Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Tetor 2018:

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT LICENCUES HEKURUDHOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.142/2016, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Funksionet e Autoritetit Licencues Hekurudhor do të kryhen nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Ngarkohet Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Taulant Muka emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KARTELAT INFORMATIVE PËR SHËRBIMET PUBLIKE, QË U OFROHEN QYTETARËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 35, pika 2, shkronja “e”, dhe 36, pika 4, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
OBJEKTI DHE FUSHA E ZBATIMIT

1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i mënyrave dhe procedurave të bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe institucioneve të administratës shtetërore, me qëllim hartimin e kartelave informative për shërbimet publike, që u ofrohen individëve/qytetarëve dhe/ose personave juridikë. Kartelat informative, që hartohen sipas këtij vendimi, janë bazë e të dhënave shtetërore, të cilat rregullohen nga legjislacioni përkatës.
2. Kjo procedurë bashkëpunimi, ndërmjet Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe institucioneve të administratës shtetërore, zbatohet për të gjitha shërbimet që ofrohen nga këto institucione, pavarësisht formës dhe mënyrës së ofrimit të tyre.

KREU II
BASHKËPUNIMI NDËRMJET ADISA-s DHE INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

1. Me qëllim standardizimin e mënyrës së marrjes së informacionit për shërbimet publike, ADISA harton, në bashkëpunim me institucionet e administratës shtetërore, një model kartele, i cili duhet të plotësojë elementet e përcaktuara në pikën 7, të kreut III, të këtij vendimi.
2. Nisma për hartimin apo ndryshimin e kartelës informative mund të merret nga ADISA, kryesisht, apo nga vetë institucioni.
3. Me fillimin e procedurës, ADISA dhe institucionet e administratës shtetërore i komunikojnë njëri-tjetrit strukturën dhe nëpunësin/punonjësin e kontaktit, i cili do të bashkëpunojë në hartimin e kartelave informative dhe do të jetë përgjegjës për shkëmbimin e informacionit e të dokumentacionit përkatës.
4. ADISA dhe institucionet e administratës shtetërore i komunikojnë njëri-tjetrit, menjëherë, çdo ndryshim të strukturës ose nëpunësit/punonjësit përgjegjës, të përcaktuar sipas pikës 3, të këtij kreu.

