Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Maj 2021:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Bora Muzhaqi emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Dallëndyshe Bici emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE NDËRTIMIT TË GRADAVE TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 43, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e paraqitjes, formës dhe ndërtimit të gradave të punonjësve të Policisë së Burgjeve, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave të punonjësve të Policisë së Burgjeve ndahet sipas kategorive të mëposhtme:

a) Gradat për punonjësin e rolit bazë;
b) Gradat për punonjësin e rolit të mesëm;
c) Gradat për punonjësin e rolit të lartë.

3. Vendimi nr.264, datë 2.2.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e formës dhe paraqitjes së gradave të Policisë së Burgjeve”, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TЁ MARRЁVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E KONEKTIVITETIT TË RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE NË SHQIPËRI, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.44/2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 16, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.44/2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Aspasjana Kongo, zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË KONTRIBUTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (MARRËSI), DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (SIDA), PËR MBËSHTETJEN E PROJEKTIT “IMPLEMENTIMI I TAKSËS SË PASURISË TË BAZUAR NË VLERËN E TREGUT, VERSIONI 0.93, DATË 20 SHKURT 2018”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.408, DATË 4.7.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së kontributit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Marrësi), dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), për mbështetjen e projektit “Implementimi i taksës së pasurisë të bazuar në vlerën e tregut, versioni 0.93, datë 20 shkurt 2018”, miratuar me vendimin nr.408, datë 4.7.2018, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.872, DATË 11.11.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2021, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pasqyra nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.872, datë 11.11.2020, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me pasqyrën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.175, DATË 17.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SPITALIT RAJONAL “MEMORIAL” NË FIER, SI PROJEKT PILOT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 37, atë ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.175, datë 17.3.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronja “c”, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) një përfaqësues i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë;”.

b) Pas pikës 19, të shtojcës nr.1, “Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e vendimit nr.175, datë 17.3.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 19/1, me këtë përmbajtje:
“19/1. Shërbimi i laboratorëve (klinikë-biokimikë, mikrobiologjikë, imunologjikë, atomopatologjikë, gjenetikë mjekësorë, laboratori i mjekësisë nukleare);”.

II. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.378, DATË 26.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I BLLOKUT TË KUFIZUAR NGA RRUGËT ‘SULEJMAN DELVINA’, ‘MEDAR SHTYLLA’, ‘SKËNDER LUARASI’, ‘GRIGOR HEBA’ DHE ‘GJIK KUQALI’, TIRANË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.378, datë 26.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Tabelës bashkëlidhur vendimit i hiqet pasuria nr.6/661, në emër të Bahri Osman Pinari, zk.8270, e llojit “truall”, me sip. 50 m², me vlerë 3 348 450 (tre milionë e treqind e dyzet e tetë mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë, me numër rendor 2.

b) Në pikën 4, shifra “133 310 401 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e treqind e dhjetë mijë e katërqind e një)” zëvendësohet me “129 961 951 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e një)”.

2. Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.789, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË CERTIFIKIMIT PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 33, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.789, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në kreun II bëhen këto ndryshime:

a) Pikat 2 dhe 3.1 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Kohëzgjatja e programit të certifikimit

Programi i certifikimit, i kryer nga organi certifikues i akredituar sipas ISO/IEC 17024, për profesionistët e shëndetësisë, është i organizuar në cikël individual që përputhet me afatin kohor të licencimit, brenda të cilit profesionistët e shëndetësisë duhet të përmbushin kriteret siç përcaktohen në pikat 3 dhe 4, të këtij kreu.

3.1 Brenda një cikli individual, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 75 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 50 kredite.”.

b) Nënpika 3.1.2 shfuqizohet.

2. Në pikën 1, të kreut IV, fjalët “… cikël 4-vjeçar …” zëvendësohen me “… cikël individual …”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT E KRYERJES SË KONTROLLIT TË ZBATIMIT TË LEGJISLACIONIT TË ASISTENCËS SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 20, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kontrolli i zbatimit të legjislacionit të asistencës sociale përfshin kontrollin e programit të ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar, që bëhet nga struktura përgjegjëse në Shërbimin Social Shtetëror, në nivel qendror dhe rajonal, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim, bazuar në metodologjinë e kontrollit të pagesave të ndihmës ekonomike, shtojca nr.1, dhe metodologjinë e kontrollit të vlerësimit bio-psikosocial të aftësisë së kufizuar, shtojca nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Kontrolli i strukturave rajonale dhe me përzgjedhje në njësitë e vetëqeverisjes vendore bëhet nga struktura përgjegjëse e Shërbimit Social Shtetëror në nivel qendror, bazuar në planin vjetor të kontrollit dhe në programet mujore në zbatim të tij. Programi i kontrollit miratohet nga titullari i institucionit, sipas modelit standard, të përcaktuar në shtojcat nr.1 dhe nr.2 të këtij vendimi.

