Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Maj 2018:

 

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDEVE BUXHETORE TË VITIT 2018 PËR FINANCIMIN E ORGANEVE TË QEVERISJES VENDORE PËR PËRMBUSHJEN E DETYRIMEVE QË RRJEDHIN NGA KONTRATA KONCESIONARE NR.6021 REP., NR.2894 KOL., DATË 31.8.2017, “PËR NDËRTIM LANDFILLI, INCENERATORI DHE REHABILITIM I VENDDEPOZITIMEVE EKZISTUESE NË TIRANË DHE PRODHIMIN E ENERGJISË ELEKTRIKE, ZONA E TRAJTIMIT TË MBETJEVE TIRANË (ZTMT)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.107/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, dhe të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D OS I:

 

1. Përdorimin e fondeve buxhetore të vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ekonomisë, në programin e menaxhimit të mbetjeve urbane, për financimin e njësive të qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë/Bashkia Tiranë, për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata koncesionare nr.6021 rep., nr.2894 kol., datë 31.8.2017, “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, zona e trajtimit të mbetjeve Tiranë (ZTMT)”.
2. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në rolin e autoritetit kontraktues, dhe njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë/Bashkia Tiranë, për përdorimin e financimit në përmbushje të detyrimeve kontraktore, sipas pikës 1 të këtij vendimi, të bashkërendojnë për kryerjen e pagesave ndaj koncesionarit, sipas skeduleve të pagesave që rrjedhin nga kontrata koncesionare.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

PËRCAKTIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË PËRZGJEDHJES SË PROJEKTEVE NË TURIZËM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 31, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm, përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për turizmin, si më poshtë vijon:
– Sekretari i Përgjithshëm, kryetar;
– Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Turizmit, anëtar;
– Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, anëtar;
– Drejtori i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Turizmit, anëtar;
– Drejtori i Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Turizmit, anëtar.
2. Përcaktimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm, përfaqësues të shoqatave në sektorin e turizmit, si më poshtë vijon:
– Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA);
– Shoqata “Albanian Incoming Travel Association”.
2. Vendimi nr.129, datë 22.2.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Komisioni i Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË NDRYSHIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DHE TRANS ADRIATIC PIPELINE AG, LIDHUR ME MARRËVESHJEN ME QEVERINË E VENDIT PRITËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline Ag, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME VENDIN PRITËS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS RAJONALE PËR BASHKËPUNIM RINOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN E MASAVE PËR KOSTOT E MENAXHIMITTË INTEGRUAR TË MBETJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e masave për kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sipas dokumenteve “Udhëzues për llogaritjen e kostove për menaxhimin e mbetjeve” dhe “Modelet për llogaritjen e tarifave për menaxhimin e mbetjeve”, përkatësisht, shtojcat 1 dhe 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim dhe në shtojcat bashkëlidhur kanë kuptimin e dhënë në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
3. Udhëzuesi dhe modelet, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij vendimi, do t’u shërbejnë njësive të vetëqeverisjes vendore, duke u bazuar në numrin e banorëve dhe të familjeve që kanë në territoret e tyre, sipas ndarjes administrative.
4. Ngarkohen të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT NR.3 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF013972, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E DYTË TË BESIMIT SHUMËDHURUES PËR SHQIPËRINË, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIIT TË INTEGRUAR (SPI) 2

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e ndryshimit nr.3 të marrëveshjes së grantit nr.TF013972, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën fondin e dytë të besimit shumëdhurues për Shqipërinë, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar (SPI) 2, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.248, DATË 29.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT KUNDËR KULTIVIMIT DHE TRAFIKIMIT TË KANABISIT 2017-2020”

