Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Korrik 2020:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E REHABILITIMIT TË BANESAVE PAS FATKEQËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtim, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për bashkëpunimin në fushën e rehabilitimit të banesave pas fatkeqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE CARITAS “SHQIPTAR”, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E NDËRTIMIT TË BANESAVE PAS FATKEQËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.97/2019, “Për miratimin e aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore””, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Caritas “Shqiptar”, për bashkëpunim në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Autorizimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Belsh për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROJEKTIN “EU4SCHOOLS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për projektin “EU4SCHOOLS”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDACIONIT “FIRDEUS”, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E NDËRTIMIT TË BANESAVE PAS FATKEQËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.97/2019, “Për miratimin e aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore””, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit “FIRDEUS”, për bashkëpunim në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, Kamzë, Mirditë, Lezhë, Kurbin, Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQATËS BAMIRËSE “JETIMËT E BALLKANIT” PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E NDËRTIMIT TË BANESAVE PAS FATKEQËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.97/2019, “Për miratimin e aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore””, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqatës bamirëse “Jetimët e Ballkanit”, për bashkëpunim në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Autorizimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHEMBJEN E KATËR OBJEKTEVE TË DHËNA ME QIRA ME KONTRATËN E QIRASË NR.1998 REP., NR.767 KOL., DATË 19.4.2019, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE FONDACIONIT “FUNDJAVË NDRYSHE”, SI QIRAMARRËS, NË ADMINISTRIM TË NDËRMARRJES INDUSTRIALE NR.1, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe në vijim të pikës 7, të kreut VIII, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shembjen e katër objekteve me emërtimet objekti nr.8 “Godinë ish-ndërtesa gr. Shkencor”, objekti nr.10 “Depo”, objekti nr.11 “Godinë ish-optika e re” dhe objekti nr.12 “Ish-magazinë rikupero”, pjesë përbërëse e pronës me nr.109, me emërtim “Sh.a. Riparim Artilerie”, të dhëna me qira me kontratën e qirasë nr.1998 rep., nr.767 kol., datë 19.4.2019, me tarifën 1 euro/kontrata, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe fondacionit “Fundjavë ndryshe”, si qiramarrës, miratuar me vendimin nr.118, datë 13.3.2019, të Këshillit të Ministrave, me vendndodhje në Brar, Tiranë, me nr. pasurie 969/12, zona kadastrale 1263, në administrim të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ndërmarrja Industriale nr.1, Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR “PROJEKTIN E MIRËMBAJTJES DHE SIGURISË RRUGORE BAZUAR NË REZULTATE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.71/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Projektin e mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore bazuar në rezultate”, ratifikuar me ligjin nr.71/2015, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E NDËRTIMIT TË BANESAVE PAS FATKEQËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.212, DATË 11.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E OBJEKTEVE ARSIMORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pikat 1 dhe 2, të vendimit nr.212, datë 11.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rindërtimit të objekteve arsimore (projektimin, zbatimin e punimeve, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e këtyre objekteve) në vlerën, gjithsej, në masën 9 531 941 818 (nëntë miliardë e pesëqind e tridhjetë e një milionë e nëntëqind e dyzet e një mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, përkatësisht:

i. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në vlerën, gjithsej, 4 347 753 223 (katër miliardë e treqind e dyzet e shtatë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e njëzet e tre) lekë;
ii. Bashkisë Tiranë, në vlerën, gjithsej 5 184 188 593 (pesë miliardë e njëqind e tetëdhjetë e katër milionë e njëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë.

2. Fondi që do të përdoret, i miratuar në buxhetin e vitit 2020, do të jetë 7 292 186 370 (shtatë miliardë e dyqind e nëntëdhjetë e dy milionë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë) lekë pa TVSH, nga të cilat:

i. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 4 347 753 223 (katër miliardë e treqind e dyzet e shtatë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e njëzet e tre) lekë pa TVSH.
ii. Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 2 944 433 147 (dy miliardë e nëntëqind e dyzet e katër milionë e katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e dyzet e shtatë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT TË PERSONAVE TË DALË TË PAPUNË SI PASOJË E COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19, nga data 10 mars 2020 deri në datën 23 qershor 2020.

2. Programi, sipas pikës 1, të këtij kreu, zbatohet në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit të papunë për t’u integruar në tregun e punës dhe me planin individual për punësimin e tij.

II. KRITERET E KËRKESËS

1. Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës.

2. Punëkërkuesi, pjesëmarrës në programet sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohet.
3. Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program.

4. Punëdhënësit me të drejtë kërkese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Të jenë shoqëri tregtare të regjistruara;
b) Të jenë subjekt i pagimit të taksave dhe të jenë të regjistruar si punëdhënës pranë autoriteteve tatimore;
c) Të mos kenë shkelur legjislacionin për punësimin në dy vitet e fundit përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi;
ç) Të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 (dyzet) orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës;
d) Vendi i punës, i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit;
dh) Të jenë shoqëri tregtare, të cilat nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore para datës 10 mars, në bazë të akteve normative në fuqi ose, në momentin e kërkesës për këtë program, të vërtetojnë se:

i. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullta në shlyerjen e tyre;
ii. kanë shlyer detyrimet por kanë ende pa paguar gjobat;
iii. kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ e në procese gjyqësore me organet tatimore.

III. PROGRAMET, PËRFITUESIT DHE MBËSHTETJA

1. Programi i punësimit përmban elementet, si më poshtë vijon:

a) Programi i punësimit është një program 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi;
b) Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg.

2. Programi subvencionon kostot e mëposhtme:

a) Për programin e punësimit katërmujor:

i. Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës;
ii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

b) Për programin e punësimit tetëmujor:

i. Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;
ii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

c) Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

IV. RREGULLAT DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT

Procedura e përgjithshme e zbatimit të këtyre programeve përfshin hapat, si më poshtë vijon:

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, nëpërmjet strukturave të tij, publikon informacionin e nevojshëm në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në platforma të tjera (faqe interneti, media sociale, shtyp etj.) lidhur me zbatimin e programit.

2. Punëdhënësit mund të kërkojnë për përfshirjen në program në rrugë elektronike, duke ngarkuar në faqen e internetit:

a) formularin përkatës të plotësuar, sipas modelit standard të miratuar dhe të publikuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;
b) autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të kërkesës;
c) vetëdeklarim për mospasjen në ngarkim të punëdhënësit, të shkeljeve apo të sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, përgjatë dy viteve të fundit.

3. Pas marrjes së kërkesës nga punëdhënësi, struktura vendore e punësimit kryen verifikimet e nevojshme.

4. Struktura vendore e punësimit verifikon, brenda 7 (shtatë) ditëve punë, plotësimin e kushteve formale paraprake të kërkesës dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e zbatueshme të programit.

5. Në rast të mosplotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore e punësimit i kërkon kërkuesit plotësimin e dokumentacionit.

6. Në rast të plotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore i përcjell për miratim kërkesën strukturës rajonale të punësimit, e cila, brenda 5 (pesë) ditëve punë, vendos miratimin ose mosmiratimin e projektit, sipas rregullave të përcaktuara në manualin e zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit.

7. Struktura vendore e punësimit i komunikon punëdhënësit kërkues përgjigjen përfundimtare për pranimin apo refuzimin e kërkesës brenda 2 (dy) ditëve punë. Ndaj këtij vendimi nuk paraqitet ankim administativ.

8. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, në cilësinë e punëmarrësit, lidhin një kontratë pune, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë, në përputhje me programin e përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi. Një kopje e kontratës së punësimit dorëzohet në strukturën vendore të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili do të monitorojë zbatimin e saj deri në përfundim të projektit.

9. Pas nënshkrimit të kontratës së punës nënshkruhet marrëveshja tripalëshe për zbatimin e programit.

10. Nëse punëdhënësi zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën me përfituesin për shkaqe të pajustifikuara, punëdhënësi është i detyruar të kthejë 100% të mbështetjes financiare të përfituar deri në atë moment.

11. Nëse punëdhënësi nuk respekton marrëveshjen tripalëshe për zbatimin e programit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, ai përjashtohet nga pjesëmarrja në program për një periudhë katërvjeçare.
12. Financimi i punëdhënësit do të bëhet çdo muaj, pas verifikimit nga struktura përkatëse e punësimit të kryerjes së pagesës nga ana e tij.

13. Monitorimi i zbatimit kryhet nga strukturat përkatëse të punësimit (institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë).

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë përgatit raportin vjetor brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe strukturës përgjegjëse të ndihmës shtetërore.

2. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ruan të dhënat për programet 10 (dhjetë) vjet, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

3. Vlerësimi i ndikimit të programit kryhet 2 (dy) vjet pas zbatimit të tij, nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.

4. Ngarkohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për hartimin e rregulloreve të zbatimit të programit të nxitjes së punësimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.488, DATË 17.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPËRNDARJEN DHE DETAJIMIN E FONDIT PREJ 950 295 959 LEKËSH, NË PROGRAMIN “MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË UJITJES DHE KULLIMIT””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.488, datë 17.6.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Në titull, shifra “… 950 295 959 …” zëvendësohet me “… 1 050 295 959 …”’.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Shpërndarjen dhe detajimin e fondit 1 050 295 959 (një miliard e pesëdhjetë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë, në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, për projektet e ujitjes, sigurinë e digave dhe mbrojtjes nga përmbytja, sipas bashkive, përcaktuar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

c) Tabela bashkëlidhur vendimit zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA E ARBRIT”, (SHTESA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga e Arbrit”, (shtesa).

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe “pemëtore”, me vlerë 16 808 960 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 808 960 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondet buxhetore për vitin 2020, të miratuara në zërin “Shpronësime”, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës si dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.718, DATË 20.10.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, UNAZA E MADHE E TIRANËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.718, datë 20.10.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 16 978 (gjashtëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, me vlerë 44 519 117.37 (dyzet e katër milionë e pesëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë pikë tridhjetë e shtatë) lekë, për objekte, me vlerë 24 323 494 (njëzet e katër milionë e treqind e njëzet e tre mijë e katërqind e nëntëdhjetë e katër) lekë dhe kultura drufrutorë me vlerë 382 400 (treqind e tetëdhjetë e dy mijë e katërqind) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 69 225 011.37 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e dyqind e njëzet e pesë mijë e njëmbëdhjetë pikë tridhjetë e shtatë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohen:

– nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në vlerën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë;
– nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 69 225 011.37 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e dyqind e njëzet e pesë mijë e njëmbëdhjetë pikë tridhjetë e shtatë) lekë, të përballohet:

⦁ nga buxheti i vitit 2011 zëri “investime”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, vlera 68 842 611.37 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e tetëqind e dyzet e dy mijë e gjashtëqind e njëmbëdhjetë pikë tridhjetë e shtatë) lekë;
⦁ nga fondet buxhetore për vitin 2020, të miratuar në zërin “Shpronësime”, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”, vlera 382 400 (treqind e tetëdhjetë e dy mijë e katërqind) lekë.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN E PRONËSISË, NGA AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR TE BASHKIA TIRANË, TË SEGMENTEVE RRUGORE DYTËSORE, KTHESA E KAMZËS-VORË (PARALELE DJATHTAS) DHE KTHESA E KAMZËS-VORË, (PARALELE MAJTAS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 7 e 8, të nenit 2, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Transferimin e pronësisë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar te Bashkia Tiranë, të segmenteve rrugore dytësore, kthesa e Kamzës-Vorë (paralele djathtas) dhe kthesa e Kamzës-Vorë, (paralele majtas), deri brenda kufirit të Bashkisë Tiranë.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Vlorë, Tiranë Veri, Shkodër, Tiranë Jug, Lushnjë, Kamzë-Vorë, Elbasan, Kukës, Kavajë, Tiranë Rurale 1, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Fier, Sarandë, Zonat e Stimuluara.

2. Masa e kompensimit është 53 352,11 (pesëdhjetë e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e dy presje njëmbëdhjetë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 523 818 616,47 (pesëqind e njëzet e tre milionë e tetëqind e tetëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë presje dyzet e shtatë) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:

a) Për pronat me numrat rendorë sipas kolonës 13, të shtojcës nr.1, përkatësisht, nr.12, nr.30, nr.32, nr.51, nr.52, nr.53, nr.56, nr.59, nr.61, nr.62, nr.66, nr.67, nr.72, nr.76, nr.77, nr.84, nr.86, nr.88, nr.90, nr.91, nr.129, nr.162, nr.172, nr.173, nr.174, nr.193, nr.194, nr.197, nr.209, nr.213, nr.214, nr.223, nr.224, nr.228, nr.229 sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

b) Për pronat me numrat rendorë sipas kolonës 13, të shtojcës nr.1, përkatësisht nr.3, nr.5, nr.15, nr.35, nr.46, nr.63, nr.89, nr.143, nr.159, nr.160, nr.215 sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pa përfunduar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Vlorë, Tiranë Veri, Shkodër, Tiranë Jug, Lushnjë, Kamzë-Vorë, Elbasan, Kukës, Kavajë, Tiranë Rurale 1, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Fier, Sarandë, Zonat e Stimuluara të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I HAPËSIRËS SË VARREZAVE”, NË FSHATIN ÇERMË E SIPËRME, NJËSIA ADMINISTRATIVE TËRBUF, BASHKIA DIVJAKË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Zgjerimi i hapësirës së varrezave”, në fshatin Çermë e Sipërme, njësia administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Divjakë.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës së përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “tokë arë”, me vlerë të përgjithshme prej 2 147 600 (dy milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë e gjashtëqind) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, me vlerë prej 2 147 600 (dy milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë e gjashtëqind) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2020, i miratuar për Bashkinë Divjakë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Divjakë.

8. Bashkia Divjakë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Divjakë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Bashkinë Divjakë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Divjakë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Divjakë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Divjakë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Divjakë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Divjakë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I RRUGËS QË LIDH RRUGËN “TISH DAIA” ME RRUGËN “ROBERT SHVARC”, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i rrugës që lidh rrugën “Tish Daia” me rrugën “Robert Shvarc”, Tiranë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 89 584 546 (tetëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 89 584 546 (tetëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) lekë, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë brenda tre muajve pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.

8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

KRITERET DHE PROCEDURËN E PROGRAMIT TË CERTIFIKIMIT TË PROFESIONISTËVE TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 42, të ligjit nr.121, datë 21.11.2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim rregullon kriteret dhe procedurën e programit të certifikimit për profesionistët e shërbimeve të përkujdesit shoqëror.

2. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

a) “Ministër”, ministri përgjegjës për çështjet sociale;
b) “Psikolog”, ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”;
c) “Punonjës social”, ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”;
ç) “Ligj”, ligji nr.121, datë 21.11.2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”;
d) “Edukimi i vazhdueshëm”, procesi nëpërmjet të cilit profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror përditësojnë dijet dhe aftësitë e tyre për të plotësuar nevojat e përfituesve të këtyre shërbimeve;
dh) “Ofrues i akredituar i aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror/në vijim “ofruesit””, janë të gjitha strukturat, publike ose jopublike, fitimprurëse ose jofitimprurëse, që ka si objekt veprimtarie ofrimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror në territorin e Republikës së Shqipërisë, të licencuar sipas legjislacionit në fuqi.
e) Çdo term tjetër i përdorur ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin nr.121, datë 21.11.2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.

3. Profesionisti i shërbimeve të përkujdesit shoqëror, subjekt i këtij vendimi, është punonjësi social dhe psikologu i punësuar me kohë të plotë apo të pjessshme pune në:

a) Njësinë e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit në një njësi administrative të një bashkie;
b) Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve në një bashki;
c) çdo strukturë tjetër të një njësie së vetëqeverisjes vendore, që ka detyrë funksionale menaxhimin e rasteve të individëve në nevojë për përkujdesje shoqërore; dhe
ç) një ofrues publik apo privat të shërbimeve të përkujdesit shoqëror.

4. Profesionisti i shërbimeve të kujdesit shoqëror (në vijim profesionisti) detyrohet t’i nënshtrohet edukimit të vazhdueshëm profesional të përditësuar për të përmirësuar njohuritë, aftësitë dhë praktikën profesionale, me qëllim rritjen profesionale dhe të cilësisë së shërbimit që ofron. Edukimi i vazhdueshëm i profesionistit kryhet sipas programit të certifikimit për profesionistët e shërbimeve të përkujdesit shoqëror.

5. Programi i certifikimit zhvillohet në cikle pesëvjeçare certifikimi, në kuadër të edukimit të vazhdueshëm, i cili përputhet me afatet kohore të lejes së ushtrimit të profesionit/licencës.

6. Brenda çdo cikli të programit, profesionisti të ketë kryer aktivitete të edukimit të vazhdueshëm, nga të cilat të ketë mbledhur numrin minimal të detyrueshëm të krediteve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë vendim. Në përfundim të ciklit të programit të certifikimit çdo profesionist vlerësohet për përmbushjen e kritereve të certifikimit dhe merret vendimi përkatës.

7. Përjashtimisht, profesionistët, të cilët dalin në pension brenda periudhës pesëvjeçare të ciklit dhe që nuk do të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për atë cikël.

8. Profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë katërmujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

II. PARIMET PËR PËRZGJEDHJEN E AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT TË VAZHDUESHËM

1. Profesionisti planifikon vetë pjesëmarrjen në aktivitete të edukimit të vazhdueshëm, bazuar në qëllimin e punës së tij profesionale, nevojat e identifikuara dhe kompetencat e dëshiruara.

2. Profesionisti zgjedh të marrë pjesë në ato aktivitete të edukimit të vazhdueshëm që bazohen në nevojat e perceptuara nga ai vetë si dhe në ato që janë identifikuar nga vlerësime të tjera.

3. Aktiviteti i edukimit të vazhdueshëm i zgjedhur nga profesionisti të ketë lidhje me specialitetin, rolin profesional dhe përgjegjësitë që ka profesionisti në pozicionin përkatës të punës.

4. Profesionisti të jetë i angazhuar për të ruajtur profesionalizmin gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit dhe në kujdesin që ofron.

5. Profesionisti nxitet të integrojë procesin individual të të mësuarit në atë të ekipit me të cilin punon, grupe të kolegëve apo komunitetin e gjerë.

III. DETYRIMI I PUNËDHËNËSVE PËR TË MBËSHTETUR DHE LEHTËSUAR EDUKIMIN E VAZHDUESHËM TË PROFESIONISTIT

1. Institucioni publik dhe ofruesi publik apo jopublik, i shërbimit të përkujdesit shoqëror, në të cilin profesionisti është i punësuar, detyrohet të lehtësojë edukimin e vazhdueshëm të profesionistit, në mënyrë të veçantë institucioni apo ofruesi detyrohet të:

a) krijojë kushte dhe mundësi që profesionisti të përfshihet në aktivitete të edukimit të vazhdueshëm, në përputhje me nevojat e pozicionit të tij të punës;
b) nxisë përfshirjen e profesionistit në aktivitetet e edukimit të vazhdueshëm dhe të përfshijë në kontratat individuale të punësimit kërkesat e programit të certifikimit për profesionistët;

c) hartojë plane institucionale, njëvjeçare ose shumëvjeçare, të zhvillimit profesional të punonjësve të tyre, në përputhje me nevojat individuale, por edhe institucionale;
ç) ofrojë drejtpërdrejtë aktivitete të edukimit të vazhdueshem për profesionistët e tij, në mënyrë që ata të mbledhin deri në të paktën 30 për qind të numrit të detyrueshëm të krediteve për secilin cikël të programit.

