Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Shkurt 2025:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “DATABAZA E TREGUESVE TË STATISTIKAVE ZYRTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare”.
2. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” është Instituti i Statistikave.
3. Të dhënat që përmban databaza shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, që përditësohen sipas legjislacionit për programin e statistikave zyrtare dhe përpunohen në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Të dhënat parësore janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Të dhënat dytësore janë sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Dhënës të informacionit për “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” janë:
a) Kryeministria, ministritë, institucionet në varësi të Kryeministrisë ose të ministrive të linjës, institucionet e pavarura, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome, administrata e prefektit;
b) bashkitë dhe qarqet.
7. Baza e të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” ndërvepron me bazat e të dhënave shtetërore të autoriteteve publike, sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, dhe programit të statisikave zyrtare.
8. Niveli i aksesimit të subjekteve të interesuara për bazën e të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” është, si më poshtë vijon:
a) INSTAT-i, administrator me të drejta të plota ndryshimi, krijimi, fshirjeje, leximi, sipas roleve përkatëse;
b) Publiku, vetëm me të drejta leximi;
c) Entitetet krijuese të informacionit, sipas legjislacionit për programin e statistikave zyrtare.
9. Të dhënat, që aksesohen nga subjektet e interesuara, janë të dhëna statistikore dhe asnjë e dhënë personale nuk mund të përpunohet nga kjo databazë.
10. Ngarkohet Instituti i Statistikave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS, PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e buxhetit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për vitin 2025, sipas shtojcave nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2025.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT TË DISIPLINËS DHE TË KOMISIONIT TË APELIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 16, të ligjit nr.123/2014, “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton rregullat për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës pranë Urdhrit të Mjekëve dhe Komisionit të Apelimit pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
2. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit, duke siguruar një proces të rregullt ligjor për shqyrtimin e pretendimeve për shkelje disiplinore dhe zbatimin e masave disiplinore, në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor.
3. Ky vendim zbatohet për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucionet shëndetësore publike dhe jopublike në Republikën e Shqipërisë.
4. Organet disiplinore, sipas ligjit, janë “Komisioni i Disiplinës”, që ngrihet dhe funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve, si edhe “Komisioni i Apelimit”, që ngrihet dhe funksionon pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
II. KOMISIONI I DISIPLINËS
1. Komisioni i Disiplinës funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, të cilët kanë përvojë në fushën e mjekësisë ose në fushën juridike, si më poshtë vijon:
a) 3 (tre) përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, me përvojë apo specializim në çështje të etikës dhe të deontologjisë mjekësore;
b) 1 (një) përfaqësues i emëruar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me njohuri në fushën shëndetësore ose në procedurat administrative;
c) Shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.
2. Kryetari i Komisionit të Disiplinës miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.
3. Për të qenë anëtar i Komisionit të Disiplinës kërkohet që ai të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde, që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.
4. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Disiplinës është 2 (dy) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.
5. Anëtari i Komisionit të Disiplinës heq dorë ose përjashtohet nga ky komision, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.
6. Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.
7. Komisioni i Disiplinës funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 (tre) anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.
8. Komisioni i Disiplinës shqyrton ankesat në lidhje me veprimet e kryera nga mjekët gjatë ushtrimit të detyrës, që bien ndesh me parimet e etikës profesionale apo Kodin e Deontologjisë Mjekësore.
9. Ankesa/kërkesa për fillimin e procedimit disiplinor ndaj mjekut, në lidhje me shkeljen disiplinore të pretenduar, të plotësojë këto kushte:
a) Të jetë me shkrim;
b) Të identifikojë mjekun, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen disiplinore;
c) Të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore, dhe rrethanat e kryerjes së tij.
10. Ankesat anonime nuk pranohen për shqyrtim.
11. Komisioni i Disiplinës fillon kryesisht procedimin disiplinor për mjekun, ndaj të cilit është regjistruar një procedim penal, për të cilin vihet në dijeni institucioni shëndetësor ose Urdhri i Mjekëve.
12. Brenda 5 (pesë) ditëve nga regjistrimi i kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor, kryetari i Komisionit të Disiplinës njofton mbledhjen e këtij komisioni.