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Teksti i Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020, bashkëlidhur vendimit nr.248, datë 29.3.2017, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tekstin, shtojcat dhe aneksin që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë e linjës, institucionet në nivel qendror dhe vendor, të cilat janë të ngarkuara me detyra të veçanta në planin e veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.395, DATË 29.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË PRAKTIKAVE TË PUNËS NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E TJERA PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.395, datë 29.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. Për mbështetjen e procesit të integrimit evropian, institucionet sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, angazhojnë numrin e përcaktuar të praktikantëve që do të punojnë në funksion të procesit të integrimit evropian, nën koordinimin dhe mbikëqyrjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përgatitjen e database-ve me të dhënat e çdo institucioni.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.883, DATË 13.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFAVE PËR REGJISTRIMIN E OBJEKTEVE TË PRONËSISË INDUSTRIALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 193/d, 198, 198/c dhe 202, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.883, datë 13.5.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Kudo në vendim, emërtimet “DPPM” zëvendësohen me “DPPI”, dhe “Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave” me “Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale”.
2. Në pikën 6, pas fjalëve “… treguesit gjeografikë …” shtohen “… dhe emërtimeve të origjinës …”.
3. Pika 11 shfuqizohet.
4. Lidhja nr.1, “I. Tarifat për patentat e shpikjeve”, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Në lidhjen nr.3, “III. Tabela e tarifave të shërbimit për modelet e përdorimit”, bashkëlidhur vendimit, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë:
a) Nënndarja 3.23 shfuqizohet;
b) Pas nënndarjes 3.32 shtohen nënndarjet 3.33 dhe 3.34, me këtë përmbajtje:
“3.33 / Tarifë për regjistrimin e kontratës së pengut / 5 000
3.34 / Tarifë për regjistrimin e veprimeve përmbarimore / 5 000.”.
6. Në lidhjen nr.4, “IV. Tabela e tarifave të shërbimit për disenjot industriale”, bashkëlidhur vendimit, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë:
a) Nënndarja 4.5 shfuqizohet;
b) Në nënndarjen 4.13, pas fjalës “… industriale …” shtohet “… e regjistruar …”;
c) Nënndarja 4.15 shfuqizohet;
ç) Në nënndarjen 4.17, pas fjalës “… disenjos …” shtohen fjalët “… në dhomën për shfuqizim/zhvlerësim …”;
d) Në nënndarjen 4.23 hiqen fjalët “… për plotësim dokumentacioni …”.
dh) Nënndarja 4.24 shfuqizohet;
e) Pas nënndarjes 4.25 shtohen nëndarjet 4.26, 4.27, 4.28, 4.29, 4.30, 4.31 dhe 4.32, me këtë përmbajtje:
“ 4.26 / Tarifë për rivendosjen në afat të të drejtave / 7 000;
4.27 / Tarifë për apelimin në bordin e apelit / 10 000;
4.28 / Tarifë për shfuqizimin e një disenjoje të regjistruar në dhomën për shfuqizim/zhvlerësim / 7 000;
4.29 / Tarifë për regjistrimin e kontratës së pengut / 5 000;
4.30 / Tarifë për regjistrimin e veprimeve përmbarimore / 5 000;
4.31 / Tarifë për saktësimin e të dhënave në regjistër / 2 000;
4.32/ Tarifë për pasqyrimin e ndryshimeve të tjera në regjistër / 5 000.”.
7. Lidhja nr.5, “V. Tabela e tarifave të markave”, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Në lidhjen nr.6, “VI. Tabela e tarifave të shërbimit për treguesit gjeografikë”, bashkëlidhur vendimit, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë:
a) Emërtimi i tabelës ndryshohet, si më poshtë:
“VI. TABELA E TARIFAVE TË SHËRBIMIT PËR TREGUESIT GJEOGRAFIKË DHE EMËRTIMEVE TË ORIGJINËS ”.
b) Në nënndarjen 6.1, pas fjalëve “Tarifë për depozitimin e aplikimit për regjistrimin e treguesit gjeografik” shtohen “… dhe emërtimeve të origjinës.”;
c) Në nënndarjet 6.2 dhe 6.3, pas fjalëve “… treguesi gjeografik …” shtohen “… dhe emërtimi të origjinës.”;
ç) Në nënndarjen 6.4, pas fjalëve “… treguesit gjeografikë” shtohen “… dhe emërtimeve të origjinës te dhoma për shfuqizim/ zhvlerësim …”;
d) Nënndarjet 6.5, 6.6 dhe 6.7 shfuqizohen;
dh) Në nënndarjet 6.8, 6.9 dhe 6.10, pas fjalëve “… treguesit gjeografikë …” shtohen “… dhe emërtimet e origjinës.”;
e) Nënndarjet 6.13 dhe 6.14 shfuqizohen;
ë) Pas nënndarjes 6.14 shtohen nënndarjet 6.15, 6.16 dhe 6.17, me këtë përmbajtje:
“6.15 / Tarifë për ndryshimet në specifikimet e produktit / 8 000
6.16 / Tarifë e apelimit në bordin e apelit / 10 000 ALL
6.17 / Tarifë për shfuqizim/zhvlerësim në dhomën për shfuqizim/zhvlerësim” dhe vlerë / 7 000.”.