IV. KRITERET E CERTIFIKIMIT

1. Për t’u certifikuar në përfundim të një cikli (që përkon me kohëzgjatjen e lejes së ushtrimit të profesionit lëshuar nga Urdhri përkatës), profesionisti të plotësojë këto kritere:

a) Të këtë mbledhur numrin minimal të detyrueshëm të krediteve, jo më pak se 60 (gjashtëdhjetë) kredite nga pjesëmarrja në aktivitete të edukimit të vazhdueshëm, të lidhura drejtpërdrejt me punën e profesionistit, nga të cilat:

i. jo më pak se 50% të krediteve të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm të akredituara për punonjësit socialë/psikologët;
ii. jo më shumë se 50% të krediteve të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm në distancë të akredituara; dhe
iii. jo më shumë 25% të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit në vazhdim të zgjedhura lirisht, të vetëraportuara dhe dokumentuar nga profesionisti.

b) të ketë mbledhur jo më pak se 7 kredite në secilin vit të ciklit.

V. ADMINISTRIMI I PROCESIT TË CERTIFIKIMIT

1. Struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror është përgjegjëse për administrimin e procesit të certifikimit të profesionistëve, nën monitorimin e Bordit të Edukimit në Vazhdim. Struktura përgjegjëse për edukimin në vazhdim akreditohet sipas ISO/IEC 17024:2012.

2. Çdo profesionist detyrohet të regjistrohet në strukturën përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror. Procedurat e regjistrimit, sipas ligjit, përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës të çështjeve sociale.

3. Që nga momenti i regjistrimit të një profesionisti, struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror krijon dosjen profesionale të profesionistit, ku përfshihen të dhënat e identifikimit profesional, aktivitete të edukimit të vazhdueshëm dhe kreditet e përfituara për secilin cikël të programit të certifikimit dhe vendimet lidhur me certifikimin.

4. Struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror krijon dhe administron Regjistrin Kombëtar të Profesionistëve të Përkujdesit Shoqëror, që përbëhet nga dosjet profesionale.

VI. PROCEDURA E REGJISTRIMIT TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT TË VAZHDUESHEM DHE KREDITEVE PËRKATËSE

1. Çdo aktivitet i edukimit të vazhdueshëm i kryer nga profesionisti dhe kreditet përkatëse të mbledhura të jenë të regjistruara në dosjen e tij profesionale, në strukturën përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, që të merret në konsideratë për procesin e certifikimit të profesionistit.

2. Njohja dhe regjistrimi në dosjen profesionale të një profesionisti, i krediteve nga aktivitetet e edukimit të vazhdueshëm të akredituar nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, bëhet nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në bazë të njoftimit me shkrim nga ofruesi i aktivitetit të edukimit të vazhdueshëm.

3. Në zbatim të pikës 3, të këtij kreu, ofruesi i aktivitetit të edukimit të vazhdueshëm detyrohet të njoftojë në strukturën përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror listën e profesionistëve pjesëmarrës në çdo aktivitet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i aktivitetit.

4. Njohja dhe regjistrimi në dosjen profesionale të një profesionisti, i krediteve nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm të akredituara nga një institucion tjetër, përveç strukturës përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, bëhet nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, më kërkesë të vetë profesionistit.

5. Pika 4, e këtij kreu, zbatohet edhe për kreditet e mbledhura nga ndjekja e programeve të studimeve të formimit të vazhduar, programet e studimit të ciklit të dytë dhe ciklit të tretë.

6. Së bashku dhe si pjesë e kërkesës për regjistrim, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij kreu, profesionisti të paraqesë programin e aktivitetit/programit dhe certifikata apo diplomën e përfituar prej tij me numrin përkatës të krediteve.

7. Njohja dhe regjistrimi i krediteve në dosjen profesionale të një profesionisti, nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm dhe aktivitete të tjera që vetëraportohen, si botimet në revista shkencore, drejtimi i praktikave profesionale, pjesëmarrja në programet e multimedias, studimi i literaturës profesionale apo vizitat studimore, bëhet nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në bazë të kërkesës të vetë profesionistit.

8. Së bashku dhe si pjesë e kërkesës për regjistrim sipas pikës 7, të këtij kreu, profesionisti, të paraqesë edhe këto dokumente:

a) Në rastin e aktiviteteve konferencë shkencore, konferencë, trainim workshop, prezantim leksioni, grup rishikimi – programin e aktivitetit dhe certifikata apo diploma përkatëse;
b) Në rastet e botimit të artikujve, kapitujve të librave ose librave – fotokopje të kapakut të revistës ose të librit, si dhe fotokopja e faqes së parë të artikullit ose të kapitullit;
c) Në rastet e hartimit të teksteve mësimore – vërtetim nga shtëpia botuese dhe një fotokopje e faqes së parë të tekstit;
ç) Në rastin e drejtimit të një praktike të studentëve – vërtetim nga fakulteti dhe ofruesi i shërbimit të kujdesit shoqëror ku është kryer praktika e studentit;
d) Në rastin e pjesëmarrjes në programet e multimedias – të dhëna për programin dhe deklarimin e orëve të pjesëmarrjes;
dh)Në rastin e leximit të literaturës profesionale – një përmbledhje të detajuar të literaturës profesionale që ka studiuar;
e) Në rastin e një vizite studimore – programin e vizitës studimore ku është përfshirë.

9. Kërkesa për njohje dhe regjistrim të krediteve, sipas pikave 4, 5 dhe 7, të këtij kreu, së bashku me dokumentacionin shoqërues, sipas pikave 6 dhe 8, të këtij kreu, të paraqitet në strukturën përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, jo me vonë se 30 (tridhjetë) ditë para datës së përfundimit të çdo viti, të ciklit të certifikimit për profesionistin.

10. Vendimi për njohjen dhe regjistrimin e krediteve në dosjen profesionale të profesionistit apo përkatësisht refuzimin merret nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe i njoftohet profesionistit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e listës nga ofruesi i aktivitetit, sipas pikës 2, të këtij kreu, apo përkatësisht, nga paraqitja e kërkesës së plotë nga profesionisti, sipas pikave 4, 5 dhe 7, të këtij kreu.

11. Vendimi për njohjen dhe regjistrimin përcakton dhe numrin e krediteve për çdo veprimtari të njohur dhe të regjistruar.

12. Numri i krediteve, në rastin e parashikuar në pikën 2, të këtij kreu, është numri i krediteve të përcaktuara nga ofruesi i aktivitetit të vazhdueshëm në përputhje me pjesëmarrjen konkrete të profesionistit. Ndërsa në rastin kur profesionisti ka marrë pjesë si lektor në këto aktivitete, numri i krediteve llogaritet nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në bazë të kohëzgjatjes efektive të leksionit, sipas kriterit 1 (një) orë leksion e barabartë me 2 (dy) kredite.

13. Përcaktimi i numrit të krediteve për aktivitetet në rastin e parashikuar në pikën 5, të këtij kreu, bëhet sipas rregullit 1 (një) kredit i studimeve të larta është i barabartë me 25 (njëzet e pesë) kredite të edukimit të vazhdueshëm.

14. Vlerësimi për përcaktimin e numrit të krediteve për aktivitet e parashikuara në pikën 7, të këtij kreu, bëhet nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas skemës së përllogaritjes së krediteve, të parashikuara në aneksin nr.1, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.

15. I gjithë dokumentacioni i programit të certifikimit ruhet nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

VII. PROCEDURA E CERTIFIKIMIT

1. Në përfundim të ciklit të certifikimit, për çdo profesionist, struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, kryesisht, shqyrton dhe vlerëson përmbushjen e kritereve të ciklit të programit të certifikimit si dhe vendos për certifikimin e profesionistit apo refuzimin e certifikimit.

2. Vendimi, sipas pikës 1, të këtij kreu, merret dhe i njoftohet profesionistit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga mbarimi i ciklit të certifikimit. Dispozitivi i vendimit i njoftohet, gjithashtu, brenda të njëjtit afat, edhe institucionit apo ofruesit të shërbimit publik apo privat ku është i punësuar profesionisti.

4. Lista e profesionistëve të certifikuar bëhet publike nga struktura përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, nëpërmjet shpalljes në faqen zyrtare elektronike të institucionit.

VIII. ANKIMI

1. Ndaj veprimeve dhe mosveprimeve të strukturës përgjegjëse për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, lidhur me certifikimin e profesionistit apo refuzimin e certifikimit, sipas këtij vendimi, mund të bëhet ankim administrativ.

2. Ankimi paraqitet dhe shqyrtohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

3. Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm është “organi epror” në procedurën e shqyrtimit të ankimit administrativ, sipas kuptimit të Kodit të Procedurave Administrative.

4. Afati për shqyrtimin e ankimit dhe njoftimin e vendimit është 30 (tridhjetë) ditë nga paraqitja e ankesës.

Ky vendim hyn në fuqi 1 (një) vit pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS SË PËRFITIMIT TË MBROJTJES SË VEÇANTË TË GARANTUAR NGA SHTETI PËR PËRMBARUESIN GJYQËSOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 27, të ligjit nr.8730, datë 18.1.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor”, të ndryshuar, dhe të nenit 39, të ligjit nr.26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përmbaruesit gjyqësor, shtetëror dhe privat, i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pronës, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj, i rrezikohet jeta dhe shëndeti i tij ose i familjes si dhe prona.

2. Me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pronës, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pronës së përmbaruesit gjyqësor, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

3. Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon:

a) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përmbaruesit gjyqësor;
b) Lidhja shkakësore ndërmjet rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përmbaruesit gjyqësor dhe ushtrimit të detyrës.

4. Kërkesa për mbrojtje të veçantë i paraqitet komisionit me shkrim nga përmbaruesi gjyqësor, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ministri i Drejtësisë, drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, kryetari i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësore Private, si dhe çdo organ tjetër publik që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përmbaruesit gjyqësor.

5. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:

a) gjenealitetet e plota të kërkuesit;
b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për përmbaruesin gjyqësor, të cilat detyrojnë të sigurohet mbrojtje e veçantë, si dhe burimin e provave, ku bazohen ato;
c) llojin e masave që kërkohen dhe kohëzgjatjen e tyre.

6. Kërkesa për mbrojtje i paraqitet komisionit nga subjektet e përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një përmbaruesi gjyqësor, shtetëror ose privat, i rrezikohet jeta, familja ose prona.

7. Kur rreziku ndaj përmbaruesit gjyqësor është serioz dhe i çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar jetën, familjen ose pronën e përmbaruesit gjyqësor, deri në mbledhjen e komisionit. Komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre ose ndërprerjen e mbrojtjes së veçantë.

8. Kërkesat për sigurimin e mbrojtjes së veçantë shqyrtohen nga Komisioni për Mbrojtjen e Përmbaruesve Gjyqësorë, i cili ngrihet dhe funksionon pranë Ministrisë së Drejtësisë, me përbërje, si më poshtë vijon:

a) Një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i caktuar nga ministri, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i komisionit;
b) Një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, i caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit;
c) Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, i caktuar ministri;
ç) Një përfaqësues i Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, i caktuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës.

9. Kryetari i komisionit ushtron këto funksione:

a) Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e komisionit;
b) Përfaqëson komisionin në marrëdhëniet me të tretët;
c) Siguron mbështetjen administrative dhe organizative për funksionimin e komisionit;
ç) Siguron dokumentimin e mbledhjes së komisionit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
d) Ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi.

10. Kryetari, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje, njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës. Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga paraqitja e kërkesës, sipas pikës 6, të këtij vendimi.

11. Ministria e Drejtësisë siguron mbështetjen e nevojshme organizative e administrative për realizimin e funksionit dhe të detyrave të komisionit.

12. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se tre anëtarë të tij. Vendimet janë të vlefshme kur miratohen të paktën nga shumica e anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.

13. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë kolegjiale, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, të cilat, plotësohen, për aq sa nuk bie ndesh me dispozitat e këtij vendimi, nga rregullat e parashikuara në legjislacionin për organizimin e funksionimin e organeve kolegjiale. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Kryetari i komisionit, në bashkëpunim më Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, cakton një sekretar, nga nëpunësit e strukturës përgjegjëse për profesionet e lira në Ministrinë e Drejtësisë, i cili mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.

14. Komisioni, në procesin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë të familjes e të pronës, sipas këtij vendimi, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera.

15. Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për përmbaruesit gjyqësor, me vendim miraton mbrojtjen e veçantë të përmbaruesit gjyqësor. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

16. Vendimi i komisionit i njoftohet përmbaruesit gjyqësor nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit ose Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen, nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

17. Komisioni, me kërkesë të subjekteve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një përmbaruesi gjyqësor i rrezikohet jeta, familja ose prona, mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat, për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati.

18. Në rast se rreziku ndaj jetës, familjes ose pronës së përmbaruesit gjyqësor nën mbrojtje pushon së ekzistuari përpara përfundimit të afatit të mbrojtjes, sipas përcaktimit në vendimin e komisionit, me kërkesën e çdo subjekti të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, komisioni mund të vendosë të ndërpresë mbrojtjen e veçantë të përmbaruesit gjyqësor.

19. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT SHUMËVJEÇAR PËR POLITIKËN SPEKTRALE DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 22, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e programit shumëvjeçar të politikës spektrale dhe të planit të veprimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti i Medias Audiovizive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

REGJISTRIMIN E PEMËVE DHE TË PASURIVE NATYRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 62, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave dhe i procedurave për regjistrimin në regjistrin e pasurive të paluajtshme të pemëve (drurë ose grupe drurësh) dhe të pasurive natyrore, si më poshtë vijon:

a) Lumë, sipas kuptimit të pikës 27, të nenit 4, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar;
b) Liqen, sipas kuptimit të pikës 26, të nenit 4, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar;
c) Mal;
ç) Basen, sipas kuptimit të pikës 7, të nenit 4, të ligjit nr.111/2012, “Për
menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar;
d) minierë, sipas kuptimit të pikës 5, të nenit 2, të ligjit nr.10304, datë
15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”;
dh) Pus nafte, sipas përcaktimeve të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, “Për
hidrokarburet (Kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar;
e) Çdo pasuri tjetër natyrore, në përputhje me përcaktimet e nenit 142, të
Kodit Civil.

2. Regjistrimi i pasurive natyrore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, bëhet kryesisht nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (në vijim ASHK) gjatë procedurës së regjistrimit fillestar dhe përmirësimit/përditësimit apo me aplikim të pronarit/përfaqësuesit të autorizuar.

3. Për pasuritë e llojit pemë regjistrimi, në çdo rast, bëhet vetëm me kërkesë të pronarit (shtet apo privat) të pasurisë ku gjenden pemët.

II. PROCEDURA DHE DOKUMENTACIONI PËR REGJISTRIMIN E PEMËVE

4. Në kategorinë e pemëve që regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme hyjnë të gjithë drurët që ndodhen brenda kufirit të pasurisë (tokës), pavarësisht llojit dhe pronësisë së pasurisë (nëse është private apo shtetërore).

5. Kërkesa për regjistrimin e pemëve nga subjekti i interesuar duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Listën e detajuar të inventarit të pemëve;
b) Planin e rilevimit (paraqitja grafike e pronës dhe pemëve), sipas modelit të miratuar;
c) Aktin e fitimit të pronësisë, nëse nuk është regjistruar më parë.

6. Për regjistrimin e pemëve në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon këto elemente:

a) Legjitimimin e subjektit, nëse ai është është pronari/bashkëpronari i pasurisë së paluajtshme mbi të cilën do të regjistrohen pemët apo përfaqësuesi i autorizuar i tij;
b) Nëse dokumentacioni i depozituar për regjistrimin e pemëve është i plotë, sipas përcaktimeve të pikës 5, të këtij vendimi.

7. Kur pas kryerjes së verifikimeve, kërkesa për regjistrimin e pemëve i përmbush kushtet e përcaktura në lidhje me dokumentacionin dhe legjitimimin e subjektit, sipas pikës 6, të këtij vendimi, vijohet me regjistrimin në kartelën e pasurisë së paluajtshme, sipas të dhënave të paraqitura në dokumentacionin tekniko-ligjor të depozituar për regjistrim në përputhje me përcaktimet e nenit 29, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

8. Për pemët, regjistrimi kryhet duke pasqyruar numrin total të tyre, në rubrikën përkatëse të kartelës së pasurisë së paluajtshme.

9. Ndryshimi i numrit të pemëve, sipas gjendjes faktike nga momenti i regjistrimit, bëhet sipas akteve të miratuara nga organet kompetente dhe reflektohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme, me kërkesën e pronarit apo personave të tjerë të autorizuar prej tij.

10. Pas regjistrimit të pemëve në regjistrat kadastralë, drejtoria vendore e ASHK-së pajis pronarin me kartelën e pasurisë, si dhe me sasinë e nevojshme të matrikujve për çdo pemë të regjistruar.

11. Matrikujt janë tabelat ku pasqyrohen numrat rendorë të pemëve dhe që vendosen nga pronari në çdo pemë. Pronari që ka kërkuar regjistrimin e pemëve është i detyruar të pasqyrojë numrat rendorë identifikues të pemës në secilën tabelë.

12. Modeli i matrikullit përcaktohet nga drejtori i Përgjithshëm i ASHK-së. Matrikujt blihen nga ASHK-ja në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe i vendosen në dispozicion pronarit.

III. PASQYRIMI I PASURIVE NATYRORE NË REGJISTRIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME

13. Informacioni për pasuritë natyrore pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme, në rubrikën “lloji i pasurisë”, në seksionin “A” të saj. Në rastin e maleve, për efekt regjistrimi, lloji i pasurisë “mal” shënohet vetëm në kartelat e atyre sipërfaqeve të shpateve ose të majave të maleve, që nuk janë trajtuar ose inventarizuar, me dokumentacion ligjor si lloje të tjera pasurie.

14. Kur pasuria natyrore shtrihet në më shumë se një zonë kadastrale ajo pasqyrohet në kartela pasurie më vete, sipas secilës zonë, për pjesën përkatëse të sipërfaqes së pasurisë natyrore.

15. Në rastet e parashikuara në pikën 14, të këtij vendimi, numërtimi i pasurisë do të kryhet sipas rregullit bazë të vendosjes së numrit të pasurisë në një zonë kadastrale, duke bërë shënimin në kartelën e pasurisë për lidhjen e pasurisë natyrore midis zonave kadastrale kufitare.

