Berati do të ketë shumë shpejt një godinë të re për zjarrfikësen e qytetit, e cila do të plotësojë çdo standard europian, jo vetëm në logjistikë, por dhe në shërbim ndaj nevojave të qytetit. Kryeministri Rama, gjatë vizitës së tij në Berat ku inspektoi një sërë investimesh të reja, ishte edhe në kantierin e hapur të rikonstruksionit të godinës të Shërbimit Zjarrfikës.
“Nëpërmjet këtij projekti, zjarrfikësit e Beratit përfitojnë 2 zjarrfikëse të reja që i ka në dispozicion Bashkia Berat dhe këtyre duke i bashkangjitur dhe 2 zjarrfikëset e reja që ne kemi marrë nga TAP-i. Zjarrfikësja e Beratit është zjarrfikësja më e kompletuar në gjithë Shqipërinë, me godinë të re, veshje të reja të parashikuara për çdo zjarrfikës, katër mjete të reja dhe një godinë krejtësisht të re, e ndërtuar tërësisht me parametra optimalë, që pritet të ofrojë një shërbim shumë herë më të mirë për gjithë banorët e bashkisë”, – shprehet Ervin Demo, kryetari i Bashkisë së Beratit.
Puna për rikonstruksionin e plotë të godinës së zjarrfikëses nuk u ndal as në pandemi, teksa ky investim pritet ta kthejë atë në një aset tjetër të rëndësishëm të qytetit. “Me këtë paketë projektesh të reja ne presim vetëm fundin e kësaj flamës së pandemisë dhe do kemi numra turistësh të shumëfishuar, padiskutim dhe me planin e promovimit të qytetit që shkon paralelisht”, – shprehet Kryeministri Rama.
Ministri i Turizmi dhe Mjedisit Blendi Klosi shton se “investimi i jashtëzakonshëm që po bëhet në rrugën e Drobonikut do lidhë dy qytetet e mbrojtura nga UNESCO, Beratin dhe Gjirokastrën, duke bërë unazën turistike dhe pastaj Berati do ketë komplet një situatë tjetër. Prandaj gjithë këto investime ndihmojnë në infrastrukturën turistike të qytetit, siç është dhe kjo e zjarrfikëses, një qytet me aq shumë popull në momente të caktuara që ka nevojë për një zjarrfikëse të re”.
Investimet në fushën e turizmit nuk kanë munguar në qytetin e Beratit, pavarësisht pandemisë, ku investitorë të huaj dhe vendas nuk kanë ngurruar të ngrenë apo restaurojnë struktura hotelerie të reja. “Për hir të vërtetës, po të shikosh dhe sezonin e fundit turistik, ishte shumë herë më i mirë sesa mund të parashikohej, duke pasur parasysh dhe investitorët e brendshëm dhe gjithë strukturat që menaxhohen nga shqiptarët, që bënë të mundur që të ketë një fluks të madh sidoqoftë. Natyrisht, jo aq të madh sa do të ishte po të ishin dhe të huajt, por një fluks të madh që garantoi jo vetëm mbijetesën, por që prapë të dilnin nga sezoni pa humbje dhe me një fitim të reduktuar”, – thekson Kryeministri.