Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Shkurt 2018:
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E LËVIZJES JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË 11 VEPRAVE TË PIKTORIT TË POPULLIT VANGJUSH MIO, ME QËLLIM EKSPOZIMIN E TYRE NË CENTRO CULTURALE DON ORIONE ARTIGIANELLI, SALA TIZIANO, DORSODURO 909/A – VENECIA, ITALI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 11 veprave të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, me qëllim ekspozimin e tyre në Centro Culturale Don Orione Artigianelli, Sala Tiziano, Dorsoduro 909/a në Venecia, Itali, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lëvizja e veprave të artit të bëhet për periudhën 1 mars 2018 – 30 prill 2018.
3. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e lëvizjes së objekteve të trashëgimisë kulturore, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
4. Ngarkohet znj. Migena Hajdari, përfaqësuese me prokurë të posaçme me nr.689 rep., nr.571 Kol., të kryejë shoqërimin dhe kthimin e veprave në vendin e origjinës, sipas afateve dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
5. Ngarkohet Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë procedurën e monitorimit dhe regjistrimin e lëvizjes së veprave.
6. Ngarkohet ministri i Kulturës për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR, TË QARKUT TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, shkronja “a”, dhe 12, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën përfundimtare të pronave, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Shkodër, miratuar me vendimin nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi i destinacionit të një sipërfaqeje prej 428 m2 të katit përdhes të godinës, me numër rendor 61 dhe me numër pasurie 4/49, sipas planimetrisë bashkëlidhur, nga fusha e përdorimit “Pronë për realizimin e programeve arsimore”, për t’u përdorur për ngritjen e Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara të ADISA-s, në Bashkinë Shkodër.
2. Bashkisë Shkodër i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkia Shkodër dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NUMRIT TË PRAKTIKANTËVE PËR KRYERJEN E PRAKTIKËS PROFESIONALE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR PERIUDHËN 1 JANAR DERI 15 QERSHOR 2018 DHE 15 SHTATOR DERI 31 DHJETOR 2018, PËR MINISTRINË E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 11, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën 1 janar – 15 qershor 2018 dhe 15 shtator – 31 dhjetor 2018, i cili të jetë 1 500 praktikantë.
2. Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, sipas njësive arsimore vendore, dhe afati kohor i kontraktimit të praktikantëve përcaktohen në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Praktikantët gjatë periudhës së kryerjes së praktikës profesionale përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi (njësitë arsimore vendore) pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në masën 27.9%. Njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore), gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, realizojnë çdo muaj pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në emër të punëdhënësit në masën 16.7% si dhe në emër të punëmarrësit në masën 11.2%, të përllogaritur.
4. Masa mujore e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përllogaritet mbi pagën minimale mujore 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë, të miratuar me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.399, datë 3.5.2017, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, si dhe nr.77, datë 28.1.2015, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar. Ndryshimet në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi reflektohen menjëherë në masën e pagesës që punëdhënësi paguan çdo muaj për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
5. Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2018, të përllogaritur në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në shumën 90 396 000 (nëntëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2018, për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2018.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RISHIKIM I KALIMEVE KËMBËSORE (TROTUAR) DHE I HAPËSIRAVE PUBLIKE NË RRUGËN “GJYKATË – AKADEMIA E MARINËS – 7 PALLATET”, FAZA I”, VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rishikim i kalimeve këmbësore (trotuar) dhe i hapësirave publike në rrugën “Gjykatë – Akademia e Marinës – 7 pallatet”, faza I”, Vlorë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në listat emërore “Shtojca 1” dhe “Shtojca 2”, me të dhënat e pronarëve që shpronësohen, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 76 860 572 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e dy) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 76 860 572 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e dy) lekë, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e përmendur në listat emërore “Shtojca 1” dhe “Shtojca 2”, që i bashkëlidhen këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, TË KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, GJYKATËN E LARTË, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1/2 dhe kudo në vendim:
i. shtohen emërtesat “Agjencia Kombëtare e Diasporës” dhe “Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”;
ii. emërtesa “Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara” zëvendësohet me “Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”.
b) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, dhe kudo në vendim:
i. emërtesa “Agjencia Kombëtare e Provimeve” zëvendësohet me “Qendra e Shërbimeve Arsimore”;
ii. emërtesa “Drejtoria e Patentave dhe Markave” zëvendësohet me “Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale”;
iii. emërtesa “Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale” zëvendësohet me “Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”;
iv. shtohen emërtesat “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” dhe “Agjencia e Blerjeve të Përqendruara”.
c) Në shkronjën “b”, të pikës 1/3, dhe kudo në vendim:
i. emërtesat “Agjencia e Akreditimit për Arsimin e Lartë” dhe “Inspektorati Shtetëror i Ujërave” shfuqizohen;
ii. emërtesa “Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave” zëvendësohet me “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera”;
iii. emërtesa “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve” zëvendësohet me “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave”;
iv. fjalët “… dhe punonjësit jomësimorë në Universitetin Ushtarak dhe Akademinë e Mbrojtjes …” shfuqizohen.
