Kantieri i Spitalit Rajonal të Fierit, investim dhe premtim i qeverisë turke në vendin tonë, njeh progres të vazhdueshëm, ditë pas dite. Ky spital do të jetë jo vetëm një spital modern dhe në përputhje me çdo standard europian, por edhe një qendër e transferimit të dijes ku do të zbatohet projekti pilot i autonomisë spitalore, që pastaj do të shtrihet në të gjithë spitalet e Shqipërisë.
Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu dhe me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishin në këtë kantier ku 650 punonjës, 400 turq dhe 250 shqiptarë punojnë njëkohësisht me 3 turne.
“Do të realizojmë për herë të parë modelin e autonomisë spitalore. Standardi i ofrimit të shërbimit do të jetë ekselent. Do të ketë 150 shtretër dhe 20 shtretër të terapisë intensive. Ky spital do të ketë rreth 380 të punësuar mjekë, infermierë dhe punonjës të shërbimeve, ku në vlerësim me palën turke, do të jenë mbi 50 mjekë dhe infermierë që do të vijnë nga Turqia për të na dhënë modelin e për të bërë transferimin e dijeve dhe të teknologjisë, gjithashtu”, – tha ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkohë që rreth fundit të marsit pritet të vijnë pajisjet mjekësore dhe mobilimi spitalor. “Janë 50 persona që vijnë nga Turqia. Menaxherë, shefa pavionesh dhe mjek të specializuar dhe 320 staf shqiptar. Stafi i shërbimeve do rekrutohet nga zona, pastaj për mjekët dhe infermierët do bëhet dhe një rialokim me spitalin e Fierit aktual, por menaxhimi turk do bëjë përzgjedhjen në bazë të një testi special që do bëjnë ata, për të thënë kush do hyjë këtu. Kjo do jetë një fazë e ndërmjetme ku ata do transferojnë gjithë dijen. Pranë menaxherit turk do të qëndrojë një skuadër e vogël ndihmësmenaxherësh shqiptarë. Pastaj do jetë ai që do thotë këtë e keni gati për drejtor, ne po ikim. Po kështu me shefat e pavioneve, me kryeinfermierët. Do jetë një skemë fantastike e transferimit të dijes dhe këtë model do ta shtojmë me autonominë spitalore që do përdoret këtu si pilot, që pagat të jenë paga që varen nga performanca, nga kontributi, jo të gjithë njësoj. Edhe e gjithë skema e transparencës siç e kanë ata. Edhe ata, kur filluan, e kanë pasur mbushur me Tire Turqinë, por, siç e kemi bërë ne, e kanë bërë dhe ata. Filluan me infrastrukturën, sistemuan linjat e furnizimit, sistemuan depot, pastaj kaluan tek Tiret. Me atë kaos që ishte, nuk bën dot autonomi spitalore dhe pa autonomi spitalore nuk shpëton dot nga Tiret. Në bazë të kësaj, gjithë spitalet do t’i çojmë në këtë drejtim”, – nënvizoi Kryeministri Rama.