Biznesi i vogël në vend është çliruar plotësisht nga tatim-fitimi, TVSH-ja dhe inspektimet në terren, duke i dhënë një frymëmarrje të re aktivitetit të përditshëm. Këtë e dëshmojnë shumë biznese të vogla në Vlorë, që, megjithëse në kohë pandemie, ia kanë dalë më së miri, falë edhe masave lehtësuese të qeverisë në ndihmë të tyre.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot disa biznese të tilla në qytet, sipërmarrësit e të cilëve pohojnë se, ndonëse një vit i vështirë, ata jo thjeshtë mbijetuan, por synojnë të përmirësojnë biznesin e tyre dhe të rrisin pagat e punonjësve.
“Ka shkuar shumë mirë që nga fillimi dhe deri tani, edhe pse për shkak të COVID-it pritshmëritë tona ishin shumë të ulëta, por çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Kjo falë ndihmës dhe përkrahjes suaj. Gjatë pandemisë ndihma juaj ishte paga e luftës dhe tani po na ndihmoni me tatim-fitimin zero. Me këtë ndihmë, biznesi ynë do të kontribuojë për të investuar në lokal dhe për të rritur pagën e punonjësve. U jemi shumë falenderues,” – shprehet një sipërmarrëse e re.
Tashmë edhe inspektimet në terren do të jenë zero, duke shmangur çdo abuzim të mundshëm ndaj biznesit dhe kjo për Kryeministrin Rama është një ndër aspektet më të rëndësishme të kësaj mase. “E kemi diskutuar si një aspekt themelor të kësaj mase, për ta hequr tatim-fitimin dhe TVSH-në për biznesin e vogël, është që t’ju çlirojmë nga çdo lloj presioni të inspektorëve. Kjo është kryesorja, sepse e dini shumë mirë që pavarësisht se, sipas nesh, pjesa më e madhe e tyre bëjnë punën me korrektese, mjaftojnë ata që nuk e bëjnë me korrektesë, për t’i hedhur në lumë përpjekjet, për t’i dhënë biznesit frymëmarrje të lirë gjatë gjithë vitit. Kështu që shpresoj shumë që me këtë jeni përfundimisht të lirë në aktivitet,” – u shpreh Kryeministri, i cili mes të tjerave theksoi se në raportin mes punëdhënësit dhe punëmarrësit duhet të mbizotërojë korrektesa dhe të zbatohet ligji. “Shpresoj shumë që punonjësve t’u rritet paga pak nga pak, hap pas hapi. Sigurisht që do të monitorohet pagesa e rregullt, punonjësit e regjistruar, sigurimet shoqërore e shëndetësore. Këto janë aspektet që nuk do t’i tolerojmë.”
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se me masat e ndërmarra në ndihmë të biznesit synohet që institucioni i tatimeve të jetë në rolin e mbështetësit dhe konsulentit të biznesit “Ne duam që biznesi t’i shohë Tatimet si mbështetje, si konsulencë. Ne e kemi përqendruar punën tonë nga zyra, në mënyrë që monitorimi i biznesit të mos bëhet më në terren me inspektorë, por ta bëjmë nga zyra dhe të jemi konsulentë dhe të shihemi si bashkëpunues, sepse sa më mirë të jeni ju, aq më mirë jemi dhe ne m, aq më shumë i mbledhim të ardhurat. Kjo është gjithë ideja e politikës së mbështetjes së biznesit të vogël,” – u shpreh ajo.
Biznesmenët pohojnë se heqja e tatim-fitimit dhe TVSH-së ishte ndihma më e mirë që iu dha biznesit këtë sezon. “Ky ishte sezon pak i vështirë, por besoj që ja kaluam me sukses. Shpresojmë që viti tjetër të jetë më i mirë dhe të vazhdojmë atë që na stopoi pandemia. Pagat e luftës i kemi marrë që në maj. Ndërsa heqja e tatim – fitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël ishte gjëja më e mirë për ne,” – shprehet njëri prej tyre.
Pikërisht në Vlorë janë 5800 biznese të tilla që do të përfitojnë nga heqja e tatim-fitimit dhe TVSH-së. “E nisëm me biznesin me xhiro vjetore deri në 80 milionë, që bëmë një zbritje të fortë gjysmë për gjysmë të taksës që ishte më parë, që ishte 10%. Pastaj e shtrimë në bizneset me xhiron 120 milionë. Tani e çuam në 140. Deri tek biznesi me xhiro vjetore 100 milionë do të jetë pa taksa, pa TVSH. Ndërsa tek 140 milionë, pa taksa, por me TVSH. Por gjëja më e rëndësishme që duhet thënë përtej kësaj, është që do shpëtoni nga çdo kontroll, inspektim, faturat etj. Vetëm do monitorohet respekti ndaj punonjësit, sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore. Patjetër do të keni në fazën e fiskalizimit atë arkën e llogarive, jo për ju, por për të mos lejuar të mëdhenjtë që t’ju përdorin juve si shkarkues,” – shpjegoi Kryeministri qëllimin e kësaj mase në një prej bizneseve të vogla të qytetit.
Biznesmenët u shprehen të kënaqur gjithashtu edhe për projektet transformuese të qytetit të Vlorës, të cilat do të shtojnë fluksin e turistëve vendas dhe të huaj, duke e bërë më të frekuentuar aktivitetin e tyre tregtar.