Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Shkurt 2022:
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Artemis Malo emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË TRI OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKINË KURBIN DHE CAKTIMIN E BASHKISË KURBIN SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të 3 (tri) objekteve arsimore në Bashkinë Kurbin, në masën 223 943 966 (dyqind e njëzet e tre milionë e nëntëqind e dyzet e tre mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) 77 546 181 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e dyzet e gjashtë mijë e njëqind e tetëdhjetë e një) lekë për rikonstruksionin e gjimnazit “At’Shtjefen Kurti”;
b) 53 382 817 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e tetëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë për rikonstruksionin e Kopshtit nr.3, Laç;
c) 93 014 968 (nëntëdhjetë e tre milionë e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë për rikonstruksionin shkollës 9-vjeçare “Nike Tom Prela”.
2. Bashkisë Kurbin, në buxhetin e vitit 2022, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 44 788 793 (dyzet e katër milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë pa TVSH, që do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) 15 509 236 (pesëmbëdhjetë milionë e pesëqind e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) lekë për rikonstruksionin e gjimnazit “At’Shtjefen “Kurti”;
b) 10 676 563 (dhjetë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë për rikonstruksionin e Kopshtit nr.3 Laç;
c) 18 602 993 (tetëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e dy mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë për rikonstruksionin shkollës 9-vjeçare “Nike Tom Prela”.
3. Caktimin e Bashkisë Kurbin, si njësi zbatuese për zbatimin e pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT TË GODINËS KOPSHT/ÇERDHE NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE RRËSHEN, BASHKIA MIRDITË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË MIRDITË SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për ndërtimin e godinës kopsht/çerdhe në zonën e re për zhvillim, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë, në masën 78 537 828 (shtatëdhjetë e tetë milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e tetëqind e njëzet e tetë) lekë pa TVSH.
2. Bashkisë Mirditë, në buxhetin e vitit 2022, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 15 707 565 (pesëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e shtatë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, për ndërtimin e godinës kopsht/çerdhe në zonën e re për zhvillim, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë, dhe do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022.
3. Caktimin e Bashkisë Mirditë si njësi zbatuese për financimin e ndërtimit të godinës kopsht/çerdhe në zonën e re për zhvillim, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT/RIPARIMIT TË MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË MIRDITË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 383 780 091 (treqind e tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e tetëdhjetë mijë e nëntëdhjetë e një) lekë, për financimin e rikonstruksionit/riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Mirditë.
2. Përdorimin e fondit për vitin 2022 nga Bashkia Mirditë në masën 76 756 018 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) lekë, për financimin e rikonstruksionit/riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Mirditë.
3. Efekti financiar për vitin 2022 të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, dhe t’i transferohet Bashkisë Mirditë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË GODINAVE, SPITALI “SHENJTA MARI” DHE DREJTORIA E SHËNDETIT PUBLIK (ISH-SPITALI INFEKTIV), NJËSIA ADMINISTRATIVE RRËSHEN, BASHKIA MIRDITË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË MIRDITË SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të godinave, spitali “Shenjta Mari” dhe Drejtoria e Shëndetit Publik (ish- Spitali Infektiv), Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë, në masën 413 452 654 (katërqind e trembëdhjetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e katër) lekë pa TVSH.
2. Bashkisë Mirditë, në buxhetin e vitit 2022, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 82 690 530 (tetëdhjetë e dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të godinave, spitali “Shenjta Mari” dhe Drejtoria e Shëndetit Publik (ish-Spitali Infektiv), Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë, që do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022.
