Një kompleks shërbimesh të reja, përmes teknologjisë më moderne vijnë si risi për qytetarët nga Policia e Shtetit, në kuadër të mbarëvajtjes së rendit e qetësisë publike.
Shërbimet e reja janë të grupuara në Sallën e re Operative të Komandimit, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, e cila u inaugurua sot me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, drejtuesve të Policisë së Shtetit, punonjës etj. Përmes teknologjisë dhe stafit të përgatitur, kjo sallë bën koordinimin në kohë reale të: Komisariateve me Policinë Rrugore në raste aksidentesh apo me shërbimet e Shqiponjave në rast ngjarjesh kriminale; monitorim në kohë reale të kamerave policore të trupit; thirrjeve të emergjencës në Numrin Unik të Emergjencave “112”, aktualisht operativ në Tiranë; njoftimeve në komisariatin dixhital.
Sistemet informatike të instaluara në Sallën e Komandimit mundësojnë që i gjithë procesi nga marrja e telefonatës deri në raportimin për ngjarjen nga patrulla të kryhet në mënyrë elektronike. Gjithashtu salla ka mundësi të monitorojë në kohë reale vendndodhjen e patrullave nëpërmjet sistemit GPS, pjesë e kamerave të trupit. Ndërsa në raste ngjarjesh, salla e komandimit ka mundësi të shfaqë në ekran në kohë reale, pamjet e kamerave të trupit që ndodhen në zonë ose në vendngjarje.
Tirana është kryeqyteti i parë në Ballkan që implementon numrin unik 112.
Në shembullin e vendeve europiane, edhe Shqipëria ka një numër të unifikuar të emergjencave “112”. Ai është një numër i përbashkët telefonik, të cilin mund ta përdorë çdo qytetar për të komunikuar me shërbimet e emergjencës si Policinë, Ambulancat, Zjarrfikësen dhe Skuadrat e Shpëtimit.
Drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj u shpreh se salla e re erdhi si një domosdoshmëri e shtimit dhe zbatimit të programeve të reja në shërbim të qytetarit. Ai shpjegoi se risia e numrit të emergjencës për qytetarët është se nuk humbet asnjë telefonatë dhe se brenda një kohe të shkurtër qytetarit do t’i ofrohet shërbimi për të cilin ka nevojë.
“Salla është totalisht e rikonstruktuar. Njëkohësisht erdhi si domosdoshmëri për implementimin edhe të disa programeve të tjera. Është sistemi unik i telefonatës 112, i cili përfshin Policinë e Shtetit, urgjencën dhe zjarrfikësen. Është kryeqyteti i parë në Ballkan që implementon numrin unik, aktualisht numri 112 është implementuar në muajin qershor, në 7 qershor. Brenda muajit qershor ka rritje trefish të telefonatave në krahasim me numrat e zakonshëm që janë përdorur më parë. Risia e këtij numri është që nuk humbet asnjë telefonatë. Brenda 5 sekondave operatori përgjigjet telefonatës dhe kohëzgjatja e telefonatës është mesatarisht 38 sekonda. Pas kësaj telefonate reagojnë shërbimet. Në muajin qershor janë regjistruar 40 mijë telefonata ndërsa në muajin maj ishin regjistruar 13 mijë telefonata.”
Ndërsa ministri Tahiri theksoi se me risitë e fundit që Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion për qytetarët, Tirana bëhet kryeqyteti i parë në Ballkan që ka një numër të integruar emergjence pas vendeve të BE. Ministri bëri të ditur se projekti do të vazhdojë me Durrësin, duke u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.
“Kjo është salla e operative e komandimit e Tiranës dhe numri i integruar i emergjencës. Janë operatorët e komisariateve, operatorët e qarkullimit rrugor, operatorët e Komisaritatit Dixhital dhe në numri 112 qytetarët marrin dhe për Policinë e Shtetit dhe për shërbimin zjarrfikës dhe për shërbimin mjekësor dhe për çdo lloj emergjence tjetër. Praktikisht, Tirana bëhet kryeqyteti i parë në Ballkan që ka një numër të integruar emergjence, pas vendeve të BE. Ne do të vazhdojmë me Durrësin, duke e shtrirë pastaj në të gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë brenda shumë pak kohësh do të vazhdojmë edhe monitorimin e telefonatës, do të shikojmë sjelljen e operatorit dhe në çdo eventualitet më pas do ta kemi të regjistruar telefonatën e qytetarit.”
Sallën e re operative, Kryeministri Rama e cilësoi si një instrument shumë efektiv për t’ju shërbyer sa më mirë qytetarëve. “Sot pashë nga afër një tjetër dëshmi të faktit se Policia e Shtetit është një nga vatrat më aktive të revolucionit tonë teknologjik dhe të transformimit të teknologjisë së re në një instrument shumë efektiv për t’ju shërbyer sa më mirë qytetarëve. Sa më shumë Policia e Shtetit ecën në drejtimin e duhur, në drejtimin me vizion dhe me vendosmëri të Ministrit të Brendshëm aq më shumë, kësaj skuadre i lind e drejta të thotë “qentë le të lehin karvani do të ecë përpara.”