Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në datën 13 dhjetor 2022 u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, nga Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC z. Ilir Beqaj dhe të Ngarkuarës për Evropën Juglindore, Lindore dhe Kaukazin e Jugut pranë Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim znj. Heike Backofen-Warnecke.

 

Negociatat ndërmjet palëve, të cilat u ndërmjetësuan nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj, rezultuan në një angazhim financiar të Qeverisë Federale në vlerën e 74.3 milionë eurove për dy vitet e ardhshme (2023-2024) në fushën e bashkëpunimin bilateral financiar dhe teknik.

 

Gjermania përshëndeti vullnetin e Qeverisë Shqiptare për reforma dhe do të vazhdojë mbështetjen e saj teknike dhe financiare për këto reforma – veçanërisht në sektorët e klimës, energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, arsimit profesional dhe punësimit.

 

Shqipëria dhe Gjermania ritheksuan bindjen e plotë të përbashkët, që bashkëpunimi ndër-rajonal dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për të trajtuar sfidat e përbashkëta ndërkufitare si migracioni, krimi i organizuar, ndotja e mjedisit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi infrastrukturor.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.