3. Caktimin e Bashkisë Mirditë si njësi zbatuese për financimin e rikonstruksionit të godinave, spitali “Shenjta Mari” dhe Drejtoria e Shëndetit Publik (ish-Spitali Infektiv), Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Misioni i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është hartimi dhe zbatimi i politikave të jashtme, drejtimi teknik dhe bashkërendimi i procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimi dhe fuqizimi i diplomacisë ekonomike, si dhe mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
3. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
a) Harton, përpunon, organizon dhe zbaton politikën e jashtme të shtetit shqiptar;
b) Realizon shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare;
c) Mbështet Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Këshillin e Ministrave dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në përcaktimin e qëndrimeve të rëndësishme lidhur me politikën e jashtme;
ç) Mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe të komuniteteve shqiptare jashtë vendit, si dhe organizon, harton e zbaton politikën shtetërore në interes të tyre në bashkëpunimin me ministritë përgjegjëse;
d) Nxit dhe ndihmon për zhvillimin e komunikimit e të ndërveprimit të diasporës dhe të shqiptarëve jashtë kufijve me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në shtetet ku ata banojnë;
dh) Promovon dhe ndihmon në rritjen e zhvillimin e vlerave dhe të traditave më të mira shqiptare te bashkëkombësit jashtë kufijve shtetërorë;
e) Promovon interesin ekonomik kombëtar në arenën ndërkombëtare, duke ndërmarrë aktivitete zyrtare diplomatike të fokusuara në rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të huaja dhe pjesëmarrjen në punë të organizatave ekonomike ndërkombëtare;
ë) Bashkërendon procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit dhe hartimit të politikave të integrimit, si dhe propozon projektaktet që kanë lidhje procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
4. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.500, datë 13.9.2017, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, dhe nr.510, datë 13.9.2017, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Diasporën”, shfuqizohen.
5. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA KURBIN DHE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT, TË SHËRBIMIT DHE TË NJËSIVE TË NDËRTIMIT NËNTOKË NË BASHKINË KURBIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Kurbin të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), si dhe të njësive të ndërtimit nëntokë, sipas listës së inventarit, dhënë në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Kalimin te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të njësive të shërbimit në ndërtesat (pallat), sipas listës së inventarit, dhënë në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA LEZHË DHE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT, TË SHËRBIMIT DHE NJËSIVE TË NDËRTIMIT NËNTOKË, NË BASHKINË LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Lezhë të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) si dhe njësive të ndërtimit nëntokë, sipas listës së inventarit, dhënë në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Kalimin te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të njësive të shërbimit në ndërtesat (pallat), sipas listës së inventarit, dhënë në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM,TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0B5581, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E FORCIMIT TË CILËSISË SË AUDITIMIT DHE RAPORTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0B5581, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e forcimit të cilësisë së auditimit dhe raportimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TË KONVENTËS FINANCIARE, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MEDIOCREDITO CENTRALE S.P.A. ITALI, PËR PROGRAMIN E RISTRUKTURIMIT TEKNIK DHE MENAXHUES TË KESH, SH.A.-SË, DHE FUQIZIMININ E SISTEMIT ELEKTRIK SHQIPTAR, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9134, DATË 11.9.2003
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të konventës financiare, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Mediocredito Centrale S.P.A. Itali, për programin e ristrukturimit teknik dhe menaxhues të KESH, sh.a-së, dhe fuqizimin e sistemit elektrik shqiptar, të ratifikuar me ligjin nr.9134, datë 11.9.2003, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.80, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE 6, ZONA KOMBINAT, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Harta dhe koordinatat bashkëlidhur vendimit nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohen, përkatësisht, me hartën dhe koordinatat bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.146, DATË 10.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E MUZEUT TË ARSIMIT KORÇË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 214, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të kreut IV, të vendimit nr.146, datë 10.3.2021, të Këshillit të Ministrave, data “… 1.1.2022, …” zëvendësohet me “…1.1.2023…”.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Muzeu i Arsimit Korçë dhe Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.682, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDEVE PUBLIKE PËR TRANSPORTIMIN E PUNONJËSVE ARSIMORË QË PUNOJNË DHE TË NXËNËSVE QË MËSOJNË JASHTË VENDBANIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të kreut II, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.682, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Punonjësve mësimorë të arsimit parauniversitar, ku përfshihen punonjësit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë (drejtor, nëndrejtor, mësues, edukator, oficerë sigurie, punonjës të shërbimit psiko-social) të institucioneve arsimore publike, që punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, larg vendbanimit të përhershëm të tyre, në largësinë mbi 5 (pesë) km deri në 50 (pesëdhjetë) km dhe kthehen brenda ditës në vendbanim.”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore miratojnë rrjetin e linjave të transportit, mbështetur në numrin e fëmijëve, nxënësve dhe të punonjësve të arsimit parauniversitar publik, që planifikohen të përfitojnë nga ky shërbim, sipas kritereve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, bazuar në informacionin që marrin nga zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit tetor për vitin e ardhshëm buxhetor. Listat e përfituesve konfirmohen nga zyrat vendore të arsimit parauniversitar pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për distancën nga vendbanimi i përhershëm dhe dërgohen në drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar për të realizuar procedurën e prokurimit publik brenda muajit nëntor për vitin e ardhshëm buxhetor.”.
