Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2016
V E N D I M
PËR
KRYERJEN E VERIFIKIMEVE TË PËRBASHKËTA KUFITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Verifikimet kufitare në pikat e kalimit kufitar kryhen sipas parimit “një ndalesë-një verifikim”, duke mundësuar lehtësimin e kalimit të kufirit për personat, mjetet e të mirat materiale, si dhe duke siguruar një verifikim sa më të efektshëm me pjesëmarrjen e të gjitha autoriteteve përgjegjëse që veprojnë në pikën përkatëse të kalimit kufitar.
2. Parashikimi i pikës 1 zbatohet për autoritetet përgjegjëse shqiptare që veprojnë në kufi edhe në rastin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
3. Mosprezenca e një autoriteti të caktuar gjatë verifikimit kufitar të vijës së parë nuk kushtëzon apo nuk pengon autoritetet e tjera për të kryer verifikim kufitar.
4. Çdo element verifikimi i vijës së parë, për llogari të çdo autoriteti, i cili ka nevojë për verifikim, inspektim apo ekzaminim të mëtejshëm, që nuk mund të kryhet për një kohë të shkurtër në zonën e vijës së parë, konsiderohet arsye për verifikim të vijës së dytë.
5. Gjatë verifikimeve të vijës së dytë, çdo autoritet i pranishëm në kufi, që ka kompetenca dhe detyrime në lidhje me natyrën e verifikimit në fjalë, ka të drejtë të marrë pjesë në verifikim, përveç rasteve kur nga kjo prani rrezikohen hetimet për një vepër penale, identiteti i viktimave të mundshme të trafikimit, identiteti i dëshmitarëve të mbrojtur ose informacioni i klasifikuar.
6. Autoritetet përgjegjëse, që operojnë në pikën e kalimit kufitar, përdorin ose shfrytëzojnë bashkërisht pajisjet, mjetet dhe mjediset e verifikimit kufitar, veçanërisht të vijës së dytë, pavarësisht nga pronësia e këtyre pajisjeve apo mjediseve.
7. Parashikimi i pikës 6 zbatohet edhe në rastin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
8. Në verifikimet e vijës së dytë, ku nevojitet ekspertizë profesionale në tërësi ose për elemente të veçanta verifikimi, veprimet e drejtpërdrejta në lidhje me këto elemente kryhen nga punonjësit e atij autoriteti që ka ekspertizën përkatëse ose nga një ekspert i jashtëm në rastet kur asnjë autoritet nuk ka punonjës me ekspertizë në këto fusha.
9. Për verifikimet kufitare të vijës së dytë, në të cilat, për arsye kompetence, profesionalizmi apo ekspertize, nevojitet pjesëmarrja e një autoriteti që nuk vepron në kufi ose vepron me orar të kufizuar, njoftohet autoriteti përkatës me anë të telefonit, postës elektronike apo në çdo mënyrë tjetër të përshtashme të njoftimit.
10. Mosparaqitja brenda një kohe të arsyeshme e autoritetit të njoftuar sipas parashikimit të pikës 9 nuk kushtëzon moskryerjen e verifikimit kufitar, përveç rasteve kur prania e autoritetit kompetent është absolutisht e domosdoshme.
11. Verifikimet e kryera nga Policia Kufitare dhe Migracionit në brendësi të territorit, në kuptimin e nenit 7, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, kryhen gjithashtu në bashkëpunim me autoritete të tjera, kur ekspertiza e tyre është e nevojshme.
12. Për verifikimet e parashikuara në pikën 11 për automjetet apo ngarkesat e plumbosura nga shërbimi doganor, automjetet apo ngarkesat me ushqime, kafshë, bimë ose sende të tjera të natyrës së veçantë, njoftohen shërbimet më të afërta të autoritetit përgjegjës përkatës me anë të telefonit, postës elektronike apo në çdo mënyrë tjetër të përshtatshme të njoftimit, me qëllim që ndërhyrja për verifikim të kryhet sipas legjislacionit të fushës, përveç rasteve kur nga vonesa mund të rrezikohen jetët e njerëzve, hetimet për një vepër penale, identiteti i viktimave të mundshme të trafikimit, identiteti i dëshmitarëve të mbrojtur ose informacioni i klasifikuar.
13. Në rastin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, pavarësisht nga territori ku ato ndodhen, autoritetet përgjegjëse shqiptare mund të kryejnë verifikime të përbashkëta kufitare me autoritetet përgjegjëse fqinje, në përputhje me marrëveshjen përkatëse dhe duke respektuar parimet e mëposhtme:
a) Aksesin në mbrojtjen ndërkombëtare sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë për personat që kërkojnë këtë mbrojtje, në çdo kohë, kur pika e përbashkët e kalimit kufitar gjendet në territorin shqiptar dhe në momentin që ka përfunduar procedurat e daljes nga vendi fqinj, kur pika e përbashkët gjendet në territorin e vendit fqinj;
b) Shkëmbimin e informacionit të nevojshëm dhe informimin e saktë të palëve në lidhje me faktet dhe provat, në rastin e çështjeve që justifikojnë ndalimin apo arrestimin e një personi ose bllokimin e një sendi, si dhe transferimin e personit ose sendit te pala që ndjek çështjen, pavarësisht nga shtetësia e personit ose vendi i regjistrimit të sendit;
c) Mospengimin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të personit që gëzon këtë të drejtë, pavarësisht nga ekzistenca e motiveve për refuzim daljeje nga pala tjetër, kur në legjislacionin e kësaj pale ekziston një parashikim për këtë dhe shkëmbimin e informacionit mbi këto motive për të mundësuar një trajtim të përshtatshëm të rastit;
ç) Vendosjen dhe përdorimin e përshtatshëm të sistemeve elektronike dhe bazave të të dhënave, duke ruajtur të dhënat personale nga dëmtimi ose humbja aksidentale apo e paligjshme, nga modifikimi, dekonspirimi ose aksesi i paautorizuar i tyre, përfshi këtu aksesin nga shtetet që nuk e gëzojnë këtë të drejtë.
14. Për kryerjen në mënyrë të efektshme të verifikimeve të përbashkëta kufitare, pikat e kalimit kufitar pajisen përkatësisht me mjediset, mjetet dhe pajisjet, si më poshtë vijon:
a) Pikat e kalimit kufitar për qarkullim ndërkombëtar të personave pa automjete pajisen, minimalisht, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Pikat e kalimit kufitar për qarkullim ndërkombëtar të personave dhe automjeteve jo të rënda pajisen, minimalisht, sipas shtojcave nr.1 dhe nr.2 që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
c) Pikat e kalimit kufitar për qarkullim ndërkombëtar të mjeteve dhe mallrave pajisen, minimalisht, sipas shtojcave nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
15. Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ministritë dhe autoritetet e tjera që kanë kompetenca dhe detyrime në lidhje me kufirin shtetëror, sipas përcaktimeve të bëra në Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe planin e saj të veprimit, marrin masa për pajisjen e pikave të kalimit kufitar me mjediset, mjetet dhe pajisjet, në përputhje me shtojcat përkatëse të këtij vendimi, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore përkatëse të tyre apo të secilit institucion të varësisë, që vepron në pikën e kalimit kufitar, duke i konsideruar ato si kritere standarde minimale.
16. Për çështje të veçanta të verifikimit të përbashkët kufitar, të cilat kanë nevojë për specifikime konkrete të veprimtarisë së dy a më shumë autoriteteve, ministrat e linjës nxjerrin urdhër të përbashkët në zbatim të këtij vendimi.
17. Për çështje të veçanta të verifikimit kufitar, të cilat kanë nevojë për specifikime konkrete të veprimtarisë së strukturave vartëse të ministrive të linjës, ministri përkatës nxjerr urdhër në zbatim të këtij vendimi.
18. Veprimet dhe bashkëpunimi i strukturave të Policisë së Shtetit për verifikimin e përbashkët kufitar përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
