Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 shtator 2016
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT TEK AGJENCIA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA), TË MJEDISEVE TË NDËRTESËS ME EMËRTIMIN “SHTËPIA E USHTARAKËVE”, GJIROKASTËR, PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.435, DATË 16.6.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS, PËR UNIVERSITETIN “EQEREM ÇABEJ”, NË GJIROKASTËR , TË PRONËS NR.600, ME EMËRTIMIN “SHTËPIA E USHTARAKËVE”, GJIROKASTËR, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, 15 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit tek Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), të mjediseve të katit të parë të ndërtesës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, Gjirokastër, me sipërfaqe 412 (katërqind e dymbëdhjetë) m², sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur si mjedise pune për ushtrimin e veprimtarisë administrative të ADISA-s.
2. Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NE VENDIMIN NR.223, DATË 23.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR VLERËSIMIN DHE SHPËRNDARJEN E FONDIT FINANCIAR E FIZIK PËR KOMPENSIMIN E PRONAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 37, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në paragrafin e parë, të pikës 40, fjalët “… pikat 31, 32 e 33 …” zëvendësohen me “… kreun VI …”.
2. Përmbajtja në pikën 3, të formularit nr.1, të aneksit nr.2; në pikën 4, të formularit nr.2, të aneksit nr.3; në pikën 3, të formularit nr.3, të aneksit nr.4 dhe në pikën 3, të formularit nr.4, të aneksit nr.5, bashkëlidhur vendimit, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Deklaratë noteriale e nënshkruar nga subjekti i shpronësuar/përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, si dhe nëse këto subjekte kanë qenë apo jo të paditur apo persona të tretë në proceset gjyqësore me objekt ankimin e vendimit për të cilin ata aplikojnë.”.
3. Përmbajtja në pikën 7, të formularit nr.1, të aneksit nr.2; në pikën 8, të formularit nr.2, të aneksit nr.3; në pikën 7, të formularit nr.3, të aneksit nr.4; dhe në pikën 7, të formularit nr.4, të aneksit nr.5, bashkëlidhur vendimit, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Deklaratë noteriale e nënshkruar nga subjekti i shpronësuar/përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse kanë përfituar apo jo nga dispozitat për ndarjen e tokës bujqësore.”.
4. Në të gjithë formularët, që i bashkëlidhen vendimit, paragrafët e fundit ndryshohen, si më poshtë vijon:
“MARRJE DIJENI MBI EFEKTET E FORMULARIT DHE DOKUMENTACIONIT TË PARAQITUR SIPAS KËRKESAVE NË KËTË FORMULAR
Unë, i nënshkruari _________________________________, kam marrë dijeni dhe jam i vetëdijshëm se:
a) Ky formular përbën dokument zyrtar që i drejtohet një organi shtetëror dhe i nënshtrohet verifikimit;
b) Paraqitja e të dhënave të pavërteta, të pasakta osë fshehja e tyre sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga çdo procedurë e mëtejshme si dhe përgjegjësi penale sipas ligjit;
c) Me plotësimin e këtij formulari kam dhënë pëlqimin dhe autorizoj ATP-në për verifikimin e plotë të çdo të dhëne, informacioni dhe dokumentacioni që shoqëron këtë formular;
ç) Trajtimi i të dhënave do të kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Duke qenë i vetëdijshëm për pasojat ligjore në rast të vetëdeklarimeve të pavërteta, të pasakta ose fshehjen e tyre konfirmoj saktësinë e të dhënave të pasqyruara në dokumentacioin e paraqitur sipas kërkesave në këtë formular.
KUJDES: JENI I/E SIGURT? SUGJEROHET QË NËNSHKRIMI I KËTIJ SEKSIONI TË BËHET PASI ËSHTË PLOTËSUAR SAKTË I GJITHË FORMULARI.
_____________________________
(emër, mbiemër, nënshkrimi)”.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM ASFALTIM RRUGË E SHESHE, BLLOQET E BANIMIT SHEJA, TREGU I QYTETIT, SHKUMBINI DHE USHTARAKU”, LIBRAZHD
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim asfaltim rrugë e sheshe, blloqet e banimit Sheja, tregu i qytetit, Shkumbini dhe Ushtaraku”, Librazhd.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Librazhd.
3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme 370 690 (treqind e shtatëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 370 690 (treqind e shtatëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Librazhd.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronari i listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Librazhd.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd dhe Bashkia Librazhd për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ANSAMBLI I RILINDJES URBANE, BELSH”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
11. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ansambli i Rilindjes Urbane, Belsh”.
12. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Belsh.
13. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall”, “objekt shërbimi” dhe “objekt banimi”, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit 51 696 098 (pesëdhjetë e një milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekë.
14. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 51 696 098 (pesëdhjetë e një milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet, përkatësisht, 36 696 098 (tridhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekë nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë, dhe 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë nga buxheti i Bashkisë Belsh.
15. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
16. Shpronësimi të fillojë në datën e botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
17. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Belsh.
18. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Belsh, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
19. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
20. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan dhe Bashkia Belsh për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS VLORË (OBJEKTE)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Vlorë (objekte)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “objekte”, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 28 693 975 (njëzet e tetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “objekte”, prej 28 693 975 (njëzet e tetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË-ELBASAN (RRËSHQITJA NË FSHATIN IBË)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Tiranë – Elbasan (rrëshqitja në fshatin Ibë)”
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurtitë “arë”, ”kullotë”, “truall”, “drufrutorë” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme 23 611 897 (njëzet e tre milionë e gjashtëqind e njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë, nga të cilat:
– tokë “arë” dhe “kullotë”, me sipërfaqe 43 151 m2, me vlerë 19 356 532 (nëntëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) lekë;
– tokë “truall”, me sipërfaqe 150 m2, me vlerë 62 850 (gjashtëdhjetë e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë;
– “objekte”, me sipërfaqe 198 m2, me vlerë 3 278 943 (tre milionë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e dyzet e tre) lekë;
– “drufrutorë”, me vlerë 913 572 (nëntëqind e trembëdhjetë mijë e pesëqind e shatëdhjetë e dy) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, ”kullotë”, “truall”, “drufrutorë” dhe “objekte”, prej 23 611 897 (njëzet e tre milionë e gjashtëqind e njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Elbasanit, Fierit, Shkodrës, Tiranës dhe Lezhës.
2. Sipërfaqja që shpronësohet është 20 392,1 (njëzet mijë e treqind e nëntëdhjetë e dy presje një) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit është 244 223 971,3 (dyqind e dyzet e katër milionë e dyqind e njëzet e tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e një presje tre) lekë, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të Elbasanit, Fierit, Shkodrës, Tiranës dhe Lezhës të kryejnë ndryshimet përkatëse, për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR KRIJIMIN E SISTEMIT TË GJURMIMIT DHE Të IDENTIFIKIMIT TË LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 10, të ligjit nr.9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse për përdorim civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave dhe të procedurave për krijimin e sistemit të gjurmimit dhe të identifikimit të lëndëve plasëse për përdorim civil, sipas tekstit bashkëlidhur dhe pjesë e pandarë e këtij vendimi.
2. Subjektet tregtare në fushën e lëndëve plasëse për përdorim civil duhet të ngrenë sistemin e gjurmimit dhe të marrin masa për zbatimin e neneve 3, pika 6, 13 dhe 14, të tekstit bashkëlidhur këtij vendimit, brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij.
3. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2016 PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.147/ 2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, në grupin shpenzime kapitale, si më poshtë vijon:
a) Programit buxhetor 09450, “Arsimi i lartë”, t’i zbritet fondi prej 88 000 000 (tetëdhjetë e tetë milionë) lekësh;
b) Programit buxhetor 09120, “Arsimi bazë”, t’i shtohet fondi prej 88 000 000 (tetëdhjetë e tetë milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA TIRANË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE PËRBËRËSE FARKË, TIRANË, TË TRUALLIT FUNKSIONAL, ME SIPËRFAQE 2187 M2, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.186, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.3042, QENDËR STËRVITORE”, ME VENDNDODHJE NË SAUK, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, për Njësinë Administrative Përbërëse Farkë, Tiranë, të sipërfaqes truall funksional (S3), prej 2 187 (dymijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m², nga trualli funksional i pronës nr.186, me emërtim “Reparti ushtarak nr.3042, Qendër Stërvitore”, në Sauk, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për nevoja urbanistike, për ndërtimin e rrugës publike “Stërmas-Picallë-Reparti ushtarak-Sauk-Garunjë-TEG”.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet sipërfaqja truall, prej 2 187 (dymijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m², nga trualli funksional i pronës nr.186, me emërtim “Reparti ushtarak nr.3042, Qendër Stërvitore”, Sauk, Tiranë, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Njësisë Administrative Përbërëse Farkë, të Bashkisë Tiranë.
3. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes truall, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Para fillimit të punimeve, Bashkia Tiranë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, duke i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme. Për këtë qëllim, të hartohet një aktmarrëveshje e përbashkët ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Komandës së Forcës Ajrore Rinas, Tiranë.
5. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Tiranë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.