16. Pasqyrimi në hartën kadastrale i pasurive natyrore, si: lumenj, liqene, male, basene, miniera, puse nafte, si dhe çdo pasuri tjetër natyrore, në përputhje me përcaktimet e nenit 142, të Kodit Civil dhe të nenit 62, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, kryhet sipas shenjave konvencionale përkatëse, të cilat ndryshojnë në varësi të shkallës së paraqitjes së hartës. Shenjat konvencionale të pasurive natyrore miratohen me udhëzim të përbashkët të drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së dhe drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

17. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.407, DATË 8.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NJË REGJIMI KONTROLLI PËR TË GARANTUAR RESPEKTIMIN E RREGULLAVE TË POLITIKAVE MENAXHUESE NË PESHKIM”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 72, pika 8, 74, pika 3, 82, pika 2, 101, pika 2, pika 3, 113, pika 1, 116, 118, pika 3, dhe 135, pika 1, të ligjit nr.64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pas pikës 33, të vendimit nr.407, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 33/1, me këtë përmbajtje:

“33/1. Pajisja MTU (Mobile Tranceiver Unit), për identifikimin dhe lokalizimin nëpërmjet satelitit, jepet falas nga ministria deri më 31 dhjetor 2020, për të gjitha anijet mbi 12 metër, të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit.
Fondi për blerjen e pajisjes që jepet falas përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2020.”.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.656, DATË 31.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË PËRHERSHME TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në fund të lidhjes nr.1, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, shtohet lidhja që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Efektet financiare për komisionet/këshillat/bordet, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi, fillojnë nga momenti i funksionimit të tyre dhe përballohen, përkatësisht, nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Kulturës.
Efektet financiare për Komisionin e Policisë Gjyqësore përballohen nga buxheti i secilit institucion, i përfaqësuar në këtë komision.

3. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 2, të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në buxhetin e saj të miratuar për vitin 2020, i shtohet fondi prej:

a) 370 000 000 (treqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh, në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit buxhetor 01140 “e-Qeverisja”, për projektet e investimeve në sistemet IT.

b) 630 000 000 (gjashtëqind e tridhjetë milionë) lekësh, në zërin “shpenzime operative&mirëmbajtje”, të programit buxhetor 01140 “e-Qeverisja”, për kontratat në vazhdim të mirëmbajtjes së sistemeve IT.

2. Efekti financiar, prej 1 000 000 000 (një miliard) lekësh, përballohet në masën:

a) 140 000 000 (njëqind e dyzet milionë) lekë, nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit buxhetor 04520 “Transporti rrugor”.

b) 860 000 000 (tetëqind e gjashtëdhjetë milionë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020.

3. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e saj të miratuar për vitin 2020, i shtohet kundërvlefta në lekë e shumës prej 20 000 (njëzet mijë) eurosh, në zërin “shpenzime korrente”, të programit 01110 “Planifikim, menaxhim, administrim”, për pagesën e kontributit financiar të vendit tonë në Fondin e Mirëbesimit të NATO-s.

2. Efekti financiar i kundërvleftës në lekë, të shumës prej 20 000 (njëzet mijë) eurosh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020.

3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (në vijim, DPSHMZSH), si person juridik publik, me status të veçantë, në varësi të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike (në vijim, ministri), me seli në Tiranë.

2. DPSHMZSH-ja financohet nga buxheti i shtetit, si pjesë e buxhetit të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, të ardhurat nga shërbimi ndaj të tretëve, si dhe burime të tjera të ligjshme.

3. Misioni i DPSHMZSH-së, në cilësinë e autoritetit më të lartë teknik, mbikëqyrës dhe drejtues të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, është të garantojë shmangien e fillimit të një zjarri dhe ngjarjet që lidhen me të ose kufizimin e pasojave të tij apo fatkeqësive të tjera, nëpërmjet promovimit të rregullave, metodave të veprimit, monitorimit, koordinimit dhe trajnimit.

4. DPSHMZSH-ja ka këto përgjegjësi:
a) Të organizojë punën për realizimin e funksioneve që lidhen me promovimin e rregullave, të metodave të veprimit, të monitorimit, të koordinimit;
b) Të organizojë punën për realizimin e funksioneve që lidhen me kualifikimin dhe trajnimin e personelit të shërbimit vendor të MZSH-së, të personelit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të objekteve me rëndësi ekonomike dhe strategjike dhe të shërbimit vullnetar për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin;
c) Të organizojë punën për funksione që lidhen me inspektimin.

5. DPSHMZSH-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.

6. DPSHMZSH-ja kryen detyrat e përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin apo legjislacion tjetër të lidhur me fushën e saj të përgjegjësisë dhe raporton e përgjigjet para ministrit.

7. DPSHMZSH-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përfaqëson, organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit.

8. DPSHMZSH-ja, për realizimin e misionit të saj, ushtrimin e funksioneve dhe realizimin e detyrave bashkëpunon me kryetarin e bashkisë, si dhe me institucionet e tjera të administratës publike, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin.

9. Organika dhe struktura e DPSHMZSH-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

10. Statusi i punonjësit të DPSHMZSH-së rregullohet:

a) sipas ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, për punonjësit me grada;
b) sipas Kodit të Punës, për punonjësit administrativë;
c) sipas legjislacionit për nëpunësin civil.

11. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të DPSHMZSH-së miratohet nga ministri, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të DPSHMZSH-së.

12. Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin ka stemën e saj, që përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet, “Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

13. Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

14. Për punonjësit aktualë me grada të DPSHMZSH-së në strukturën dhe organikën e Ministrisë së Brendshme zbatohen dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin. Për nëpunësit civilë aktualë të DPSHMZSH-së në strukturën dhe organikën e Ministrisë së Brendshme zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit.

15. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

TARIFAT PËR LLOJET E SHËRBIMEVE QË OFROHEN NGA SHËRBIMI I MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozim të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Tarifat për llojet e shërbimeve në favor të shtetasve, subjekteve, fizike dhe juridike, që ofrohen nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, janë sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Tarifat e përcaktuara në këtë vendim nuk aplikohen në raste të emergjencave civile dhe ngjarjeve të ndryshme aksidentale.

3. Të ardhurat që realizohen nga arkëtimi i pagesës së këtyre tarifave derdhen në nivel vendor për llogari të bashkisë përkatëse dhe në nivel qendror për llogari të Ministrisë së Brendshme. Këto të ardhura përdoren vetëm për financimin e veprimtarisë së Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, për kompletimin me automjete, pajisje të ndryshme zjarrfikëse, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe rritjen e gatishmërisë së shërbimit zjarrfikës.

4. Vendimi nr.285, datë 27.6.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për tarifat e shërbimeve që kryen nga Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ndaj shtetasve e personave, juridikë e fizikë, vendas e të huaj”, shfuqizohet.

5. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PAKETËS SË PROGRAMIT TË DEPISTIMIT TË KANCERIT TË GJIRIT NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e programit kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit në Shqipëri, si një paketë shërbimesh ndihmëse në shëndetin publik, që përfshin ekzaminimet sistematike nëpërmjet palpimit të gjirit dhe mamografisë, ekzaminimet e mëtejshme diagnostikuese dhe trajtimin për të gjitha gratë që diagnostikohen me kancer, të përfshira në program, me qëllim identifikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe uljen e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit.

2. Shërbimet e organizuara të këshillimit, të informimit të grave mbi programin dhe ekzaminimit me palpim të gjirit do të kryhen pranë qendrave shëndetësore të shërbimeve të kujdesit parësor.

3. Shërbimi i ekzaminimit me mamografi do të ofrohet në qendrat e mamografisë, pranë shërbimit spitalor publik, poliklinikave të specialiteteve dhe njësitë e lëvizshme të mamografive.

4. Shërbimet e diagnozës së mëtejshme dhe të trajtimit eventual mjekësor do të ofrohen, për të gjitha gratë që rezultojnë pozitive në depistim, pas kryerjes së mamografisë.

5. Shërbimet e parashikuara në pikat 2, 3 dhe 4, të këtij vendimi, ofrohen pa pagesë, si pjesë e kësaj pakete të shërbimeve ndihmëse të shëndetit publik, duke zbatuar sistemin e referimit.
6. Kryerja e ekzaminimeve të mëtejshme, në procesin e konfirmimit të diagnozës së kancerit të gjirit dhe trajtimi do të kryhet pranë Qendrës Spitalore Universitare  “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe spitaleve të caktuara rajonale, të cilat sigurojnë kapacitetet e nevojshme lidhur me diagnozën.

7. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë siguron rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve lidhur me ekzaminimin e mamografisë dhe trajtimin, në spitalet rajonale, me qëllim uljen e vazhdueshme të barrierave gjeografike për gratë e përfshira në program.

8. Programi të garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të shërbimit, rritjen e vazhdueshme të mbulesës depistuese dhe cilësi në të gjitha nivelet e shërbimeve të ofruara.

9. Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, në varësi të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, duhet të sigurojë kryerjen e ekzaminimit të mamografisë për gratë e përfshira në këtë program, afër vendbanimit për zona të largëta urbane dhe rurale, nëpërmjet mamografive të lëvizshme.

10. Qendrat shëndetësore duhet të sigurojnë informimin, këshillimin dhe ekzaminimin me palpim të gjirit për gratë e përfshira në program. Mjekët e familjes duhet të mbështesin me informacion gjatë gjithë procesit të diagnozës dhe trajtimit gratë që rezultojnë pozitive.

11. Instituti i Shëndetit Publik, Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, të sigurojnë trajnimin e duhur për personelin shëndetësor, mjekë dhe infermierë, të këtyre qendrave.

12. Instituti i Shëndetit Publik organizon në vijimësi aktivitetet kombëtare dhe rajonale ndergjegjësuese të popullatës dhe, në bashkëpunimin me Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, siguron ndërgjegjësimin dhe informimin e vazhdueshëm të publikut lidhur me depistimin dhe diagnozën e hershme të kancerit të gjirit.

13. Instituti i Shëndetit Publik i propozon për miratim Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kornizën teknike të programit me popullatën target, standardet, mekanizmat e sigurimit të cilësisë, menaxhimin e riskut dhe treguesit e monitorimit të procesit. Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, si dhe strukturën përgjegjëse për cilësinë, standardet dhe akreditimin, përditëson në vijimësi kornizën teknike në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
14. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E TARIFËS SË BILETAVE TË TEATRIT KOMBËTAR TË OPERAS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e tarifës së biletave për Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e masës së reduktimit në tarifat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Masa e reduktimit nuk aplikohet për biletat e premierave.

3. Të ardhurat e realizuara nga shitja e biletave të përdoren:

a) 30% për llogari të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, sipas limitit të përcaktuar në planin e shpenzimeve;
b) 70% derdhen në buxhetin e shtetit.

4. Në asnjë rast, këto të ardhura nuk do të përdoren për shpërblimin e punonjësve.

5. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.47, DATË 22.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2020, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.47, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 2 597 (dy mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë) veta.

2. Në pikën 3, pas fjalëve “… 14 specialistë të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural …” shtohet fjalia “…, 1 specialist të Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe 5 mjekë, 5 specialistë dhe 5 punonjës socialë të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Tiranë, pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, periudha kohore e të cilëve bëhet deri në fund të vitit.”.

3. Pas pikës 3 shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:

“3.1. Në mbështetje të nevojave të spitaleve të dedikuara për COVID-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, një pjesë e 700 punonjësve të kontraktuar pranë drejtorive rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, sipas lidhjes nr.1, të pikës 1, të vendimit, mund të caktohen për të punuar përkohësisht pranë stafit organik të këtyre spitaleve. Për kohën e punuar në këto spitale, punonjësit e kontraktuar paguhen në përputhje me pagën dhe përfitimet e tjera financiare të pozicionit të punës në të cilin caktohen.”.​

4. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, bëhen këto ndryshime:

a) Në ndarjen “Gr.10, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, nënndarja si më poshtë vijon:

zëvendësohet me nënndarjen:

b) Në ndarjen “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, nënndarja si më poshtë vijon:

zëvendësohet me nënndarjen:

c) Në ndarjet “Gr.05, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural” dhe “Gr.10, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, shtohen nënndarjet sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

ç) Efektet financiare për 1 punonjës pranë Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimeve dhe 15 punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Tiranë fillojnë nga data 1 korrik 2020 dhe përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që të bëjnë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhën kohore të punësimit dhe kategorinë përkatëse të pagës së tyre dhe ta depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Dorina Çinari, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Fjoralba Caka, zëvendësministër i Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Rovena Voda, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.4/2020, “PËR SHKËMBIMIN AUTOMATIK TË INFORMACIONIT TË LLOGARIVE FINANCIARE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.4/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky vendim parashikon rregullat dhe procedurat për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare.

Neni 2
Interpretimi

Standardi i raportimit të përbashkët dhe komentarët e tij, të miratuar nga Këshilli i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, më 15 korrik 2014, të ndryshuar, do të aplikohen për qëllim të interpretimit të këtij vendimi.

Neni 3
Përkufizime

Për qëllim të interpretimit të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Aktiv financiar” përfshin një letër me vlerë (për shembull, një përqindje aksionesh në një korporatë; partneritet ose interes përfitimi nga pronësia në një trust ose shoqëri tregtare me shumë aksionarë ose të kuotuar në bursë; dëftesë, bono, instrumente borxhi ose evidenca të tjera borxhi), interesin e partnerit në partneritet, mallra, marrëveshje shkëmbimi swap, kontratat e sigurimeve ose kontratat e pensionit vjetor ose çdo interes në letra me vlerë, interes partneriteti, mallra, swap, kontratë sigurimesh ose kontratë pensioni vjetor. “Aktiv financiar” nuk përfshin një interes të drejtpërdrejtë jodebitor në pasuri të paluajtshme.

2. “Bankë Qendrore”, një institucion që me ligj ose akt shtetëror është autoriteti kryesor që, përveç qeverisë së vetë juridiksionit, emeton instrumente që kanë për qëllim të qarkullohen si monedhë. Ky institucion mund të përfshijë një organizëm që është i ndarë nga qeveria e juridiksionit, pavarësisht nëse zotërohet apo jo plotësisht ose pjesërisht nga juridiksioni.

3. “CTS”, sistemi i krijuar nga OECD që bën të mundur shkëmbimin automatik të informacionit ndërmjet autoriteteve tatimore sipas Standardit të Përbashkët të Raportimit.

4. “Emetues i Kualifikuar i Kartave të Kreditit”, institucioni financiar që përmbush kriteret e mëposhtme:

a) Institucioni financiar është një institucion financiar vetëm sepse është emetues i kartave të kreditit që pranon depozita vetëm kur klienti kryen pagesa që tejkalojnë balancën e përcaktuar për kartën dhe kjo mbipagesë nuk i rimbursohet menjëherë klientit; dhe
b) Duke filluar më ose përpara datës 1 korrik 2019, institucioni financiar zbaton politika dhe procedura qoftë për ta ndaluar klientin që të kryejë mbipagesa që i tejkalojnë 50 000 USD ose për të garantuar se çdo mbipagesë e klientit, që e tejkalon vlerën 50 000 USD, t’i rimbursohet klientit brenda 60 ditëve, në çdo rast, duke zbatuar rregullat e parashtruara në pikën 3, të nenit 10, për totalizimin e llogarisë dhe konvertimin e monedhës. Për këtë arsye, mbipagesa e klientit nuk i referohet balancave të kreditit që përfshijnë tarifa të kundërshtuara, por përfshijnë balancat e kreditit që vijnë si rezultat i kthimit të mallit.

5. “Evidenca shkresore” përfshin pikat e mëposhtme:

a) certifikatën e rezidencës të lëshuar nga një organ qeveritar i autorizuar (për shembull, qeveria ose agjenci e saj ose bashkia) i juridiksionit në të cilin paguesi pretendon se është rezident;
b) lidhur me individin, çdo identifikim i vlefshëm i lëshuar nga një organ qeveritar i autorizuar (për shembull, qeveria ose agjenci e saj, ose bashkia), që përfshin emrin e individit dhe zakonisht përdoret për qëllime identifikimi;
c) lidhur me njësinë ekonomike, çdo dokument zyrtar i lëshuar nga një organ qeveritar i autorizuar (për shembull, qeveria ose agjenci e saj ose bashkia) që përfshin emrin e njësisë ekonomike si dhe adresën e selisë së saj qendrore në juridiksionin në të cilin pretendon se është rezidente ose juridiksionin në të cilin njësia ekonomike ishte themeluar ose organizuar;
ç) çdo pasqyrë financiare e audituar, raport kredie i palëve të treta, aplikim për faliment ose raport i rregullatorit të letrave me vlerë.

Për sa i përket një llogarie të një njësie ekonomike ekzistuese, institucionet financiare raportuese mund të përdorin si evidenca shkresore çdo klasifikim në të dhënat e institucionit financiar raportues në lidhje me mbajtësin e llogarisë që është përcaktuar në bazë të një sistemi të standardizuar të kodimit të industrisë, që është regjistruar nga institucioni financiar raportues në përputhje me praktikat e tij normale të biznesit për qëllimet e procedurave të PPP/NjKT ose për qëllime të tjera rregullatore (përveç qëllimeve tatimore) dhe që është zbatuar nga institucioni financiar raportues para datës së përdorur për klasifikimin e llogarisë financiare si llogari paraekzistuese, me kusht që institucioni financiar raportues nuk e di ose nuk ka arsye të dijë që një klasifikim i tillë është i pasaktë ose jo i besueshëm.

6. “Fond / njësi ekonomike investimesh”, çdo njësi ekonomike:

a) që kryesisht drejton si biznes një ose më shumë prej veprimtarive ose operacioneve vijuese për llogari ose në emër të një klienti, të tilla si:

i. tregti në instrumentet e tregut të parasë (çeqe, kambiale, certifikata depozite, derivativë, etj); këmbim valutor; këmbim, normë interesi dhe instrumente indeksi; letra me vlerë të transferueshme; ose transaksione me kontratat e së ardhmes (future) për mallrat;
ii. menaxhim të portofoleve individuale dhe kolektive; ose
iii. gjithashtu investon, administron ose menaxhon aktivet financiare ose paratë për llogari të personave të tjerë; ose

b) të ardhurat bruto të së cilës i atribuohen kryesisht investimeve, riinvestimeve ose tregtisë në aktive financiare, nëse njësia ekonomike menaxhohet nga një tjetër njësi ekonomike që është një institucion depozite, institucion kujdestarie, shoqëri sigurimesh e specifikuar, ose një njësi ekonomike investimesh e përshkruar në shkronjën “a”, të pikës 6, të këtij neni. Një njësi ekonomike “menaxhohet” nga një njësi ekonomike tjetër nëse njësia ekonomike menaxhuese kryen, drejtpërdrejt ose përmes një ofruesi tjetër shërbimi, ndonjë prej aktiviteteve ose veprimtarive të përshkruara në shkronjën “a”, të pikës 6, të këtij neni, në emër të njësisë ekonomike të menaxhuar. Sidoqoftë, një njësi ekonomike nuk menaxhon një njësi ekonomike tjetër nëse nuk ka autoritet për të menaxhuar pasuritë e njësisë ekonomike (tërësisht ose pjesërisht). Kur një njësi ekonomike menaxhohet nga një përzierje e institucioneve financiare, njësive ekonomike jofinanciare ose individëve, njësia ekonomike konsiderohet se menaxhohet nga një njësi ekonomike tjetër që është një institucion depozitues, një institucion kujdestarie, një shoqëri sigurimesh ose një fond/njësi investimesh e përshkruar në shkronjën “a”, të pikës 6, të këtij neni, nëse ndonjë prej njësive menaxhuese është kjo njësi ekonomike tjetër.