c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar prokurojnë me fonde publike shërbimin e transportit të nxënësve dhe të punonjësve arsimorë, sipas rrjetit të linjave të transportit rrethqytetës, të miratuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose qendrore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.”.
ç) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Në rastet kur procedura e prokurimit publik të linjave të transportit, të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, nuk realizohet me sukses nga drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar, me autorizimin e kësaj të fundit, zyra vendore e arsimit parauniversitar siguron mbulimin e shpenzimeve për linjat e transportit të nxënësve dhe punonjësve të arsimit parauniversitar publik përfitues, nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë të prindërve të nxënësve, të kujdestarëve ligjorë apo të përfituesve me prokurë të posaçme dhe të punonjësve të arsimit parauniversitar publik përfitues ose nëpërmjet shërbimit postar për ato zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm, në përputhje me pikën 2, të këtij vendimi, deri në përfundim të vitit buxhetor.
Masa e shpenzimeve përllogaritet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të mësuesve, që janë paraqitur në punë, numrit të nxënësve, që kanë ndjekur mësimin, të çmimit të indeksuar me normën e inflacionit të biletës për linjat ndërqytetëse apo rrethqytetëse të transportit, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar, duke shtuar, vetëm për nxënësit, edhe një bonus prej 50 (pesëdhjetë) % mbi çmimin e indeksuar të biletës, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi, duke filluar nga data 1.1.2022.”.
d) Në fund të shkronjës “c”, të pikës 5, shtohen fjalët “… deri në 50 km.”.
dh) Pika 5/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5/1. Zyrat vendore të arsimit parauniversitar e njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkëpunojnë dhe koordinojnë të dhënat për numrin e përfituesve e largësitë nga vendbanimi dhe raportojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin, çdo 3 (tre) muaj.”.
e) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i përvitshëm i ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila transferon fondet përkatëse te zyrat vendore të arsimit parauniversitar, si dhe nga buxheti i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rastet kur, me vendim të organeve kolegjiale, njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të financojnë shpenzime transporti për nxënësit dhe punonjësit e arsimit parauniversitar publik edhe për distanca të tjera, jashtë parashikimeve të këtij vendimi.”.
2. Në rast se nuk ekziston një kontratë e lidhur në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, deri në lidhjen e kontratës së parë të transportit përkatës, shpenzimet e transportit u mbulohen drejtpërdrejt nxënësve dhe punonjësve arsimorë përfitues.
3. Në rastet kur procedura e prokurimit publik është e pasuksesshme apo pavarësisht se kontrata fillestare e lidhur me një operator ekonomik mund edhe të jetë zgjatur sipas ligjit për prokurimin publik, por, përsëri, autoriteti kontraktor është në pamundësi për të pasur një marrëdhënie kontraktore në përputhje me parashikimet e këtij ligji, edhe në këto raste shpenzimet e transportit u mbulohen drejtpërdrejt nxënësve dhe punonjësve arsimorë përfitues.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.78, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 DHE 8, ZONA “5 MAJI”, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet, si më poshtë vijon:
“Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë dhe shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Shpalljen si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, të zonës “5 Maji”, njësitë administrative 4 dhe 8, Bashkia Tiranë, zonë e re për zhvillim, sipas hartës dhe koordinatave të aneksi nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
3. Në pikën 2, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese në pjesët e sipërfaqes, sipas hartës dhe koordinatave, dhwnw nw aneksin nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për: …”.