KREU III
PROCEDURA E HARTIMIT TË KARTELAVE INFORMATIVE

1. Në rast se procedura fillon me nismën e ADISA-s, kjo e fundit i dërgon institucionit udhëzuesin për hartimin e kartelave, përcakton shërbimin për të cilin do të hartohet apo ndryshohet kartela informative si dhe informacionin e nevojshëm për realizimin e saj.
2. Në rast se procedura fillon me kërkesë të institucionit të administratës shtetërore, ky i fundit i kërkon ADISA-s udhëzuesin për hartimin e kartelave informative, duke përcaktuar shërbimin, për të cilin do të hartohet apo ndryshohet kartela informative, si edhe informacionin e nevojshëm për hartimin e saj.
3. Institucionet e administratës shtetërore janë të detyruara që, sa herë të ketë ndryshime ligjore, nënligjore, shtim apo pakësim të kushteve e kritereve të tjera, mbi bazën e të cilëve ofrohet shërbimi publik i kërkuar, të kërkojnë ndryshimet dhe plotësimet përkatëse të kartelave informative.
4. Ndryshimet dhe plotësimet e kartelës informative, sipas pikës 3, të këtij kreu, duhet të bëhen brenda 10 ditëve pune, nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore, nënligjore, të shtimit apo pakësimit të kushteve e kritereve përkatëse. Çdo ndryshim i kryer në kartelat informative duhet t’i përcillet, gjithashtu, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI-t) nga ADISA, brenda 5 ditëve pune, nga regjistrimi i ndryshimeve prej saj, për t’u publikuar në portalin unik qeveritar e-albania.
5. Kartela informative hartohet apo ndryshohet nga ADISA, e cila duhet të mbajë në konsideratë llojin dhe specifikat e shërbimit që ofrohet, me qëllim që të pasqyrohen në mënyrë të detajuar e të plotë të gjitha karakteristikat dhe të dhënat që kërkohen në këtë rast.
6. Kartela informative e hartuar apo ndryshuar duhet të strukturohet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, duke pasqyruar elementet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve.
7. Në hartimin e modeleve të kartelës informative duhet të gjejnë pasqyrim elementet e mëposhtme:
a) Emri i shërbimit;
b) Qëllimi i ofrimit të shërbimit;
c) Funksioni i shërbimit;
ç) Subjektet përfituese;
d) Lista e dokumenteve të nevojshme për përftimin e shërbimit;
dh) Sportelet dhe kanalet e aplikimit;
e) Niveli i dhënies së shërbimit me mjete elektronike;
ë) Tarifat;
f) Afati i marrjes së shërbimit;
g) Dokumenti i lëshuar;
gj) Afati i vlefshmërisë së dokumentit të lëshuar;
h) Vendi ku mund të tërheqësh dokumentin e lëshuar;
i) Institucioni përgjegjës;
j) Kanalet e informimit;
k) E drejta e ankimit;
l) Baza ligjore për ofrimin e shërbimit.
8. Shpjegimet e elementeve të mësipërme bëhen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
9. ADISA, pasi harton kartelën informative, sipas pikës 7, të këtij kreu, ia dërgon atë institucionit përgjegjës për ofrimin e shërbimit.
10. Institucioni i administratës shtetërore, përgjegjës për ofrimin e shërbimit, përgjigjet brenda 10 ditëve pune. Në rast se ka mospajtime për rubrikat apo të dhënat e kartelës informative ndërmjet ADISA-s dhe institucionit që ofron shërbimin, mospajtimi zgjidhet me marrëveshje ndërmjet palëve. Në rast të kundërt vendos ministri përgjegjës, epror i institucionit përkatës, që ofron shërbimin.
11. Kartela informative e miratuar përfshihet në bazën e të dhënave shtetërore të krijuar për këtë qëllim, vendoset menjëherë në përdorim, publikohet në faqen zyrtare të internetit të institucionit përgjegjës për ofrimin e shërbimit publik dhe të ADISA-s, në sportelet fizike, ku ofrohet ky shërbim, në portalin unik qeveritar e-albania, për ofrimin e shërbimeve publike, dhe shërben si burim informacioni për të gjitha kanalet e komunikimit e të ofrimit të shërbimeve të përzgjedhura nga individët/qytetarët dhe/ose personat juridikë.
12. Pas miratimit dhe publikimit të kartelave informative, institucioni i administratës shtetërore nuk mund të pretendojë ekzistencën e procedurave apo të dokumenteve të tjera, të cilat nuk janë parashikuar në kartelën informative, për të ofruar shërbimin publik të kërkuar dhe për të cilin ai është përgjegjës.

KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ADISA, në bashkëpunim me institucionet e administratës shtetërore, kanë detyrimin që të hartojnë kartelat informative për shërbimet ekzistuese.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 10 750 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10250, DATË 11.3.2010

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 10 750 000 eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10250, datë 11.3.2010, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 37 750 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10249, DATË 11.3.2010

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 37 750 000 eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10249, datë 11.3.2010, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 500 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10251, DATË 11.3.2010

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 500 000 eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10251, datë 11.3.2010, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Ervin Demo, zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.280, DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, PROCEDURAVE E DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM PËR TË KUALIFIKUAR NDËRTIMET PA LEJE, SHTESAT ANËSORE DHE/OSE NË LARTËSI, NË NDËRTIME ME LEJE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 39, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “ë”, e pikës 2, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet si më poshtë vijon:
“ë) është ngritur brenda territorit të zonës së mbrojtur, ku shkalla e mbrojtjes nuk lejon ndërtime me funksion banimi apo social-ekonomik, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur dhe zonimin e brendshëm. Përjashtimisht, ndërtimi pa leje kualifikohet për legalizim, kur shkalla e mbrojtjes është rishikuar ose kur lejohen ndërtime, sipas akteve nënligjore të miratuara nga autoritetet përgjegjëse për zonat e mbrojtura.”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.612, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 108 e 109, të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

Pika 4, e nenit 59, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“4. Zyra doganore mbikëqyrëse, pas marrjes së kërkesës, kryen kontrollet e verifikimet e nevojshme dhe, në përfundim të tyre, përgatit një raport të hollësishëm, të cilin ia përcjell Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vërtetim, që depozituesi i miratuar nuk ka detyrime pranë degës doganore mbikëqyrëse;
b) Procesverbal me të dhënat për gjendjen fizike të produktit, pas depozitimit të kërkesës për “Pushimin e vlefshmërisë së autorizimit”, dhe informacion për gjendjen në sistem për çdo produkt.”.