19. Veprimet konkrete të Policisë Kufitare dhe Migracionit gjatë verifikimit kufitar rregullohen në procedurat standarde të punës të Policisë Kufitare dhe Migracionit.
20. Për përfshirjen dhe zbatimin e praktikave më të mira të verifikimit kufitar, Policia Kufitare dhe e Migracionit përgatit udhëzuesin e vet, i cili shërben si referencë për kryerjen e verifikimeve të efektshme në një kohë sa më të shkurtër.
21. Pikat 1, 2, 4, 5, 6, 7 dhe 8, të vendimit nr.1018, datë 30.9.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e standardeve dhe të kritereve të kontrollit në pikat e kalimit të kufirit në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohen.
22. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.243,  DATË 6.3.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË RRËSHEN, TË QARKUT TË LEZHËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “a”, e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:   
1. Në vendimin nr.243, datë 6.3.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë vijon:
a) Në titullin e vendimit dhe në përmbajtje, fjalët “… të Bashkisë Rrëshen…” zëvendësohen me “…të Bashkisë Mirditë, në njësinë administrative Rrëshen, …”.
b) Në listën përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të Bashkisë Mirditë, në njësinë administrative Rrëshen, të qarkut të Lezhës, që transferohen në pronësi ose në përdorim të kësaj bashkie, sipas lidhjes nr.1, bashkëlidhur vendimit, shtohen pronat sipas formularëve, gjithsej 2 (dy) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia Mirditë dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E EMËRTIMIT TË PRONËS “ISH-REPARTI USHTARAK 8830”, YZBERISHT, TIRANË, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SI DHE SHEMBJEN E DISA NDËRTESAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:   
1. Emërtimi i pronës “Ish-reparti ushtarak 8830”, Yzberisht, Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndryshohet dhe zëvendësohet me “Reparti Special RENEA”.
2. Shembjen e ndërtesave ekonomike dhe administrative, komponentë përbërës të pronës “Reparti Special RENEA”, me numrat rendorë 25-27, sipas formularit (fleta 2), që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Në inventarin e pronave hiqen ndërtesat ekonomike dhe administrative, komponentë përbërës të pronës “Reparti Special RENEA”, me numrat rendorë 1-27, sipas formularit (fleta 1 dhe 2), që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Shtetit, që, në përputhje me pikën 3, të këtij vendimi, të bëjë reflektimet në regjistrat e pasurive të paluajtshme për ndërtesat ekonomike që hiqen nga aktivet e bilanceve.
5. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, drejtori i Policisë së Shtetit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHEMBJEN E GODINËS NR.4, NË QENDRËN KOMBËTARE PRITËSE PËR AZILKËRKUESIT, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:   
6. Shembjen e godinës nr.4, në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, Tiranë, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Ministria e Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, në përputhje me pikën 1, të këtij vendimi, të bëjnë reflektimet në regjistrat e pasurive të paluajtshme për godinën nr.4 që hiqet nga aktivet e bilancit.
8. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.726, DATË 2.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROGRAMIT TË VEPRIMIT 3-VJEÇAR, 2016-2018, PËR ZHVILLIMIN E AKTIVITETIT MINERAR DHE PËRCAKTIMIN E ZONAVE MINERARE TË RREZIKSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.726, datë 2.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Shtohet programi i veprimit “Plani 3-vjeçar i zonave minerare të kërkim-zbulimit”, sipas aneksit 1/A (zonat e kërkim-zbulimit dhe zonat e shfrytëzimit), bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ndryshohen zonat minerare të rrezikshme, për të cilat ndalohet dhënia e lejeve minerare, të përcaktuara në anekset 2/A dhe 2/B, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1 Zonat minerare, të cilave u është revokuar leja minerare apo mund t’u revokohet ajo për shkaqe ligjore, mund të shpallen si zona të reja konkurruese, pavarësisht se nuk janë përfshirë në programin e veprimit për zbatimin e strategjisë minerare për periudhën 3-vjeçare 2016-2018.”.
4. Pas pikës 4 shtohet pika 4.1, me këtë përmbajtje:
“4.1 Ngarkohet ministri që, periodikisht, në përputhje me dinamikën e ndryshimit të tyre, të bëjë përditësimin dhe publikimin e zonave minerare të rrezikshme dhe të iniciojë, menjëherë, miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave.”.
5. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL PËR NDËRTIM, PËR SIPËRFAQET QË PRITEN TË NDIKOHEN NGA NDËRTIMI I SEKSIONIT TOKËSOR TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP), SEKTORËT 4A, 4B DHE 5A, PËR PESË STACIONE TË VALVULAVE TË SIGURISË/BLLOKIMIT, TË CILAT DO TË VIHEN NË DISPOZICION TË SHOQËRISË TRANS ADRIATIK PIPELINE AG (TAP AG) PËR PËRDORIM TË PËRHERSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit të tokës bujqësore dhe kalimin në tokë truall për parcelat me sipërfaqe të përgjithshme prej 5 457,67 (pesë mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë presje gjashtëdhjetë e shtatë) m2, të cilat ndikohen nga ndërtimi i 5 (pesë) stacioneve të valvulave të sigurisë/bllokimit të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), përkatësisht:
a) në sektorin 4A, për dy stacione në Qarkun e Korçës:
i. Stacioni i valvulave të sigurisë/bllokimit ABV24, në Cangonj, me sipërfaqe të tokës bujqësore prej 1 099,76 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e gjashtë) m2;
ii. Stacioni i valvulave të sigurisë/bllokimit ABV25, në Polenë, me sipërfaqe të tokës bujqësore prej 1 099,76 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e gjashtë) m2.
b) në sektorin 5A, për stacionin e valvulave të sigurisë/bllokimit ABV26, në Shtyllë, në Qarkun e Korçës, me sipërfaqe të tokës bujqësore prej 1 099,75 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e pesë) m2;
c) në sektorin 4B, për dy stacione, në Qarkun e Beratit dhe në Qarkun e Fierit:
i. Stacioni i valvulave të sigurisë/bllokimit ABV30, në Pashalli/Ura Vajgurore, Qarku Berat, me sipërfaqe të tokës bujqësore prej 1 058,65 (një mijë e pesëdhjetë e tetë presje gjashtëdhjetë e pesë) m2;
ii. Stacioni i valvulave të sigurisë/bllokimit ABV31, në Roskovec, Qarku Fier, me sipërfaqe të tokës bujqësore prej 1 099,75 (një mijë e nëntëdhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e pesë) m2.
2. Sipërfaqet e tokës, që do të ndikohen nga ndërtimi i stacioneve të valvulave bllokuese të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), do të vihen në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatik Pipeline AG (TAP AG) për përdorim të përhershëm.
Parcelat që ndryshojnë statusin, nga tokë bujqësore në tokë truall, për pesë stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit të seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), jepen në lidhjen l, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, drejtoritë e administrimit dhe menaxhimit të tokës së qarqeve Fier, Berat dhe Korçë të pasqyrojnë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resurseve, nga tokë bujqësore në tokë urbane (truall), respektivisht për secilën parcelë, për pesë stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit të projektit TAP, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi.