4. Pas pikës 2, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Caktimin e “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese në pjesët e sipërfaqes, sipas hartës dhe koordinatave, dhënë në aneksin nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
c) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.”.
5. Harta dhe koordinatat bashkëlidhur vendimit nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me anekset 1, 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2022–2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2022–2024 (PKIE 2022–2024), sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE-së 2022–2024 me institucionet përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian (GNPIE), për çdo kapitull.
3. Institucionet përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian raportojnë çdo javë pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2022–2024.
4. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë, çdo 3 (tre) muaj, në Këshillin e Ministrave dhe te Kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2022–2024.
5. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE 2022–2024.
6. Legjislacioni i BE-së, për masat afatmesme të planifikuara në PKIE 2022–2024, t’i nënshtrohet procedurës së përkthimit dhe miratimit të materialeve të përkthyera, sipas parashikimeve të akteve nënligjore përkatëse.
7. Vendimi nr.90, datë 17.2.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2021–2023”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, në përbërje të grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian, për të cilat në PKIE-në 2022–2024 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT SHTETËROR TË SIGURISË NË OPERIM NË AVIACIONIN CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Programit Shtetëror të Sigurisë në Operim në Aviacionin Civil, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mbrojtjes, Autoriteti i Aviacionit Civil, Autoriteti Kombëtar i Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Ajrore, Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit dhe ofruesit e shërbimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR TË DHËNAT PARËSORE DHE DYTËSORE, QË REGJISTROHEN NË REGJISTRIN ELEKTRONIK TË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, PËR DHËNËSIT E INFORMACIONIT, NDËRVEPRIMIN ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE, SI DHE PËR NIVELIN E AKSESIMIT PËR SUBJEKTET E INTERESUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e rregullave të detajuara për të dhënat parësore dhe dytësore, që regjistrohen në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse, për dhënësit e informacionit, ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave, si dhe për nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse.
2. Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse është një bazë e të dhënave shtetërore, nëpërmjet së cilës grumbullohet informacioni i organizuar dhe i ruajtur në formë elektronike për organizatat jofitimprurëse, ku përpunimi e përditësimi i tij kryhen përmes një sistemi kompjuterik.
3. Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse krijohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe administrohet e mirëmbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përputhje me parimet, kriteret e masat tekniko-organizative të zbatueshme për garantimin dhe menaxhimin e sigurisë në përpunimin e të dhënave personale, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Në këtë projektvendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Të dhëna”, faktet, aktet e informacionet që regjistrohen, njoftohen apo depozitohen në regjistër;
b) “Gjykata”, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
II. PËRMBAJTJA, ADMINISTRIMI DHE RUAJTJA E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT ELEKTRONIK TË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE
5. Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse përmban të dhëna, që lidhen me themelimin, fushën e veprimtarisë dhe çregjistrimin e organizatave jofitimprurëse, çdo ndryshim në status dhe formën e organizimit të tyre, të dhëna që i përkasin atyre lidhur me përfaqësimin, si dhe të dhëna të tjera të parashikuara me ligj.
6. Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse përmban të dhëna, si më poshtë vijon:
a) Për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse janë të detyrueshme këto të dhëna:
i. Emri;
ii. Forma e organizimit;
iii. Data e themelimit;
iv. Të dhënat e identifikimit të themeluesve, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre; Në rastet kur themeluesi është person juridik, të dhënat e detyrueshme për t’u regjistruar janë emri i personit juridik, forma juridike, numri unik i identifikimit, data e themelimit dhe e regjistrimit, selia, emri i përfaqësuesit ligjor të subjektit apo personave përgjegjës për përfaqësimin e subjektit në marrëdhënie me të tretët, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre;
v. Selia;
vi. Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë;
vii. Kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar;
viii. Anëtarët e organeve drejtuese, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen e tyre, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre;
ix. Të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e organizatës jofitimprurëse në marrëdhënie me të tretët, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre;
x. Në rastin e fondacionit, përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues;
xi. Specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë organizatën jofitimprurëse përpara të tretëve.