3. Kontrolli i njësive të vetëqeverisjes vendore nga strukturat përgjegjëse në Shërbimin Social Shtetëror në nivel rajonal bazohet në planin vjetor të kontrollit dhe në programet mujore në zbatim të tij. Programi i kontrollit miratohet nga titullari i institucionit, sipas modelit standard, të përcaktuar në shtojcat nr.1 dhe nr.2 të këtij vendimi.

4. Programi i kontrollit të përmbajë:

a) subjektet që do të kontrollohen;
b) llojin e kontrollit që do të ushtrohet;
c) periudhën për të cilën do të bëhet kontrolli;
ç) objektivat që duhet të realizohen.

5. Kontrolli programohet për çdo muaj. Kontrolli të jetë i plotë ose tematik, sipas analizës së riskut. Në çdo rast, përpara kryerjes së kontrollit, subjekti njoftohet me shkrim për fillimin e kontrollit, qëllimin, si dhe objektivat që do të realizohen. Kontrolli nga struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar, në nivel qendror ose rajonal, të jetë, si më poshtë vijon:

a) Struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar në nivel qendror kryen kontroll të plotë një herë në dy vjet për strukturat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe, duke zbatuar metodën me përzgjedhje, në bazë të analizës së riskut, kryen kontrolle tematike për veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore;
b) Struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar në nivel rajonal kryen kontroll të plotë një herë në dy vjet në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe kontrolle tematike, sipas analizës së riskut, në përputhje me programin e kontrollit, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.

6. Kontrolli mund të jetë i paparalajmëruar në rastet kur ka sinjalizime për abuzime ose shkelje ligjore nga subjekti përkatës.

7. Sinjalizime konsiderohen:

a) njoftimet me shkrim ose me mjete të tjera komunikimi të personave të interesuar për veprimtarinë e subjektit, pasi ky veprim të jetë vlerësuar si abuziv nga struktura përgjegjëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar;
b) njoftimet ose ankimet e çdo forme nga entet publike;
c) raportet specifike të gjeneruara nga sistemi.

8. Grupi i kontrollit në nivel qendror ushtron kontroll për zbatimin e legjislacionit të ndihmës ekonomike për:

a) veprimtarinë e strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe, me përzgjedhje, të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike;
b) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësi administrative, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit të ndihmës ekonomike, duke kryer me përzgjedhje, sipas analizës së riskut, kontrolle tematike;
c) procedurën e kryerjes së verifikimeve automatike në drejtoritë rajonale, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike dhe verifikimeve manuale;
ç) procedurën e trajtimit të mospërputhjeve nga verifikuesit në drejtoritë rajonale ardhur nga ndërveprimi i sistemeve automatikisht me AKPF, DPT, ISSH, DPGJC, ASHK dhe në raste kur ka përgjigje nga institucionet që dërgohen manualisht;
d) refuzimet e procedurën e vendimmarrjes së drejtorive rajonale për familjet aplikuese dhe përfituese të ndihmës ekonomike;
dh) performancën e strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në kryerjen e kontrollit të ndihmës ekonomike në njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet:

i. cilësisë së projektraportit referuar zbatimit të hapave të përcaktuar në metodologjinë e kontrollit;
ii. ndjekjes së zbatimit të detyrave të lëna lidhur me shpërblimin e dëmit dhe raportimin 6-mujor pranë Shërbimit Social Shtetëror;
iii. analizës së riskut të kontrollit tematik në njësitë vendore.

