Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e Zyrës së re të Punës, në Elbasan:

Përshëndetje të gjithëve!

Është e kuptueshme që në këtë event të rëndësishëm për ne dhe për qytetin, të ketë një pjesëmarrje të pazakonshme. Ky është një qark me një nivel papunësie shumë të lartë. Është një papunësi që rëndohet edhe nga kthimi në vijimësi i emigrantëve dhe që e bën qarkun e Elbasanit që  zyrtarisht të renditet i treti, për sa i përket numrit të papunëve dhe po ashtu, të renditet i treti në Shqipëri, pas dy qarqeve në veri, për sa i përket ndihmës ekonomike.

Sigurisht që, Zyra e Punës nuk është një çelës magjik për të zgjidhur problemin dhe për të hapur rrugën e punësimit për të gjithë, por pa asnjë dyshim, është një mundësi e re dhe është një pikëtakimi e munguar, për të bërë të mundur komunikimin mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, posaçërisht në sektorin privat.

Zyra e Punës është një mjet, ndër disa mjete, për të realizuar strategjinë tonë të rritjes së punësimit dhe të punësimit real. Ne dëgjuam, këtu, disa dëshmi njerëzish të zakonshëm që prej shumë vitesh janë endur rrugëve duke kërkuar një punë dhe kjo iu është bërë e mundur vetëm së fundmi, falë Zyrës së re të punësimit, që sot nuk është vetëm një skuadër e re, por është edhe një godinë e re që do të vihet në dispozicion të punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

Nga ana tjetër, unë besoj se po kaq i rëndësishëm është edhe arsimi profesional, për të cilin ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të transformohet një orë e më parë në një instrument të rëndësishëm për punësimin e më të rinjve.

Ne besojmë se Zyrat e Punës janë edhe një shprehje konkrete e marrëdhënies sonë të re me biznesin. Me biznesin si partner i patjetërsueshëm në rrugën e rritjes ekonomike, në rrugën e rritjes së mirëqenies, në rrugën e rritjes së punësimit real. Këto Zyra i ofrojnë biznesit mundësinë për të gjetur me shpejtësi dhe sipas cilësive të kërkuara, njerëzit e nevojshëm për vende të caktuara pune. Ato ofrojnë në tërësi shërbime të rëndësishme për punëkërkuesin. I japin çdo punëkërkuesi mundësinë që të ketë një derë, të ketë veshë për t’u dëgjuar dhe pa asnjë dyshim, të ketë edhe një dorë që e mbështet në vijimësi, deri sa të realizohet gjetja e një pune. E padyshim, këtu në Elbasan është shumë e rëndësishme që ne të ecim paralelisht nga njëra anë me Zyrën e Punës, me krijimin e kushteve që të ketë komunikim të vazhdueshëm mes biznesit që ofron punë dhe njerëzve që duan punë, dhe nga ana tjetër me arsimin profesional, me shkollat profesionale të lidhura me biznesin, që do të na japin mundësinë që ne të krijojmë më shumë kushte për punë reale, si dhe të krijojmë më shumë kushte për të përmirësuar cilësinë e punës.

Dua të ndaj me ju disa shifra që besoj janë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë po ndryshon përmes Zyrave të Punës;

Në vitin 2013, përgjatë gjithë vitit, arritën të punësohen nëpërmjet Zyrave të Punës vetëm 600 persona. 600 persona janë më pak sesa numri i njerëzve që punojnë në rrjetin e Zyrave të Punës. Ndërkohë që vetëm në 1 muaj, në 3 Zyra, në Tiranë, në Durrës dhe në Vlorë u punësuan dyfishi i atyre që deri dje u punësuan në një vit nga të gjitha Zyrat e Punës së Shqipërisë, 1055 persona. Sot, në portalin kombëtar të punësimit, aty ku mblidhen të gjitha ofertat për punë nga sipërmarrjet, kemi arritur në 4000 kërkesa që janë aktualisht nga ana e biznesit dhe që kërkojnë për vende të ndryshme pune, punëkërkues me karakteristika, me profesione dhe me profile të ndryshme. Në vetëm pak javë, në këtë regjistër elektronik, kanë mbërritur nga ana e biznesit 3 herë më shumë kërkesa për njerëz që janë të dispozicion për të punuar, sesa gjithë vitin e shkuar, në gjithë rrjetin kombëtar të punësimit. Mesatarja mujore e pritjes së punëkërkuesve në Zyrat e Punës, për 2013 ishte 3898. Ndërsa në 2014 është dyfishuar, është 6389 dhe është dyfishuar vetëm përmes 4 zyrash pune të ripërtërira, që sot me Elbasanin bëhen 5. Janë 5 Zyra të reja moderne të punësimit, me staf të trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare, falë edhe asistencës që ne marrim nga Agjencia Federale e Punësimit e Gjermanisë dhe që krijojnë mundësi reale për të gjithë ata që realisht duan punë dhe që realisht janë të interesuar që të fitojnë përmes punës. Mesatarja mujore e vendeve të lira të punës, të shpallura për vitin 2013 ishte 1348, ndërkohë që vetëm në muajt e fundit, që janë muajt e parë të 2014, është 2508 dhe është me tendencë për t’u rritur.

Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe duhet të bëjmë çmos që të ecim përpara me vetëdijen se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh; se shteti nuk mund të jetë përgjigja për çdo punëkërkues; se kërkesa e madhe për punësimin që ka sot Elbasani dhe ka gjithë Shqipëria nuk mundet dot të plotësohet me vende pune në shtet.

E kundërta duhet të jetë e vërtetë. Shteti duhet të jetë nxitës i madh i punësimit, përmes nxitjes së sipërmarrjes, përmes rritjes së sektorit privat, përmes transformimit të biznesit në një partner të pandashëm strategjik dhe përmes krijimit të kushteve që mes sipërmarrjes dhe punëkërkuesve të vendoset komunikimi.

Këto Zyra të Punës e bëjnë të mundur këtë. Rezultatet e para fillestare që ne po marrim provojnë që këto Zyra Pune janë një mjet jashtëzakonisht efikas për rritjen e punësimit. Këto Zyra Pune i japin mundësi çdo biznesi që të bëjë prezent nevojat dhe i japin mundësi çdo punëkërkuesi që të regjistrohet, dhe në bazë të mundësive dhe aftësive të veta të vihet në kontakt me një sipërmarrje private dhe të marrë një punë. Shembujt e punësimit të realizuar përmes Zyrave të Punës janë duke u shtuar javë pas jave dhe muaj pas muaji. Unë jam i bindur që edhe në Elbasan, edhe pse Zyra e Punës nuk do të zgjidhë gjithë problemet e punëkërkuesve, në muajt në vijim ne do të kemi shifra të mjaftueshme për të qenë realisht krenar për këtë investim modest, por shumë të rëndësishëm, në përpjekjen për punësim real dhe kundër traditës së tmerrshme të papunësisë së vazhdueshme.

Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe jam shumë shpresëplotë që edhe ky shi do të jetë me bereqet për të gjithë ata që janë në nevojë të veçantë. Për sa përket pastaj Zyrës së Punës, koha do të tregojë që e meriton atë shprehjen e elbasanllinjve “nuk do as men, as kalem, po shif e shkuj”.

Faleminderit!

 

***

Kryeministri Edi Rama vendosi sot, sërish, në qendër të axhendës publike, çështjen e punësimit.  Kryeministri ishte i pranishëm në inaugurimin e Zyrës së re të Punës në Elbasan, nga ku ritheksoi se rritja e punësimit mbetet objektiv parësor i punës së qeverisë dhe se për këtë ka një strategji të qartë. Kryeministri e vuri theksin në rëndësinë që ka forcimi i lidhjes mes zyrave të punës, biznesit dhe formimit profesional, si instrumente të kësaj strategjie.

Kryeministri nënvizoi se konstatohet se rezultatet e para të kësaj strategjie janë të frytshme. Në vitin 2013, në Zyrat e Punës u punësuan 600 persona, ndërsa vetëm në një muaj, në tre zyra u punësuan 1055 vetë. Sot, në Portalin Kombëtar të Punësimit janë regjistruar nga biznesi, 4 mijë kërkesa për të punësuar.

Edhe në mjediset e Zyrës së Punës në Elbasan, Kryeministri u takua me të sapopunësuar nga kjo zyrë, të cilët pohuan se ata vetë janë dëshmi se këto zyra funksionojnë. “Aktualisht punoj në një zyrë avokatie, si asistente dhe jam shumë e kënaqur,” – u shpreh një e re.

Një tjetër dëshmi ishte ajo e një mesogruaje. “Pas shumë kërkesave në Zyrën e Punës mu mundësua një vend pune si vinçiere. Jam shumë e kënaqur,” – u shpreh ajo që dikur ishte punëkërkuese.

Edhe Ministri Veliaj e vuri theksin në rëndësinë e formimit profesional, interesi për të cilin po rritet. “Nga momenti që ne kemi hequr tarifat për qendrat e formimit profesional, u shumëfishua numri i personave që shkojnë dhe marrin pjesë në qendrat e formimit profesional. Vetëm në Tiranë, brenda një viti trajnoheshin në qendrat e profesionale 189 vetë. Vetëm në një nga qendrat tona, në një javë trajnohen mbi 380 vetë,” – u shpreh Ministri Veliaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.