Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2018:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E LLOJEVE, TË MËNYRËS SË SHKËMBIMIT E TË PËRPUNIMIT TË INFORMACIONIT DHE TË DHËNAVE STATISTIKORE, TË KËRKUARA NGA AGJENCIA SHTETËRORE PËR TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS PRANË STRUKTURAVE SHTETËRORE PËRGJEGJËSE, NË NIVEL QENDROR E VENDOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton llojet, mënyrën e shkëmbimit e të përpunimit të informacionit dhe të dhënave statistikore, të kërkuara nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës pranë strukturave shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror e vendor.
2. Në kuptim të këtij vendimi, struktura shtetërore përgjegjëse janë të gjitha institucionet në nivel vendor e qendror si dhe INSTAT-i, që kanë detyrimin të dërgojnë çdo vit pranë Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës informacionin dhe të dhënat statistikore për treguesit e përcaktuar në këtë vendim.
3. Informacioni dhe të dhënat statistikore, të përcaktuara në këtë vendim, do të përdoren me qëllim:
a) monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, në kuadër të zbatimit të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës, ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, dhe dokumenteve strategjike me fokus fëmijët;
b) hartimin e politikave, të strategjive, programeve e masave konkrete në fushën e promovimit, të mbrojtjes dhe përmbushjes së të drejtave të fëmijëve.
4. Informacioni dhe të dhënat statistikore përfshijnë:
a) të dhëna numerike për treguesit e përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) informacion shoqërues, përshkrues, sipas kërkesave të shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, lidhur me treguesit e përcaktuar në këtë vendim.
5. Brenda 3-mujorit të parë të çdo viti, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës kërkon informacionin dhe të dhënat statistikore vjetore për vitin paraardhës pranë strukturave shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror e vendor, sipas shtojcave të këtij vendimi. Agjencia publikon informacionin dhe të dhënat statistikore çdo vit, në faqen e saj zyrtare.
6. Njësitë për mbrojtjen e fëmijës raportojnë periodikisht, çdo 3 muaj, dhe në fund të vitit me një raport vjetor pranë Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, të dhënat statistikore dhe narrative që kanë mbledhur për fëmijët, të cilët jetojnë brenda dhe jashtë vendit, që janë në nevojë për mbrojtje në territorin e bashkisë dhe të njësive administrative përkatëse brenda vendit, dhe për fëmijët me shtetësi shqiptare, që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës i përpunon këto të dhëna, duke realizuar strukturimin e të dhënave në nivel kombëtar.
7. Shkëmbimi i informacionit dhe i të dhënave statistikore nga strukturat shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror e vendor, si dhe publikimi i informacionit sipas pikës 5, të këtij vendimi, bëhen në përputhje me parashikimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e konfidencialitetit.
8. Vendimi nr.267, datë 12.4.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për llojet, mënyrën e shkëmbimit e të përpunimit të informacionit dhe të dhënave statistikore të kërkuara nga Agjencia e nga strukturat shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor”, shfuqizohet.
9. Ngarkohet Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
10. Ngarkohen strukturat përgjegjëse, në nivel qendror e vendor, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA TIRANË, TË DISA SIPËRFAQEVE NGA TRUALLI FUNKSIONAL, I PRONËS NR.180, ME EMËRTIM “POLICIA USHTARAKE (REPARTI USHTARAK NR.6620)”, DHE I PRONËS NR.1265, ME EMËRTIM “OBJEKTE TË DHËNA PËR STREHIM”, ME VENDNDODHJE NË SAUK, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, të sipërfaqes prej 506.14 (pesëqind e gjashtë pikë katërmbëdhjetë) m² nga trualli funksional i pronës nr.180, me emërtim “Policia Ushtarake (reparti ushtarak nr.6620)”, dhe të sipërfaqes prej 143.2 (njëqind e dyzet e tre pikë dy) m², nga trualli funksional i pronës nr.1265, me emërtim “Objekte të dhëna për strehim”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë, sipas planvendosjeve që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’i përdorur për nevoja urbanistike, për zbatimin e projektit të ndërtimit të rrugës “Danish Jukniu”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet sipërfaqja prej 506.14 (pesëqind e gjashtë pikë katërmbëdhjetë) m² nga trualli funksional i pronës nr.180, me emërtim “Policia Ushtarake (reparti ushtarak nr.6620)”, dhe sipërfaqja prej 143.2 (njëqind e dyzet e tre pikë dy) m² nga trualli funksional i pronës nr.1265, me emërtim “Objekte të dhëna për strehim”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë, sipas planvendosjeve, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Tiranë.
3. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqeve të pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve.
4. Për sigurinë dhe ruajtjen e pronave, para fillimit të punimeve, Bashkia Tiranë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronave nr.180, me emërtim “Policia Ushtarake (reparti ushtarak nr. 6620)”, dhe nr.1265, me emërtim “Objekte të dhëna për strehim”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë, duke i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, dhe për këtë të hartohet aktmarrëveshje ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
5. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Tiranë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KARTËS SË TË DREJTAVE TË QYTETARIT PËR PËRFITIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 35 e 36, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Karta e të drejtave të qytetarit për përfitimin e shërbimeve publike”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Të drejtat e parashikuara në këtë kartë janë të zbatueshme për ministritë e linjës, institucionet e tjera përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve publike, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel.
3. Ngarkohen ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve publike, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM (IDA), PËR PROJEKTIN “SIGURIA E DIGAVE”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9965, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MANUALIT TË ETIKËS NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE NË SPORTEL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 35 e 36, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha institucionet e administratës shtetërore, të cilat administrojnë sportele shërbimi, për zbatimin e këtij manuali.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MANUALIT PËR STANDARDIZIMIN E NGRITJES DHE TË FUNKSIONIMIT TË SPORTELIT TË SHËRBIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 35 e 36, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e manualit për standardizimin e ngritjes dhe të funksionimit të sportelit të shërbimit publik, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha institucionet e administratës shtetërore, që administrojnë sportele shërbimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË AUSTRIAKE TË ZHVILLIMIT, PËR PROJEKTIN “AL-TOUR: MBËSHTETJE PËR CILËSINË DHE AKSESIN NË TRAJNIMIN DHE ARSIMIN PËR TURIZMIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për projektin “Al-Tour: Mbështetje për cilësinë dhe aksesin në trajnimin dhe arsimin për turizmin”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË AUSTRIAKE TË ZHVILLIMIT, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJA E BASHKIMIT EVROPIAN PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË UJIT NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për projektin “Mbështetja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të ujit në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ORGANIZATËS PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM EKONOMIK (OECD), PËR BËRJEN PALË NË KUADRIN GJITHËPËRFSHIRËS TË PROJEKTIT NDËRKOMBËTAR MBI EROZIONIN E BAZËS SË TATUESHME DHE TRANSFERIMIN E FITIMIT (BEPS)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për bërjen palë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS), sipas tekstit bashkëlidhur.
2. Për bërjen palë të Republikës së Shqipërisë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS) do të paguhet një kuotë anëtarësie prej 20 200 (njëzet mijë e dyqind) eurosh në vit, vlerë që do të rregullohet dhe me inflacionin vjetor përkatës, të përcaktuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIM DHE NDIHMË TË NDËRSJELLË NË RASTE TË FATKEQËSIVE NATYRORE DHE FATKEQËSIVE TË TJERA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.184, DATË 29.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË, JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2018”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.184, datë 29.3.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e mesëm drejtues (gjithsej 18), si dhe për nivelin e ulët drejtues (gjithsej 48), përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 3, bashkëlidhur vendimit, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në nënndarjen I, “Niveli i mesëm drejtues dhe të barasvlershëm”:
i. emërtesa “Koordinator në Njësinë e Transparencës dhe Antikorrupsionit, në Departamentin e Burimeve, Transparencës dhe Administrimit në Kryeministri”, në numrin rendor 3, zëvendësohet me emërtesën “Drejtor i Qendrës së Botimeve Zyrtare, kategoria II-b”;
ii. emërtesa “Drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Infrastrukturës dhe Territorit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, në numrin rendor 13, zëvendësohet me emërtesën “Sekretariati për Nismë dhe Transparencë në Industrinë Nxjerrëse”;
iii. emërtesa “Drejtor i Drejtorisë së Aeroporteve, në Autoritetin e Aviacionit Civil”, në numrin rendor 14, zëvendësohet me emërtesën “Drejtori i Institutit të Transportit”.
b) Në nënndarjen II, “Niveli i ulët drejtues dhe të barasvlershëm”, pas numrit rendor 39 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
“40. Përgjegjës i Sektorit të Veterinarisë dhe Mirëqenies së Kafshëve, në Drejtorinë e Derregullimit, Lejeve, Licencave dhe Monitorimit, në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi, Ushqim dhe Zhvillim Rural, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kategoria III-a.
