Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Tetor 2016
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “KRITERET PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATË PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË UDHËRRËFYESIT TURISTIK, DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE KODIN E ETIKËS SË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 57, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Kriteret për pajisjen me certifikatë për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, detyrat, përgjegjësitë dhe kodin e etikës së tyre”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Personat, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik, janë të detyruar të aplikojnë për pajisen me certifikatë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.54, DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURËS E TË MËNYRËS SË DHËNIES ME QIRA, ENFITEOZË APO KONTRATA TË TJERA TË PASURISË SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Në vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në tabelën B, që i bashkëlidhet vendimit, nënndarja “Tarifat minimale të qirasë së mjediseve të Pallatit të Kongreseve”, zëvendësohet me nënndarjen me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pas pikës 9, të kreut VI, “Monitorimi i kontratave”, shtohet pika 10, me këtë përmbajtje:
“10. Institucioni përgjegjës, palë në kontratën e qirasë ose enfiteozës, me kërkesën e subjektit tjetër palë në këtë kontratë, vendos për shuarjen e detyrimeve lidhur me pagesën e vlerës së qirasë, për shuarjen e penaliteteve të përcaktuara në kontratë, për zgjatjen e afateve kontraktore apo për ristrukturimin në tërësi të kontratës, për periudhën kur konstatohet shkelja e afatit 1-mujor për dorëzimin e pasurisë shtetërore që jepet me qira, për periudhën kur palët kanë qenë në konflikt administrativ apo gjyqësor, lidhur me vlefshmërinë e kontratës së qirasë ose të enfiteozës apo kur konstatohet pamundësia reale e qiramarrësit për posedimin, gëzimin, në mënyrë të qetë, të pasurisë shtetërore të marrë me qira ose enfiteozë. Kjo dispozitë zbatohet për të gjitha kontratat e qirasë ose të enfiteozës në fuqi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1269, DATË 17.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT DHE DETYRAT E PËRGJEGJËSITË E STRUKTURAVE SHTETËRORE, TË NGARKUARA PËR SHQYRTIMIN E VLEFSHMËRISË LIGJORE TË KRIJIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1269, datë 17.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Kudo në vendim, emërtimi “…Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit…” zëvendësohet me emërtimin “…Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave …”.
2. Pika 2, e shkronjës “B”, të kreut III, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“2. Kryen vlerësimin ligjor të krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet e kërkesave të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore, në territoret e:
a) ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar;
b) ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zbatim të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.
Komisioni vendor vlerëson aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur:
a) vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur;
b) verifikohet se sipërfaqja, për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore;
c) janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur.”.
3. Pika 4, e shkronjës “B”, të kreut III, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“4. Dërgon për regjistrim në ZVRPP vendimin gjyqësor përfundimtar për sipërfaqet e tokës të liruara nga fitimi, mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre, që kalojnë në pronësi të shtetit, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Pjesë e detyrueshme e këtij vendimi është planvendosja e ngastrës/ave.
Për këto sipërfaqe toke KV-ja harton, sëbashku me DAMT-in, pranë Këshillit të Qarkut, procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe bashkia, zona kadastrale), numri dhe lloji kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të DAMT-it, sipas sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe sipërfaqja e saj, i shoqëruar me planvendosjen e ngastrës/ave. Përgjegjësi i DAMT-it, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, njofton për këtë veprim edhe bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka.
Komisioni vendor, një kopje të vendimit gjyqësor përfundimtar, të planvendosjes së ngastrës/ave dhe procesverbalit, për ngastrat që ndodhen në territorin e ish-ndërmarrjeve bujqësore, i paraqet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës. Këto sipërfaqe të tokës përdoren për fondin e kompensimit fizik, në zbatim të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Përgjegjësi i DAMT-it, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, për ngastrat që ndodhen në territorin e ish-kooperativave bujqësore, e paraqet atë në bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka, për t’u administruar sipas dispozitave të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998, “Për tokat bujqësore të pandara”.
Komisionet vendore kanë detyrimin që, brenda dy muajve, nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës të gjitha vendimet gjyqësore përfundimtare, të marra para kësaj date, të shoqëruara me planvendosjet e ngastrës/ave dhe procesverbalin/et përkatës.”.
4. Pika 2, e kreut IV, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme që, për çdo vit, të planifikojë, në buxhetin vjetor të institucionit të prefektit të qarkut, si zë të veçantë, një fond për mbulimin e shpenzimeve të KV-së, sipas propozimeve të komisioneve vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë pranë prefekturave dhe të paraqitura nga sekretariati teknik pranë KQT-së.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E FORMATIT TË MARRËVESHJES ME INVESTITORËT NË FUSHËN E TURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 4, të nenit 35, dhe pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e formatit të marrëveshjes me investitorët në fushën e turizmit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.48, DATË 23.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË (UMT)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.48, datë 23.1.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në fund të kreut III shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Pjesë e programeve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, janë edhe programet e studimeve universitare të infermierisë së përgjithshme, që ofrohen në filialet e qyteteve të Kukësit dhe të Sarandës. Këto programe studimi do të organizohen dhe menaxhohen nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë. Në përfundim të ciklit të studimeve, studentët do të përfitojnë diplomën e lëshuar nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë. Këto programe studimi do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të ciklit të studimeve nga studentët që janë regjistruar në këto filiale deri në vitin akademik 2013-2014.”.
b) Pika 1, e kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Organika e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përmban numrin e punonjësve të Fakultetit të Mjekësisë, të Fakultetit të Infermierisë si dhe numrin e punonjësve të angazhuar në mësimdhënien e programeve të studimit të infermierisë së përgjithshme në filialet e qyteteve të Kukësit dhe Sarandës, të cilët i zbriten numrit të përgjithshëm të punonjësve të Universitetit të Tiranës.”.
c) Pas pikës 2, të kreut V, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Transferta e pakushtëzuar nga buxheti i shtetit, për programet e infermierisë së përgjithshme në filialet e qyteteve të Kukësit dhe të Sarandës, transferohet tek Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, i cili menaxhon edhe tarifat e studentëve dhe shpenzimet për aktivitetin e këtyre programeve.”.
ç) Në fillim të kreut VI shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën përcaktohen detyrimet dhe të drejtat e palëve lidhur me administrimin e ambienteve të filialeve deri në përfundimin e aktivitetit mësimor për programet ekzistuese të infermierisë së përgjithshme në këto filiale.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “FAIK KONICA”, KU MËSIMI ZHVILLOHET EDHE NË GJUHËN GJERMANE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e lejes shoqërisë tregtare “Universal Universities Group”, sh.a., për hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, të arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën gjermane.
2. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, i arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën gjermane, do të ushtrojë veprimtarinë arsimore në adresën: Rruga “Abdi Kazani”, nr.1, Tiranë.
3. Në institucionin arsimor privat, parauniversitar, të arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, mësimi do të zhvillohet edhe në gjuhën gjermane në lëndët matematikë dhe gjeografi.
4. Forma e arsimimit në institucionin arsimor privat, parauniversitar, të arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, do të jetë arsimim me kohë të plotë.
5. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, i arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, me fillimin dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij të raportojë në njësinë arsimore vendore, brenda afateve të përcaktuara, për:
a) numrin e nxënësve dhe listën e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë, të regjistruar në fillim dhe që do të mbarojnë vitin shkollor, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe statistikave të miratuara nga INSTAT-i;
b) planin mësimor, programet lëndore dhe strukturën që do të ketë institucioni në fillim të çdo viti shkollor;
c) aktin e regjistrimit në organin tatimor;
ç) listën e veprimtarive jashtëshkollore që janë parashikuar të zhvillohen gjatë vitit shkollor;
d) adresën e institucionit, adresën elektronike (e-mail) dhe numrin e telefonit.
6. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, i arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, duhet të miratojë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit çdo ndryshim në planin mësimor, programet e lëndëve apo tekstet që do të përdorë, si edhe çdo projekt apo eksperimentim psiko-pedagogjiko-didaktik që kërkon të kryejë, sipas rastit.
7. Ndryshimet që mund të pësojë institucioni arsimor privat, parauniversitar, i licencuar, në vendndodhjen dhe në infrastrukturën e godinës, shqyrtohen dhe miratohen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pas miratimit të njësisë arsimore vendore, 3 muaj para fillimit të vitit shkollor përkatës.
8. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, i arsimit të mesëm të lartë “Faik Konica”, duhet të ketë në ruajtje dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokumentacionin themeltar në ruajtje të përhershme, si: regjistër amze, indeks alfabetik, regjistër të veçantë, statistika vjetore të numrit të nxënësve dhe të mësuesve;
b) Regjistra të përkohshëm, si: regjistra klase, evidencë për lëvizjen e nxënësve (i detyrueshëm për institucionin arsimor privat parauniversitar);
c) Rregulloren e brendshme për funksionimin e institucionit;
ç) Kriteret për pranimin e nxënësve dhe të mësuesve;
d) Kontratat me prindërit për shërbimet arsimore apo shërbime të tjera jashtëshkollore që ofron;
dh) Kontratat e punës me mësuesit (për ata me kohë të plotë apo të pjesshme).
9. Dokumentacioni i paraqitur në pikat 6 dhe 8, në rast monitorimi dhe inspektimi, u vihet në dispozicion organeve kompetente mbikëqyrëse.
10. Moszbatimi apo mosrespektimi i këtyre detyrimeve si dhe mosdhënia apo fshehja e informacioneve nga organet kompetente mbikëqyrëse e inspektuese, të cilat do të verifikojnë apo kontrollojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e këtij institucioni arsimor, përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
11. Në rast se institucioni arsimor privat nuk hapet gjatë dy viteve shkollore të njëpasnjëshme, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, subjekti e humbet të drejtën e hapjes së institucionit.
12. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e qytetit Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF018931, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERIA E KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR ZVICERAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO), NË KUADËR TË FONDIT TË MIRËBESIMIT TË SECO-S, PËR FUQIZIMIN E KAPACITETEVE MBIKËQYRËSE TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e dokumentit ndryshues nr.1 të marrëveshjes së grantit nr.TF018931, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveria e Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në kuadër të fondit të mirëbesimit të SECO-s, për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS VLORË (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Vlorë (shtesa)”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall”, “arë” dhe “kullotë”, me një vlerë të përgjithshme prej 234 237 718 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh, nga të cilat:
– “truall”, me sipërfaqe 22 141(njëzet e dy mijë e njëqind e dyzet e një) m2, me vlerë 230 691 978 (dyqind e tridhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë;
– “arë”, me sipërfaqe 17 235 (shtatëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e pesë) m2, me vlerë 3 515 940 (tre milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e dyzet) lekë;
– “kullotë”, me sipërfaqe 149 (njëqind e dyzet e nëntë) m2, me vlerë 29 800 (njëzet e nëntë mijë e tetëqind) lekë.
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “truall”, “arë” dhe “kullotë”, prej 234 237 718 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondi i shpronësimeve, në llogarinë e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR PROGRAMIN “NË MBËSHTETJE TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL NËPËRMJET INOVACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, për programin “Në mbështetje të arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.