13. Komisioni i Disiplinës asistohet nga sekretariati teknik, i cili verifikon nëse kërkesa i plotëson kushtet formale të parashikuara në pikën 9, të kreut II, të këtij vendimi, dhe përgatit një relacion me shkrim për komisionin.
14. Kërkesa që nuk plotëson këto kritere konsiderohet e metë. Komisioni i Disiplinës njofton kërkuesin/iniciuesin e procedimit disiplinor me shkrim, duke i caktuar një afat, jo më shumë se 7 (shtatë) ditë për plotësimin e të metave të konstatuara. Në rast se të metat plotësohen brenda afatit të caktuar, afati për fillimin e procedimit disiplinor do të konsiderohet data e plotësimit të këtyre të metave.
15. Në rast se konstatohet mosplotësim i kritereve formale, kryetari i Komisionit të Disiplinës merr vendim për mospranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor.
16. Nëse ankesa e depozituar plotëson kushtet formale, të parashikuara në pikën 9, të këtij kreu, Komisioni i Disiplinës merr vendim për fillimin e hetimit disiplinor dhe njofton mjekun për fillimin e procedimit. Afati i përfundimit të procedimit disiplinor është 30 (tridhjetë) ditë dhe fillon të ecë nga momenti që merr vendim për fillimin e hetimit disiplinor.
17. Komisioni i Disiplinës heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara e të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, subjekt i procedimit disiplinor.
18. Komisioni i Disiplinës mbledh dhe verifikon çdo dokumentacion të nevojshëm, që ka lidhje me çështjen, objekt hetimi, dhe nëse e konsideron të nevojshme, thërret për dëshmi mjekun e akuzuar, pacientin (ose përfaqësuesin e tij ligjor), familjarët apo të afërm të tjerë të pacientit, si edhe çdo person tjetër që vlerësohet se ka informacion të rëndësishëm për hetimin.
19. Kur çështja kërkon ekspertizë specifike, Komisioni i Disiplinës, nëse e konsideron të nevojshme, kërkon mendimin e specialistëve të fushës mjekësore përkatëse për të vlerësuar veprimet e mjekut që po procedohet, në përputhje me standardet, udhëzimet e njohura profesionale, si edhe protokollet mjekësore. Po kështu, kërkon informacione shtesë nga institucione të tjera shëndetësore, autoritete rregullatore dhe organe profesionale për të siguruar të dhëna plotësuese të rëndësishme për hetimin.
20. Komisioni i Disiplinës ka të drejtë të kryejë inspektime në vendet e punës, ku mjeku ushtron veprimtarinë mjekësore, për të vlerësuar kushtet e punës, pajisjet e respektimin e standardeve profesionale dhe etike të kërkuara.
21. Komisioni i Disiplinës përgatit një raport të plotë me përshkrimin e procesit hetimor, gjetjeve, dëshmive dhe rekomandimeve, i cili përfshihet në dosjen disiplinore të mjekut dhe u njoftohet edhe palëve të tjera, pjesëmarrëse në këtë procedim.
22. Në rast se në përfundim të hetimit disiplinor vërtetohet se nuk ka shkelje disiplinore, atëherë Komisioni i Disiplinës merr vendim për ndërprerjen e ecurisë disiplinore.
23. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë shkelje të tjera, Komisioni i Disiplinës jep një nga masat disiplinore, të parashikuara nga neni 17, i ligjit nr.123/2014, “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
24. Në përfundim të procedimit disiplinor, Komisioni i Disiplinës merr vendim të arsyetuar, i cili i njoftohet mjekut, subjekt i procedimit disiplinor. Vendimi përfundimtar i organit disiplinor përmban këto të dhëna:
a) Organin që ka marrë vendimin;
b) Identifikimin e mjekut ndaj të cilit është marrë masa;
c) Bazën ligjore;
ç) Shkeljen faktike;
d) Masën e marrë;
dh) Arsyetimin e vendimit dhe shpjegimin e fakteve, që janë bërë shkas për marrjen e vendimit;
e) Të drejtën dhe afatin e ankimimit ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës.
