Mbështetja për ngritjen e pikave të grumbullimit dhe atyre frigoriferike vijon nëpërmjet programit IPARD ku më e fundit është kompania “Riviera”, ambientet e të cilës u vizituan nga kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.
Kjo pikë e ngritur në Kamëz nga katër vëllezër është një kompani model e cila falë punës së palodhur krijon ekonomi jo vetëm për vëllezërit por edhe për punonjësit e saj, pagat e të cilave janë mbi 50 mijë lekë.
“”Riviera shpk” është një kompani përfituese e programit IPARD. Është një investim krejtësisht i ri, nisur nga zero. Kompania e ka kryer investimin në vitin 2021. Gjatë këtij viti, që është viti i parë i funksionimit ka kryer një xhiro rreth 200 milionë dhe është brenda pritshmërisë të biznes planit që ka organizuar, por sigurisht potencialin e ka më të madh”, – tha ministrja Krifca.
Falë mbështetjes me grant përmes programit IPARD, kjo pikë grumbullimi ka ngritur 12 dhoma frigoriferike me një kapacitet prej 7 mijë metër kub, çka e bën një qendër reference jo vetëm për fermerët e Kamzës por të gjithë Shqipërisë.
“Këtu është faza tjetër tani, që duhet të përpunojmë këtu që të mos mbetemi, tani kjo pjesa e sistemit të grumbullimit të eksporteve, të përpunimit, është konsoliduar dhe natyrisht do të zhvillohet, por do ketë si të thuash atë korsinë e vet. Korsia e re tani që është hapur, por do shumë punë tani, është korsia e përpunimit. Të përpunojmë këtu gjithë salcat e reçelrat, kompostot e ingredientët e tjerë që rezultojnë nga përpunimi, në mënyrë që pastaj asnjë kokërr frut apo perime të mos hidhet. Ajo pjesë që nuk është 100% cilësore për eksportin, përpunohet dhe të jetë një vlerë e shtuar”, – u shpreh Kryeministri Rama.