ç) Pas pikës 4/16 shtohet pika 4/17, me këtë përmbajtje:
“4/17. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale, nëpunësit civilë të njësisë së ekzaminimit, në masën10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.
d) Pas pikës 8/6 shtohen pika 8/7 dhe 8/8, me këtë përmbajtje:
“8/7. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “Titullar i institucionit” në Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm janë sipas lidhjes nr.5/7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
8/8. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “Titullar i institucionit” në Agjencinë e Prokurimit Publik janë sipas lidhjes nr.5/8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
dh) Në lidhjen nr.6, që përmendet në pikën 9, emërtesa “Agjencia Kombëtare e Provimeve” zëvendësohet me “Qendra e Shërbimeve Arsimore”.
e) Pas pikës 9/10 shtohet pika 9/11, me këtë përmbajtje:
“9/11. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “Titullar i institucionit” në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara janë sipas lidhjes nr.6/11, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
ë) Në lidhjen nr.7, që përmendet në pikën 10, emërtesa “Akademia e Mbrojtjes” shfuqizohet.
f) Lidhja nr.7/4, që përmendet në pikën 10/4, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2018,:
a) për përcaktimet që lidhen me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë dhe të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2018;
b) për përcaktimet në shkronjat “a”, për Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, “c”, për Universitetin Ushtarak dhe Akademinë e Mbrojtjes, dhe “ë” e “f”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
c) për të gjitha përcaktimet e tjera të fillojnë nga data e transferimit të nëpunësve në pozicionet e reja të punës dhe të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2018.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në aneksin nr.3, “Lista e vendeve, shtetasit e të cilave hyjnë pa viza si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën Shengen”, bashkëlidhur vendimit, shtohen shtetet “Gjeorgji” dhe “Trinidad dhe Tabako”, me dokumentin pasaportë.
b) Në aneksin nr.4, “Lista e vendeve, shtetasit e të cilave hyjnë me vizë në Republikën e Shqipërisë, dhe përfaqësitë ku mund të bëhet aplikimi, si dhe tarifa përkatëse e shërbimit me vizë”, bashkëlidhur vendimit, hiqen shtetet “Gjeorgji” dhe “Trinidad dhe Tabako”.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E TASK-FORCËS PËR EVIDENTIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE GJATË BREGDETIT SHQIPTAR, ME QËLLIM INVESTIMIN NË TURIZMIN BREGDETAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.90, datë 27.9.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Task-Forcës, në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për evidentimin e pronave të paluajtshme shtetërore gjatë bregdetit shqiptar, krijimin e një regjistri me bazën e të dhënave të këtyre pasurive si dhe për dhënien e rekomandimeve përkatëse Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për kryerjen e investimeve në turizmin bregdetar, në këto pasuri të paluajtshme.
2. Struktura e Task-Forcës miratohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit. Personeli i Task-Forcës caktohet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit.
3. Task-Forca evidenton dhe regjistron në një regjistër të veçantë pasuritë e paluajtshme shtetërore, që ndodhen 1,5 (një presje pesë) kilometra nga vija bregdetare e Republikës së Shqipërisë dhe që mund të përdoren për investime në turizmin bregdetar, me të gjitha të dhënat e tyre.
4. Task-Forca trajton të gjitha pasuritë e paluajtshme shtetërore (objekt, truall, tokë bujqësore, pyll, livadh, kullotë etj.) në pronësi apo përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat shtrihen deri në 1,5 (një presje pesë) kilometra në thellësi të territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë, nga vija bregdetare e Republikës së Shqipërisë.
5. Për realizimin e punës, Task-Forca kryen këto detyra:
a) Evidenton pasuritë e paluajtshme shtetërore që ndodhen 1,5 (një presje pesë) kilometra nga vija bregdetare e Republikës së Shqipërisë;
b) Krijon dhe administron regjistrin me bazën e të dhënave të pasurive të paluajtshme shtetërore përgjatë bregdetit shqiptar, së bashku me dosjen e plotë të dokumentacionit shoqërues të këtyre pasurive;
c) Bashkëpunon me investitorët e interesuar, me ministritë e linjës apo institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore;
ç) Trajton dhe analizon vlerësimet e organeve të qeverisjes qendrore e vendore, të cilat administrojnë pasuri të paluajtshme shtetërore, me qëllim investimin në turizmin bregdetar;
d) Shqyrton dokumentacionin e dosjeve të pasurive të paluajtshme dhe kryen verifikimet e nevojshme;
dh) Administron dosjet me dokumentacionin shoqërues të çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, e cila mund të përdoret për turizëm bregdetar, dhe, në rast se konstaton mangësi dokumentacioni për një pasuri të caktuar, merr masa për t’i plotësuar këto mangësi.
