Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Shtator 2020:

 

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DOGANAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Gjon Bardhi, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Genti Gazheli emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT NGA BASHKIA DURRËS , MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTPREVENTIVIT DHE RIFORCIMIN E HIDROVORIT TË DURRËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 51 550 000 (pesëdhjetë e një milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh pa TVSH, për financimin e hartimit të projektpreventivit dhe riforcimin e Hidrovorit të Durrësit, të dëmtuar nga tërmeti i datës 26.11.2019.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Fondet e mbetura të papërdorura pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi kthehen në zërin “Fondi për rindërtim” në buxhetin e shtetit.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NDËRMJET PROGRAMEVE BUXHETORE, NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor 06370 “Furnizimi me ujë dhe kanalizime”, artikulli 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, zëri “Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm”, pakësohet fondi prej 179 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë) lekësh.
b) Në programin buxhetor 06220 “Menaxhimi i mbetjeve urbane”, artikulli 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, zëri “Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm”, shtohet fondi prej 179 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë) lekësh.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KATARIT PËR ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË DY SHKOLLAVE DHE NJË KOPSHTI, NË BASHKINË TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Katarit për Zhvillim, për financimin e rikonstruksionit të dy shkollave dhe një kopshti, në Bashkinë Tiranë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E NUMRIT MAKSIMAL TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR MINISTRINË E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Numri maksimal i punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme, për vitin shkollor 2020-2021 për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, është jo më shumë 1 000 (një mijë) punonjës.

2. Punonjësit arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme rekrutohen nga portali “Mësues për Shqipërinë” për sistemin arsimor parauniversitar (arsimi bazë, gjimnazi dhe arsimi i mesëm i orientuar), me qëllim përballimin e nevojave për punonjës arsimorë shtesë gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, për vitin shkollor 2020-2021.

3. Shpërndarja e numrit të punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme, në varësi të nevojave të zyrave vendore të arsimit parauniversitar, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

4. Pagesa e punonjësve arsimorë me kontratë të përkohshme ose me kontratë me kohë të pjesshme kryhet në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimorë, në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, në varësi të kohës së punës së kryer.

5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit për vitin 2020, i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë” dhe “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E KONTRIBUTIT FINANCIAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR NË SERBI, PËR BLERJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e kontributit financiar, në shumën 30 000 (tridhjetë mijë) euro ose kundërvlerën e saj në lekë, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, për t’u përdorur për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe.

2. Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë”, “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, “Sporti” dhe “Rinia”.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE DHE MINISTRIA E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË, DHE KONFEDERATËS SË ZVICRËS, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC), E DEPARTAMENTIT FEDERAL TË PUNËVE TË JASHTME TË ZVICRËS, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, MBI PROGRAMIN “PROMOCIONI SHËNDETËSOR DHE PARANDALIMI I SËMUNDJEVE KRONIKE NË SHKOLLA”, FAZA PËRGATITORE, NJË PROJEKT BILATERAL BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Konfederatës së Zvicrës, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, mbi programin “Promocioni shëndetësor dhe parandalimi i sëmundjeve kronike në shkolla”, faza përgatitore, një projekt bilateral bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E TRANSPORTIT HEKURUDHOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në fushën e transportit hekurudhor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.594, DATË 9.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.594, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:

– Znj. Adea Pirdeni emërohet në vend të znj. Fjoralba Caka, si përfaqësuese nga ministria përgjegjëse për drejtësinë, për pjesën e mbetur të mandatit, sipas pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.719, DATË 12.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MENAXHIMIN E KAPACITETEVE TË PESHKIMIT TREGTAR DHE DISA RREGULLIME TË MËNYRËS SË FUNKSIONIMIT TË REGJISTRIT TË ANIJEVE TË PESHKIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 2, 30, 101, pika 2, dhe 119, pika 2, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në kreun II, të vendimit nr.719, datë 12.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Numri i lejeve të peshkimit tregtar profesional, për të gjitha format dhe llojet e këtij peshkimi, deklarohet i mbyllur. Me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e resurseve të pelagjikëve të vegjël, për anijet që janë të lejuara për të dyja format e peshkimit së bashku, tërheqëse fundore dhe tërheqëse pelagjike, subjekti i peshkimit ka të drejtë të ndryshojë lejen e peshkimit duke kaluar vetëm në rrjeta tërheqëse fundore.”.

2. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:

“1/1. Kalimi nga lejet e peshkimit për të dyja format e peshkimit, në rrjeta tërheqëse fundore dhe në rrjeta tërheqëse pelagjike, në formën e peshkimit vetëm tërheqëse fundore, bëhet nga ministria përgjegjëse për peshkimin.
1/2. Numri maksimal i lejeve të peshkimit tregtar artizanal bregdetar përcaktohet me urdhër nga ministri përgjegjës për peshkimin, në zbatim të planit të menaxhimit të peshkimit dhe të planit të zbatimit të peshkimit.
Për numrin e lejeve të peshkimit tregtar artizanal, të cilat mund të jepen në zonat e mbrojtura të kategorive IV, V dhe VI, të merret pëlqimi dhe nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.”.