25. Vendimet e Komisionit të Disiplinës ankimohen brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i arsyetuar në Komisionin e Apelimit, që ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
III. KOMISIONI I APELIMIT
1. Komisioni i Apelimit ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, me të drejtë rizgjedhjeje, si më poshtë vijon:
a) 2 (dy) përfaqësues të zgjedhur nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
b) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Urdhri i Mjekëve;
c) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Fakulteti i Mjekësisë;
ç) 1 (një) ekspert i jashtëm, i specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.
2. Komisioni i Apelimit shqyrton ankesat ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe siguron një vlerësim të pavarur, duke përfshirë seanca dëgjimore dhe mbledhje provash të nevojshme.
3. Për të qenë anëtar të Komisionit të Apelimit që ai kërkohet të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.
4. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Apelimit është 2 (dy) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.
5. Anëtari i Komisionit të Apelimit heq dorë ose përjashtohet, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.
6. Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.
7. Komisioni i Apelimit funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 (tre) anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.
8. Çdo akt drejtuar Komisionit të Apelimit vlerësohet si ankim edhe nëse nuk është emërtuar shprehimisht si i tillë, por del nga përmbajtja e këtij akti dhe është mjaftueshëm i qartë. Ankimi paraqitet në formë të shkruar dhe përmban:
a) adresimin e ankesës në Komisionin e Apelimit;
b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e ankuesit dhe/ose të përfaqësuesit të tij, në rastin e personave fizikë;
c) vendimin e Komisionit të Disiplinës, kundër të cilit paraqitet ankimi;
ç) parashtrimin e objektit dhe shkaqeve të ankimit;
d) aktet procedurale, të cilat i bashkëlidhen ankimit, të tilla si:
i. akti i përfaqësimit, në rast se ankimi paraqitet nga përfaqësuesi i zgjedhur i ankuesit;
ii. kopje të vendimit të Komisionit të Disiplinës, objekt ankimi;
iii. dokumente, prova apo materiale të tjera që shoqërojnë ankimin, në origjinal ose të njësuara me origjinalin.
dh) nënshkrimin e ankuesit ose të përfaqësuesit të tij, në rast se ankimi paraqitet prej këtij të fundit, sipas tagrave të dhënë shprehimisht në aktin e përfaqësimit.
9. Komisioni i Apelimit asistohet nga sekretariati teknik, i cili verifikon nëse ankimi plotëson kriteret formale të parashikuara më sipër. Ankimi që nuk plotëson këto kritere konsiderohet i metë. Kryetari njofton ankuesin me shkrim, duke i caktuar një afat 7-ditor për plotësimin e të metave të konstatuara. Në rast se ankuesi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, Komisioni i Apelimit vendos mospranimin e ankimit.
10. Komisioni i Apelimit në çdo rast nuk ka të drejtë t’ia kthejë për rishqyrtim ankesën Komisionit të Disiplinës.
11. Komisioni i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit të ankimit, vendos:
a) mospranimin e ankimit;
b) pranimin e ankimit dhe shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës;
c) ndryshimin e masës disiplinore, dhënë nga Komisioni i Disiplinës në një masë më të lehtë.
12. Vendimi i Komisionit të Apelimit në çdo rast është i arsyetuar.
13. Vendimet e marra nga Komisioni i Apelimit publikohen, në mënyrë të anonimizuar, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe të Urdhrit të Mjekëve.
14. Kundër vendimit të Komisionit të Apelimit lejohet ankim në gjykatën administrative kompetente brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni për vendimin.
15. Ankimi në gjykatë nuk pezullon zbatimin e vendimit të Komisionit të Apelimit.
IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Anëtarët dhe kryetari i Komisionit të Disiplinës marrin shpërblim, sipas përcaktimeve në vendimet e Këshillit Kombëtar për pagesat dhe honoraret e komisioneve të përhershme pranë Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.
