Një e shtunë sportive ishte për Kryeministrin Edi Rama dita e sotme. Në fillimditë, me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Kryeministri Rama iu drejtua fushave të reja sportive në parkun e ri të lojërave për të rinj tek Liqeni, ku sfidua nga një grup gjimnazistësh të shkollës “Qemal Stafa” në një ndeshje basketbolli. Për këta të rinj, sporti është ndër angazhimet kryesore jashtë mësimit dhe basketbolli për shumë prej tyre ishte sporti i preferuar. Madje, disa prej djemve angazhohen në ekipe të ndryshme. Fushat e reja janë bërë për të rinjtë, një kënd i preferuar i qytetit. Nga një vend me gropa është kthyer në një hapësirë sportive e admirueshme, ku fushat e volejbollit e basketbollit janë falas për këdo që dëshiron të kalojë kohën e lire aktivisht. Vetëm për infrastrukturën sportive në tre vjet janë investuar 30 milionë dollarë, tha Kryeministri, duke ftuar të rinjtë t’i shfrytëzojnë ato. Kryetari i bashkisë informoi se është gati edhe fusha e re tek Parku Olimpik.
Në bisedë me të rinjtë para ndeshjes, Kryeministri solli momente nga jeta e tij sportive, në kohën kur angazhohej me ekipin e Dinamos. “Kishim shumë intelektualë në ekip dhe bënim shumë debat. Debate konstruktive gjithmonë çojnë përpara,” – tha Kryeministri, duke edhe rrëfyer edhe një ëndërr të kohës: “Sikur të kishim edhe ne një pallat sporti si ai tek Parku Olimpik”.
Sigurisht, tani pranë përfundimit të maturës, Kryeministri ka një këshillë për maturantët. “Tani ka standarde, nuk ka as kopje, as lojëra të tjera, kështu që bëjini mirë aplikimet tek portali. Përgatituni mirë që të jenë mirë edhe ato, sepse matura nuk ju fut në universitet. Matura ju nxjerr nga gjimnazi, por në universitet ju fut portali.”