6.1 Njësia ekonomike trajtohet se po kryen kryesisht si biznes një ose më shumë prej veprimtarive të përshkruara në shkronjën “a”, të pikës 6, të këtij neni, ose të ardhurat bruto të njësisë ekonomike i atribuohen kryesisht investimeve, riinvestimeve ose tregtisë në aktive financiare për qëllime të shkronjës “b”, të pikës 6, të këtij neni, nëse të ardhurat bruto të njësisë ekonomike, që i atribuohen veprimtarive përkatëse, janë të barabarta ose i tejkalojnë 50% të të ardhurave bruto të njësisë ekonomike në më pak se:

a) periudha trevjeçare që përfundon më 31 dhjetor të vitit që vjen përpara vitit në të cilin është bërë përcaktimi; ose
b) periudha gjatë së cilës njësia ekonomike ka ekzistuar. “Njësi ekonomike investimi” nuk përfshin njësinë ekonomike që është një NFE aktive sepse ajo përmbush të gjitha kriteret e shkronjave “d”, “dh”, “e”, “ë”, të pikës 41, të këtij neni. Ky paragraf do të interpretohet në një mënyrë të pajtueshme me terminologjinë e ngjashme të parashtruar në përkufizimin e “institucionit financiar” në rekomandimet e Task- Forcës për Aksionin Financiar.

7. “Fond pensioni i një organi qeveritar, organizate ndërkombëtare ose banke qendrore”, fondi i krijuar nga organi qeveritar, organizata ndërkombëtare ose Banka Qendrore për të dhënë pensione pleqërie, invaliditeti ose familjar për përfituesit ose pjesëmarrësit që janë punëmarrës aktualë ose të mëparshëm (ose persona të caktuar nga këta punëmarrës) ose që nuk janë punëmarrës aktualë ose të mëparshëm, nëse pensionet që u jepen këtyre përfituesve ose pjesëmarrësve janë në pajtim me shërbimet personale të realizuara për organin qeveritar, organizatën ndërkombëtare ose Bankën Qendrore.

8. “Fond Pensioni me Pjesëmarrje të Gjerë”, fondi i krijuar për të dhënë pension pleqërie, invaliditeti ose familjar apo një kombinim të tyre për përfituesit që janë punëmarrës aktualë ose të mëparshëm (ose persona të zgjedhur nga këta punëmarrës) të një ose më shumë punëdhënësve për shërbimet e kryera, me kusht që fondi:

a) të mos ketë asnjë përfitues të vetëm me të drejtë në më shumë se pesë për qind të aktiveve të fondit;
b) të jetë objekt i rregulloreve të qeverisë dhe të raportojë informacione pranë autoriteteve tatimore; dhe
c) të përmbushë të paktën një prej kritereve të mëposhtme:

i. Fondi është përgjithësisht i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat nga investimet ose tatimi i këtyre të ardhurave shtyhet ose tatohet me një normë të reduktuar për shkak të statusit të tij si fond pensioni pleqërie ose fond pensioni;
ii. Fondi merr të paktën 50% të kontributeve të tij totale (të ndryshme nga transfertat e aktiveve nga planet e tjera të përshkruara në pikat 9, 7, 4, të këtij neni ose nga llogaritë e pensionit të pleqërisë ose pensionit, të përshkruara në shkronjën “a”, të pikës 27, të këtij neni, nga punëdhënësit sponsorizues;
iii. shpërndarjet ose tërheqjet nga fondi lejohen vetëm nëse ndodhin ngjarje të specifikuara lidhur me pensionin, invaliditetin ose vdekjen (me përjashtim të shpërndarjeve të cilat riinvestohen në fonde të tjera pensioni, të përshkruara në pikat 9, 7, 4, të këtij neni, ose në llogaritë e pensionit të pleqërisë ose pensionit, të përshkruara në shkronjën “a”, të pikës 27, të këtij neni, ose në rast të shpërndarjeve ose tërheqjeve të bëra përpara këtyre ngjarjeve të specifikuara do të zbatohen penalitete; ose
iv. kontributet (me përjashtim të disa kontributeve kompensuese të autorizuara) nga punëmarrësit në fond janë të kufizuara në funksion të të ardhurave të punëmarrësit ose, në zbatim të rregullave të parashtruara në pikën 3, të nenit 10, për totalizimin e llogarisë dhe konvertimin në monedhën vendase, nuk mund t’i kalojnë 50 000 USD në vit.

9. “Fond Pensioni me Pjesëmarrje të Kufizuar”, fondi i krijuar për të dhënë pension pleqërie, invaliditeti ose familjar për përfituesit që janë punëmarrës aktualë ose të mëparshëm (ose persona të zgjedhur nga këta punëmarrës) të një ose më shumë punëdhënësve për shërbimet e kryera, me kusht që:

a) fondi të ketë më pak se 50 pjesëmarrës;
b) fondi të sponsorizohet nga një ose më shumë punëdhënës të cilët nuk janë njësi ekonomike investimi ose NFE pasive;
c) kontributet e punëmarrësit dhe punëdhënësit në fond (me përjashtim të transfertave të aktiveve nga llogaritë e pensionit të pleqërisë dhe pensionit të përshkruara në shkronjën “a”, të pikës 27, të këtij neni, të jenë përkatësisht të kufizuara në funksion të të ardhurave të fituara dhe kompensimit të punëmarrësit;
ç) pjesëmarrësit që nuk janë rezidentë të juridiksionit ku është krijuar fondi të mos kenë të drejtën e më shumë se 20% të aktiveve të fondit; dhe
d) fondi të jetë objekt i rregulloreve qeveritare dhe të raportojë informacion pranë autoritetit tatimor.

10. “Institucion depozite”, çdo njësi ekonomike që pranon depozita sipas mënyrës së zakonshme të një banke ose biznesi të ngjashëm.

11. “Institucion financiar”, një institucion kujdestarie, një institucion depozite, një njësi ekonomike investimesh ose një shoqëri sigurimesh specifike.

12. “Institucion financiar i juridiksionit” është:

a) çdo institucion financiar që është rezident në juridiksionin pjesëmarrës, por përjashton çdo degë të atij institucioni financiar që ndodhet jashtë këtij juridiksioni pjesëmarrës; dhe
b) çdo degë e një institucioni financiar që nuk është rezident në juridiksionin pjesëmarrës, nëse kjo degë është e vendosur në juridiksionin pjesëmarrës në fjalë.

13. “Institucion financiar i juridiksionit pjesëmarrës” është:

a) çdo institucion financiar që është rezident në juridiksionin pjesëmarrës, por përjashton çdo degë të atij institucioni financiar që ndodhet jashtë këtij juridiksioni pjesëmarrës; dhe
b) çdo degë e një institucioni financiar që nuk është rezident në juridiksionin pjesëmarrës, nëse kjo degë është e vendosur në juridiksionin pjesëmarrës në fjalë.

14. “Institucion financiar joraportues” është çdo institucion financiar që:

a) është një organ qeveritar, organizatë ndërkombëtare ose Bankë Qendrore, përveçse lidhur me pagesa të cilat rrjedhin nga detyrimet e mbajtura në lidhje me një veprimtari financiare tregtare të llojit të atyre të realizuara nga një shoqëri sigurimesh e specifikuar, një institucion kujdestarie ose një institucion depozite;
b) është një Fond Pensioni me Pjesëmarrje të Gjerë; një Fond Pensioni me Pjesëmarrje të Kufizuar; një Fond Pensioni i një Organi Qeveritar, Organizate Ndërkombëtare ose Banke Qendrore; ose një Emetues i Kualifikuar i Kartave të Kreditit;
c) çdo njësi tjetër ekonomike që paraqet rrezik të ulët për t’u përdorur për shmangie tatimore, ka shumë karakteristika të ngjashme me secilën prej njësive të përshkruara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 14, të këtij neni, dhe është përcaktuar sipas shtojcës III bashkëlidhur këtij vendimi si një institucion financiar joraportues, me kusht që statusi i kësaj njësie si institucion financiar joraportues nuk cenon qëllimet e këtij vendimi;
ç) është një instrument investimesh kolektive i përjashtuar; ose
d) është një trust deri në masën që administratori i besuar i trustit është një institucion financiar aaportues dhe e raporton të gjithë informacionin që duhet raportuar në përpurthje me nenin 4, me të gjitha llogaritë e raportueshme të trustit.

15. “Institucioni financiar raportues” ka të njëjtin kuptim me përkufizimin e “Institucionit financiar raportues” sipas përcaktimeve të ligjit.

16. “Institucion kujdestarie”, një njësi ekonomike që mban, si pjesë të konsiderueshme të biznesit të saj, aktive financiare për llogari të të tjerëve. Njësia ekonomike mban aktive financiare për llogari të të tjerëve si pjesë të konsiderueshme të biznesit të saj nëse të ardhurat bruto të njësisë ekonomike që i atribuohen mbajtjes së aktiveve financiare dhe shërbimeve financiare të lidhura me to janë të barabarta me ose i tejkalojnë 20% të të ardhurave bruto të njësisë ekonomike në më pak se:

a) periudha trevjeçare që përfundon më 31 dhjetor përpara vitit në të cilin bëhet përcaktimi; ose
b) periudha gjatë së cilës njësia ekonomike ka ekzistuar.

17. “Instrument Investimesh Kolektive i Përjashtuar”, një njësi ekonomike investimesh që rregullohet si një instrument investimesh kolektive, me kusht që të gjitha interesat në instrumentin e investimeve kolektive të mbahen nga ose nëpërmjet individëve ose njësive ekonomike që nuk janë persona të raportueshëm, përveç NFE-së pasive me persona kontrollues të cilët janë persona të raportueshëm.
Njësia Ekonomike e Investimeve që rregullohet si një instrument investimesh kolektive nuk dështon të kualifikohet sipas pikës 17, të këtij neni si një instrument i Investimeve Kolektive i Përjashtuar vetëm sepse Instrumenti i Investimeve Kolektive i ka emetuar bartësit aksione fizike, me kusht që:

a) instrumenti i investimeve kolektive nuk ka emetuar dhe nuk emeton asnjë aksion fizik për bartësin pas datës 31 dhjetor 2018;
b) instrumenti i investimeve kolektive i tërheq të gjitha këto aksione menjëherë pas heqjes dorë;
c) instrumenti i investimeve kolektive kryen procedurat e vigjilencës së duhur të parashtruara në nenet 5 deri në 10 raporton çdo informacion që kërkohet të raportohet lidhur me këto aksione kur këto aksione paraqiten për riblerje ose për pagesa të tjera; dhe
ç) instrumenti i investimeve kolektive disponon politika dhe procedura për të garantuar se këto aksione riblihen ose mbahen rezervë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në çdo rast përpara datës 1 janar 2019.

18. “Interes në kapital”, në rastin e një partneriteti që është institucion financiar, është qoftë interesi në kapital ose interesi në përfitime nga partneriteti. Në rastin e një trusti që është institucion financiar, interesi në kapital konsiderohet se mbahet nga çdo person që trajtohet si krijuesi i trustit ose përfituesi i të gjithë ose i një pjese të trustit, ose çdo person tjetër fizik që ushtron kontroll efektiv themelor mbi trustin. Personi i raportueshëm do të trajtohet si përfitues i një trusti nëse ky person i raportueshëm ka të drejtën të marrë direkt ose indirekt (për shembull, përmes një përfaqësuesi të caktuar) një shpërndarje të detyrueshme ose mund të marrë, direkt ose indirekt, një shpërndarje diskrete nga trusti.

19. “Juridiksion i raportueshëm” do të thotë:
a) për qëllime të zbatimit të procedurave të vigjilencës së duhur të përshkruara në nenet 5 deri në 10, një juridiksion tjetër përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose Shqipërisë,
b) për qëllime të aplikimit të nenit 4, juridiksioni i cili është identifikuar në shtojcën II bashkëlidhur këtij vendimi; dhe
c) juridiksion me të cilin Republika e Shqipërisë synon të shkëmbejë informacion mbi llogaritë financiare.

20. “Juridiksion pjesëmarrës”, një juridiksion që ka nënshkruar marrëveshjen shumëpalëshe të autoritetit kompetent për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare dhe i cili është identifikuar si i tillë në shtojcën I bashkëlidhur këtij vendimi.

21. “Kontrata e pensionit vjetor të grupit”, një kontratë pensioni vjetor që mbulon individë që janë të lidhur me një punëdhënës, shoqatë tregtare, sindikatë punëtore ose ndonjë shoqatë ose grup tjetër.

22. “Kontratë e sigurimit në vlerë në para të gatshme”, kontrata e sigurimeve (e ndryshme nga kontrata e risigurimit ndërmjet dy shoqërive të sigurimeve) që ka një vlerë në para të gatshme.

23. “Kontratë pensioni vjetor”, kontrata sipas së cilës emetuesi bie dakord të kryejë pagesa për një periudhë kohore të përcaktuar plotësisht ose pjesërisht duke iu referuar jetëgjatësisë së një ose më shumë individëve. Termi gjithashtu përfshin kontratën që konsiderohet të jetë një kontratë pensioni vjetor në përputhje me ligjet, rregulloret ose praktikat e juridiksionit në të cilin është lëshuar kontrata dhe sipas së cilës emetuesi bie dakord të kryejë pagesa për një numër të caktuar vitesh.

24. “Kontratë sigurimi” është një kontratë (e ndryshme nga kontrata e pensionit vjetor) sipas së cilës emetuesi bie dakord të paguajë një shumë të caktuar menjëherë pas ndodhisë së një kontingjence specifike që përfshin vdekjen, sëmundshmërinë, aksidentin, detyrimin ose riskun e pronës.

25. “Kontratë sigurimi në vlerë në para të gatshme e grupit”, një “kontratë sigurimi në vlerë në para të gatshme” që siguron mbulim për individët që janë të lidhur me një punëdhënës, shoqatë tregtare, sindikatë punonjësish ose ndonjë shoqatë ose grup tjetër dhe që tarifon një çmim për secilin anëtar të grupit (ose anëtar të një kategorie brenda grupit) që përcaktohet pa marrë parasysh karakteristikat individuale shëndetësore, të tjera nga mosha, gjinia dhe zakoni i pirjes së duhanit të anëtarit (ose klasës së anëtarëve) të grupit.

26. “Llogari depozite” përfshin çdo llogari tregtare, llogari rrjedhëse, llogari kursimesh, llogari me afat, ose llogari që identifikohet përmes një certifikate depozite, certifikatë kursimesh, certifikatë investimesh, certifikatë borxhi ose instrumente të tjera të ngjashme që mbahen nga institucioni financiar në punën e zakonshme të aktivitetit bankar ose të ngjashëm me të. Llogaria e depozitës përfshin gjithashtu shumën e mbajtur nga shoqëria e sigurimeve sipas kontratës së investimeve të garantuara ose marrëveshjes së ngjashme me të për të paguar ose kredituar interesat përkatës.

27. “Llogari e përjashtuar” është secila prej llogarive të mëposhtme:

a) Llogaria e pensionit të pleqërisë ose e pensionit që përmbush të gjitha kriteret vijuese:

i. Llogaria është objekt rregullimi si llogari personale pensioni ose është pjesë e një skeme pensioni pleqërie të rregulluar dhe regjistruar ose pensioni tjetër e cila ofron përfitim në formë pensioni pleqërie ose pensioni tjetër (duke përfshirë pensionin për invaliditetin ose pensionin familjar);
ii. Llogaria është e favorizuar nga pikëpamja tatimore (d.m.th. kontributet në llogari që në një tjetër kontekst do të ishin objekt i tatimit zhvishen ose përjashtohen nga të ardhurat bruto të mbajtësit të llogarisë ose tatohen në nivele të reduktuara, ose tatimi mbi të ardhurat nga investimi nga llogaria shtyhet ose tatohet në nivele të reduktuara);
iii. Lidhur me llogarinë kërkohet raportim i informacionit pranë autoriteteve tatimore;
iv. Tërheqjet kushtëzohen me arritjen e moshës së specifikuar të pensionit të pleqërisë, invaliditetin ose vdekjen, ose në të kundërt do të zbatohen penalitete mbi tërheqjet e kryera përpara këtyre ngjarjeve të specifikuara; dhe
v. Kontributet vjetore nuk duhet t’i kalojnë 50 000 USD ose limiti maksimal i kontributeve në llogari gjatë të gjithë jetës nuk duhet t’i kalojë 1 000 000 USD (një milion dollarë) dhe në çdo rast do të zbatohen rregullat e parashtruara në pikën 3, të nenit 10, për totalizimin e llogarisë dhe konvertimin e monedhës.
Llogaria financiare që për më tepër përmbush kërkesën e parashikuar në nënparagrafët i, ii, iii, iv, v, të shkronjës “a”, të pikës 27, të këtij neni, nuk do të dështojë në përmbushjen e kësaj kërkese vetëm sepse kjo llogari financiare mund të marrë aktive ose fonde të transferuara nga një ose më shumë llogari financiare që përmbushin kërkesat e shkronjave “a” ose “b”, të pikës 27, të këtij neni, apo nga një ose më shumë fonde pensioni ose pleqërie që përmbushin kërkesat e secilës prej pikave 9, 7, 4 të këtij neni.
b) Llogaria që përmbush kërkesat e mëposhtme:

i. Llogaria është objekt i rregulloreve si një instrument investimesh për qëllime të ndryshme nga pensioni dhe tregtohet rregullisht në një treg të konsoliduar letrash me vlerë, ose llogaria është objekt i rregulloreve si instrument kursimesh për qëllime të ndryshme nga pensioni;
ii. Llogaria është e favorizuar nga pikëpamja tatimore (d.m.th. kontributet në llogari që në një tjetër kontekst do të ishin objekt i tatimit zhvishen ose përjashtohen nga të ardhurat bruto të mbajtësit të llogarisë ose tatohen në nivele të reduktuara, ose tatimi mbi të ardhurat nga investimi nga llogaria shtyhet ose tatohet në nivele të reduktuara);
iii. Tërheqjet kushtëzohen nga përmbushja e kritereve specifike të lidhura me qëllimin e llogarisë së investimeve ose të kursimeve (për shembull, dhënia e përfitimeve shëndetësore ose arsimore) ose do të zbatohen penalitete për tërheqjet e kryera përpara përmbushjes së këtyre kritereve; dhe
iv. Kontributet vjetore nuk e kalojnë limitin prej 50 000 USD-sh, duke zbatuar rregullat e parashtruara në pikën 3, të nenit 10, për totalizimin e llogarisë dhe konvertimin e monedhës.
Llogaria financiare që për më tepër përmbush kërkesat e nënparagrafit “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 27, të këtij neni, nuk do të dështojë në përmbushjen e kësaj kërkese vetëm sepse kjo llogari financiare mund të marrë aktive ose fonde të transferuara nga një ose më shumë llogari financiare që përmbushin kërkesat e shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 27, të këtij neni, nga një ose më shumë fonde pensioni pleqërie ose pensioni që përmbushin kërkesat e secilës prej pikave 9, 7, 4 të këtij neni.
c) Kontrata e sigurimit të jetës me një periudhë mbulimi që do të mbarojë përpara se individi i siguruar të arrijë moshën 90 vjeç, me kusht që kontrata të përmbushë kërkesat e mëposhtme:

i. Primet periodike, që nuk ulen me kalimin e kohës, paguhen të paktën çdo vit gjatë periudhës që kontrata është ekzistuese ose deri kur i siguruari të arrijë moshën 90 vjeç, cilado periudhë që është më e shkurtër;
ii. Kontrata nuk ka një vlerë kontrate tek e cila çdo person mund të ketë akses (përmes tërheqjes, huas ose ndryshe) pa e zgjidhur kontratën;
iii. Shuma (e ndryshme nga pensioni familjar) që paguhet pas anulimit ose zgjidhjes së kontratës nuk mund të tejkalojë primet e përgjithshme që janë paguar për kontratën, minus shumën e shpenzimeve në rast vdekjeje, sëmundjeje, dhe tarifat e shpenzimeve (pavarësisht nëse janë vendosur realisht ose jo) për periudhën ose periudhat e ekzistencës së kontratës dhe çdo shumë të paguar përpara anulimit ose zgjidhjes së kontratës; dhe
iv. Kontrata nuk mbahet nga personi tek i cili transferohet për vlerën e saj.
ç) Llogaria e cila mbahet vetëm nga një titull pronësie nëse dokumentacioni për këtë llogari përfshin një kopje të testamentit të personit të vdekur ose certifikatën e vdekjes.
d) Llogaria e krijuar lidhur me secilën nga pikat vijuese:

i. një urdhër ose vendim gjykate.
ii. një shitje, shkëmbim ose qiradhënie/marrje të pasurisë së paluajtshme ose personale me kusht që llogaria të përmbushë kërkesat e mëposhtme:

⦁ Llogaria financohet vetëm nga depozitimi i një page në llogari, si garanci ekzekutimi në sasinë e mjaftueshme për të garantuar detyrimin e lidhur direkt me transaksionin ose nga pagesa të ngjashme, ose financohet nga aktivet financiare të depozituara në llogari lidhur me shitjen, shkëmbimin ose qiramarrjen/dhënien e pasurisë;
⦁ Llogaria krijohet dhe përdoret vetëm për të garantuar detyrimin e blerësit për të paguar çmimin e blerjes, të shitësit për të paguar çdo detyrim kontingjence, ose të qiramarrësit apo qiradhënësit për të paguar për çdo dëm lidhur me pasurinë e marrë/dhënë me qira, siç është rënë dakord në kontratë;
– Aktivet e llogarisë, duke përfshirë edhe të ardhurat e fituara prej saj, do të paguhen ose shpërndahen në përfitim të blerësit, shitësit, qiramarrësit ose qiradhënësit (duke përfshirë edhe përmbushjen e detyrimit të këtij personi) në momentin kur pasuria shitet, shkëmbehet ose hiqet dorë prej saj apo kur zgjidhet kontrata e qirasë;
– Llogaria nuk është një llogari marzh apo e ngjashme me të, e krijuar për shitjen ose shkëmbimin e aktivit financiar; dhe
– Llogaria nuk lidhet me ndonjë llogari të përshkruar në shkronjën “dh”, të pikës 27, të këtij neni.

iii. Detyrimi i Institucionit Financiar që jep huanë e garantuar nga pasuria e paluajtshme për të hequr mënjanë një pjesë të pagesës vetëm për shlyerjen e tatimeve ose të siguracioneve të lidhura me pasurinë e paluajtshme në një moment tjetër.
iv. detyrimi i Institucionit Financiar vetëm për të lehtësuar shlyerjen e tatimeve në një moment tjetër.
dh) Llogaria e depozitës që përmbush kërkesat e mëposhtme:

i. Llogaria ekziston vetëm sepse klienti kryen një pagesë përtej balancës së caktuar lidhur me një kartë krediti ose instrumente të tjera kredie të rinovueshme dhe mbipagesa nuk i kthehet menjëherë klientit; dhe
ii. Duke filluar në datën ose përpara datës 1 korrik 2019, institucioni financiar zbaton politika dhe procedura qoftë për ta penguar klientin që të kryejë mbipagesa, të cilat i tejkalojnë 50 000 USD ose për të garantuar që çdo mbipagesë e klientit, që e tejkalon vlerën 50 000 USD, i rimbursohet klientit brenda 60 ditëve,dhe në secilin rast zbatohen rregullat e parashtruara në pikën 3, të nenit 10, për konvertimin e monedhës. Për këtë arsye, mbipagesa e klientit nuk i referohet balancave të kreditit që përfshijnë tarifa të kundërshtuara, por përfshijnë balancat e kreditit që vijnë si rezultat i kthimit të mallit.

28. “Llogari e raportueshme”, llogaria që mbahet nga një ose më shumë persona të raportueshëm ose nga një NFE pasive me një ose më shumë persona kontrollues që është person i raportueshëm, me kusht që të jetë identifikuar si e tillë në bazë të procedurave të vigjilencës së duhur, të përshkruara në nenet 5 dhe 6.

29. “Llogari e re”, një llogari financiare e mbajtur nga një institucion financiar raportues, të hapur më ose pas 1 janarit 2019.

30. “Llogari e re e njësisë ekonomike”, një llogari e re e mbajtur nga një ose më shumë njësi ekonomike.

31. “Llogari e re individuale”, një llogari e re e mbajtur nga një ose më shumë individë.

32. “Llogari financiare”, llogaria që mbahet nga një institucion financiar dhe përfshin llogarinë e depozitës, llogarinë e kujdestarisë dhe:

a) në rastin e një njësie ekonomike investimesh, çdo interes në kapital ose borxh në institucionin financiar. Pavarësisht nga sa më lart, termi “Llogari financiare” nuk përfshin asnjë interes në kapital ose borxh në një njësi ekonomike që është Njësi Ekonomike Investimesh vetëm sepse ajo:

i. jep këshilla investimi dhe vepron për llogari të, ose
ii. menaxhon portofolin e dhe vepron për llogari të klientit për qëllime të investimit, menaxhimit ose administrimit të aktiveve financiare të depozituara në emrin e klientit te një institucion financiar, i ndryshëm nga kjo njësi ekonomike;

b) në rastin e një institucioni financiar që nuk është përshkruar në shkronjën“a”, të pikës 32, të këtij neni, çdo interes në kapital ose borxh në Institucionin Financiar, nëse lloji i interesit është përcaktuar me qëllim shmangien e raportimit në pajtim me nenin 4; dhe
c) çdo kontratë sigurimi në vlerë në para të gatshme dhe çdo kontratë pensioni vjetor që lëshohet ose mbahet nga institucioni financiar, e ndryshme nga pagesat vjetore për sigurimin e jetës që nuk janë të lidhura me investimet, nuk janë të transferueshme dhe të menjëhershme të cilat i jepen një individi dhe që i jep vlerë monetare pensionit ose pensionit të invaliditetit i cili jepet në një llogari që është llogari e përjashtuar.

Termi “Llogari financiare” nuk përfshin asnjë llogari e cila është një llogari e përjashtuar.

33. “Llogari individuale paraekzistuese”, një llogari paraekzistuese të mbajtur nga një apo disa individë.

34. “Llogari kujdestarie”, një llogari (e ndryshme nga kontratat e sigurimeve ose kontratat e pensionit vjetor) që mban një ose më shumë aktive financiare në përfitim të një personi tjetër.

35. “Llogari me vlerë më të ulët”, një llogari individuale paraekzistuese me një balancë apo vlerë të përgjithshme në datën 31 dhjetor 2018 që nuk tejkalon shumën 1 000 000 USD (një milion dollarë).

36. “Llogari me vlerë të madhe”, llogaria paraekzistuese individuale me një balancë ose vlerë të përgjithshme që e kalon nivelin 1 000 000 USD (një milion dollarë) në datën 31 dhjetor 2018 ose datën 31 dhjetor të çdo viti pasues.

37. “Llogari paraekzistuese” nënkupton:

a) një llogari financiare të mbajtur nga një institucion financiar raportues deri më 31 dhjetor 2018;
b) çdo llogari financiare të mbajtësit të llogarisë pavarësisht nga data kur kjo llogari financiare është hapur, nëse:

i. mbajtësi i llogarisë gjithashtu mban në institucionin financiar raportues (ose në një njësi ekonomike tjetër të lidhur që i përket të njëjtit juridiksion si institucioni financiar raportues), një llogari financiare që është një llogari para-ekzistuese sipas nënparagrafit a) të pikës 37 të këtij neni;
ii. institucioni financiar raportues (dhe, sipas rastit, organi përkatës i të njëjtit juridiksion, ashtu si edhe institucioni financiar raportues), trajton të dyja llogaritë financiare të lartpërmendura dhe çdo llogari tjetër financiare të mbajtësit të llogarisë që trajtohet si llogari paraekzistuese në pajtim me këtë paragraf, si një llogari të vetme financiare në përmbushje të kërkesave të përcaktuara në pikën 1, të nenit 10, dhe për qëllim të përcaktimit të balancës ose vlerës të secilës prej llogarive financiare gjatë aplikimit të pragut;
iii. në rastet e një llogarie financiare, që është subjekt i pastrimit të parave dhe i njeh procedurat e klientit (PPP/NjKT), institucioni financiar raportues është i lejuar të plotësojë procedurat PPP/NjKT për llogarinë financiare duke u mbështetur në procedurat e PPP/NjKT të kryera për llogarinë paraekzistuese sipas shkronjës “a”, të pikës 37, të këtij neni; dhe
iv. hapja e llogarisë financiare nuk kërkon dhënien e informatave të reja, shtesë ose të ndryshuara të klientëve nga mbajtësi i llogarisë, përveçse për qëllimet e këtij vendimi.

38. “Llogari paraekzistuese e njësisë ekonomike”, një llogari paraekzistuese e mbajtur nga një ose më shumë njësi ekonomike.

39. “Mbajtës i llogarisë”, personi i listuar ose i identifikuar si mbajtësi i llogarisë financiare nga institucioni financiar që mban llogarinë. Personi, i ndryshëm nga institucioni financiar, që mban një llogari financiare në përfitim të ose për llogari të një personi tjetër si agjent, kujdestar, i emëruar, nënshkrues, këshilltar investimesh ose ndërmjetës, nuk trajtohet si person që e mban llogarinë për qëllime të këtij vendimi dhe personi tjetër trajtohet si personi që mban llogarinë. Në rastin e një kontrate sigurimi në vlerë në para të gatshme ose kontrate pensioni vjetor, mbajtësi i llogarisë është çdo person i cili ka të drejtë të ketë akses në vlerën në para të gatshme ose të ndryshojë përfituesin e kontratës. Nëse asnjë person nuk mund të ketë akses në vlerën në para të gatshme ose të ndryshojë përfituesin, mbajtësi i llogarisë është çdo person i emëruar si pronar në kontratë dhe çdo person mbi të cilin bie e drejta e pagesës sipas kushteve të kontratës. Menjëherë pas maturimit të kontratës së sigurimit në vlerë në para të gatshme ose kontratës së pensionit vjetor, çdo person që ka të drejtë të marrë pagesë sipas kontratës do të trajtohet si mbajtës llogarie.

40. “NFE”, çdo njësi ekonomike që nuk është një institucion financiar (NjEJIF).

41. “NFE Aktive”, çdo NFE që përmbush secilin prej kritereve të mëposhtme:

a) më pak se 50% e të ardhurave bruto të NFE-së për vitin kalendarik paraardhës ose një periudhë tjetër të përshtatshme raportimi janë të ardhura pasive dhe më pak se 50% e aktiveve të mbajtura nga NFE-ja gjatë vitit kalendarik paraardhës ose një periudhe tjetër të përshtatshme raportimi janë aktive që prodhojnë ose mbahen për prodhimin e të ardhurave pasive;
b) aksionet e NFE-së tregtohen rregullisht në një treg të konsoliduar letrash me vlerë ose NFE-ja është njësi e lidhur me një njësi ekonomike, aksionet e së cilës tregtohen rregullisht në një treg të konsoliduar letrash me vlerë;
c) NFE-ja është një organ qeveritar, një organizatë ndërkombëtare, një Bankë Qendrore ose një njësi ekonomike e zotëruar plotësisht nga një ose më shumë prej të lartpërmendurave;
ç) në thelb të gjitha aktivitetet e NFE-së konsistojnë në mbajtjen (plotësisht ose pjesërisht) të aksioneve të qarkullueshme të, ose në ofrimin e financimit dhe shërbimeve për, një ose më shumë filiale që angazhohen në tregti ose biznese të ndryshme nga biznesi i institucionit financiar, por njësia ekonomike nuk kualifikohet për këtë status nëse njësia ekonomike funksionon (ose pretendon se funksionon) si një fond investimi, i tillë si fond privat me kapital neto, fond me sipërmarrje kapitali, fond blerjeje me financim nga të tretë ose çdo instrument investimi, qëllimi i të cilit është blerja ose financimi i shoqërive dhe më pas mbajtja e interesave në ato shoqëri si aktive kapitali për qëllime investimi;
d) NFE ende nuk po operon një biznes dhe nuk ka asnjë historik të mëparshëm operimi, por po investon kapital në aktive me synimin për të operuar një biznes të ndryshëm nga ai i Institucionit Financiar, me kusht që NFE-ja nuk kualifikohet për këtë përjashtim pas datës e cila është 24 muaj pas datës së organizimit fillestar të NFE-së;
dh) NFE-ja nuk ka qenë një institucion financiar në pesë vitet e fundit, dhe është në procesin e likuidimit të aktiveve të saj ose po riorganizohet me qëllim vijimin ose rifillimin e operacioneve në një biznes të ndryshëm nga ai i institucionit financiar;
e) NFE-ja angazhohet kryesisht në financimin dhe mbrojtjen e transaksioneve me, ose për, njësitë ekonomike të lidhura që nuk janë institucione financiare, dhe nuk i ofron shërbime financimi ose mbrojtjeje asnjë njësie ekonomike që nuk është njësi ekonomike e lidhur, me kusht që grupi i çdo njësie të tillë ekonomike të lidhur është kryesisht i angazhuar në një biznes të ndryshëm nga ai i institucionit financiar; ose
ë) NFE-ja përmbush të gjitha kërkesat e mëposhtme:

i. Ajo është themeluar dhe funksionon në juridiksionin e saj të rezidencës vetëm për qëllime fetare, bamirësie, shkencore, artistike, kulturore, atletike ose arsimore; ose është themeluar dhe funksionon në juridiksionin e saj të rezidencës dhe është një organizatë profesionale, ligë biznesi, dhomë tregtie, organizatë pune, organizatë bujqësore ose e hortikulturës, ligë civile ose një organizatë e cila funksionon ekskluzivisht për promovimin e mirëqenies sociale;
ii. Ajo është e përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat në juridiksionin e saj të rezidencës;
iii. Ajo nuk ka aksionarë ose anëtarë të cilët kanë një interes pronësor ose përfitimi në të ardhurat ose aktivet e saj;
iv. Ligjet në fuqi të juridiksionit të rezidencës së NFE-së ose dokumentet e krijimit të NFE-së nuk e lejojnë shpërndarjen ose kalimin e të ardhurave apo aktiveve në përfitim të personave privatë ose një njësie jobamirëse, përveçse në pajtim me kryerjen e aktiviteteve të bamirësisë të NFE-së, ose si pagesë e një kompensimi të arsyeshëm për shërbimet e ofruara, ose si pagesë që përfaqëson vlerën e drejtë në treg të pasurisë që ka blerë NFE; dhe
v. Ligjet në fuqi të juridiksionit të rezidencës së NFE-së ose dokumentet e krijimit të NFE-së kërkojnë që pas likuidimit ose shpërbërjes së NFE-së, të gjitha aktivet e saj t’i shpërndahen një organi qeveritar ose organizate tjetër jofitimprurëse ose t’i rikthehen qeverisë së juridiksionit të rezidencës së NFE-së apo çdo nënndarjeje politike të saj.

42. “NFE pasive”, çdo NFE që nuk është NFE aktive ose mjësi ekonomike e përshkruar në shkronjë “b”, të pikës 10, të këtij neni, që nuk është një institucion financiar i juridiksionit pjesëmarrës.

43. “Njësi ekonomike”, personi juridik ose struktura juridike si korporata, partneriteti, trusti ose fondacioni.

44. Njësia ekonomike është një “Njësi ekonomike e lidhur” e një njësie tjetër nëse:

a) secila prej njësive kontrollon tjetrën;
b) të dyja njësitë ekonomike janë nën një menaxhim të përbashkët; ose
c) të dy njësitë ekonomike janë fonde investimi sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 10, të këtij neni, janë nën një menaxhim të përbashkët dhe një menaxhim i tillë përmbush detyrimet e vigjilencës së duhur të fondeve të tilla të investimit. Për këtë qëllim, kontrolli përfshin pronësinë direkte ose indirekte të më shumë se 50% të votave dhe vlerës në një njësi ekonomike.

45. “Numër identifikues i tatimpaguesit (TIN)”, numri identifikues i tatimpaguesit (NIT), ose ekuivalenti i tij funksional. Për qëllime tatimore, për personat e tatueshëm “TIN” do të nënkuptojë “NIPT-in” (numri i identifikimit të personit të tatueshëm), lëshuar sipas legjislacionit shqiptar. Si numër identifikimi për qëllime tatimore, për tatimpaguesin që është individ, shërben numri personal i identifikimit, i marrë në përputhje me legjislacionin shqiptar.

46. “Organ qeveritar”, qeveria e një juridiksioni, çdo nënndarje politike e një juridiksioni (që për të shmangur dyshimet përfshin shtetin, provincën, qarkun ose bashkinë), ose çdo agjenci ose organizëm që i përket plotësisht juridiksionit ose ndonjë apo më shumë prej të lartpërmendurave (ku secila prej tyre përbën një “Organ qeveritar”). Kjo kategori përbëhet nga pjesët integrale, njësitë e kontrolluara dhe nënndarjet politike të një juridiksioni.

a) “Pjesë integrale” e një juridiksioni është çdo person, organizatë, agjenci, byro, fond, organizëm ose organ tjetër, pavarësisht emërtimit, që përbën një autoritet qeverisës së një juridiksioni. Fitimet neto të autoritetit qeverisës duhet të kreditohen në llogarinë e tij ose në llogari të tjera të juridiksionit, ku asnjë pjesë e tyre nuk do të shkojë në përfitim të asnjë personi privat. Pjesa integrale nuk përfshin asnjë individ që mund të jetë sovran, zyrtar ose administrator që vepron në cilësinë private ose personale.
b) Një njësi e kontrolluar është Njësia që është e ndarë në formë nga juridiksioni apo që ndryshe përbën një njësi juridike të veçantë, me kusht që:

i. Njësia të jetë plotësisht e zotëruar ose e kontrolluar nga një ose më shumë organe qeveritare në mënyrë direkte ose nëpërmjet një apo më shumë njësive të kontrolluara;
ii. fitimet neto të njësisë kreditohen në llogarinë e saj ose në llogaritë e një ose më shumë organeve qeveritare, ku asnjë pjesë e tyre nuk do të shkojë në përfitim të asnjë personi privat; dhe
iii. në momentin e shpërbërjes, aktivet e njësisë i atribuohen një ose më shumë organeve qeveritare.

c) Të ardhurat nuk shkojnë në përfitim të personave privatë nëse këta persona janë përfituesit e synuar të një programi qeveritar dhe veprimtaritë e programit kryhen për publikun e gjerë për mirëqenien e përbashkët ose lidhen me administrimin e disa fazave të qeverisë. Megjithatë, pavarësisht nga sa më lart, të ardhurat shkojnë në përfitim të personave privatë nëse të ardhurat vijnë si rezultat i përdorimit të një organi qeveritar për të kryer një aktivitet tregtar, si aktiviteti bankar tregtar që u ofron shërbime financiare personave privatë.

