Kryeministri Edi Rama në takimin publik “Bashkia që Duam” me qytetarë të Vlorës:
Shumë faleminderit për këtë mikpritje!
Duke parë këtë shesh të mbushur, a thua se nesër do të shkonim në votime, mendova se shumë shpejt, në pak vite, ky shesh do duhet të mbledhë të gjithë shqiptarët për 110 vjetorin e Pavarësisë dhe është koha që të fillojmë të mendojmë që si ta largojmë këtë nga sheshi [ndërtesë në shesh]. Unë e di që Sulua ka bërë shumë për Partinë Demokratike, por Sulua është një vlonjat i mirë dhe jam i bindur, do mirëkuptohemi që ky shesh është i Pavarësisë. Ky shesh është i Vlorës dhe i gjithë shqiptarëve. Vlora dhe të gjithë shqiptarët meritojnë që këtu të kenë sheshin më të bukur dhe sheshin e mikpritjes së të tërëve në ditët kur historia kujton Vlorën dhe Vlora nderon historinë.
Ne organizuam këtë takim në kuadrin e ciklit kombëtar të takimeve për Bashkinë që Duam dhe për dreq, dje na bënë reklamë. Kështu erdhën edhe më shumë, sesa ne prisnim këtu. Por ne nuk jemi mbledhur këtu, sepse të tjerë janë mbledhur gjetkë. Ne jemi mbledhur këtu, sepse ne, qëkur kemi marrë votën e qytetarëve, kemi premtuar se do të ecim hap pas hapi me ju, me njerëzit e zakonshëm.
Ne jemi mbledhur këtu, sepse që kur kemi marrë votën tuaj për të qeverisur pa të tjerë në prehër, e kemi pasur të qartë se mund të qeverisim si duhet vetëm nëse nuk ndahemi nga ju, nuk shkëputemi nga ju dhe ju kemi ju para syve në çdo hap që hedhim. Ne jemi këtu, sepse kjo është gjëja që kemi bërë.
Për ne, dëgjimi i njerëzve, vëmendja ndaj njerëzve, të kuptuarit sa më mirë të shqetësimeve, të halleve, të problemeve, por edhe të mësuarit nga njerëzit është pjesë e punës sonë të përditshme.
Sot, sigurisht jemi këtu për të folur për Vlorën dhe Vlora është vendi i duhur për të bërë dallimin, jo vetëm mes të shkuarës dhe të sotmes, por dhe mes të sotmes dhe të ardhmes.
A është kjo Vlora që unë dua?
Jo, nuk është kjo, Vlora që unë dua.
Vlora që unë dua është Vlora ku aeroporti nuk është një zotim, por është një realitet.
Vlora që unë dua është vendi ku porti nuk është një fantazmë e të shkuarës, por është pika e ankorimit të të gjithë aktivitetit turistik që vjen nga deti.
Vlora që unë dua është vendi ku përgjatë gjithë territorit të bashkisë deri në Orikum e Karaburun, lulëzon aktiviteti turistik dhe ku numri i turistëve është shumë herë më i madh, sesa ky që kemi sot.
Vlora që unë dua është vendi ku Sazani nuk është një ishull i harruar, por është një nga pikat më të bukura turistike të Mesdheut.
Vlora që unë dua është vendi ku Kanina nuk është vetëm ajo çka historia dhe poezitë e bëra për Kaninën na frymëzojnë, por është një nga pikat më të bukura të referimit dhe është një nga destinacionet më të shkëlqyera të Mesdheut.
Vlora që unë dua është vendi ku jo vetëm rruga e bën të mundur kalimin përmes gjithë zonës së lumit të Vlorës, por ku në dy krahët e rrugës ka zhvillim, ka agroturizëm, ka pika e pika të tëra referimi për njerëz, që të nisen e të vijnë deri atje për të qëndruar aty, për të shijuar aty, për t’ju gëzuar aty traditës, prodhimeve, mikpritjes së njerëzve të lumit të Vlorës.
