Mbi 10 mijë qytetarë janë vaksinuar në Qarkun e Korçës kundër virusit COVID-19. Ndërkohë që procesi i vaksinimit masiv vijon me ritme të kënaqshme në të gjithë vendin, si në qendrat e qyteteve, edhe në qendrat shëndetësore në fshatra. Në të njëjtën kohë vijon edhe mbërritja e sasive të tjera të vaksinave.
“Kemi arritur në mbi 150 000 të moshuar të vaksinuar deri më tani ndërkohë që gjithsej vaksinime janë mbi 206 mijë”, – u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shoqëroi Kryeministrin Rama në qendrën e vaksinimit në Korçë ku për sot janë planifikuar të vaksinohen mbi 300 të moshuar.
“Kini pak kujdes këto ditët e para sa të krijohen antitrupat”, – ishte këshilla e Kryeministrit për gjyshet dhe gjyshërit që morën dozën e vaksinës.
Në gjithë vendin procesi i vaksinimit vijon me ritme të larta edhe me efektivët e Policisë së Shtetit.
“Dje kanë mbërritur dozat e Pfizer, ndërkohë që deri më 20 prill priten 22 230 doza dhe më tej, përgjatë fundit të prillit vijon kontrata me Pfizer për dozat e tjera”, – theksoi ministrja Manastirliu.
Procesi i vaksinimit do të vijojë edhe me grupmoshën 65 plus dhe të sëmurët kronikë.