Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 29 Korrik 2016
V E N D I M
PËR
 DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “BOMIRA”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “TRUALL DHE OBJEKT, (RRËNOJA)”, PJESË E PRONËS NR.1018, ISH-VENDDISLOKIMI I SHTABIT TË VJETËR TË BAZËS AJRORE KUÇOVË, BERAT, TË MINISTRISË SË MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Bomira”, sh.p.k., si qiramarrës,  për pasurinë “Truall dhe objekt, (rrënoja)”, pjesë e pronës nr.1018, ish-venddislokimi i Shtabit të Vjetër të Bazës Ajrore Kuçovë, Berat, në administrim të Komandës së Forcave Ajrore, Ministria e Mbrojtjes, me sipërfaqe të përgjithshme, sipas genplanit, prej 42 009 (dyzet e dy mijë e nëntë) m2, nga të cilat sipërfaqe ndërtimi 2 115.41 (dy mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë pikë dyzet e një) m2 dhe sipërfaqe funksionale 39 893.59 (tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tre pikë pesëdhjetë e nëntë) m2, sipas tekstit të kontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E MINISTRISË SË TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR KRYERJEN E PROCEDURËS SË PROKURIMIT PUBLIK PËR LLOGARI TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për  prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 2, të tekstit “Rregullat e prokurimit publik”, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për hartimin e rregullave të prokurimit publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, si organ qendror blerës, për kryerjen e procedurës së prokurimit publik, për llogari të  Autoritetit të Aviacionit Civil, për projektin “Realizimi i studimit të fizibilitetit për ndërtimin e një aeroporti në jug të vendit”.
2. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës të prokurojë fondin limit prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, si shumë e miratuar në programin ekonomik të vitit 2016 të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Albcontrol, sh.a.-së.
3. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, me cilësinë e organit qendror blerës, ka përgjegjësi:
a) të bashkërendojë punën me Autoritetin e Aviacionit Civil për zhvillimin e procedurës së prokurimit në emër dhe për llogari të këtij Autoriteti, sipas standardeve ligjore në fuqi, dhe miratimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil.
b) të bashkërendojë punën për testimin e tregut, para publikimit të tenderit;
c) të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë, deri në shpalljen e njoftimit të fituesit.
4. Kontrata me operatorin ekonomik, të shpallur fitues nga kjo procedurë prokurimi, të lidhet nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
5. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoriteti i Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA KAVAJË, TË PRONËS NR.365, ME EMËRTIM “ISH-BATERIA ABD”, ME VENDNDODHJE NË KALANË E TURRËS, SYNEJ, KAVAJË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Kavajë, të pronës nr.365, me emërtim “Ish-bateria ABD”, me vendndodhje në Kalanë e Turrës, Synej, Kavajë, sipas formularit standard të inventarizimit dhe planvendosjes, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për ta përdorur për realizimin e projektit për ndërtimin e portit turistik të jahteve, në Kalanë e Turrës, Synej, Kavajë.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të hiqet prona nr.365, me emërtim “Ish-bateria ABD”, me vendndodhje në Kalanë e Turrës, Synej, Kavajë, e cila i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i janë transferuar në pronësi apo në përdorim Bashkisë Kavajë.
3. Bashkisë Kavajë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, objekteve dhe të truallit funksional, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Kavajë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
STANDARDIZIMIN DHE DISIPLINIMIN E SHPENZIMEVE TË KARBURANTIT NË NJËSITË E QEVERISJES SË PËRGJITHSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Njësitë e qeverisjes së përgjithshme sigurojnë që shërbimi i furnizimit me karburant për mjetet efektive të transportit të kryhet vetëm nëpërmjet kartës elektronike me të cilën mundësohen identifikimi i mjetit dhe përdoruesi i saj.
2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “c”, dhe 5, pika 2, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës.
2. Sipërfaqja që shpronësohet është 20 354,9 (njëzet mijë e treqind e pesëdhjetë e katër presje nëntë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit është 427 670 242,65 (katërqind e njëzet e shtatë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e dy presje gjashtëdhjetë e pesë) lekë, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, në formatin tabela nr.1.
3. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë, Elbasan, Vlorë, Durrës dhe Shkodër, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive te Paluajtshme dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.