Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Nëse do të vendosja një ditë të shkruaja një libër kronologjik për historinë e këtij procesi dhe të rreshtoja me besnikëri ç’më më kanë parë sytë e ç’më kanë dëgjuar veshët, në shqip e në anglisht, jam i bindur se nuk do të gjendej një lexues i vetëm që t’u besonte atyre që do lexonte. Por, nuk besoj se do ta shkruaj ndonjëherë librin e kësaj historie të jetuar, në çdo hap, si dëshmitar okular, sepse do të sëkëlldiseshin disa përfaqësues të popullit këtu në sallë, do të trazohej populli i tërë jashtë kësaj salle dhe do të tronditej e gjithë bashkësia e miqve tanë ndërkombëtarë.
Pa ata miq, pa këta miq që po na ndjekin nga ballkonet e Parlamentit, kjo ditë e sotme votimi konsensual për reformën e vonuar 25 vjet nuk do të kishte ardhur kurrë, para se të shuhej më parë fara e një politike të mbrapshtë me 7 koka që jeton duke sharë, apo duke përçarë. Një politikë që e bëri drejtësinë shesh për përsheshet e veta dhe Shqipërinë e bukur mendon vetëm si ta shfrytëzojë padrejtësisht.
Miqtë e saj të dashur mendon vetëm si t’i manipulojë ultësisht. Popullin tonë të torturuar në shekuj mendon vetëm si ta shtrydhë pashpirtërisht në kutinë e votimit, për të siguruar ushqimin e barkut të vet të pangishëm. Ndaj edhe ishte kaq tmerrësisht e vështirë, e për shumëkënd aq e pamundur të nxirrje nga ky parlament tymin e bardhë për një reformë që do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i padrejtësisë.
Prandaj, një falenderim dhe një ndjesë për çdo mik ndërkombëtar të Shqipërisë, që nga ambasadorët e pranishëm këtu në sallë, posaçërisht: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadorja e Bashkimit Europian, të cilët e meritojnë një duartrokitje, jo vetëm falenderimi, por edhe ndjese. E më pas, deri tek Presidenti Obama, Kancelarja Merkel, Presidenti Hollande, Kryeministri Renzi, pa harruar Sekretarin e Shtetit John Kerry, shefen e diplomacisë europiane, Frederica Mogherini, komisionerin Hahn dhe në fund, jo për nga rëndësia, miken e shtrenjtë, Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland.
Një falenderim i gjithëzemërt, sepse këta miq të paçmueshëm i dhanë shprehje një angazhimi të jashtëzakonshëm, si kurrë ndonjëherë në Shqipërinë e këtyre 25 viteve, për t’i çelur popullit shqiptar rrugën që të fillojë dhe ta marrë mbrapsht hakun e ngrënë pabesisht prej 25 vitesh; Drejtësinë!
Jam i bindur se shqiptarët, që sonte ndjekin fundin e kësaj odiseje të gjatë dhe deri para pak orësh, nuk e besonin dot se Reforma në Drejtësi do të bëhej e thellë, e vërtetë, e certifikuar ndërkombëtarisht dhe e miratuar në fund me konsensus, do t’u jenë gjithmonë mirënjohës, miqve tanë të mëdhenj Shteteve Bashkuara dhe Bashkimit Europian, e do t’i mbajnë mend me figurë dhe me emër miqtë e shtrenjtë që sapo lartpërmenda.
Nëse në këtë konsensus, të pamendueshëm për shumëkënd deri disa orë më parë, jemi të gjithë nga pasioni për drejtësi apo jemi, siç thotë populli, një pjesë nga malli dhe një pjesë nga halli, kjo nesër nuk do të ketë pikë rëndësie. Vota e sotme do të çelë siparin e një revolucioni të shumëpritur në drejtësi dhe në rrugën e këtij revolucioni, Shqipëria, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi apo ata që kanë hyrë në arenën e politikës për të shërbyer jo për të rrëmbyer, do të jenë krah për krah me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europain.
Aleatët tanë strategjikë do të jenë tanimë me një rol kushtetues, pjesë aktive e procesit, në çdo hap dhe njerëzit duhet ta dinë dhe duhet të përgatiten se ky proces nuk do të ketë asnjë hap më të lehtë se sa ky që hodhëm sot.
Kjo është arritja më e shëndetshme, më e ndershme, më e drejtë e kësaj reforme. I siguroj të gjithë shqiptarët se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e hekurt e Vetting-ut ku trupat e zbatimit të reformës do të paraseleksiohen dhe do të mbështeten nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Në një luftë të egër, me killerat parelinj të drejtësisë së korruptuar shqiptare dhe me politikën e mbrapshtë e cila nuk do të heqë dorë asnjë ditë apo natë, në përpjekjen e marrë për ta ndalur historinë e re që sapo ka filluar. Por, si Kryeministër i Shqipërisë, dua t’ju kërkoj një ndjesë të thellë po ashtu, aleatëve tanë të paepur në gjithë këtë rrugë, e cila kohët e fundit u kthye në një të përpjetë të rrezikshme, me kthesa të befasishme dhe të pajustifikueshme, të cilat e munduan dhe e stresuan jo pak popullin e etur për drejtësi dhe i habitën e tronditën jo pak miqtë tanë.
Ndjesë, sepse as Shtete e Bashkuara, as Bashkimi Europain e padyshim as ky popull, i lidhur me zemër e me mendje me Europën e Amerikën, nuk e meritonin që në kulmin e këtij procesi historik të shihnin shpërthimin e një vulgariteti sovran, kundër rrezikut amerikan.
Figurat tragjikomike të një politike të trembur, hileqare dhe delirante e cila në kilometrin e fundit të votimit të reformës, humbi çdo sens të realitetit dhe na bëri të gjithëve gazin e botës, është shprehja më kuptimplotë e vlerës së kësaj reforme historike.
Mirënjohje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, shumë faleminderit, Misionit Europian të Drejtësisë, EURALIUS dhe Misionit Amerikan të Drejtësisë, OPDAT, si dhe gjithë ekspertëve të angazhuar në këtë proces kaq të ndërlikuar.
Faleminderit Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafës, roli i të cilit ishte dhe mbetet kyç në këtë proces të saponisur.
Faleminderit, po ashtu, dhe Pandeli Majkos, Vasilika Hysit, Vexhi Muçmatajt, Ulsi Manjas dhe Petrit Vasilit që në rolin e anëtarëve të komisionit, e çuan përpara reformën në emër të shumicës qeverisëse, midis kërcënimeve për tokën e djegur dhe përqeshjeve për “republikën e ekspertëve”.
Sot ka fituar Shqipëria!
Nuk po e zgjas më tej, sepse fjalimet e mia kanë mbaruar dje, kur konsensusi u arrit dhe madje u shpall dhe fitorja nga miqtë tanë opozitarë.
Duke i uruar Partisë Demokratike sa më shumë fitore si ajo e djeshmja, ju ftoj të votoni Reformën.
Natën e mirë!