Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zbriti sot në terren, për të komunikuar me biznesit të vogël mbi uljen historike të taksave të ndërmarra ndonjëherë nga një qeveri shqiptare, në mbështetje të biznesit. Kryeministri Rama u takua me biznesmenë të vegjël në Vlorë, të cilëve u ka prezantuar në detaje politikat e reja fiskale të parashikuara paketën e re 2016; Zerim i taksës për mbi 83 mijë biznese të vogla deri në 50 milionë lekë xhiro në vit, si dhe ulje e taksës mbi fitimin për rreth 16 mijë biznese të tjera me xhiro nga 50 deri në 80 milionë lekë në vit, nga 7.5 në 5%. Kjo ulje e taksave për biznesin e vogël, theksoi Kryeministri, është rezultat i operacionit kundër informalitetit. Kryeministri evidentoi edhe faktin se duke filluar nga viti i ardhshëm kontrollet tatimore do të bëhen nga qendra, duke larguar nga terreni inspektorët. Kjo falë sistemit të teknologjisë së lartë që mbledh të dhënat nga kasat fiskale dhe mbi bazën e të dhënave, sistemi sinjalizon për biznese ku xhiroja bëhet e panatyrshme. Por Kryeministri apeloi zbatimin rigoroz të detyrimit ligjor që bizneset kanë për të dokumentuar çdo blerje që ata bëjnë dhe për të dhënë kuponin për çdo shitje të tyre.  Ky është jo vetëm detyrim ligjor, por edhe moral, njëherësh.

“Jemi në një fazë krejt tjetër dhe faktikisht, operacioni kundër informalitetit është në radhë të parë vendosje e qeverisë dhe shtetit në krahun e të gjithë atyre që janë të rregullt dhe që duan të bëjnë fitim, por duke respektuar ligjin dhe duke hasur një fushë konkurrence të ndershme. Rezultatet kanë qenë shumë inkurajuese dhe faktikisht na kanë sjellë më shpejt nga sa e kishim parashikuar në kushtet kur mund të marrim një hap historik nga pikëpamja e marrëdhënieve mes biznesit të vogël, apo të gjithë atyre që janë të vetëpunësuar me një biznes dhe që punësojnë të tjerë falë iniciativës së tyre të lirë dhe shtetit e administratës tatimore.

Ne kemi vendosur ta bëjmë zero taksën për të gjithë bizneset që kanë një xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë të vjetra. Po ashtu kemi vendosur të bëjmë një ulje të taksës për të gjithë bizneset që kanë një xhiro vjetore midis 50-80 milionë lekë, që do të thotë nga 7,5% shkon në 5%. Faktikisht shkojmë përtej zotimit tonë me fashën e parë. Ju e dini që fasha e parë ka qenë 0-20, tani bëhet deri në 50, pasi zerojmë taksën dhe jemi plotësisht në zotimin tonë në fashën 50-80, sepse përgjysmojmë taksën që deri përpara dy vitesh, ju e kishit 10%. Plus që kishit edhe taksën e biznesit të vogël që ishte një 800 mijë lekësh fiks, që ne e hoqëm që në fillim.

Qeveria ka bërë një lehtësim të jashtëzakonshëm dhe po të shikojmë me radhë brezat e fashave, përfitimi është jo i vogël, duke pasur parasysh ekonominë tuaj familjare. Por, nga ana tjetër, në këmbim ne duam që bashkë me ju të mundësojmë një përshkallëzim të luftës kundër informalitetit dhe bashkë me ju t’i bëhemi barrikadë evazorëve të mëdhenj”.

 

***

Në Vlorë, Kryeministri Rama vizitoi edhe shkollën e mesme të përgjithshme “Mustafa Kemal Ataturk”, të rikonstruktuar dhe të pajisur me mbështetjen financiare të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Laborator informatike dhe laboratorëve të lëndëve shkencore, bibliotekë dhe terrene sportive, të brendshme dhe të jashtme janë ambientet e reja të shkollës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.