9. Grupi i kontrollit të strukturave rajonale ushton kontroll për zbatimin e legjislacionit të ndihmës ekonomike për:

a) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësi administrative, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit përkatës për ndihmën ekonomike;
b) dokumentacionin e procedurën e kryerjes së aplikimeve në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike, si dhe dokumentacionin në dosjen e përfituesit të ndihmës ekonomike;
c) dokumentacionin e kategorive përfituese të ndihmës ekonomike dhe afatin e vlefshmërisë së përfitimit, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) kryerjen e verifikimeve social-ekonomike nga administratorët shoqërorë, afatet dhe pasqyrimin e tyre në sistem;
d) përputhshmërinë e deklarimit të familjes përfituese me vizitën në shtëpi, të pasqyruar nga administratori shoqëror në sistem, nëpërmjet realizimit të verifikimeve social-ekonomike me përzgjedhje;
dh) familjet që kanë rezultuar me deklarim të rremë dhe afatin e përjashtimit të tyre nga përfitimi i ndihmës ekonomike, sipas legjislacionit në fuqi;
e) deklarimet 3-mujore të ndryshimit të situatës social-ekonomike të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike, duke verifikuar gjenerimin e deklaratave 3-mujore në sistem me deklaratat 3-mujore në dosjen fizike me firmat e anëtarëve madhorë;
ë) aplikimet e familjeve që kanë në përbërjen e tyre anëtar, person me aftësi të kufizuara, invalid pune apo përfitues i kategorisë “individ” të ndihmës ekonomike;
f) procedurën e ndjekur ndërmjet bashkisë dhe postës/bankës për rakordimin dhe marrjen e informacionit për listën emërore të familjeve që nuk kanë tërhequr ndihmën ekonomike brenda afatit, si dhe ndjekjen e procesit të largimit të familjes nga përfitimi i ndihmës ekonomike;
g) përputhjen ndërmjet borderosë dhe thesarit, numrit të familjeve përfituese dhe shumave të përfitimit të ndihmës ekonomike;
gj) saktësinë e të dhënave në planifikimin e nevojave për fonde;
h) mënyrën e planifikimit të fondit të ndihmës ekonomike dhe plotësimin e të dhënave statistikore, sipas legjislacionit në fuqi;
i) procedurat e dokumentacionin e shpërndarjes së pagesave të ndihmës ekonomike për familjet që mbështeten me fondin deri në 6 (gjashtë) %, në bazë të kritereve të miratuara nga këshilli bashkiak dhe sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
j) dokumentacionin dhe pagesat e kompensimit të energjisë elektrike për familjet përfituese të skemës së ndihmës ekonomike.

10. Për shkelje të legjislacionit të ndihmës ekonomike dhe marrjen e masave të nevojshme për parandalimin, zbulimin, raportimin e menaxhimin e mashtrimit dhe korrupsionit, mbledhja e informacionit objektiv, të besueshëm, të saktë, në mënyrë sistematike dhe në kohë reale, bëhet sipas mekanizmit të standardizuar të raportimit për monitorimin e abuzimeve dhe korrupsionit në skemën e ndihmës ekonomike, sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

11. Grupi i kontrollit në nivel qendror dhe rajonal ushtron kontroll për zbatimin e legjislacionit për personat me aftësi të kufizuara për:

a) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësitë administrative, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për pagesën e aftësisë së kufizuar;
b) dokumentacionin e përfitimeve të aftësisë së kufizuar në dosjen fizike të përfituesit;
c) përputhjen ndërmjet listëpagesave dhe thesarit, numrit të përfituesve dhe shumave të përfitimit të pagesës për aftësinë e kufizuar;
ç) saktësinë e të dhënave në planifikimin e nevojave për fonde;
d) mënyrën e planifikimit të fondit të pagesave të aftësisë së kufizuar, sipas legjislacionit në fuqi.

12. Për vlerësimin bio-psikosocial të aftësisë së kufizuar, grupi i kontrollit në nivel qendror kontrollon zbatimin e legjislacionit për:

a) kriteret, dokumentacionin e procedurën e kryerjes së aplikimeve në regjistrin elektronik, si dhe dokumentacionin në dosjen e përfituesit të aftësisë së kufizuar;
b) përputhshmërinë e diagnostikimit sipas kritereve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar me kriteret e vlerësimit bio-psikosocial të aftësisë së kufizuar për të rriturit dhe fëmijët në qarqet ku aplikohet ky vlerësim;
c) kontrollin e procesit të referimit nga strukturat shëndetësore, përfshirë kontrollin e kartelës shëndetësore, përputhshmërinë e diagnozës dhe kohës së fillimit të sëmundjes me përshkrimet në formularët e referimit, referimin nëpërmjet sistemit dhe recetën elektronike;
ç) kontrollin e dosjeve fizike dhe elektronike të paraqitura për vlerësim/rivlerësim;
d) kontrollin në regjistrin analitik lidhur me regjistrimin dhe afatet e respektuara sipas akteve nënligjore;
dh) procedurën e vendimmarrjes për përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar nga komisioni shumëdisplinor në përputhje me nivelin e aftësisë së kufizuar.

13. Për vlerësimin bio-psikosocial të aftësisë së kufizuar, grupi i kontrollit të strukturave rajonale ushton kontroll për:

a) veprimtarinë e strukturave vendore në bashki dhe njësitë administrative, për përgjegjësitë për zbatimin e legjislacionit për personat me aftësi të kufizuar;
b) dokumentacionin e përfitimeve të aftësisë së kufizuar në dosjen fizike të përfituesit dhe vlefshmërinë e tij;
c) zbatimin e legjislacionit nga ana e administratorit shoqëror në hartimin e një plani individual të përvitshëm të shërbimeve, mbështetur në rekomandimet e komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit;
ç) kryerjen e vizitave në mjedisin ku jeton individi, jo më pak se një herë në tre muaj;
dh) përputhjen ndërmjet listëpagesave dhe thesarit, numrit të përfituesve dhe shumave të përfitimit të pagesës për aftësinë e kufizuar, duke iu referuar edhe Regjistrit Elektronik Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar.