6. Task-Forca konsultohet dhe u kërkon mendim paraprak organeve të qeverisjes qendrore e vendore, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi apo në pronësi pronat e paluajtshme shtetërore të evidentuara për t’u përdorur për investime në turizmin bregdetar. Për këtë qëllim, Task-Forca u kërkon organeve të qeverisjes qendrore e vendore të japin informacion në lidhje me pasuritë e paluajtshme të propozuara, përdorimin aktual ose të planifikuar të tyre si dhe të shprehin mendimin e tyre vlerësues në lidhje me përfshirjen e këtyre pasurive në investim për turizëm bregdetar.
7. Në çdo rast, organet e qeverisjes qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që administrojnë pasuritë e paluajtshme shtetërore të propozuara për t’u përfshirë në turizëm bregdetar, i përcjellin Task-Forcës, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, dosjen e plotë, në të cilën përfshihet gjithë dokumentacioni i pasurive të paluajtshme, i vërtetuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
8. Task-Forca shqyrton dokumentacionin e dosjes së pasurive të paluajtshme dhe verifikon nëse këto pasuri janë objekt i:
a) procedurave administrative të njohjes, kthimit ose kompensimit të pronës apo objekt i pretendimeve të pronësisë nga palë të treta;
b) një procesi gjyqësor për titullin e pronësisë;
c) procedurave administrative të legalizimit;
ç) procedurave të marrjes së tokës në pronësi/në përdorim.
9. Task-Forca përfshin në regjistër edhe pasuritë e paluajtshme, të cilat, sipas dokumentacionit, janë pasuri shtetërore, por që janë në konflikte gjyqësore apo në konflikte administrative me palë të treta, në lidhje me titullin e pronësisë.
10. Nëse Task-Forca vëren parregullsi në dokumentacion apo shkelje ligjore dhe shkelje të procedurave lidhur me pasuritë e paluajtshme, ajo informon ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, i cili ia dërgon çështjen institucioneve përkatëse për marrjen e masave të duhura.
11. Task-Forca u kërkon informacion organeve shtetërore përkatëse, përfshirë, por pa u kufizuar në, Agjencinë e Trajtimit të Pronës, Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe prefekturat. Këto institucione detyrohen të japin informacion të qartë për pasurinë e paluajtshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
12. Task-Forca do të funksionojë dhe do të realizojë detyrat e përcaktuara në këtë vendim deri në datën 31 korrik 2019.
13. Task-Forca do ta ushtrojë aktivitetin në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ku do të pajisjet me zyra e mjete pune.
14. Task-Forca, brenda afatit të përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi, u paraqet ministrave të Turizmit dhe Mjedisit dhe të Financave dhe Ekonomisë raportin e plotë të punës së kryer, regjistrin e pronave të paluajtshme shtetërore si dhe rekomandimet përkatëse për kryerjen e investimeve në turizmin bregdetar në këto pasuri të paluajtshme.
15. Task-Forca bashkëpunon me të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, si dhe me agjenci, ente, persona juridikë, publikë, organe të qeverisjes qendrore apo njësi të vetëqerisjes vendore, për realizimin e detyrave.
16. Anëtarët e Task-Forcës merren në punë me afat të caktuar, i cili i korrespondon afatit të përcaktuar në pikën 12, (dhe ndryshimit që ky afat mund të ketë në të ardhmen). Për punën e kryer, anëtarët e jashtëm të Task-Forcës përfitojnë një pagë mujore, në masën e përcaktuar sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe dieta e shpenzime të nevojshme për realizimin e objektit të veprimtarisë.
17. Administrimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit me bazën e të dhënave të pasurive të paluajtshme gjatë bregdetit shqiptar bëhen nga Task-Forca. Krijimi dhe administrimi teknik i sistemit informatik të regjistrit bëhet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në përputhje me shkronjën “y”, të pikës 6, të vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
18. Ministri përgjegjës për turizmin miraton rregulloren për mënyrën e protokollimit të dokumentacionit dhe të korrespondencës së Task-Forcës.
19. Efektet financiare për ushtrimin e veprimtarisë së Task-Forcës, përfshirë shpenzimet për krijimin e regjistrit, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2018 si dhe nga burime financiare e materiale, të siguruara për këtë qëllim në mënyra të ligjshme nga institucione vendase ose të huaja.
20. Kryetari i Task-Forcës u raporton Kryeministrit, ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë sa herë çmohet e nevojshme për veprimtarinë e këtij grupi, përfshirë edhe për nevojat e përdorimin e fondeve të caktuara për këtë qëllim.
21. Ngarkohen ministri i Turizmit dhe Mjedisit, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Task-Forca e ngritur me këtë vendim dhe të gjitha institucionet shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.