Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Zëvendëskryeministrja, znj. Ledina Mandija zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm z. Adriatik Llalla. Në këtë takim, znj. Mandija bisedoi me Prokurorin e Përgjithshëm për një bashkëpunim maksimal në ndjekjen me përparësi dhe hetimin e rasteve abuzive, të cilat dëmtojnë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i kërkuar që kjo të formalizohet dhe përmes një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional mes Këshillit të Ministrave, Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

Gjatë bashkëbisedimit, Zv/Kryeministrja nënvizoi rëndësinë e rolit të organit të Prokurorisë, në hetimin e rasteve të përdorimit të  burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për vitin 2017. Znj. Mandija i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë specifike që të hetohet në drejtim të rasteve të përdorimit të burimeve të siguruara nga veprimtaritë e paligjshme.

Prokurori i Përgjithshëm, shprehu vullnetin dhe angazhim maksimal si dhe është dakordësuar për formalizimin e një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional.

Më parë, Zv/Kryeministrja ka realizuar takime edhe me  Kryetarin e KQZ-së dhe  Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil me të cilët është rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.