4. Procedurat për zgjidhjen e marrëdhënieve të pronësisë, ndërmjet kompanisë TAP AG dhe pronarëve aktualë të këtyre parcelave, me qëllim marrjen e lejeve të nevojshme për ndërtimin dhe operimin e rrjetit të rrugëve të kalimit (ndihmëse) për projektin TAP, sipas kërkesave të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, do të bëhen në zbatim të dispozitave të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, si dhe gjithë legjislacionit tjetër në fuqi për marrëdhëniet e pronësisë mbi tokën.
5. Shoqëria TAP AG dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në zbatim të kërkesave të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, si dhe të vendimit nr.245, datë 30.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të procedurave për përmirësimin e përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme”, të bëjnë ndryshimet në regjistrat dhe kartelat e pasurisë/ive përkatëse, përsa i përket marrëdhënieve të pronësisë, për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi i seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), përkatësisht sektorët 4A, 4B dhe 5A, për pesë stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit, të cilave do t’u ndryshohet statusi nga tokë bujqësore në tokë truall.
6. Shoqëria TAP AG, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e seksionit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), përkatësisht sektorët 4A, 4B dhe 5A, për pesë stacionet e valvulave të sigurisë/bllokimit, është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të territorit në ato pjesë të parcelave që janë ndikuar nga ndërtimi i këtyre stacioneve, por që nuk do të përfshihen si pjesë e stacioneve.
7. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qarqet Korçë, Berat dhe Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT TË KATËRT KOMBËTAR  PËR ZBATIMIN E KONVENTËS KUADËR TË KËSHILLIT TË EVROPËS, “PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 2, të nenit 25, të Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Raportit të Katërt Kombëtar për zbatimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në  “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 RISHPËRNDARJE FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016,   MIRATUAR PËR MINISTRINË E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ligjit nr.77/2016, datë 22.7.2016, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited””, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, bëhet rishpërndarje e fondit, ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin “Planifikim, menaxhim, administrim” shtohet fondi prej 40 000 000 (dyzet milionë) lekësh, përkatësisht: 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në zërin “Shpenzime korrente” dhe 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekë në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”. Fondi prej 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekësh të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të konsulentëve të huaj që do të bëjnë studimin dhe vlerësimin ligjor e financiar për projektin “Projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”.
b) Në programin “Mbështetje për zhvillim ekonomik” pakësohet fondi prej     14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.
c) Në programin “Zhvillimi i turizmit” pakësohet fondi prej 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT,  KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.545, datë 1.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, shtohet emërtesa “Sekretariati Kombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI – Shqipëri).”.
b) Pika 10/4 riformulohet, si më poshtë vijon:
“10/4. Kategoritë e pagave dhe shtesat për kushte pune të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni”, në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, të jenë sipas lidhjes nr.6/4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
c) Lidhja nr.6/4, që përmendet në pikën 10/4, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Nëpunësit e Sekretariatit Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI – Shqipëri), të cilët sipas organizimit të mëparshëm kanë pasur emërtesën “Koordinator” dhe një nivel më të lartë page se përcaktimi i këtij vendimi, do të vazhdojnë të përfitojnë pagën që kanë pasur sipas organizimit të mëparshëm.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2016,:
a) për Sekretariatin Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI – Shqipëri), të fillojnë nga data e miratimit të strukturës dhe organikës së re të këtij institucioni;
b) për Agjencinë e Trajtimit të Pronës, të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë dhe të përballohen nga fondet e miratuara për këtë institucion për vitin 2016.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR ZHVILLIMIN E INTEGRUAR URBAN DHE TË TURIZMIT 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit  të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Programit buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, i shtohen 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, shpenzime korrente, për financimin e Urdhrit të Mjekut Veterinar.
2. Programit buxhetor “Zhvillimi rural duke mbështetur bujqësinë, blegtorinë, agroindustrinë dhe marketingun”, i pakësohen 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, shpenzime korrente, nga skema mbështetëse për bujqësinë.
3. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.710, DATË 21.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMEVE TË RUAJTJES SË INFORMACIONIT, VAZHDUESHMËRISË SË PUNËS DHE MARRËVESHJEVE TË NIVELIT TË SHËRBIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të nenit 21, të ligjit nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.710, datë 21.8.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Paragrafi i dytë, i pikës 1, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“Institucioni, gjatë projektimit të këtyre sistemeve, duhet të parashikojë që nyja primare të hostohet pranë Qendrës së të Dhënave Qeveritare dhe nyja sekondare të hostohet pranë Qendrës së Vazhdueshmërisë së Punës (Business Continuity Center).”.
2. Në pikën 3, të vendimit, pas fjalëve “… Qendra e të Dhënave Qeveritare…”, shtohen fjalët “… ose Qendra e Vazhdueshmërisë së Punës…”.
3. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të marrë masat për ngritjen dhe zhvillimin e Qendrës së Vazhdueshmërisë së Punës, duke filluar nga data 1 nëntor 2016.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.280,  DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, PROCEDURAVE E DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM PËR TË KUALIFIKUAR NDËRTIMET PA LEJE, SHTESAT ANËSORE DHE/OSE NË LARTËSI, NË NDËRTIME ME LEJE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 39, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1.    Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Objektet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, në vijim të quajtura “ndërtime informale”, kualifikohen për legalizim kur nga pikëpamja ndërtimore:

a) kanë, minimalisht, të ndërtuar një kat mbi ose nën tokë;
b) janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme, të ngritura të paktën në strukturë dhe plotësojnë kushtet për regjistrim, sipas legjislacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
c) nuk janë në rrethanat e nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Në kuptim të shkronjës “c”, ndërtimi informal i ngritur në zonë, për të cilën dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit parashikojnë ndërtime mbi 6 kate, nuk gjendet në rrethanat e nenit 35, nëse plotësohet të paktën një nga këto kushte:

i.    më shumë se 50% e sipërfaqes së bazës së ndërtimit disponohet nga poseduesi i tij, (në bazë të informacionit nga ZVRPP-ja ose dokumentit të pronësisë) apo është në pronësi shtetërore; ose
ii.    pronari i ligjshëm i truallit të zënë shpreh, nëpërmjet një deklarate noteriale, vullnetin për heqjen dorë nga e drejta e zhvillimit të parcelës ndërtimore apo miratimin e legalizimit në favor të poseduesit, duke pranuar trajtimin përmes kompensimit financiar; ose
iii.    poseduesi i ndërtimit informal është bashkëpronar në truall, pavarësisht nga masa e pjesës takuese ideale të tij; ose
iv. ndërtimi informal është shtesë pa leje në lartësi; ose
v. në rastin e shtesës anësore pa leje, sipërfaqja e bazës së shtesës është më e vogël se 50% e sipërfaqes së bazës së objektit/pallatit ekzistues.”.