47. “Organizatë ndërkombëtare”, çdo organizatë ndërkombëtare ose agjenci apo organizëm i zotëruar plotësisht prej tyre. Kjo kategori përfshin çdo organizatë ndërqeveritare (duke përfshirë organizatat supranacionale):

a) që përbëhet kryesisht nga qeveritë;
b) që ka në fuqi një marrëveshje për selinë ose një marrëveshje të ngjashme në thelb me juridiksionin; dhe
c) të ardhurat e së cilës nuk shkojnë në përfitim të personave privatë.

48. “Person i juridiksionit të raportueshëm”, individi ose njësia ekonomike që është rezidente në një juridiksion të raportueshëm në bazë të legjislacionit tatimor të këtij juridiksioni, ose pasuria e trashëgimlënësit që ka qenë rezident i një juridiksioni të raportueshëm. Për këtë qëllim, njësia ekonomike, e tillë si partneriteti, partneriteti me përgjegjësi të kufizuara ose strukturat ligjore të ngjashme që nuk kanë rezidencë për qëllime tatimore, do të trajtohen si rezidentë në juridiksionin në të cilin ndodhet vendi ose menaxhimi aktiv.

49. “Person i raportueshëm”, personi i juridiksionit të raportueshëm i ndryshëm nga:

a) korporata, aksionet e së cilës tregtohen rregullisht në një ose më shumë tregje të konsoliduara të letrave me vlerë;
b) çdo korporatë që është njësi ekonomike e lidhur me korporatën e përshkruar në shkronjën “a”;
c) organi qeveritar;
ç) organizata ndërkombëtare;
d) Banka Qendrore; ose
dh) institucioni financiar.

50. “Persona kontrollues”, personat fizikë që ushtrojnë kontroll mbi njësinë ekonomike. Në rastin e një trusti, ky term nënkupton krijuesin e trustit, administratorin e trustit, ruajtësin (nëse ka), përfituesin ose kategoritë e përfituesve dhe çdo person tjetër fizik që ushtron kontroll efektiv themelor mbi trustin dhe në rastin e një strukture ligjore të ndryshme nga trusti, ky term nënkupton personat në pozicione të barazvlefshme ose të ngjashme. Termi “Persona kontrollues” duhet të interpretohet në mënyrë të pajtueshme me rekomandimet e Task Forcës për Aksionin Financiar.

51. “Procedurat për PPP/NjKT”, procedurat e vigjilencës së duhur për klientin e institucionit financiar raportues në bazë të kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave ose të ngjashme me to kundrejt të cilave ky institucion financiar raportues është objekt.

52. “Sistem i standardizuar i kodimit të industrisë”, një sistem kodimi i përdorur për klasifikimin e objekteve sipas llojit të biznesit për qëllime të ndryshme nga qëllimet tatimore.

53. “Shoqëri sigurimesh e specifikuar”, çdo njësi ekonomike që është një shoqëri sigurimesh (ose shoqëria kontrolluese (holding) e shoqërisë së sigurimeve) që lëshon ose është e detyruar të kryejë pagesa lidhur me kontratat e sigurimit në vlerë në para të gatshme ose kontratat e pensionit vjetor.

54. “Vlerë në para të gatshme”, sasia më e madhe e shumave vijuese:

a) shuma që mbajtësi i policës ka të drejtë të marrë menjëherë pas mbylljes vullnetare ose zgjidhjes së kontratës (e përcaktuar pa llogaritur zbritjen e mundshme në formë penalizimi për çdo mbyllje vullnetare ose hua mbi policën); dhe
b) shuma që mbajtësi i policës mund të marrë hua sipas kontratës ose lidhur me të. Pavarësisht nga sa më sipër, termi “Vlerë në para të gatshme” nuk përfshin shumën që paguhet sipas kontratës së sigurimit:

i. vetëm për shkak të vdekjes së individit të siguruar sipas kontratës së sigurimit të jetës;
ii. në formën e përfitimit personal nga lëndimi ose sëmundja ose të përfitimeve të tjera që zhdëmtojnë humbjen ekonomike të pësuar për shkak të ndodhisë së një ngjarjeje ndaj të cilës është siguruar;
iii. në formën e një rimbursimi të një primi të paguar më parë (minus kostot e shpenzimeve të sigurimeve pavarësisht nëse vendosen apo jo) sipas kontratës së sigurimit (e ndryshme nga kontrata e sigurimit të jetës lidhur me një investim ose kontrata e pensionit vjetor) për shkak të anulimit ose zgjidhjes së kontratës, uljes së rrezikut të ekspozimit gjatë periudhës së veprimit të kontratës, ose si rezultat i korrigjimit të njoftimit apo gabimit të ngjashëm lidhur me primin e kontratës;
iv. në formën e dividendit të mbajtësit të policës (i ndryshëm nga dividendi në zgjidhjen e kontratës) me kusht që dividendi të lidhet me një kontratë sigurimi, sipas së cilës të vetmet përfitime të pagueshme janë të përshkruara në nënpragrafin “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 54, të këtij neni; ose
v. në formën e kthimit të primit të parapaguar ose të depozitës së primit për kontratën e sigurimit për të cilën primi paguhet të paktën çdo vit nëse shuma e primit të parapaguar ose e depozitës së primit nuk e kalon primin vijues vjetor që do të paguhet sipas kontratës.

KREU II
KËRKESAT E RAPORTIMIT DHE VIGJILENCËS SË DUHUR

Neni 4
Kërkesat e përgjithshme të raportimit

1. Sipas pikave 3 deri 5, të këtij neni, çdo institucion financiar raportues duhet të raportojë tek administrata tatimore informacionin e mëposhtëm në lidhje me secilën llogari të raportueshme të këtij institucioni finaciar raportues:

a) emrin, adresën, juridiksionin (et) e rezidencës, TIN-in, datën dhe vendin e lindjes (në rastin e një individi) të secilit person të raportueshëm që është mbajtës i llogarisë dhe në rastin e çdo njësie ekonomike që është mbajtës i llogarisë dhe që pas aplikimit të procedurës së vigjilencës së duhur në përputhje me nenet 8, 9, 10, është konstatuar se ka një ose më shumë persona drejtues që janë persona të raportueshëm) emrin, adresën, juridiksionin (et) e rezidencës dhe TIN-in (et) e njësisë ekonomike, si dhe emrin, adresën, juridiksionin (et) e rezidencës, TIN-in (et) dhe datën dhe vendin e lindjes së secilit person të raportueshëm;
b) numrin e llogarisë (ose ekuivalentin në mungesë të një numri të llogarisë);
c) emrin dhe numrin identifikues (nëse ka) të institucionit financiar raportues;
ç) gjendjen e llogarisë ose vlerën (përfshirë, në rastin e kontratës së sigurimit në vlerë në para të gatshme ose kontratë pensioni vjetor, vlerën në para të gatshme ose vlerën e mbylljes vullnetare) duke filluar në fund të vitit përkatës kalendarik ose nëse llogaria është mbyllur gjatë atij viti apo asaj periudhe, në mbylljen e llogarisë;
d) në rastin e një llogarie kujdestarie:

i. shuma totale bruto e interesit, shuma totale bruto e dividentëve dhe shuma totale bruto e të ardhurave të tjera të krijuara në lidhje me aktivet e mbajtura në llogari, në çdo rast të paguar ose të kredituar në llogari (ose në lidhje me llogarinë) gjatë vitit kalendarik; dhe
ii. të ardhurat totale bruto nga shitja ose shlyerja e aktiveve financiare të paguara ose të kredituara në llogari gjatë vitit kalendarik në lidhje me të cilën institucioni financiar raportues ka vepruar si kujdestar, ndërmjetës, kandidat, ose ndryshe si agjent për mbajtësin e logarisë;
dh) në rastin e një llogarie depozitë, shumën totale bruto të interesit të paguar ose të kredituar në llogari gjatë vitit kalendarik; dhe
d) në rastin e ndonjë llogarie që nuk është e përshkruar në shkronjat “d” ose “dh”, të pikës 1, të këtij neni, shuma totale bruto e paguar ose e kredituar për mbajtësin e llogarisë lidhur me llogarinë gjatë vitit kalendarik, në lidhje me të cilën Institucioni financiar raportues është debitor, përfshirë shumën totale të pagesave të shlyerjeve të bëra për mbajtësin e llogarisë gjatë vitit kalendarik.

2. Informacioni i raportuar duhet të identifikojë monedhën në të cilën është shprehur çdo shumë përkatëse. Informacioni i raportuar nga institucionet raportuese financiare duhet të dërgohet pranë administratës tatimore në skedarë të veçantë XML për çdo juridiksion (shtet) që ato do të raportojnë, sipas mënyrës dhe procedurave të parashikuara në shtojcën IV të këtij vendimi.

3. Pavarësisht nga shkronja “a”, e pikës 1, të këtij neni, në lidhje me secilën llogari të raportueshme që është një llogari paraekzistuese ose në lidhje me secilën llogari financiare që është hapur para se të bëhet një llogari e raportueshme, TIN-i ose data e lindjes nuk kërkohet të raportohet nëse ky TIN ose data e lindjes nuk është në regjistrat e institucionit financiar raportues dhe nuk kërkohet të mblidhet nga ky institucion financiar raportues sipas legjislacionit të brendshëm. Pavarësisht këtij parashikimi, një institucion financiar raportues duhet të bëjë përpjekje nga ana e tij për të marrë TIN-in dhe datën e lindjes në lidhje me llogaritë paraekzistuese deri në fund të vitit të dytë kalendarik pas vitit në të cilin këto llogari janë identifikuar si llogari të raportueshme.

4. Pavarësisht nga shkronja “a”, e pikës 1, të këtij neni, TIN-i nuk kërkohet të raportohet nëse:

a) TIN-i nuk është lëshuar nga Juridiksioni i Raportueshëm përkatës ose
b) legjislacioni i brendshëm i Juridiksionit të Raportueshëm përkatës nuk e kërkon mbledhjen e TIN-it të lëshuar nga ky Juridiksion i Raportueshëm.

5. Pavarësisht nga shkronja “a”, e pikës 1, të këtij neni, vendi i lindjes nuk kërkohet të raportohet me përjashtim të rasteve kur institucioni financiar raportues i kërkohet ta sigurojë dhe të raportojë sipas legjislacionit të brendshëm dhe është i disponueshëm në bazën e të dhënave të kërkueshme në format elektronik, të ruajtura nga institucioni financiar raportues.

6. Çdo institucion financiar raportues duhet të raportojë tek administrata tatimore informacionin e përshkruar në pikën 1, në ose para datës 30 maj të vitit pasues të vitit kalendarik të cilit i përket informacioni.

7. Nëse një institucion financiar raportues zbaton procedurat e vigjilencës së duhur, të përshkruara në nenet 5 deri në 10, për një vit të caktuar kalendarik dhe asnjë llogari nuk identifikohet si një llogari e raportueshme, institucioni duhet të kthejë përgjigje sqaruese se institucioni nuk mban asnjë llogari të raportueshme në lidhje me atë llogari.

Neni 5
Kërkesat e përgjithshme të vigjilencës së duhur

1. Një institucion financiar raportues duhet të krijojë, të mirëmbajë dhe të dokumentojë procedurat e vigjilencës së duhur, të përcaktuara në nenet 5 deri në 10, të cilat shërbejnë për të identifikuar llogaritë e raportueshme që mbahen nga institucioni financiar raportues.

2. Një llogari trajtohet si një llogari e raportueshme që nga data kur ajo është identifikuar si e tillë në përputhje me procedurat e vigjilencës së duhur sipas neneve 5 deri në 10 dhe, përveçse kur parashikohet ndryshe, informacioni në lidhje me një llogari të raportueshme duhet të raportohet çdo vit në vitin kalendarik që pason vitin me të cilin lidhet informacioni.

3. Gjendja ose vlera e një llogarie përcaktohet duke filluar nga dita e fundit të vitit kalendarik.

4. Kur limiti i gjendjes ose vlerës së një llogarie do të përcaktohet duke filluar nga dita e fundit të një viti kalendarik, gjendja ose vlera përkatëse duhet të përcaktohet duke filluar nga dita e fundit e periudhës së raportimit që përfundon me vitin kalendarik ose brenda atij viti kalendarik.

5. Një institucion financiar raportues mund të përdorë një ofrues të shërbimit për të përmbushur detyrimet e raportimit dhe të vigjilencës së duhur të cilat i janë vendosur këtyre institucioneve financiare raportuese, por përmbushja e këtyre detyrimeve do të mbetet përgjegjësi e institucioneve financiare raportuese.

5.1. Ofruesi i shërbimit, ndërmjetësi apo çdo person tjetër, që hyn në një marrëveshje ose angazhohet në praktikë që synon të shmangë apo të anashkalojë detyrimet që rrjedhin nga ky vendim, konsiderohet subjekt i këtyre detyrimeve pavarësisht marrëveshjes së lidhur apo angazhimit në këtë praktikë.

6. Një institucion financiar raportues mund të aplikojë:

a) procedurat e vigjilencës së duhur për llogaritë e reja për të gjitha llogaritë paraekzistuese ose në lidhje me çdo grup të identifikuar qartë të llogarive paraekzistuese dhe rregullat për llogaritë paraekzistuese vazhdojnë të aplikohen pavarësisht këtyre; dhe
b) procedurat e vigjilencës së duhur për llogaritë me vlerë të lartë tek logaritë me vlerë të ulët.
Neni 6
Vigjilenca e duhur për llogaritë paraekzistuese individuale

Në lidhje me llogaritë individuale paraekzistuese do të zbatohen procedurat e mëposhtme:

1. Llogaritë me vlerë të ulët. Lidhur me llogaritë e me vlerë të Ulët zbatohen procedurat vijuese:

a) Adresa e rezidencës. Nëse institucioni financiar raportues ka në regjistrat e tij një adresë aktuale të rezidencës për mbajtësin e llogarisë individuale bazuar në evidencat shkresore, institucioni financiar raportues mund të trajtojë mbajtësin e llogarisë individuale si rezident për qëllime tatimore të atij juridiksioni në të cilin ndodhet adresa për të përcaktuar nëse ky mbajtës i llogarisë individuale është si një person i raportueshëm.
b) Kërkimi elektronik i të dhënave. Nëse institucioni financiar raportues nuk identifikon një adresë aktuale rezidence për mbajtësin e llogarisë individuale bazuar në evidencat shkresore, siç përcaktohet më sipër në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, institucioni financiar raportues duhet të rishikojë të dhënat e kërkueshme në formë elektronike që mbahen nga institucioni financiar raportues për secilin nga treguesit e mëposhtëm dhe të zbatojë shkronjat “c”, “ç”, “d”, “dh”, të pikës 1, të këtij neni:

i. identifikimin e mbajtësit të llogarisë si rezident i një juridiksioni të raportueshëm;
ii. adresa postare aktuale ose adresa e rezidencës (përfshirë kutinë postare) në një juridiksion të raportueshëm;
iii. një ose më shumë numra telefoni në një juridiksion të raportueshëm dhe asnjë numër telefoni në juridiksionin e institucionit financiar raportues;
iv. urdhërpagesat periodike (të ndryshme nga ato që lidhen me një llogari depozite) për transferimin e fondeve në një llogari të mbajtur në një juridiksion të raportueshëm;
v. prokura e përfaqësimit në fuqi momentalisht ose autorizimi i nënshkrimit dhënë një personi me adresë në një juridiksion të raportueshëm; ose
vi. një udhëzim mbi “ruajtjen e postës” ose një adresë “nën vëmendjen e”, në një juridiksion të raportueshëm nëse institucioni financiar raportues nuk disponon ndonjë adresë tjetër në dosjen e mbajtësit të llogarisë.
c) Nëse në kërkimin elektronik nuk konstatohet asnjë prej treguesve të renditur në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, atëherë nuk kërkohet ndonjë veprim vijues derisa të ketë një ndryshim të rrethanave që rezulton në një ose më shumë tregues të lidhur me llogarinë, ose llogaria bëhet një llogari me vlerë të lartë.
ç) Nëse ndonjë nga treguesit e parashikuar në nënndarjet “i” deri “v”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, është zbuluar në kërkimin elektronik ose nëse ka një ndryshim të rrethanave që rezulton në një ose më shumë tregues që lidhen me llogarinë, atëherë institucioni financiar raportues duhet ta trajtojë mbajtësin e llogarisë si rezident për qëllime tatimore të secilit juridiksion të raportueshëm, për të cilin është identifikuar një tregues, përveçse kur zgjedh të zbatojë shkronjën “dh”, të pikës 1, të këtij neni, dhe një prej përjashtimeve të të cilit zbatohen në lidhje me atë llogari.
d) Nëse gjatë kërkimit elektronik të të dhënave zbulohet një udhëzim për “ruajtjen e postës” ose një adresë “në vëmendje të” dhe nuk identifikohet asnjë adresë tjetër, dhe asnjë prej treguesve të tjerë të listuar në nënndarjen “i”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, për mbajtësin e llogarisë, institucioni financiar raportues duhet që, në rendin më të përshtatshëm me rrethanat, të aplikojë kërkimin manual të të dhënave të përshkruara në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, ose të kërkojë nga mbajtësi i llogarisë një vetëdeklarim ose evidenca shkresore për të përcaktuar rezidencën (at) e tij për qëllime tatimore. Nëse nga kërkimi manual nuk arrihet të përcaktohet një tregues dhe përpjekja për të marrë vetëdeklarimin ose evidencat shkresore nuk rezulton e suksesshme, institucioni financiar raportues duhet të raportojë llogarinë tek administrata tatimore si një llogari të padokumentuar.
dh) Pavarësisht gjetjes së treguesve sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, një institucioni financiar raportues nuk i kërkohet të trajtojë një mbajtës të llogarisë si rezident të një juridiksioni të raportueshëm nëse:

i. informacioni i mbajtësit të llogarisë përmban një adresë postare ose rezidence në juridiksionin e raportueshëm, një ose më shumë numra telefoni në juridiksionin e raportueshëm (dhe asnjë numër telefoni në juridiksionin e institucionit financiar raportues) ose urdhërpagesa periodike (në lidhje me llogari financiare të ndryshmenga llogaritë e depozitave) për të transferuar fonde në një llogari të mbajtur në një juridiksion të raportueshëm dhe institucioni financiar raportues merr ose ka rishikuar më parë dhe mban të dhëna për:

– një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë i juridiksioneve të rezidencës së këtij mbajtësi llogarie që nuk e përfshin këtë juridiksion të raportueshëm;
– evidencat shkresore që përcaktojnë rezidencën e klientit të llogarisë për qëllime tatimore, përveç këtij juridiksioni të raportueshëm;

ii. informacioni i mbajtësit të llogarisë përmban një prokurë përfaqësimi në fuqi ose autorizim nënshkrimi i dhënë një personi me adresë në juridiksionin e raportueshëm dhe institucioni financiar raportues merr ose ka rishikuar më parë dhe mban të dhëna për:

– një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë i juridiksioneve të rezidencës së këtij mbajtësi llogarie që nuk e përfshin këtë juridiksion të raportueshëm; dhe
– evidencat shkresore dokumente provuese që përcaktojnë rezidencën e klientit të llogarisë për qëllime tatimore, përveç këtij juridiksioni të raportueshëm.

