Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues, fitues të portalit “Mësues për Shqipërinë”:
Përshëndetje të gjithave dhe atyre pak të gjithëve që janë këtu në sallë!
Besoj ju kujtohet disa kohë më parë, kur në rrjetet sociale bënte xhiron videoja e një mësuesi që i thoshte nxënësve “Ismail Kadare ngriti flamurin në Vlorë në vitin 1912”. Nuk ka qenë 100 vjet më parë, ka qenë vetëm pak vite më parë dhe vetëm përpara sesa ne të vendosnim që ta sfidonim sistemin e vjetër dhe të konsoliduar në stafetën e partive të pushtetit për ta konsideruar trupën mësimore si një zgjatim të trupës partiake, pa dashur fare partitë t’ia dinin se për të sistemuar në punë njerëz të devotshëm të familjes së tyre politike, por që nuk kishin lidhje me misionin e mësuesit, tradhtonin prindërit që i votonin dhe mbi të gjitha, tradhtonin ëndrrat, shpresat, dëshirat e qindra, mijëra fëmijëve çdo vit.
Qesha me ministren, se këtu doli një mësuese që unë e njoh nga koha kur kam qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nuk ka lënë gjë pa bërë që unë të mos fitoja zgjedhjet. Por ç’rëndësi ka kjo! E ka bërë si një qytetare e Tiranës, që nuk ka dashur të më shikojë me sy, me të drejtën e vet, ndërkohë që është një mësuese, e cila nxënësve u jep atë që duhet dhe detyrën e saj si mësuese e kryen më së miri.
Si ka mundësi që të mund të biem në kurthin e hakmarrjes, siç ramë për çerekshekulli, duke i kthyer mësuesit si mish për topat e politikës! Duke bërë që asnjë mësues, asnjë mësuese në Republikën e Shqipërisë të mos ndjehej i sigurt, apo e sigurt për vendin e punës. Duke bërë që të gdhiheshe të nesërmen, e degdisur në një shkollë tjetër, pasi ishe ngrysur në një shkollë tjetër, jo për arsye të dijeve të tua, as për arsye të ndonjë vlerësimi të dijeve, por thjesht dhe vetëm për arsyen e mos arsyes së politikës, duke bërë që të ishe në dispozicion sa herë duhej mbushur një sallë për mitingje.
E për më tepër, duke bërë që sistemi i edukimit dhe formimit të mësuesve të të ardhmes të katandisej në një bisht të të gjithë sistemit tonë universitar dhe nxënësit më të dobët të gjimnazeve, me mesatare 5, apo 5.2, 5.5, të turreshin për të zënë vendet në aulat ku përgatiten mësuesit e të ardhmes. Sepse të ishte mësues ishe bishti i fundit i kavallit. Ndërkohë të jesh mësues, do të thotë të jesh qendra e gravitetit të një familjeje që ka fëmijë për të rritur.
Besoj se është legjitime që unë të jem sot krenar, që këtu përpara meje foli një nxënëse e ekselencës nga Shkodra, e cila ka zgjedhur mësuesinë këtë vit, bashkë me 300 nxënës të tjerë të ekselencës. E pamendueshme, e paimagjinueshme, e pakonceptueshme vetëm pak kohë më parë, që nxënësit e ekselencës të shkonin dhe investimin e prindërve të tyre dhe ëndrrat e tyre t’i linin peng në sistemin e marrë fund të mësuesisë, që pastaj pasohej nga sistemi i marrë fund i mësimdhënies.
300 nxënës të ekselencës, që sot janë regjistruar për t’u bërë mësues, janë garancia më e madhe për t’ju thënë të gjithëve, që po, reforma jonë ka filluar të funksionojë dhe Shqipëria që duam, nesër do të jetë 1000 herë më e mirë se Shqipëria që kemi sot. Ndërkohë, ajo që kemi sot është 1000 herë më e mire se ajo që kishim dje për të gjithë ju.
Për të 300 nxënësit e ekselencës që do të fillojnë të studiojnë për t’u bërë mësues, ne do të paguajmë të gjitha shpenzimet. Nuk do të kenë asnjë qindarkë shpenzime për tarifat e universitetit, sepse mësuesit, nga figurantët e mitingjeve të politikës, janë drita në syrin e politikës sonë.