3. Pikat 2, 3, 4 dhe 7 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Të gjitha anijet e peshkimit të regjistruara në regjistrin e anijeve të peshkimit dhe të pajisura me numër regjistri (NFR), por që iu ka mbaruar afati i vlefshmërisë së lejes së peshkimit dhe nuk e kanë rinovuar atë, kanë të drejtë të aplikojnë për rinovimin e lejes deri në datën 5 dhjetor 2020.

3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Inspektorati i Peshkimit pranë Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, njofton, sipas procedurave të njoftimit të Kodit të Procedurave Administrative, subjektet e peshkimit, pronarët ose administratorët e tyre, të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë, nuk e kanë rinovuar ose që nuk do të rinovojnë lejen e peshkimit për fillimin e procedurave të nxjerrjes nga flota e peshkimit të anijeve të peshkimit në pronësi ose në administrim prej tyre.

4. Në rast se subjektet e peshkimit, pronarët ose administratorët e anijeve të peshkimit, sipas pikës 2, të këtij kreu, nuk deklarojnë vullnetin për të vazhduar aktivitetin e peshkimit dhe të rinovojnë lejen e peshkimit, ministria përgjegjëse për peshkimin bën daljen përfundimtare të anijes nga flota e peshkimit dhe bën të pavlefshëm numrin e regjistrit (NFR) të anijes së peshkimit.

7. Subjektet e peshkimit, në aplikimin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për rinovimin e lejes së peshkimit, dorëzojnë edhe një kopje të lejes dhe të aktit të miratimit të vjetër, në rastet kur anija ka qenë e pajisur me leje peshkimi të vlefshme.”.

4. Pika 8 shfuqizohet.

5. Pikat 9 dhe 10 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“9. Me mbylljen e numrit të lejeve të peshkimit tregtar profesional dhe artizanal, pas datës 5 dhjetor 2020, ministria përgjegjëse për peshkimin njofton Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila refuzon kërkesën e subjekteve të peshkimit për hyrjen e anijeve të peshkimit tregtar profesional, përveç rastit të parashikuar në pikën 10, të këtij kreu.

10. Hyrja në flotën e peshkimit e një kapaciteti të ri peshkimi bëhet vetëm si zëvendësim me një anije me tonazh dhe fuqi motorike më të vogël ose të barabartë i një anijeje me leje të vlefshme peshkimi ose si zëvendësim i një anijeje peshkimi të mbytur, e cila ishte e pajisur me një leje të vlefshme peshkimi. Në këtë rast, subjekti i peshkimit të anijes së mbytur, pronari ose trashëgimtarët e tij aplikojnë për t’u pajisur me leje të re peshkimi.”.

6. Pas pikës 10 shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:

“10/1. Në aktin e miratimit të lejes së re të peshkimit, për anijen e peshkimit zëvendësuese vendoset një numër regjistri (NFR) i ri duke u specifikuar qartësisht që është zëvendësim i anijes me numrin e regjistrit (NFR) të mëparshëm. Anija zëvendësuese nuk konsiderohet si hyrje e re në peshkim.”.

II. Ngarkohet ministria përgjegjëse për peshkimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DEKLARIMIN PASURI KULTURORE TË “QENDRËS HISTORIKE” TË QYTETIT TË SHKODRËS, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” dhe “ç”, 62, pika 3, dhe 96, pika 1, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Deklarimin pasuri kulturore të “Qendrës Historike” të qytetit të Shkodrës dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Ngarkohet ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të strukturave të specializuara, të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore.

4. Vendimi nr.1183, datë 5.8.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për administrimin e qendrës historike dhe zonës së mbrojtur, në qytetin e Shkodrës””, shfuqizohet.

5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e “Qendrës Historike” të qytetit Shkodër dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.

6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I MIKROHAPËSIRAVE PUBLIKE, SHESHI SELITA”, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i mikrohapësirave publike, sheshi Selita”, Tiranë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 16 376 556 (gjashtëmbëdhjetë milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 376 556 (gjashtëmbëdhjetë milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Tiranë.

8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KOLONJË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE QENDËR ERSEKË, TË PASURISË 685, ZONA KADASTRALE 3510

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “ç”, e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Kolonjë, për njësinë administrative Qendër Ersekë, të pasurisë 685, zona kadastrale 3510, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë dhe hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim për t’u përdorur në fushën e zhvillimit ekonomik.

2. Pasuria e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.247, datë 27.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Qendër Ersekë, të Qarkut të Korçës”.
3. Ngarkohen Bashkia Kolonjë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.