2. Procedurat e përmirësura të rishikimit për llogaritë me vlerë të lartë. Lidhur me llogaritë me vlerë të lartë, zbatohen procedurat vijuese të përmirësuara të rishikimit:

a) Kërkimi elektronik i të dhënave. Në lidhje me llogaritë me vlerë të lartë, institucioni financiar raportues duhet të rishikojë të dhënat e kërkueshme në formë elektronike të ruajtura nga institucioni financiar raportues për secilin prej treguesve të përshkruar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni.
b) Kërkimi manual i të dhënave. Nëse të dhënat elektronike të institucionit financiar raportues përfshijnë informacionin e parashikuar në shkronjën “c”, të pikës 2, të këtij neni, atëherë nuk kërkohet një kërkim i mëtejshëm manual. Nëse të dhënat e kërkuara në formë elektronike nuk i përfshijnë të gjitha këto informacione, atëherë në lidhje me një llogari me vlerë të lartë, institucioni financiar raportues duhet gjithashtu që të rishikojë dosjen aktuale kryesore të klientit dhe, nësë nuk përfshihen në dosjen e tij, dokumentet e mëposhtme të lidhura me llogarinë dhe të marrë nga institucioni financiar raportues brenda pesë viteve të fundit për secilin prej treguesve të përshkruar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni:

i. evidencat shkresore më të fundit të mbledhura në lidhje me llogarinë;
ii. kontrata ose dokumentacionin e fundit për hapjen e llogarisë;
iii. dokumentacionin më të fundit të marrë nga institucioni financiar raportues në përputhje me politikat e procedurave (PPP/NjK) ose për qëllime të tjera rregullatore;
iv. çdo prokurë përfaqësimi apo autorizim nënshkrimi në fuqi; dhe
v. çdo urdhërpagesë periodike (të ndryshme nga ato lidhur me llogaritë e depozitave) për të transferuar fonde, aktualisht në fuqi.

c) Përjashtim deri në masën që bazat e të dhënave përmbajnë informacion të mjaftueshëm. Një institucion financiar raportues nuk është i detyruar të kryejë kërkimin manual të të dhënave, të përshkruar në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, për sa kohë informacioni i kërkueshëm në format elektronik i institucionit financiar raportues përfshin sa më poshtë:

i. statusin e rezidencës së mbajtësit të llogarisë;
ii. adresën e rezidencës së mbajtësit të llogarisë dhe adresën postare të mbajtësit të llogarisë që ndodhet aktualisht në dosjen e institucionit financiar raportues;
iii. numrin (at) e telefonit të mbajtësit të llogarisë që aktualisht figurojnë (nëse ka), në dosjen e institucionit financiar raportues;
iv. në rastin e llogarive financiare, të ndryshme nga llogaritë e depozitës, nëse ka urdhërpagesa periodike për të transferuar fondet nga llogaria në një tjetër llogari (duke përfshirë llogarinë në një degë tjetër të institucionit financiar raportues ose në një tjetër institucion financiar);
v. nëse ka një adresë aktuale “në vëmendje të” ose udhëzim për “ruajtje të postës” për mbajtësin e llogarisë; dhe
vi. nëse ka ndonjë prokurë të posaçme ose autorizim nënshkrimi për llogarinë.

ç) Marrja në pyetje e menaxherit të marrëdhënieve mbi njohuri reale. Përveç kërkimit elektronik dhe manual të të dhënave të përshkruara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, institucioni financiar raportues duhet të trajtojë si llogari të raportueshme çdo llogari me vlerë të lartë, të caktuar për një menaxher të marrëdhënieve (përfshirë çdo llogari financiare që i shtohet llogarisë me vlerë të lartë) nëse menaxheri i marrëdhënieve ka dijeni reale se kjo llogari i përket një rezidenti për qëllime tatimore në një juridiksion të raportueshëm.
d) Efekti i gjetjes së treguesve:

i. Nëse asnjë prej treguesve të renditur në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, nuk është konstatuar në rishikimin e përmirësuar të llogarive me vlerë të lartë, të përshkruar në pikën 2, dhe llogaria nuk identifikohet si e mbajtur nga një rezident për qëllime tatimore në një juridiksion të raportueshëm sipas shkronjës “ç”, të pikës 2, të këtij neni, atëherë nuk kërkohen veprime vijuese derisa të ketë një ndryshim të rrethanave të cilat rezultojnë në një ose më shumë tregues që lidhen me llogarinë.
ii. Nëse ndonjë prej treguesve të renditur në nënndarjet “i” deri “vi”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, janë konstatuar në rishikimin e përmirësuar të llogarive me vlerë të lartë, të përshkruar në pikën 2, të këtij neni, ose nëse ka një ndryshim pasues të rrethanave që rezultojnë në një ose më shumë tregues që lidhen me llogarinë, atëherë institucioni financiar raportues duhet ta trajtojë mbajtësin e llogarisë si rezident për qëllime tatimore të çdo juridiksioni të raportueshëm për të cilin identifikohet treguesi, përveçse kur ai zgjedh të zbatojë shkronjën “dh”, të pikës 1, të këtij neni, dhe një nga përjashtimet në atë shkronjë zbatohen për atë llogari.
iii. Nëse një udhëzim për “ruajtjen e postës” ose një adresë “në vëmendje të” konstatohet në rishikimin e përmirësuar të llogarive me vlerë të lartë të përshkruar në pikën 3, të këtij neni, dhe asnjë adresë tjetër ose asnjë prej treguesve të tjerë të listuar në nënndarjet “i” deri në “v”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, nuk identifikohen për mbajtësin e llogarisë, institucioni financiar raportues duhet të marrë nga mbajtësi i llogarisë një vetëdeklarim ose evidenca shkresore për të përcaktuar rezidencën (at) për qëllime tatimore të mbajtësit të llogarisë. Nëse institucioni financiar raportues nuk mund të sigurojë një vetëdeklarim ose evidenca shkresore, ai duhet të raportojë llogarinë si një llogari të padokumentuar tek administrata tatimore.
dh) Nëse një llogari individuale paraekzistuese nuk është një llogari me vlerë të lartë duke filluar që nga data 31 dhjetor 2018, por bëhet një llogari me vlerë të lartë duke filluar nga dita e fundit vitit kalendarik pasues, institucioni financiar raportues duhet të përfundojë procedurat e përmirësuara të rishikimit, përshkruar në pikën 3, të këtij neni, në lidhje me këtë llogari brenda vitit kalendarik pas vitit në të cilin llogaria kalon në një llogari me vlerë të lartë. Nëse bazuar në këtë rishikim, kjo llogari identifikohet si një llogari e raportueshme, institucioni financiar raportues duhet të raportojë informacionin e kërkuar për këtë llogari në lidhje me vitin në të cilin është identifikuar si llogari e raportueshme dhe çdo vit në vitet në vijim, përveçse kur mbajtësi i llogarisë pushon së qeni një person i raportueshëm.
e) Pasi një institucion financiar raportues aplikon procedurat e përmirësuara të rishikimit, përshkruar në pikën 2, të këtij neni, për një llogari me vlerë të lartë, nuk i kërkohet të riaplikojë këto procedura, përveçse marrjes në pyetje të menaxherit të marrëdhënieve sipas shkronjës “ç”, të pikës 2, të këtij neni, për të njëjtën llogari me vlerë të lartë në vitet në vijim, me përjashtim të rasteve kur llogaria është e padokumentuar, raste në të cilat institucioni financiar raportues duhet t’i rizbatojë ato çdo vit derisa kjo llogari të pushojë së qeni e padokumentuar.
ë) Nëse ka një ndryshim të rrethanave në lidhje me një llogari me vlerë të lartë që rezulton që në një ose më shumë tregues të përshkruar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, që lidhen me llogarinë, atëherë institucioni financiar raportues duhet ta trajtojë llogarinë si një llogari të raportueshme në lidhje me secilin juridiksion të raportueshëm për të cilin është identifikuar një tregues, përveçse kur ai zgjedh të zbatojë shkronjën “dh”, të pikës 1, të këtij neni, dhe një prej përjashtimeve në atë shkronjë zbatohet në lidhje me atë llogari.
f) Një institucion financiar raportues duhet të aplikojë procedurat për të garantuar që menaxheri i marrëdhënieve të identifikojë çdo ndryshim në rrethanat e një llogarie. Për shembull, nëse një menaxher i marrëdhënieve njoftohet se mbajtësi i llogarisë ka një adresë të re postare në një juridiksion të raportueshëm, institucioni financiar raportues kërkohet të trajtojë adresën e re si një ndryshim në rrethana dhe nëse ai zgjedh të zbatojë shkronjën “dh”, të pikës 1, të këtij neni, i kërkohet të marrë dokumentacionin e duhur nga klienti i llogarisë.

3. Rishikimi i llogarive individuale paraekzistuese me vlerë të lartë duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2019 dhe rishikimi i llogarive paraekzistuese me vlerë të ulët duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2020.

4. Çdo llogari individuale paraekzistuese që është identifikuar si një llogari e raportueshme sipas këtij neni, duhet të trajtohet si një llogari e raportueshme në të gjitha vitet pasuese, përveçse kur mbajtësi i llogarisë pushon së qeni një person i raportueshëm.

Neni 7
Procedura e vigjilencës së duhur për llogaritë e reja individuale

Për qëllime të identifikimit të llogarive të raportueshme për llogaritë e reja individuale do të zbatohen procedurat e mëposhtme:

1. Në lidhje me llogaritë e reja individuale, me hapjen e llogarisë, institucioni financiar raportues duhet të kërkojë nga mbajtësi i llogarisë një vetëdeklarim, që mund të jetë pjesë e dokumentacionit për hapjen e llogarisë dhe që i jep mundësi institucionit financiar raportues të përcaktojë rezidencën (at) e mbajtësit të llogarisë për qëllime tatimore dhe të konfirmojë arsyeshmërinë e këtij vetëdeklarimi të bazuar në informacionin e marrë nga institucioni financiar raportues në lidhje me hapjen e llogarisë, duke përfshirë çdo dokumentacion të mbledhur në përputhje me procedurat PPP/NjKT. Një llogari nuk do të hapet nëse ky vetëdeklarim nuk është marrë.

2. Nëse vetëdeklarimi vërteton se mbajtësi i llogarisë është rezident për qëllime tatimore në një juridiksion të raportueshëm, institucioni financiar raportues duhet ta trajtojë llogarinë si një llogari të raportueshme dhe vetëdeklarimi duhet të përfshijë gjithashtu TIN-in e mbajtësit të llogarisë (sipas pikës 4, të nenit 4) dhe datën e lindjes.

3. Nëse ka një ndryshim të rrethanave në lidhje me një llogari të re individuale, për të cilën institucioni financiar raportues ka dijeni ose ka arsye për të pasur dijeni se vetëdeklarimi origjinal është i pasaktë ose jo i besueshëm, institucioni financiar raportues nuk mund të mbështetet në këtë vetëdeklarim dhe duhet të marrë ose:

a) një vetëdeklarim të vlefshëm që përcakton rezidencën (at) për qëllime tatimore të mbajtësit të llogarisë; ose
b) një shpjegim dhe dokument të arsyeshëm (sipas rastit) që mbështet vlefshmërinë e vetëdeklarimit fillestar (dhe të mbahet një kopje ose një shënim i këtij shpjegimi dhe dokumenti).

4. Një institucion financiar raportues duhet të sigurohet që çdo ndryshim në rrethana të identifikohet dhe për këtë të njoftohet çdo person që lëshon një vetëdeklarim, për detyrimin që ai ka për të njoftuar institucionin financiar raportues për ndryshimin e rrethanave.

Neni 8
Vigjilenca e duhur për llogaritë paraekzistuese të njësive ekonomike

1. Llogaritë e njësive ekonomike që nuk kërkohet të rishikohen, identifikohen ose raportohen. Në rast se institucioni financiar raportues nuk zgjedh ndryshe, qoftë përsa i përket të gjitha llogarive paraekzistuese të njësive ekonomike, ose, veçmas, në lidhje me çdo grup të identifikuar qartë të këtyre llogarive, një llogari paraekzistuese e njësisë ekonomike me një total llogarie ose vlerë që nuk tejkalon shumën 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetëmijë dollarë) duke filluar nga data 31 dhjetor 2018 nuk kërkohet të rishikohet, identifikohet, ose raportohet si një llogari e raportueshme derisa balanca ose vlera totale e kësaj llogarie të tejkalojë këtë shumë duke filluar nga dita e fundit e çdo viti kalendarik pasues.

2. Llogaritë e njësive ekonomike që i nënshtrohen rishikimit. Një llogari paraekzistuese e njësisë ekonomike që ka një balancë ose vlerë totale të llogarisë që e tejkalon shumën 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë) duke filluar nga data 31 dhjetor 2018 dhe një llogari paraekzistuese e njësisë ekonomike që nuk tejkalon 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë) duke filluar nga data 31 dhjetor 2018, por balanca ose vlera totale e llogarisë tejkalon 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë) duke filluar nga dita e fundit e çdo viti kalendarik pasues, duhet të rishikohet në përputhje me procedurat e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni.

3. Rishikimi i procedurave për identifikimin e llogarive të njësive ekonomike për të cilat kërkohet raportimi. Për llogaritë paraekzistuese të njësive ekonomike të përshkruara në pikën 2 të këtij neni, një institucion financiar raportues duhet të zbatojë procedurat e mëposhtme të rishikimit:

a) Të përcaktohet rezidenca e njësisë ekonomike, si më poshtë vijon:

i. Të rishikohet informacioni i mbajtur për qëllime rregullatore ose për marrëdhëniet me klientin (përfshirë informacionin e mbledhur në përputhje me Procedurat PPP/NjKT) për të përcaktuar rezidencën e mbajtësit të llogarisë për qëllime tatimore, me qëllim verifikimin nëse rezidenca e mbajtësit të llogarisë përfshin një adresë korporate ose organizate, ose një adresë në një juridiksion të raportueshëm.
ii. Nëse informacioni tregon që mbajtësi i llogarisë është një person i raportueshëm, institucioni financiar raportues duhet ta trajtojë llogarinë si një llogari të raportueshme përveçse kur merr një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë, ose përcakton në mënyrë të arsyeshme bazuar në informacionin që ka në dispozicion apo e disponon publikisht se mbajtësi i llogarisë nuk është një person i raportueshëm.

b) Të përcaktohet rezidenca e personave që drejtojnë një njësi ekonomike jo-financiare pasive.
Në lidhje me mbajtësin e llogarisë së një llogarie paraekzistuese të njësisë ekonomike (përfshirë një njësi ekonomike që është një person i raportueshëm), institucioni financiar raportues duhet të përcaktojë nëse mbajtësi i llogarisë është njësi ekonomike jofinanciare pasive me një ose më shumë persona kontrollues dhe të përcaktojë rezidencën e këtyre personave kontrollues. Nëse ndonjë prej personave kontrollues të një njësie ekonomike jofinanciare pasive është një person i raportueshëm, atëherë llogaria duhet të trajtohet si një llogari e raportueshme. Gjatë këtyre përcaktimeve, institucioni financiar raportues duhet të ndjekë udhëzimet në nënndarjet “i” deri në “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij neni, sipas rendit më të përshtatshëm në përputhje me rrethanat.

i. Të përcaktohet nëse mbajtësi i llogarisë është një njësi ekonomike jofinanciare pasive. Për qëllime të përcaktimit nëse mbajtësi i llogarisë është një njësi jofinanciare pasive, institucioni financiar raportues duhet të marrë një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë për të përcaktuar statusin e tij, përveçse kur ka informacion rreth tij apo e disponon publikisht, në bazë të të cilit mundet në mënyrë të arsyeshme të përcaktojë që mbajtësi i llogarisë është një njësi ekonomike jofinanciare aktive ose një institucion financiar përveç një fondi investimesh, i përshkruar në shkronjën “b”, të pikës 6, të nenit 3, që nuk është një institucion financiar i juridiksionit pjesëmarrës.
ii. Të përcaktohen personat kontrollues të mbajtësit të llogarisë. Për qëllime të përcaktimit të personave kontrollues të një mbajtësi të llogarisë, një institucion financiar raportues mund të mbështetet në informacionet e mbledhura dhe të mbajtura në përputhje me procedurat PPP /NjKT.

c) Të përcaktohet rezidenca e një personi kontrollues të një NFE pasive. Për qëllime të përcaktimit të rezidencës së një personi kontrollues të një NFE pasive, një institucion financiar raportues mund të mbështetet në:
i. informacione të mbledhura dhe të mbajtura në përputhje me procedurat PPP/NjKT në rastin e një llogarie paraekzistuese të një njësie ekonomike të mbajtur nga një ose më shumë NFE me një balancë total llogarish ose vlerë që nuk tejkalon 1 000 000 USD (një milion dollarë); ose
ii. një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë ose personit kontrollues sipas juridiksionit (ve) në të cilin personi kontrollues është rezident për qëllime tatimore. Nëse nuk sigurohet vetëdeklarim, institucioni financiar raportues do të përcaktojë rezidencën (at) duke aplikuar procedurat e përshkruara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 6. Nëse institucioni financiar raportues nuk ka asnjë tregues në të dhënat e tij, atëherë nuk do të kërkohet asnjë veprim i mëtejshëm, derisa të ketë një ndryshim të rrethanave që rezulton në një ose më shumë tregues në lidhje me personin kontrollues që lidhet me llogarinë.

4. Afati i rishikimit dhe procedurat shtesë që zbatohen për llogaritë paraekzistuese të njësive ekonomike.

a) Rishikimi i llogarive paraekzistuese të njësive ekonomike me një balancë total llogarie ose vlerë që tejkalon shumën 250 000 dollarë (dyqind e pesëdhjetëmijë dollarë) duke filluar nga data 31 dhjetor 2018, duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2020.
b) Rishikimi i llogarive paraekzistuese të njësive ekonomike me një balancë total llogarie ose vlerë që nuk tejkalon shumën 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetëmijë dollarë) duke filluar nga data 31 dhjetor 2018, por që tejkalon shumën 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë) duke filluar nga dita e fundit e vitit kalendarik pasues, duhet të përfundojë brenda vitit kalendarik pas vitit në të cilin balanca ose vlera totale e llogarisë tejkalon shumën 250 000 USD (dyqind e pesëdhjetë mijë dollarë).
c) Nëse ka një ndryshim të rrethanave në lidhje me një llogari paraekzistuese të njësisë ekonomike, për të cilën institucioni financiar raportues ka dijeni ose në bazë të rrethanave duhej të kishte dijeni se vetëdeklarimi ose dokumentacioni mbështetës është i pasaktë ose jo i besueshëm, institucioni financiar raportues duhet të ripërcaktojë statusin e llogarisë në përputhje me procedurat e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni.

