Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qytetarët që do t’i drejtohen QSUT-së për një konsultë më të specializuar tashmë do e vendosin vetë ditën dhe orën e takimit me mjekun specialist për sëmundjet e brendshme dhe kirurgjikale, duke shmangur radhët në sportele. Kjo bëhet e mundur me hapjen e Qendrës së re të Konsultave Ambulatore pranë QSUT-së. Në inaugurimin e saj sot ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja.

Qendra e Konsultave është modeli i parë në QSUT-së në ofrimin dhe marrjen e shërbimeve mjekësore me një ndalesë. Ajo është një investim  mbi 110 milionë lekë dhe është pajisur me aparatura për ekzaminime bazë dhe një sistem kompjuterik për administrimin sa më të mirë të proceseve. Për rezervimin e konsultës ambulatore është vënë në përdorim një sistem unik i rezervimit nëpërmjet numrit të gjelbër dhe platformës online, të aksesueshme në website e QSUT-së.

“Pasi mbaron punë me dokumentacionin e paraqitur, sistemi është online në të gjitha dhomat për të planifikuar vizitën, bën edhe pagesën, tarifën, në zbatim të sistemit të referimit dhe akomodohet pacienti, me një tabletë ku shikohet disponibiliteti i dhomave të konsultës,” – shpjegoi procesin Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu.

“Kjo Qendër  e konsultave i jep një impakt të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të brendshëm të spitalit,” – vlerësoi Kryeministri Rama.

Tani që baza po krijohet, theksoi Kryeministri, reforma duhet të vazhdojë me mjekun. “Ndërkohë, ne duhet të kalojmë tek shpërblimi i mjekëve sipas volumit të punës dhe jo me rroga fikse. Ne duhet të fusim volumin e punës dhe të drejtën e mjekëve për të marrë sipas volumit të punës. Nuk mund të vazhdojmë me tavanet fikse, si punove apo si nuk punove, si përballove volum 5 apo 0.5 merr të njëjtën rrogë, se je në të njëjtën fashë të borderosë. Kjo është hapësira tjetër që duhet të krijojë reforma.”

Gjatë bisedës me mjekë e drejtues të QSUTS-ë, Kryeministri foli edhe për një tjetër incentivë që do të motivojë mjekët dhe që përfshihet në reformën e sektorit, që u jep mjekëve mundësinë e shfrytëzimit të kapaciteteve të spitaleve pas orarit të shërbimit, kundrejt tarifave përkatëse, që do të gjenerojë të ardhura si për spitalin, ashtu edhe për mjekun. “Në qoftë se mjekët nuk e kanë pronë të tyre spitalin, në kuptimin e interesit të drejtpërdrejtë, jo privat të pronës private, nuk funksionon. Duke u njohur mjekëve të drejtën të shfrytëzojnë kapacitet spitalore për të punuar edhe për vete pas orarit të shërbimit publik. Kjo mbron investimet, mjetet, njerëzit,” – u shpreh Kryeministri.

Nga dita kur mazhoranca nisi detyrën, vetëm në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, janë kryer 10 milionë lekë (të vjetra) në ditë investime shumë të rëndësishme në infrastrukturën spitalore dhe instalimin e aparaturave bashkëkohore. “Që kur kemi filluar detyrën, 980 ditë, po të marrësh të katër blloqet kryesore të investimeve, kemi investuar çdo ditë 10 milionë lekë; 600 milionë te LINAC-u, 110 milionë këtu, kemi radiologjinë dhe kardiokirurgjinë bashkë dhe neurologjia 150 milionë,” – informoi ministri Beqja.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.