Po kështu, pjesa tjetër që nuk vijnë nga ekselenca janë sidoqoftë nxënës me mesatare mbi 7. Është shumë e lartë, e pamendueshme për shkollat e mësuesisë që ishin bërë magazinat e ngelsave. Ju jeni mësues, e dini shumë mirë, 5-sa, sot është 2-shi i kohës kur zysha që votonte kundër meje mësonte në universitet dhe merrte 10. Pesa sot është fundi i botës dhe me 5-së, të shkosh të bëhesh mësues, është njësoj si me kaçavidë të shkosh të bëhesh dentist e pastaj, lum kush mban radhën për të hyrë në dorën tënde.
Nuk ishte 100 vjet përpara, ishte shumë pak vite më parë, kur bëri xhiron e rrjeteve sociale pamja e arrestimit të një drejtoreje, – një nga rastet e pakta që përforcojnë rregullin se gratë dhe vajzat janë shumë më pak të korruptueshme se burrat dhe djemtë, – që ia gjetën paratë në WC. Paratë e marra nga nëna të reja, apo nga vajza që donin të bëheshin mësuese dhe që nuk kishin asnjë rrugë.
Këtu patëm një dëshmi nga Korça, por unë jam i sigurt që këtu në sallë ka shumë dëshmi të faktit që, përpara se sa të jepej mundësia për të konkurruar përmes portalit, ishte e pamundur të bëheshe mësuese. Tetë vjet pa punë ka qëndruar mësuesja që doli e para në Qarkun e Tiranës në garën e parë që hapëm me portalin për matematikë.
E ka Shqipëria luksin që të mbaje 8 vjet pa punë një mësuese të aftë për të mësuar matematikë, ndërkohë që vendin e saj me siguri e ka zënë dikush që numëronte me dy gishta!
Koston e numërimit me dy gishta e kanë paguar prindërit e të gjithë spektrit të mbështetësve të partive politike. Kështu, partitë i tradhtonin njerëzit që i votonin, duke u bërë zyra qokash dhe klientelash e duke kthyer gjithë sistemin arsimor në një qokë dhe klientelë të madhe, të neveritshme.
Sot, ne jemi një hap tjetër më tutje. Kemi në dorë dhe përpara se të vinim këtu, zhvilluam një diskutim me gjithë ekipin drejtues të Ministrisë së Arsimit për reformën e drejtorive arsimore dhe të zyrave arsimore. Ajo çka është e rëndësishme të thuhet sot, në sezonin e kaluar 2017-2018 u punësuan 4374 mësues që nuk e dinë ku bie dera e zyrës arsimore, por thjesht morën pikët në testimin e portalit dhe në mënyrë automatike u bënë mësues për Shqipërinë. Pa i dhënë llogari kujt, as në portal e as në parti, se për kë votojnë, për kë investohen jashtë ditës së tyre të punës, por duke dhënë vetëm një llogari, llogarinë që keni dhënë të gjitha ju që jeni këtu dhe ata pak të gjithë që janë bashkë me ju, që është llogaria e meritës.
Ajo çka dua t’ju them, është se unë pres nga ju, jo vetëm që të bëni detyrën e mësuesit, por, falë faktit që jeni në punën tuaj në sajë të meritës dhe askush nuk ju lëviz nga vendi që e keni fituar me meritë, ju duhet të na ndihmoni që drejtorët e shkollave, drejtoret e shkollave të bëjnë punën e tyre, ashtu siç ju dhe nxënësit meritojnë.
Dëgjova mësuesen nga Patosi. Ajo është një rast i veçantë i një grupi mësuesesh në Republikën e Shqipërisë që, pavarësisht se është në Patos e dikush tjetër mund të jetë në Malësinë e Madhe, apo në një zonë tjetër, nuk jetojnë në Shqipëri, intelektualisht, por përmes programit eTwinning, të binjakëzimit online të BE, jetojnë në një komunitet europian dijesh dhe përmes përfshirjes në këtë rrjet janë njerëz që kanë një dije të veçantë. Nga njëra anë, ne duhet të bëjmë çmos që këtë grup ta zgjerojmë. Ne duhet të mësojmë prej tyre se si ky grup mund të zgjerohet dhe se sa më shumë mësuese dhe mësues të republikës sonë, pavarësisht se ku janë fizikisht, të jetojnë intelektualisht në botën e dijes europiane përmes e-binjakëzimit. E nga ana tjetër, unë nuk jam i sigurt që drejtori apo drejtorja e shkollës është në lartësinë e mësueses nga Patosi.
Ne do të themelojmë dhe do të vëmë në funksion brenda vitit, besoj, si fillim të procesit, shkollën e drejtorëve. Drejtorët e shkollave duhet të shkojnë në shkollë, të mësojnë se çdo të thotë të jesh drejtor shkolle. Mund të jesh një mësues shumë i mirë, por nuk do të thotë që je një drejtues i mirë shkolle. Është një punë krejt tjetër. Ama asnjë shkollë drejtorësh nuk do të arrijë dot suksesin, nëse ju këtu nuk do të jeni kërkuese dhe kërkues ndaj drejtimit të shkollës. Nëse drejtimi i shkollës nuk do marrë fytyrën e ambicieve dhe të këmbënguljes tuaj, që nuk u dorëzuat përpara vështirësive dhe jeni këtu pjesë e trupës mësimore, sepse e meritoni dhe nuk ia keni askujt për borxh. Nuk ia keni për borxh partisë. Nuk ia keni për nder krushqisë. Nuk ia keni për mllef kujt ju kërkoi lekët. Por thjesht ia keni për borxh vetëm prindërve tuaj, që ju dhanë mundësinë që të bëheni ato që jeni dhe ata që jeni. E pra, njerëz, të cilët janë në vendin e tyre për shkak të meritës, nuk duhet të tolerojnë që të tjerë të shkelin meritën e kujtdo qoftë.
Çka ne po diskutojmë me ministren dhe me të tjerë është krijimi i një komuniteti në rrjet të të gjithë mësuesve të Shqipërisë. Komuniteti ynë është shkolla jonë. Komuniteti i madh për informim. Informim për punën nga ministrja dhe informim për shumëçka ju jeni të detyruar të dëgjoni në këtë mexhelisin tonë ku çfarë nuk thuhet.
Unë vazhdimisht i bëj pyetjen vetes, çfarë mendojnë mësuesit, mësueset, policët, infermieret dhe kushdo tjetër punon për këtë shtet, kur dëgjon se sa të zeza bëj unë në ditë. Çfarë mendon?
Nuk mund të më mjaftojë fakti që njerëzit dinë të mendojnë dhe dinë të ndajnë shpifjen nga e vërteta. Kjo nuk mjafton. Kjo nuk është një çështje e shpifjeje dhe të vërtete. Kjo është një çështje energjish dhe çështje motivimi. E pra, prandaj ne duhet të krijojmë një komunitet ku të mos kemi ndërmjetës, ku të mos kemi filtra, ku të mos kemi përkthyes, ku të mos kemi në mes as kazanët dhe as portalet, por të kemi përballë vetëm njëri-tjetrin dhe ku çdo mësues, nga Tropoja deri në Konispol, të ketë mundësi të thotë fjalën e vet dhe të dëgjohet, ku çdo program i ri të diskutohet, ku çdo nismë të votëbesohet, ku çdo drejtor dhe drejtore të ndihet nën vëzhgim dhe të japë llogari. E në fund të ditës, për çdo gjë që thuhet e që dëgjohet kur lidhet me sistemin arsimor, ju ta merrni shpjegimin drejtpërdrejtë, siç e meritoni, nga drejtuesja më e lartë e këtij sistemi, që është ministrja.
Ju nuk mund të rrini të painformuar kur dëgjoni që ministrja “kriminele” rrëmbeu sigurimet shoqërore të mësuesve, por as nuk mund t’ju mjaftojë dhe as nuk është rruga e duhur thjesht komunikata e përgënjeshtrimit. Këto janë gjëra që janë çështje të komunitetit, të familjes së mësuesve të të gjithë Shqipërisë. Nuk ka rëndësi fare për kë votojnë, por ka shumë rëndësi që gjatë gjithë kohës të dimë kush i drejton dhe për ku po i udhëheq.
Është shumë e rëndësishme që ju të ndihmoni ecurinë e reformës në dy aspekte; Në aspektin e një shpjegimi shumë të thjeshtë, nëse nuk ecim sot me reformat që janë të dhimbshme për gjeneratën e prindërve, nesër, të gjitha kostot e mungesës sonë të kurajës, e mungesës sonë të vendosmërisë dhe mungesës sonë të gatishmërisë për të marrë përsipër sakrifica për gjeneratën tjetër do t’i paguajnë fëmijët e sotëm. Nëse ne nuk duam që nesër të kemi fëmijë si ai djali që bënte xhiron e rrjeteve sociale se s’kishte drita për të mësuar, duhet që sot të bëjmë reformat që e garantojnë këtë.
Reformat patjetër që kanë dhimbje, sepse patjetër është shumë e rëndësishme që ata që e meritojnë të vijnë në vend të atyre që nuk e meritojnë. 400 e ca mësues pa arsimin përkatës nuk mund të rrinë në arsim. Por ata janë prindër. Ata janë njerëz që, kur dalin nga sistemi, kanë nevojë të shkojnë në punë dhe sigurimi në punën e tyre nuk është një llaf goje e kështu me radhë. Por ama të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm që çka bëjmë sot është jo thjesht për sot, është për nesër, sepse, nëse sot shikojmë djem dhe vajza nga 25 apo 30 vjeç që e kanë vështrimin pa fokus, ky është rezultat i faktit që në 20 e kusur vite nuk menduam as si të reformojmë arsimin, as si t’ua japim në dorë fëmijët te dera e shkollës mësuesve që e meritojnë, as si t’i ndajmë disa drejt universitetit, disa drejt arsimit profesional e kështu me radhë.
Është po kaq e rëndësishme, sot që ne i japim libra falas, të shpjegohet pse i duam ne librat mbrapsht në fund të vitit.
Kam dëgjuar komente fantastike. Njerëz që thonë, “po na stresoni fëmijët që të mos hanë librat”.
Pse është stres për fëmijën që t’i thuash, hej, ky që ke në dorë është miku yt më i mirë! Ky që ke në dorë është miku yt më i pazëvendësueshëm. Ky që ke në dorë është miku që nesër mund ta bëjë jetën tënde, jetën që t’i do. Prandaj këtë mik do ta mbash me shumë kujdes.
Fëmijët e kuptojnë. Ata që nuk e kuptojnë janë këta prindërit që stresohen. Stresohen këta, se i mundon ideja që libri mund të ruhet. I mundon, i shqetëson ideja që libri mund të shkarravitet dhe shkarravitja e librit i duket liri, ndërsa ruajtja e librit i duket diktaturë. Kjo duhet shpjeguar. Nuk është çështje lekësh. Nuk është çështje buxheti.
Ne sot japim librat falas për 190 mijë fëmijë. Janë fëmijët nga klasa e parë në të katërtën, por janë dhe të gjithë fëmijët deri në fund të klasës së 12-të që hyjnë në kategoritë e familjeve me nevoja të veçanta. Vitin e ardhshëm do të jetë klasa e pestë dhe brenda këtij mandati, unë shpresoj më shpejt sesa në fund të mandatit, do t’i japim falas për të gjithë fëmijët nga klasa e parë në të nëntë.
Nuk është çështje lekësh. Suedia, vendi më social në botë, modeli që edhe gjermanët thonë nuk e kopjojmë dot, i jep librat falas dhe i kërkon në fund të vitit. Pse, se nuk ka lekë, apo se e ka me hile, siç thonë disa nga këta që zbulojnë të gjitha hilet, se jetojnë vetëm me hile për vete?
Jo, është raporti me librin. Është dashuria për librin. Është respekti për atë objekt, që është ndryshe nga çdo objekt tjetër dhe është lidhja me atë objekt, që në fakt i flet mendjes, i flet zemrës, i flet syrit, iu flet veshëve, i flet të gjithë trupit tënd dhe të bën ty të dallohesh nga të tjerët.
As vendet, as njerëzit nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë. Vende që s’kanë, në kuptimin e pasurive të trashëguara, janë sot shumë më të pasura se vendet që kanë. Izraeli nuk ka një pikë uji, po ka sistemin më ekselent të furnizimit me ujë të pijshëm. Shqipëria ka ujë më shumë sesa të gjitha vendet e Europës, përjashto Norvegjinë dhe ujin e ka problemin më të madh. Sepse është tek mendja, dija. Nuk është në tokë. Është tek libri. Nuk është tek hilja.
Kjo është gjëja që duhet shpjeguar. Ndërkohë sistemi ka nevojë të konsolidohet, për të kuptuar ekzaktësisht se si do të jenë penalitetet për ata që nuk kthejnë librat. Penalitetet nuk janë për fëmijët, janë për prindërit. Janë për këta që stresohen, për këta që me siguri janë kundër që fëmijëve t’u heqim celularët.
Ky vit do të jetë viti i një epoke të re në raport me celularin në shkollë. Nuk do lejojmë celularë në shkollë, as për fëmijët dhe më vjen keq, as për mësuesit. Mësuesit do duhet t’i dorëzojnë në fillim të mësimit dhe t’i marrin në fund të mësimit. Muajin e parë duhet ta bëjmë muaj edukimi. Nga muaji i dytë, celularët merren dhe hidhen në plehra. Nuk i kthehen më atij që e ka sepse janë ndotës të rrezikshëm të mjedisit arsimor. Çfarë bëjmë me lëndët ndotëse me rrezikshmëri të lartë? I varrosim dhe i riciklojmë, nuk ua kthejmë mbrapsht. Njerëzve u themi, vazhdoni përdorini, por jo këtu.
Jam i bindur që ky do jetë një ndryshim i madh.
Ndërkohë po përgatitemi edhe për vendimin që të heqim celularët nga institucionet e shtetit, që janë bërë si klube interneti, të gjitha.
Së fundi, do doja t’u thoja se më vjen shumë mirë që sot kemi 700 mësuese dhe ndonjë mësues, që do të kujdesen për fëmijët me aftësi të veçanta. Kishim zero. I bëmë 300. Sot janë 700. Ju e dini shumë mirë seç do të thotë të kesh një fëmijë me aftësi të veçanta në një klasë me 30 veta. Është e pamundur për ty si mësues, është e pamundur për fëmijën dhe është e tmerrshme për prindin. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm që besoj do sjellë shumë më tepër përmasë sociale në shkollë.
Ajo që ne duhet të bëjmë të gjithë sëbashku është që shkollën në komunitet dhe komunitetin virtual që do të krijojmë, për t’i pasur lidhjet tona në mënyrë të vazhdueshme, pa pasur nevojë që të takoheni fizikisht, njësoj siç mësuesja nga Patosi i ka të vazhdueshme lidhjet me kolegët në Europë dhe as i ka takuar dhe as ka për t’i takuar ndonjëherë, ne duhet të punojmë për një përmasë sociale të shkollës. Duhet të mësojmë nga vende shumë të pasura që përmes shkollave, përmes ushtrisë dhe përmes grupeve të tjera më të vogla, por këto të dyja janë kryesoret, shkollat dhe ushtria, nuk i lënë pas, ata që janë të varfrit fare në komunitetin ku jetojnë.
Nëse shkolla jonë do ketë këtë përmasë sociale, nuk do ketë fëmijë si ai fëmija që bën xhiron e internetit dhe që e panë të gjithë, nuk do ketë familje si familjet që jetojnë në shtëpi të super rrënuara. Shtëpitë e super rrënuara në Shqipëri nuk janë qindra-mijëra, nuk janë as dhjetëra-mijëra, janë shumë më pak dhe është plotësisht e mundur që me komunitetet e shkollave, me prindërit, me mësuesit, me nxënësit, ne t’u japim solidaritet më të varfërve, por t’iu mësojmë fëmijëve tanë se solidariteti për më të varfrit është njësoj si libri, të mëson atë që libri nuk ta mëson dhe kush e mban afër librin dhe nga ana tjetër mban afër njeriun që është në nevojë nuk ka më nevojë për asgjë tjetër. Jeta është e gjitha nën kontrollin e tij.
Duke u ndarë nga ju, besoj se meritoni një sprovë timen dhe ma ha mendja që do të ma toleroni dështimin e mundshëm, sidomos ato që janë këtu mësuese letërsie, por dua të ndahem nga ju duke recituar për ju. Dhe duke ju kërkuar ndjesë atyre që janë në gjininë time, se recitimi nuk është për ta.
Që t’i të vije kaq e bukur
me këta flokë, me këtë hap
toka të egrën klimë e zbuti
dhe akullnajat ktheu mbrapsht
dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe,
të ndodhte ndryshe s’kish se si
u desh të zhdukeshin përbindëshat,
që tek kjo botë të vije ti – (mësuesja e portalit)
Shumë faleminderit!