2.    Pas pikës 1, të kreut I, shtohen pikat 1/1, 1/2 1/3 dhe 1/4, me këtë përmbajtje:

“1/1. Ndarjet e hapësirave të brendshme (që ndryshojnë sipërfaqen ndërtimore, brenda vëllimit ekzistues) në ndërtime të regjistruara, legalizohen pa iu nënshtruar kritereve kualifikuese të parashikuara në këtë vendim.

1/2. Legalizohen edhe objektet e ngritura para datës 10.8.1991, sipas kuptimit të vendimit nr.608, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, i ndryshuar, nëse në to apo në truallin funksional të tyre gjenden zhvillime ndërtimore informale. Kritereve kualifikuese sipas këtij vendimi u nënshtrohet vetëm shtesa dhe/ose objekti pa leje.

1/3. Kualifikimi i ndërtimeve informale nga drejtoritë e ALUIZNI-t bazohet vetëm në kriteret e përcaktuara në mënyrë shteruese në këtë vendim. Për efekt të procedurave kualifikuese, drejtoritë e ALUIZNI-t bashkëpunojnë me institucione të tjera, duke iu përmbajtur parashikimeve të këtij vendimi.
1/4. Hipotekat dhe të drejtat e tjera të të tretëve mbi pasurinë, kufizimet e regjistruesit dhe lloji i pasurisë sipas informacionit mbi gjendjen juridike të pronës nuk pengojnë procedurën e kualifikimit të ndërtimit për legalizim.”.

3.    Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Ndërtimi informal i llojit “objekt”, i ngritur brenda vijës kufizuese të zonës informale të miratuar dhe i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përjashtohet nga legalizimi në një nga rastet e mëposhtme:

a)    Shkel distancat nga kufiri rrugor i rrugëve ekzistuese të kategorive A e B ose trupi i rrugëve ekzistuese të kategorive C, D dhe E. Për rrugët e kategorive A dhe B, distancat nga kufiri rrugor nuk mund të jenë më pak se:

i.  30 metra për rrugët e kategorisë A;
ii. 20 metra për rrugët e kategorisë B.

b)    Cenon sistemin ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale, të nivelit kombëtar, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
c)    Është ngritur brenda “territorit të institucioneve publike”, sipas neneve 39 dhe 42, pika 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizmin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me përjashtim të rasteve kur është ndërtuar nga vetë këto institucione. Në kuptim të këtyre neneve, “territor i institucionit publik” është sipërfaqja e truallit funksional të ndërtesës publike apo që rezulton të jetë pjesë e inventarit për këtë ndërtesë, si: godinat e institucioneve shtetërore, të shkollave e kopshteve publike, spitaleve, qendrave shëndetësore, kampuseve studentore e të tjera të ngjashme;
ç) Është ngritur në zonën e sigurisë të centraleve prodhuese të energjisë elektrike dhe nënstacioneve elektrike ose shkel brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.43/2015, datë 30.4.2015, “Për sektorin e energjisë elektrike;
d)    Cenon vellimin ose pamjen e jashteme te monumentit te kultures se Kategorise se I-re, ose eshte ngritur brenda zones mbrojtese te tij sipas parashikimeve te ligjit nr. 9048, date 7.4.2003 “Per trashegimine kulturore”, i ndryshuar dhe akteve nenligjore ne zbatim te tij;
dh)    Cenon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës të kategorisë II, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;
e) Cenon integritetin e objekteve në grup të trashëgimisë kulturore, të shpallura sipas kategorive të mëposhtme:

i.    Zonë-muze;
ii.    Ansambël-muze;
iii.    Qendër historike;
iv. Park arkeologjik;
v. Zonë arkeologjike “A”,
me përjashtim të rasteve kur shkalla e mbrojtjes është hequr ose kur në këto territore lejohen ndërtime të reja, në përputhje me legjislacionin përkatës;
ë) Është ngritur brenda zonave dhe/ose nënzonave të mbrojtura, shkalla e mbrojtjes të të cilave nuk lejon ndërtime, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;
f) Është ngritur brenda sipërfaqes së truallit funksional të ndërtesave, objekt kulti, përveç rasteve kur poseduesi/subjekti ndërtues është vetë institucioni fetar dhe objekti informal është në funksion të këtij institucioni;
g)    Është ngritur mbi ose shkel brezin mbrojtës të tubacionit të gazsjellësit, naftësjellësit, puseve të nxjerrjes së naftës dhe infrastrukturës së tyre, rrjeteve kryesore të ujësjellësve, aeroportit, portit apo cenon sigurinë e digave të mëdha, të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi;
gj) Preket nga zbatimi i një projekti konkret të infrastrukturës rrugore ose të linjës energjetike të interkonjeksionit, të miratuar në mënyrë të posaçme nga Këshilli Kombëtar i Territorit;
h) Është ngritur në breg të detit, liqenit ose lumit, brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, siç përcakton dokumenti i planifikimit të territorit, i miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi;
i)     Autoriteti vendor ose institucioni shtetëror kompetent, për zbatimin e një projekti të infrastrukturës publike ka paraqitur kërkesë të argumentuar për përjashtim nga legalizimi, përpara se ALUIZNI të ketë miratuar lejen e legalizimit.”.

4.    Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Ndërtimi informal i llojit “shtesë”, si brenda dhe jashtë zonave informale, u nënshtrohet vetëm kritereve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, me përjashtim të:
a)    distancave nga rrugët ekzistuese, ku, si rregull, do të merret për bazë vetëm trupi i rrugës. Përjashtimisht, për akset rrugore jokombëtare, kur shtesat bien mbi trotuar, ato legalizohen në përputhje me nenin 42, pika 1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar. “Kërkesë për legalizim”, në kuptim të këtij neni, konsiderohet aplikimi për legalizim.; dhe
b)    shkronjave “dh”, “e” dhe “ë”. Në këto raste, legalizimi lejohet vetëm me miratimin paraprak të autoriteteve përgjegjëse sipas ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, ose sipas legjislacionit në fuqi për mjedisin. Këto autoritete duhet të shprehen mbi miratimin ose jo të legalizimit, brenda 45 ditëve nga data e kërkesës së drejtorisë së ALUIZNI-t.”.

5.    Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:

a)    Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) shkel distancat ndaj rrugëve ekzistuese, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
i.    10 metra nga kufiri rrugor për rrugët e kategorisë C, brenda qendrave të banuara. Për rrugët e kategorive D dhe E, brenda qendrave të banuara, do të merret për bazë vetëm trupi i rrugës;
ii.    distancat e përcaktuara në nenin 25, pika 2, të “Rregullores për zbatimin e Kodit Rrugor”, miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, për objektet jashtë qendrave të banuara.”.

b)    Shkronja “c” shfuqizohet.

c)    Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) është ngritur në breg të rezervuarit, brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, siç përcakton dokumenti i planifikimit të territorit, i miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi;”.

ç)  Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) me kërkesë të subjektit të interesuar, provohet nga evidentimi faktik në terren se objekti cenon integritetin strukturor dhe/ose funksional të ndërtesës private, në pronësi të kërkuesit.”.

6.    Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Ndërtime informale brenda kufirit të vijës turistike, në kuptim të nenit 38/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, janë ato të ngritura brenda “vijës bregdetare” (jashtë qendrave urbane), të miratuar me vendimin nr.1, datë 8.10.2013, të KKT-së. Këto ndërtime u nënshtrohen kritereve të legalizimit sipas këtij vendimi dhe projekteve të infrastrukturës rrugore, të parashikuara në dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit.
Përjashtimisht, kur nga zbatimi i projektit të infrastrukturës rrugore rezulton se ndërtimi informal nuk cenon veprën, atëherë ai legalizohet.”.