b) Për regjistrimin fillestar të degëve të organizatave jofitimprurëse të huaja janë të detyrueshme këto të dhëna:
i. Emri i organizatës jofitimprurëse të huaj;
ii. Forma e organizimit të organizatës jofitimprurëse të huaj;
iii. Data e themelimit të organizatës jofitimprurëse të huaj;
iv. Selia e organizatës jofitimprurëse të huaj;
v. Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse të huaj;
vi. Kohëzgjatja e organizatës jofitimprurëse të huaj, në qoftë se është e përcaktuar;
vii. Të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e organizatës jofitimprurëse të huaj, në marrëdhënie me të tretët, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre;
viii. Në rastin e fondacionit të huaj, përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues;
ix. Numri dhe vendi i regjistrimit të organizatës jofitimprurëse të huaj;
x. Vendimi i organit kompetent për hapjen e degës, dokumente dhe akte të tjera shoqëruese të detyrueshme për njoftim apo regjistrim, sipas legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse;
xi. Emri i degës, nëse është i ndryshëm nga ai i organizatës jofitimprurëse të huaj;
xii. Kohëzgjatja e degës, në qoftë se kjo është e përcaktuar;
xiii. Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë së degës;
xiv. Selia e degës;
xv. Të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e degës në marrëdhënie me të tretët, përfshirë dhe aktin për caktimin ose emërimin e përfaqësuesit ligjor të degës së organizatës së huaj, kompetencat e përfaqësimit e afatet e emërimit;
xvi. Specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë degën në marrëdhënie me të tretët.
7. Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse përmban gjithashtu informacione dhe dokumente, si më poshtë vijon:
a) Pasqyra financiare vjetore, të mbajtura sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme;
b) Emërimi i likuidatorit, si dhe të dhënat e tij të identifikimit;
c) Akte të prishjes, të mbylljes apo të shpërndarjes, akte të transformimit, të bashkimit, të ndarjes, hapjes së procedurave të administrimit, likuidimit ose riorganizimit, si dhe aktet e tjera të ndërmjetme, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja regjistrohen edhe aktet e transformimit, të bashkimit, të ndarjes, të hapjes e të mbylljes së procedurave të likuidimit ose të falimentimit të organizatës jofitimprurëse të huaj;
ç) Vende të tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia;
d) Kompetenca të përfaqësimit të organeve drejtuese ose të likuidatorëve;
dh) Emra, mbiemra, datëlindje dhe vlera të kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla);
e) Çdo regjistrim tjetër të detyrueshëm, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
8. Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse përmban edhe të dhëna shtesë (vullnetare), të cilat përfshijnë, por pa u kufizuar në to:
a) emërtimin ose shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë (nëse është/janë i/të ndryshëm/me nga emri i regjistruar i organizatës jofitimprurëse);
b) faqen e internetit, e-mail-in, numrin e telefonit dhe të faksit;
c) vendimet e organeve drejtuese të organizatës jofitimprurëse, si vendimet e pezullimit të veprimtarisë apo vendimet e tjera, të ndryshme nga vendimet e detyrueshme për regjistrim;
ç) të dhëna të tjera, të lidhura me veprimtarinë e organizatës jofitimprurëse.
9. Të dhënat që përmban regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna parësore janë:
i. të dhënat e themelimit e të fushës së veprimtarisë së organizatave jofitimprurëse;
ii. të dhënat e identifikimit, si: forma, emri, numri e vendi i regjistrimit dhe selia;
iii. të dhënat që lidhen me formën e organizimit të organizatës jofitimprurëse;
iv. të dhënat e vendimit të gjykatës për regjistrimin e organizatës jofitimprurëse;
v. në rastin e fondacionit e të qendrës, përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues;
vi. çdo ndryshim në status dhe formën e organizimit të organizatës jofitimprurëse;
vii. të dhënat e çregjistrimit të organizatës jofitimprurëse;
viii. të dhënat për dokumentet shoqëruese/akte dhe informacione që regjistrohen, njoftohen apo depozitohen në regjistër;
ix. të dhënat për organizatat jofitimprurëse të huaja, që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
x. kompetencat e përfaqësimit dhe afatet e emërimit të personave përgjegjës për administrimin e përfaqësimin e organizatës në marrëdhënie me të tretët.
