Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Reshjet e dendura të shiut nuk kanë munguar këto ditë në Vlorë, por pavarësisht intensitetit të tyre, largimi i ujit ndryshe nga çfarë ndodhte deri para disa vitesh është i shpejtë, duke rikthyer qytetin në gjendje normale.

Kjo, falë investimeve në rrjetin e ujërave nëntokësore, të cilat ende vijojnë të realizohen në zona kyçe të qytetit. Aktualisht do të vijohet me 3 projektet e fundit që mbyllin zinxhirin e investimeve për kanalizimet dhe lehtësimin maksimal të ngarkesës së ujit në kohë reshjesh intensive.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, pikërisht në bulevardin Ismail Qemali, zonë në të cilën investimet në kanalizime kanë funksionuar më së miri. “Jemi në Bulevardin “Ismail Qemali”. Rrjeti i ujërave nëntokësore, është në funksionalitet të plotë. Investimi i ri ka funksionuar normalisht. Ajo që ne kemi është pjesa tjetër e investimit që do të lidhet me pjesën tjetër të ballinës ku të dyja arteriet kryesore të bulevardit Ismail Qemali, do të shkojnë me këtë investim, të cilin e kemi përfunduar me studion, nën asistencën e firmës që ka realizuar projektin. Kemi zgjedhur dy arterie. Njëra arterie është në krahun e sipërm të rrugës, një arterie është në krahun e poshtëm të saj për të shkuar drejtëpërdrejtë në det, në mënyrë që të mënjanojmë atë rrugën e gjatë që duhet të bëjnë ujërat për të shkuar deri tek hidrovori i qytetit. Është një ndërhyrje me një vlerë maksimumi 600 milionë lekë të vjetra, të cilin jemi duke e diskutuar me donatorët për ta patur pjesë të investimit të ri, në mënyrë që të marrim pjesën e hyrjes së portit, rruga që përmbytet. Sa herë që ndodhin batica ose zbatica në varësi të nivelit të detit, ashtu është dhe niveli i ujërave në territor. E të gjithë këtë e kemi studiuar bashkë me inxhinierët e urbanistikës në bashkinë e Vlorës. “ – shpjegoi Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, i cili shtoi ndër të tjera se “Me këtë projekt të ri me ballinën ujore me gjithë investimin që realizohet në pjesën përreth Muzeut të Pavarësisë përfundojmë problematikën e përmbytjeve në zonën e skelës dhe ajo situatë që krijohet nga reshjet në Bulevardin “Ismail Qemali”.”

Kryeministri Rama theksoi se me përfundimin e tre projekteve të reja do të përmbyllet cikli i sistemimit të plotë të kanalizimeve, duke e përmirësuar edhe më shumë gjendjen. “Gjithë problemi që duhet shpjeguar me durim, është e para që, çështja e përmbytjes së përkohshme që do të thotë mbledhja e ujit, përqëndrimi i ujit për një orë, dy orë në këtë qytet është i lidhur me faktin që nuk është i mbyllur i gjithë cikli i kanalizimeve që garantojnë se nuk do të ketë më asnjë problem, në rast se nuk ka një reshje shumë intensive. Sepse reshja shumë intensive përmbyt dhe Parisin, siç ka ndodhur, përmbyt kudo. Por, ndryshimi i një vendi me kanalizime dhe një vendi me kanalizime të taposura ose të papastruara, është se aty ku funksionojnë tërhiqet uji shumë shpejt, aty ku nuk funksionojnë rri uji me ditë të tëra dhe pastaj pasi ikte uji mbetej balta. Ajo që unë desha të theksoj sot këtu për të gjithë vlonjatët dhe për të gjithë ata që Vlorën e shohin si një shkak për të nxjerrë gjuhën, është që këtu akoma kemi tre projekte, të cilat do të përmbyllin të gjithë ciklin. Ndërkohë që, nga ana tjetër reshjet e këtyre ditëve ishin testi më i mirë për të parë se çfarë progresi është bërë pikërisht me mbrojtjen nga uji në territor.”, – u shpreh kryeministri Rama, duke theksuar gjithashtu se “Në këtë zonë janë pastruar për herë të parë pas 20 e kusur vitesh të gjitha kanalet kritike që krijonin tapat  e ujit dhe nuk lejonin të ikte uji me ditë të tëra, në gjithë pjesën poshtë nga Novosela, etj. Problemi më i madh sigurisht ishte tejfryrja e Vjosës, por mungesa e argjinaturave, mungesa e paneleve mbrojtëse dhe mungesa totale e kapacitetit të kanalizimit për të tërhequr ujin krijonte kënetat që ishin një tmerr.”

Kryeministri siguroi se investime të tilla do të shtrihen jo vetëm në qendrat më të populluara të qyteteve, por edhe në zona më të largëta, duke bërë të mundur që asnjë pjesë e qytetit apo fshatit të mos vuajë nga përmbytjet.

“Natyrisht njerëzit kanë pritur shumë. Dekada të tëra janë shumë, por duhet të kuptojnë dhe duhet tua shpjegojmë se zhvillimi që ne kemi bërë dhe gjithë projektet që ne kemi bërë edhe për pastrimin e kanaleve kulluese dhe për ujësjellës kanalizime ka qenë me faza, bazuar edhe në kapacitetet financiare, kuptohet dhe ka qenë duke u nisur gjithmonë nga primarja, tek sekondarja, tek terciarja ose e thënë ndryshe nga qëndra më e populluar, duke u shtrirë. Ne kemi marrë qëndrat më të populluara edhe në qytet, edhe në njësitë administrative përkatëse dhe pastaj kemi filluar të shtrihemi. Kështu që kjo shtrirje nëse do të ishte e mundur të bëhej me këto kapacitete financiare për një kohë 7 vjet që nuk janë shumë, po krahasojmë me të gjitha dekadat e gjurulldisë dhe shkatërrimit, nuk do të ishte lënë pa bërë. Por duhet durim.” – u shpreh kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.