THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI / KËRKIM TREGU
Shërbime për Organizimin e Eventeve dhe Mbështetje Logjistike – WP3, Projekti StEP
Agjencia Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC) po zhvillon një proces kërkimi tregu për identifikimin e operatorëve ekonomikë të kualifikuar, të cilët mund të ofrojnë shërbime për organizimin e eventeve, mbështetje logjistike dhe sekretariati, në kuadër të zbatimit të Work Package 3 (WP3) të projektit “EUSAIR Stakeholders Engagement Point (StEP)”.
Projekti StEP përbën një komponent kyç të arkitekturës së mbështetjes për qeverisjen e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), duke synuar forcimin e ndërveprimit ndërmjet aktorëve, përmirësimin e koordinimit të politikave dhe lehtësimin e integrimit të prioriteteve të EUSAIR në programet kombëtare dhe rajonale, përfshirë IPA III.
Nëpërmjet zhvillimit dhe forcimit të Platformës së Aktorëve të EUSAIR (EUSAIR Stakeholders Platform – ESP) dhe promovimit të mekanizmave të strukturuar të përfshirjes, projekti mbështet pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të një game të gjerë aktorësh, përfshirë institucionet publike, akademinë, shoqërinë civile, sektorin privat dhe institucionet financiare.
WP3 luan një rol thelbësor në këtë proces, përmes organizimit të aktiviteteve të dialogut shumëpalësh, grupeve tematike të punës dhe eventeve ndërkombëtare, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit, gjenerimin e ideve për projekte dhe mbështetjen e zbatimit të Planit të Veprimit të EUSAIR.
Në këtë kuadër, operatori ekonomik i përzgjedhur do të mbështesë hartimin, koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve të WP3, përfshirë evente fizike, hibride dhe online, duke garantuar standarde të larta logjistike, teknike dhe organizative në përputhje me kërkesat e BE-së.
Detyrat
Operatori ekonomik pritet të:
- Mbështesë dizajnimin dhe planifikimin e eventeve, përfshirë strukturimin e axhendave dhe sesioneve;
- Sigurojë mbështetje logjistike dhe operacionale për eventet (koordinim ambientesh, regjistrim pjesëmarrësish, komunikim);
- Menaxhojë platformat online dhe hibride dhe të garantojë realizimin teknik të eventeve;
- Koordinojë pjesëmarrësit, folësit dhe aktorët e përfshirë;
- Ofrojë mbështetje për facilitim dhe moderim, përfshirë përdorimin e mjeteve interaktive;
- Sigurojë zhvillimin e qetë të eventeve, përfshirë zgjidhjen në kohë reale të problematikave teknike;
- Mbështesë organizimin e grupeve tematike të punës dhe ndjekjen e veprimeve pasuese;
- Përgatisë raporte, përmbledhje dhe dokumentacion të aktiviteteve;
- Mbledhë dhe analizojë feedback-un e pjesëmarrësve;
- Mbështesë aktivitetet e komunikimit, shpërndarjes dhe vizibilitetit në përputhje me kërkesat e BE-së.
Operatori ekonomik mund të angazhohet gjithashtu në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare, si evente flagship, punëtori dhe iniciativa pjesëmarrëse që përfshijnë një gamë të gjerë aktorësh, përfshirë të rinjtë dhe komunitetin akademik.
Kriteret
Operatorët ekonomikë të interesuar duhet të dëshmojnë:
- Eksperiencë të provuar në organizimin e eventeve ndërkombëtare dhe shumëpalëshe;
- Eksperiencë në projekte të financuara nga BE ose në mjedise institucionale;
- Kapacitet për menaxhimin e eventeve fizike, hibride dhe online;
- Eksperiencë në mjedise multikulturore dhe ndërkombëtare;
- Referenca nga angazhime të ngjashme;
- Kapacitete të mira organizative dhe teknike;
- Aftësi për të operuar në gjuhën angleze (me shkrim dhe me gojë);
- Njohuri mbi EUSAIR ose iniciativa të ngjashme përbëjnë avantazh.
Vendi i Zbatimit
Aktivitetet do të zhvillohen në Shqipëri dhe në vendet e rajonit EUSAIR, ose online, në varësi të formatit të eventeve.
Afatet
Kjo thirrje për shprehje interesi është e hapur nga data 10 Prill – 24 Prill 2026.
Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 24 Prill 2026, ora 16:00.
Kohëzgjatja e kontratës pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2027.
Numri i parashikuar i eventeve gjatë kësaj periudhe është gjashtë (6) evente.
Aplikimi
Operatorët ekonomikë të interesuar ftohen të paraqesin:
- Një profil të shkurtër të kompanisë, përfshirë eksperiencën dhe referencat përkatëse;
- Një shprehje interesi, që përshkruan qasjen dhe përshtatshmërinë për këtë angazhim;
- Një konfirmim mbi interesin dhe disponueshmërinë për të marrë pjesë në një procedurë të mëtejshme prokurimi.
Aplikimet duhet të dërgohen në adresën: info@saspac.gov.al