Bubqi është një tjetër lagje që po merr formë dita-ditës e ku familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit do të nisin shumë shpejt një jetë të re, me shtëpi më të mira e më të forta se ato që tërmeti u shkatërroi.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ishin në Bubq për të parë nga afër avancimin e punimeve për shtëpitë individuale dhe apartamentet. “Puna ka filluar për të gjithë shtëpitë, ndërkohë që infrastruktura ka marrë formë. Ka mbaruar rreth 80% e infrastrukturës”, – u shpreh drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli.
Ka përfunduar krejt infrastruktura nëntokësore e rrugore dhe ka nisur përveç shtëpive, edhe ndërtimi i 7 pallateve, shkollës dhe qendrës së re administrative
Ministri Ahmetaj, teksa përshkonin në këmbë infrastrukturën lidhëse në këtë lagje të re, tha se janë “78 njësi individuale dhe 7 pallate me 45 apartamente. Po formësohet e gjithë qendra urbanë e re. Edhe shkolla është për rreth 300 nxënës me të gjitha ambientet moderne. Në krye të dy muajve, këtu do të preket i gjithë ky zhvillim i ri urban”.
***
Kryeministri Rama u ndal edhe në Fushë – Krujë ku pallatet dhe njësitë individuale kanë marrë formë tashmë e shumë shpejt do u dorëzohen familjeve që humbën ato në tërmetin e nëntorit.
“Jemi në kantierin e Fushë – Krujës, ku tipologjia është e ndarë në dy pjesë; në njërën anë janë pallatet, në tjetrën njësitë individuale. Janë 120 apartamente të grupuara në 4 grupe banesash kolektive dhe 128 njësi individuale që janë pothuajse në përfundim e sipër. Pallatet mbarojnë në muajin gusht – shtator, ndërsa njësitë individuale besoj për një muaj e pak jemi në përfundim. Zhvillimi i ri urban është shumë i qartë tashmë, ndërkohë që infrastruktura publike është 95% e mbaruar”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
Në Fushë-Krujë po merr formë një nga lagjet më të bukura rezidenciale të Shqipërisë, ajo e Rilindjes pas tërmetit, të cilën Kryeministri e krahasoi me lagjet rezidenciale, por “jo për të pasurit”.
Ministri Ahmetaj informoi se sapo është marrë konfirmimi nga Fondi i Abu Dhabit për arritjen e kontratës për lotin e parë të Spitallës. “Nënshkruhet këtë javë. Ndërkohë aty kanë filluar punimet për infrastrukturën, si dhe do fillojë dhe loti i parë i pallateve. Më informuan zyrtarisht që janë duke diskutuar edhe pallatin e parë të pikëzuar brenda në qytetin e Durrësit. Këtë javë do bëjmë edhe zgjidhjen përfundimtare të ambienteve komerciale, për katet e para të pallateve që po ndërtohen të gjitha si ambiente komerciale. Me gjithë ecurinë e procesit të rindërtimit, sërish e theksojmë që brenda pranverës së 2021-2022-it nuk do ketë asnjë shenjë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, përveçse kujtesës dhe rindërtimit me konceptin për të ndërtuar më mirë e më bukur”.