7.    Pas pikës 8 shtohen pikat 8/1, 8/2, 8/3, 8/4, 8/5, 8/6 dhe 8/7, me këtë përmbajtje:

“8/1. Në vlerësimin e kritereve për rrugët ekzistuese, verifikimi i trupit të rrugës kryhet mbi bazën e dokumentacionit të gjendjes faktike dhe të klasifikimit të rrugës, të vënë në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ose nga autoriteti vendor i zhvillimit të territorit. Nëse nuk disponohet dokumentacion, konstatimi i trupit të rrugës bëhet sipas evidentimit faktik në terren, të kryer nga vetë drejtoria e ALUIZNI-t. Në kuadër të këtij vendimi, “qendra të banuara” konsiderohen zonat e urbanizuara (zonat e ndërtueshme), sipas vendimit nr.5, datë 29.12.2014 të KKT-së.

8/2. Për zbatimin e pikave 3, shkronja “b”, dhe 4, shkronja “d”, të këtij vendimi, drejtoria e ALUIZNI-t vendos në dispozicion të autoriteteve përgjegjëse dokumentacionin e praktikës së legalizimit (genplan, planimetritë, prerjet tërthore dhe gjatësore dhe fotografi të ndërtimit). Vlerësimi i ndërtimit nga autoritetet përgjegjëse kryhet bazuar vetëm mbi këtë dokumentacion dhe mbi verifikimet e tyre. Kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje, sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative, nëse autoriteti nuk shprehet brenda 45 ditëve.

8/3. Në përputhje me nenet 141 dhe 144 të Kodit Civil, si dhe me nenin 560 të Kodit të Procedurës Civile, ndërtimi informal nuk përbën objekt të ekzekutimit të detyrueshëm dhe legalizimi i tij nuk ndërpritet për shkak të këtyre procedurave.

8/4. Kur poseduesi e ka ngritur ndërtimin në pronën e tij dhe kjo pronë rezulton e sekuestruar, ALUIZNI, brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për këtë fakt, kryen procedurat kualifikuese, miraton lejen e legalizimit (nëse përmbushen kriteret), si dhe njofton përmbaruesin gjyqësor përpara regjistrimit të pasurisë së legalizuar. Përjashtimisht, nëse si pasojë e ekzekutimit të detyrueshëm poseduesi e ka humbur pronësinë përpara kualifikimit, kjo procedurë vijon vetëm me miratimin paraprak të subjektit që ka fituar pronësinë mbi truallin ose pasi konflikti për të drejtat mbi ndërtimin informal të jetë zgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë.

8/5. Në rastin e pikës 8/4 dhe kur poseduesi është subjekt i ekzekutimit të detyrueshëm të një kredie, ALUIZNI, gjatë legalizimit, nuk merr parasysh asnjë veprim juridiko-civil për kalimin e të drejtave mbi ndërtimin te të tretët.

8/6. Ekzekutimi i detyrueshëm nuk pengon procedurat e legalizimit as në rastin e objekteve me shtesa në tejkalim të lejes së ndërtimit dhe/ose me ndryshime të funksionit të hapësirave. Kur objekti dhe/ose trualli rezultojnë të sekuestruar, drejtoria e ALUIZNI-t procedon sipas përcaktimeve të pikës 8/4, të këtij vendimi.

Nëse ekzekutimi i detyrueshëm ka përfunduar më parë dhe karabinaja është tjetërsuar, objekti legalizohet në favor të subjektit që e ka përfituar atë, vetëm për ato njësi për të cilat nuk janë lidhur më parë akte noteriale mes investitorit dhe porositësve apo pronarëve të truallit.

8/7. Për situatat e pikave 8/4, 8/5 dhe 8/6, kur ZVRPP-ja nuk ka përcjellë informacion sipas kreut I, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, ALUIZNI nuk mban përgjegjësi nëse nuk është njoftuar më parë nga përmbaruesi gjyqësor.
Nëse përmbaruesi pengon legalizimin apo pretendon pezullimin e procedurave, në kundërshtim me pikat 8/3 deri në 8/6, të këtij vendimi, ALUIZNI njofton ministrin e Drejtësisë për nisjen e procedimit disiplinor.”.

8.    Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Për “shtesat” në ndërtime të regjistruara, marrëdhënia me ndërtimin e regjistruar shqyrtohet gjatë procedurave kualifikuese, vetëm nëse, sipas evidentimit në terren të kryer nga ALUIZNI, shtesa është e lidhur pazgjidhshmërisht nga ana funksionale me të. Në këto raste, kur ndërtimi i ligjshëm është tjetërsuar, procedurat e kualifikimit të shtesës kryhen në emër të pronarit të ri të tij. Përjashtimisht, me pëlqimin e shprehur të pronarit të ndërtimit të regjistruar, shtesa mund të legalizohet në emër të një subjekti tjetër edhe kur ekziston lidhja funksionale me ndërtimin ekzistues.

Kur lidhja funksionale nuk ekziston, marrëdhënia me ndërtimin e regjistruar nuk merret parasysh gjatë kualifikimit për legalizim.”.