Neni 2

Në pikën 6, të nenit 60, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në fund të shkronjave “b” e “c”, shtohen fjalët “… sipas nenit 61, të këtij vendimi.”.
2. Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Nëse subjekti ka detyrime të papaguara pranë autoritetit doganor dhe garanci aktive, sipas aneksit 22, të këtij vendimi, drejtori i Përgjithshëm i drejtohet bankës së nivelit të dytë/kompanisë së sigurimit për kalimin e shumës së garancisë në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në shumën e detyrimit.”.

Neni 3

Pas nenit 60 shtohet neni 60/1, si më poshtë vijon:
“Neni 60/1
Pushimi i vlefshmërisë së autorizimit për pritësin e regjistruar
Për qëllime të pikës 6, të nenit 81, të ligjit, përcaktimet në nenet 59 e 60, të këtij vendimi, lidhur me pushimin e vlefshmërisë së autorizimit për depozituesit e miratuar, zbatohen mutatis mutandis edhe për pritësin e regjistruar.”.

Neni 4

Në nenin 61, bëhen ndryshimi dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“2. Mbyllja e regjimit duhet të bëhet detyrimisht brenda një afati 30 (tridhjetë) ditor, nga data kur autorizimi i depozituesit të miratuar ka pushuar së qeni i vlefshëm.”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, si më poshtë vijon:
“3. Nëse brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor operatori nuk u jep destinacion mallrave nën regjim pezullimi të detyrimeve të akcizës, që gjenden në magazinë fiskale, dega doganore mbikëqyrëse merr vendim “për shpalljen debitor” të operatorit.
4. Të gjithë operatorët, autorizimi i të cilëve ka pushuar së qeni i vlefshëm para datës së hyrjes në fuqi të ndryshimeve me këtë vendim, dhe kanë produkte nën pezullim detyrimesh gjendje, u lihet afat 30 (tridhjetë) ditë kohë për dhënien destinacion këtyre mallrave, në të kundërt aplikohen dispozitat e këtij neni.”.

Neni 5

Pika 3, e nenit 73, shfuqizohet.

Neni 6

Në nenin 143 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pikat 14, 18, 19 e 20 ndryshohen, me këtë përmbajtje:
“14. Depozituesi i miratuar, gjithashtu, është i detyruar që, për magazinat fiskale të verës dhe të pijeve të fermentuara ndryshe nga vera, birra (mushti), të paraqesë certifikatat e kalibrimit/verifikimit të kapaciteteve, për depozitat (kontejnerët) me kapacitet më të madh se 10 hektolitra.

18. Depozituesi i miratuar duhet të njoftojë autoritetin doganor mbikëqyrës për çdo ndryshim të kapacitetit të magazinës fiskale mbi 10 hektolitra, shoqëruar me dokumentacionin përkatës tekniko-metrologjik të depozitave.
19. Detyrimi për paraqitjen e certifikatave të kalibrimit qëndron vetëm për depozitat, për të cilat nuk është i domosdoshëm kushti për të qenë tërësisht plot apo bosh, dhe për depozitat me kapacitet më të madh se 10 hektolitra, që, në rast nevoje, me anë të transferimit, lejojnë vlerësimin (llogaritjen) e sasive të verës brenda tyre.
20. Për depozitat mbi 10 hektolitra, për të cilat është i domosdoshëm kushti për të qenë tërësisht plot apo bosh, depozituesi i miratuar duhet të paraqesë certifikatën e verifikimit të kapacitetit, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.”.
2. Pikat 21 dhe 22 shfuqizohen.

Neni 7

Në fund të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 151, shtohen fjalët “… dhe të nikotinës lëng.”.