Vlora që unë dua është vendi që ofron mundësi për emigrantët, që të kthejnë sytë e jo vetëm të vijnë për vitin e ri, por të rikthehen për të investuar kursimet e tyre në turizëm dhe në agroturizëm, në qytet dhe në fshat dhe për të fituar nga këto investime, shumë më tepër sesa fitojnë nga puna në emigracion.
Vlora që unë dua është vendi ku universiteti dhe konvikti nuk është kështu si sot, por është ashtu siç e kërkojnë me të drejtë studentët e universitetet “Ismail Qemali” dhe studentët e të gjithë Shqipërisë, për të gjitha universitetet dhe të gjitha konviktet e Shqipërisë.
Vlora që unë dua është vendi ku shkolla profesionale është një hapësirë ekselence për të gjithë ata që do të fitojnë zanate e përmes zanateve do të hyjnë në punë e përmes punës do të jenë në gjendje ta mbajnë me nder familjen e tyre.
Vlora që unë dua është vendi ku punësimi nuk është një mundësi vetëm për disa, por është alternativa e vetme për të gjithë.
E pra, nëse e krahasojmë Vlorën që kemi sot, me Vlorën që duam për nesër, jemi shumë larg, por nga ana tjetër, nëse duam të kuptojmë dhe nëse çdo shqiptar që ka sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe mendje për të gjykuar, do të kuptojë se kush është ndryshimi mes nesh që jemi këtu dhe atyre që janë sot në Tiranë, është ndryshimi mes Vlorës sot dhe Vlorës dje.
Vlorës dje, ku nuk gjeje dot se nga të hyje nëse kishte rënë nata dhe nëse ishte ditë, futeshe në një nga qytetet më të bukura të Mesdheut, njësoj sikur të hyje nga porta e pasme e oborrit të një ndërtimi pa leje.
Vlora që kishim dje ishte vendi i errësirës. Ishte vendi ku të gjithë vinin për të ikur, kur të gjithë kalonin për të mos ndaluar. Vendi ku familjet nuk kishin një metër rrugë për të bërë sëbashku, pa rrezikuar të binin në gropë. Vendi ku nuk kishte biznese të reja, nuk kishte shpresë, nuk kishte perspektivë, sepse për vite e vite të tëra, Vlora ishte braktisur, sepse ata që janë sot mbledhur për të përsëritur e përsëritur të njëjtin avaz, e kishin braktisur Vlorën një herë e përgjithmonë.
Por sot, Vlora dhe Shqipëria kanë zot.
Sot, Vlora dhe Shqipëria kanë shumë për të bërë akoma, por kanë sigurinë se janë në rrugën e duhur.
Pyetini të gjithë ata që merren me biznes, në Vlorë apo në Shqipëri, të gjithë ata që kanë hapur një biznes të vogël për të punësuar veten, familjen dhe mundësisht edhe të tjerë, sa taksa paguanin deri dje dhe sa taksa paguajnë sot. Pyetini sa konsum kishte deri dje dhe sa konsum ka sot. Pyetini edhe sa më mirë akoma mund të jetë, por mos harroni t’i pyesni, kush mund ta bëjë më mirë akoma.
Pyetini ata që merren me biznes të madh, si trajtoheshin dje dhe si trajtohen sot. Pyetini sa konsum kishin dje, sa konsum kanë sot. Pyetini edhe sa probleme kanë sot e sa shumë më mirë duan që të jenë nesër, por mos harroni t’i pyesni, kush mund ta bëjë akoma më mirë punën në shërbim të tyre.
Pyetini të gjithë ata që njihni dhe që keni rreth e rrotull, që nuk kanë sigurime shëndetësore, si i merrnin ilaçet deri dje dhe si i marrin sot. Patjetër që pyetini sa shumë halle kanë sot, por mos harroni t’i pyesni, kush mund t’ua zgjidhë gjithë hallet që kanë nesër.
Pyetini prindërit që çojnë fëmijët në shkollë, në klasë të parë, në klasë të dytë, të katërt apo të pestë, sa paguanin për librat deri dje dhe dëgjojini kur t’ju thonë që sot librat e fëmijëve janë falas dhe falas do të jenë deri në klasën e nëntë.
Ashtu sikundër pyetini çiftet e reja, që kanë fatin të sjellin fëmijë në jetë mbas 1 janarit, sa është bonusi për bebet dhe sa ishte deri dje. Është 8-fishuar për beben e parë. Është 16-fishuar për beben e dytë. Është 24-fishuar për beben e tretë.
Mos harroni sidoqoftë, se çfarë mësimi i madh ishte protesta e studentëve, e studentëve të universitetit “Ismail Qemali” dhe gjithë universiteteve të Shqipërisë.
Ishte një mësim i madh për shumë arsye, por unë po ju kujtoj vetëm njërën. Studentët u ngritën në një protestë për të drejta legjitime, por si kurrë më parë dhe si askund, studentët vunë një vijë të kuqe, duke e bërë të qartë që opozita politike nuk kishte vend në protestën e tyre dhe opozitës politike nuk donin t’i shihnin sytë e as bojën. Ndërkohë që në mënyrë të përsëritur, studentët e nënvizuan atë që do të dëgjoni kudo ku do pyesni, nga kushdo që do pyesni: Po, kemi shumë probleme për të zgjidhur; po, kemi shumë halle për të zgjidhur; po, ka shumë e shumë për të bërë akoma, por ama ka vetëm një fuqi që mund t’i zgjidhë problemet, që mund të adresojë hallet e mund të bëjë ato që duhen bërë.
Unë dua t’i siguroj të gjithë studentëve të Shqipërisë se protesta e tyre nuk ishte një çudi që zgjat tre ditë dhe se unë dhe ne nuk do të mjaftohemi vetëm me përgjysmimin e tarifave, apo vetëm me pagesën e bursave për ata që janë më të mirët, ata që janë me ndihmë ekonomike, apo ata që janë në kategori të caktuara problematikash shëndetësore ose sociale. Nuk do mjaftohemi as me bibliotekën dixhitale, nuk do mjaftohemi as me riparimet e konvikteve, por brenda këtij mandati do kemi hapur kantierin më të madh, kantier historik për rindërtimin me themel të të gjithë infrastrukturës së universiteteve, për pajisjen e të gjitha universiteteve me laboratorë dhe me mjete didaktike dhe për pastrimin e universiteteve nga pedagogë sharlatanë, të cilët janë bërë doktorë shkencash në universitetin e doktoreshës që është tani në Tiranë, duke përpjekur të bëjë gjilpëra dhe ndërkohë nuk meritojnë të kapërcejnë pragun e universitetit.
Nga ana tjetër, unë dua t’ju siguroj të dashur miq, sepse sot jemi në Vlorë, nëse në këto katër vite, me Dritan Lelin, ne kemi bërë për Vlorën atë që morëm përsipër, më shumë sesa është bërë në të gjitha vitet e transformimeve demokratike të marra sëbashku, në katër vitet që vijnë do të bëjmë për Vlorën më shumë se në katër vitet që po përfundojnë.
Nëse sot, ju dhe shumëkush që kam takuar vazhdimisht kur vij në Vlorë thotë shprehjen “vërtetë nuk kishim parë gjë”, ju siguroj se nuk keni parë gjë akoma në Vlorë. Do bëjmë për Vlorën, sepse Vlora ka bërë shumë për Shqipërinë, por mbi të gjitha sepse ju që jeni këtu e shumë nga ata që nuk kanë ardhur sot, sepse ne nuk bëmë një muaj përgatitje për të mbledhur njerëzit në shesh, meritoni dhe meritojnë shumë më tepër akoma, por mbi të gjitha, ajo që meritoni ju, ajo që meritojnë shqiptarët dhe që për herë të parë e kanë me qeverinë tonë, është një qeveri që nuk thotë unë i di të gjitha, është një qeveri që nuk e lë pas dere atë që ka një hall, është një qeveri që vihet në lëvizje sapo dikush që nuk ka mik, nuk ka parti, nuk ka para, troket dhe na lajmëron përmes platformës Shqipëria që Duam, që ka nevojë për ne.
Sot këtu, janë disa njerëz që unë dua t’i ftoj, sepse janë pjesë e asaj që për mua është themeli i votës që ne morëm dhe i moralit të qeverisë që kemi, bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm. Jam shumë krenar që kundërshtarët tanë kanë aleatë njëri-tjetrin, për të përsëritur të njëjtët avaze dhe për t’i ofruar shqiptarëve të njëjtat gjullurdi dhe rrëmuja, ndërsa unë dhe ne kemi aleat njëri-tjetrin, Partia Socialiste dhe populli i ndershëm i Shqipërisë.
Unë jam nëna më e vuajtur në Shqipëri. Gjithë jetën u kam shërbyer dy të sëmurëve, dy djemve të mi. Djalin e vogël e çova 31 vjeç. Ka 6 vjet që u nda nga jeta. Të madhin e kam 42. 20 vjet demokraci. Kushedi sa herë u jam drejtuar dhe nuk më është ofruar asnjë majë gjilpëre për dy fëmijët e mi. Një nënë e vuajtur, e robtuar. Djalin e madh kam me probleme shumë të rënda shëndetësore. Për këtë i jam drejtuar Platformës www.shqiperiaqeduam.al. Kisha 42 vite dhe sot platforma www.shqiperiaqeduam.al më ofroi karrocën e djalit, si dhe ambulancën që, sa herë të ketë probleme, ta çoj në spitalin e Tiranës. Ju faleminderit!
Kryeministri Rama: Imagjinoni çfarë ndryshimi, të jesh në podium me doktoreshën, apo të jesh në podium me këtë nënë që ka zgjidhur një hall! Duke folur për shërbimin shëndetësor dhe duke dëgjuar për ambulancën, deri dje helikopteri i Urgjencës ngrihej vetëm për emra të njohur, sot helikopteri i Urgjencës Kombëtare bën qindra shërbime në vit për këdo që ka nevojë të marrë një shërbim urgjence dhe për këdo ku puna nuk pret.
Halli që kisha, ndoshta mund të më ishte zgjidhur shumë më shpejt, sesa kur iu drejtova Platformës www.shqiperiaqeduam.al. Më ishte ngatërruar certifikata në hipotekë. Kisha nga viti 2010 që nuk po më zgjidhej për një godinë që kisha. Iu drejtua djali Platformës www.shqiperiaqeduam.al dhe menjëherë, brenda 5 ditëve, certifikata mu rregullua dhe më erdhi përgjigja me postë në shtëpi. Ju faleminderit juve që na mundësuat këtë.
Kryeministri Rama: Kur dëgjoj këto histori dhe kur i ndjek çdo ditë, – tani ma kanë mësuar të gjithë numrin e telefonit dhe deri në 02:00 të mëngjesit jam në zyrën time në whatsapp ku më shkruajnë lloj-lloj, po më e bukura është kur më shkruan ndonjëri në 03:00 të natës, “daku, ca po bën?” Edhe unë i them, “hiç, ti si je? S’po të zë gjumi?” “Jo, – thotë, – na more në qafë me ato skedinat”, – mendoj sa mijëra njerëz, të cilëve ne ua kemi zgjidhur hallin, janë zvarritur për vite e vite e të tëra dhe jo vetëm nuk e kanë zgjidhur dot hallin, por askush nuk i ka dëgjuar. Sa mijëra të tjerë akoma sot zvarriten dhe ne jemi ende larg së pasuri një administratë, e cila të jetë në lartësinë e dinjitetit, të nderit dhe të nevojës së këtyre njerëzve. Kjo është një tjetër arsye për të thënë që Vlora që unë dua, Shqipëria që unë dua, nuk është kjo që kemi sot, me hipoteka dhe me zyra ku shpeshherë nëpërkëmbja e njeriut të zakonshëm është gjëja më e zakonshme, por nga ana tjetër është e sigurt që, nëse deri dje ishte shumë më keq se sot dhe këta njerëz nuk kishin asnjë derë ku të mund të trokisnin, sot mjaftojnë tre minuta dhe menjëherë kanë në dispozicion qeverinë, kanë në dispozicion ministrin, kryeministrin dhe problemi i tyre zgjidhet.
Që në shkurt, nga ALUIZNI, dokumentet i çova në hipotekë. Aty thoshte për 10 ditë do të të vijë certifikata e pronësisë në shtëpi. Shkurt, mars, qershor te agallarët e hipotekës më thoshin, “është në përpunim dosja”. 4 muaj në përpunim. I shkrova Kryeministrit në e-mail. Vajta në shtëpi dhe më marrin në telefon, më thanë hajde merr certifikatën e shtëpisë.
Kryeministri Rama: Rakia zihet 2 herë, hipoteka ka 4-5 herë zierje të dokumenteve, prandaj ka përpunim të gjatë. Por po më thoshte zonja që hipoteka është 100% më mirë seç ka qenë. Gjithçka në këtë vend është 100% më mirë seç ka qenë, por gjithçka në këtë vend është 100% më keq sesa duhet të jetë. Prandaj ne jemi këtu, që të punojmë, të bashkohemi dhe të bashkëqeverisim që ta bëjmë këtë vend 100% më mirë seç është sot.
Faleminderit shumë Platformës www.shqiperiaqeduam.al, sepse më zgjidhi problemin e pensionit. Kam 34 vite punë dhe merrja pension për 23 vite. Kisha vite që sorollatesha nëpër zyrat e shtetit, por faleminderit shumë Platformës që ma zgjidhi këtë problem.
Kryeministri Rama: Kushdo që ka një problem me çdo zyrë të shtetit të mos ngurrojë të na drejtohet menjëherë, të mos kërkojë rrugë të tjera, të mos kërkojë miq, të mos kërkojë parti, të mos fusë dorën në xhep, por të na drejtohet me Platformën.
Falënderoj Zotin Kryeministrin që bëri të mundur Platformën, për të shprehur problemet ne qytetarët. Prindërit e mi vuanin prej 20 vitesh për ujë në shtëpi. Me të shkruar në Platformë nuk vonoi shumë dhe u zgjidh problemi. Pastaj bëmë një kërkesë për punësim. Unë kam punën time tani. Falënderoj Kryeministrin, stafin e tij që na bënë të mundur që të zgjidhim problemet tona.
Jam emigrant prej 28 vitesh. Kam blerë një pronë në vitin 2010, sipas të gjitha ligjeve të Kushtetutës së Shqipërisë. Jam pajisur me vërtetim pronësie, në atë kohë titulli më i lartë për këtë pronë. Pas 4 vitesh këtë pronë ma ka vjedhur ZRPP-ja Vlorë. Më ka shpronësuar me një vendim gjykate, ku unë nuk kam qenë palë.
Kryeministri Rama: Të falënderoj se më dhe mundësinë të flas për një aspekt që është aspekti më i dhimbshëm i të gjithë kësaj periudhe dhe që ka të bëjë me drejtësinë. Këtu në Vlorë është një nga vatrat më të nxehta. Ne kemi ndërmarrë një Reformë në Drejtësi që askush nuk e imagjinonte dhe deri dje, i gjithë ky popull, të gjithë kazanët, të gjitha diskutimet kanë qenë politikanët dhe askush nuk merrej me gjykatësit, askush nuk merrej me prokurorët. Askush nuk i prekte me fjalë, jo me dorë, ata, të cilët për 20 e kusur vite i kanë bërë këtij vendi atë që të gjithë armiqtë e Shqipërisë të bashkoheshin bashkë nuk do ia kishin bërë dot. Askush! Ishin të paprekshëm.
Çfarë flasim ne për peshq të mëdhenj e për peshq të vegjël?! Peshkaqenët e këtij vendi ishin në krye të sistemit të drejtësisë. Kishin zaptuar të gjitha pikat kyçe dhe bënin ditën dhe natën një pakt me këta që sot me demek do shpëtojnë Shqipërinë nga krimi e nga korrupsioni. Një pakt që ne ju vëmë ju atje, ju na mbroni ne nga drejtësia, pastaj se çfarë bëni me popullin e thjeshtë është puna juaj.
Kjo histori nuk është një. Janë dhjetëra-mijëra histori të tilla. Kështu në Shqipëri, qysh pas fillimit të proceseve demokratike janë vrarë 8 mijë njerëz nga konflikte pronësie. 8 mijë njerëz, luftë më vete, vrarë, plagosur dhe sakatuar.
Në Shqipëri po ndodh ajo që vetëm ne, vetëm Partia Socialiste mund ta bënte, duke ua bërë shumë të qartë atyre xhagajdurëve që kishim në koalicion se ne për Reformën në Drejtësi jemi gati ta prishim dhe koalicionin. E mbani mend, të gjithë ishin kundër dhe pastaj të gjithë erdhën, koka poshtë, dora lart, e votuan me 140 vota Reformën në Drejtësi, se ua mblodhi tjetërkush, jo se kishin ndonjë dëshirë ta votonin.
Sigurisht që padurimi ka arritur kulmin, por mos harroni, janë dhjetëra e dhjetëra nga këta që janë përzënë nga sistemi, ndërkohë që janë të tjerë si ata gjykatësit që i rivranë 4 policët, që mendojnë se meqë nuk e kalojnë dot vetting-un, të marrin çfarë të marrin tani në fund. Prandaj kemi pasur dhe mund të kemi akoma ngjarje të rënda si kjo. Por një gjë të jeni të sigurt, mbajeni mend mirë këtë gjë, sepse koha do ta vërtetojë, këta njerëz nuk kanë mbaruar punë me drejtësinë. Drejtësia që ne duam dhe ajo çka Reforma në Drejtësi synon nuk është thjesht që këta t’i pushojë nga puna, por është që në radhë të parë të pastrohet Pallati i Drejtësisë, të ngrihet një sistem drejtësie i ri, me njerëz me dinjitet dhe këta pastaj do paraqiten një nga një para drejtësisë për të gjitha paudhësitë që kanë bërë. Ashtu sikundër edhe ata të tjerët që iu ka mbirë në gojë krimi, iu ka mbirë në gojë droga, iu ka mbirë në gojë korrupsioni dhe që bëjnë sikur sapo kanë rënë nga qielli. Na tregon ne, doktoresha, blerjen e votës, që, nëse ka një fabrikë që ka blerë vota në Shqipëri, ajo dihet se kush është. Na tregojnë ne, ata, kanabisin. Ata janë thjesht hajduti që bërtet “kapeni hajdutin!”; vrasësi që bërtet “kapni vrasësin!”; përdhunuesi që bërtet “kapni përdhunuesin!” Ata janë në panik, sepse ata e dinë shumë mirë, ata votë nga populli s’marrin dot, por tani kanë dhe hallin tjetër, që drejtësia e re hap pas hapi po vjen dhe shumë prej tyre do të përgjigjen para drejtësisë. Të jeni të sigurt për këtë!
Dje, policia me urdhër të prokurorisë dhe me vendim të gjykatës u shkoi në shtëpi atyre gjykatësve që lehtësuan dënimin e një vrasësi që iu mori jetën 4 policëve. Nuk kishte ndodhur kurrë dhe ndodhi.
Kështu, hap as hapi, gjërat do të ndodhin, por, ju lutem shumë, mos harroni që ne po bëjmë një revolucion shtetndërtues, nuk po bëjmë një udhëtim në det, as po bëjmë një shëtitje në bulevard, as po bëjmë sikur po bëjmë punë. Ne, nga një anë po bëjmë sa mundemi për të transformuar qytetet, për të transformuar zonat me interes strategjik për zhvillimin, nga ana tjetër po bëjmë gjithçka për të transformuar të gjithë strukturën e shtetit. Kjo nuk është një fjalë goje. Nuk është një fjalë goje të ndërtosh një sistem drejtësie nga e para. Nuk është një fjalë goje të ndërtosh një administratë nga e para. Falë protestës së studentëve, edhe këtu në Vlorë, duhet ta dini, çdo vend i lirë pune nuk do jetë vendi i tepsisë, por do jetë vend i studentëve më të mirë.
Duke ju falënderuar nga zemra për këtë mikpritje të jashtëzakonshme, unë edhe njëherë ju them, çka kemi bërë për Vlorën është shumë pak, krahasuar me çka do të bëjmë së bashku për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë!
Shumë faleminderit!