEVERIA FEDERALE GJERMANE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit për studime fizibiliteti, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (Agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për shërbimet e ekspertit ndaj marrësit, në kuadër të programit të furnizimit me ujë të zonave rurale IV, që financohen nga një fond i veçantë me nr.13056, i siguruar nga Qeveria Federale Gjermane, me një grant prej 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INFRASTRUKTURAVE KRITIKE TË INFORMACIONIT DHE TË LISTËS SË INFRASTRUKTURAVETË RËNDËSISHME TË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së infrastrukturave kritike të informacionit, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimin e listës së infrastrukturave të rëndësishme të informacionit, sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit janë të detyruar të zbatojnë, të paktën, nivelet minimale të kërkesave të sigurisë së informacionit, të miratuara nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, si dhe të përcaktojnë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pikën e kontaktit, person përgjegjës për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, dhe t’ia përcjellin atë Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
4. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike monitoron zbatimin e masave të sigurisë nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit nëpërmjet procedurave të kontrollit.
5. Listat e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit përditësohen, të paktën një herë në dy vjet, dhe auditohen (ISA- Information System Audit), të paktën dy herë në vit.
6. Ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË NDIHMËS SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Emërimin e anëtarëve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore, si më poshtë vijon:
– Z. Arben Ahmetaj kryetar;
– Znj. Mimoza Dhëmbi anëtar;
– Znj. Etleva Haka anëtar;
– Znj. Mirjana Zisi anëtar;
– Z. Ahmet Mançellari anëtar.
2. Trajtimi financiar i anëtarëve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore bëhet sipas legjislacionit në fuqi.
3. Vendimi nr.55, datë 5.2.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e Komisionit të Ndihmës Shtetërore”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.9918,datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për emërimin e znj. Ketrin Topçiu anëtar të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.