Neni 8

Në nenin 157 bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në fund të pikës 7 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Këto detyrime kalojnë për administrim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pas një informacioni të detajuar, të përcjellë nga administrata tatimore. Ky proces përfundon brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.
2. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Subjektet e akcizës, të cilat në datën 1 tetor 2012 kanë qenë në proces kontrolli nga administrata tatimore për rimbursimin e akcizës, si dhe subjektet e akcizës, që kanë plotësuar kërkesën për rimbursimin e akcizës për periudhën para datës 1 tetor 2012, të cilët kanë vijuar procedurat e kërkimit dhe të marrjes së shumës së pretenduar për rimbursim tek administrata tatimore, në bazë të ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe të të gjitha akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, dhe u është njohur e drejta e rimbursimit, drejtohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të marrë rimbursimin, kundrejt paraqitjes së dokumentacionit të konfirmimit të njohjes së rimbursimit nga administrata tatimore. Ky proces përfundon brenda 6 (gjashtë) muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.
3. Pika 9 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“9. Të gjitha detyrimet e papaguara të akcizës, të periudhës pas vitit 2010, që janë kontabilizuar në administratën tatimore para datës 1 tetor 2012, si dhe për borxhet që mund të lindin pas datës 1 tetor 2012, për detyrimet e akcizës që i përkasin periudhës para datës 1 tetor 2012, kalojnë në ndjekje të administratës doganore. Administrata tatimore përcjell të gjithë informacionin në lidhje me detyrimet e prapambetura të akcizës brenda tre muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Kushtet, mënyra, modalitetet e transferimit të këtij informacioni nga administrata tatimore tek ajo doganore përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Ky proces përfundon brenda 6 (gjashtë) muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.

Neni 9

Në aneksin 10, “Tabela referuese e disa normativave të harxhimit të lëndës djegëse”, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

1. Në tabelën e rubrikës Industria*, pas ndarjes 3 shtohet ndarja 4, me këto të dhëna:
Në kolonën “Aktiviteti” shtohet “Prodhim lingotash”;
Në kolonën “Proceset teknologjike” shtohet “Shkrirja e skrapit”;
Në kolonën “Sasia e lëndës djegëse për njësi të produktit final” shtohet “Sipas kartës teknologjike”.
2. Rubrika “Shënime në lidhje me plotësimin e aneksit 10”, pas aneksit 10, spostohet pas aneksit 11 dhe korrigjohet: “Shënime në lidhje me plotësimin e aneksit 11”.