9. Lidhja nr.8, “VIII. Tabela e tarifave të tjera”, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.2 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT SUEDEZ NR.TF014255, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA SUEDIA, E PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (SIDA), PËR BASHKËFINANCIMIN E PROJEKTIT TË BURIMEVE UJORE DHE UJITJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e dokumentit të ndryshimit nr.2 të marrëveshjes së grantit suedez Nr.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), për bashkëfinancimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR MARKAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 143, 151/c, 152, 155, 163/a, 163/b, 175/a e 202, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores për markat, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.1706, datë 29.12.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për regjistrimin e markave tregtare dhe të shërbimit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS SË PYLLIT TË SODËS”, VLORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm, të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës së Pyllit të Sodës”, Vlorë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, me të dhënat e pronarëve që shpronësohen, për pasuritë tokë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 113 474 245 (njëqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e shatëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë.
4. Pronarët e përmendur në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë tokë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 113 474 245 (njëqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e shatëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë, do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
6. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
7. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.719, DATË 31.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 21, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.719, datë 31.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural organizohet në nivel qendror, nëpërmjet zyrës qendrore, dhe në nivel vendor, nëpërmjet agropikave.”.
2. Pas pikës 5 shtohet pika 5.1, me këtë përmbajtje:
“5.1 Sportelet agropika kryejnë shërbime për fermerët dhe subjekte të tjera, personat fizikë e juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari bujqësore apo veprimtari të tjera ekonomike të lidhura me të në fushën e zhvillimit bujqësor, të industrisë agro – ushqimore e zhvillimit rural, dhe ofrojnë shërbime, si më poshtë vijon:
a) Informojnë dhe promovojnë programet e masat/skemat kombëtare të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
b) Informojnë dhe promovojnë programet dhe skemat e mbështetjes për bujqësinë e zhvillimin rural të financuara nga Bashkimi Evropian (IPARD II) si dhe donatorë të tjerë;
c) Japin informacion për fondet e garancisë dhe lehtësirat financiare që ofrojnë tregjet bankare e financiare për fermerët dhe subjektet e interesuara për mbështetje financiare në veprimtaritë e lidhura me zhvillimin bujqësor dhe rural;
ç) Ndërmjetësojnë marrëdhëniet me institucionet financiare dhe ato bankare lidhur me kreditë e refuzuara/ristrukturuara;
d) Japin informacion për legjislacionin për bujqësinë, veterinarinë, sigurinë ushqimore, agroturizmin si dhe institucionet përgjegjëse rregullatore;
dh) Regjistrojnë të dhënat e fermës bujqësore e blegtorale sipas përcaktimeve ligjore për hyrjen e të dhënave në regjistrat përkatës, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për database-t shtetërore;
e) Asistojnë aplikimet on-line apo në bazë dokumentesh për masat/skemat kombëtare, programet IPARD II si dhe të projekteve të tjera komunitare të donatorëve të ndryshëm;
ë) Pranojnë aplikimet dhe raportojnë në vazhdimësi në sistemin e bazës të të dhënave të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në përputhje me afatet ligjore të miratuara për këtë qëllim, për mbështetjen financiare nga fondet e masave/skemave kombëtare;
f) Inspektojnë fermerët dhe subjektet përfituese të fondeve të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural.”.
3. Në fund të pikës 9 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Marrëdhëniet e punës së punonjësve të agropikave rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.”.
4. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Struktura dhe organika e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Agropikat, në përbërje të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, krijohen si pjesë e urdhrit të Kryeministrit për miratimin e strukturës dhe të organikës së kësaj agjencie, sipas propozimit të ministrit.”.
5. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave” dhe “ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave” zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural” dhe “ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.
6. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURIVE ME NUMËR 22/20 DHE 22/21, ZONA KADASTRALE 3339, BASHKIA DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurive me numër 22/20 dhe 22/21, zona kadastrale 3339, Bashkia Durrës, sipas certifikatave të pasurive dhe hartave treguese, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e statusit, nga kategoria “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurive me numër 22/20 dhe 22/21, zona kadastrale 3339, Bashkia Durrës.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Durrës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TЁ QENDRËS KOMBËTARE TЁ KULTURËS PËR FËMIJË DHE TEATRIT TЁ KUKULLAVE

Në mbështetje tё nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Z. Erion Isai emërohet drejtor i Qendrës Kombëtare tё Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit tё Kukullave.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

  1. RREGULLORE – PERFAQESUESIT E AUTORIZUAR – PRONESIA INDUSTRIALE
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.