14. Grupi i kontrollit harton projektraportin për kontrollin e kryer dhe një kopje ia dorëzon subjektit të kontrolluar, i cili, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, i paraqet subjektit kontrollues vërejtjet apo kundërshtitë, nëse ka, të argumentuara me dokumentacionin përkatës.

15. Raporti përfundimtar i kontrollit bëhet nga grupi i kontrollit, i cili vlerëson vërejtjet apo kundërshtitë e subjektit të kontrolluar dhe jep argumentet përkatëse në raport.

16. Titullari i institucionit ia paraqet raportin përfundimtar:

a) kryetarit të bashkisë;
b) prefektit të qarkut;
c) drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror;
ç) drejtorit rajonal të Shërbimit Social Shtetëror;
d) drejtorit rajonal të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, për kontrollet e ushtruara sipas pikës 12, të këtij vendimi; dhe
dh) drejtorit të përgjithshëm të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor.

17. Në raportin përfundimtar evidentohen të gjitha shkeljet e konstatuara nga strukturat përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit të asistencës sociale për ndihmën ekonomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar, propozimet përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe masat për personat përgjegjës, si më poshtë vijon:

a) Masë disiplinore për shkelje nga strukturat rajonale të shërbimit social, struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, administratori shoqëror pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, mjekët e familjes dhe mjekët specialistë;
b) Gjobë, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, në rastet kur vërehet që shkeljet janë kryer në mënyrë të përsëritur;
c) Shpërblimin e dëmit nga administratori shoqëror dhe/ose familja dhe/ose punonjësi i strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe/ose mjeku i familjes/specialist, nëse konstatohet se është shkaktuar dëm ekonomik;
ç) Kallëzim penal, në rast se dyshohet se janë konsumuar elementet e veprës penale.

18. Vendimi nr.566, datë 29.9.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e kryerjes së kontrollit të veprimtarisë e të zbatimit të legjislacionit për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar në strukturat e varësisë së shërbimit social shtetëror dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore”, shfuqizohet.
19. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror, Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT TË PESTË PERIODIK KOMBËTAR MBI ZBATIMIN E KONVENTËS KUADËR TË KËSHILLIT TË EVROPËS, “PËR MBROJTJEN E MINORITETEVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 2, të nenit 25, të Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e raportit të pestë periodik kombëtar për zbatimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV NST SALLMONE – GJIRI I LALËZIT DHE SHTESË TRAKTI 110 KV NST

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV NST Sallmone – Gjiri i Lalëzit dhe shtesë trakti 110 kV NST.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë 500 634.50 (pesëqind mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër pikë pesëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 500 634.50 (pesëqind mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër pikë pesëdhjetë) lekësh, të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.

8. OST, sh.a., të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, në bashkëpunim me OST, sh.a., brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të OST, sh.a.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të OST, sh.a.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, OST, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1128, DATË 30.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË TË VENDIMEVE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR VENDOSJEN, NDRYSHIMIN DHE SHFUQIZIMIN E MASAVE SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE, TË NDRYSHUARA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të neneve 3, pika 3, shkronja “c”, e 6, pikat 2 e 5, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në kreun I, të vendimit nr.1128, datë 30.12.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

1. Në fund të pikës 7 shtohen fjalët “… i ndryshuar me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2021/448”, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Pas pikës 15 të vendimit shtohen pikat 16 dhe 17, me këtë përmbajtje:

“16. Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2001/931, “Për vendosjen e masave specifike për të luftuar terrorizmin”, të ndryshuar, sipas aneksit 16 ”.

“17. Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2014/119, “Për vendosjen e masave kufizuese kundër disa personave, entiteteve dhe organizmave në kuadër të situatës në Ukrainë”, të ndryshuar, sipas aneksit 17.”.
II. Ngarkohen institucionet e parashikuara në pikën 1, të nenit 11, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

AKT NORMATIV
PËR

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Në nenin 38, “Dispozita kalimtare”, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, pas pikës 13 shtohet pika 14, me këtë përmbajtje:

“14. Përjashtimisht nga parashikimet e neneve 13 dhe 13/6, të këtij ligji, dorëzimi i deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2020 në administratën tatimore dhe pagesa e detyrimit, nëse rezulton, bëhet jo më vonë se data 30 qershor 2021. Sanksionet administrative që mund të aplikohen në bazë të nenit 13/9 falen, me kusht që dorëzimi i deklaratës dhe pagesa e detyrimit të kryhen deri në datën 30 qershor 2021.”.

Neni 2

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.