Neni 10

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË PASURISË SË PALUAJTSHME “TRUALL”, NË ZONËN KADASTRALE 8602, ME NUMËR PASURIE 2/149, TE MINISTRIA E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË, PËR UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të neneve 8, 10, 13, 15 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të pasurisë së paluajtshme “truall”, në zonën kadastrale 8602, me numër pasurie 2/149, e regjistruar në volumin 46, faqe 97, me sipërfaqe 6301 (gjashtë mijë e treqind e një) m2, pronë shtet, te Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, sipas kartelës së pasurisë së paluajtshme.
2. Pasuria e paluajtshme, pas kalimit në përgjegjësi, të përdoret në funksion të qëllimit dhe të veprimtarisë së universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
3. Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pasurisë së paluajtshme, përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë apo t’ua japë të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, dhe Zyra për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS B, KATI 0 (UNDERGROUND), NË MJEDISET E PALLATIT TË KONGRESEVE, KOMISIONIT TË PAVARUR TË KUALIFIKIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë, apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lejimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për zhvillimin e seancave dëgjimore, të sallës B, kati 0 (Underground) me sipërfaqe 243 (dyqind e dyzet e tre) m2, të ndodhur në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
2. Tarifa e qirasë së sallës B, kati 0 (Underground), do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve operative të kryera respektivisht për çdo aktivitet, gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJEN E NUMRIT REZERVË TË PUNONJËSVE TË SISTEMIT TË DREJTËSISË PËR VITIN 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Numri i punonjësve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për vitin 2018, shtohet me 14 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 64.
2. Numri i punonjësve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për vitin 2018, shtohet me 6 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 43.
3. Numri i punonjësve të komisionerëve publikë, për vitin 2018, shtohet me 4 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 30.
4. Numri rezervë i punonjësve të sistemit të drejtësisë, për vitin 2018, reduktohet me 24 punonjës dhe bëhet 206.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e përmendura më sipër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË PËRHERSHME TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Bordet, këshillat, komitetet dhe komisionet e përhershme të njësive të qeverisjes qendrore, që këtu e në vijim emërtohen organe kolegjiale, përbëhen nga përfaqësues të njësive të qeverisjes qendrore dhe nga përfaqësues të tjerë, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës. Përfaqësues i njësisë së qeverisjes qendrore në këto organe emërohet punonjësi organik i njësisë. Punonjësit e emëruar në përbërje të organeve kolegjiale përfitojnë një pagesë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këto organe, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Nuk janë objekt i këtij vendimi organet drejtuese të njësive të fondeve speciale, të institucioneve kushtetuese dhe të pavaruara, që funksionojnë si të tilla sipas përcaktimeve të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, si dhe të institucioneve që nuk financohen nga buxheti i shtetit.
3. Emërtesa e çdo organi kolegjial, numri i anëtarëve në përbërje të tyre, numri maksimal i pagesave në një vit, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera, si dhe masa e pagesës së tyre, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Masa e shpërblimit të punonjësve të emëruar në komisionet e mëposhtme është, si më poshtë vijon:
a) Për komisionet e posaçme të shpronësimit të ngritura në njësitë publike, masa e shpërblimit të anëtarëve në përbërje të tyre, është 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo vendim shpronësimi të miratuar;
b) Për komitetin e auditimit të ngritur në njësitë publike, masa e shpërblimit të tre anëtarëve, është 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo mbledhje, por jo më shumë se 4 pagesa në vit;
c) Për Komisionin e Përhershëm të Vlerësimit të Objekteve të Trashëgimisë Kulturore, masa e shpërblimit është 5 000 (pesë mijë) lekë secili prej anëtarëve, për çdo akt vlerësimi;
ç) Për komisionin rajonal mjekësor për caktimin e aftësisë për punë, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, masa e shpërblimit është 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për kryetarin dhe 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera në një muaj;
d) Për Komisionin Epror Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, masa e shpërblimit është 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj për kryetarin dhe 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera në një muaj;
dh) Për Komisionin Mjekësor Qendror për Përcaktimin e Verbërisë, në varësi të Shërbimit Social Shtetëror, masa e shpërblimit është 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj për kryetarin dhe 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera në një muaj;
e) Për komisionin e posaçëm për miratimin e materialeve të përkthyera të legjislacionit të Bashkimit Evropian në shqip, pranë ministrisë përgjegjëse për evropën, masa e shpërblimit të anëtarëve në përbërje të tij përcaktohet sipas kritereve të udhëzimit të përbashkët të ministrit përgjgjegjës për evropën dhe ministrit përgjegjës për financat dhe ekonominë.
5. Kufiri maksimal i shpërblimit të anëtarëve në senatin akademik dhe bordin e administrimit në institucionet e arsimit të lartë publik është 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj.
6. Përjashtohen nga e drejta e pagesës sipas pikës 3, të këtij vendimi, punonjësit e emëruar si përfaqësues të institucionit në më shumë se 2 (dy) nga organet kolegjiale të përcaktuara në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Shpenzimet për kryerjen e pagesës së punonjësve në përbërje të organeve kolegjiale, të cilat vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje, si dhe çdo shpenzim tjetër i natyrës operative (jo shpërblim), të kryer për realizimin e detyrave të organeve kolegjiale, përballohen nga institucionet e ngarkuara për krijimin e organeve kolegjiale, brenda buxhetit vjetor të tyre.
8. Njësia e qeverisjes qendrore që emëron përfaqësues të saj në organet e ndryshme kolegjiale, ka detyrimin e mbajtjes së të dhënave të angazhimit të punonjësve të saj në këto organe.
9. Efektet financiare për organet kolegjiale që rregullohen për herë të parë me këtë vendim, fillojnë nga momenti i funksionimit të tyre dhe përballohen nga buxheti i miratuar për institucionet përkatëse, të përmendura në vendim.
10. Vendimi nr.418, datë 27.6.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, shfuqizohet.
11. Ngarkohen njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2018, zëri “Shërbime qeveritare”, t’i shtohet fondi prej 15 033 538 (pesëmbëdhjetë milionë e tridhjetë e tre mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) lekësh, për organizimin e eventeve në kuadër të përmbylljes së “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut” për periudhën nëntor 2018.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

MENAXHIMI I MBETJEVE TE METALEVE

– SHTESA 781

– ZGJERIM – PARKU LURA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.