Një tjetër investim në ujësjellës pritet të përfundojë pas 2 muajsh në Bashkinë e Maliqit, për t’i siguruar ujë 24 orë fshatrave Maçurisht, Burimas, Orman dhe Rrëmbec. Nga ky ujësjellës do të përfitojnë rreth 6 mijë banorë, ndërkohë që në Maliq, Liboniku e zona të tjera kanë tanimë furnizim me ujë 24 orë.
Kryeministri Rama u ndal për të parë ecurinë e punimeve, bashkë me kreybashkiakun e Maliqit Gëzim Topçiu, teksa ky i fundit u shpreh se është “një nga investimet më të rëndësishme në fushën e ujësjellësit”.
“Kemi një avancim të madh. Kjo është gjëja kryesore se shumëkush nuk e di. Shohin këtë dhe thonë u kujtuat për fushatë, në fakt, ky është një program i tërë që ka nisur prej vitesh e tani është duke u finalizuar në shumë pika. Deri në 2022-in, të gjitha qendrat urbane do jenë me 24 orë ujë”, – nënvizoi Kryeministri Rama.
Objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2022 të ketë furnizim me ujë pandërprerë, 24 orë, në qendrat urbane, për të vazhduar dhe me çdo zonë të vendit.