Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Më 9 janar 2020, Shqipëria do të marrë për herë të parë kryesimin e radhës së OSBE. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vjenë, ku bisedoi pikërisht për këtë ngjarje historike me disa gazetarë shqiptarë, që do të ndjekin zhvillimet e ditës së nesërme.

-Ne për herë të parë  marrim kryesimin e OSBE-së. Ju keni parashtruar dhe disa nga sfidat kryesore që do ketë Shqipëria gjatë këtij kryesimi. Ndër to është dhe çështja e Ukrainës. Cilat do të jenë lëvizjet tuaja konkrete për të arritur negociatat me palët atje për të siguruar një klimë më miqësore?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një arritje fantastike e Shqipërisë duhet thënë. Kjo organizatë është formuar 45 vjet më parë dhe Shqipëria ka qenw jo vetwm vendi i vetëm europian që e refuzoi, por dhe e goditi pa mëshirë që në krijim dhe sot ne jemi me gjithë këtë përgjegjësi për të drejtuar OSBE-në. Natyrisht që nuk jemi të thirrur që të rishpikim OSBE-në apo të rishpikim mekanizmat e OSBE-së, por të çojmë përpara një përpjekje që nuk fillon me ne, nuk mbaron me ne, që bazohet mbi konsensusin në çdo hap. Konsensusi i 57 vendeve, më shumë se 1 miliardë njerëzve, që kuptohet që është një proces jashtëzakonisht kompleks sepse duhet të bien dakord që të gjithë, ndërkohë që për vendet dhe zonat ku ka konflikte dhe ku ka çështje për të trajtuar, përgjithësisht janë dhe vetë anëtarë, kështu që dhe interesat divergjente janë pjesë. Megjithatë, ne kemi bërë shumë punë për detyrat e shtëpisë, për t’u përgatitur. Dhe ministri në detyrë dhe ambasadori kanë bërë një volum pune të madh, dhe skuadra që është ngritur enkas për këtë mision special të një viti ka përballuar një volum të madh pune dhe do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk pretendojmë të zgjidhim nyje që nuk janë zgjidhur me vite të tëra, por të ndihmojmë në progresin për zgjidhjen e tyre.

-Zoti Kryeministër, do të keni një angazhim tashmë në një konflikt të ri që duket në Lindjen e mesme mes SHBA-ve dhe Iranit dhe a rrezikon Shqipëria për shkak të marrjes së muxhahedinëve? A është më e ekspozuar, a ka nivel të shtuar të sigurisë në vendin tonë për këtë çështje?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, kjo është një temë dhe është një çështje që nuk është e re për ne, në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën traditës shqiptare, që është në vazhdën e një aleance strategjike të panegociueshme, të padiskutueshme me Shtetet e Bashkuara, për të mikpritur apo për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. E siç shkruhet dhe në marrëveshjen që ne kemi bërë, ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar, jo politik, humanitar. Ndërkohë që patjetër, ne kemi jetuar në diktaturë, po flisnim pak më përpara dhe ne e dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat, si veprojnë regjimet totalitare e sa janë të obseduar për të kontrolluar gjithçka e për të mbytur çdo zë kundra dhe për të asgjësuar mundësisht çdo kundërshtar në gjithë globin. Shqipëria e diktaturës ishte një vend shumë i vogël me resurse shumë minimale në raport me Iranin dhe kishte një kundërspiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjithë zonat e në gjithë pikat ku kishte armiq të regjimit, armiq të brendshëm siç quheshin. Megjithatë, unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë dhe nuk kemi arsye të besojmë këtë, pikërisht sepse ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna tek inteligjenca, besoj që ata janë të pa konkurrueshëm botërisht dhe si të thuash, në këtë rast, ne jemi në duar të sigurta kur është fjala tek marrja e informacionit dhe nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë, por nga ana tjetër sigurisht që jemi të angazhuar dhe jemi si të thuash, të angazhuar në përditshmëri për këtë proces, patjetër.

-Për t’u kthyer edhe njëherë tek pjesa e Ukrainës. Nga burimet tona, kemi konfirmuar që ju do zhvilloni një vizitë në Rusi, në cilësinë e kreut të OSBE-së. Nuk dimë datën dhe do takoheni me Vladimir Putin apo me ministrin e jashtëm Sergei Lavrov?

Kryeministri Edi Rama: Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE-së dhe është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit kemi bërë dhe harmonizimin e angazhimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE-së me obligimet e brendshme dhe janë disa vizita që do bëhen shumë shpejt. Praktikisht më të shpejtat janë vizitat në Ukrainë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi. Tani, për datat, ne presim konfirmime nga të gjitha palët sepse duhen rakorduar me të gjitha palët.

-Zoti Kryeministër, ju e konsideruat moment historik marrjen e presidencës, por kushtet në të cilat marrim këtë presidencë nuk janë dhe aq të favorshme sikurse në Tiranë keni marrë me vete një krizë të fortë politike, lini pas gazetarë të pakënaqur për ligjin e ri të mediave që janë dhe themelet kryesore të asaj çfarë përfaqëson OSBE-ja. Si do ta kapërceni këtë handikap nëse mund të konsiderohet kështu për të qenë pak më komod ndoshta dhe Shqipëria teksa i drejtohet 56 vendeve të tjera anëtare të OSBE-së.

Kryeministri Edi Rama: Në raport me këtë mision, unë e them pa asnjë zbukurim, ne nuk jemi komod, jemi super komod, jemi super krenarë që kemi ndërmarrë këtë përgjegjësi kaq të madhe dhe që Shqipëria sot është në një pozicion të tillë që është dhe një vlerësim padiskutim, gjë që e relativizon shumë pikturën e krizës dhe të pakënaqësisë politiko, mediatike të Tiranës. Gazetarët e pakënaqur me ligjin, duhet të lexojnë ligjin, por kjo nuk është një çështje e OSBE-së. OSBE-ja e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament dhe si kryetar i qeverisë dhe i maxhorancës, unë them që jemi të gatshëm dhe të ofrojmë kushte, salla leximi, asistencë teknike për lexim që kush është i pakënaqur nga ligji, të lexojë ligjin sepse pakënaqësitë e ekspozuara mua dhe ne na kanë treguar se vijnë si rezultat i mos leximit të ligjit.

Për sa i përket pjesës së krizës së madhe politike, faktikisht është e tejkaluar fjala “e madhe”. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, me, pikërisht, implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE-së. Kështu që, nuk mendoj që në këtë familje prej 57 vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Absolutisht!

-Me kë jeni në një linjë zoti Rama sepse opozita po punon për hesapin e saj një draft për reformën zgjedhore, i cili nuk ka lidhje në pikat kryesore fare me atë çfarë po punon komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të evitoj pyetjen, se nuk e kam problem, por, nuk besoj që keni bërë të gjithë këtë udhëtim deri këtu për të më pyetur për gjëra që mund të më pyesni lehtësisht në Tiranë.

-Për shkak se edhe zoti Greminger u ofrua për të ndërhyrë për të zgjidhur këtë krizë që mund të ketë zgjidhje nga reforma zgjedhore, prandaj është dhe pyetja.

Kryeministri Edi Rama: Unë ju thashë që, ajo që është fakt është që, opozita ka shprehur – ju e keni dëgjuar, se edhe unë me të dëgjuar e kam, se nuk e kam me të takuar, – dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. E në këtë rast kemi një bosht shumë objektiv që s’kemi nga luajmë as njëra palë dhe as pala tjetër dhe kemi dhe ODIHR-in që fare mirë mund të na ndihmojë për të thënë është kështu, apo është ashtu. Kështu që kjo është një bazë e mirë.

-Po rikthehem edhe njëherë te OSBE-ja. Çfarë do bëjë Shqipëria për Kosovën, pasi në dijeninë time është pak e vështirë, duke qenë në krye të OSBE-së, duke pasur Serbinë dhe Rusinë në OSBE, çfarë do të bëjë Shqipëria gjatë këtij viti për Kosovën, si kryetare e OSBE-së?

Kryeministri Edi Rama: Do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar dhe ju thashë nuk e marrim drejtimin e OSBE-së për të rishpikur OSBE-në, as për të rishpikur mekanizmat, qasjen tradicionale, sepse, faktikisht, vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumëkoordinim me të tjerë dhe vendimmarrje që duhet patjetër miratuar nga të tjerët. Pra, nuk është një drejtim i një qeverie në një vend. Në këtë aspekt, sigurisht që ne kemi disa ambicie. Kemi vendosur disa prioritete. Kemi qenë të vëmendshëm që tek vendosja e prioriteteve të mos vendosim prioritete që janë dëshira, por të parealizueshme dhe mendoj që e kemi kapacitetin e duhur që të bëjmë diçka dhe për Kosovën, aq më tepër tani që unë në Prishtinën zyrtare jam “tradhtar”, në Beogradin zyrtar jam “nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”. Kështu që, në këtë aspekt, besoj që kam një pozicion që mund të më shërbejë si chairman in office i OSBE-së.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.