9.    Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“13. Nëse poseduesi ka ngritur ndërtim informal mbi truallin e një objekti të shembur, që ka qenë në pronësi të tij, ai duhet të dorëzojë pranë drejtorisë së ALUIZNI-t deklaratën noteriale në të cilën pranon faktin e shembjes. Kjo deklaratë dorëzohet përpara miratimit të lejes së legalizimit dhe një kopje e saj përcillet pranë ZVRPP-së.
Kur objekti i shembur rezulton në pronësi të të tretëve ose në pronësi shtetërore, sipas regjistrit të pasurive të paluajtshme ose çdo dokumenti ligjor pronësie, në deklaratën noteriale poseduesi duhet të deklarojë se nuk është subjekt i veprave penale të parashikuara në seksionin III, të kreut III, të pjesës së posaçme, të Kodit Penal. Për ndërtimet shtetërore të shembura, institucioni përgjegjës (administrues) detyrohet të kryejë procedurat për pasqyrimin e gjendjes ekzistuese në inventarin e pronave të paluajtshme të shtetit.”.

10.    Pas pikës 13 shtohet pika 13/1, me këtë përmbajtje:

“13/1. Për legalizimin e ndërtimeve informale, të ngritura mbi territoret e objekteve ish-ushtarake, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8743,  datë 22.1.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, ALUIZNI zbaton procedurat e përcaktuara në këtë vendim, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes, në përputhje me pikën 17, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave.
Për territoret ose për sipërfaqe të tjera në përgjegjësi administrimi të institucioneve shtetërore, procedurat e legalizimit kryhen duke njoftuar paraprakisht këto institucione.”.

11.    Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“15. Kur situata ndërtimore apo urbane e ndërtimeve informale rezulton e paqartë, e papërcaktuar, nuk ka rregullim të posaçëm ose ky rregullim është kontradiktor, Këshilli Teknik i formuar sipas vendimit nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”, mund të shqyrtojë dhe të vendosë për mënyrën e trajtimit të unifikuar të tyre.”.

12.    Pikat 5, 9, 10 dhe 14 shfuqizohen.
II. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Kulturës, Ministria e Mjedisit dhe ALUIZNI për zbatimin e këtij vendimi.

  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

KALIMIN E SPORTELEVE PRITËSE PËR QYTETARËT TË ZYRAVE VENDORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME NË ADMINISTRIM TË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 50, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit në sportel të shërbimeve publike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin e sporteleve pritëse për qytetarët të zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) në administrim të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), sipas kalendarit të bashkërenduar paraprakisht me marrëveshje nga institucionet në këto bashki:

a) Kavajë;
b) Fier;
c) Krujë;
ç) Gjirokastër.

2. Në bashkitë e sipërpërmendura, ku sportelet pritëse për qytetarët kalojnë në administrim të ADISA-s, shërbimi i pritjes për qytetarët për aplikimet për shërbimet e ZVRPPP-ve në Kavajë, Fier, Krujë dhe Gjirokastër ofrohet vetëm nga ADISA. Në të njëjtat bashki, por në njësi administrative të ndryshme nga ku shërbimi i pritjes së qytetarëve ofrohet nga ADISA, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme mund ta ofrojnë këtë shërbim, përmes hapjes së sporteleve pritëse, me qëllim ofrimin e shërbimit sa më afër qytetarëve, në përputhje me përcaktimet në legjislacionin në fuqi për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

3. Kërkesat nga noterët për aplikim për kryerjen e shërbimeve për noterët në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të vazhdojnë të kryhen sipas përcaktimeve të vendimit nr.376, datë 6.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e lëshimit të dokumenteve nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme vendore dhe Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”.

4. ADISA kryen veprimtarinë e saj në bashkitë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, jashtë ambienteve të ZVRPP-ve në këto bashki, duke hapur sportelet e saj.

5. ADISA ofron shërbimin për pritjen e qytetarëve nëpërmjet punonjësve të saj, dhe jo përmes kalimit të punonjësve të ZVRPP-ve tek ADISA.

6. Shërbimi i pritjes për qytetarët në ZVRPP-të për bashkitë Fier, Kavajë, Krujë dhe Gjirokastër, që kalon në administrim të ADISA-s, është i patjetërsueshëm nga kjo e fundit përmes marrëveshjeve të koncesionit/partneritetit publik privat.

7. Efektet financiare të këtij vendimi mbulohen nga buxheti i ADISA-s.

8.    Tarifat dhe taksat, që do të mblidhen nga ADISA, të jenë në përputhje më legjislacionin në fuqi dhe të kalojnë në llogarinë e ZVRPP-ve.

9.    Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme lidhin marrëveshje bashkëpunimi, ku detajohen format, procedurat dhe mënyrat e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimit qytetarëve në sportelet që i kalojnë ADISA-s.

10.    Vendimi nr.674, datë 29.7.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e sporteleve pritëse për qytetarët të zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në administrim të Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”, shfuqizohet.
11. Ngarkohen Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si institucione përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.