Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot, në vizitën e tij në Panairin e Punësimit 2014, ku mbi 80 kompani ofrojnë 6 mijë vende të reja pune:

“Gëzuar 1 Majin!

Sot është e enjte dhe normalisht janë shumë i lumtur që e enjtja përkon me 1 Majin dhe në vend që të humbim kohën në parlament jemi këtu për të folur për punën dhe për punësimin.  Më vjen keq që delegacioni i SHQUP-it është spostuar nga parlamenti në Pallat të Kongreseve dhe po humbet kohën, në vend që të përfshihet në programet e punësimit, nëse seriozisht kërkon punë dhe nuk ka si punë të vetme që të pengojë të tjerët të punojnë.

Ne jemi shumë të bindur që me ndryshimin radikal të drejtimit të qeverisjes dhe të orientimit drejt sfidës së luftës me papunësinë, po u japim të gjithë shqiptarëve që realisht dëshirojnë të punojnë dhe të gjithë atyre që janë të gatshëm për punë  jo për të marrë një pension, dhe për të garantuar ta kalojnë gjithë ditën në kafene me atë pension në formën e një rroge, që të mund të trokasin dhe të mund të tentojnë shansin e tyre, jo vetëm në Zyrat e Punës që janë hapur dhe do vazhdojnë të hapen, por edhe në hapësira të tjera, siç është edhe ky Panair.

Më lejoni t’ju them disa fakte, sepse besoj që faktet, në këtë kontekst, janë më të vlefshme sesa gjithë shprehja e qëllimeve të mira lidhur me luftën kundër papunësisë apo lidhur me përpjekjet për punësim.

Së pari, Qeveria e re e ka trefishuar fondin e nxitjes së punësimit. Qysh në vitin e parë me këtë fond, ne jemi të gatshëm të krijojmë kushtet për mbi 3700 vende pune. Pra vetëm me këtë fond.

Nga ana tjetër, Qeveria ka ndërtuar mekanizma për ta vënë në lëvizje këtë fond, në mënyrë që të mos mbetemi tek fasha e parë, e vendeve të punës që krijojmë përmes fondit, por të hapim edhe një sërë shtigjesh të reja që të shumëfishojmë mundësitë për punësim.

Janë 6 programe;

Nxitja e punësimit nëpërmjet formimit në punë, që do të thotë nxitja e punësimit nëpërmjet krijimit të kushteve për t’u trajnuar dhe për ta kualifikuar forcën tënde të punës, në funksion të ofertës për punë.

Së dyti, nxitja e punësimit për gratë dhe vajzat, që do të thotë krijimi i një rruge të re për shumë vajza dhe gra, që janë të dëshiruara për punë, por janë sot peng i kurthit të pamundësive, pikërisht për arsye të diskriminimit gjinor.

Së treti, nxitja e punësimit për të rinjtë. Ministri Erion Veliaj e vuri theksin tek disa nga elementët e këtij programi që do të bëjë të mundur që cilido që mbaron sot një nga shumë universitetet dhe disponon sot një nga shumë diplomat e dyshimta, të mos rrijë të presë duke parë nga qielli, me idenë se është inxhinier, është ekonomist apo është jurist, por të fillojë menjëherë punë, duke i dhënë vetes mundësi të provohet dhe të provojë për të tjerët se është i gatshëm për punë.

Së katërti, nxitja e punësimit për punëkërkuesit në vështirësi. Edhe ky është një aspekt tjetër, jashtëzakonisht i rëndësishëm për një kategori të posaçme punëkërkuesish, që janë në vështirësi ekonomike. Ka të bëjë me kalimin nga një fazë e lëmoshës, e shpërdorimit madhështor të parave të kontribuuesve përmes taksave, nëpërmjet programeve pasive të ndihmën ekonomike, – programe të natyrës korruptive dhe elektorale, që kanë çuar dhe po çojnë drejt Prokurorisë me dhjetëra e dhjetëra ofiqarë bashkiakë dhe komunalë,  – në një program aktiv.  Kush është në gjendje për punë dhe jeton me ndihmë ekonomike, të ketë mundësinë që të punojë dhe të marrë jo thjeshtë ndihmën ekonomike, por më shumë sesa ndihma ekonomike. Ndërkohë, kush është në gjendje për punë dhe nuk do të punojë, nuk ka pse të marrë as ndihmën ekonomike.

Së pesti, nxitja e punësimit për personat me aftësi të kufizuar (PAK). Ne jemi shumë krenarë, sepse kjo është një qeveri që për herë të parë, në gjithë këto vite, po hedh hapat konkretë për të adresuar problemet e personave me aftësi të kufizuar, qoftë në aspektin e luftës kundër diskriminimit në tërësi, qoftë në aspektin e hapjes së rrugëve për integrimin e tyre në punë.

Së gjashti, praktika profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar. Një program i posaçëm, i cili krijon mundësitë që të rinjtë e sapo diplomuar të përfshihen në përpjekjen për t’u bërë pjesë e integruar e tregut të punës, njësoj si simotrat dhe sivëllezërit e tyre në Bashkimin Evropian. Ku nuk ndodh ajo që ndodh tek ne, që i vetmi punëdhënës konsiderohet shteti dhe e vetmja punë konsiderohet puna në shtet, mundësisht shef ose drejtor, por kur gjithsecili e fillon rrugën e vet duke trokitur derë më derë, duke vënë në dispozicion qoftë diplomën, qoftë rezultatet, qoftë njohuritë e tij, duke bërë intervista dhe duke bindur punëmarrësin për aftësitë e veta.

 

Në këtë aspekt, ky Panair është dhe një gur themeli për një ndryshim në kulturën e marrëdhënieve mes punëdhënësve dhe punëkërkueseve, si dhe në kulturën e përpjekjes sonë të përbashkët për të rritur punësimin, nëpërmjet punësimit real, jo nëpërmjet transformimit të mundësive për të dhënë rroga, në fonde pensionesh për njerëz që janë në moshë aktive për punë. Fonde pensionesh, rentash, shpërblimesh për parazitizëm dhe për mediokritet, që e ka transformuar në vite me radhë administratën e shtetit, në një fole të lëngatës së gjatë dhe të torturës pafund për të gjitha ata që në vend që të marrin shërbime nga administrata e shtetit, marrin mbrapsht pikërisht atë që është mbjellë me kohë, rezultatet e parazitizmit dhe rezultatet e të jetuarit të administratës përmes një rente që nuk lidhet as me kapacitetet dhe as me mundësitë e administratës për të dhënë shërbime, por lidhet vetëm me lidhjet e shkurtra politike, nepotike, klanore, klienteliste dhe të gjitha me radhë.

Në anën tjetër, është me shumë rëndësi që ne të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen. Është sipërmarrja përgjigja. Është sektori privat ai që rrit mundësitë për punësim dhe që krijon vende të reja punë. Është suksesi i sipërmarrjes edhe suksesi i qeverisë dhe i një vendi në rrugën e ndërtimit të mirëqenies. Ndaj, fondi i rritjes së punësimit do të orientohet tërësisht në këtë bashkëpunim me sipërmarrjen. Përmes fondit të nxitjes së punësimit, ne do t’i qëndrojmë në krahë sipërmarrjes për të krijuar mundësi të reja për punësim, për të gjithë të rinjtë që duan të punojnë. Për çdo të punësuar të ri, pavarësisht nga mosha, ne si shtet do të marrim përsipër pagesën e plotë të sigurimeve shoqërore për një vit, duke lehtësuar sipërmarrjen. Nga ana tjetër, do të ofrojmë 4 paga minimale, nëpërmjet të cilave sipërmarrja do të lehtësohet dhe do të kontribuojë më shumë për të bashkëpunuar në këtë projekt të madh të rritjes së punësimit. 70 % e përfituesve nga fondi i nxitjes së punësimit do të jenë të reja dhe të rinj dhe 50 % e të tërës do të jenë gra e vajza.

Risia, që është edhe një garanci në këtë kapitull të ri të përpjekjes për nxitjen e punësimit nëpërmjet mbështetjes drejtpërdrejtë për sipërmarrjen, është se aplikimet do të bëhen në bazë të një procesi vlerësimi me pikë. Jo siç janë bërë në të shkuarën, ku edhe ato pak vende pune që janë bërë sikur janë krijuar, në fakt janë shpërndarë nga partia, për partinë dhe me partinë. Kjo do të mundësojë shpërndarjen e fondit në shumë subjekte aplikues dhe do të bëjë që me këto programe, nëse do të kemi, në bazë të synimit tonë paraprak, një kufi minimal prej 4 mijë vendesh të reja pune, të paktën 600 prej tyre të jenë studentë të sapodiplomuar, në 24 muajt e fundit.

 

Dy fjalë për Panairin. Ky Panair sot, kjo hapësire sot ofron 6 mijë vende pune. Për të qenë më i saktë, këtu, në këtë hapësirë ofrohen 6 200 vende pune. Ftova “delegacionin” që e pashë aty përpara, që të vijnë e të përpiqen të aplikojnë për punë dhe dëgjova një zonjë që tha “ne jemi intelektualë”. Unë besoj se 100 vende pune që ofrohen këtu nga sektori bankar janë për intelektualët, nuk janë për fshesarët. Besoj që 100 vende pune të tjera, që ofrohen këtu nga kompanitë celulare, që janë punë të natyrave të ndryshme, janë edhe për intelektualët. Pavarësisht se do të ishte debat më vete, se çfarë quhet intelektual. Besoj se 100 vende pune që ofrohen këtu nga kompanitë e sigurimeve, janë vende pune që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me një formim të lartë. Ndërkohë që 2300 vende pune, këtu sot, ofrohen nga telekomunikacioni edhe nëpërmjet call center-ve. Kam parë që me cinizëm, ka jo pak të rinj që thonë “pse në call center do të punojmë ne”. Kuptohet që mes një call center-i dhe një pensioni si drejtor diku, që nuk shkon as në punë, tendenca për të preferuar të dytën është një tendencë për t’i mbyllur vetes rrugën e të ardhmes. Se Shqipëria nuk do të shkojë duke bërë mbrapa. Shqipëria duhet të shkojë duke bërë përpara dhe në Shqipërinë që do të shkojë duke bërë përpara do të jetë gjithmonë e më e vështirë për më të rinjtë që të vazhdojnë të jetojnë duke pritur nga prindërit e tyre, apo pritur rentë nga miqtë e prindërve të tyre, përmes shtetit. Do të jetë gjithmonë e më e lehtë për ata që do të synojnë që aftësitë dhe meritat e tyre t’i vënë në dukje përmes punës. Përmes punës pa bërë dallim, madje duke preferuar sektorin privat. Sepse është sektori privat ai që sot krijon mundësinë dhe ai që sot jep jo vetëm mundësinë për të marrë një punë, por edhe për të krijuar një curriculum, mbi të cilin pastaj të jesh i vlerësuar dhe i vlerësueshëm edhe në një karrierë të mundshme.

Janë edhe 2000 vende pune të industrisë fason, që janë këtu sot në dispozicion për ata që duan punë. Janë mbi 2500 vende pune në të gjithë vendin në industrinë e ndërtimit dhe posaçërisht nga kompanitë e mëdha, që janë të përfshira në projekte të mëdha të ndërtimit.

Në këtë Panair ka punë për të gjitha nivelet. Ka punë për ata me diploma dhe me kualifikime të larta, që fatkeqësisht sot ende janë të papunë, por që nuk duhet të rrinë të presin që punën t’ua sjellë qeveria në shtëpi. Por duhet të dalin nga shtëpia, duhet të vijnë, duhet të kontaktojnë sportel me sportel, duhet të aplikojnë dhe duhet të presin me durim dhe të kuptojnë se nuk janë të vetëm, se ka edhe të tjerë. Mund të kthehesh një herë, dy herë, tre herë dhe me siguri do të vijë edhe hera jote. Sikundër, në vendet e Bashkimit Europian është shumë e qartë që për ata të sapodiplomuarit numri mesatar i aplikimeve për të gjetur një vend pune është 30 aplikime në 30 drejtime të ndryshme, për të mundur që të marrësh mundësinë e një interviste dhe për të mundur që të provosh shansin tënd për të marrë një vend pune. Kjo është lufta e sotme e gjithë punëkërkuesve në gjithë hapësirën europiane. Kjo është kultura e marrëdhënieve me tregun e punës që ne duhet të ndërtojmë, për të krijuar një treg pune vibrant dhe për të krijuar një shoqëri, e cila përmes punës arrin të krijojë integrim social dhe mirëqenie, pa i bërë naze punës dhe pa u marr me vetëm drejtimin e gabuar të punëkërkimit tek shteti, si mundësia e vetme, si punëdhënësi i vetëm, si shpresa e vetme.

Së fundi, dy fjalë edhe për Shërbimin Kombëtar të Punësimit, se kemi dëgjuar herë pas here romuze, – romuzet asnjëherë nuk do të na mungojnë dhe ne i konsiderojmë të domosdoshme për rritjen e adrenalinës dhe entuziazmit tonë për të shkuar më tutje, – që ne në 8 muaj kemi hapur Zyra Pune, por nuk kemi hapur vende pune. E vërteta është se shifrat flasin ndryshe dhe se Zyrat e reja të Punës, të hapura në bashkëpunim me sipërmarrjen, të hapura me mbështetjen e drejtpërdrejtë të “Biznes Albania”, të zotit Luan Bregasi, – që e veçoj sepse bën një përpjekje jashtëzakonisht të mirëpritur prej nesh, për të cilën i jemi mirënjohës për të koordinuar sipërmarrësit e tjerë, – kanë arritur të krijojnë mundësi për disa mijëra vende të reja pune. Vende pune për punë, jo për rentë. Shifra që ministri Veliaj dha është një shifër paraprake. Ne presim shifra përfundimtare dhe të sakta në fund të këtij 6-mujori të parë, por jemi mbi 25 mijë vende të reja pune, të regjistruara. Këtu nuk flasim për shifra të fabrikuara, por flasim për shifra që burojnë nga lista e kontribuuesve në sigurimet shoqërore. Është një listë kontribuuesish në sigurimet shoqërore që nuk ha diskutim mes një partie dhe një partie, mes qeverisë dhe opozitës se sa janë rritur kontribuuesit, sa janë rritur në numër ata që paguajnë sigurime shoqërore, për shkak se tanimë janë të integruar në tregun e punës.

Ne synojmë që këtë shifër, minimalisht ta dyfishojmë brenda këtij viti.

Falenderimi për të gjithë ata që kontribuojnë në këtë proces është i detyrueshëm, por mbi të gjitha falenderimi për sipërmarrjen. Për sipërmarrjen, ndaj të cilës ne ndjehemi thellësisht ende në një borxh shumë të madh të akumuluar nga e shkuara. Borxh që na e ka lënë në “qafë” qeveria e shkuar. Jo thjesht në formën e borxhit në para, – që ne po e shlyejmë ditë pas dite dhe brenda 30 qershorit do të kemi shlyer të gjithë pjesën e borxhit që kemi marrë përsipër për këtë vit dhe do të fillojmë në një skemë të re, të shikojmë mundësinë e vazhdimit të shlyerjes edhe të borxhit të vitit tjetër brenda këtij viti, por formën e një borxhi të madh moral. E borxhit moral që ka bërë që sipërmarrja në këtë vend të ndihet si në dhe të huaj dhe sipërmarrësit në këtë vend po jetojnë atë që jetonin dikur kulakët, kur u vunë në ndjekje nga lloj-lloj partizanësh apo që bënin sikur ishin partizanë, për t’ua nxjerrë nga gryka edhe qindarkën e fundit.

Ne kemi marrë përsipër ta ndryshojmë këtë marrëdhënie skandaloze dhe t’i japim sipërmarrjes vendin që i takon. Këtu jemi pikërisht në një qendër graviteti sot, ku sipërmarrja na tregon dhe ju tregon të gjithëve se nuk është qeveria, nuk janë politikanët, nuk janë ministrat, nuk janë zv/ministrat, – zv/ministrat edhe mundet, – nuk janë punonjësit e shteti, as edhe inspektorët e tatimeve e të doganave ata që krijojnë vende pune dhe ata që krijojnë mirëqenie. Minimalisht, të gjithë këta duhet të krijojnë kushtet që sipërmarrja të jetë e lirë për të krijuar vende pune dhe mirëqenie. Kjo është edhe detyra që ne kemi marrë përsipër.

Shumë faleminderit të gjithëve!

***

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot “Panairin e Punësimit 2014”, ku për 3 ditë me radhë, 80 kompani ofrojnë mbi 6 200 vende të reja pune, të profileve dhe niveleve të ndryshme. Kryeministri vizitoi nga afër stendat e Panairit, ku sipërmarrës të ndryshëm e njohën me fushat në të cilat operojnë dhe kërkesat e tyre si punëdhënës.

Gjatë bisedave u vlerësua si domosdoshmëri edhe ndryshimi i kulturës së marrëdhënieve mes punëdhënësve dhe punëkërkueseve.

Përfaqësuesi i një prej kompanive të pranishme, i ardhur nga emigracioni disavjeçar, u shpreh se shqiptarët duhet të vlerësojnë dhe të besojnë më shumë punën dhe produktin në Shqipëri. “Ne kthehemi me një eksperiencë të marrë nga jashtë dhe këtu gjejmë të rinj që kur të vijnë në punë duan të paguhen si në Gjermani”, tha ai.

Më tej, ai theksoi se kompania që drejton ofron për punëkërkuesit edhe mundësinë e trajnimit paraprak, nga 6 – 9 muaj, në këtë sektor. “Ne si sipërmarrje kërkojmë që të na dëgjojë tregu i punës, sepse u japim mundësi dhe fillestarëve, investojmë nga 6-9 muaj për trajnimin e tyre. Por, presim që pas 9 muajsh ata të mos e përdorin këtë trajnim si trampolinë për diku tjetër, por të ndërtojnë karrierën e tyre këtu”, u shpreh ai. Më konkretisht, ai solli shembullin që çdo vit nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dalin 500 kimistë, por pjesa më e madhe e tyre në “CV” kanë punësime krejt të kundërta me arsimimin.

Kryeministri i përgëzoi për sipërmarrjen, por edhe për mundësitë që vetë kompania u krijon të interesuarve për punë, duke ofruar trajnimin paraprak.

Ndërkohë, Kryeministri vizitoi nga afër edhe një tjetër stendë, ku 10 kompani të profileve të ndryshme ofronin 1000 vende të reja pune. Ata u shprehën se ka pasur shumë interes nga qytetarët dhe aplikimet për këto vende pune vijojnë.

Të shumta ishin edhe kompanitë që ofronin vende pune për inxhinierë në fusha të ndryshme, ekonomistë,  etj.

Sektori bankar ofronte një numër të lartë vendesh të reja pune dhe në nivele të ndryshme. Kryeministri Rama ndoqi nga afër procesin, ndërsa një vajzë aplikonte për t’u punësuar në një nga bankat e nivelit të dytë.

Në vijim, Kryeministri Rama vizitoi edhe disa kompani, të cilët ofronin vende pune për personat me aftësi të kufizuar. Kryeministri i përgëzoi dhe vlerësoi maksimalisht angazhimin e tyre.

Gjithashtu, edhe industria fason edhe sektori i ndërtimit ofronin një numër të lartë vendesh të lira pune, të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.