Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Deklaratë për shtyp e Zëvendëskryeministres Senida Mesi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

 

Siç jemi zotuar edhe më parë, vazhdojmë të mbajmë premtimin e dhënë në kuadër të planit ambicioz të bashkëqeverisjes me qytetarët dhe lehtësimin e marrëdhënies së qytetarëve me Administratën Publike, duke ofruar shërbime më eficente, të shpejta, nëpërmjet platformës elektronike E-Albania.

Sot, pas vendimit të marrë në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave, listës së shërbimeve dhe dokumenteve të reduktuara dhe të ofruara online në portalin e-Albania të nisura me:

-Reduktimin e përdorimit të certifikatave

-Konfirmimin e gjendjes aktive të mjetit

-Autorizimin për rifitimin e lejes së drejtimit dhe vërtetimin për lejen e drejtimit

-Vërtetimin e pensionit dhe kartës së shëndetit

 

I shtohen dhe:

-Kopjet e kartelave të pasurisë

-Kopjet e fragmentit të hartës kadastrale

-Vërtetimet e pronësisë

Barra e vërtetimit i kalon punonjësve të administratës, të cilët nëpërmjet portalit e-Albania i marrin vetë këto dokumente për nevojat apo procedurat e tyre, duke e çliruar tërësisht qytetarin nga ky proces.

Dua të ndalem posaçërisht në Reduktimin e Përdorimit të Certifikatave, dhe dëshiroj të informoj qytetarët se:

Ju jeni tërësisht të çliruar nga detyrimi për tërheqjen dhe paraqitjen e certifikatave pranë institucioneve publike,  ndaj,  ju lind e drejta që të refuzoni çdo kërkesë që mund t’ju vijë nga punonjës të Administratës Publike!

Ne jemi maksimalisht të angazhuar, për të vijuar më tej shtimin e listës së shërbimeve të ofruara online dhe përmirësimin e procedurave të tilla, por në të njëjtën kohë kërkojmë dhe mirëkuptimin e qytetarëve për ndonjë problematikë teknike që mund të haset gjatë kësaj faze.

Të mos harrojmë, ky është një hap i rëndësishëm përpara në kuadër të zotimit të qeverisë shqiptare për rindërtimin nga themelet të marrëdhënies së shtetit me qytetarin, gjithmonë në favor të këtij të fundit.

Ju faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.