Neni 9
Vigjilenca e duhur për llogaritë e reja të njësive ekonomike

Për identifikimin e llogarive të reja të njësive ekonomike, një institucion financiar raportues duhet të zbatojë procedurat e mëposhtme të rishikimit:

1. Përcakton rezidencën e njësisë ekonomike sipas procedurës së mëposhtme:

a) Marrja e një vetëdeklarimi, që mund të jetë pjesë e dokumentacionit për hapjen e llogarisë, që lejon institucionin financiar raportues të përcaktojë rezidencën (at) e mbajtësit të llogarisë për qëllime tatimore dhe të konfirmojë aryseshmërinë e këtij vetëdeklarimi bazuar në informacionin e marrë nga institucioni financiar raportues në lidhje me hapjen e llogarisë, duke përfshirë çdo dokumentacion të mbledhur në përputhje me procedurat për PPP/NjKT. Nëse njësia ekonomike vërteton se nuk ka rezidencë për qëllime tatimore, institucioni financiar raportues mund të mbështetet në adresën e selisë kryesore të njësisë ekonomike për të përcaktuar rezidencën e Mmbajtësit të llogarisë. Llogaria nuk hapet nëse nuk është marrë vetëdeklarimi.
b) Nëse vetëdeklarimi tregon se mbajtësi i llogarisë është rezident në një juridiksion të raportueshëm, institucioni financiar raportues duhet ta trajtojë llogarinë si një llogari të raportueshme, përveçse kur përcakton në mënyrë të arsyeshme, bazuar në informacionin që ka ose që është publikisht i disponueshëm, se mbajtësi i llogarisë nuk është një person i raportueshëm në lidhje me këtë juridiksion të raportueshëm.

2. Përcakton rezidencën e personave kontrollues të një NFE pasive. Në lidhje me mbajtësin e llogarisë së një llogarie të re të një njësie ekonomike (përfshirë një njësi ekonomike që është një person i raportueshëm), institucioni financiar raportues duhet të përcaktojë nëse mbajtësi i llogarisë është NFE pasive me një ose më shumë persona kontrollues dhe të përcaktojë rezidencën e këtyre personave të raportueshëm. Nëse ndonjë prej personave kontrollues të një NFE pasive është një person i raportueshëm, atëherë llogaria duhet të trajtohet si një llogari e raportueshme. Kur bën këto përcaktime, institucioni financiar raportues duhet të ndjekë udhëzimet në shkronjat “a” deri “c”, të pikës 2, të këtij neni në rendin më të përshtatshëm, sipas rrethanave.

a) Përcakton nëse mbajtësi i lLogarisë është një NFE pasive. Për qëllime të përcaktimit nëse mbajtësi i llogarisë është një NFE pasive, institucioni financiar raportues duhet të mbështetet në një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë për të vendosur mbi statusin e tij, përveçse kur ai ka informacione rreth tij ose ka informacion të disponueshëm publikisht, në bazë të të cilit mund të përcaktojë në mënyrë të arsyeshme që mbajtësi i llogarisë është një njësi ekonomike jofinanciare aktive ose një institucion financiar, përveçse një fondi investimesh të përshkruar në shkronjën “b”, të pikës 6, të nenit 3, që nuk është një institucion financiar i një juridiksioni pjesëmarrës.
b) Përcaktimi i personave kontrollues të një mbajtësi llogarie. Për qëllime të përcaktimit të personave kontrollues të një mbajtësi të llogarisë, një institucion financiar raportues mund të mbështetet në informacionet e mbledhura dhe të mbajtura në përputhje me procedurat për PPP/NjKT.
c) Përcaktimi i rezidencës së një personi kontrollues të një njësie ekonomike jofinanciare pasive. Për qëllime të përcaktimit të rezidencës së një personi kontrollues të një njësie jofinanciare pasive, një institucion financiar raportues duhet të mbështetet në një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë ose e këtij personi kotrollues.

3. Ndryshimi i rrethanave. Nëse ka një ndryshim të rrethanave në lidhje me një llogari të re të njësisë ekonomike që bën që institucioni financiar raportues të dijë ose të ketë arsye të dijë se vetëdeklarimi ose dokumentacioni tjetër që lidhet me një llogari është i pasaktë ose jo i besueshëm, institucioni financiar raportues duhet të ripërcaktojë statusin e llogarisë në përputhje me procedurat e përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 4, të nenit 8.

Neni 10
Rregullat e veçanta të vigjilencës së duhur

Rregullat e mëposhtme aplikohen për zbatimin e procedurave të vigjilencës së duhur të përshkruar më sipër:

1. Mbështetja në vetëdeklarimet dhe evidencat shkresore. Një institucion financiar raportues nuk mund të mbështetet në një vetëdeklarim ose evidencat shkresore nëse institucioni financiar raportues e di ose ka arsye të dijë se vetëdeklarimi ose evidencat shkresore janë të pasakta ose jo të besueshme.

2. Procedurat alternative për llogaritë financiare të mbajtura nga përfituesit individualë të një kontrate të sigurimeve në vlerë në para të gatshme ose të një kontrate të pensionit vjetor dhe për një kontratë të sigurimeve në vlerë në para të gatshme të grupit ose një kontratë të pensionit vjetor të grupit. Një institucion financiar raportues mund të prezumojë se një përfitues individual (i ndryshëm nga pronari) i një kontrate të sigurimit në vlerë në para të gatshme ose një kontrate pensioni vjetor që merr pension familjar nuk është një person i raportueshëm dhe mund të trajtojë një llogari të tillë financiare ndryshe nga një llogari e raportueshme, përveçse kur institucioni financiar raportues ka njohuri ose arsye për të ditur, që përfituesi është një person i raportueshëm. Një institucion financiar raportues ka arsye të dijë se një përfitues i një kontrate të sigurimit në vlerë në para të gatshme ose një kontrate pensioni vjetor është një person i raportueshëm nëse informacioni i mbledhur nga institucioni financiar raportues dhe i lidhur me përfituesin përmban tregues siç përshkruhet në pikën 1, të nenit 6. Nëse një institucion financiar raportues ka njohuri reale ose arsye për të ditur, që përfituesi është një person i raportueshëm, institucioni financiar raportues duhet të ndjekë procedurat në pikën 1, të nenit 6.
Një institucion financiar raportues mund të trajtojë një llogari financiare, pjesë në një kontratë të sigurimit në vlerë në para të gatshme grupi ose kontratë të pensionit vjetor grupi si një llogari financiare jo të raportueshme deri në datën në të cilën një shumë do t’i paguhet punonjësit / mbajtësit të certifikatës ose përfituesit, nëse llogaria financiare që bën pjesë në një kontratë të sigurimit në vlerë në para të gatshme të grupit ose kontratë të pensionit vjetor të grupit plotëson kërkesat e mëposhtme:

a) Kontrata e sigurimit në vlerë në para të gatshme të grupit ose kontrata e pensionit vjetor të grupit lidhet nga punëdhënësi dhe mbulon 25 ose më shumë punonjës / mbajtës të certifikatave;
b) Punonjësit / mbajtësit e certifikatës kanë të drejtë të marrin ndonjë vlerë të kontratës në lidhje me interesat e tyre dhe të përcaktojnë përfituesit për pensionin që paguhet pas vdekjes së punonjësit; dhe
c) Shuma totale që i paguhet çdo punonjësi / mbajtësi të certifikatës ose përfituesit nuk tejkalon shumën 1 000 000 USD (një milion dollarë).

2. Mbledhja e balancave të llogarisë dhe rregullat e monedhës.

a) Mbledhja e llogarive individuale. Për qëllime të përcaktimit të balancës ose vlerës totale të llogarive financiare të mbajtura nga një individ, një institucion financiar raportues kërkohet të mbledhë të gjitha llogaritë financiare të mbajtura nga institucioni financiar raportues ose nga një njësi ekonomike e lidhur me të, por vetëm deri në masën që sistemet e kompjuterizuara të institucionit financiar raportues i lidhin llogaritë financiare duke iu referuar një elementi të të dhënave si numri i klientit ose TIN- i dhe lejojnë që balancat e llogarive ose vlerat të mblidhen. Çdo mbajtësi të një llogarie financiare të mbajtur së bashku do t’i atribuohet e gjithë balanca ose vlera e llogarisë financiare të mbajtur së bashku për qëllime të zbatimit të kërkesave të mbledhjes të përshkruara në këtë paragraf.
b) Mbledhja e llogarive të njësisë ekonomike. Për qëllime të përcaktimit të balancës ose vlerës së llogarive financiare të mbajtura nga një njësi ekonomike, një institucioni financiar raportues i kërkohet të marrë parasysh të gjitha llogaritë financiare që mbahen nga institucioni financiar raportues ose nga një njësi ekonomike e lidhur me të, por vetëm deri në masën që sistemet e kompjuterizuara të institucionit financiar raportues i lidhin llogaritë financiare duke iu referuar një elementi të të dhënave, si numri i klientit ose TIN-i dhe lejojnë që vlerat e llogarive të mblidhen. Çdo mbajtësi të një llogarie financiare të mbajtur së bashku do t’i atribuohet e gjithë gjendja ose vlera e llogarisë financiare, për qëllime të zbatimit të kërkesave të mbledhjes të përshkruara në këtë paragraf.
c) Rregulli i veçantë i mbledhjes që zbatohet për menaxherët e marrëdhënieve. Për qëllime të përcaktimit të balancës ose vlerës së llogarive financiare të mbajtura nga një person për të përcaktuar nëse një llogari financiare është një llogari me vlerë të lartë, kërkohet gjithashtu një institucion financiar raportues, në rastin e llogarive financiare që një menaxher i marrëdhënieve e di, ose ka arsye të dijë, që janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të kontrolluar, ose të krijuara (përveç atyre me mirëbesim) nga i njëjti person, për t’i mbledhur të gjitha këto llogari.

3. Shumat e lexuara për të përfshirë ekuivalentin në monedha të tjera. Të gjitha shumat në dollarë janë në dollarë amerikanë dhe do të lexohen duke përfshirë shuma ekuivalente në monedha të tjera, siç përcaktohet nga legjislacioni i brendshëm. Në përcaktimin e gjendjes ose vlerës së një llogarie të shprehur në një monedhë (përveç dollarëve amerikanë) për qëllimet e këtij vendimi, institucioni financiar do të konvertojë vlerën kufi të dollarëve amerikanë të përshkruar në këto rregulla në monedhën tjetër, duke iu referuar kursit të këmbimit në datën për të cilën institucioni po përcakton shumat kufi.

4. Llogaritë me balancë/gjendje negative. Një llogari me një balancë/gjendje ose vlerë që është negative konsiderohet se ka një balancë/gjendje ose vlerë të barabartë me zero.

Neni 11
Rregulla plotësuese të raportimit dhe vigjilencës së duhur lidhur me informacionin mbi llogaritë financiare

Rregulla plotësuese të raportimit dhe vigjilencës së duhur lidhur me informacionin mbi llogaritë financiare:

1. Ndryshimet në rrethana

1.1. “Ndryshimi i rrethanave” përfshin çdo ndryshim që sjell një ndryshim informacioni në lidhje me statusin e një personi ose që bie ndesh me statusin e personit. Gjithashtu, një ndryshim i rrethanave përfshin çdo ndryshim ose shtim të informacionit në llogarinë e mbajtësit të llogarisë (duke përfshirë edhe shtimin, zëvendësimin ose ndryshimin e mbajtësit të llogarisë) ose çdo ndryshim ose shtim të informacionit në ndonjë llogari të lidhur me këtë llogari (duke aplikuar rregullat e mbledhjes së llogarive të përshkruara në pikën 3, të nenit 10, nëse ndryshimi ose shtimi i informacionit ndikon në statusin e mbajtësit të llogarisë.

1.2 Nëse një institucion financiar raportues është mbështetur në testin e rezidencës, siç parashikohet edhe në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 6, dhe ka ndryshime në rrethanat që shkaktojnë që institucioni financiar raportues të dijë ose të ketë arsye të dijë që evidencat shkresore fillestare janë të pasakta ose jo të besueshme, institucioni financiar raportues duhet të marrë vetëdeklarim dhe evidenca të reja shkresore për të përcaktuar rezidencën për qëllime tatimore të mbajtësit të llogarisë, jo më vonë se:

a) dita e fundit të vitit përkatës kalendarik; ose
b) 90 ditë kalendarike nga njoftimi ose zbulimi i këtij ndryshiminë rrethana.

Nëse institucioni financiar raportues nuk mund të marrë vetëdeklarimin dhe evidencat e reja shkresore brenda afatit institucioni financiar raportues duhet të zbatojë procedurën e kërkimit në formë elektronike të të dhënavesipas përshkrimit në shkronjave “b” deri në “dh”, të pikës 2, të nenit 6.

2. Vetëdeklarim për llogaritë e reja të njësisë ekonomike. Për sa i përket llogarive të reja të njësive ekonomike, për qëllime të përcaktimit nëse një person kontrollues i një NFE pasiv është një person i raportueshëm, një institucion financiar raportues mund të mbështetet vetëm në një vetëdeklarim nga mbajtësi i llogarisë ose personi kontrollues.

3. Rezidenca e institucionit financiar. Një institucion financiar është rezident në një juridiksion pjesëmarrës nëse ai është nën juridiksionin e një juridiksioni të tillë që mundet të imponojë raportimin nga institucioni financiar.

3.1. Në rastin e një trusti që është një institucion financiar (pavarësisht nëse ai është rezident për qëllime tatimore në një juridiksion pjesëmarrës), trusti i nënshtrohet juridiksionit të një juridiksioni pjesëmarrës në qoftë se një ose më shumë nga administratorët e tij janë rezidentë në juridiksionin tjetër, me përjashtim të rasteve kur trusti i raporton të gjitha informacionet e kërkuara për t’u raportuar në zbatim të këtij vendimi e në lidhje me llogaritë raportuese të mbajtura nga trusti në një tjetër juridiksion pjesëmarrës, sepse është rezident për qëllime tatimore në këtë juridiksion tjetër.

3.2. Kur një institucion financiar (përveç një trusti) nuk ka rezidencën për qëllime tatimore (p.sh. sepse trajtohet si transparent nga ana fiskale ose ndodhet në një juridiksion që nuk aplikon tatimin mbi të ardhurat), konsiderohet të jetë subjekt i juridiksionit në një juridiksion pjesëmarrës nëse:

a) është themeluar sipas ligjeve të juridiksionit pjesëmarrës;
b) ka vendin e tij të menaxhimit (duke përfshirë menaxhimin efektiv) në juridiksionin pjesëmarrës; ose
c) i nënshtrohet mbikëqyrjes financiare në juridiksionin pjesëmarrës.

3.3 Kur një institucion financiar (përveç një trusti) është rezident në dy ose më shumë juridiksione pjesëmarrëse, ky institucioni financiar do t’i nënshtrohet detyrimeve të raportimit dhe vigjilencës së duhur sipas juridiksionit pjesëmarrës në të cilin mban llogaritë financiare.

4. Mbajtja e llogarisë. Në përgjithësi, një llogari do të konsiderohet se mbahet nga një institucion financiar në rastet e mëposhtme:

a) në rastin e një llogarie të kujdestarisë, nga institucioni financiar që ka kujdestarinë mbi aktivet e llogarisë (duke përfshirë një institucion financiar që mban aktive në emër të mbajtësit të llogarisë në një institucion të tillë);
b) në rastin e një llogarie depozitë, nga institucioni financiar i cili është i detyruar të kryejë pagesa në lidhje me llogarinë (përjashtuar një agjent të një institucioni financiar pavarësisht nëse një agjent i tillë është një institucion financiar);
c) në rastin e ndonjë interesi ose borxhit të kapitalit në një institucion financiar që përbën një llogari financiare, nga ky institucion financiar;
ç) në rastin e një kontrate sigurimi në vlerë në para të gatshme ose të një kontrate të pensionit vjetor, nga institucioni financiar që është i detyruar të kryejë pagesa në lidhje me kontratën.

5. Trustet që janë njësi jofinanciare pasive. Një njësi ekonomike si një shoqëri, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ose një formë e ngjashme e organizimit që nuk ka rezidencën për qëllime tatimore, sipas pikës 49, të nenit 3, trajtohet si rezident në juridiksionin në të cilin ushtron efektivisht veprimtarinë. Për këto qëllime, një person juridik ose një formë ligjore e ngjashme e organizimit konsiderohet “i ngjashëm” me një partneritet dhe me një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ku nuk trajtohet si një njësi e tatueshme në një juridiksion pjesëmarrës sipas legjislacionit tatimor të këtij juridiksioni. Megjithatë, për të shmangur raportimin e dyfishtë (duke pasur parasysh shtrirjen e gjerë të “personave kontrollues” në rastin e trusteve), një trust që është një NFE pasiv nuk mund të konsiderohet si një formë ligjore e ngjashme organizimi.

6. Adresa e selisë qendrore të njësisë ekonomike

6.1. Një nga kërkesat e përshkruara në shkronjën “c”, të pikës 5, të nenit 3, është që në lidhje me një njësi ekonomike, dokumentacioni zyrtar të pëfshijë ose adresën kryesore të zyrave të njësisë ekonomike në një juridiksion ku pretendon se është rezident ose një juridiksion në të cilin njësia ekonomike është themeluar. Adresa kryesore e një njësie ekonomike është adresa ku menaxhohet efektivisht.

6.2. Adresa e një institucioni financiar në të cilin njësia ekonomike mban një llogari, një kuti postare, ose një adresë të cilën e përdor vetëm për qëllime postimi nuk është adresa e selisë qendrore e njësisë ekonomike përveçse kur kjo adresë është adresa e vetme e përdorur nga njësia ekonomike dhe paraqitet si adresa e regjistruar e njësisë ekonomike në të gjitha dokumentet zyrtare.

6.3. Adresa e cila është përcaktuar për të mbajtur të gjithë postën në atë adresë nuk përfaqëson adresën e selisë kryesore të njësisë ekonomike.

Neni 12
Shkëmbimi i informacionit mbi llogaritë e raportueshme

1. Çdo institucion financiar raportues në Republikën e Shqipërisë i raporton Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve informacionin mbi llogaritë e raportueshme sipas shtojcës IV bashkëlidhur “Metodat e transferimit të të dhënave nga institucionet financiare të detyruar për të komunikuar me administratën tatimore në kuadër të shkëmbimit automatik të informacionit të llogarive financiare”.

2. Autoriteti kompetent, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shkëmben me administratat e tjera tatimore informacionin e marrë nga institucionet financiare raportuese nërpërmjet sistemit CTS. Ky sistem i cili aksesohet kundrejt një tarife vjetore, do të mundësojë trasmetimin/pranimin e mesazheve dhe integrimin me sistemet e autoriteteve të tjera tatimore.

3. Shkëmbimi i informacionit mbi llogaritë e raportueshme duhet të realizohet duke respektuar parimin e mjaftueshmërisë, proporcionalitetit dhe afatit të përpunimit të të dhënave në përputhje me legjislacionin e mbrojtjes të të dhënave personale.

4. Gjatë procesit të shkëmbimit të informacionit mbi llogaritë e raportueshme duhet të garantohen masat e sigurisë të të dhënave personale, evidentimi i gjurmimit të përpunimit të të dhënave personale dhe të drejtat e subjekteve të të dhënave/tatimpaguesve.

Neni 13
Dispozita të fundit

Ngarkohet administrata tatimore dhe subjektet e përcaktuara në ligjin nr.4/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.