2. Anëtarët dhe kryetari i Komisionit të Apelimit marrin shpërblim, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Urdhri i Mjekëve dhe të gjitha institucionet shëndetësore publike e jopublike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2026-2028
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2026-2028, sipas lidhjes nr.1 “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe lidhjeve nr.2/1 e nr.2/2 “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË KUKËSIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Agron Geca, prefekt i Qarkut të Kukësit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Dritan Baji emërohet prefekt i Qarkut të Kukësit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.81/2020, “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.519, DATË 20.9.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES SË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 6, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 5, e vendimit nr.519, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e përbërjes së Këshillit Kombëtar të Territorit”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Sekretariati teknik i KKTU-së zbardh vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të cilat ua dërgon për nënshkrim Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit, dhe ministrit të linjës për zhvillimin e propozuar. Vendimet nënshkruhen edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e sekretarit të KKTU-së. Vendimet, pasi nënshkruhen nga kryetari, ministri i linjës dhe sekretari i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, hyjnë në fuqi menjëherë.
Në rastin e zbardhjes së vendimeve, në zbatim të legjislacionit për burimet ujore, sekretariati teknik koordinon veprimet me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore. Vendimet për dhënie lejeje apo autorizimi, në zbatim të legjislacionit për burimet ujore, nënshkruhen edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Vendimet, pasi nënshkruhen nga kryetari, ministri i linjës dhe, kur është rasti, edhe nga sekretari i KKTU-së, hyjnë në fuqi menjëherë.”.
2. Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.702, DATË 4.11.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT TË RI 110/20 KV, VALIAS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.702 datë 4.11.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera “1 728 384 (një milion e shtatëqind e njëzet e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e katër) lekësh” zëvendësohet me “7 029 267 (shtatë milionë e njëzet e nëntë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh”.
2. Tabela bashkëlidhur vendimit nr.702 datë 4.11.2022, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.788, DATË 11.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN DHE RREGULLAT E DETAJUARA PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN E SHPËRBLIMIN FINANCIAR TË KOMISIONIT QENDROR TË STATUSIT “DËSHMOR I ATDHEUT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 5, të nenit 10, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.788, datë 11.12.2019, Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen dhe rregullat e detajuara për organizimin, funksionimin e shpërblimin financiar të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut””, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 4 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
i. Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… të dërguar …” shtohen “… përmes portalit “e-Albania” …”;
ii. Në shkronjën “b”, pas fjalës “… kërkuese …” shtohen fjalët “… të dërguara përmes portalit “e-Albania” …”;
iii. Në shkronjën “c”, fjalët “… me shkrim …” zëvendësohen me “… përmes portalit “e-Albania” …;
iv. Në shkronjën “ç”, pas fjalës “… njofton …” shtohen fjalët “… përmes portalit “e-Albania” …”;
v. Në shkronjën “g”, fjalët “… me shkresë zyrtare …” zëvendësohen me “… përmes portalit “e-Albania” …”.
b) Në pikën 5, fjalët “… i paraqitet …” zëvendësohen me “… i dërgohet nëpërmjet portalit “e-Albania” …”.
c) Në fund të pikës 6, shtohen fjalët “… nëpërmjet portalit “e-Albania”.
ç) Në pikën 7, pas fjalëve “… këshillit të qarkut, këshillit bashkiak dhe prefektit.” shtohen “… nëpërmjet portalit “e-Albania.”.
d) Pas pikës 9 shtohet pika 9.1, me këtë përmbajtje:
“9.1 Deri në momentin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme teknike për ofrimin e shërbimeve përmes portalit “e-Albania”, pritja dhe trajtimi i aplikimeve do të vijojë të kryhet sipas mënyrave dhe mjeteve ekzistuese.”.
dh) Kudo në tekstin e vendimit, fjala “propozimi/propozimin/propozimit” zëvendësohet përkatësisht me “kërkesa/kërkesën/kërkesës” dhe fjala “propozues/propozuese” zëvendësohet përkatësisht me “kërkues/kërkuese”.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1497, DATË 19.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHTYPJEN E LETRAVE ME VLERË”, TЁ NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, tё ndryshuar, në pikën 2.1, pas fjalëve “… shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., …” shtohen “… , vetë ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj, …”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 14/3, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, shtohet neni 14/4, me këtë përmbajtje:
“Neni 14/4
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit të Republikës.
Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 9/4, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/5, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/5
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit Republikës.
Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA