Transformimi rrënjësor i konviktit të studenteve të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës është drejt përfundimit dhe së shpejti 230 studentet e këtij universiteti do të akomodohen aty. Kryeministri Rama ishte sot në ambientet e rikonstruktuara të konviktit, i shoqëruar nga rektori i universiteti dhe nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ku pa nga afër ambientet e reja, ndërsa u kërkoi këtyre të fundit vazhdimin e projektit me fazën e dytë për rehabilitimin e ambienteve të jashtme përreth konviktit dhe pjesës së infermierisë. Synimi, sipas Kryeministrit, është kthimi i të gjithë kësaj hapësire në një kampus universitar ku studentëve t’u ofrohen të gjitha facilitetet e nevojshme për jetën studentore.
Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, Kryeministri u shpreh se “sot kemi kaluar vendimin për gjithë mobilimin këtu, për konviktin e Korçës dhe të Shkodrës”.
Kryeministri u takua edhe me studentë të këtij universiteti, të cilët së shpejti do të jenë akomodohen në ambientet e reja, tashmë të kompletuara me sistem ngrohjeje, bibliotekë dhe sallë leximi, si dhe me kuzhinë, ambiente të domosdoshme për personat me nevoja ndryshe dhe shkallë emergjence.
***
Kryeministri Edi Rama inspektoi edhe punimet që po kryhen në Bulevardin “Ismail Qemali”, ku ka nisur meremetimi i gjithë fasadave të vjetra, që përmbyll një tjetër investim transformues për Vlorën turistike në kuadër të Rilindjes Urbane.