b) Të dhënat dytësore janë:
i. të dhënat referenciare të gjendjes civile, si: numri personal i identifikimit, emri, mbiemri, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia, adresa;
ii. të dhënat referenciare, si: përfaqësuesi, roli i përfaqësuesit, emri i subjektit, tipi i subjektit, NUIS-i, bashkia, adresa, shteti;
iii. të dhënat referenciare nga ndërveprimi me baza të dhënash të tjera, sipas pikës 10, të këtij vendimi.
III. NDËRVEPRIMI ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE DHE NIVELI I AKSESIMIT PËR SUBJEKTET E INTERESUARA
10. Baza e të dhënave e regjistrit elektronik të organizatave jofitimprurëse ndërvepron me baza të tjera të dhënash, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
b) Të dhëna nga Regjistri Tregtar, i administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
c) Të dhëna nga baza e të dhënave “Tatimi elektronik”, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dhe të dhëna nga baza e të dhënave e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore;
ç) Të dhëna nga Regjistri Noterial Shqiptar lidhur me organizatat jofitimprurëse të krijuara me akt testamentar;
d) Të dhëna nga sistemi elektronik për menaxhimin e kontributeve, administruar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
11. Dhënës të informacionit janë:
a) gjykata;
b) subjektet themeluese të organizatave jofitimprurëse;
c) organizatat jofitimprurëse;
ç) autoritetet publike/private që kanë detyrimin në bazë të ligjeve të posaçme.
12. Subjekte të interesuara janë:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
b) prokuroria, Policia e Shtetit apo organe të tjera të hetimit;
c) çdo subjekt tjetër i përcaktuar shprehimisht me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) çdo person i interesuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
13. Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të regjistrit elektronik është, si më poshtë vijon:
a) Veprimet në regjistër kryhen nga sekretaria e regjistrit elektronik. Sekretaria e regjistrit elektronik ka të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi mbi të dhënat e regjistruara në regjistër;
b) Subjektet e interesuara, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 12, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi dhe raportimi mbi të dhënat e regjistruara në regjistrin elektronik;
c) Subjektet e interesuara, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 12, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi të të dhënave të regjistrit elektronik;
ç) Subjektet e interesuara, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikës 12, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi mbi të dhënat e regjistruara në regjistrin elektronik.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
14. Rregulloret për organizimin e funksionimin e brendshëm të regjistrit elektronik të organizatave jofitimprurëse përcaktohen nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përputhje me standardet, rregullat dhe procedurat e përcaktuara sipas nenit 10, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
15. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe organizatat jofitimprurëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I PARKIMIT PUBLIK, LULISHTE E NDRIÇIM”, BASHKIA CËRRIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i parkimit publik, lulishte e ndriçim”, Bashkia Cërrik.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Cërrik.
3. Pronarët kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 1 883 925 (një milion e tetëqind e tetëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e njëzet e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 883 925 (një milion e tetëqind e tetëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e njëzet e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Cërrik.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Cërrik.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është 3 (tre) muaj nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Cërrik.
8. Bashkia Cërrik kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Cërrik.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe bën kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Cërrik.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të Bashkisë Cërrik për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Cërrik, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.523, DATË 22.9.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.523, datë 22.9.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:
a) Në fund të pikës 2 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Ministria e Arsimit dhe Sportit nxit, drejton dhe është përgjegjëse për procesin e botimeve shkollore e kërkimore-shkencore, si dhe të teksteve të veçanta, të cilat i shërbejnë diasporës.”.
b) Në pikën 3, pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Botimi për diasporën.”.
2. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT TË ZGJEDHJEVE TË PJESSHME PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 6 MARS 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 6 mars 2022.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA