Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 07 Shkurt 2018:

 

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E BUXHETIT PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, PËR VITIN 2018

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për vitin 2018, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet  Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURËS PËR PËRCAKTIMIN E FURNIZUESIT TË MUNDËSISË SË FUNDIT ME GAZ NATYROR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Me këtë projektvendim miratohen kushtet dhe procedurat për përcaktimin e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror, të cilat rregullojnë dhe parashikojnë mënyrën e përzgjedhjes së shoqërisë fituese, nga ministria përgjegjëse për energjinë, për ofrimin e shërbimit të furnizimit të mundësisë së fundit me gaz natyror.

a) Këto kushte dhe procedura garantojnë një konkurrencë efektive, transparente dhe jodiskriminuese ndërmjet aplikuesve të interesuar, duke mundësuar dhënien e informacionit paraprak në lidhje me metodologjinë e përcaktimit të tarifave të furnizimit, me përcaktimin e çmimeve dhe ndryshimet e tij, si dhe kushtet kontraktuale përkatëse;

b) Ministria përgjegjëse për energjinë, pas përzgjedhjes së furnizuesit të mundësisë së fundit të gazit natyror, i paraqet për miratim Këshillit të Ministrave projektvendimin për përcaktimin e furnizuesit të përzgjedhur si furnizues i mundësisë së fundit me gaz natyror;

c) Furnizuesi i përzgjedhur i mundësisë të fundit duhet të konsiderohet si personi i caktuar për të siguruar furnizimin e mundësisë së fundit me gaz natyror për klientët fundorë, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një periudhë 3-vjeçare, nga momenti i përzgjedhjes.

 

2. Asnjë dispozitë e kësaj procedure të përzgjedhjes nuk kufizon furnizuesit e gazit natyror, të krijuar me palë të tjera të komunitetit të energjisë, për të konkurruar për ofrimin e furnizimit të mundësisë së fundit me gaz natyror për konsumatorët që banojnë dhe/ose veprojnë në Republikën e Shqipërisë.

3. Furnizuesi i mundësisë së fundit me gaz natyror, i përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, është i detyruar të furnizojë klientët fundorë, të cilët mbeten pa furnizues, kur:

a)  furnizuesi i mëparshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka dalë nga tregu i gazit natyror duke qenë në kushtet e paaftësisë paguese ose është në proces falimentimi;

b) furnizuesit të mëparshëm, në përputhje me ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, i është hequr ose i është pezulluar përkohësisht licenca;

c)  klienti fundor e ka objektivisht të pamundur të gjejë një furnizues në treg, pasi nga furnizuesi i mëparshëm nuk janë aplikuar masa mbrojtëse.

4.  Në këtë vendim, termi “aplikues” nënkupton një furnizues të licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), i cili, në përputhje me këtë vendim, aplikon për të qenë furnizues i mundësisë së fundit me gaz natyror.

Çdo term tjetër në këtë vendim do të ketë kuptimin e përcaktuar në  ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.

 

II. KUSHTET PËR APLIKIM PËR T’U CAKTUAR SI FURNIZUES I MUNDËSISË SË FUNDIT TË GAZIT NATYROR

1. Ministria përgjegjëse për energjinë njofton nëpërmjet një njoftimi, i cili botohet në Buletinin e Prokurimeve Publike, fillimin e procedurës për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror.

2. Shpallja për herë të parë e njoftimit nga ana e ministrisë përgjegjëse për energjinë, për hapjen e procedurës për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror bëhet në konsultim me ERE-n, jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj përpara fillimit të synuar të veprimtarisë së furnizuesit të mundësisë së fundit dhe pasi në tregun e gazit të jetë duke operuar më së paku një furnizues i licencuar i gazit natyror.

Publikimi i radhës i njoftimit nga ana e ministrisë përgjegjëse për energjinë për hapjen e procedurës për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror bëhet jo më vonë se 4 (katër) muaj më përpara se furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror t’i ketë përfunduar afati i caktimit të tij, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

3.  ERE harton rregullat operacionale për furnizuesin e mundësisë së fundit me gaz natyror, si dhe miraton metodologjinë për përcaktimin e tarifave të furnizimit me gaz natyror që do të realizohet nga furnizuesi i mundësisë së fundit me gaz natyror, duke pasur në konsideratë dhe duke respektuar përcaktimet e pikës 12, të nenit 90, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.

4.  Shoqëritë e interesuara për t’u caktuar si furnizues të mundësisë së fundit të gazit natyror kanë të drejtë të aplikojnë në ministrinë përgjegjëse për energjinë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit të bërë nga ministria për hapjen e procedurës përzgjedhëse:

a) I gjithë dokumentacioni i aplikimit dorëzohet në gjuhën shqipe. Dokumentet origjinale të lëshuara në vende të tjera shoqërohen me pullë apostile dhe dorëzohen së bashku me përkthimin e tyre në shqip;

b) Dorëzimi i dokumentacionit nga ana e aplikuesve lejohet deri në afatin e përcaktuar në njoftimin e ministrisë. Dorëzimet me vonesë të dokumentacionit të tenderit nuk merren në konsideratë;

c) Dokumentacioni i dorëzuar nga aplikantët konsiderohet si konfidencial dhe të gjitha të dhënat dhe informacionet e shënuara në të mund të bëhen publike vetëm në rastet e përcaktuara nga ligjet në fuqi.

5. Shoqëria që do të aplikojë për t’u përzgjedhur si furnizues i mundësisë së fundit me gaz natyror duhet të plotësojë kriteret teknike dhe ligjore nëpërmjet dorëzimit të dokumentacionit, si më poshtë vijon:

a) Ekstraktit të regjistrit tregtar, nga Qendra Kombëtare e Biznesit;

b) Kopjes së licencës për furnizimin me gaz natyror në Republikën e Shqipërisë, duke funksionuar i ndarë nga veprimtaritë e tjera të sektorit të gazit natyror;

c) Përshkrimit të kapaciteteve teknike, organizative, profesionale dhe financiare të shoqërisë;

ç) Dëshmisë së nevojshme që shoqëria shet dhe blen gaz natyror nëpërmjet transaksioneve dypalëshe në baza afatshkurtra, por jo më pak se 1 (një) muaj;

d) Vërtetimit se personi juridik i cili bën aplikimin ka përmbushur detyrimet tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lëshuar nga organi tatimor qendror përkatës;

dh)  Dokumenteve që vërtetojnë aftësinë për të garantuar blerjen e sasisë së gazit natyror të nevojshëm për sigurimin e furnizimit me gaz natyror të mundësisë së fundit për klientët fundorë që jetojnë dhe/ose veprojnë në Republikën e Shqipërisë;

e)  Dokumenteve që vërtetojnë se aplikuesi nuk është objekt i procedurave të falimentimit, riorganizimit dhe/ose likuidimit, si subjekt juridik;

ë) Dokumentit që vërteton se personi juridik dhe/ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk është dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, për veprime që lidhen me aktivitetin e shoqërisë;

f)  Dokumentit që vërteton se përfaqësuesi ligjor i personit juridik nuk është në ndjekje penale brenda një periudhe dyvjeçare përpara datës së shpalljes së njoftimit, lëshuar nga prokuroria;

g) Informacionit të detajuar për aktivitetin e tij, bazuar në kërkesat e përgjithshme, të specifikuara në këtë vendim, veçanërisht për:

i. eksperiencën e tij të mëparshme në aktivitetin e furnizimit me gaz natyror dhe kategorinë e klientëve të furnizuar;

ii. datën kur është i gatshëm për fillimin e ushtrimit të funksioneve të furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror.

6. Në njoftimin e ministrisë përgjegjëse për energjinë për hapjen e procedurës për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror jepen edhe kriteret e vlerësimit për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit, duke përcaktuar pikëzimin mbi elementet e kapaciteteve teknike, organizative, profesionale, financiare dhe eksperiencën e shoqërisë së furnizimit.

Njoftimi i ministrisë përgjegjëse për energjinë për hapjen e procedurës për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror përmban edhe rregullat e tregut dhe çdo akt tjetër rregullator për furnizuesin e mundësisë së fundit me gaz natyror, të miratuara nga ERE, si dhe metodologjinë e miratuar nga ERE për përcaktimin e tarifave të furnizimit që do të realizohet nga furnizuesi i mundësisë së fundit.

 

III. PROCEDURAT PËR PËRZGJEDHJEN DHE PËRCAKTIMIN E FURNIZUESIT TË MUNDËSISË SË FUNDIT ME GAZ NATYROR

1. Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhësi i furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror bëhet me një urdhër të posaçëm të ministrit përgjegjës për energjinë. Komisioni i vlerësimit kryesohet nga një drejtues i ministrisë dhe në përbërje të tij ka 7 (shtatë) anëtarë (përfshirë kryetarin) që janë ekspertë nga drejtoria teknike që mbulon sektorin e gazit dhe nga drejtoria juridike, i cili shqyrton nëse dokumentet e depozituara nga aplikuesit janë në përputhje me kërkesat e këtij vendimi.

2. Mbledhjet e komisionit thirren nga kryetari dhe ato janë të vlefshme nëse në të marrin pjesë të gjithë anëtarët e tij. Vendimet e komisionit merren me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij.

3. Njoftimi i mbledhjes së komisionit për të gjithë anëtarët bëhet nga kryetari i komisionit, minimumi 3 (tre) ditë para datës së mbledhjes. Për çdo mbledhje mbahet një procesverbal, ku në çdo rast të mundshëm anëtarët që kanë vendosur kundër mund të shprehin dhe arsyetojnë vendimin e tyre.

4. Anëtarët e komisionit veprojnë në mënyrë transparente, të paanshme dhe jodiskriminuese dhe janë të detyruar të shmangin çdo konflikt të mundshëm interesi në lidhje me aplikuesit e njohur ose të mundshëm ose grupe të tjera interesi në sektorin e gazit natyror.

5. Përpara fillimit të procedurës së vlerësimit të aplikimeve, çdo anëtar i komisionit, përfshirë kryetarin, nënshkruajnë deklaratën e përjashtimit nga konflikti i interesit. Në rast se një anëtar i komisionit të vlerësimit ka lidhje me një aplikant të njohur ose të mundshëm ose nuk arrin të sigurojë pavarësinë e vet nga grupe të caktuara interesi, ai ose ajo i dorëzon kryetarit një shpjegim me shkrim dhe tërhiqet nga veprimtaria përkatëse e komisionit. Procedura e vlerësimit pezullohet deri në caktimin e një anëtari tjetër.

6. Kryetari i komisionit të vlerësimit informon ministrin për çështje problematike në funksionimin e komisionit dhe për ecurinë e procesit.

7. Në rastet kur në aplikimin e paraqitur nga një subjekt mungon ndonjë nga dokumentet ose informacionet e kërkuara, komisioni i kërkon aplikuesit të paraqesë dokumentacionin e munguar, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit për plotësimin e tij.

8. Komisioni i vlerësimit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit të përcaktuar në pikën 4, të kreut II, merr vendim për t’i propozuar ministrit subjektin e përzgjedhur si furnizues të mundësisë së fundit me gaz natyror, që duhet të jetë aplikuesi me pikët më të larta, që zotëron aftësitë më të mira për të kryer detyrimet e furnizuesit të mundësisë së fundit dhe angazhohet për të kryer detyrat sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Në rastet kur asnjë nga aplikuesit nuk është kualifikuar si fitues si dhe në rastet kur në një procedurë të nisur nga ministria nuk është dorëzuar asnjë aplikim/ofertë, komisioni vlerësues mban një procesverbal ku konstatohet ky fakt, si dhe i propozon ministrit riorganizimin e procedurës.

9. Në rast se për vendimin e komisionit, nga ana e një ose më shumë aplikuesve është paraqitur një ankesë pranë ministrit, shqyrtimi dhe kthimi i përgjigjes bëhen nga drejtoria juridike dhe drejtoria përgjegjëse për sektorin e gazit, brenda një periudhe dhjetëditore nga data e paraqitjes. Në rast se ankesa e paraqitur vlerësohet e drejtë, ministri vendos anulimin e vendimit të komisionit dhe kërkon fillimin e procedurave nga e para.

10. Ministri përgjegjës për energjinë, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e propozimit nga komisioni i vlerësimit, urdhëron përgatitjen e projektvendimit për përcaktimin e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror, i cili do të, i cili do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave. Në projektvendim përcaktohen detyrimet ligjore për aktivitetet e furnizuesit të mundësisë së fundit dhe të drejtat e detyrimet e tij, në përputhje dhe respektim të kërkesave të nenit 91, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.

11. Pasi aplikuesi fitues i përzgjedhur konfirmon angazhimin e tij për t’u bërë furnizues i mundësisë së fundit me gaz natyror, ministria, jo më vonë se 3 (tre) ditë pune nga marrja e konfirmimit përkatës, njofton aplikantët e tjerë për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror.

12. Furnizuesi i mundësisë të fundit me gaz natyror, pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet të publikojë në faqen e tij të internetit një njoftim për mundësinë e furnizimit me gaz natyror si mundësi e fundit dhe duhet të njoftojë ERE-n, si dhe operatorët e sistemit të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror për fillimin e aktivitetit si furnizues i mundësisë të fundit.

13. ERE, në përputhje me përcaktimin e pikës 10, të nenit 90, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, harton dhe miraton rregullat e tregut dhe aktet e tjera rregullatore që rregullojnë aktivitetin e furnizuesit të mundësisë të fundit me gaz natyror.

14. Furnizuesi i mundësisë së fundit me gaz natyror:

a) duhet të përmbushë detyrimet sipas ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, kodeve të sistemit të transmetimit e të shpërndarjes dhe çdo akti tjetër të nevojshëm për funksionimin e tij;

b) mund të furnizojë klientin fundor për një periudhë kohore jo më të gjatë se dy muaj;

c) duhet të informojë ministrinë përgjegjëse për energjinë për përfundimin e afatit të caktimit të tij në përputhje me afatet ligjore, por jo më vonë se 4 (katër) muaj më përpara.

 

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Në rastet kur ofruesi i furnizimit të mundësisë së fundit me gaz natyror nuk është më i aftë të vijojë veprimtarinë, furnizuesi informon menjëherë ministrinë përgjegjëse për energjinë dhe ERE-n dhe i ndihmon ato për të garantuar një ofrim të pandërprerë të shërbimit të furnizimit të mundësisë së fundit me gaz natyror:

a) Në ato raste kur ofruesi i furnizimit të mundësisë së fundit me gaz natyror nuk është më i aftë të vijojë veprimtarinë, furnizimi me gaz natyror si mundësi e fundit kryhet nga furnizuesi i gazit natyror i ngarkuar nga ERE me detyrimin e shërbimit publik për kryerjen e këtij furnizimi.

b) Ministria përgjegjëse për energjinë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit nga ERE, publikon njoftimin për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror, sipas dispozitave të këtij vendimi.

2.  Në rastet kur furnizuesi i mundësisë së fundit me gaz natyror po riorganizohet si subjekt juridik, ai i dorëzon ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe ERE-s planin e riorganizimit, që, ndër të tjera, identifikon transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të furnizimit të mundësisë së fundit. Ky transferim bëhet për të garantuar një ofrim të pandërprerë të shërbimeve të furnizimit të mundësisë së fundit me gaz natyror.

Pasardhësi i ligjshëm i furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror, i cili do të duhet të përmbushë të gjitha kriteret e këtij vendimi, vepron në përputhje me të gjitha kërkesat për furnizuesin e mundësisë së fundit dhe ndërmerr përmbushjen e plotë të të gjitha detyrimeve të tij.

3. ERE garanton monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarive të furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror.

ERE informon ministrinë përgjegjëse për energjinë në lidhje me veprimet apo mosdeklarimet nga ana e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror që janë në mospërputhje me detyrimet e tij, bazuar në aktet ligjore të zbatueshme.

4. Furnizuesi i mundësisë së fundit ka detyrimin të përgatitë dhe të publikojë, të paktën 1 (një) herë në vit, një raport, i cili përmban numrin e klientëve fundorë të furnizuar, sasinë e gazit natyror të furnizuar dhe kohëzgjatjen mesatare të furnizimit të mundësisë së fundit. Ky raport vihet në dispozicion të ministrisë, të ERE-s dhe të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

5. Pas propozimit të bërë nga ERE, ministria përgjegjëse për energjinë, pas marrjes së informacioneve të plota lejohet që në çdo kohë të vlerësojë përputhshmërinë e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror me kriteret përkatëse për statusin dhe veprimtarinë e tij.

Në rastet kur furnizuesi i mundësisë së fundit me gaz natyror nuk është i aftë të përmbushë detyrimet e tij në mënyrë të përshtatshme, ministria përgjegjëse për energjinë i propozon Këshillit të Ministrave për heqjen e së drejtës së ofruesit të këtij furnizimi subjektit juridik që e ka marrë këtë të drejtë.

Ministria përgjegjëse për energjinë shpall procedurën e re për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit me gaz natyror, në përputhje me kushtet e këtij vendimi.

6. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2018

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2018 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare”, për mbështetjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, peshkimit, agropërpunimit dhe zhvillimit rural, të përdoret për:

a) rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore, nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të mbjella me kultivarë të kërkuar nga tregu, përmirësimit të teknologjive të kultivimit, certifikimit të produkteve, rritjes e përmirësimit të kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit e përpunimit të tyre;

b) përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara të lindjeve të reja, pagesave për dorëzimin e qumështit cilësor, investimeve në thertore, në pikat e grumbullimit e të përpunimit të produkteve, makineri dhe pajisje në fermat blegtorale;

c) nxitjen e formalizimit dhe kooperimit të prodhuesve nëpërmjet pagesave për furnizimin me input-e dhe pagesave ndaj prodhimit të dorëzuar;

ç) mbarështimin e bletarisë;

d) përmirësimin e menaxhimit të peshkimit;

dh) nxitjen e kultivimit të sipërfaqes së tokës së papunuar;

e) mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

2. Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural të jenë, si më poshtë vijon:

2.1. Për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore:

a) Mbjellje të reja të drufrutorëve dhe bimëve mjekësore dhe aromatike:

i. Mbjellje e mollës me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën           350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për pemëtoret intensive dhe në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për pemëtoret me teknologji të përmirësuara;

ii. Mbjellje e qershisë me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën            250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;

iii. Mbjellje arrash me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën              300 000 (treqind mijë) lekë/ha për mbjelljet me fidanë të shartuar;

iv. Mbjellje e lajthisë dhe shegës me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;

v. Mbjellje gështenje, në vlerën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;

vi. Mbjellje e ullinjve me fidanë autoktonë, në vlerën                            250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 180 000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) lekë/ha, për format tradicionale;

vii. Plotësimi i numrit të bimëve në ullishtet e vjetra/të degraduara, në vlerën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë/ha;

viii. Mbjellje e agrumeve me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha;

ix. Mbjellje vreshti, me kultivarë për rrush tavoline, në vlerën              300 000 (treqind mijë) lekë/ha, dhe vreshta me kultivarë autoktonë për përpunim, në vlerën 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;

x. Mbjellje luleshtrydhesh në serra dhe/ose tunele, në vlerën               200 000 (dyqind mijë) lekë/ha;

xi. Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, të kultivuara, si: timus, rigon, helichrysum italicum, trumza, çaj mali, rozmarinë, xhinxher dhe shafran, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha.

Sipërfaqja e mbjellë me kulturat e përcaktuara në nënndarjet “i-xi”, të kësaj shkronje, të jetë jo më e madhe se 20 ha, sipas kategorive të mëposhtme:

– Për fermerët individualë, jo më pak se 0.5 ha në një bllok të vetëm dhe jo më pak se 0.3 ha, kur i bashkëngjitet blloqeve ekzistuese;

– Për grup-fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm;

– Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim SHBB), jo më pak se 5 ha, ndërsa madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.3 ha, kur nuk është në bllok.

Masa e financimit për sipërfaqe të mbjellë të jetë:

– deri në 5 ha, me 100% të vlerës për hektar;

– mbi 5.0 – 10 ha (5 hektarët e dytë), të  rritet me 25% të vlerës për hektar;

– mbi 10.0 ha deri në 20 ha, të rritet me 50% të vlerës për hektar.

Për fermerët me moshë nga 22 deri në 35 vjeç, masa e financimit të rritet me 25%. Aplikuesi, në çdo rast, duhet të ketë tokën në pronësi private dhe/ose të marrë me qira nga subjekte të tjera që e kanë tokën në pronësi private.

b)  Ndërtim i serrave diellore për kultivimin e domates, kastravecit dhe specit, me sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha.

Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të investimit të përfunduar, por jo më shumë se:

– 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/dynym, për serra me lartësi anësore jo më të vogël se 4 m, përfshirë dhe ujitjen me pika;

– 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë për dynym, për serra me lartësi anësore jo më të vogël se 2.8 m, përfshirë dhe ujitjen me pika.

Masa e financimit për sipërfaqe të jetë:

– nga 0.20 – 0.50 ha me 100% të vlerës për hektar;

– mbi 0.51-1 ha të  rritet me 25% të vlerës për hektar.

c) Përmirësim i teknologjive të kultivimit dhe inovacione:

Masa e financimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për:

i. përmirësimin e teknikave të ujitjes nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume, arrore dhe shegë (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe  jo më pak se 0.5 ha dhe jo më shumë se 5 ha;

ii. instalimin e sistemit të ngrohjes me biomasë (pelet) në serrat me ngrohje, jo më shumë se 280 000 (dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë për dynym. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha;

iii. zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese, sipas specifikimeve të nënpikës 2.1, shkronja “b”, jo më shumë se 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha;

iv. prodhimin e bostanoreve në tunele (mulçerimin dhe mbulimin me plastmasë termikë), jo më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.5 ha dhe jo më shumë se 5 ha;

v. rrjetat për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese të kulturës së mollës dhe qershisë, jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe  jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 5 ha;

vi. polenizimin e kulturave perimore në serra me bletë polenizuese, jo mjaltëdhënëse, jo më shumë se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë/ha, për sipërfaqe jo më shumë se 5 ha;

vii. projektet për sistemet e automatizimit të kontrollit në serra, për efiçencën e energjisë dhe/ose për instalimin e sensorëve të kontrollit të klimës në serra, jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha.

ç) Rritje dhe përmirësim i kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit dhe përpunimit të prodhimit bujqësor dhe peshkimit:

Masa e financimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të investimit të përfunduar për:

i. ambiente grumbullimi dhe ruajtëse frigoriferike për fruta, perime dhe prodhime peshkore (përfshirë dhe akuakulturën), jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për një subjekt;

ii. ambiente grumbullimi për fruta dhe perime, jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për një subjekt;

iii. linja përpunimi/makineri, pajisje për fruta – perime, vaj ulliri dhe verë, jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për një subjekt;

iv. linja seleksionimi, paketimi, pastrimi, përfshirë dhe ambalazhe për fruta, perime dhe bimë mjekësore e aromatike, jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për një subjekt;

v. linja për filetimin, tharjen, tymosjen e produkteve peshkore nga liqenet, jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë nga organizatat e menaxhimit të peshkimit.

d) Certifikim dhe mbrojtje e prodhimeve/produkteve bujqësore për:

i. implementimin dhe certifikimin Global GAP, në masën 50% të  vlerës totale të faturës tatimore, jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për secilin nga produktet e përfshira në nënpikën 2.1, si dhe për lakrën, lulelakrën dhe brokolin për sipërfaqe të mbjellë, por jo më pak se 1 ha;

ii. standardet IFS (Standardi Ndërkombëtar i Ushqimit), BRC (Konsorciumi Britanik i Shitjes me Pakicë) dhe/ose FS (Miqtë e Detit) në stabilimentet e përpunimit të prodhimeve peshkore, në masën 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 325 000 (treqind e njëzet e pesë mijë) lekë për standard për produkt;

iii. fermat organike, për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë, për fermë të certifikuar;

iv. implementimin dhe certifikimin për standardin ISO 22000:2005, për operatorët e biznesit ushqimor, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë se 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë;

v. primin vjetor të siguracionit të prodhimeve bujqësore, në masën 50% të vlerës, por primi të mos kalojë vlerën 4% të totalit të aseteve të siguruara.

2.2. Për përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale:

a) Për krerë të lindur të matrikulluar, për fermat me mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë dhe për fermat me mbi 10 krerë lopë, në vlerën 2 000 (dy mijë) lekë/krerë;

b) Për enë të certifikuara për transportin e qumështit nga ferma në pikat e grumbullimit e të përpunimit, deri në 70% të vlerës për njësi, por jo më shumë se 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë/njësi.

Për masat e përcaktuara në shkronjat nga “c” në “e” të kësaj nënpike, mbështetja të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për:

i. ndërtimin e thertoreve, ambienteve të përpunimit të produkteve blegtorale dhe pajisjeve të nevojshme në to, jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, dhe për rikonstruksion/pajisje në thertoret ekzistuese për plotësimin e  standardeve të legjislacionit në fuqi, jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;

ii. ndërtimin e pikave të reja të grumbullimit të qumështit dhe pajisjeve të nevojshme në to, jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë;

iii. ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve, stabilimenteve për rritjen e shpendëve, si dhe makineri e pajisje për mekanizimin e modernizimin e proceseve të punës në fermat blegtorale me jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imëta, jo më pak se 10 dosa dhe me kapacitet jo më pak se 10 000 shpendë, por jo më shumë se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë;

iv. sistemet ftohëse të qumështit për pikat e grumbullimit dhe/ose përpunimit, jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;

v. përmirësimin e infrastrukturës së tregjeve të kafshëve, jo më shumë se 4 000 000 (katër milionë) lekë për treg;

vi. mbështetjen për dorëzimin e qumështit, lëndë e parë, që plotëson standardet në fuqi, në vlerën 10 (dhjetë) lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat me mbi 15 krerë lopë, kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe raportanalizës laboratorike përkatëse.

2.3. Për mbarështimin e bletarisë, mbështetje me 1 000 (një mijë) lekë për koshere, për ferma me jo më pak se 100 koshere bletë, dhe masa e financimit të jetë jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

2.4. Për përmirësimin e menaxhimit të peshkimit:

a) Mbështetje e pronarëve të anijeve të peshkimit dhe/ose organizatave të menaxhimit të peshkimit deri në 85 000 (tetëdhjetë e pesë mijë) lekë për njësi, sipas faturës tatimore, për sistemet e monitorimit të anijes për pajisjet MTU (Njësi Transmetuese të Sinjalit), të instaluara në bordin e anijeve të peshkimit, për identifikimin dhe lokalizimin e anijeve nëpërmjet satelitit;

b)Mbështetje deri në 70% të vlerës, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për instalimin e bankinave lundruese, nga organizatat e menaxhimit të peshkimit.

2.5. Për nxitjen e formalizimit dhe kooperimit të prodhuesve:

a) Mbështetje për pikat e grumbullimit dhe fermerët për vlerën e fidanëve të domates, specit, kastravecit dhe bostanoreve të shitur ndaj fermerëve, deri në 50% të vlerës së faturës tatimore, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) lekë për fidan. Pika e grumbullimit i paguan fermerit jo më pak se 50% të vlerës së subvencionuar të fidanit.

Pagesa për 50% të vlerës së fidanit, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) lekë ndaj grumbulluesit të kryhet kundrejt faturës tatimore dhe kontratës noteriale të lidhur me fermerët. Pagesa të kryhet kur grumbulluesi autofaturon fermerin për prodhimin e blerë dhe konfirmon pagesën ndaj fermerit.

b) Mbështetje, në vlerën 20 (njëzet) lekë/kg për açuge dhe sardele të peshkuara, ndaj anijeve të peshkimit. Pagesa të kryhet kundrejt sasive të tregtuara në stabilimentet shqiptare të përpunimit të këtyre produkteve, të vërtetuara me fatura tatimore, përfshirë vlerën e TVSH-së.

Në rastin kur anijet janë në pronësi ose të marra me qira nga stabilimentet e përpunimit të peshkut, pagesa të kryhet kundrejt sasive të verifikuara me certifikatë zënieje dhe faturave të shitjes së produkteve të zëna.

2.6. Për fermerët/subjektet që kultivojnë jo më pak se 5 ha tokë bujqësore, në pronësi private ose të marrë me qira nga fermerë të tjerë që e kanë tokën në pronësi private, mbështetja për grurin dhe elbin në vlerën 25 000 (njëzet e pesë mijë)  lekë/ha, ndërsa  për thekrën, tërshërën dhe koçkullën në vlerën  20 000 (njëzet mijë) lekë/ha.

2.7.  Për diversifikimin e aktivitetit ekonomik në zonat rurale:

a)  Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë;

b) Mbështetje për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë;

c) Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;

ç) Mbështetje për makineri dhe pajisje për prodhimin e produkteve tradicionale të zonës deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë;

d) Mbështetje për marketingun (përfshirë linjat e ambalazhimit/paketimit) e produkteve tradicionale të zonës, në 70% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë;

dh) Mbështetje për çdo sipërmarrje të re (start-up) nga individë të moshës nga 22 deri në 35 vjeç, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

Përfitues për masat e përcaktuara në shkronjat “a” deri “dh”, të kësaj nënpike, përveç sa përcaktohet në pikën 3, të këtij vendimi, mund të jenë edhe organizatat jofitimprurëse, të cilat operojnë ose zhvillojnë aktivitetin e tyre në një ose më shumë fshatra, pjesë të programit të 100 fshatrave, sipas Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor,  2014-2020.

Për masën e përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj nënpike, investimet në agroturizëm do të konsiderohen edhe jashtë 100 fshatrave të përcaktuar sipas Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural (Programi i 100 fshatrave).

e) Mbështetje për përmirësimin e kushteve në stane për bagëtitë e imëta (rikonstruksion dhe pajisje me panele fotovoltaike), në 80% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë;

ë) Mbështetje për ngritjen e inkubatorëve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, në 70% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, kundrejt planit të biznesit;

f) Mbështetje në rrjetin e subjekteve të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore të prodhuara në vend, kundrejt planit të biznesit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 2 000 000 (dy milionë) lekë.

Përfitues të masës së përcaktuar në shkronjën “ë” të kësaj pike mund të jenë edhe organizata jofitimprurëse.

3. Përfitues për masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural të jenë fermerë, personat fizikë, personat juridikë dhe SHBB-të.

4. Kriteret, procedurat dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

5. Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2018 të përdoret shuma prej 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekësh, nga të cilat:

• 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, për bashkëfinancimin e projekteve IPA. Përdorimi i këtyre fondeve do të realizohet sipas marrëveshjes përkatëse të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Bashkimit Evropian;

• 5 000 000 (pesë milionë) lekë detyrime, për pagesat e normës së interesave bankare për kontratat e lidhura.

6. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE JOPUBLIKE “JUSTICIA”, TIRANË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Mbylljen e veprimtarisë së shkollës së lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, për të gjitha programet e studimit të ofruara.

2. Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të përgatitë dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit apo përfaqësuesit ligjor, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 16 shkurt 2018.

3. Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të vërë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojë të mbajë kontakte me të deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.

4. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e këtij institucioni jopublik të arsimit të lartë, në zbatim të këtij vendimi, të përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik privat që i përfaqëson. Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, duhet të kthejë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit.

5. Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të arkivojë të gjithë dokumentacionin mësimor, administrativ dhe financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në përputhje me kuadrin ligjor mbi arkivat brenda datës 28 shkurt 2018.

6. Shkolla e lartë universitare, jopublike “Justicia”, Tiranë, nuk duhet të kryejë asnjëlloj veprimi financiar apo lëvizje në llogaritë bankare të institucionit, përveç atyre që kanë lidhje me sa parashikohet në pikën 4, të këtij vendimi. Personi juridik privat, që përfaqëson institucionin privat të arsimit të lartë, të cilit i hiqet licenca, nuk mund të kryejë asnjëlloj ndryshimi të aksioneve apo të kuotave të shoqërisë, aseteve të luajtshme e të paluajtshme të saj, para shlyerjes së detyrimeve të parashikuara në këtë vendim.

7. Vula e shkollës së lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, si dhe shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.307, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR REGJISTRIMIN DHE IDENTIFIKIMIN E PERSONAVE TË SIGURUAR NGA SIGURIMI I DETYRUESHËM SHËNDETËSOR”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 27, pikat 5 e 6, dhe 41,  të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Pika 8, e vendimit nr.307, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, riformulohet, si më poshtë vijon:

“8. Identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor bëhet me anë të dokumentit të identifikimit, nëpërmjet shërbimit të regjistrit elektronik të të siguruarve të fondit ose portalit e-Albania.”.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.825, DATË 7.10.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN, MBYLLJEN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, NË TË CILAT ZHVILLOHEN EDHE LËNDË FETARE APO KU MËSIMI ZHVILLOHET EDHE NË GJUHË TË HUAJ”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4, 5 e 6, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Shkronjat “a”, “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 1, “c”, “e” dhe “ë”, të pikës 2,  shkronja “b”, e pikës 3, shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 4, dhe shkronja “b”, e pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.825, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohen.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

KUFIJTË DHE KRITERET E PËRCAKTIMIT TË SHPËRBLIMIT QË I PËRGJIGJET PAGËS SË PËRFITUAR NË NATYRË DHE QË I SHTOHET PAGËS PËR PUSHIMET VJETORE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 94 e 118, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Punëdhënësit, të cilët, për arsye të kushteve apo të organizimit të punës, nuk mund të sigurojnë lokal për ngrënie, me kushte higjienike të pranueshme (sipas lejes së punës, dhënë nga Inspektorati Shtetëror i Punës), duhet t’i shpërblejnë punëmarrësit për ushqimin që konsumohet gjatë pushimit në ndërmarrje. Masa e shpërblimit është e barabartë me diferencën e çmimit të ushqimit, kur ushqimi përgatitet nga i punësuari ose në kuzhina të përbashkëta me çmimet me pakicë në restorante.

2. Vlera, mënyrat dhe kriteret e dhënies së pagës në natyrë do të jenë, si më poshtë vijon:

a) Kufiri  i vlerës së shpërblimit në formën e pagës në natyrë do të jetë deri në masën 300 (treqind) lekë për një vakt dhe deri në masën 500 (pesëqind) lekë kur trajtohet me më shumë se një vakt për ditë pune;

b) Në kontratën kolektive apo individuale të punës, palët mund të përcaktojnë edhe trajtime të tjera si dhe ndryshimin e kufijve të pagës në natyrë, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit;

c) Shpërblimi në formën e pagës në natyrë mund të jepet në trajtim ushqimor, kupon dhe mall. Në raste të veçanta, kur nuk ekzistojnë mundësitë për dhënien e shpërblimit në asnjë nga këto forma, punonjësit i jepet shpërblimi në para dhe ky shpërblim, për efekte fiskale, trajtohet si paga;

ç) Masa e shpërblimit në formën e pagës në natyrë përcaktohet në kontratën kolektive apo individuale të punës. Në rastet kur paga në natyrë zbritet nga paga e punonjësit, atëherë shuma e këtij shpërblimi për të gjithë muajin nuk mund të kalojë 20 % (njëzet) për qind të pagës mujore.

3. Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë strehim punëmarrësit, në kushtet kur ky i fundit nuk ka mundësi të kthehet në vendbanimin e tij për shkak të largësisë së vendit të punës me qendrën e vendbanimit.

4. Për efekt të llogaritjes së pagës për rastin e pushimeve vjetore, shpërblimi që i përgjigjet pjesës së pagës së përfituar në natyrë përllogaritet si raport i ditëve të punës, gjatë të cilave punëmarrësi ka përfituar pagë në natyrë me numrin e përgjithshëm të ditëve gjatë të cilave ka punuar, shumëzuar me ditët e punës që përfshihen në periudhën e pushimeve vjetore dhe pagën ditore në natyrë, të përcaktuara në kontratën kolektive apo individuale të punës.

5. Vendimi nr.139, datë 14.3.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për kufijtë e përcaktimit të pagës në natyrë dhe kriteret e përllogaritjes së shpërblimit, që i shtohet pagës për leje vjetore”, shfuqizohet.

6. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA  

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.