41. Përgjegjës i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kategoria III-a/1.
42. Përgjegjës i Sektorit të Përmbushjes, në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kategoria III-a/1.
43.Përgjëgjës i Sektorit të Programimit, Hartimit dhe Harmonizimit të Akteve Rregullatore, në Drejtorinë e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Akteve Rregullatore, Drejtoria e Përgjithshme Rregullatore dhe e Përputhshmërisë në Fushën e Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
44.Përgjëgjës i Sektorit të Auditimit të Ndërmarrjeve, në Drejtorinë e Auditimit, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
45.Përgjegjës i Sektorit të Ankesave Administrative dhe Gjyqësore, në Drejtorinë e Miradministrimit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
46. Përgjegjës i Sektorit të Komunikimit Strategjik të Mbrojtjes, në Drejtorinë e Monitorimit dhe Jetësimit të Prioriteteve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikës së Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
47. Përgjegjës i Sektorit të Lajmeve nga Kronika, Kultura dhe Sporti, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kategoria III-a/1.
48. Përgjegjës i Sektorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Fushën Penale, në Drejtorinë për Marrëdhëniet Juridiksionale dhe Bashkëpunimin Ndërgjyqësor, në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Çështjeve të Drejtësisë, në Ministrinë e Drejtësisë, kategoria III-a.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PARIMEVE DHE TË UDHËZIMEVE TË PRAKTIKËS SË MIRË TË PRODHIMIT TË PRODUKTEVE KOZMETIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.26/2017, “Për produktet kozmetike”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e parimeve dhe të udhëzimeve të praktikës së mirë të prodhimit të produkteve kozmetike, sipas tekstit që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH, NDËRMJET PROGRAMEVE BUXHETORE TË BUXHETIT TË VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të nenit 18, të ligjit nr.190/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, planifikuar për vitin 2018, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”, bëhet rishpërndarje fondi, si më poshtë vijon:
• Në programin 01110, “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, pakësohet fondi prej 28 000 000 (njëzet e tetë milionë) lekësh;
• Në programin 04130, “Mbështetje për zhvillimin ekonomik”, pakësohet fondi prej 29 000 000 (njëzet e nëntë milionë) lekësh;
• Në programin 09240, “Arsimi i mesëm profesional”, shtohet fondi prej 57 000 000 (pesëdhjetë e shtatë milionë) lekësh.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.629, DATË 15.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MANUALEVE TEKNIKE TË ÇMIMEVE TË PUNIMEVE TË NDËRTIMIT DHE ANALIZAVE TEKNIKE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në manualin nr.3, “Analiza teknike për punimet e rrugëve, kullim – ujitje dhe hidrocentraleve”, bashkëlidhur vendimit nr.629, datë 15.7.2015, të Këshillit të Ministrave, shtohet tabela “Analiza: An-1”, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, e cila implementohet fillimisht në punimet e rrugëve të kategorive “C”, “D”, “E” dhe “F”.
2. Ky vendim i shtrin efektet për projektet, të cilat fillojnë të zbatohen pas hyrjes në fuqi të tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
VEPRIMTARINË E STRUKTURAVE PËR MBROJTJEN E FËMIJËS, NË LIDHJE ME FËMIJËN NËN MOSHËN PËR PËRGJEGJËSI PENALE, QË DYSHOHET APO KA KRYER VEPËR PENALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 65, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim rregullon veprimtarinë e strukturave për mbrojtjen e fëmijës, për trajtimin e fëmijës, që është nën moshën për përgjegjësi penale dhe që dyshohet apo ka kryer një vepër penale.
2. Parashikimet e këtij vendimi janë të detyrueshme për të gjithë mekanizmat këshillimorë dhe koordinues institucionalë dhe strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në nivel qendror dhe vendor, sipas paragrafëve 2, 3 dhe 4, të nenit 34, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, institucionet publike apo private, organizatat jofitimprurëse dhe të gjithë personat e tjerë, të cilët kanë për detyrë funksionale, profesionale, kontraktuale apo ligjore të kryejnë referim, menaxhim, koordinim apo të ofrojnë një shërbim për fëmijët në nevojë për mbrojtje.
3. Në zbatim të këtij vendimi, termat “Fëmijë, i cili nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale”, “Fëmijë nën moshën për përgjegjësi penale” dhe “Fëmijë nën moshën për përgjegjësi penale në konflikt me ligjin” kanë të njëjtin kuptim me termat e përcaktuar nga legjislacioni penal dhe Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.
4. Strukturat dhe mekanizmat e përfshirë për mbrojtjen e fëmijës nën moshën për përgjegjësi penale, që dyshohet apo ka kryer vepër penale, janë, si më poshtë vijon:
a) Bashkia;
b) Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës pranë Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës në Bashki dhe Njësisë së Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit;
c) Policia;
ç) Prokuroria;
d) Grupi teknik ndërsektorial;
dh) Autoritete apo shërbime të tjera në nivel lokal.
5. Punonjësit e policisë/prokuroria janë të detyruar që të referojnë menjëherë rastin tek punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në bashki ose në njësinë administrative ku është konstatuar vepra penale, për kryerjen e së cilës dyshohet fëmija nën moshën 14 vjeç, si autor apo bashkëpunëtor. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në bashki apo në njësinë administrative, pas marrjes së masave të menjëhershme, e referon rastin në bashkinë apo në njësinë administrative ku ka vendbanimin fëmija.
6. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në bashki/njësi administrative, për çdo rast të referuar për fëmijën nën moshën për përgjegjësi penale, i cili dyshohet apo është në konflikt me ligjin, hap dosjen përkatëse dhe e plotëson atë sipas legjislacionit në fuqi.
7. Për fëmijën nën moshën për përgjegjësi penale, i cili dyshohet apo është në konflikt me ligjin, pas referimit nga prokurori/punonjësi i policisë, ofrohet mbrojtja dhe trajtimi i përshtatshëm nga strukturat për mbrojtjen e fëmijës pranë bashkisë ose njësisë administrative ku ka vendbanimin fëmija.
8. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në bashkëpunim me grupin teknik ndërsektorial, për fëmijën nën moshën për përgjegjësi penale, harton Planin Individual të Mbrojtjes, i cili përmban, sipas rastit, një prej masave të mbrojtjes të parashikuara në ligjin nr.18/2017, ndërhyrjet dhe shërbimet e tjera të nevojshme për riintegrimin e tij.
9. Strukturat e mbrojtjes së fëmijës, në bashkëpunim me Njësinë e Vlerësimit e Referimit të Rasteve dhe grupin teknik ndërsektorial, vlerësojnë rastin, duke marrë në konsideratë përcaktimet e ligjit nr.18/2017. Në rastin kur vlerësohet se janë të pamjaftueshme seancat e këshillimit ndaj prindërve të fëmijës, ato mund të marrin masa për aftësim prindëror sipas përcaktimeve ligjore.
10. Pas vlerësimit të rastit, punonjësi i mbrojtjes së fëmijës bashkëpunon me strukturat publike dhe private, që ofrojnë shërbime apo programe të posaçme mbrojtjeje për këtë kategori fëmijësh, me qëllim krijimin e mundësive dhe të alternativave të ndryshme për mbrojtje dhe trajtim të fëmijës. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës kërkon në rrugë zyrtare nga organizata jofitimprurëse informacion të detajuar me shkrim lidhur me:
a) shërbimet konkrete të ofruara për fëmijën nga organizata;
b) licencimin;
c) statusin ligjor të organizatës dhe mënyrën e organizimit të saj.
11. Bashkia mbështet krijimin e programeve rehabilituese dhe integruese për fëmijët nën moshën për përgjegjësi penale, që dyshohet ose kanë kryer vepër penale. Bashkia lehtëson bashkëpunimin dhe komunikimin me subjektet publike apo private lidhur me detyrimet që ky vendim u cakton punonjësve të mbrojtjes së fëmijës për këtë kategori.
12. Ngarkohen mekanizmat këshillimorë dhe koordinues institucionalë dhe strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në nivel qendror dhe vendor, sipas paragrafëve 2, 3 dhe 4, të nenit 34, të ligjit 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, institucionet publike apo private, organizatat jofitimprurëse dhe të gjithë personat e tjerë, të cilët kanë për detyrë funksionale, profesionale, kontraktuale apo ligjore të kryejnë referim, menaxhim, koordinim apo të ofrojnë një shërbim për fëmijët në nevojë për mbrojtje, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA