Vora po shënon një transformim total me kantiere të hapura nga qendra urbane në periferitë rurale. Qindra banesa dhe dhjetëra pallate që dolën krejtësisht jashtë funksionimit nga tërmeti presin të zëvendësohen me ndërtime të reja, që do të jenë streha e sigurtë e shumë familjeve të prekura nga tragjedia e 26 nëntorit.
Familjet e prekura do të rikthehen jo vetëm në apartamente të reja, po edhe në lagje me standarde urbane krejt të ndryshme nga ato që ishin më parë.
Në hapësirën ku tashmë janë hapur themelet e pallateve të reja ishte Kryeministri Edi Rama, për t’u njohur nga afër me projektet.
“Kjo është zona ku do të jetë në punë për ndërtimin e infrastrukturës nga e para dhe ndërtimin e 8 pallateve për 107 familjeve. Puna për infrastrukturën ka nisur sot, ndërsa për lotin e pallateve është mbyllur procedura”, – shpjegon ministri për Rindërtimin Ahmetaj.
Në bisedë me ndërtuesit, Nryeministri Rama vlerësoi konceptimin e projekteve dhe u interesua mbi aspekte të veçanta të tyre. “Brenda gjithë hapësirës kemi një zonë që zhvillohet prej 3 hektarësh ku janë të gjitha infrastrukturat nëntokësore, me ujësjellës, kanalizime, kanale të ujërave të shiut, linja elektrike, etj.”, – detajon projektin specialisti i ndërtimit.
Ndërkohë që ministri Ahmetaj fton përfaqësues të opozitës të vizitojnë kantierin dhe të shohin në terren punën që bëhet aty. “Këtu është interesante se përpara disa javësh ka ardhur opozita dhe ka thënë s’do bëhet asnjë punë. Unë, larg cinizmit, do të ftoja një përfaqësues të opozitës që ka dëshirë t’i preki gjërat, – shumë pak prej tyre kanë, – të vijnë në këto turet e inspektimit që ne bëjmë, për të parë realitetin.”
Punën në kantier, Kryeministri Rama e krahasoi me ciklin e qeverisjes. “Puna e kantiereve, – shprehet Kryeministri, – është tamam si cikli qeverisës. Para 7 vitesh, ne e gjetëm tamam si ditën e të nesërmes nga tërmeti nga pikëpamja e ekonomisë, e financave, e rrëmujës në të gjithë llogaritë e shtetit, e borxheve, gropave e pirgjeve me rrënoja në çdo sistem, në shëndetësi, në arsim, në administratë dhe të gjitha. Dhe sot, që jemi në fazën përmbyllëse të mandatit të dytë, është tamam kështu, janë hedhur themelet, janë hapur akset kryesore, vazhdon pastrimi, vazhdon rindërtimi dhe është tamam zgjedhja “të vazhdojë dhe të përfundojë” apo “të kapen ekskavatorët, të kthehen në kioska dhe ato lugët fillojnë të marrin prapë mbrapsht Shqipërinë”.